Blog

  • Kush dhe si duhet të vetë-karantinohet?

    Kush dhe si duhet të vetë-karantinohet?

    Ministria e Shëndetësisë ka këshilluar që të gjithë ata që vijnë nga Italia apo vende të tjera të prekura nga koronavirusi, duhet të vetë-karantinohen për 2 javë, edhe nëse nuk kanë asnjë nga simptomat e virusit.

    Por si mund të bëhet vetë-karantinimi?

    Më poshtë disa këshilla se duhet kryer karantina.

    Personat që duhet të vetë-karantinohen

    Sipas vendimit të qeverisë, duhet të vetëkarantinohen për 14 ditë në banesat e tyre, të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri pasi kanë udhëtuar në zonat e prekura të Italisë.

    Moszbatimi i këtij urdhëri dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë.

    Vetë-karantinimi këshillohet dhe për personat që kanë patur kontakt me persona që janë konfirmuar pozitivë me koronavirus, megjithëse mund të mos ketë asnjë simptomë.

    Si të vetë-karantinoheni?

    Për t’u vetë-karantinuar duhet të qëndroni brenda shtëpisë suaj ose vendit ku jetoni (hotel, konvikt, etj) duke mos dalë nga andej për një periudhë 14 ditore, sa është caktuar si periudhë e mjaftueshme për inkubacionin e koronavirusit.

    Vetë-karantinimi ideal do të ishte që të qëndroni i vetëm në shtëpi, por në rast se kjo është e pamundur, me ju mund të qëndrojnë njerëzit që jetojnë me ju. Sidoqoftë, edhe në këto raste këshillohet që të qëndroni në një dhomë te vetme dhe të zvogëloni kontaktet me personat e tjerë në shtëpi.

    Vizitorët e tjerë nga jashtë nuk janë të lejuar brenda.

    Rregulla që duhen mbajtur gjatë vetë-karantinimit

    Pastroni dhe lehtësoni sa më shumë nga gjërat e panevojshme dhomën ose shtëpinë ku do të rrini, për të ulur sa më shumë numrin e sendeve që mund të kontaminohen.

    Pastroni çdo ditë banjon që do të përdorni. Në rast se është e mundur, këshillohet të përdoret një banjo vetëm nga ju dhe një banjo tjetër për personat e tjerë në shtëpi.

    Pastroni çdo ditë dorezat e dyerve, tavolinat, komodinat dhe çdo sipërfaqe të cilat i prekni më shumë gjatë ditës apo që mund të preket nga lëngjet trupore.

    Lani duart vazhdimisht me ujë të ngrohtë e sapun. Lani duart pas çdo kollitjeje ose teshtime.

    Përdorni një komplet të veçantë pjatash, gotash dhe enësh të tjera për të ngrënë. Lajini ato mirë me ujë të ngrohtë dhe detergjent pas çdo përdorimi.

    Lani çdo ditë rrobat që vishni me më shumë se 60 gradë. Nëse është e mundur, hekurosini rrobat përpara se t’i vishni.

    Në ato raste që duhet të ndërveproni me familjarët e tjerë në shtëpi, vini maskë mbrojtëse dhe mbani një distancë 1 deri në 3 metra larg tyre.

    Qëndroni larg familjarëve të moshuar apo që kanë sëmundje dhe probleme të tjera shëndetësore.

    Në rast se keni kafshë shtëpiake, mbajini ato larg. Në rast kontakti me to, lani mirë duart para dhe pas kontaktit.

    Në rast se është e mundur, kërkojini një familjari ose të afërmi të bëjë pazarin dhe të blejë ilaçe. Kërkojini atyre t’ja u lënë ato pas dere dhe zvogëloni sa më shumë kontaktin me këta persona.

    Në rast se duhet të dilni nga shtëpia për një urgjencë, vini patjetër maskë mbrojtëse në fytyrë. Mos përdorni taksi apo transportin urban, si dhe çdo mjet tjetër me persona të tjerë brenda.

    Në rast se vini re simptoma si temperaturë, kollë apo vështirësi në frymëmarrje telefonini urgjencën në numrin 127.

  • Gentian GABA – Dy dhomat e Bashës për të zhbërë ‘aneksin’ e Ramës

    Kur në Shtetet e porsalindura të Amerikës diskutohej mbi sistemin, kishte një dallim këndvështrimesh midis etërve themeleues. Në fund, zgjedhja institucionale do të binte mbi një sistem politik me dy dhoma, për të cilën ka një anekdotë ilustruese për arsyet që çuan drejt bikameralizmit (nga latinishtja ‘bi’, dy dhe ‘camere’, dhoma).

    Ndërsa diskutonin, Thomas Jefferson, i cili përfaqësonte rrymën e atyre që mbështesnin idenë e një parlamenti monokameral, pra me një dhomë, dhe George Washington, mbështetës i bikameralizmit; ky i fundit, teksa mbushte filxhanin me çaj dhe priste përpara se ta konsumonte, i theksonte Jeffersonit se, i vakët mund të pihej më mirë.

    Një anekdotë që me thjeshtësi përcjell edhe një nga qëllimet kryesore të dhomës së dytë, ‘ftohjen’ e tendencave që çojnë drejt ‘tiranisë së mazhorancës’, duke shmangur përqendrimin e fuqisë së legjislativit, si garanci e pluralizmit dhe ekuilibrit të pushteteve.

    Si kundërvënie ndaj rrezikut që i kanoset pluralizmit dhe për restaurimin e ekuilibrit të pushteteve që ka rënë, ka lindur edhe propozimi i kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili, ditën e premte, parashtroi një platformë politike që mbart propozime për ndryshime rrënjësore.

    Njëri prej tyre është edhe senati, si një dhomë e dytë, që të filtrojë legjislacionin dhe politikat kryesore të shtetit, në mënyrë që të bëjë të mundur rritjen e demokracisë në vendimmarrjen e legjislativit. Diçka që nuk krijon kosto shtesë për qytetarët, Parlamenti do të ketë 100 anëtarë, ndërsa Senati 40 anëtarë, por do të rrisë llogaridhënien e qeverisë.

    Krahas Senatit kishte edhe pika të tjera, po aq të rëndësishme; siç është struktura për të forcuar kontrollin e plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, për të cilën, 30 qershori pa kundërshtarë dhe me dekriminalizmin në fuqi, tregoi se vendi ka shumë nevojë.

    Në lidhje me cilësinë e zgjedhjeve janë edhe propozimet e tjera, si toleranca zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës; financimin e partive, për ta shpëtuar nga gracka e bizneseve që dhurojnë fonde në fushatë dhe blejnë influencë në qeveri; votimi dhe numërimi elektronik, si dhe propozimi për një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, 100 ditë përpara zgjedhjeve, derisa Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Pra një përpjekje për t’i dhënë legjitimitet një procesi që e ka humbur atë, sepse ilegjitimiteti në zgjedhje ka prodhuar ilegjitimitet në qeverisje.

    Me impakt të lartë për interesin publik ishte edhe propozimi për ndryshimin e sistemit, për të cilin kreu i PD-së theksoi se: ‘Duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë’.

    Sigurisht diçka jo e re, Basha e ka artikuluar prej kohësh preferencën për një sistem mazhoritar të pastër, por që në prag të konkretizimit të Reformës, nën hyqmin e kushteve të Bundestagut, tingëllon si një sfidë e qartë ndaj statusquo-së. Një hap që i lejon opozitës të kthehet në një vektor ndryshimi për të gjithë ata që kanë kërkuar një sistem zgjedhor më konkurrues dhe demokratik.

    Këto propozime politike, që kanë potencialin për të krijuar një agregat të madh shoqëror rreth opozitës, nëpërmjet të cilit mund të ushtrohet trysni mbi mazhorancën, nuk u pritën mirë nga mazhoranca, e cila u tregua vrik refraktare sapo u njoh me platformën e Bashës. Shenjë e qartë se kjo risi përbën një kërcënim për pushtetin e mazhorancës dhe ka forcën të zhbëjë parlamentin e sotëm, i cili nuk është gjë tjetër, veçse një ‘aneks’ personal i Edi Ramës.

  • Ja se si disa diplomatë, njësoj si sharlatanët e opozitës së re njollosën drejtësinë shqiptare

    Ja se si disa diplomatë, njësoj si sharlatanët e opozitës së re njollosën drejtësinë shqiptare

    Drafti provizor i konluzioneve të Komisionit të Venecias, për mënyrën se si duhet zgjidhur konflikti për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, nuk ka vënë në vështirësi vetëm Edi Ramën dhe shpurën e tij, por edhe dy selitë më të mëdha diplomatike në Tiranë që mbështetën rrugën që zgjodhi shumica parlamentare dhe deputetët sharlatanë të opozitës së re.

    Pasi në 11 nëntor, parlamenti shqiptar votoi me shumicë çuarjen për në Gjykatën Kushtetuese të Fiona Papajorgjit dhe Elsa Toskës, duke e konsideruar të djegur afatin 30 ditor të presidentit (me lojrat tashmë të denoncuara të botimit të ligjshëm në fletoren zyrtare), pra duke e quajtur të emëruar edhe Arta Vorpsin që më pas do të betohej tek një noter buzë Lanës, ambasadat e ShBA dhe BE e e përshëndetën këtë krim.

    Megjithëse ky votim shkeli hapur nenin 178/2 të kushtetutës që përcakton radhën se si duhet ti përzgjedhin institucionet anëtarët që duhet të çojnë në këtë gjykatë (lexoje historinë të plotë këtu) dy përfaqësitë diplomatike e konsideruan atë si një hap përpara.

    Ambasada amerikane nxitoi të dilte para asaj të BE. Selia e rrugës së Elbasanit nënvizoi se “Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike”, ndërkohë përfaqësuesit e Brukseli bënë një njoftim në Twitter: “Ne e mirëpresim këtë vendim dhe presim krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”.

    Kjo mbështetje e njëkohësishme u konsiderua në fillim të nëntorit të shkuar si një paralajmërim për presidentin Meta, për të mos dekretuar ndonjë emër tjetër nga ato të tre që u lexuan në kuvend (Fiona Papajorgji, Elsa Toska edhe Arta Vorpsi). Meta nuk e dëgjoi këtë këshillë dhe duke zbatuar kushtetutën dekretoi Marsida Xhaferllarin.

    Ndërsa sot kur ne kemi në dorë konkluzionet paraprake të Venecias, aty i jepet të drejtë rrugës që zgjodhi presidenti. “…veprimet e presidentit, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Veprimet e ndërmara nga presidenti, në përgjigje të mënyrës së veprimit të KED, janë të arsyeshme” thuhet aty.

    Por historia nuk përfundon me kaq, pra me faktin se kush kishte të drejtë Rama apo Meta.

    Ajo shkon më thellë dhe pikërisht këtu del zbuluar hipokrizia e dy selive kryesore diplomatike që u sollën në 11 nëntor me të njëjtën mëndjelehtësi si deputetët e opozitës së re. Sepse procedura e zgjedhjes së gjykatësve kushtetues që selitë e Shba dhë BE e mbështetën dhe e quajtën hap përpara, sipas Venecies rrezulton se ka qenë e gjitha antikushtetuese.

    Në këtë kontekst, sipas Komisionit të Venecias, dërgimi nga ana e KED-së te Presidenti i dy listave njëkohësisht, dërgimi i listave në Parlament, 6 ditë më vonë, dhe numri i kufizuar i kandidatëve, vetëm 6 për katër vende vakante “krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese” thuhet në raportin që nxjerr bllof tam tamet e diplomatëve lokalë.

  • Eqrem bej Vlora për Avni Rustemin: ‘Vrasës i pabesë, që kapardisej në Tiranë si shpëtimtari i atdheut’

    Eqrem bej Vlora për Avni Rustemin: ‘Vrasës i pabesë, që kapardisej në Tiranë si shpëtimtari i atdheut’

    Nga të paktët që hedh poshtë atentatin e Avni Rustemit, madje e ul figurën e vetë Avniut duke e quajtur “karagjoz politik”, është personaliteti i njohur politik shqiptar, Eqrem bej Vlora. Në vëllimin e dytë të librit të tij ”Kujtime” (1912-1925), ai jep në këtë mënyrë një pasqyrë realiste të gjendjes në Shqipëri gjatë periudhës së parë të vitit 1920: “Menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Tiranës, të gjitha krahinat e njohën autoritetin e saj (20 shkurt 1920).

    Sidoqoftë, zona të gjera të vendit mbeteshin ende nën pushtimin e huaj: Shkodra, Korça, Pogradeci nën francezët, viset në veri të Drinit nën sundimin serb, Vlora dhe disa pikëmbështetje të tjera nën varësinë italiane” (faqe 163).

    Më poshtë vazhdon: “Ndërkaq, Esat pasha me banim në Paris, u dha urdhër njerëzve të tij në Shqipërinë e Mesme që të mblidheshin dhe, kur të vinte rasti, të rrëzonin qeverinë.

    Përballë këtij rreziku, qeveria u përpoq t’i bindte me të mirë esatistët se përmbysja me dhunë e qeverisë do t’i rizgjonte dëshirat dhe nepset e fqinjëve për të rrëmbyer troje shqiptare dhe kjo mund të ishte rrezik i madh për ekzistencën e Shqipërisë së lirë”.

    Pas kësaj paraqitjeje mjaft objektive të gjendjes së Shqipërisë në atë periudhë, Eqrem bej Vlora fajëson drejtpërdrejt qeverinë e Tiranës, si nismëtare të atentatit: “Që Esat pasha në çdo vend të qytetëruar do ta kishte hak trekëmbëshin, kjo nuk diskutohet. Por që ai u eliminua në këtë mënyrë të padenjë, kjo nuk i nderon aspak anëtarët e asaj qeverie”.

    Pastaj Eqrem Vlora vazhdon: ”Esatistët filluan befas të ndërmarrin veprime të dhunshme. Ata prenë linja telegrafike dhe telefonike, vendosën njerëz të armatosur në ura dhe qafa dhe, kur qeveria nisi të marrë masa të rrepta, ata nën komandën e Osman Balit, rrethuan madje Tiranën… Edhe një herë qeveria u përpoq të mirrej vesh me rebelet… Ndërkohë problemi u zgjidh vetiu me vrasjen e Esat pashës…”.

    Ndërsa për Avni Rustemin shkruan: ”Një djalosh i quajtur Avni Rustemi, një nga studentët më të pasuksesshëm, që me këtë vrasje donte të bënte emër, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat pashës. Ata i dhanë mjetet e nevojshme për këtë vrasje dhe morën njëherësh përsipër mbrojtjen e tij para gjykatës franceze. Se kush ishin, këtë sot vështirë ta thuash”.

    Eqrem bej Vlora shpreh habinë e tij të madhe se si “drejtësia franceze, me një manipulim të habitshëm të ligjit, e nxori të pafajshëm Avni Rustemin dhe që qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë, pra, kapardisej nëpër Tiranë si ndonjë shpëtimtar i atdheut”.

    Ndërkaq, për vrasjen dhe ceremoninë e varrimit ai ka thënë: “Të gjithë ata që e quanin veten ‘popull’ dhe ‘demokratë’ kaluan përpara arkivolit të këtij karagjozi kriminel të cilin donin, me doemos, ta ngrinin në piedestalin e heroit kombëtar dhe të martirit.

    Me radhë, udhëheqësit e Partisë Demokratike ngjiteshin pranë arkivolit dhe zbraznin rrëketë e fjalëve të tyre, pa dashur t’ia dinë se për popullin këto poza janë krejt të huaja, sepse ato shkelin zakonet dhe kuptimin e tij për dinjitetin njerëzor. Kjo shfaqje u zhvillua për një javë të tërë në Tiranë dhe pastaj në Vlorë, për gazin e gjithë kalamajve.

    Gjithë kjo shfaqje hipokrite ndiqte vetëm një qëllim: të ngrinte peshë zemrat e njerëzve dhe nga trazira e përgjithshme, të fitonte kapital politik. Në këtë vazhdë befas, Partia Demokratike vendosi ta transportojë të vdekurin në Vlorë, ta varrosë në një lëndinë të vogël trekëndëshe para barakës së teatrit dhe kinemasë në kryqëzimin e rrugës Skelë-Kaninë-Vlorë dhe përmbi të, të ngrejë një përmendore.

    Me qëllim gjoja, që ta përjetësojë. Në të vërtetë, pas tre muajsh grumbulli i dheut dukej krejt i lënë pas dore, ndërsa pas tre vjetësh ishte zhdukur fare me vjegë se po përcjellin trupin vdekatar të atdhetarit të madh, shumë politikanë të mirëfilltë dhe asish të improvizuar u vunë në lëvizje nga Tirana dhe përmbytën Vlorën, si një luzmë karkalecash”.

  • Ferrari, jashtëseria e viteve ’60, zbulohet e paprekur pas 40 vjetësh

    Ferrari, jashtëseria e viteve ’60, zbulohet e paprekur pas 40 vjetësh

    Edi DELIU – Çdo koleksionist apo i apasionuar pas makinave, e i dhënë pas atyre antike me shumë vlera, ëndërron të hapë një ditë derën dhe ta gjejë veten para një xhevahiri unik, antik dhe shumë të çmuar.

    Një gjetje e çmuar

    Fatkeqësisht këto episode janë më unike sesa të rralla, ne kemi folur për këtë me rastin e zbulimit të varrezës antike të Fiatit, në rajonin e Buenos Aires.

    Ferrari 250 GTE i zbuluar në Kaliforni

    Ndërsa sot, zbulimi i bërë i përket një Ferrari 250 GTE të vitir 1961, një nga afro 300 seritë I GTE të rëalizuara. Makina paraqitet në një kombinim të bukur të ngjyrave, punimet e trupit janë blu të lehta dhe të brendshmet të zeza e të kuqe. Është një makinë e fantastike dhe ekstremisht origjinale e për koleksion e targuar Kalifornia blu që gjithmonë ka pasur të njëjtin pronar që nga viti 1979.

    Beverly Hills Car Club nxjerr në shitje një Ferrari unikal të vitit 1961

    Është hera e parë që kjo makinë sportive italiane ka dalë në shitje që nga viti 1979. Dhe këtë punë e ka marrë përsipër Club Beverly Hills Car i Alex Manos, tregtar makinash klasike dhe bizhuterishë unike në botë. Kujtojmë që Ferrari 250 është një nga autot shtëpisë së Maranelos që ka patur suksesin më të madh, një model i jashtëzakonshëm, si në pista, ashtu edhe nëpër showroom. 250 GTE e projektuar nga Pininfarina u prezantua për herë të parë në Auto Salon Paris në 1960.

    Ferrari 250 GTE, një xhevahir elegant dhe i rrallë në shitje

    California ka qenë gjithmonë e njohur për makinat sporte dhe ato luksoze dhe sot në Berverly Hills na del para syve një Ferrari 250 GTE i mrekullueshëm, i punuar nga Pininfarina, misteriozisht i rishfaqur pasi kishte qëndruar në një garazh për 40 vjet të gjatë. Një Ferrari elegant me katër vende, me tapiceri lëkure dhe tapetet e kuq është mbajtur në gjendje perfekte, është një rast pothuajse unik në botë.

    Çmimi i Ferrari 250 GTE i vitit 1961 të gjetur në Kaliforni

    Beverly Hills Car Club ka vendosur, korrektësisht, që të mos vazhdojë me pastrimin ose lustrimin e makinës. Çmimi është 265,000 dollarë, që korrespondon me rreth 243 mijë euro, dhe është shumë interesant, duke qenë një ekzemplar unik dhe antik dhe që është praktikisht në gjendjen e tij origjinale.

  • Artur ZHEJI – Mbroni fëmijët dhe me pistoletë në dorë! sepse…

    Kur lexoj që disa mësues shkollash të mesme, disa fundërrina që nuk meritojnë të jetojnë mbi këtë tokë, flasin e flirtojnë, e pervertojnë me nxënëset e tyre, si të ishin prostituta, më ngjethet mishi dhe më ndizet gjaku. Si mundet të gjarpërojë në çdo pore të shoqërisë tonë krejt të sëmurë, një fëlliqësi e tillë e pandëshkuar? Si ka mundësi që të ketë nga këta mësues perversë, që shpërdorojnë nxënëset e tyre, vajza të mitura e në ag’ të jetës së tyre, dhe nuk merren zvarrë, të pështyhen e të përmuten publikisht, të lidhen në shtyllat e turpit dhe të lihen ti hanë korbat, kërmësitë e trupave të tyre?

    Si ka mundësi të mos revoltohen e të mblidhen bashkë prindërit e atyre shkollave, të cilave u kanë besuar fëmijët, dritën e syve të tyre?

    A ka më një kod moral, kjo shoqëri kurvash e kurvarësh, të të gjitha niveleve, nga poshtë lart e nga lart poshtë? Apo morali i shqiptarëve, paska qenë thjesht një përrallë e sajuar nga e shkuara, sot një kujtim i përdhosur nga pornografia e mjeranëve që ka bërë fole në trutë e sëmura, të kësaj shoqërie pa dinjitet?

    Ku është pra Familja e shenjtë e shqiptarëve të dikurshëm?

    Apo kur shndrrohesh në popull mjeran dhe një pabuks, të përdhunuar nga pushtetet e më të fortëve, që ngrihen çdo çast mbi ligjin e shkruar dhe pshurrin më pas, edhe ligjet e pashkruara të kodeve bazike morale, s’ka më shpresë?

    Pres më kot ndonjë shkrepje pisqolle mbi kokat e tyre të kalbura dhe perverse, por lajme të tilla nuk ka. Me sa duket nuk ka më burra ky vend shqiponjash të vdekura!

    Vetëm janë shtuar manjakët e sëmurë, që vrasin ish gratë e tyre, nën hundën e policisë, që nuk di ç’të bëjë më pare, sepse ka emergjencë në të gjitha anët.

    Mos jemi kalbur krejt si popull, që durojmë edhe përdhunuesit e fëmijëve nëpër shkolla?!

    Shkrepeni pisqollën mbi ata plehra që poshtërojnë vajzat tuaja o shqiptarë, nuk ka gjykatë e kalbur në botë që ju dënon për këtë!

    Shpesh nga shpata dhe nga baruti, kur e keqja mbërrin fundin, janë themeluar shoqëri të reja, mbi themelet e kalbësisë të shoqërive në rënie të lirë si kjo e jona.

    Shkrepeni pra, ju baballarë e vëllezër, kur venë dorë mbi vajzat e motrat tuaja!

    Ska rrugë tjetër, kur kalbësia ka mbërritur fundin!

  • David Beckham: “Kështu u dashurova me Viktorian”

    David Beckham: “Kështu u dashurova me Viktorian”

    Ish Spice ka postuar një video të vjetër në Instagram në të cilën bashkëshorti i saj rrëfen se si shpërtheu mes tyre dashuria me shikim të parë: “Më ke pëlqyer në gjithçka, nuk mund të veçoj asgjë”. Një dashuri që vazhdon prej më shumë se njëzet vjetësh (pavatësisht thashethemeve keqdashëse)

    Edhe pse Harrison Ford pohon – me ironi – që për të pasur një martesë të qëndrueshme duhet folur sa më pak të jetë e mundur për, ka fraza që mbesin të gdhendura në mendjet e dy të dashuruarve që – në fakt – bëhen shtyllat e marrëdhënies. Ky është rasti i David dhe Victoria Beckham, të cilët janë bashkë prej më shumë se njëzet vjetësh dhe ende kujtojnë fjalët e ëmbla që shkëmbyen në fillim të historisë së tyre të dashurisë.

    Mes tyre, një intervistë e ëmbël e publikuar shumë vite më parë nga David së bashku me të shoqen, të cilën ajo e ka ripublikuar në Instagram duke i shpënë në delir fansat. “Çfarë më bëri të dashurohem me Victorian? Nuk mund të them një të vetme, më pëlqeu njëherësh e gjitha”, i pohon ai një personi të jashtëm. “Me mua? Ke rënë në dashuri me mua?”, pyet ëmbëlsisht ish-Spice. “Pikërisht me ty e dashur, me ty”.

    View this post on Instagram

    So sweet! I love u @davidbeckham x

    A post shared by Victoria Beckham (@victoriabeckham) on

    Shpërthejnë puthje e përqafime, natyrisht. Më pas ai tërhiqet dhe Vic acarohet paksa: “Ndoshta të dukem e mërzitshme”. Por, ish-futbollisti e ka përgjigjen e gatshme edhe kësaj here: “Jo, je një person i shkëlqyer, unë jam thjesht shumë i lodhur”. Dhe sërish një lumë përkëdheljesh, me stilisten, që më pas shikon kamerën dhe me një pamje prej bashkëfajtoreje e pet: “Shumë seksi, apo jo?”. Në fakt, pak mund ta mohojnë atë.

    Por duhet thënë se në gjithë këto vite martese, David dhe Victoria nuk kanë qenë gjithmonë mes lulesh dhe trëndafilave: thashetheme malinje janë përhapur disa herë për të ashtuquajtura kriza dhe tradhëtira, por forca e çiftit – përtej fjalëve të ëmbla – ka qenë pikërisht ajo e mbetjes të bashkuar dhe duke thënë: “Është gjithmonë dikush që kënaqet duke shpikur marrëzi në lidhje me marrëdhëniet tona”, ka deklaruar ajo për Vogue.

    “Lidhja familjare na ka ndihmuar dhe na kanë bërë më të fortë. Askush prej nesh të gjashtëve (përfshirë fëmijë) nuk do të ishte aq i fortë nëse do të ishte vetëm”, ka shtuar ajo. Sikur të thuash, ka keqkuptime normale, por asgjë që mund të gërvisht unitetin e bllokut-familjes: “Respektimi i kësaj lidhjeje është çelësi ynë”. Pak fjalë – për t’iu rikthyer Harrison Fordit – por të thëna mirë.

  • Gjashtë të paprekshmit e Milanit

    Gjashtë të paprekshmit e Milanit

    Milani ka gjashtë lojtarë të paprekshëm për këtë sezon veror. Çfarëdo që të ndodhë, janë gjashtë kuqezinjtë që në asnjë rast nuk do të largohen nga Djalli gjatë verës

    Gjashtë të paprekshëm. Gjashtë lojtarë që, të ndodhë çfarë të ndodhë, nuk do të largohen nga Milani. Jo këtë sezon veror. Midis paqartësivee ndryshme të momentit, faktikisht, Djalli mund të mbështetet në disa themele të forta, pavarësisht të gjithë ndryshoreve të rastësisë.

    Po flasim për Alessio Romagnolin, Theo Hernandez, Ismael Bennacer, Samuel Castillejo, Ante Rebiç dhe Rafael Leão. Të gjithë lojtarët që klubi do t’i blindojë në mënyrë kategorike në sezonin që po vjen dhe me të cilët do të rifillojë me siguri sezonin e ri të kampionatit.

    Shitjet tek Milani, nga një për çdo repart

    Tek dorezat fatkeqësisht nuk ka asnjë siguri për momentin. Sepse i vetmi top player i skuadrës, Gianluigi Donnarumma, është pashmangshmërisht në fije të perit për shkak të një kontrate që skadon në vitin 2021 e cila kërkon zgjatjen e menjëhershme ose si alternativë, shitjen. Bashkë me të, në këtë rast, do të përshëndeste edhe Antonio Donnarumma, ndërsa Asmir Begovic gjithashtu për momentin po shkon drejt një rikthimi në Angli.

    Ndërsa në mbrojtje, mund të thuhet që Romagnoli dhe Hernandez do të jenë të vetmit që do të qëndrojnë. Pra, po shihet se të gjithë të tjerët mund të përshëndeten me një ofertë të përshtatshme apo një rrethanë bindëse. Një nga Davide Calabria dhe Alessio Conti, për shembull, mund të thoshte lamtumirë, Mateo Musacchio po shkon drejt lamtumirës dhe gjithashtu i dobësuar është edhe pozicioni i Léo Duarte.

    E ku i dihet nëse edhe Mattia Gabbia nuk zgjidhet një opsion huazimi ku do të mund të gjente vijimësinë. Pak e mundshme me gjithë sinqeritetin, por ama e mundur dhe nuk përjashtohet. Gjithashtu mbi Simon Kjaer varet një pikëpyetje e madhe, me klubin që vlerëson ta marrë low-cost ndërsa lamtumirë e sigurtë do të jetë për Diego Laxalt.

    Nga lamtumira të sigurta duke kaluar përmes Ibrahimoviçit

    Mesfusha llogarit dy largime të sigurta: ato të Lucas Bigliës dhe Giacomo Bonaventurës. Klubi ka vendosur prej kohësh që të mos i rinovojë kontratat e tyre për shkak të kostove, anagrafike dhe fizike. Mund t’i ndjekë në dalje edhe Frank Kessie, një thesar potencial për Milanin, dhe Lucas Paquetá nëse paraqitet ndonjë rrethanë e përshtatshme.

    Hakan Calhanoglu duhet të qëndrojë, por me kontratën në skadimin në 2021 kurrë mos thuaj kurrë. Kështu edhe për Rude Kruniç: deri më tani nuk është në largim dhe mbetet një alternative e shkëlqyeshme, por një ofertë e përshtatshme sërish mund të ndryshojë gjithçka. Një e ardhme krejt tjetër nga e sigurta është edhe për Alexis Saelemaekers ende anonim.

    Në sulm, në mënyrë absurde, ekziston vetëm një e panjohur: Zlatan Ibrahimovic. Do të qëndrojë apo jo? Gjithçka do të varet nga projekti që Ad Ivan Gazidis do t’i paraqesë në të famshen ballë për ballë. Për pjesën tjetër, të gjithë të konfirmuar: nga stakanovisti Castillejo, duke kaluar tek Rebic në huazim edhe për një vit tjetër e tek i papjekuri Leão, tek i cili pronarët e klubit ende kanë shumë besim për të ardhmen. Gjashtë qartësi në total. Të destinuar, sigurisht, për t’u shtuar me kalimin e kohës, por numërohen vetëm gjashtë për momentin.

  • Georgina Rodriguez, “pigiama party” me fëmijët për fitoren e Cristiano Ronaldos

    Georgina Rodriguez, “pigiama party” me fëmijët për fitoren e Cristiano Ronaldos

    Showgirli e festoi kampionatin e Juventusut me një festë të lezetshme në jaht me fëmijët, duke pritur kthimin e babit për disa ditë relaksi: “Bashkimi bën forcën”. Dasëm në horizont?

    Laura DANI – Cristiano Ronaldo vendos një trofe tjetër në palmaresin e tij, atë të rradhës në karrierën e tij sensacionale dhe Georgina Rodriguez feston në mënyrën e saj, duke organizuar një pigiama party të lezetshme me fëmijët. “Bashkimi bën forcën dhe sot ne jemi kampionë”, shkruan showgirl në krah të një fotografie që tregon atë në shtrat me fëmijët, disa orë pas fitimit të Kampionatit të nëntë radhazi të fituar nga Juventusi.

    “Nuk e di se ç’fjalë të shpik për të përshkruar dedikimin tënd, për atë që je, që do të jesh dhe që na frymëzon”, lexohet në krye. “Je më i miri në univers. Kështu vazhdo: 24 orë në ditë për 365 ditë, vit pas viti. Gjithmonë ia vlen. Nuk mund të jemi më krenarë për ty”, konkludon, “dhe ne e festojmë kështu”. Së bashku në jaht, në pritje të kthimit të babit.

    Po, sepse lojtarët po përballen me një verë me të vërtetë të pazakonshme. Normalisht, lojtarët tani do të ishin të mbyllur në tërheqjet para-sezonale në disa vendpushim malor pasi të kishin kaluar pushimet e qershor-korrikut. Por, për shkak të ndaljes së gjatë prej koronavirusit, ata ende të impenjar në ndeshjet e fundit të kampionatit, e më pas do të etapa e fundit me kupat.

    Ronaldo sigurisht që do të luajë Ligën e Kampionëve dhe – nëse rast suksesu me Lyon më 7 gusht – do të fluturojë për në Lisbonë, për në Final Eight. Në pritje të takimit të madh, siç ka bërë javët e fundit, ka të ngjarë që sulmuesi portugez të mund të rrëmbejë ndonjë ditë të lirë për t’u çlodhur me familjen: “Realizoi gjithmonë ëndrrave e tua”, ka shkruar ai së fundmi duke përqafuar Georginën.

    A thua të ketë edhe një martesë në horizont? Të dy janë së bashku që nga viti 2017 dhe kohët e fundit është folur disa herë për dasëm. Për momentin duket vërtetë e pamundur, por do të kishte qenë kurorëzimi më i mirë i një vere (të pazakontë) dashurie.

     
     
     
     
     
    View this post on Instagram
     
     
     
     
     
     
     
     
     

    Make your dreams come true always with special company! 😀❤️🙏

    A post shared by Cristiano Ronaldo (@cristiano) on

  • Artur ZHEJI – Henri Çili, ky vrasës me pagesë që kërcënonte Kongresin e PS …

    Artur ZHEJI – Henri Çili, ky vrasës me pagesë që kërcënonte Kongresin e PS …

    Kishte kërcënuar dhe rrezikonte në mënyrë kriminale, të fshehtë dhe hipokrite, me pushkë dhe me penë, Kongresin e suksesshëm të Edi&Linda Ramës, të mbajtur në Pallat të Kongreseve, e nën siglën e Pastiçerisë Socialiste!

    E arrestuan pra më në fund, vrasësin serial, fytyrën më kriminale të Shqipërisë së fshehtë, Henrin, apo Naimin, si dhe ja kujtojnë dashamirësit e tanishëm, emrin e tij të origjinës.

    Banda e tij, themeluar në errësirat e bodrumeve më të errta, me një organizim kompleks, që si një oktapod gjigant kontrollonte dhe zhvaste të gjithë vendin, duket se u mbërthye në mënyrë spektakolare, u çmontua dhe koka e krimit u arrestua e është tash pas hekurave.

    Henri Çili, kjo fytyrë e frikshme, ideator i bandave Kçkëiste të Shqipërisë, ky gjarpër i fshehur, ky vrasës i shumëfishtë, poliagjent, themelues i disa (gjashtë për saktësi) grupeve të strukturuara kriminale, të njollosura me gjakun e pafajshëm të shumë shqiptarëve, tani, falë Reformës në Drejtësi, falë Rilindjes që na Rilindi të gjithëve, gjendet sot në qeli!

    Në një qeli të ftohtë, në të njejtën qeli, të thellë e të ndyrë, të banuar nga minj dhe lakuriqë nate, ku dhe, do të përfundojnë të gjithë armiqtë që ka pasur, ka, e do të ketë, Shqipëria jonë Socialiste!

    Fëmijë të lumtur të Shqipërisë, tani e tutje shikoni dhe bëni “like”, Kongresin e Partisë Socialiste, fytyrat e qeshura të Edit, të xhaxhi Gramozit dhe të xhaxhi Gjushit, lërini kartonat dhe lëreni Tomin dhe Jerry-n, ndiqni Kongresin! Gëzojuni dhe brohorisni pra, për të ardhmen tonë të pandalshme e moderniste!

    Sepse, Henri Çilin, falë syrit të mprehtë të Organeve tona, është tashmë në duart të sigurta!

    Henrin, këtë përbindësh që hante çdo mëngjes një foshnjë të skuqur me gjalpë, në drekë, thyente një Bankë dhe në darkë, vetë gostitej me verë, përzier më gjakun e Partisë (që për pak I zuri besë këtij armiku), i është dhënë vendi i merituar, në qeli.

    Luani pra, lumturisht dhe lirisht, me besimin e patundur te Partia Mëmë, ju fëmijë, nëna dhe baballarë të Republikës sonë, krejt lirisht parqeve dhe klubeve!

    Droga u zhduk!

    Vrasjet nuk do ketë më, në vendin tonë të bekuar nga kjo qeverisje, sepse vrasësi serial, apo Nona, dhe organizatori djallëzor i të gjitha vrasjeve në Republikën tonë, u zbulua, u dreqos dhe u prangos, mbas një pune shëmbullturore të organeve kompetente, zbuluese, ndëshkuese, arrestuese dhe demoralizuese…

    Por, askush të mos harrojë, se organizatat kriminale, të cilat do të shkulen, një e nga një, (premtim solemn ky i Edi Ramës), e që nuk e duan të mirën e shqiptarëve, kanë rrënjë të thella dhe akoma capak përfaqsues, në mediat shqiptare.

    Ata maskarenj, do përfitojnë edhe ca, nga mbrojtja e Evropës, por dihet, se ashtu si të gjithë armiqtë e Shqipërisë sonë Socialiste, herët a vonë, do ti kenë ditët e numëruara.

    Organet kopetente, po punojnë për këtë qëllim!

    “Dhe mbas Çilëve, do dëgjoni shpejt, edhe emra të tjerë, që do të bien në rrjetën e ndershme dhe të paanshme, të Drejtësisë së Reformuar Shqiptare”, është dëgjuar të thuhet në dhomat e pushtetit suprem, të Partisë…