Blog

  • Thumana si shkretëtirë, banorët: Nuk jetohet si kafshë, më mirë të na vrasin

    Thumana si shkretëtirë, banorët: Nuk jetohet si kafshë, më mirë të na vrasin

    Kjo është panorama në Thumanë, dy muaj pas tërmetit. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar që prej 26 nëntorit të 2019. Rrugët janë plot inerte nga shembja e shtëpive, dhe pallateve, banorët që sheh janë shumë të paktë, ndërsa në shtylla janë ende lajmërimet për ceremonitë mortore të personave që tërmeti ju morri jetën.

    Ata pak banorë që kanë mbetur ndihen të braktisur.

    Nuk jetohet si kafshë në çadër më mirë të na vrasin. Gjithë kohën duke ngrirë së ftohti në çadër. Ndihemi si në shkretëtirë, kaq, kemi marrë fund”.

    Edhe këta banorë që po qëndrojnë renditin arsye të forta.

    “Kam gjënë e gjallë, s’mund të ikim, këtu vjedhin. Nuk jemi larguar, po rrimë në çadër”.

    Ndërsa kjo banore ndihet e tronditur dhe dëshmon se lëkundjet e tokës ndihen ende.

    “Nuk është stabilizuar as toka, po bien shpesh tërmete”.

    Problemet në këtë zonë të dëmtuar nga tërmeti, nuk kanë fund, ende nuk kanë përfunduar ekspertizat e banesave, bonusin nuk kanë marrë, ushqimet që ju dërgohen sa vijnë dhe janë më të pakta.

    “Këtë muaj njëherë, asgjë s’kanë bërë, asgjë nuk japin. Po rrimë rrugëve. Na kanë sjell ca mbeturina e i hodhën në kosh të plehrave, na kanë sjellë nga 1 kg vaj, sa për të mbyllur sytë e gojën dhe kaq. Fillimi qe i mbarë, na dhanë ndihma”.

    Kjo zonjë ka humbur çdo shpresë nga institucionet aq sa beson vetëm në mrekullitë qiellore.

    “Shpresa vdes e fundit por çfarë të them, zoti na dha fundin por ishallah na jep kreun tani”.

  • Fotografia e parë në absolut e qeverisë shqiptare

    Fotografia e parë në absolut e qeverisë shqiptare

    Kastriot DERVISHI

    Kabineti i Iljaz Vrionit që drejtoi vendin në periudhën 19 nëntor 1920-1 korrik 1921, veç të tjerash, ishte i pari që la një fotografi. Nuk njihen foto të tjera të mëparshme të qeverive. Kujtoj këtë foto në 100-vjetorin e nisjes së jetës politike të shtetit shqiptar në Tiranë.

    Nga e majta: Kristo Floqi (ministër i Arsimit), Selahundin Shkoza (ministër i Luftës), Iljaz Vrioni, Tef Curani (ministër i Financave), Xhaferr Ypi (ministër i Drejtësisë). Mungon në foto ministri i Punëve të Brendshme, Mehdi Frashëri, i dekretuar me vonesë pas dorëheqjes së Fuat Dibrës.

  • Enton PALUSHI – Çfarë fshihet pas kësaj histerisë me sistemin

    Para pak ditësh u nda nga jeta britaniku Roger Scruton, filozofi dhe mendimtari i shquar konservator. Kur vizitoi Shqipërinë këtu e katër vjet më parë, akademiku u shpreh i shqetësuar për lidhjet e qeverisjes me krimin. Zor se Scruton do i ketë ndjekur me vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Sëmundja e rëndë dhe sulmet nga e majta në vendin e tij, e kishin dobësuar shumë. Por nëse do i kishte ndjekur debatet e fundit që vijnë nga Shqipëria, do kishte kuptuar se disa ia kanë gjetur ‘ilaçin’ të këqijave që kanë kapluar vendin. Mjafton të ndryshohet sistemi zgjedhor.

    Pavarësisht se të gjithë bien dakord se nuk ka sistem zgjedhor perfekt, pavarësisht se politika thotë se është gati të diskutojë për të mirat dhe të këqija e çdo sistemi zgjedhor, sërish kjo fushatë histerike nuk u ngrit dhe po vazhdon pa disa qëllime.

    E para, ajo synon të tregojë se të gjithë palët janë njësoj, dhe se Edi Rama dhe Lulzim Basha vazhdojnë të jenë bashkë. Ky është qëllimi final i një qeverisje të keqe, të tregojë se të gjithë janë pis. Sepse kur të gjithë palët janë të ngjashme, fiton gjithmonë ai që ka pushtetin.

    E dyta, këtij synimi i shërbente edhe kontrabandimi në gazetën më të madhe gjermane, BILD, i një shkrimi me akuza për Partinë Demokratike. ‘U barazuan palët,’ ishte titulli që do preferonin të shihnin në çdo media shqiptare atë natë, deri në momentin kur gazeta e fshiu artikullin nga faqja, duke i nxjerrë bllof.

    E treta, përpjekja për të barazuar vjedhjen masive të zgjedhjeve, kapjen e shtetit, krijimin e të parit narko-shtet, shkrirjen e qeverisjes me krimin, bazohet edhe te shpresa se do funksionojë një fenomen i njohur në politikë. Sa më e keqe qeverisja, aq më e lartë steka e pritshmërive për opozitën.

    E katërta, e gjithë kjo histeri nuk u jep shpjegim disa paradokseve të prodhuar nga qeverisja e Edi Ramës. Fjala bie, nëse thuhet se sistemi kapet nga krimi kur duhet të fitohen garat, atëherë përse në votimet e 30 qershorit, kur nuk kishte garë, listat e kandidatëve të Ramës ishin të mbushura me njerëz të krimit?

    E pesta, duhet të jesh i painformuar kur flet për propozimet e sistemit dhe thekson se një kriminel nuk arrin të marrë vota përtej qarkut ku garon. A nuk e panë atë operacionin e ardhur nga gjermanët, ku u prangosën disa banda nga Shkodra, Lezha e deri në Shijak, Durrës e Fier, ku bëheshin bashkë shteti paralel, droga dhe manipulimi zgjedhor? Meqë shpresojnë se shqiptarët do zgjedhin të parët në listë njerëzit më të mirë, po ajo historia e atij që i detyroi të gjithë të largohen nga kreu i listës derisa të vinte radha e tij, e kanë dëgjuar?

    E gjashta, sërish nuk duhet të harrohet se edhe centralizimi duhet të shkojë krah për krah me përgjegjësinë. Po a nuk u bën përshtypje se sa më shumë e shton pushtetin Edi Rama, aq më pak përgjegjësi mban?

    E shtata, kjo puna e sistemit çon ujë në mullirin e Ramës. Që kur bëri të parën intervistë në mediat e huaja e vazhdimisht, u ka thënë të huajve dhe shqiptarëve se fajin e ka sistemi, se po të sjellësh edhe një gjerman këtu, ai do të korruptohet. Pra njerëzit nuk janë problem, por diçka abstrakte si sistemi po i mban peng. Madje, edhe njëri nga këto mbrojtësit e tezave për sistemin, e tha hapur në një intervistë televizive se nuk ka faj Edi Rama, sepse po të ishte edhe ai, do bënte të njëjtën gjë si Rama.

    Pra, ai që themeloi të parin narko-shtet në Europë, që doli në gazetën më të madhe europiane me përgjimet mafioze të manipulimit zgjedhor, që ia ka dalë të prishë zgjedhjet në atë pikë sa blerja e votave është bërë shqetësimi primar i ODIHR dhe ndërkombëtarëve, ai që ka shkrirë kufijtë mes shtetit dhe krimit, nuk paska faj, por diçka më e fuqishme po e mban peng të shkretin. Vërtet historia e lidhjes mes krimit dhe politikës është e vjetër sa e gjithë bota, po largimi i Ramës do ishte sikur të hiqje një tumor të madh nga trupi i drobitur i shtetit shqiptar.

    E teta, sigurisht që kjo histori nuk do ngjiste kaq shumë po të mos lakohej qëllimisht fjala ‘sistem’. Nëse fjala kyçe do ishte ‘kod zgjedhor’, ‘lista’, ‘numërim elektronik’ ose ‘votim i emigrantëve’, nuk do kishte kaq shumë interes nga njerëzit. Duke e përdorur kaq shumë fjalën sistem, synimi është që të ngatërrohen njerëzit dhe të besojnë se tani do ndryshojë jo sistemi zgjedhor, por sistemi politik. Kaq në modë është bërë kjo punë, sa para do kohësh edhe kryeministri Edi Rama e tha se shqiptarët duhet të ndjehen keq që nuk e kanë pasur në krye për 30 vite. Sikur të mos na mjaftojnë këto 22 vite në pushtet, ku e kemi parë t’i bien flokët, të thinjet, të plaket dhe të rrudhet çdo ditë në ekran.

    E nënta, që kur Samuel Huntington foli për fundin e historisë, ka një shqetësim në rritje se ndaj këtij sistemi nuk ka alternativë. Nuk është e rastësishme që të njëjtët njerëz që flasin për sistemin zgjedhor, kontrabandojnë edhe teza e teori që i shkojnë një sistemi që e kemi lënë pas para 30 vitesh. Sikundër është paradoksale kur e sheh që i turren sistemit dhe biznesit duke përdorur çdo ditë mediat dhe platformat e establishmentit.

    Ndaj nuk është rastësi kur t’i shihni ndonjë ditë edhe ata në ‘xhepin e vogël’ të Edi Ramës. Bash si këta hoxhallarët pas tërmetit. Edhe ata nuk e duan fare këtë sistem. Ama ‘shërbetin’ ia pijnë deri në fund…

  • Poli HOXHA – Në kërkim të rrugës që bëri vija e kokainës, deri te hunda e Allës së Ramës!

    Denoncohen me fakte e dokumente, bëhen lajme e meme, shndërrohen në brumë për kërleshjen politike e pastaj harrohen sepse del tjetri. E kështu po na bëhet normalitet që deputetë të përfshirë në organizata kriminale ‘dënohen’ me heqje të mandatit, por vazhdojnë të qetë `bizneset` e madje edhe rolin e shefit në parti dhe të shefit të kuadrit në zonën që mbulojnë, për hesap të Rilindjes.

    E njëjta gjë po ndodh me varganin e kryebashkiakëve të Ramës, të cilët po bien si poturet që iu këputet papritur llastiku, duke na treguar pisllëkun dhe sëmundjen reale në trupin e atij që i vesh.

    Por nëse do të funksiononin organet ligj-zbatuese njësoj, edhe për zyrtarët e lartë të përzgjedhur nga vetë Edi Rama, policia dhe prokuroria do të duhej që për të gjithë rastet të niste ‘kryesisht’ një hetim të gjerë. Bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të shtetit dhe në sitë iu kalon automatikisht jo vetëm ‘mëkati’ me të cilin kapen, por edhe veprimtaria e tyre në `biznes`, pasuria, lidhjet politike dhe veçanërisht rrethi me të cilin `shoqërohen` e bëjnë punë.

    Mohimi dhe politizimi i ‘preshit kriminal’ që iu kapet në dorë eksponentëve të Rilindjes në pushtet, tashmë është bërë bajat për opinionin publik. Historia përsëritet me justifikime politike, kurse organi i akuzës nxiton që të mbyllë kapakun e pusit nga del duhma e qelbur që i përplaset publikut herë nga opozita, e herë nga media.

    Edhe në skandalin e fundit, ndërkohë që opinion publik vazhdon që të jetë i shokuar nga pamjet që publikoi gazetari, Artan Hoxha, në të cilat shfaqet kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla duke përgatitur dhe më pas konsumuar lëndë narkotike të fortë të llojit kokainë, ka nisur një fushatë për të relativizuar këtë akt, i cili përveç anës morale dhe politike, ka brenda edhe elementë të fortë penalë, të cilët mund të çojnë deri në zbulimin e një organizate kriminale.

    SPAK njoftoi pas 24 orësh, se ka nisur një hetim për këtë çështje dhe ky është lajm i mirë. Sepse në mjaft media ‘të dërguarit’ e Rilindjes, gazetarë apo ‘opinionistë’, po përpiqen që ta nxjerrin edhe këtë rast si një ‘mëkat vetjak’, se ai ndodhka në gjithë botën nga zyrtarë të lartë e madje edhe kryeministra, se maksimumi i përgjegjësisë është morale, etj, etj.

    Kurse për sa i përket `gjyqit politik`, sipas të gjitha gjasave, në fund fare ‘babloku’ do ta lëshojë edhe këtë duke u distancuar nga `individi`, kurse karvani do të ecë përpara, sa do që të ‘lehim’ ne. Do bjerë Alla si kryebashkiak, por jo `organizata` e tij nëse SPAK nuk vërteton se ajo nuk ekziston. Mbrëmë në ‘Opinion’ thashë se me shumë mundësi do të kemi një hetim, por vetëm për `montazhin` e videos së publikuar nga gazetari Hoxha. Nëse fokusi i SPAK ngelet me kaq, apo vetëm te akti i përdorimit të lëndëve narkotike në publik nga një zyrtar i lartë shtetëror, atëherë asgjë nuk ka ndryshuar.

    Tregojmë me gisht gërvishtjen, por mbulojmë plagën malinje që fshihet thellë në trup. Kështu ka ndodhur me të gjithë, nëse kthjelloheni dhe shihni se ku janë e me çfarë po merren sot e gjithë ditën, ish-deputetët e Ramës të kapur nga ligji i dekriminalizmit.

    Po mbrëmë në emisionin ‘Opinion’, kryetari i degës së PD-së në Bulqizë nëpërmjet një mesazhi për Blendi Fevziun konfirmoi vërtetësinë e pamjeve, por shtoi se ka edhe `të tjera` që i di e gjithë Bulqiza. Ai saktësoi edhe se djali i Lefter Allës nuk është kapur nga policia e Tiranës me hashash për përdorim personal siç po manipulohet, por me 5 gramë kokainë.

    Çfarë janë këto ‘të tjerat’ që i di gjithë Bulqiza duhet të hetojë SPAK pas kësaj indicie të fortë, që jep video në fjalë. Asgjë nuk është rastësi dhe e shkëputur.

    Por le t’i mëshojmë rastit konkret, për të ndihmuar edhe zotërinjtë e SPAK që të mos lejojnë më që në Shqipëri të `tejkalohet` e vërteta me një `hetim për rastin`, i cili katandiset maksimumi në një gjyq publik në rrjet, apo edhe me një flakje distancuese prej prapanicës së vet, siç bënë rëndom kryeministri.

    Nëse Edi Rama ka debulesë dhe kompleks për përdoruesit e kokainës dhe ende nuk po reagon me një shkarkim apo pezullim nga detyra të Allës, (të paktën deri në sqarimin e plotë të rrethanave), SPAK duhet që këtë hetim të na e kthejë në një shembull, për të kuptuar se ky institucion ku i kanë sytë e shpresat gjithë shqiptarët, do ti çojë gjërat deri në fund dhe përtej atyre që na sheh syri në TV.

    Sepse në rastin më të mirë kemi të bëjmë me një zyrtar të lartë të shtetit, ‘krye-qytetarin’ që merr vendime të rëndësishme për Bulqizën, i cili konsumon drogë në ambient publik, kurse përtej kësaj kemi indicie të forta për një grup trafikantësh dhe shpërndarësish të kokainës.

    Ajo kokainë që kryebashkiaku Lefter Alla e nxjerr nga qesja, e shtron në pjatë, e përgatit e më pas e konsumon, ka dalë nga një qese më e madhe. Ajo gjithashtu është shkëputur, nga një ngarkesë më e madhe droge. Për të mbërritur te pjata e Allës ka kaluar në një zinxhir kriminal, i cili ndoshta nuk mund të zbulohet që në fillesë (vendet e Amerikave), por këtu brenda Shqipërisë, apo të paktën në Bulqizë është e mundur, nëse ka vullnet për zbatimin e ligjit.

    Një zyrtar i lartë i shtetit është i detyruar me ligj që të tregojë, se cila është hallka më afër tij që i serviri kokainën dhe kështu në vazhdim bëhet zbërthimi dhe hetimi. Si individ ai mban barrën morale, kurse si kryetar bashkie i ka të dyja duke përfshirë edhe atë penale.

    Kryebashkiakun e Ramës, nuk e shpëtojnë dot alibitë mohuese. As ata që i mëshojnë ‘përdorimit vetjak’, as politizimi i kokaninës e cila nuk ka as ngjyrë rozë e as blu. Aq më pak lajmësit që i dërgojnë Artan Hoxhës, e kolegëve të tjerë.

    Pas një konsultimi të shpejtë me Kodin Penal nëse thellohet hetimi, atë e kapin të paktën 10 nene, të cilat parashikojnë dënime të forta, nga gjoba deri në burg të rëndë, edhe si zyrtar, edhe si individ.

    Duke mohuar ngjarjen, faktin e asaj që duket në video, Lefter Alla direkt kapet nga nenet 300 dhe 301 të Kodit Penal, të cilët parashikojnë penalizimet për moskallëzim krimi.

    ‘Moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet’, thuhet në nenin 300.

    Nëse video është e vërtetë siç thotë autori i publikimit që e verifikoi për 4 muaj dhe si e konfirmon e gjithë Bulqiza, atëherë Alla me qëndrimet e deritanishme është duke konsumuar hapur krimin e moskallëzimit.

    Kurse neni 301 e fundos edhe më shumë, nëse kryebashkiaku i Bulqizës vazhdon e këmbëngul në mosekzistencën e faktit që paraqitet në videon skandaloze; duke tentuar të shantazhojë e blejë njerëz që janë në dijeni të faktit; duke ndryshuar arredimin dhe rikonfiguruar ambientin që duket në pamjet e publikuara, veçanërisht duke marrë masat për zhdukjen e videos nga serverat që monitoronin lokalin me kamera, siç edhe janë të dhënat.

    ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet’, shkruhet tekstualisht në Nenin 301 të Kodit Penal.

  • Si po rrëzohen njëri pas tjetrit kryebashkiakët e Ramës

    Si po rrëzohen njëri pas tjetrit kryebashkiakët e Ramës

    Në shtatë muajt e parë, që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, 6 kryetarë bashkish të PS-së janë denoncuar nga opozita se janë subjekt të ligjit të dekriminalizimit dhe ndodhen në kushtet e ndalimit të mbajtjes së një funksioni publik. 6 kryebashkiaket e PS

    I pari që “ngeci” në filtrin e Partisë Demokratike ishte Valdrin Pjetri në Bashkinë e Shkodrës. Pjetri u akuzua nga selia blu se nuk kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit një dënim në shtetin italian, që e kishte marrë gjatë kohës që ishte student.

    Në fillim, Pjetri u mundua ta mohonte akuzën, por më pas dha dorëheqjen dhe nuk arriti që të betohej para Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Kryebashkiaku i dytë që u denoncua ishte Agim Kajmaku, në Vorë. Ky i fundit kishte fshehur një vendim të formës së prerë të një Gjykate greke.

    Kajmaku ishte dënuar në Itali për prodhim dhe shpërndarje të kartëmonedhave false. Edhe Kajmaku nuk e kishte raportuar në formularin e vetëdeklarimit dënimin që kishte marrë mbi 10 vite më parë. Por, pas hetimit të Prokurorisë, Kajmakut iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Ndërkohë, aktualisht Kajmaku është në kërkim nga Policia, pasi akuzohet për falsifikim të vulave. Selia Blu ndërkohë ka denoncuar edhe kryebashkiakun e Malësisë së Madhe, Mark Babanin, atë të Matit Agron Malajn, dhe kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailajn. Ndërkohë, i fundit ishte ditën e djeshme ku pretendohet se në një video shfaqet drejtuesi i Bulqizës, Lefter Alla, teksa merrte kokainë.

    Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi pak ditë më parë se po filtrohen dhe ka dyshime se janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të një funksioni publik të paktën edhe 10 kryetarë bashkish të tjerë të Partisë Socialiste. Kujtojmë që në zgjedhjet e 30 qershorit, në më shumë se gjysmën e bashkive të vendit, kandidatët e Partisë Socialiste nuk kishin asnjë rivalë përballë, pasi Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk morën pjesë në zgjedhje.

    Në këto kushte, opozita, e cila që prej shkurtit të vitit të kaluar dogji edhe mandatet e deputetëve, nuk i njeh kryebashkiakët aktualë të PS-së, ndaj ata kërkojnë zgjedhje të parakohshme të përgjithshme dhe lokale në të njëjtën ditë.

    Sakaq, tani nuk dihet se cili do të jetë fati i 4 kryebashkiakëve, të cilët janë denoncuar publikisht dhe të paktën tre prej tyre janë nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme.

    6 KRYEBASHKIAKËT

    • Valdrin Pjetri Bashkia Shkodër
    • Mark Babani Bashkia Malësi e Madhe
    • Agron Malaj Bashkia Mat
    • Lefter Alla Bashkia Bulqizë
    • Agim Kajmaku Bashkia Vorë
    • Qerim Ismailaj Bashkia Mallakastër
  • Vetëm diktatorët denoncohen kështu/ Dy ‘shuplakat’ e KiE për Ramën

    Vetëm diktatorët denoncohen kështu/ Dy ‘shuplakat’ e KiE për Ramën

    Në ditën kur Indeksi i Demokracisë i ‘The Economist’ tregonte se Shqipëria ka pësuar rënie të ndjeshme që kur Edi Rama mori pushtetin, një lajm kishte kaluar pa rënë në sy.

    Teksa Shqipëria vazhdonte të etiketohej si regjim hibrid, një fjalë e gjetur sa për të mos thënë diktaturë apo autokraci, Këshilli i Europës po i drejtohej Komisionit të Venecias për dy nisma ligjore të Edi Ramës kundër lirisë së medias.

    Ishte një lëvizje e paprecedent, kur vetë Këshilli i Europës, aq më tepër Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare, i kërkonte një trupe që është pjesë e KiE, të shqyrtojë nismat, të cilat qeveria i mbron me zell diktatorial, duke habitur botën perëndimore.

    Kjo goditje mund të duket e paralajmëruar sepse Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç ishte treguar shumë kritike ndaj Edi Ramës për paketën antishpifje. Madje SHBA dhe BE kishin kërkuar që qeveria të merrej me Këshillin e Europës. Por në vend të kësaj, Rama shpiku një moment, duke përdorur një përgjegjës të lirisë së medias në OSBE dhe mori prej tij një gjysmë-miratim për nismën e censurës. Më vonë edhe vetë OSBE e kuptoi skandalin dhe reagoi duke kërkuar rishqyrtim të paketës antishpifje.

    Por Këshilli i Europës nuk mund të ndalej me kaq. Ata e dërguan Ramën vetë në Komisionin e Venecias, duke e bërë shembull të denjë për autokratët.

    Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Këshilli i Europës e denoncon kaq hapur Ramën, si njeri me tendenca diktatoriale. Sa për informacion, Këshilli i Europës është organizata lider në kontinentin tonë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

    Në qershor të vitit të shkuar, kur Edi Rama po e çonte vendin symbyllaz drejt greminës me votimet njëpartiake, Këshilli i Europës vendosi të tërheqë vëzhguesit. Drejtuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës thanë se nuk do dërgojnë delegacion vëzhgues në Shqipëri.

    Goditja e fortë merrte kuptim pasi vlerësimi politik i zgjedhjeve lokale bëhet pikërisht prej tyre. Në vend ngeli misioni i ODIHR, që bëri vlerësimin e zgjedhjeve, duke i quajtur në çdo pikë skandaloze.

  • Trondit Haradinaj: Ja çfarë ka bërë Edi Rama

    Trondit Haradinaj: Ja çfarë ka bërë Edi Rama

    Edi Rama është ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë në Open, foli për raportin e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

    Haradinaj përmendi edhe padinë e bërë ndaj tij nga kryeministri Rama, duke thënë se ky i fundit ka lobuar për ndarjen e Kosovës.

    “U kërkoj falje popullit shqiptar. Padia e Ramës është një akt i turpshëm. Ai ka qenë ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës”, tha Haradinaj.

    Po ju insitoni që ai ka qenë pro ndarjes sepse Rama nuk ka një qëndrim konkret- e pyeti Eni Vasili.

    “Po ai ka qenë pro ndarjes. E ka thënë qartë në një emision që pro ndarjes ka qenë edhe presidenti Rugova. Ai ka lobuar në media, dhe me aktorë të tjerë në biseda me të huaj. Madje këtë bisedë e ka bërë edhe në tavolina ku unë kam qenë prezent”, u shpreh Haradinaj.

    Kryeministri në detyrë, Haradinaj shtoi se Rama me pafytyrësi bëri padi ndaj tij.

    “Nuk e di pse bën këtë tallje dhe hajgare ndaj meje. Unë kam vuajtur, familja ime ka vuajtur për të mbrojtur kombin. Ndërsa kryeministri me marre dhe pafytyrësi bëri padinë i cili është akt i turpshëm”, tha Haradinaj.

  • Dasma super vip në Sankt Moritz e Dasha Zhukova dhe Stavros Niarchos: fotot

    Dasma super vip në Sankt Moritz e Dasha Zhukova dhe Stavros Niarchos: fotot

    Ish gruaja e Roman Abramoviçit dhe miliarderi grek i thanë njëri-tjetrit “PO” në mes të dëborës, në Shën Moritz, para treqind të ftuarve, shumë prej të cilëve aktorë, stilistë, supermodele, deri edhe pjestarë të familjeve të mëdha evropiane si Beatrice e Yorkut apo Charlotte Casiraghi

    Martesa e parë, ajo legale, ishte një ceremoni intime në tetor të vitit të kaluar në Paris, vetëm me familen të pranishme. Por tani Dasha Zhukova, 38 vjeçe, ish-gruaja e Roman Abramoviçit, dhe miliarderi grek Stavros Niarchos, 34 vjeç, trashëgimtar i dinastisë së famshme të tregtarëve të anijeve, për të replikuar “PO”-në i bënë gjërat në stil të gjerë, duke zgjedhur Shën Moritzin si vendin e dasmës përrallore që do të kushtojë, përflitet, rreth 6 milionë euro. Me një fustan Valentino të krijuar enkas për të, në mbrëmjen e së premtes, 17 janar 2020, Dasha u shtrëngua edhe një herë krah Niarchos mes dëborës në një vend të përgatitur pranë Olympaschanze, para treqind të ftuarve.

    Duke hequr nga “tregu” një prej beqarëve më të lakmuar të Evropës. I njohur nëpër kronikat rozë për marrëdhëniet e tij romantike me gra të famshme në Hollywood si Paris Hilton, Lindsay Lohan, Mary-Kate Olsen dhe Jessica Hart.

    Stavros dhe Dasha, e lindur në Moskë dhe rritur në Kaliforni, sot e konsideruar si një carinë e artit falë angazhimit të saj nëpër galeri dhe fondacione, njihen prej të paktën një dekade por miqësia e tyre është shndërruar në diçka më shumë vetëm në fund të vitit 2017. Stavros në atë kohë ishte i freskët nga ndarja me supermodelen Xhesika Hart, partnerja e tij për më shumë se 7 vjet. Zhukova, pas dhjetë vjet martese, ishte në prag divorci me Abramoviçin, me të cilin kishte dy fëmijë (Leah Lou dhe Aaron Alexander) që ajo ka mbajtur gjithmonë marrëdhënie të mira. Dhe as tre vjet pas ndarjes, ja dhe dasma e re, e cilat ka sjellë në Shën Moritz një njerëzish të famshëm: nga Orlando Bloom te Karlie Kloss, nga Stella McCartney te Kate Hudson, nga Charlotte Casiraghi tek Princesha Beatrice e York-ut, e ardhur nga Londra me bashkëshortin e saj të ardhshëm Edoardo Mapelli Mozzi. Ishte edhe Lapo Elkann, ende duke marrë veten nga aksidenti që gati i kushtoi jetën në Izrael, javë më parë.

    Bashkëshortët e rinj dhe dhe të ftuarit, para ceremonisë, u përzien me njerëzit e zakonshëm në rrugët e Shën Moritzit dhe nëpër pistat e skive, siç bëri Beatrice e Yorkut dhe burri i saj i ardhshëm, që morën me qira pajisje skijimi. Të gjithë të ftuarit ishin mysafirë të Hotel Kulm, në pronësi të të sapomartuarit ku u zhvilluan festa për gjatë gjithë fundjavës.

  • Harry dhe Meghan: jetë e re, miq të vjetër (në Hollywood)

    Harry dhe Meghan: jetë e re, miq të vjetër (në Hollywood)

    Sipas Mirror, ish-aktorja amerikane – gjatë kohës së saj në oborr – i ka mbajtur të fshehta marrëdhëniet me disa personazhe të rëndësishëm në Los Angeles: avokatë, menaxherë dhe agjentë. Tani, bashkë me të shoqin, i ka kontaktuar për të gjetur rrugën për të gjetur rrugën drejt pavarësisë ekonomike

    Më thuaj me kë shkon dhe do të të them se kush je. Harry i Anglisë dhe Meghan Markle po përfundojnë transferimin e tyre në Kanada, një veprim ky që nënkupton një revolucion jete. Si në nivel profesional, duke pasur parasysh që Sussex-ët janë tërhequr nga qenia si “anëtarë aktivë” të familjes mbretërore, si në çështjen e miqësive. Gjatë qëndrimit në Amerikën e Veriut, cilët njerëz frekuentojnë princin dhe ish-aktoren? Me kë do të dalin për darkë?

    “Një grup elitar nga Hollivudi me të cilin Meghan ka ruajtur fshehurazi marrëdhëniet”, është përgjigjja e dhënë nga Mirror. Sipas kësaj Dukesha – gjatë periudhës së saj në oborr – ka vazhduar të mbajë lidhje me disa figura të shquara në Los Angeles, qyteti ku lindi, u rrit dhe hodhi hapat e saj të parë në spektakël. Agjentët, menaxherët, avokatët: më shumë sesa miq, janë figura që mund ta ndihmojnë çiftin sot.

    “Harry dhe Meghan i kanë filluar bisedimet tashmë me disa prej këtyre njerëzve”, shkruan Mirror, “në shpresën për të marrë këshilla të rëndësishme për mbylljen e marrëveshjeve multimilionere”. Media madje nxjerr edhe disa emra: agjenti Nick Collins i Gersh Agency (që mes klientëve të tij mund të mburret me Tobey Maguire dhe Jamie Foxx), Andrew Meyer, business manageri aktual i Meghanit në Beverly Hills, dhe juristi Rick Genow, avokat i njohur në Hollivudit.

    Ndër të tjera, të tre profesionistët kanë qenë llogaritur prej kohësh pranë Meghanit, që shtatorin e kaluar: “Dukesha po mendon të heqë axhendën e saj nga duart e stafit të oborrit dhe të ndihmohet nga një pool njerëzish të besuar”, thekson DailyMail. Ide që pa dyshim nuk tërhiqte konsensuse dhe buzëqeshje brenda royal family: atëkohë neëset e gossipeve ishin që ish-aktorja po “negocionte botimin e një libri për fëmijë”.

    Tani nevojat janë të ndryshme, përparësia e Sussex-ëve është e qartë: të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur pavarësia ekonomike.

  • Wanda Nara, këshillat e mamit të pesë fëmijëve: “Ja si i zgjidh sherret”

    Wanda Nara, këshillat e mamit të pesë fëmijëve: “Ja si i zgjidh sherret”

    Showgirl argjentinase, tani komentuese e GF Vip-Italy, ka rrëfyer një anekdote për jetën e saj private: «Nëse fëmijët e mi grinden, i vë të bëjnë gjithçka bashkë, përfshi edhe dushin. Kështu, ose të ‘vrasin’ njëri-tjetrin ose lidhin një miqësi e përjetshme”

    Wanda Nara, e lindur 32 vjet më parë në Buenos Aires, është një shoëgirl, mbretëreshë e rrjeteve sociale, një agjente futbolli me liçensë të rregullt, nënë e pesë fëmijëve (Constantino, Valentino dhe Benedicto që Wanda i ka nga marrëdhënia e mëparshme me futbollistin Maxi Lopez, dhe më të voglat Francesca dhe Isabella), dhe gruaja e Mauro Icardit. Për të cituar ‘torturën e’e ditëve të fundit, ajo nuk është mësuar të jetë “një hap pas”. Në botën e futbollit, në fakt, thuhet se kushdo që merr futbollistin, duhet të llogarisë një paketë “gjithëpërfshirëse”.

    Dhe tani që burri i saj është hua tek Paris Saint-Germain, ajo thuajse çdo ditë gjendet nëpër rrugët mes Parisit, Milanos dhe Romës. Në fakt, bën edhe opinionisten në edicionin e fundit të Big Brother Vip-Italy. Dhe atje në transmetim, mes një historie dhe një tjetëre nga konkurrentët e reality, Wanda nxjerr veten dhe rrëfen anekdota nga jeta e saj private. “Pilula” e fundit është këshilla si mama. Menaxhimi i pesë fëmijëve, shpjegon ajo, nuk është i lehtë dhe ajo ka truket e saj. Që mund të jenë të dobishme për ata që i duan.

    «Zonja jonë e futbollit» mendon se e di mirë se si ta zgjidhë konfliktin pa fund midis dy konkurrenteve antagoniste të BB VIP-Italy, Antonella Elia dhe Fernanda Lessa, të cilat duket se nuk duan të akordohen në asnjë pikë me njëra-tjetrën: “Sipas meje ata duhen vënë së bashku, vetëm, për 24 orë”, thotë ajo në transmetimin drejtpërdrejt. “Unë e bëj këtë me fëmijët e mi. Nëse grinden, i vë të bëjnë gjithçka bashkë, përfshirë dushin. Kështu, ose të ‘vrasin’ njëri-tjetrin ose lidhin një miqësi e përjetshme”. Në studio duartrokasin, në rrjetet sociale ajo hyn në trend topic, edhe për veshjen.

    Wanda – e rritur si showgirl në TV argjentinase, derisa u transferua në Itali dhe në torturën gossip të vitit 2013, viti i ndarjes së saj nga futbollisti Maxi Lopez, me të cilin ka tre fëmijët e saj të parë, për t’u fejuar me Mauro Icardin, ish-shok i skuadrës dhe Kombëtares së burrit të saj të parë – nuk duket se ka ndërmend të ndryshojë përzierjen e tij fituese. Në Instagram ajo ka mbi 6 milion ndjekës, duke përzier me mençuri qenien një nënë shumë e pranishme me foto mjaft të guximshme.

    “Të gjithë kujtojnë se unë jam me Mauron për paratë e tij, por unë isha tashmë e pasur dhe e famshme kur u takuam njëri-tjetrin”, ka dashur të theksonte së fundi, “Dhe isha sepse kam luftuar për t’u bërë. Kur ai u nis për në Paris ishte e enjte, e kaluam fundjavën së bashku, më pas të hënën u zgjova në Milano dhe pashë së isha e vetme me pesë fëmijë. Nuk ishte e lehtë”.