Blog

  • Vehap KOLA – Konservatorizmi i dhembshur i programit të PD-së

    Vehap KOLA – Konservatorizmi i dhembshur i programit të PD-së

    Shqipëria nuk është vetëm vendi më i varfër i Europë dhe Ballkan. Nuk është as vetëm ai vendi i rrallë ku tatimi progresiv që synon reduktimin e pabarazive sjell thellimin e pabarazisë. Shqipëria është edhe vendi ku jetojnë të varfrit më të varfër të Europës dhe Ballkanit.

    Këtë nuk e thotë askush më pak se Databaza e Bankës Botërore për Prosperitetin e Bashkëndarë për vitet 2012 – 2017. Indikatori mat nivelin e të ardhurave që ka në dispozicion 40% e më të varfërve të një popullsie. Qëllimi i indikatorit të Prosperitetit të Bashkëndarë reflekton faktin se rritja ekonomike në vendet në zhvillim mund të nxjerrë njerëz nga varfëria, por edhe mund të shkaktojë më shumë pabarazi.

    Çfarë thonë këto të dhëna për Shqipërinë? Krahasuar me 40%-ëshin më të varfër të të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, 40% më të varfrit e Shqipërisë kanë më pak para për të konsumuar. Pra, janë më të varfërit në mesin e të varfërve. Ata konsumojnë mesatarisht vetëm 4.19 dollarë në ditë, shumë pas edhe Kosovës ku 40% i poshtëm në piramidën e të ardhurave kanë në dispozicion 4.98 dollarë për t’i konsumuar gjatë ditës.

    Ekonomistët e Bankës Botërore kanë arritur në përfundimin se vendet me një hendek më të madh ndërmjet atyre që kanë akses tek mundësitë dhe atyre që nuk kanë, e kanë më të vështirë të ruajnë rritjen ekonomike dhe stabilitetin social për një kohë të gjatë. Eksperienca botërore e deritanishme ka treguar se asnjë vend nuk ka arritur të kalojë pragun e “vend me të ardhura të mesme” me nivele të larta të pabarazisë.

    Reduktimi i pabarazive ka rëndësi sot edhe për ruajtjen e kapitalit njerëzor, veçanërisht për brezin e ri. Të rinjtë që rriten me përvojën e pabarazive të mëdha ekonomike kanë tendencë më të madhe për të emigruar drejt vendeve që ata besojnë se i shpërndajnë mundësitë në mënyrë më të drejtë.

    Dëmet e mëdha që i shkaktohen një ekonomie dhe një shoqërie nga emigracioni i rinisë janë përgjithësisht të qartë për shumicën dërrmuese të njerëzve. Në ekonomi, moshat e reja favorizojnë konsumin, kostot e ulëta të krahut të punës, inovacionin dhe sipërmarrjen. Demografikisht, shoqëritë mbahen gjallë në sajë të lindshmërisë që ende në shoqëri përgjithësisht konservatore si Shqipëria është e kushtëzuar nga martesat. Emigracioni i moshave të reja ndikon automatikisht në rënien e lindshmërisë. Viti 2020 është edhe viti i parë në historinë e vendit tonë gjatë të cilit Shqipëria ka patur më pak lindje se vdekje.

    Po si të arrihet Prosperiteti i Bashkëndarë?

    Studimet kanë mbështetur përgjithësisht 6 politika kryesore si instrumenta efektivë në reduktimin e pabarazisë. Ato janë (1) zhvillimi gjatë fëmijërisë së hershme dhe ndërhyrjet në mënyrën e të ushqyerit, (2) mbulim shëndetësor universal, (3) akses universal në arsim cilësor, (4) transferta në para për familjet e varfra, (5) infrastruktura rurale – veçanërisht rrugët dhe elektrifikimi, dhe (6) taksimi progresiv.

    5 të parat janë prioritete të programit të Partisë Demokratike. Politika e gjashtë, ajo e taksimit progresiv, nuk gjen vend në këtë program. Përvoja e Shqipërisë me taksimin si instrument për zbutjen e pabarazive në shpërndarjen e të ardhurave nga ekonomia përbën një përjashtim.

    Përsëri, të dhënat nga databaza e Bankës Botërore për pabarazinë tregojnë se periudha gjatë të cilës është zbatuar taksimi i sheshtë i të gjitha llojeve të të ardhurave është karakterizuar nga shpërndarje më e barabartë e tyre mes grupeve të ndryshme sociale. Grafiku i mëposhtëm paraqet hendekun në shpërndarjen e përfitimeve nga ekonomia ndërmjet 10%-ëshit më të pasur dhe 40%-ëshit më të varfër të popullsisë.

    Dukshëm, aplikimi i tatimit progresiv nuk e ka zbutur pabarazinë, përkundrazi e ka thelluar atë më tej. Përgjatë gjithë 8 viteve të qeverisjes socialiste pabarazia ka qenë ngulmuese. Ajo që shumica e studimeve mbështet në rastin e vendeve të tjera në zhvillim, në Shqipëri nuk përkrahet nga të dhënat. Prandaj, në listën me 6 fusha prioritare të politikave, në rastin e Shqipërisë taksimin progresiv mund ta zëvendësojmë me taksimin e sheshtë.

    Në këtë mënyrë, programi i Partisë Demokratike është qartësisht një program i dedikuar zbutjes së polarizimit ekonomik e social që vuan vendi sot. Efektet e kësaj zbutjeje do të ndjehen në sipërmarrje dhe në stabilitetin social që do të krijojë reduktimi i emigracionit të moshave të reja.

    Pabarazia është një plagë që i gërryen shoqëritë nga brenda. Pasojat e saj nuk janë vetëm vuajtjet e atyre që jetojnë në pabarazi, por edhe kufizimet e mëdha për vetë brezat e atyre fëmijëve që lindin në familje të varfra në shoqëri të polarizuara. Një raport i Bankës Botërore zbulon se mundësia që individë të rritur në familje të tilla të ngjiten përgjatë shkallarrit ekonomik është e ulët, veçanërisht në pjesët më të varfëra të botës. Shqipëria është një shembull tipik i një ngrirjeje të tillë shoqërore. Një pjesë e madhe e popullsisë jeton në mjerim që prej instalimit të diktaturës komuniste. 

    Për këtë arsye, politikat dhe investimet duhet të synojnë reduktimin e hendekut ndërmjet atyre që kanë dhe atyre që s’kanë në nivelin e zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme dhe aksesin në edukim cilësor. Vendet me norma më të ulëta të prapambetjes mes 5-vjeçarëve pritet të kenë më shumë mobilitet arsimor. Politika e subvencionimit të familjeve për fëmijët e tyre deri në moshën 5-vjeç dhe financimit 100% të interesave të kredive për shtëpi për çiftet e reja shkojnë pikërisht në këtë drejtim: nxitjen e brezave të ardhshëm të tejkalojnë tavanin e qelqtë të pabarazive dhe të shpëtojnë nga varfëria.

    Një politikë tjetër e rekomanduar nga ekonomistët dhe studiuesit e pabarazisë janë lehtësimi i aksesit në tregun e punës për grupet e disavantazhuara dhe të rinjtë. Me objektivin e saj për të financuar 10 mijë praktika pune çdo vit për të rinjtë që përfundojnë studimet, Partia Demokratike është duke bërë pikërisht këtë: lehtësimin e aksesit të të rinjve në tregun e punës. Studimet tregojnë se 70-90% e atyre që bëjnë një praktikë pune, u ofrohet një kontratë pune në fund të periudhës së praktikës.

    Programi i Partisë Demokratike mund të mos jetë 100% programi i duhur për të zbutur pabarazinë e madhe ekonomike e shoqërore që ka krijuar keqqeverisja, korrupsioni, monopolizimi, industria e trafiqeve dhe krimit të organizuar. Megjithatë, sot për sot ai është programi i vetëm që një parti ka ofruar. Prandaj, pa emocione dhe pa militantizëm, është e domosdoshme që debati publik të kthehet pikërisht aty, tek diskutimi i rrugëve për ta nxjerrë vendin nga ky polarizim kërcënues për të ardhmen tonë. Objektivi duhet të jetë i thjeshtë: Shqipëria nuk duhet të jetë më vendi ku jetojnë të varfrit më të varfër të Europës dhe Ballkanit.

  • Taksat dhe pastrimi i parave, ja pse shtrenjtohen çmimet e apartamenteve në Tiranë

    Taksat dhe pastrimi i parave, ja pse shtrenjtohen çmimet e apartamenteve në Tiranë

    Çmimet e apartamenteve kanë shënuar një tjetër rritje gjatë muajve të fundit, pas një periudhe stanjacioni. Sipas operatorëve të tregut, shtrenjtimi ka ndodhur në të gjitha zonat dhe është i dukshëm në pallatet e reja që sapo kanë nisur të ndërtohen. Mesatarisht, nëse do të blesh sot një hyrje, duhet të paguash 100-150 euro më shumë për metër katror, sesa pak kohë më parë, madje në disa zona rritja është dhe më e fortë në 300-600 euro më shumë.

    Dy janë arsyet e kësaj tendence, sipas operatorëve, së pari rritja e taksave dhe së dyti qarkullimi i parave informale dhe pastrimi i tyre përmes ndërtimit.

    Ylli Sula, sipërmarrës, botues i Gazetës Çelësi i cili ka krijuar përmes të dhënave historike të gazetës një indeks për çmimet e pasurive të paluajtshme, “Key Data Albania”, tha për “Monitor Ekonomi” se në zonën e Unazës së Vogël ka një rritje deri në 3.5% të çmimeve, më e ulëta krahasuar me zonat e tjera, ku çmimet luhaten deri 1150 euro.

    “Zona e Bllokut ka dyfshin e rritjes, flasim 8.8% në indeks dhe në vlera çmimet shkojnë mesatarisht deri në 1450 euro për metër. Ajo që ka pësuar rritjen më të ndjeshme është zona jashtë unazës, ku flasim për një kapërcim deri në 17% në harkun kohor të një viti. Nga një mesatare prej 850 euro për metër sot flasim për çmime deri në 1050 euro”, pohon ai.

    Sula thotë se në këtë tendencë më shumë luajnë rol elementet jashtë tregut sesa ato të brendshëm. “Në shumë raste gjenden hapësira përdoren për pastrim parash, si në investim edhe në blerje. Në qoftë se ne kemi këto çmime në rritje dhe vijim të shitjes do të thotë që fuqia blerëse ekziston, nëse kjo fuqi është e përqendruar në disa duar, janë po prapë elementë jashtë tregut”.

    Pastrimi i parave

    Edhe Juliana Nela, broker në agjencinë “Remax” konfirmon rritjen e çmimeve për Monitor, që sipas saj është shumë e fortë dhe nuk justifikohet vetëm me shtimin e taksave. “Në rast se taksat janë shtuar me 60 apo 70 euro për metër, dhe cilësia mund të ketë çuar në rritje kostoje me 20 apo 30 euro, shtrenjtimi i çmimeve është herë tre apo herë katër në raport me kostot. Pra 300 deri në 600 euro për metër rritje. Në zona që ne si agjenci dikur nuk kemi guxuar të merrnin të shisnim prona për më shumë se 900 euro metri, objektet e reja kanë dalë me 1600 euro, dhe me aq sa kemi informacion të gjitha po shiten. Është zona e Astirit në të cilën ne kemi tentuar të mos kapërcenim 500 euro, tashmë na vjen me 670 euro për metër katror”, pohon ajo.

    Edhe Nela është e mendimit që në këtë rritje të fortë po ndikojnë aktivitetet informale. “Vazhdimi i parave të çuditshme, patjetër që ka ndikimin më të madh në këtë përmbysje dhe çudi të tregut imobiliar. Paga të ulëta, emigracion masiv, metra katror ndërtimi pafund të hedhura në treg dhe çmimet rriten. Është e palogjikshme”, pohon ajo.

    Tendenca

    Sipas ndërtuesve, ndryshimi i taksave nga ana e bashkisë dhe përmirësimi i cilësisë së punimeve, të kërkuara si standard, është një tjetër faktor që ka ndikuar në shtrenjtimin e çmimeve.

    “Ne jemi vendi me taksat më të larta në Ballkan. Tatimi mbi fitimin është 10% në Kosovë, në Maqedoni po kështu, në Mal të zi po kështu. Ndërsa tek ne çdo ditë rriten taksat, tashmë 3% e vlerës së banesave që i duhet dhënë bashkisë. Këto janë kosto që shkojnë në xhepin e atij që do të blejë”, thotë Hajredin Fratari, ndërtues, për Monitor.

    Taksat që bashkia i ka vendosur për ndërtuesit do ti kalojnë si barrë blerësit të apartamentit, e megjithatë në bazë të të dhënave, kjo rritje e çmimeve në brenda pak muaj, është më e lartë, se ajo që do të duhej të reflektohej si pasojë e taksave të shtuara.

    “Çdo lloj rritje që u ka ndodhur ndërtuesve, absolutisht është reflektuar në çmim tek konsumatori. Nëse ne krahasojmë vlerën e çmimeve të pronave në 4 vitet e fundit, rritja është absolutisht më e lartë nga vetë tregu imobiliar, sesa ajo e ndikuar nga rritja e taksave”, thotë Sula.

    Edhe pse ka rritje çmimesh, shitjet kanë vijuar normalisht, duke mos e njohur stanjacionin. Sipas agjentëve imobiliarë kjo kërkesë e lartë, për të blerë me çmime të kripura, ndikohet edhe nga disa faktorëve të tjerë, kryesisht nga para informale që hyn në vend.

    Sipas Raportit Europian të drogave për vitin 2019, në Shqipëri cash-i i përfituar nga kontrabandimi i drogave futet në Shqipëri me makina dhe investohet në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm.

    Pas arritjes së pikut të çmimeve a pritet të ketë stanjacion për tregun imobiliar?

    Për momentin Tirana është e mbingopur me ndërtime, ndonëse nuk është shfrytëzuar maksimalisht. Por, për shkak të taksave dhe të parave informale që po investohen në ndërtim, për të gjithë ata që kanë një punë me të ardhura të rregullta, blerja e një apartamenti tashmë është pothuajse një mision i pamundur. Por, a mund të presim ulje, teksa Shqipëria ka hyrë sërish në një cikël emigraconi çka mund të reduktojë kërkesën për banesa?

    “Nëse ky largim jashtë Shqipërisë do të vazhdojë, edhe pjesa e atyre që do të vijnë në Tiranë do ketë një tendencë që do të mbingopet, ky është momenti për të parë sesa stoku i ndërtimeve në pritje të këtij fluksi të ardhurish në Tiranë do ketë mbetur pa u ezauruar nga kërkesa e tregut. Ulje nuk ndodh, mund të ketë stopojë rritje, por ulje nuk mund të ketë”, thotë Sula për Monitor./Monitor

  • Enkel DEMI – Tirona lale, se Tiranën hajt’ ta folim

    Enkel DEMI – Tirona lale, se Tiranën hajt’ ta folim

    Nji ktu ka me nis kjo punë, se Tirona u njoft si Tiranë, kur e msyn komunistat, kur fara e tyne u shtu aq shumë sa ia ndrrun emnin, masanej i ndrrun lëkurën.

    Ja hudhën n’erë Pazarin e Vjetër, ja shkallmun shpit’, rrugët, xhomijat, kishat dhe qitën n’dritë nji mysybet qytet, ku t’vite miza poshtë ksulës e ta bote “bëzzz”, ene Lana t’myste me erën e atyne qi dhiste dynjoja.

    Tirona lale nisi me qen’ kujtim dhe bante n’kurriz ndonji urë si ajo e Tabakëve a nonji shenjë sa me thon.

    Por, u desh’ me ardh’ raca e kalamojve qi ata pollën n’Tiron’ dhe u shujt ene ajo qi meti.

    Nji zdap i gjatë, shtati pyll e menia fyll, me ca ramaduca i hyn’ Tironës ku i dhem’ e ku i djeg. Zavalli…

    Sot, me t’ardh nonji i huj me t’bujt n’shpi nuk ke ku e ço me i tregu ça ka met ka Tirona, se nuk ka met asigjo.

    Ene mejhonet u bon dyst me ngrejt ato farë pallatesh qi e kan bo qytetin fjetore e tironcit konviktorë.

    Por, ca gjona kan’ met lale. Ka met e folmja, se t’shkrujtmen e Mustafa Greblleshit e rrasën mren. Ka met konga, ka met nardeni, tava dhesë, nonji caracë tek-tuk, ene muhabeti i shtrut’ me zemrën e bardh’. Ka met e qeshmja me dhomët jasht’, ene hija t’u shtru me hongër. Jon’ çunat qi’i qisin ujtin e zi n’stadium, qi sa më shumë shtohet soji kuq, aq mo shum’ i qisin rrylat venit.

    Ja kto kan met, se qytetit nuk i meti as nomi, as nishoni. Ligjin dje, sot e rrezik ene nesër e bon raca e shokut Gramoz qi rri me nerva, thu se Tirona i ka zon’ derën, ene jo ai Tironës.

    Pranej, para se t’i bini defit, se Tirona na osh bo nji shekull kryeqytet, kthejeni nji her’ kryt e shifni si e keni katandis, si ia keni vra t’gjitha me gjuhë, doke, rrugë, xhomija, kisha e vene të blerume qi i kishte zili bota mar’.

    I keni hy n’hise këtij qyteti qi priti e ka me prit’, kurse juve si halabak’ ju futët si turku … ene nuk lat gjo n’kom’.

    Kshu sonte, t’paktën mos u fryni si gjelat nondajës n’maj pirgut t’mutit.

  • Janë vërtetë komplote?/ Papa Wojtyla, Kennedy, Lady Diana… dhe të tjera mistere të historisë të pazgjidhura kurrë

    Janë vërtetë komplote?/ Papa Wojtyla, Kennedy, Lady Diana… dhe të tjera mistere të historisë të pazgjidhura kurrë

    Herë ka zhvillime të reja, herë të vjetrat paraqiten si të reja, në më të shumtën e rasteve nuk ka asgjë. Po flasim për tre misteret më intrigues të historisë moderne: vdekjen e papa Wojtyla, të princeshës Diana dhe të presidentit Kennedy. Pjesa dërrmuese e teorive të paraqitura deri më tani flasin për komplotë. Por, a janë vërtetë komplote? Nëse janë, kush janë organizatorët?

    Disa kohë më parë një ish-ushtar i SAS (forcat speciale britanike) rrëfeu se ishte paguar, bashkë me disa bashkëpunëtorë të tjerë për të vrarë Princeshën Diana. Çfarë ndodhi me të vërtetë në 31 gusht 1997? Pesëdhjetë vjet më vonë edhe vrasja e Presidentit Kennedy gjithashtu vazhdon të diskutohet.

    Filmi i fundit i Ridley Scott, Killing Kennedy, bashkohet me tezën zyrtare të një snajperi të vetëm të izoluar. Megjithatë, gjashtë ndër dhjetë amerikanë, dyshojnë për ekzistencën e më shumë vrasësve në shërbim të një organizuesi-dërguesi: ka nga ata që mendojnë se ishte Fidel Castro, të tjerë që ishte mafia, të tjerë akoma që ishte KGB, CIA, alienët, e kështu me rradhë, shumë e shumë teori… Por mpyetja kryesore që mbetet është: Çfarë ndodhi në 22 nëntor 1963?

    Në autobiografinë e tij, Mehmet Ali Agca, ish-terroristi turk që më 13 maj 1981qëlloi Papa Wojtyla, zbulon nxitësin “e vërtetë”, Ayatollah Khomeyni. A është “pista iraniane” edhe një tjetër shaka e Agca apo është tregues i një komploti ndërkombëtar?

    Nuk është e thjeshtë të kuptohet kur jemi përballë një komploti të vërtetë. Komplotet, d.m.th., marrëveshje të fshehta ose mirëkuptime okulte midis personave (civilë dhe / ose ushtarakë) me qëllim rrëzimin ose kushtëzimin e institucioneve politike të një shteti, ekzistojnë.

    Por në këto kohë pasigurie, shumë shohin komplote dhe konspiracione edhe atje ku nuk janë aty.

    Për të bërë dallimin midis së vërtetës dhe fantazisë, duhen prova konkrete, jo vetëm të dhëna.

  • Armand SHKULLAKU – Mediat dhe analistët e lidhur me krimin/ Kur akuzon Edi Rama

    Njeriu që ka hyrë në historinë e tranzicionit shqiptar si lideri politik me numrin rekord të kriminelëve në grupin e tij parlamentar, në bashkitë e vendit, në administratën publike e deri tek anëtarë të kabinetit qeveritar të akuzuar për trafik droge e korrupsion; kryeministri me shifrat më katastrofike në parametrat e demokracisë funksionale, të nivelit të korrupsionit apo të pastrimit të parave të krimit, bëri sot një akuzë të rëndë nga Kuvendi duke deklaruar se mediat dhe analistët që kundërshtojnë paketën anti KÇK paguhen nga krimi i organizuar.

    Si akuzë e bërë nga një individ si Edi Rama, sigurisht që ajo nuk ka asnjë vlerë. Do të ishte retorikë boshe t’i kërkoje këtij llafazani kronik të nxirrte emra konkretë dhe të kërkonte hetim për mediat e lidhura me krimin e organizuar. Kur flet një kryeministër, normalisht flet mbi informacione dhe fakte të verifikuara, mirëpo kur flet Edi Rama, fjala dhe fakti janë në divorc të kahershëm. Po ashtu retorikë boshe do të ishte t’i kërkosh prokurorisë të nisë hetimet kryesisht mbi deklarimet e kryeministrit, nuk ka për ta bërë kurrë. Prandaj në fjalën e Ramës sot në Kuvend, akuza e tij për mediat nuk ka asnjë vlerë nësë trajtohet në kufijtë e ligjit apo moralit, për sa kohë që është lëshuar nga një personazh si kryeministri ynë.

    Ajo që ndoshta ia vlen të shihet me shqetësim në diskurin e kryeministrit mbi OFL e famshme, është nga njëra anë përpjekja e dëshpëruar për t’u renditur (pas shtatë viteve të njollosura) në krahun e atyre që luftojnë krimin dhe, nga ana tjetër, synimi për të marrë nën kontroll edhe fatin e kriminelëve në raport me ligjin.

    Në asnjë vend normal nuk ndodh që një kryeministër të mos rreshtë së foluri personalisht për një akt ligjor që do të duhej të gjykohej pasi të kishte dhënë rezultatet e para. Por mesa duket “cenet” në biografinë politike të Ramës- kryeministër, por edhe ato të trashëguara nga koha e bashkisë së Tiranës, i rëndojnë gjithnjë e më shumë në ballafaqimin e tij me shqiptarët. Rama do të mbulojë pikërisht dobësinë e tij më të madhe, atë që është kritikuar më shumë nga opozita dhe ndërkombëtarët, lidhjet e krimit me politikën. Ai po rreket të sajojë figurën e “heroit të vegjëlisë” që përballet i vetëm kundër krimit, që gjykatësit e prokurorët e korruptuar ia kishin lidhur duart për 7 vite por tani më në fund ai ka shpërthyer, që mediat dhe gazetarët e lidhur me krimin e kanë vënë në shënjestër, madje që edhe fizikisht mund të ketë qenë shënjestër e kriminelëve që po dridhen nga hakmarrja e tij.

    Kjo përrallë kryeministrore vlen për t’u kuptuar si halli real i Edi Ramës, që pasi mbajti veshur kostumin e qepur nga rrobaqepësit e PPP-ve dhe qëndistarët e votave, (që i ranë një e nga një në Kuvend e bashki), tani kërkon të veshë uniformën e njeriut të ligjit që do bëjë drejtësi për popullin shqiptar. Dhe jo vetëm kundër kriminelëve por edhe kundër atyre që e shqetësojnë në misionin e tij të shenjtë. Kushdo që e vë në dyshim këtë mision është padiskutim i paguar nga krimi i organizuar.

    Dhe njëkohësisht me këtë tentativë për t’u shpëlarë nga njollat më të rënda që ndonjë pushtet ka patur në raportet me krimin, kryeministri flet në vetë të parë për të dhënë edhe një mesazh tjetër. Se në këtë vend, jo vetëm partinë, Kuvendin, pushtetin lokal, drejtësinë, mediat, ekonominë… por edhe fatin e parave të krimit e ka në dorë një njeri i vetëm, kryeministri i plotfuqishëm Edi Rama. Se OFL ëshë krijesë e tij, menaxhohet e propagandohet prej tij, duke krijuar qartë idenë se edhe listat që shpallen çdo mëngjes nga “oficerja me syze” dalin nga zyrat e tij.

    Edi Rama nuk dëshiron debat mbi nevojën e OFL dhe paketës anti KÇK, as mbi objektin e veprimtarisë së saj, as mbi dublimin e SPAK apo marrjen nga policia të kompetencave të drejtësisë. Ai nuk duron të diskutohet qëllimi i një operacioni të tillë dhe aq më tepër të dyshohet pse nuk u bë më parë dhe përse nuk mjaftoka ligji antimafia. Kryeministri nuk do debat mbi thelbin e paketës që ka shpikur sepse në fakt ajo nuk ka thelb. Eshtë një mjet më shumë që i duhet të përdorë për të zgjatur pushtetin e tij, me propagandë dhe mekanizma që i japin fuqi mbi ligjin. Cilido që tenton ta thotë këtë, do të shpallet i lidhur me krimin e organizuar. Dhe këtë shpallje e bën një kryeministër si Edi Rama!

  • Shpresa për rindërtim dhe sinjalet pesimiste

    Shpresa për rindërtim dhe sinjalet pesimiste

    Kur kanë kaluar vetëm pak javë nga 2020-a, sinjalet sa po vijnë e po shtohen se ky vit nuk pritet të jetë aspak i lehtë. Për 2019-n, financat u dorëzuan dhe e ulën vlerësimin për performancën ekonomike në 2.7%, nga 4.3%, që ishte në fillim të vitit.

    Akoma më të ulëta janë pritshmëritë e Raporti të vlerësimit të nevojës pas fatkeqësisë, i hartuar me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Ministrave, sipas të cilës viti i kaluar është mbyllur me një zgjerim jo më të lartë se 2.4%.

    Ndonëse qeveria, në treguesit zyrtar i qëndron besnike një parashikimi për një rritje ekonomike prej 4.1%, ka shumë pak gjasa që kjo të materializohet. I njëjti raport i vlerësimit të nevojës pas fatkeqësisë nuk pret një zgjerim më të lartë se 3.2% për këtë vit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në daljen e fundit për shtyp u shpreh se rreziqet në kahun e poshtëm janë rritur. Krahasuar me raundin paraardhës, projeksioni i bazë i Bankës shfaq një lëvizje të dukshme në kahun e poshtëm për vitin 2020, por ruan të njëjtat trajektore për vitet 2021 e në vazhdim. Rishikimi në ulje që në muajt e parë të vitit për 2020-n lë shumë pak vend për optimizëm, të paktën në afatin e shkurtër.

    Konsumi dhe investimet private ishin shpresa për rritjen ekonomike këtë vit, në mungesë të investimeve të mëdha private (efekti i gazsjellësit TAP dhe HEC-eve mbi lumin Devoll mund të quhet tashmë i ezauruar) dhe të një ambienti jo shumë të favorshëm të jashtëm (Italia, partneri ynë kryesor pritet që të ketë rritjen më të ulët nga të gjitha shtetet e Bashkimit Europian). Konsumi pritej të nxitej sidomos nga turizmi, me Shqipërinë që vitet e fundit ishte kthyer në një magnet për të huajt.

    Por, fatkeqësisht tërmeti me pasoja shkatërruese ka goditur dy pikat e forta ku pritet të bazohej zgjerimi i vendit këtë vit. Konsumi po rezulton i tkurrur, sidomos në zonat e prekura, që janë zemra e ekonomisë së vendit. Emigracioni, që nuk po ndalet është një tjetër faktor që po gërryen jo vetëm konsumin, por edhe produktivitetin e firmave, që janë vënë në vështirësi për gjetjen e fuqisë punëtore.

    Turizmi pritet të rezistojë në pjesën e hoteleve të zgjeruara vitet e fundit, që kanë krijuar lidhje të qëndrueshme me agjencitë e njohura të mëdha të Europës, por ai masiv, që sjell mbi 70% të hyrjeve do të pësojë goditje, pasi pjesa më e madhe e strukturave akomoduese janë dëmtuar rëndë.

    Rindërtimi mbetet për momentin shpresa që do të rigjallëronte ekonominë e tronditur nga tërmeti. Raporti paraprak ka nxjerrë një vlerë dëmi prej gati 1 miliard euro, ose rreth 7.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që është shumë e lartë për buxhetin modest shqiptar. Mbetet për t’u parë se sa kjo faturë do ua mbushë mendjen donatorëve në konferencën e 17 shkurtit dhe sa do të jenë ata të gatshëm të lëvrojnë për të ndihmuar vendin e prekur rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore.

    Deri atëherë qeveria po vijon të sorollatet me ligje pas ligjesh (ndërtimi i zonave të reja po vendoset mbi zona të vjetra që mund të sjellin konflikte pronësie e zvarritje pa fund) në aplikime online që vetëm sa zgjasin procesin, pasi po mblidhet informacion lehtësisht i disponueshëm dhe disa riparime të lehta pallatesh, pa prekur strukturën. Edhe pas dy muajsh, procedurat nuk janë ende të qarta për qindra mijëra që kanë mbetur të pastreha dhe po ngrysin ditët në çadra në mes të të ftohtit.

    Pikërisht vonesa kohore në programin e rindërtimit, apo një mbështetje më e madhe e tij në burimet e brendshme të financimit është një nga rreziqet negative të cituara nga Banka e Shqipërisë, e shoqëruar me rrezikun tjetër që efektet psikologjike të tërmetit tejkalojnë ndikimin e tij material në ekonomi.

    Çdo e keqe e ka një të mirë nga pas, ndaj për të ta kapur atë, rindërtimi, si e vetmja shpresë për rritjen ekonomike, duhet të fillojë sa më shpejt, pa zvarritjen që na ka shoqëruar për shumë procese e reforma në këto vite të tranzicionit. Pasi të kalojë kjo fazë e emergjencës, është realisht e nevojshme t’u kushtohet vëmendje reformave strukturore, për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen afatmesme./Monitor

  • Nga Andi BUSHATI – Pse s’ranë dakord? Ramën dhe Albinin i largon Vuçiçi

    Edi Rama e ka yshtjen për ironi më të fortë se atë për vetëpërmbajtje. Vesin e tij ai nuk ia kurseu në konferencën e shtypit, as Albin Kurtit. Duke e etiketuar si “të ri në detyrë”, ai mëtoi të theksonte gjithë naivitetin dhe ëndërrat fluturake që ngërthen ky togfjalësh. Pasi ia ka thënë më parë edhe privatisht, gjatë takimit të tyre të mëhershëm në Tiranë, se realiteti i qeverisjes bie shpesh ndesh me poezinë e opozitës, ai u rimundua ta fusi në këtë steriotip edhe publikisht bashkëbiseduesin e tij.

    Por, në fakt, divergjenca e thellë që Rama dhe Kurti shfaqën këtë të martë, ajo e mospajtimit për idenë e mini Shengenit Ballkanik, nuk ka të bëjë thjesht me ndryshimin mes një njeriu që u është nënshtruar ingranazheve të pushtetit dhe një tjetri që vazhdon inercinë idealiste të opozitës.

    Ajo mbi të gjitha është thelbësore, parimore dhe patriotike.

    Mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit qëndron një hendek i thellë : i pari e sheh Kosovën si mish për top për pushtetin e tij. Për këtë, ai është i gatshëm, që përkrah Aleksandar Vuçiçit, të kërkojë një zgjidhje që i vë të dy në piedestalin e liderëve të pashmangshëm të Ballkanit.

    Vetëm kështu mund të justifikohen piruetat krejtësisht haluçinante, që bëjnë dhe shiun dhe diellin në fare pak kohë. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si këta dy politikanë u shndërruan papritmas nga idhtarë të zgjidhjeve me ngritje muresh, me ndarje etnike, me shkëmbime territoresh dhe popullsish, në krejt të kundërtën, në partizanë të rrëzimit të mureve, të heqjes së kufijve, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, sipas modelit të Europës së bashkuar.

    Albin Kurti dhe Edi Rama përplasen për mini Shengenin Ballkanik

    Mjafton vetëm ky kapërcim i pabesueshëm, për të mos e parë Edi Ramën as si idealist, as si realist, por thjesht si oportunist.

    Me Albin Kurtin e opozitës, në 22 vjet, ka ndodhur e kundërta. Ai ka vuajtur burgun serb për Kosovën e pavarur, ai ka duruar prangat e UMNIK-ut për një shtet pa enklava të dirigjuara nga Beogradi, ai është shndërruar në deputet radikal me gaz lotsjellës në dorë, për të mos dorëzuar pjesë të territorit, ai ka pasur gjithmonë një yll polar, të diskutueshëm për shumëkënd, por të panegociueshëm për të: bashkimin kombëtar.

    Pikërisht këto dy modele politikanësh janë përballur në takimin e tyre të parë zyrtar në Tiranë.

    Ashtu sikurse u duk edhe nga fjalët e tyre, ata nuk kanë rënë dakord. Sepse, sipas Albinit (shiko linkun e shkrimit lart) më parë duhet një “Makro- Shengen” midis vetë shqiptarëve. Ndërsa, sipas Ramës, ai nuk mund të arrihet kurrë, pa mini Shengenin, pra pa lejen e Beogradit dhe të Vuçiçit.

    Ky pra është hendeku, i cili u vu re sot. Ai mes një politikani që qëndron prej 22 vitesh në pushtet dhe që e sheh gjithçka vetëm me cinizmin e përfitimit të vet personal dhe një lideri që vjen nga opozita dhe që ruan ende idealin e të folurit në emër të shumicës.

    Pikërisht këtë përplasje, Edi Rama u mundua ta fshehë përmes ironisë me steriotipin e “të riut në detyrë”, duke lënë të kuptohet se koha dhe pushteti do ta transformojnë edhe Albin Kurtin.

    Natyrisht askush nuk mund të vërë bast për këtë.

    Por, mosmarrëveshja e sotme na tregoi një gjë: se udhëheqës si Rama, nuk mund të ndryshojnë dot më, ata kanë vetëm një shpresë, ta bëjnë edhe Albinin si vetja.

    Ndërsa Kurti ende na mëkon me besimin për të dyshuar, se nuk ekziston një rrugë e vetme, se për të qëndruar gjatë në politikë nuk duhet patjetër të kalosh nga Beogradi, nuk mund t’u nënshtrohesh edhe kompromiseve më të ulta, se në fund të fundit, nuk duhet vetëm të përulesh, por edhe të besosh.

  • Poli HOXHA – Dy ‘Amerikat’ në Tiranë!

    Poli HOXHA – Dy ‘Amerikat’ në Tiranë!

    Mëngjesin e sotëm nëpërmjet një videoje, ambasadorja e re e SHBA në Tiranë zonja Yuri Kim shpalli edhe tre prioritet e saj, në krye të selisë më të rëndësishme diplomatike në vendin tonë. Interesante ishte pika e tretë e cila artikulohet për herë të parë në krah të partneritetit strategjik ushtarak dhe aspiratës së vendit tonë drejt BE-së.

    Ambasadorja flet për një strategji dhe qasje të re të investimeve dhe të biznesit amerikan në vendin tonë; `Do të punoj për të nxitur eksportet dhe investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, në mënyrë që të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi për amerikanët dhe shqiptarët`.

    Gjithçka është në rregull deri këtu, lajm i mrekullueshëm. Dhe ‘shyqyr’ që më në fund ekonomia, biznesi, tregtia, investimet e punësimi; u vendosën si prioritet strategjik nga aleati ynë i madh, SHBA, sepse deri dje njësoj si Rama na ofrohej si vakt për të ngrënë (mëngjes-drekë-darkë) vetëm Reforma në Drejtësi!

    Në rregull dhe duartrokitje frenetike meriton, por ambasadorja e nderuar ‘harroi’ të thotë se në Shqipëri me investimet e huaja që largohen ‘si djalli nga temjani’, ka një histori që nuk ngjason me asnjë vend tjetër në rajon, e botën që ajo përfaqëson. Një histori ferri për ekonominë shqiptare dhe xhepin e shqiptarëve dhe ‘Shangri La` për një grusht `biznesmenësh`, e cila e ka burimin te qeverisja 7-vjeçare e Rilindjes. Më saktë direkt te kryeministri Edi Rama, të cilit i shkoi në zyrë pak ditë më parë ambasadorja; babait të një skemë të paparë ndokund, e cila favorizon klientët e tij dhe mban larg kompanitë e mëdha amerikane e të tjera.

    E pikërisht për këtë çështje, vetëm pak pasi publikoi videon, ambasadores i ka ardhur një `replikë` nga një `Amerikë` tjetër në Tiranë, e cila në fakt e heq në kurriz të vetë këtë punën `e të bërit biznes` në shtetin e që ka ndërtuar Edi Rama.

    Në një konferencë për shtyp kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, tregoi në detaje se sa e vështirë është për biznesin në përgjithësi dhe atë të huaj e amerikanë për të cilin foli, që të punojnë në vendin tonë. Sipas tij klima për investimet e huaja në Shqipëri është mbytëse, si pasojë e korrupsionit të paprecedentë në shtet dhe të politikave fiskale penguese.

    ‘Shqipëria renditet e 82 në botë, ndërkohë që të gjithë fqinjët tanë (përveç Bosnjes, e cila ka kushte të tjera gjeopolitike) renditen ndjeshëm më lart. Mali i Zi renditet e 50, Kosova e 58-ta, Serbia e 44, ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-ta. Serbia dhe Maqedonia e Veriut që kanë fituar konkurrencën rajonale për thithjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të fillojë të mendojë për këtë’, bëri si fillim një rezyme ai për këtë çështje.

    Pastaj në fjalën e tij presidenti i `Dhomës amerikane` paraqiti prova se korrupsioni është faktori madhor që mban larg Shqipërisë investimet e huaja, por dhe ndryshimi i shpeshtë në mënyrë të `çuditshme` i politikave fiskale të cilat bëhen sabotuese. Dhe kjo-tha ai- është arsyeja kryesore, se pse investitorët zgjedhin Maqedoninë e Veriut ose Serbinë para Shqipërisë.

    Pastaj tregoi se kishin bërë një anketë me anëtarët e `Dhomës` dhe doli se problemi i parë e më i madhi janë monopolet dhe konkurrenca e pandershme. Foli për korrupsionin si një sëmundje kanceroze dhe dha prognozën `pesimiste` se çfarë do që të thuhet në lidhje me investimet e huaja (Nuk e përmendi ambasadoren në fakt) në rast se nuk godasim në thelb korrupsionin, çdo gjë është retorikë dhe e kotë.

    ‘Problemi është a kemi një vullnet për ta luftuar korrupsion, dhe kjo do të jetë deçizive për Shqipërinë, çka do të thotë vendi do të jetë në gjendje apo jo të tërheq investime të huaja’, ishte zbërthimi i situatës në vetëm pak fjalë.

    Vini re shqetësimin e madh të investitorëve të huaj të cilin ambasadorja Kim nuk e ka cekur ende në deklaratat e saj të deritanishme, pavarësisht se duket qartë që bizneset amerikane janë në axhendën kryesore të saj: `Problemi është a kemi një vullnet për ta luftuar korrupsion, dhe kjo do të jetë deçizive për Shqipërinë, çka do të thotë vendi do të jetë në gjendje apo jo të tërheq investime të huaj!`

    Ambasadorja Kim është e sapoardhur në detyrën e saj të rëndësishme në Shqipëri, por shumë shpejt do ta mësojë se qeverisja e Edi Ramës ka ndërtuar këto 7 vite një skemë, e cila me qëllim nuk lejon investimet e huaja serioze që të futen në vendin tonë. Nuk është vetëm korrupsioni i zyrtarëve, të cilët kërkojnë ‘pjesën e majme’ paradhënie për çdo projekt që ju paraqitet nga investitorët e huaj, por edhe një skemë siç e thamë më lartë, e cila i ka kanalizuar të gjitha financat dhe burimet e vendit vetëm në 4-5 emra biznesmenësh të afërt me kryeministrin. Gati shumica e koncesioneve dhe tenderave publik jepen pa garë dhe transparencë, për të njëjtin ‘grusht’ njerëzish.

    Të vetmit ‘investitorë të huaj’ që rezultojnë në PPP-të miliardëshe të Ramës, janë po të njëjtit ‘biznesmenë strategjikë’ por që hapin kompani fantazmë nëpër offshore e pastaj i pagëzojnë si ‘amerikane’, etj, duke fshehur kështu jo vetëm emrat e vërtetë që fshihen pas tyre, por edhe humbasin gjurmët e ndarjes së ‘pjesës’ si pasojë e korrupsionit të madh të qeverisë Rama.

    Prandaj ambasadore e nderuar përpara se të punoni me pikën 3 të prioriteteve tuaja (sjellja e investitorëve serioz nga SHBA në Shqipëri), do të ishte mirë që të shtoni edhe një prioritet mbi prioritete i cili është kthyer emergjencë kombëtare në vendin tonë: Shkallmimi i skemës jo vetëm korruptive por edhe oligopole e mafioze që ka ngritur Rilindja e Edi Ramë me ekonominë në këto 7 vite. Mbi të gjitha ‘prerja’ e kokës që e polli dhe po e mban ende gjallë duke drobitur këtë vend, e po detyron qindra-mijë t`ja mbathin drejt vendeve nga të cilët ne presim ‘investitorë’.

    Duhet të ndodh kjo pastaj mund të merreni me pikën 3 të prioriteteve tuaja: `Për të nxitur eksportet dhe investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, në mënyrë që të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi për amerikanët dhe shqiptarët`.

    Sepse përndryshe i bie që të përsëritet ajo historia e 100 arsyeve, se pse nuk bien kambanat në `fshatin tonë` ku ajo në fakt nuk mungon, por është vjedhur nga `kuçedra` që po ha çdo gjë, shqiptare e pse jo edhe të huaj!

  • Zefina Hasani – Alketa pyete pak Grabockën, a je ti gruaja e parë që drejtove festivalin!?

    Zefina Hasani – Alketa pyete pak Grabockën, a je ti gruaja e parë që drejtove festivalin!?

    Kur Alketa Vejsiu shpalli lajmin se do të ishte njëra nga prezantueset në Sanremo thashë me vete “Bravo”. Për mua s’ka fare rëndësi si shkoi. E deshi, e kish ëndërruar dhe ja doli. Ishin përpjekjet e veta personale dhe s’kish prekur asnjë fond e interes publik që të na shqetesonte në këtë drejtim. E pashë të shkëlqente mbi shkallët e skenën e Sanremos. Dukej magjike. Kaq! Pastaj e dija që s’do të më pëlqente, siç nuk më ka pëlqyer asnjëherë mënyra si ajo prezanton me elokuencën pa frena, pa mendim e pa ndjenjë. Pastaj më la me gojë hapur kur e uli ritmin për të deklaruar me rrokje të ndara qartë, pikërisht atë që s’duhej ta kish thënë fare, më të pavërtetën: se në gjithë historinë 58- vjeçare të festivalit në RTSH- së, çuditërisht, më në fund ja besuan asaj, një gruaje të vetme prezantimin dhe drejtimin artistik. Pas nervit që më shkaktoi kjo deklaratë, një ndjesi edhe më e keqe mu krijua nga monologu i saj përulës, që ajo kish marrë përsipër ta bënte në emër të gjithë shqiptarëve, të cilët (sipas mendimit tim) jetojnë tashmë në të tjera kohë e statuse dinjitoze, në Shqipëri, Itali e nëpë botë. Por s’do të kisha shkruar e komentuar as për prezantimin e as për monologun, sepse preferencat e ndjesitë janë shumë personale. Shumë të tjerëve ju ka pëlqyer Alketa në prezantim dhe shumë të tjerë e kanë gjetur veten në atë monolog. Ama s’rri dot pa shkruar për deklaratën e rreme që Alketa bëri, ndaj një institucioni publik, ndaj një festivali historik, që ashtu si dhe ajo e kemi dashur dhe e kemi ndjekur të gjithë. Kur e tha këtë deklaratë natën kur hapi festivalin e 58-të në RTSH, nuk reagova se thashë e ka lëshuar padashje. Por duke e thënë përsëri në Sanremo s’mu duk aspak lapsus, por frazë e menduar me qëllim dhe kështu gaboi rëndë, duke tjetërsuar historinë për t’u bërë interesante tek të huajt, që mahniten nga këto lloj historish, pa e pasur fare problem se kështu po e nxirrte Shqipërinë, drejtuesit, regjisorët dhe artistët në këtë vend, si patriarkalë e injorantë, kur në fakt edhe pse në një sistem të ndrydhur komunist kanë gjetur forma për të bërë art të bukur. Duke e shpallur në Sanremo, gafën me historinë, më bëri të nxjerr nga sirtari im, i gazetares së kulturës, faktet zyrtare të festivaleve ndër vite, ku shkruhet qartë se në vitin 1985, 1986, 1987, 1988, 1989 e mandej dhe në vitin 1991 Festivalin e RTSH-së e kanë prezantuar të vetme në skenë, pa asnjë partner burrë në krah- Yllka Mujo, Ema Ndoja, Luiza Xhuvani, Silvana Braçe, Ina Gjika dhe e fundit Rudina Magjistari. Në të gjitha herët regjisorja që ka bërë këtë zgjedhje skenike ka qenë Vera Grabocka.

    Këto janë faktet. Kjo është historia që Alketa e mohoi me një frazë. Edhe nëse do të kishte përtuar t’i hynte leximit të historisë (ç’ka detyrimisht duhet ta bësh kur merr përsipër të flasësh publikisht) të paktën të kish pyetur mentoren e saj, atë që ka besuar e falenderuar gjithë jetën, derisa i erdhi dita të falenderonte Sanremon dhe Amadeusin. Me një frazë, ja hodhi poshtë punën edhe Vera Grabockës së saj. Duke harruar kështu se historitë dhe karrierat pesonale nuk bëhen duke tjetërsuar faktet e duke cënuar punën, kujtesën dhe pasionet që mund t’i kenë të forta po aq sa ajo edhe qindra e mijra të tjerë. Unë jam njëra nga ato, që kam nostalgjitë e mia për atë festival, që ashtu si dhe Alketa e dëgjoja pranë babit tim, që ç’nuk bënte për të më gjetur librat që publikoheshin pas festivalit. Ndaj mos e quani as xhelozi e as smirë këtë shkrim, por lexojeni si nervin e një ish gazetare kulture që po shkruan me fakte dhe të vajzës që do që ta ruaj të paprekur atë që shijonte dikur nga ekrani bardh e zi.

  • Gazi që helmoi qytetarët në protesta/ Zbardhet marrëveshja e dyshimtë. Si gënjeu Lleshaj

    Gazi që helmoi qytetarët në protesta/ Zbardhet marrëveshja e dyshimtë. Si gënjeu Lleshaj

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri. Insajderi ka zbuluar se Sandër Lleshaj, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kishte gënjyer publikisht shqiptarët lidhur me blerjen e gazit lotsjellës. Kishte mbajtur fshehur faktin që ishte marrë huazim nga Policia e Kosovës

    Përdorimi i tepruar i gazit lotsjellës kundër protestuesve të opozitës në Shqipëri kishte ngritur shqetësime dhe pikëpyetje të mëdha. Qeveria e Edi Ramës asnjëherë nuk e ka thënë të vërtetën se ku e kishte marrë gazin lotsjellës, të cilin e përdori për të shtypur protestën e opozitës. Kishte pohuar se kjo sasi gazi ishte blerë në kohën e Sali Berishës, pas protestave të 21 janarit të vitit 2011.

    Por, Gazeta Insajderi ka zbuluar të vërtetën se si Qeveria e Edi Ramës e mori në mënyrë të dyshimtë këtë gaz lotsjellës nga Policia e Kosovës. Kjo është bërë nëpërmjet një marrëveshje të dyshimtë të nënshkruar mes Rashit Qalajt, drejtorit të Policisë së Kosovës dhe Ardi Veliut, drejtorit të Policisë së Shqipërisë.

    Marrëveshja e dyshimtë për 500 granata me gaz lotsjellës

    Për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë.

    Mirëpo, ky rregull është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ai ka vendosur që t’ia huzojë 500 granata me gaz Policisë së Shqipërisë.

    Ky vendim i tij, sipas burimeve të Gazetës Insajderi, ka ardhur pas presionit që atij i është bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

    Kjo sasi prej 500 granatave me gaz ishte “dhuratë”, e Thaçit për partnerin e tij politik Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë.

    Implementimi i tij duhet të bëhej nga drejtori Qalaj, njeri i lidhur dhe i dëgjueshëm i PDK-së së themeluar nga Thaçi.

    Po ashtu, pjesë formale e implentimit do të duhej të ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme. Atëkohë, këtë post e mbante Ekrem Mustafa, i cilësuar nga kritikët e opozitarët si ministër analfabet dhe i padijshëm.

    Insajderi ka siguruar letrën që Mustafa ia kishte dërguar shefit të tij, Behgjet Pacollit. Duhej formalisht edhe “vula” e Pacollit për marrëveshje ndërkombëtare.

    Si i gënjeu shqiptarët ministri Sandër Lleshaj?

    Sandër Lleshaj, ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Shqipërisë, ka gënjyer publikisht kur ka folur për gazin lotsjellës që është hedhur kundër protestuesve të opozitës, gjatë vitit 2019.

    Ai ishte pyetur nga deputeti Lefter Maliqi në një mbledhje të komisionit për siguri, të mbajtur më 11 nëntor të vitit të kaluar.

    “… për sa i përket gazit lotsjellës në konceptin buxhetor ne e kemi gjetur nuk e kemi blerë. Atë e hedh policia. Jam dakort me ju që është hedhur shumë, por ama janë shmangur plumbat”, kishte thënë Lleshaj.

    Fakti që vetë ministri i Punëve të Brendshëm i Shqipërisë e pranon se kanë hedhur shumë gaz lotsjellës, ligjërisht e bënë përgjegjës edhe shtetin e Kosovës.

    Kjo përbën shkelje të rregullave ligjore. Në cilësinë e blerësit, Policia e Kosovës mban përgjegjësi ligjore se si do ta shfrytëzojë gazin lotsjellës si përdorues i fundit i tij, pa pasur të drejtën e huazimit.

    Në këtë rast, huazuesi i gazit lotsjellës Policia e Shqipërisë, është e paditur për përdorimin e dhunshëm të kësaj sasie.

    Një kallëzim penal kundër Sandër Lleshajt, ministrit të Punëve të Brendshme dhe disa punonjësve të Policisë së Shtetit është ngritur nga ish-krye bashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

    Lleshaj dhe vartësit e tij akuzohen nga Ademi për “shpërdorim detyre”. Padia është depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Bashkia e Shkodrës kërkon edhe “pezullim të ushtrimit të detyrës publike” për personat e kallëzuar penalisht.

    “Në cilësinë e Kryetares së e bashkisë Shkodër së bashku me qytetarët e Shkodrës po bënim manifestim paqësor , në mbrojte të të drejtave dhe lirive themelore Kushtetuese, mbrojtjen e drejtës së votës, e cila është parimi kryesor në zbatim të Kushtetutës. Manifestimi ishte paqësor dhe konform dispozitave ligjore në fuqi”.

    “Bashkia e Shkodrës, në kallëzimin penal për ministrin e brendshëm dhe punonjës të Policisë së Shtetit thotë se “siç tregojnë edhe pamjet filmike, punonjësit e Policisë së Shtetit kanë sulmuar me gaz edhe protestues të cilit ishin në kushte të pamundura shëndetësore, apo persona që po u vinin atyre në ndihmë. Kjo metodë kriminale, është shkelje flagrante e ligjit, që vë në rrezik serioz jetën e qytetarëve dhe personave që ishin duke i ndihmuar ato”, thuhet në kallëzimin penal kundër Lleshajt./Insajderi