Blog

  • Kalorësit e Jugut, Muli dhe Tërmeti

    Kalorësit e Jugut, Muli dhe Tërmeti

    Propaganda është pjesa më e rëndësishme e Rilindjes, por kryebashkiakët e saj nuk po njohim më limite. Në faqet zyrtare në rrjetet sociale, kryebashkiakët socialistë propagandojnë bollëk, investime “dinjitoze”, që edhe mbylljen e një kapaku pusete e shoqërojnë me shumë foto dhe disa video, por në “kohën e lirë” ata kalërojnë.

    Më e fundit ishte një “binjakëzim” jo vetëm kuajsh, por edhe idesh mes Bashkisë së Gjirokastrasë dhe asaj të Tepelenës. Kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi dhe ai i Tepelenës Tërmet Peçi u hipën kuajve dhe nisën një rrugëtim sportiv.

    “Bashkë me Linditën dhe Tërmetin ishim mes mysafirëve të kësaj fundjave në Caravan Horse Riding Albania. Një eksperiencë fantastike që duhet ta provoni dhe sugjeroni tek miqtë tuaj. Për të zgjatur kohën e qëndrimit të turistëve në Gjirokastër, sigurisht që duhen ofruar edhe alternativa të tjera përtej asaj që ka qyteti nga ana historike e kulturore. Diversifikimi i paketës turistike na ndihmon për të patur një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori jetik për ekonominë tonë. Caravan Horse Riding Albania është një vlerë e shtuar në atë çfarë ofron Gjirokastra për vizitorët vendas e të huaj”- shkruan Golemi në faqen e tij zyrtare.

    Kjo “mrekulli” shoqërohet me shumë foto qejfi majë kalit, ku bie në sy edhe Tërmet Peçi që ka punuar ditë e natë për “fitore publiçitare”. Të gjithë kanë dy idhuj, Edi Rama dhe Lali Eri. Flamur Golemi, edhe pse një kryebashkiak i ri, që fitoi në Gjirokastër pa rivalë në zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit, e ka kthyer punën e zakonshme në makinë propagandistike. Gjithçka gjen në Gjorokastër, nga shërbimi me përparëse për “shtresat në nevojë”, në foto me fëmijë, mbjellje pemësh veshur me jelekë punëtorësh, sigurisht pa e ndarë kurrë bishtin e lopatës nga duart.

    Në Gjirokastër ka varfëri, papunësi, mungesë investimesh në objektet kulturore. Katrahurë urbane, pasi qyteti nuk është vetëm zona historike e pazarit, ku lartësohet dhe mirëmbahet si hajmali shtëpia e diktatorit Enver Hoxha, ndërsa banesat e tjera, edhe pse të cilësuara si objekte kulturore janë rrënuar, duke marrë tatëpjetën e pakthimtë në “sokakun e të marrëve”. E megjithatë, Golemi është ende i ri në detyrë për ti kërkuar shumë llogari, por po bie fort në sy për një propagandë të ulët, cinike dhe që kurrsesi nuk jep realitetin e dhimbshëm të qytetit të gurtë. Një kopje e jashtëzakonshme e Lali Erit.

    Po këtë ritëm po ndjek edhe kreu i bashkisë së Tepelenës Tërmet Peçi, në mandatin e tij të tretë, ku është bërë “Pashai” i paprekshëm i zonës. Megjitahtë, Tepelena dhe rrethinat vuajnë për ujë të pishjshëm, administrata e bashkisë është kthyer në zyrë pune për Rilindjen, ndërsa mbarten edhe milina euro investime të cilat shpesh kanë dalë jo efektive.

    Peçi ëshgjithnjë është i paparashikueshëm (si tërmeti i vërtetë), dhe bën bujë me deklarata që më së paku të qeshësh e më pas të qash me ngashërim nga fatkeqësia që ka zënë banorët e Tepelënës. Bën intervistë politike në oborrin e një kishe, pranë një afresku.

    Dëgjon këngë për Enver Hoxhën e ngren dolli për komandantin legjendar, Enverin dhe Ramën. Pikturon Ramën në palestër shkolle si basketbollist. Të na rrojë Rilindja, të rrojë udhëheqësi i dashur shoku Edi me gjithë Gramoz e miq të tjerë të partisë! Jugun e kemi të siguruar. Bijtë e Rilindjes po e mbajnë gjallë propagandën, si dëvizën e parë të partisë.

  • Të gjitha kritikat ndaj Alketa Vejsiut

    Të gjitha kritikat ndaj Alketa Vejsiut

    Fakti që Alketa Vejsiu e ka humbur sensin e realitetit pas prezantimit që bëri në Sanrremo, po e përball atë me kritika të ashpra mes bashkatdhetarëve të saj. Deliri për ta barazuar suksesin e saj me një festë kombëtare në Shqipëri, pritshmëria për të pasur një telefonatë nga kryeministri, dëshira se u bë aq e madhe sa të takohet edhe me Berluskonin e kanë bërë atë targetin e ironisë, talljeve dhe mosaprovimit.

    “Me të mbërritur në Shqipëri të kthehet me këmbë në tokë dhe të mos mendojë se është një heroinë dhe që është një figurë e madhe e kombit shqiptar” tha në monologun e emisionit të tij Mustafa Nano.

    “Italiani ka një fjalë që quhet Umiltà, (përulje). Elhaida Dani fitoi “The Voice” në Itali por nuk e çoi autovlerësimin në nivele të pakapshme. Nuk monologoi as para e as mbrapa fitores duke na treguar përrallat e njeriut të parë në Henë. Njerëz, askush nuk xhelozohet, e aq më shume urren këtë vajze. Është sjellja e saj, arroganca e fshehur nën ato shprehjet standarde, mësimi përmendësh i 20 fjalive, logorroic-lleku funksional dhe mbi të gjitha mungesa e dinjitetit që mua personalisht “mi stanno sul atë që s’thuhet”. Pastaj, mbrëmë tha gënjeshtra për vendin e saj” shtoi gazetari shqiptar në Itali që punon për “Le Ienne”, Taulant Kopliku.

    Ndërsa blogeri Olti Curri, gjithmonë kritik ndaj prezantueses shkroi: “Alketa keq mirë e mori të gjithë vëmendjen për vete. Hyrja e Alketës ishte e gjatë, u dënua’ nga asistentët e studios të cilët i thanë se u zgjat më shumë se 4 minuta, më shumë seç ishte dakordësia. Hyrja më trembi, ishte e dhunshme, nuk merret vëmendja në atë lloj mënyre, ishte e paedukuar. Dukej më shumë si e ftuar te ‘Opinioni’ që donte të merrte fjalën sesa te Sanremo. Siç e tha dhe vetë hyrja e dytë ishte krejtësisht ndryshe. Nuk më pëlqeu fare, është stili i saj. Alketa edhe kur është e heshtur prapë flet shumë.”

    Edhe prezantuesja dhe ish misi Hygerta Sako nuk e ka duruar dot fshirjen e historisë për të vënë në qendër veten. Alketa Vejsiu deklaroi në Sanrremo se në edicionin e fundit të “Festivali i Këngës”, për herë të parë i ishte besuar prezantimi dhe drejtimi artistik një femre, duke iu referuar në këtë mënyrë, vetes. Sako, e cila e ka prezantuar festivalin shqiptar plot këtër herë nuk është përmbajtur dot : “Mirë që paskemi qenë të gjithë burra ne që kemi prezantuar Festivalin e RTSH-së, por unë e paskam ngrënë keq, se paskam qenë burrë jo një, por plot 4 herë”, ka shkruar Hygerta gjithë ironi.

    Edhe për gazetaren Fatma Haxhiu, e cila ka relativizuar debatin bardh e zi rreth Alketës, suksesi i saj ka vetëm vlerën e diçkaje personale dhe jo të një krenarie kombëtare ashtu sikurse po na e paraqesin : « Ëndrrat dhe ambiciet janë personale. Alketa shkëlqeu, nderoi veten, arriti ëndrrën dhe kaq, të dyja skajet pastaj më duken njëlloj palidhje. Në 2020 këto përfaqësimet e një populli e një kombi më duken Zot na ruaj, shenjë inferioriteti, nuk e di sa u përlotën këta njerëzit e shtëpisë së Georgina-s se e kishte dhe sefte në skenë e televizor. Me një llaf, bëni e ç’bëni i keni për vete, as për popullin, as për Shqipërinë. Flisni në vetë të parë dhe për veten mos merrni përsipër përfaqësinë populiste dhe shijoni çdo gjë siç ju do qejfi…” shkruajti ajo gjatë një debate online me kolegen e saj Aulonën.

    Pra, ndonëse shumë shqiptarë e kanë pëlqyer prezantimin e Alketës në Sanrremo dhe disa të tjerë kanë qenë më pak entuziastë për shkak të të folurit supersonik dhe të stonuarit në të kënduar, pothuajse të gjithë janë në një mendie se deliri, arroganca dhe vëtëkënaqësia e shprehur publikisht nga prezantuesja, pas kësaj ngjarjeje, i ka kaluar kufinjtë e normales.

    Aty ku Alketa me të vërtetë dështoi ishte në paftësinë për tu përmbajtur, që duhet të ketë çdo njeri që arrin të realizojë ëndrrën e vet. Pikërisht për këtë i ka marrë edhe kritikat, ironitë dhe talljet më të mëdha.

  • Kush ka dashur që të vritet Papa Wojtyla?

    Kush ka dashur që të vritet Papa Wojtyla?

    Më kishin premtuar parajsën. Ky është titulli i biografisë së shkruar nga Mehmet Ali Agca, ish-terroristi turk që më 13 maj 1981 i bëri atentat Papës Wojtyla. Kjo biografi ka bërë shumë të diskutohet sepse përçon edhe një të vërtetë tjetër në lidhje me nxitësit e sulmit: pasi ka ndryshuar versione dhjetëra herë gjatë 32 viteve, Agca drejton gishtin ndaj ayatollahut iranian Khomeyni dhe shpurës së tij. Për shumë njerëz, pista iraniane mendohet se është një tjetër mashtrim i Agca për t’i bërë njerëzit të flisnin për të. Pasi kaloi disa vjet burg, Agca, fillimisht i dënuar me burgim të përjetshëm, përfitoi falje në vitin 2000 dhe u ekstradua në Turqi, ku shleu llogaritë e tij me drejtësinë. Në fakt, ai u mbyll në një burg në Stamboll: një vendim i gjykatave turke i vitit 1980 e njeh atë fajtor për vrasjen e Abdi Pekçit, drejtorit të gazetës liberale Milliyet, i vrarë në 1979. Por në vitin 2010, Agca del nga burgu dhe qysh atëherë është i lirë. Dhe ende nuk e dimë se kush e urdhëroi atë që të qëllojë.

    Çfarë ndodhi

    Në Romë është ora 5 e pasdites, dhe në Sheshin e Shën Pjetrit turma pret që Papa Gjoni Palin e II-të të kalojë në “Popemobile” të tij dhe të përshëndesë besimtarët. Në orën 5:15 pasdite papa shfaqet: ai vjen i buzëqeshur dhe siç pritej, duke puthur fëmijët, duke shtrënguar duar, duke përkëdhelur njerëzit në faqe. Pastaj, papritmas, në ora 17 dhe 22, dëgjohen disa të shtëna: Papa i përgjakur rrëzohet në krahët e sekretarit të tij, priftit polak Stanislav Dziwisz.

    Dikush, i fshehur në turmë, e ka qëlluar. Në orën 6 të mbrëmjes, Gjon Pali II lufton për jetën në tryezën operatore të Spitalit Gemelli: ka humbur tre litra gjak, ka një dëmtim të rëndë në bark, si dhe dy lëndime të lehta në shpatullën e djathtë dhe në dorën e majtë. Ndërhyrja zgjat më shumë se 5 orë e gjysmë: Papa ka shpëtuar. Ai që qëlloi ishte Mehmet Ali Agca, një terrorist 23-vjeçar, anëtar i një organizate ekstre të djathtë turke, “Ujqit gri”. Pasi qëlloi papën, Agca përpiqet të shpëtojë duke u ngatërruar me njerëzit mes turmës, por bllokohet nga një fetare e re nga Bergamo, Motra Lucia Giudici. Ajo i bërtet “Ku po shkon?” ai pengohet, bie përtokë. Pastaj ajo hidhet sipër tij, e kap për xhakete, përpiqet ta mbajë sa të mundet. Pastaj, më në fund arrin policia; ka një turmë të madhe, Agca përpiqet çlirohet ndërsa Motra Lucia e godet me shkelma atë. Komisari Augusto Ceccarelli do të komentojë më vonë: “Motra, nuk dini shkelma mund të kem ngrënë nga ajo atë ditë. Besoj se kam akoma mavijosje”.

    Alibitë e Agcës

    Në 1982, Agca bën sikur dëshiron të bashkëpunonte me drejtësinë italiane, duke deklaruar se ishte punësuar nga KDS, shërbimet sekrete bullgare; hetuesit përqendrojnë vëmendjen e tyre te Sergei Antonov, një punonjës i Balkan Bulgarian Airlines. Pista, megjithatë, dëshmohet inkonsistente. Një hetim i mëpasshëm merret me shërbimet sekrete të BRSS dhe Gjermanisë Lindore, d.m.th. KGB dhe Stasi, por edhe kësaj radhe hetimi përfundon me një grusht mizash në dorë.

    Vijon më pas pista “mafioze”, nën vazhdën e rrëfimeve të një të penduari të Cosa Nostra, Vincenzo Calcara, por hetimi përfundon në asgjë. Pas kthimit në liri në janar 2010, Agca jep një intervistë në TV turk, duke akuzuar Kardinal Agostino Casaroli, sekretar i shtetit të Selisë së Shenjtë si porositës të atentatit. Më i fundit në listë, është Khomeyni iranian.

    Çështja Orlandi

    Në shkurt të vitit 2010, Pietro Orlandi, vëllai i Emanuela, qytetarja 15 vjeçare e Vatikanit që u zhduk në Romë në rrethana misterioze më 22 qershor 1983, fluturon për në Stamboll për të takuar Agca. Gjatë takimit, sipas lajmeve Corriere della Sera, ish ujku gri i ka thënë: “Emanuela është gjallë, ta garantoj. Unë kam prova të sakta në dorë: e rrëmbyen atë që të lirohem unë, por nuk jam unë përgjegjës për rrëmbimin. Mund të kontaktoj me rrëmbyesit. Kam dokumente kaq të rëndësishme sa që do të detyrohen ta lënë Emanuelën të lirë. Shpresoj që ajo të kthehet në shtëpi para qershorit”.

    Që në vitin 1984, “Ujqërit gri” pretenduan rrëmbimin e vajzës, pa dhënë megjithatë asnjë prova konkrete; sidoqoftë, fjalët që Agca i tha Pietro Orlandit shpejt do të dëshmoheshin se ishin gënjeshtra të pastra. Këto mashtrime të ndyra vazhdojnë të rëndojë mizorisht dhimbjen e familjes Orlandi dhe ende fsheh të vërtetën.

    Rrëmbimi i Emanuela Orlandi mbetet një çështje e pazgjidhur; sa i përket sulmit ndaj papës, dimë se Agca është armatosur nga “Ujqërit gri” turq, por se kush fshihet pas tyre ndoshta nuk do ta dimë kurrë.

  • Vdekja e Lady D., ishte vrasje apo aksident?

    Vdekja e Lady D., ishte vrasje apo aksident?

    Edi DELIU – Para disa kohësh, një ish-mercenar kroat, ushtar i SAS (Forcat Speciale Britanike), identiteti i të cilit është i panjohur dhe për këtë arsye është pagëzuar “ushtari N”, rrëfeu se ishte punësuar bashkëme të tjerë për të vrarë Princeshën Diana , duke shkaktuar aksidentin e makinës në të cilën humbi jetën. Ideja që pas vdekjes së Lady D, që ndodhi në Paris më 31 gusht 1997, ka një komplot qarkullon për 16 vjet dhe indicie që dalin hera-herës vetëm hedhin benzinë në zjarrin e teorisë së konspiracionit.

    Çfarë ndodhi

    Natën e 31 gushtit 1997, një Mercedes W140 përplaset me një shtyllë në tunelin e Pont de l’Alma në Paris. Në aksident, vdesin Lady Diana, Dodi Al-Fayed, djali i miliarderit egjiptian Mohamed Al-Fayed dhe shoferi Henri Paul.

    Lajmi tronditi botën dhe ngjalli mjaft hamendësime: a ishte thjesht një aksident?

    Versioni zyrtar

    Makina e princeshës është ndjekur nga paparacët: sipas versionit zyrtar, shoferi ishte i dehur dhe në përpjekje për t’u larguar nga fotografët humbet për një moment timonin e makinës dhe godet shtyllën. Por, a është e gjitha kjo? Ka nga ata që pretendojnë se shoferi ishte verbuar me dashje. A ka prova? Dhe, a është e vërtetë që princesha prej kohësh kishte frikë për jetën e saj?

    Shërbimet sekrete britanike

    I pari që i fryn zjarrit është babai i Dodit, Mohamed Al-Fayed, i cili nuk është lodhur kurrë së thëni me të madhe se kemi të bëjmë me një komplot: ai pretendon se Diana ishte duke pritur një foshnjë nga Dodi dhe se kjo shtatëzani “e rrezikshme” (Al-Fayed-ët janë muslimanë) i ka shtyrë shërbimet sekrete britanike (MI6 për të qënë të saktë) që të komplotojnë për ta eleminuar atë. Dy hetimet zyrtare, njëra francezë dhe tjetra angleze, megjithatë, mohojnë çdo pretendim: autopsia konfirmon që Henry Paul ishte i dehur dhe nën ndikimin e psikofarmakëve dhe rindërtimi i ngjarjes demonstron se Ledi D dhe Dodi Al-Fayed do të kishin të shpëtuar me siguri nëse do të kishin vënë rripat e sigurimit.

    Teoria e lazerit verbues

    Zërat që flasin për komplot, megjithatë, shtohen kur një ish agjent i MI6, neozelandezi Richard John Tomlinson, deklaroi se sipas gjasave këtu është dora e shërbimeve sekrete: sipas tij, përdorimi i një rrezelazeri verbuese për të shkaktuar një aksident fatal automobilistik ishte një praktikë e njohur mirë nga ish-punëdhënësit e tij. Sue Reid, një gazetar në Daily Mail, ngre pretendimet e tij: ai pretendon se ka gjetur dëshmitarë okularë të gatshëm të thonë se në tunel një “moto e zezë” e fuqishme iu bashkangjit Mercedesit, duke e verbuar atë me një blic.

    Sidoqoftë, idea e një komploti kundërshtohet me informacione të reja.

    Dashuria e vërtetë e Dianës

    Duket se Diana nuk ishte e dashuruar me Dodi dhe as nuk kishte ndërmend të martohej me të: dashuria e saj e madhe ishte kardiologu anglo-pakistanez Hasnat Khan.

    Së dyti, dy mjekë – koroneri John Burton dhe Dr. Robert Thompson të pranishëm gjatë autopsisë – mohojnë me forcë që princesha të ishte shtatzënë; gjithashtu edhe analizat e kryera nga Policia e Londrës mbi gjurmët e gjakut të lënë nga Diana e vdekur në sediljen e saj të Mercedesit, përjashtojnë shtatzëninë.

    Hipoteza e tregtarëve të armëve

    Një nga hipotezat më të përfolura komplotiste, e përhapur nga tabloidët britanikë, është se princesha u vra nga disa tregtarë armësh. Siç dihet, në muajt e fundit të jetës së saj, Diana është përkushtuar plotësisht në mbështetje të fushatës së Kryqit të Kuq Amerikan kundër përdorimit të minave antinjeri: princesha ishte rreshtuar me vendosmëri në favor të atyre që kërkonin ndalimin e përdorimit të këtyre minave. Teoria sipas së cilës ishin tregtarët e armëve ata që vepruan kundër Dianës për të mbrojtur biznesin e tyre u ngrit së pari në 2010 nga Michael Mansfield, një nga avokatët britanikë të Mohamed Al-Fayed, por nuk ishte e mbështetur nga asnjë provë dhe ndër të gjitha hipotezat konspiracioniste u dëshmua padyshim më e paqëndrueshmja.

    Konkluzione

    “E vërteta zyrtare” nuk është e gjithë e vërteta. Princesha nuk ishte shtatzënë dhe vdiq nga thyerja e aortës e shkaktuar nga aksidenti.

    Nuk ka dyshim për këto dy fakte. Gjithashtu shumë pak e mundshme është edhe teoria që shërbimet sekrete “provokuan” aksidentin. Sidoqoftë, dy hetimet zyrtare nuk na kanë treguar gjithë të vërtetën. Në ditët e fundit të jetës së saj, princesha jo vetëm që është ndjekur nga paparacët dhe ishte në qendër të një ekspozimi të çmendur të mediave, por gjithashtu edhe është kontrolluar dhe spiunuar nga shërbimet sekrete. Pse? Kë bezdiste ajo? Kujt nuk i pëlqente lidhja e saj me Hasnat Khan? Preokupimet më të mëdha për sigurinë e princeshës i ka ish burri i saj, Princi Charles; çfarë di ai apo për çfarë dyshon? Jo gjithçka është e qartë, kjo është e sigurtë.

  • Erl KODRA– KÇK, Mafia dhe Edi Rama

    Erl KODRA– KÇK, Mafia dhe Edi Rama

    KÇK – ja e Edi Ramës po dëmton në mënyrë të pariparueshme provat penale, me të cilat mund të hetohen dhe të dënohen eksponentët e Krimit të Organizuar. Thënë ndryshe, hetimi dhe gjykimi, në shkelje flagrante të lirive dhe të drejtave të njeriut, u jep të drejtë absolute të gjithë atyre që u konfiskohet prona. Me siguri, asnjë Gjykatë nuk do të jetë në gjendje të vendosë sekuestro mbi këto prona, ku përgjatë procedurave, janë shkelur hapur të drejtat e njeriut.

    Në thelb, i gjithë ky show mund të shërbejë, si një alibi përfundimtare e Krimit të Organizuar, që të gëzojnë përfundimisht dhe lirisht “pronën” e tyre. Dhe ja pse.

    Ndalimi i gjykimi të dyfishtë është një mbrojtje procedurale (disa vende e parashikojnë si mbrojtje kushtetuese) që ndalon gjykimin dhe dënimin e dyfishtë, me të njëjtat akuza (ose akuza të ngjashme) pas një lirimi ose dënimi të vlefshëm.

    Nëse kjo çështje ngrihet para një gjykate, prova e gjykimit dhe dënimit të mëparshëm i paraqitet gjykatës, e cila normalisht duhet të vendosë, si çështje paraprake, nëse fakti është i vërtetuar; dhe nëse është, gjykimi i parashikuar duhet të pengohet menjëherë.

    Në disa vende lejohen përjashtime të caktuara, të tilla si në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Skoci, ku mund të fillohet një gjykim i ri nëse, për shembull, nëse i liruari, ose i dënuari, ka pranuar fajin sinqerisht, ose, në rastet e veprave të rënda penale, ku fakte të reja thelbësore ri-provojnë me prova të reja dhe bindëse fajësi më të rëndë, dhe se gjykimi i ri do të jetë në interes të publikut.

    Në disa vende, përfshirë Kanadanë, Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara, garancia për të qenë “në rrezik për t’u akuzuar dhe gjykuar dy herë” është një e drejtë kushtetuese. Në vendet e tjera, mbrojtja sigurohet me statut.

    Kjo e drejtë është sanksionuar në mënyrë eksplicite nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, dhe nga Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.

    Përfundimisht, mund të thuhet me bindje të plotë se KÇK- ja e Edi Ramës po dëmton dhe minon çdo mundësi proceduriale, duke zhvlerësuar kështu të gjitha mundësitë e një hetimi dhe gjykimi të drejtë, por mbi të gjitha, ai po i “pastron” të gjitha pasuritë e Mafias shqiptare.

  • Jeta e re e Herrit dhe Meganit: Ja si i kalojnë ditët në Kanada

    Jeta e re e Herrit dhe Meganit: Ja si i kalojnë ditët në Kanada

    Sipas revistës “People”, dukët po shijojnë një ekzistencë shumë të qetë dhe fare pak mbretërore me joga, shëtitje me djalin Archie dhe qentë, si dhe shijimin e ushqimeve e përgatitura në grilat e vilës së tyre: “Por Harry është parë edhe i lodhur teksa blinte ushqime nëpër dyqanet e Vancouverit”

    Kanë kaluar vetëm disa javë që kur Harry dhe Meghan çuditën botën me “divorcin” e tyre nga familja mbretërore. Pak ditë më parë, pas takimit të Sandringham me Mbretëreshën Elizabeth, Charles dhe William, menjëherë Harry u nis për në Kanada për t’u bashkuar me Meghan dhe Archie-n e vogël. Tani familja mund të shijojë jetën që ka dëshiruar gjithmonë. Por, si i kalojnë Dukët ditët e tyre? Pas fotove të para jozyrtare që tregojnë Meghanin plot buzëqeshje duke shëtitur me qentë dhe me djalin Archie në krahë, informacione të reja flasin për Harryn dhe gruan e tij – që pas Megxitit i kanë humbur të gjithë titujt mbretërorë – që po kalojnë një jetë shumë të qetë dhe fare pak mbretërore.

    Së bashku kalojnë shumë kohë në vilën 14 milionë dollarëshe që David Foster dhe Katherine McPhee i kishin “kaluar” të për të kaluar gjashtë javët e pushimeve të Krishtëlindjes. Një ndërtesë luksoze në bregdetin e Vancouverit me pesë dhoma gjumi, tetë banjo, një viletë për të ftuarit dhe me dy plazhe private. “Ditët e tyre janë të qeta dhe çlodhëse”, tha një burim për People Magazine. “Bëjnë joga, shëtisin me të birin Archie dhe me qentë e tyre, ndërsa Meghan ‘vdes’ të gatuajë.”

    Por mund të ndodhë që edhe të mërziten. Në fakt, “Harry është vërejtur ndonjëherë duke blerë ushqime nëpër dyqane të ndryshme”. Sapo moti të jetë më i ngrohtë, atëherë Meghan ka menduar të krijojë një lloj kopshti biologjik, nën gjurmët e asaj që ka krijuar Michelle Obama në Shtëpinë e Bardhë. Është fakt i njohur që ish-aktorja ka qenë gjithmonë tejet e dhënë pas shëndetit dhe kërkon që djali i saj të ketë një ushqim sa më natyral që të jetë e mundur.

    Shkurt, ditët e reja të Sussexëve duken shumë të ndryshme nga ato të Londrës, familja duket më e relaksuar dhe më e lumtur: “Të jesh në mes të askundit rrethuar nga një peizazh i shkëlqyer është parajsë për ta”, tha një insajder pak ditë më parë. Dhe princi është vërtetë entuziast: “Më në fund ai ndjehet i qetë dhe i lirë. Ai nuk ka qenë kurrë më i lumtur”. Një lumturi së cilës, që tani, po i dallohet ndonjë krisje.

    Ditët e fundit, Mirror ka zbuluar se Harry po e ndjen shumë mungesën e disa miqve të tij të dashur nga Londra, me të cilët është në kontakt të ngushtë falë WhatsApp-it. “Ai është duke përdorur aplikacionin e smartfonit të tij si kurrë më parë. Është shumë aktiv, shkëmben video dhe foto me miqtë më të afërt”.

    Edhe lojtari i polos, Nacho Figueras, një shok i ngushtë i Harryt, në një intervistë për Abc News foli për dhimbjen e nipit të Elizabeth II pas lamtumirës me Familjen Mbretërore: “Ka vuajtur shumë për gjithçka që ndodhi. Dhe vazhdon të vuajë sepse njerëzit e gjykojnë atë”. Por dhimbja nuk do ta ndalojë atë: “Po flasim për një burrë që kërkon të mbrojë gruan dhe fëmijën e tij me çdo kusht. Harry dëshiron t’i japë djalit të tij një jetë normale”.

  • Armand SHKULLAKU – KÇK, armiqtë që nuk e shpëtojnë dot Edi Ramën

    Armand SHKULLAKU – KÇK, armiqtë që nuk e shpëtojnë dot Edi Ramën

    Një oficere e policisë së shtetit, bionde dhe me zë të ëmbël, u shfaq në një deklaratë për mediat me gjysmën e fytyrës së mbuluar nga një palë syze dielli, për t’u komunikuar shqiptarëve se Operacioni Forca e Ligjit sapo i kishte shpallur luftë Lul Berishës dhe Ardian Çapes. Në atmosferën e filmave të fundit, ku mpleksen si personazhe, politikanë të lartë dhe figura të njohura të showbizit, shfaqja e vajzës bionde dhe gjysëm të maksuar, dukej si skenë e nxjerrë pikërisht nga punishtja filmike e Ermal Mamaqit.

    Të gjithë bujën e zhurmën e anti KÇK së famshme, nuk mund ta përkufizonte më mirë se asgjë tjetër, komedia e zyrtares me uniformë të shtetit shqiptar që del e maskuar për t’i folur publikut. Sepse në thelb, aksioni më i fundit i kryeministrit, që “frymëzohet nga dashuria për vendin”, nuk është gjë tjetër veçse akti pasues në teatrin e tij të propagandës. Muzika e përzgjedhur për të ilustruar aksionet e para të OFL, kamerat e fokusuara tek këto iniciale mbi uniformat e policëve (për të evokuar ato të FBI në filmat e Holliwoodit), montazhi me efekte speciale dhe figura e bjondes gjysëm të maskuar për t’u transemtuar gjëmën kriminelëve, tregojnë kujdesin e regjisorit- kryeministër (me raste edhe aktor) për të shitur filmin mediokër të radhës.

    Ky film absurd, që u konceptua si një akt normativ emergjence, me nevojën për t’iu shitur publikut si një kauzë e re, si një betejë epike e atyre që e duan vendin kundër frontit të së keqes, që në skenën e parë e shndërroi në butafuri ngrefosjen e OFL. Trupat elitarë vunë nën sekuestro një pronë që ishte nën sekuestro që prej vitit 2015.

    Për ligjin e famshëm anti KÇK, që u propagandua si aksion kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që po nxjerrin çdo ditë banditë nga burgu dhe përfundoi tek makinat e këtyre të fundit, është 8diskutuar shumë këto ditë. Që nga antikushtetushmëria e tij, dublimi i ligjit anti mafia që qeveria Rama nuk e aplikoi thuajse kurrë, rreziku i përdorimit selektiv e deri tek ndikimi negativ që mund të ketë mbi institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar. I gjithë ky diskutim, edhe i atyre që e kundërshtojnë ligjin, edhe i atyre që kanë vetëm disa rezerva për të, ngrihet mbi premisën sikur vullneti i kryeministrit për të luftuar krimin nuk vihet në dyshim, por forma e zgjedhur prej tij nuk është ajo e duhura.

    Në fakt, gjithë ky film me uniforma OFL dhe çupa me syze të errëta, nuk është gjë tjetër veçse strategjia e njohur e Edi Ramës për të shpikur një sfidë, një armik të ri pasi nuk ka bërë asgjë me betejat e shpallura më parë. Sa herë ka ndonjë fushatë elektorale përpara, sa herë bie në sondazhe, sa herë gjendet ia pafuqishëm në paaftësinë e tij për të qeverisur e kryer punë konkrete për të cilat është votuar, Edi Rama thërret në ndihmë armikun e radhës. E ka bërë këtë në fillim të 2013 kur mori flamurin e luftës kundër drejtësisë së korruptuar, pastaj e vijoi me linçimet në publik të zyrtarëve të administratës, “viktima” të fushatës populiste të bashkëqeverisjes me popullin, shpalli armike LSI dhe kërkoi timonin vetëm për vete, iu turr opozitës si tradhëtarja që la vendin pa negociata me BE, nisi betejën e shpifur me mediat që i cilësoi si kazanin që nxinte figurën e tij të ndritur dhe tani vendosi të sajojë KÇK-në meqënëse nuk i kishte mbetur gjë tjetër për të kapur.

    Mirëpo strategjitë që predikojnë rritjen e pikëve në opinion, nuk kanë parashikuar dot se si kjo mund të bëhet vazhdimisht kur nuk arrin të prodhosh asgjë konkrete. Ato mund të funskionojnë në raste të veçanta, kur një qeveri apo lider ka një bilanc suksesesh dhe në një moment rrëshqitje apo humbje besimi, i duhet një gjetje politike për t’u ringritur. Strategët që mund të garantojnë ringritjen nga boshi në bosh, apo nga dështimi në dështim, ende nuk ekzistojnë.

    Prandaj fushatat e Edi Ramës ngjisin gjithnjë e më pak dhe prandaj edhe ata që i mbështesin ato në publik u ngjajnë gjithnjë e më shumë limonave të shrydhur. Shumëkush e mban mend euforinë e këtyre të fundit në ditët e para pas tërmetit. Kryeministri po fiton pikë, daljet e tij në tv e ertv po e bëjnë popullor, ai i mori terrenin opozitës, po ngrihet në sondazhe, ka rigjetur forcë dhe energji, e plot pallavra të tjera. Mirëpo punët konkrete nuk i bëjnë as ertv, as qokat me veladon të zi dhe as daja te Ermal Mamaqi.

    Tani kryeministri ka nxjerrë fabulën e re me emrin KÇK. Ndonëse më të pakët, përsëri ata që kullosin në livadhin e tij mediatik, ia kanë nisur refrenit: qeveria po i shpall luftë të vërtetë krimit, Edi Rama po merr vëmendjen e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, opozita u kap e papërgatitur, etj, etj.

    Mirëpo, të gjithë këta nuk duan të shohin osë bëjnë sikur nuk e shohin të gjithë filmin 7 vjeçar të një kryeministri butaforik. Ata nuk e shtrojnë asnjëherë pyetjen se çfarë ndodhi një natë janari e një ditë shkurti, që njeriu që e lidhi më shumë se kushdo tjetër krimin me politikën vendosi ta luftojë atë. Ata përcjellin pamjet e skenës së xhiruar me muzikë e efekte të sekuestrimit të një hoteli në Shijak, por nuk pyesin se si u lirua dy vjet më parë pronari i tij vetëm pak orë pas arrestimit dhe kur kryeministër ishte Edi Rama dhe ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri. Raste të tilla ka pafund, por pyetjet mbi to nuk mund t’i bëjnë ata që kanë pranuar rolet në teatrin e shpifur të Edi Ramës.

    Sepse nëse do t’i bënin, atëherë do të mbërrinin tek thelbi i kriminalizimit të vendit dhe politikës. Tek futja e kriminelëve në politikë, tek ministrat e përfshirë në trafik droge e blerje votash, tek kryetarët e bashkive që po bien një e nga një, tek lista e zezë e SHBA, tek bisnesmenët që hynë në politikë falë korrupsionit, tek drejtuesit e lartë të shtetit që kanë pasuri marramendëse e aksione të fshehura në kompani private, tek vetë njeriu që sot thotë se do t’i shpëtojë shqiptarët.

    Për ta bërë të besuar filmin e tij të radhës, kryeministri akuzoi sot opozitën dhe gazetarët se “për ta krimi është ushqimi i politikës e audiencave të tyre kundër qeverisë dhe mes krimit e qeverisë ata zgjedhin krimin”. Problemi është çfarë duhet të zgjedhim kur qeveria është e lidhur me krimin.

  • Alfons ZENELI-Çfarë fshihet poshtë fustanit të nusërisë së filmit “I love Tropoja”

    Alfons ZENELI-Çfarë fshihet poshtë fustanit të nusërisë së filmit “I love Tropoja”

    Gjatë periudhës së qeverisjes së parë të Berishës e deri më tash po të shohësh me kujdes shtypin dhe propagandën e majtë politike vëren se tendenca për ta quajtur të keqen “Tropojë”, është strategji. Tabelë qitjeje ka qEnë i gjithë Veriu, por pikturimi i Tropojës si ajo pika me nr.10 në tabelën e qitjes ka ardhur si rezultat i faktit që prej asaj treve e ka origjinën ai “diktatori çeçen e malok që nuk di shqip”, Sali Berisha. Patologjia antiveri është ngjizur në mitrën e së majtës që në kohën e pllenimit të PKSH nga emisarët serbosllavë në vitin 1941. Por le të mos sjhkojmë deri në atë kohë. Në segmentin kohor 1996-2000 kemi një ofensivë të përgjithshme propagandistike me këtë qëllim.

    Në një nga gazetat e kohës janë publikuar sistematikisht lajme, shkrime, komente e analiza denigruese ndaj Veriut dhe Tropojës në veçanti. Ja një lajm i botuar në një gazetë asokohësh : “Arrestohen shtetasit D.M, V. B, Z. L, O. P dhe një tropojan”. Lajme të kësaj kategorie diskriminuese të ulët dhe aprofesionale kanë qënë lënda bazë e suksesit politik dhe tirazhit. Por më pas, një ish gazetar i kësaj gazete, shkroi një libër me historitë e përdhunimeve në Shqipëri. Sipas autorit, emrin e të cilit nuk po e përmend për arsye etike (pasi ai, prej vitesh është vetëizoluar nga jeta sociale), për shkrimin e librit kishte shfrytëzuar të dhëna nga dosjet e policisë. Deri këtu, në rregull. E bukura vjen më pas.

    Librin e kishte titulluar “Përbindëshi i Tropojës”. Logjika na thotë se çdo rast përdhunimi është i përbindhshëm. Por gjithashtu, po e njëjta logjikë na thotë se rasti i Tropojës i ekspozuar në libër duhej të ishte dhe më ekstremi ndër të gjithë përderisa dhe ishtë zgjedhur si titull. Sepse titulli është simbolika përfaqsuese. Por po ta lexoje librin konstatoje se të gjithë rastet e përdhunimeve të ndodhur nëpër qytetet e tjerë të Shqipërisë ishin shumë më makabër se sa ai i Tropojës. Psh, në libër bëhej fjalë edhe për një rast të ndodhur në Korçë prej nga është dhe autori ilibrit.

    Rasti i Korçës ishte aq ekstrem, aq barbar dhe aq çnjerëzor sa nuk do të pranohej nga asnjë skenarist horrori. Atëhere përse nuk e titulloi librin “Përbindëshi i Korçës”? Sepse me këtë titull as nuk do të bënte sensacion dhe as nuk do t’i përshtatej trendit të klimës politike dhe nevojave të veta psikokulturore. E bëra këtë parantezë për të ardhur tek filmi i Ermal Mamaqit aq shumë i përfolur e komentuar ditëve të fundit. Çdo akt e vepër artistike, qoftë dhe ajo e niveleve më të pabesueshme të fantashkencës, gjithmonë ngrihet mbi një bazë logjike të caktuar, mbi një taban psikologjik të cilin mund ta mbajë logjika njerëzore. Ermali sigurisht që duhet ta ketë dëgjuar diku këtë gjë. Por megjithatë ai nuk është menduar dy herë kur ka nisur të shkruajë skenarin e filmit “I Love Tropoja”.

    Ai vetë e pranoi që e ka shkruar brenda natës. Një vepër voluminoze për nga pikëpamja teknike siç është skenari i një filmi, nuk mund të shkruhet ashtu thjesht për një natë, me një frymë, thjesh fare i frymëzuar nga një thashethem kafenesh. Vetëm një gjeni mund të shkruajë për një natë skenar filmi. Në një rast serioz, skenaristi normalisht që konsultohet me specialistë, sociologë, etnologë, historianë e studiues gjë që Ermali nuk ka patur mundësi ta bëjë gjatë një nate të vetme. Nëse e ka shkruar në kushte shtëpiake, teknikisht ai ka patur mundësi të konsultohej vetëm me një person. Nëse atë natë nuk e ka patur aty personin me të cilin ndan netët zyrtarisht, atëhere mbase është konsultuar vetëm me Edi Ramën. Në shpi të vet apo në Surrel, ky është një detaj i parëndësishëm. Në të gjitha variantet, kuptohet qartë se përse skenari i filmit është pjellë perverse dhe tralala e mosdijes dhe urrejtjes.

    Normalisht, Veriu dhe Tropoja janë përgojuar për fanatizëm ekstrem, për izolimin e grave nga ambientet ku rrinë burra etj.. Madje këto shfaqje “jocivilizuese”, janë kritikuar nga liberalët e tashëm progay dhe nga aktivistët e dikurshëm të agjitpropit kur ndërtohej “njeriu i ri”. Tropoja dhe veriu janë simbole të së kundërtës së pretenduar nga Ermali. Ndaj, besoj se filmi “I love Tropoja”, është karagjozllëk klasik, budallallëk me dashje me qëllimin për të ”kap noj lek” e për t’ua shtuar të ardhurave që vijnë nga fustanet e nusërisë. Por thellë në vetvete, poshtë fustaneve, me apo pa dijeninë e Ermalit, kjo është një shfaqje intuitive, një shpërthim i nënndërgjegjes ku atje në errësirë përvijon ende ideja se i vetmi vend ku mund të ngjajnë skandale, dhunë, vjedhje, përdhunime, krime, perversitete dhe injorancë është vendi i ”shpellarëve”; “Veriu i reaksionar”

  • Kështu lindin teoritë e komplotit

    Kështu lindin teoritë e komplotit

    Edi DELIU – Askush nuk e vë në dyshim sulmin ndaj Kullave Binjake. Megjithatë, edhe pas episodeve të ndodhura e të padiskutueshme si kjo, përhapen pa zhurmë e pa bujë fjalë, zëra, thashetheme të gjithfarësojshme që më në fund i besojnë edhe vetë ata që i përhapin. Po, kush i shpik? Pse? Ja rastet më të bujshme

    Gënjeshtra që magjepsin botën ka nga të gjitha shijet. Por disa kanë implikime shqetësuese: disqe fluturuese dhe trupa aliene të fshehur në zonën fantomatike 51, eksperimente të rrezikshme për të modifikuar klimën që kryen në një bazë ushtarake në Alaska, vaksina që shkaktojnë autizëm, etj., etj. Të tjera kanë të bëjnë me tema “më të lehta”: zbarkimi në hënë i simuluar nga NASA në një laborator tokësor, Elvis Presley i cili nuk vdiq nga një arrest banal kardiak, por është i gjallë dhe ka rindërtuar një jetë larg larg nga reflektorët, Beatle Paul McCartney i cili është zëvendësuar nga sozi gati perfekt.Kush prej nesh, të paktën një herë, nuk është apasionuar pas këtyre lajmeve të bujshme nga librat, gazetat, programet televizive e mbi të gjitha interneti?

    Janë “gomarllëqe” (pa dashur të themi ndonjë fjalë tjetër më të rëndë) që, një hedhura në qarkullim, me kalimin e kohës vetë-ushqehen, duke shndërruar supozimet në indicie dhe indiciet në prova, dhe rriten jashtë çdo proporcioni sipas një sistemi që shkencëtari informaticien Uriel Fanelli e përcakton si “një mali me mu..t”: shumë i lehtë për t’u grumbulluar, por i vështirë për t’u eleminuar. Dhe sidoqoftë mbetet era.

    Qendra është në Shtetet e Bashkuara

    Në pjesën e tyre më të madhe, teoritë e komplotit burojnë dhe zhvillohen në Shtetet e Bashkuara dhe më pas eksportohen në vendet e tjera të botës. Sepse është e ditur, një histori e mirë e mbjellur në një tokë të shëndetshme mund të ketë në trurin tonë një presion të madh. Historia e një komploti të rremë mund të jetë më tërheqës sesa një libër misteri apo një film aksion, sepse ai bashkon faktet me fantazinë dhe nuk na lejon të kuptojmë se ku mbaron realiteti dhe ku fillon mashtrimi.

    Për të hedhur në qarkullim një teori komplotistike mund të jetë gjithkush: qytetarë të thjeshtë që e bëjnë nga marrëzia, paranoja apo dëshira për famë, ose gazetarët, liderë sektesh, guru apo propogandues të besimeve moderne apokaliptike si mbështetësit e dështuar të teorisë së fundit botës të parashikuar për 21 dhjetor 2012. Por midis teoricienëve të komplotit ka edhe personazhe të paskrupull, të cilët shpesh shpikin histori nga më të pamundshme për qëllimet e tyre personale.

    Siç thekson psikologu Stefano Scatena, shumë prej tyre e kanë dezinformimin një punë të vërtetë. “Midis aparateve, DVD-ve, librave, videove dhe reklamave”, thotë ai, “ekziston një pazar vërtetë i madh që ushqehet me besueshmërinë e të tjerëve. Kemi të bëjmë me një qendër e vërtetë tregtare që shkon nga pushtimi i Tokës prej zvarranikëve deri në prodhimin e vaksinave helmuese”.

    Si përhapen

    Sipas shumë studiuesve të doktrinave politike, në bazë të teorive të ndryshme të komplotit është opinioni i përhapur se realiteti që nuk është asnjëherë siç duket: sipas këtij opinioni, protagonistët e vërtetë të vendimeve nuk ata japin intervista, ata nuk shkojnë në televizion, por gjithmonë mbeten në hije.

    Përkundrazi, ajo që ne besojmë se dimë është vetëm ajo që “ata” duan që ne të dimë. “Ata”, sipas kësaj paranoje të komplotit që edhe në Shqipëri, ashtu si pothuajse në çdo vend të botës ka një përhapje relativisht të gjerë, janë herë pas here fuqitë e forta, shërbimet sekrete pak a shumë të devijuara nga ato zyrtare, si CIA dhe amerikanët, mafia, shërbimi sekret izraelit ose, thjesht, “Hebrenjtë”. “S’ka rëndësi nëse bëhet fjalë për marrëzitë antikomuniste të senatorit McCarthy,” thotë Belardelli, “apo për përdorimin e ndonjë njeriu të vjetër të madh për të shpjeguar të ashtuquajturën histori të vërtetë që paraqesin, konspiracioni imagjinar përdor një model që në strukturën e tij është gjithmonë i njëjtë: një organizatë shumë e fuqishme dhe e fshehtë që përdor çdo mjet për të arritur qëllimet e saj».

    Fuqia e teorive edhe më të pamundura të komplotit, është ajo që promovon suksesin e tyre, pra fakti që ato ofrojnë një shpjegim të thjeshtë të ngjarjeve komplekse, shpesh jo plotësisht të deshifrueshme. Sekreti qëndron në përzierjen e informacionit të vërtetë me atë të rremë, në mënyrë që të mos kuptohet se cili është ndryshimi. Shpesh madje as nuk është e nevojshme të vërtetohet ajo që thuhet: mjafton ekzistenca e komplotit. Nuk ka elementë të vlefshëm në favor të asaj që pretendohet? I ka fshehur komploti. Ka provë për të kundërtën? I ka krijuar komploti. Nuk ka rrugëdalje: komploti është vetë-provues dhe demonstron çdo pretendim.

    Fuqia e internetit

    Për të përhapur çdo mesazh, rrjeti është bordi më i mirë i imagjinueshëm. Gjithçka mund të jetë reale në internet, mjafton të shkruhet.

    Duke perifrazuar një thënie të vjetër për TV: “Nëse është në internet, duhet të jetë e vërtetë”. Të bëra të arritshme me disa klikime të thjeshta, teoritë e komplotit, deri në njëzet vjet më parë të përhapura në zona më të kufizuara, arrijnë masivisht për publikun e gjerë të shoqëruar nga imazhe dhe video. Kalimi i gënjeshtrave nga rrjeti, në botën reale është shumë më i shpejtë. Përpjekjet për t’i demaskuar ato janë të vështira: mohimet nuk bëjnë efekt tek personat që lajmet që kanë lexuar iu ka pëlqyer, edhe nëse janë të rreme. Për ta, është më mirë një lajm interesant sesa një i vërtetë.

    Rëndësi ka lajmi i parë (edhe nëse është i rremë)

    E ka demonstruar një studim i kohëve të fundit i Ohio State University (SHBA): një grupi njerëzish studiuesit i kanë paraqitur një blog që përmban pretendimin e rremë se autoritetet mund të kenë qasje të lirë në kartelat elektronike mjekësore.

    Pastaj u treguan një mohim zyrtar të faktit dhe iu kërkuan atyre një mendim për këtë çështje. U zbulua se vetëm ata që kishin deklaruar para testit se ishin indiferentë ndaj ndodhisë treguan që e kishin pranuar korrigjimin. Qëndrim të kundërt kishin mbajtur të tjerët, duke treguar se, të paktën për ata që lexojnë në internet, korrigjimet kanë pak rëndësi: lajmet e para janë ato që kanë rëndësi, edhe nëse janë krejtësisht të rreme.

    Jehona e teorive të komplotit ngjall gjithmonë aq shumë interes sa që faqja e internetit e qeverisë amerikane i kushton një zë të veçantë kësaj teme për të ndihmuar qytetarët që të jenë në gjendje për të ndarë të vërtetat nga mitet dhe legjendat e kohës sonë .(www.america.gov/conspiracy_theories).

  • Lady Gaga in love: Fotografia e parë në rrjetet sociale me të dashurin e ri

    Lady Gaga in love: Fotografia e parë në rrjetet sociale me të dashurin e ri

    Popstari ka javë që po frekuentohet me sipërmarrësin Michael Polansky: në prag të Vitit të Ri doli edhe puthja e parë në publik, më pas përkëdhelitë në ballkonin e një hoteli dhe ardhja së bashku në Super Bowl. Tani, një foto në Instagram, të përqafuar fort me njëri-tjetrin, që konfirmon dashurinë

    Duket serioze Lady Gaga. Pas disa javësh mbushur me gossipe për një love story të supozuar me “një burrë misterioz”, popstari amerikan del haptazi dhe zyrtarizon lidhjen e saj nëpërmjet një fotoje në rrjetet sociale. Në kuvertën e një barke pranë Miamit, artistja përqafon të dashurin e tij të ri, sipërmarrësin Michael Polansky dhe falënderon fansat: “Jemi argëtuar goxha këtu. Ju dua përbindësha të vegjël, jeni më të mirët”. Gaga performoi me një show edhe në vigjilje të Super Bowl, pikërisht në kryeqendrën e Floridas. Disa orë më parë ajo ishte paparacuar në ballkonin e një hoteli së bashku me, tashmë, gjysmën e saj të ëmbël, mes puthjeve të ëmbla dhe shikimeve të ndërlikuara: “Kanë filluar të takohen para Krishtlindjeve”, tregon një burim për E! News. Në fakt, të dy ishin puthur publikisht që në prag të Vitit të Ri, në një restorant të famshëm Las Vegas.

    “Kush është ai aty?” pyesnin fansat duke komentuar në lidhje me dëshmitë e videos. “Emri i tij është Michael”, u përgjigjën menjëherë insajderët. E në fakt kishin të drejtë, por do të duhej të kalonin edhe disa javë përpara se të krijohej një profil i plotë i atij burri “misterioz”: 33 vjeç, i diplomuar në matematikë dhe shkenca kompjuterike në Universitetin e Harvardit, CEO i grupit Parker – një organizatë nga San Francisko – dhe i angazhuar në jetën sociale.

    Thuhet se të dy u takuan për herë të parë në një mbrëmje bamirësie të organizuar nga kompania e Michael dhe – brenda pak minutash – shpërtheu dashuria: “Ai është një djalë i mirë», raporton një burim, “dhe bën gjithçka për të ndenjur me të”. Që kësaj radhe duket vërtet e bindur: ratifikimi përmes rrjeteve sociale do të thotë se nuk bëhet fjalë për një flirtim kalimtar, por që Gaga beson në këtë lidhje.

    Në fakt, mjafton të shëtisësh në në llogarinë Miss Germanottas për të kuptuar se të vetmit meshkuj që shfaqen aty janë miqtë e saj. Është Bradley Cooper, natyrisht, të cilin mediat rozë për muaj me rradhë e kishin afruar me këngëtaren pa sukses, duke marrë si përgjigje vetëm frazën: “Ne jemi vetëm bashkë në film”. Ndërkohë që nuk gjenden gjurmë të Dan Horton, të dashurit më të fundit të saj, as të Christian Canino, ishi i saj historik.

    A thua ka mbërritur vërtetë njeriu i duhur për Lady Gaga?