Blog

  • A do të shndërrohen në shkretëtirë Pyjet e shiut të Amazonës?

    A do të shndërrohen në shkretëtirë Pyjet e shiut të Amazonës?

    Në gusht zjarret filluan të kafshojnë Pyjet e shiut të Amazonës dhe, ndërsa gjithnjë e më shumë bimësi tropikale shkatërrohet, lind një pyetje: a do të shndërrohet ekosistemi amazonian në një hapësirë shterpë pa jetë?

    Në gusht lajmet për zjarre në Pyjet e shiut Amazonike u përhapën në të gjithë botën: zonave të mëdha iu vu zjarri për t’i hapur rrugë kultivimit të mekanizuar. Shifrat e dhëna bëjnë që t’u ngrihen qimet e flokëve përpjetë të gjithë atyre që kanë në zemër fatin e Planetit: gjatë tetë muajt e parë të 2019-ës, në Brazil ka patur 50 mijë zjarre, 84 përqind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

    Nëse do të vazhdonin me këtë ritëm, i gjithë ekosistemi i pyjeve të shiut do të rrezikohej. Pylli Amazonik nuk është në gjendje të menaxhojë një situatë të tillë. Në dallim nga ekosistemet e tjera si p.sh. savana afrikane, ku zjarret janë të shpeshta, një pyll shiu është thjesht shumë i lagësht për të mundë të marrë zjarr në një mënyrë natyrale: zjarret në këto vende mund të ndizen vetëm nga dora e njeriut.

    Sidoqoftë, jo të gjitha zjarret në Amazon janë të paligjshëm: në disa shtete, pronarët e tokave mund të kërkojnë leje për të pastruar deri në 20 përqind të pronës së tyre për të bërë rrugë për të lashtat, ndërtimet ose minierat. Në këtë rast, prirën një numër pemësh dhe lihen të thahen në diell derisa, pas disa javësh, ato të thahen mjaftueshëm për t’u djegur. Por megjithëse këtë vit disa shtete në Brazil – përfshirë edhe atë të Amazonas – e kanë bërë të paligjshëm këtë metodë të shpyllëzimit, zjarret nuk janë ndalur.

    STUHI NË SHKRETËTIRË

    Në kohën e shkrimit të kësaj analize, Instituti Kombëtar Brazilian për Kërkime në Hapësirë (INPE) kishte regjistruar 197.386 zjarre në Amerikën e Jugut që nga fillimi i 2019-ës, gjysma e të cilave në Pyllin e Amazonës. Esquivel-Muelbert, një ekolog nga Universiteti i Birmingham i cili studion efektet e ndryshimit të klimës në pyje, veçanërisht në Brazil, vendin e tij të origjinës, thotë se zjarri është përdorur për të nivelizuar plotësisht tokën, duke e zvogëluar atë në një hapësirë boshe ku mund të përdoren me lehtësi makineritë e mëdha bujqësore: “Pylli kërkon disa vjet për tu rikuperuar nga thatësira, edhe pse pemët e reja që zëvendësojnë ato të prera janë ndonjëherë të llojeve të ndryshme me ato të mëparshme. Por, aty ku shkon zjarri, shkatërrimi është total”.

    Është një rreth vicioz: sa më shumë pemë shuhen, aq atmosfera rreth e qark bëhet më e ngrohtë dhe më e thatë. “Për momentin, pylli i shiut formon një lloj tende të dendur bimësie,” vazhdon ekologu, “e cili mbron pemët dhe i mban ato nën hije. Kur një pjesë e saj shkatërrohet, hapësira e zbrazët zgjerohet dhe mund të hyjë shumë më shumë drita e diellit, e cila në tropik është shumë e nxehtë”.

    Sa më shumë që cikli përsëritet, aq më shumë pylli në shtetin e Amazonas rrezikon të zhduket. Sipas disave, tashmë jemi gjithnjë e më shumë afër “pikës së moskthimit” përtej së cilës pylli do të shndërrohet në mënyrë të pashmangshme në një hapësirë të thatë, një proces që mediat e kanë quajtur “shkretëtirizim”. “Në të vërtetë do të duhej të flasim për savanifikim,” siguron Esquivel-Muelbert. “Nëse shpyllëzimi do të rritet më tej, klima e pyjeve të shiut mund të modifikohet, duke u bërë më pak e favorshme për speciet vegjetale të tropikut dhe më shumë për ato tipike të savanës. Përtej pikës së moskthimit, vetë Amazonia do të shndërrohej në një savanë”.

    Nëse kjo do të ndodhte, nuk do të ishte thjesht një humbje tragjike për sa i përket biodiversitetit të kafshëve dhe bimëve: fakti është që një savanaë e shpërndan karbonin në mënyrë shumë më pak efektive sesa një pyll shiu. Pika e moskthimit për të cilën kemi folur është vetëm një hipotezë, saktëson Esquivel-Muelbert, por kërkimet japin sinjale gjithnjë e më pak inkurajuese:

    “Jemi duke përjetuar një ndryshim në speciet e pranishme. Thatësira rrit vdekshmërinë midis bimëve që preferojnë kushtet tipike të një pylli shiu, duke favorizuar ato më rezistente ndaj mungesës së ujit, më të përshtatshme për klimën e re”.

    Pra, sa mbetet ende për të arritut në këtë “pikë pa kthim”? Fatkeqësisht, është një fakt shkencor që është e vështirë të parashikohet. “Do të varet nga sa mirë do të mund ta mbrojmë pyllin”, vazhdon ekologu. “Është e nevojshme të veprohet menjëherë për të parandaluar shkallët e larta të vdekshmërisë së reshjeve dhe të ndryshohet trajektorja aktuale e ngjarjeve”.

    Gjendja e pyllit të shiut është me interes për të gjithë botën, shpjegon Shanan Peter, gjeoshkencëtar i Universitetit të Iscustin-Madison, jo vetëm për oksigjenin që prodhon, por edhe për dioksidin e karbonit që thith: “Përcaktimi i Amazonës si ‘mushkëria e Planetit’ është të paktën pjesërisht mashtruese, sepse në fakt ne mund ta digjnim të gjithë barin dhe bimët e Tokës dhe të mos e mbarojmë oksigjenin edhe për shumë gjenerata njerëzore akoma. Por shkatërruese për ne do të ishte rritja e menjëhershme e dioksidit të karbonit. Historia e asaj që po ndodh tani në Amazonas, nga këndvështrimi im, shihet në mënyrë të përsosur nga ndikimi në dioksidin e karbonit në atmosferë. Zjarret në pyjet e shiut vetëm sa e përkeqësojnë krizën e klimës”.

    “Më duket e qartë se zjarret e këtij viti kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me retorikën presidenciale,” konkludon Esquivel-Muelbert duke iu referuar politikave mjedisore të presidentit brazilian Jair Bolsonaro, i cili është akuzuar se nuk e mbron pyllin.

    “Megjithatë, në një farë mënyre jemi të gjithë përgjegjës. Edhe ajo që ne bëjmë në Evropë ka ndikim në atë që po ndodh në Amazonë: për ta kuptuar, mjafton të merret parasysh fakti që ajo që ne konsumojmë vjen shpesh nga fermat amazonike… I gjithë komuniteti global duhet të kuptojë se duke ndihmuar në ruajtjen e asaj që mbetet nga pyjet e shiut është detyrë e të gjithëve ”.

  • Shegë për humbjen e shpejtë të peshës dhe… lamtumirë prostata: pro dhe kundër

    Shegë për humbjen e shpejtë të peshës dhe… lamtumirë prostata: pro dhe kundër

    A është shega e mirë për ju? Ky frut është në gjendje të ndihmojë trupin të qëndrojë i shëndetshëm në shumë situata, por ka edhe kundërindikacione

    Shega ka një fuqi të fortë antioksiduese falë përqendrimit të lartë të vitaminave A, B, C dhe fenoleve. Kjo karakteristikë pra e bën atë një mjet të shkëlqyeshëm për të luftuar radikalet e lira, të konsideruara si shkaku i parë i plakjes së indeve.

    Shegë bën mirë: forcon sistemin imunitar dhe e largon kancerin nga prostata dhe gjiri

    Megjithatë, forca e vërtetë e shegës qëndron në përqendrimin e madh të acidit punik. Kjo substancë besohet të jetë veçanërisht e efektshme për parandalimin e kancerit të prostatës dhe në zvogëlimin e rrezikut të kancerit të gjirit.

    Shega ndihmon gjithashtu për t’iu kundërvënë efekteve të gripit, ajo forcon sistemin imunitar dhe mbron zemrën nga iktusi dhe infarkti pasi kjo duke bërë më të vështirë formimin e pllakës arteriosklerotike dhe trashjen e arterieve. Shega është edhe një ilaç për zvogëlimin e efekteve të menopauzës, siç shpërthimet e papritura të nxehtësisë, dhe ndihmon trupin të menaxhojë më mirë stresin. Ngrënia e sasisë së duhur të shegës ju ndihmon të flini gjumë.

    A ju bën shega të humbni peshë shpejt? Ka pak kalori por me fuqinë për të ulur oreksin

    Po shega është edhe një frut ideal për të humbur shpejt në peshë. Fruti përmban vetëm 70 Kcal për 100 g produkt dhe ka një forcë të fortë ngopëse dhe diuretike. Ndaj shega ndihmon në eliminimin e toksinave nga trupi dhe zvogëlimin e ndjenjës së oreksit.

    Shega, përfitime dhe kundërindikacione: kundër frutit të mrekullueshëm

    Shegë nuk është e përshtatshme për ata që vuajnë nga refluksi i ezofagut. Gjithashtu, ata që ndjekin një dietë farmakologjike me antikoagulantë dhe marrin sasi të tepërt të frutit, mund të pësojnë përgjumje, marramendje, dhimbje koke dhe gulçim.

  • Më shumë se 70% e grave kërcënohen në internet, por nuk merren seriozisht

    Më shumë se 70% e grave kërcënohen në internet, por nuk merren seriozisht

    Të lindësh femër nuk është e lehtë, madje edhe në internet, ku kërcënimet janë gjithnjë e më të shpeshta. Urrejtja për vajzat “popullore” zakonisht manifestohet dhe shtrihet për të gjitha ato gra që kanë shikueshmëri. Gazetaret, influenceret, të famshmet, por edhe ato përdoruese që kanë një jetë normale dhe thjesht shprehin mendimet e tyre për ndonjë temë çfarëdo.

    Media sociale, një burim kërcënimi

    Sipas International Center for Research on Woman 73% e femrave në të gjithë botën kanë vuajtur dhunë të lehtësuar nga teknologjia, duke përfshirë bullizmin, gjuhën e urrejtjes, stalking dhe ngacmimin seksual. Mediat sociale janë burimi kryesor i fyerjeve dhe dhunës verbale. Thjesht mendoni se Twitter ka pothuajse 40,000 tweet negative ndaj femrave.

    Gratë e kërcënuara janë gjithnjë e më të shumta

    Janë vërtetë të shumta femrat që në internet kanë marrë kërcënime për përdhunim dhe vdekje, por ajo për të cilën flitet shpesh është të mos ndash informacione personale apo foto seksi dhe provokuese. Ekziston kjo tendencë, madje edhe në media, për t’u përqëndruar në sjelljen e femrës më shumë sesa në përgjegjësitë e agresorëve.

    Gratë që shihen si armike

    Kjo lloj dhune dhe sulmesh, që gjithnjë e më shumë shfaqen në internet ose biseda sekrete nëpër aplikacione si Telegram, lindin jo si rezultat i një konfrontimi verbal, por më shumë si hakmarrje personale, pasi gruaja në fjalë shihet si armike apo një valvul e thjeshtë e dufi.

    Gazetaret, shënjestra e preferuar

    Gazetaret janë objektivi i preferuar, veçanërisht ata që merren me feminizmin; të paktën dy të tretat prej tyre kanë marrë kërcënime verbale dhe në shumicën e rasteve sulmet vijnë pikërisht nga lexuesit. Edhe gazetarja e famshme feministe britanike Laurie Penny ka marrë vazhdimisht kërcënime dhe kërcënime për të hedhur në erë shtëpinë e saj.

    Mos u përgjigjni provokimeve

    Një mënyrë për të zgjidhur problemin do të ishte të mos iu përgjigjeni provokimeve, të diskutosh me ata që nuk kanë qëllim tjetër në jetë, veçse të të fyejnë, nuk të çon askund. Edhe pse, duke mos iu përgjigjur këtyre lloj sulmesh dhe provokimesh, shton ndjenjën që për një femër është e preferueshme të mos e ekspozojë veten.

    Uebi nuk është një vend i sigurt

    Të gjitha këto situata kanë çuar në përhapjen e idesë se uebi është një vend i rrezikshëm për femrat, duke fajësuar kështu internetin, teknologjinë dhe botën 2.0 nëse ato poshtërohen dhe kërcënohen. Por, kjo mënyrë e të menduarit vetëm sa ushqen gjithë këtë urrejtje ndaj femave.

    Janë njerëzit ata që i urrejnë femrat

    Nuk ka pse të ndaloni së postuari dhe shprehuri idetë tuaja nga frika se mos thoni diçka të gabuar apo se mos rrezikoni. Janë njerëzit që ushqejnë urrejtjen, jo internetin. Ky i fundit vetëm ju lejon ta shprehni më shpejt dhe pa u ndëshkuar.

  • Mos e ndrysho kurrë karakterin, ai është fati yt

    Mos e ndrysho kurrë karakterin, ai është fati yt

    Laura DANI – Karakteri është ai që e bën unik një individ, kështu ka shkruar Schopenhauer, dhe është diçka që askush nuk mund të heqë ose ta modifikojë, pasi do të shtrembëronte “Un-in” tonë, personin që është brenda gjithësecilit.

    Korrigjo sjelljen

    Karakteri është fati ynë. Është shkruar në momentin që kemi lindur dhe, në varësi të rasteve dhe mundësive, ne mund të korrigjojmë mënyrat dhe sjelljet tona, por nuk mund të ndryshojmë kurrë karakterin tonë.

    Mos i beso medieve

    Janë të shumtë mesazhe plot kundërthënie që na vijnë çdo ditë nëpërmjet medieve të cilat na inkurajojnë që të ndryshojmë dhe t’i vendosim vetes qëllime. Ne i dëgjojmë ato dhe fillojmë t’i bëjmë pyetje vetes, duke u përpjekur të shohim brenda nesh nëse me të vërtetë kemi diçka të gabuar dhe diçka për të korrigjuar, ndoshta me ndihmën e ndonjë eksperti. Por, më pas kuptojmë se kjo na ka shërbyer përkohësisht dhe se pas një periudhe kohe kthehemi të jemi ata të përhershmit.

    Mos e zbut karakterin tënd

    Gabimi më i madh që mund të bëjmë është të zbusim karakterin tonë, ta ndryshojmë atë ose ta korrigjojmë. Të bësh ndryshime në karakterin e dikujt do të thotë të shtrembërosh, të mbysësh dritën e brendshme të tij.

    Karakteri duhet të jetë miku yt

    Përpjekja për të zbutur karakterin tuaj vetëm do t’i përkeqësonte gjërat, duke ju bërë që të keni shqetësime ankthi dhe depresion. Karakteri duhet të jetë mik.

    Nuk ekziston karakter i mirë apo i keq

    Nuk ekziston i mirë apo i keq kur klasifikohet një karakter, këto janë vetëm paragjykime fëminore të një konteksti të veçantë.

     Mos e ndrysho karakterin

    Nuk është karakteri ynë që duhet ndryshuar: e vetmja gjë që mund të ndryshojmë, nëse eventualisht nevojitet, është sjellja.

    Mëso ta përdorësh karakterin

    Duhet mësuar si ta shfaqim karakterin tonë në funksion të situatave, duke ditur kur është më mirë të fshehim disa aspekte dhe çfarë t’u tregojmë të tjerëve.

    Të ndjehesh mirë me veten dhe me të tjerët

    Ajo që me të vërtetë ka rëndësi është të ndjehesh rehat me veten dhe me të tjerët, duke e shprehur karakterin tënd me sjellje funksionale.

    Karakteri ka shumë nuanca

    Pasuria e karakterit tonë qëndron pikërisht në kërkimin e nuancave të saj të shumta dhe përdorimin e tyre kur sipas nevojës, duke e ditur se “Unë ky jam”, por “edhe ti je bërë në mënyrën tënde, dhe jo vetëm”.

  • PËRTEJ DASHURISË / James Blunt: Tani i këndoj emocioneve të reja

    PËRTEJ DASHURISË / James Blunt: Tani i këndoj emocioneve të reja

    Të gjithë e kemi njohur me hitin You’re Beautiful, një sukses i albumit të tij të parë i vitit 2004, të titulluar ‘Back To Bedlam’, dhe pikërisht prej aty James Blunt vendosi t’ia rinisë sërish për albumin e tij të gjashtë, ‘Once Upon a Mind’, që sapo ka dalë.

    Në videon single ‘Cold’ e shohim duke notuar në det e më pas duke iu ngjitur një shkëmbi ashtu si ai kishte bërë në You’re Beautiful. “Është një video që e kemi xhiruar në Skoci, bëhet fjalë për një metaforë të rikthimit në origjinë”, shpjegon kantautori britanik.

    “Pas suksesit të ‘Back To Bedlam’ nuk isha më në gjendje të shkruaja pa menduar për publikun. Këtë herë jeta më vuri përpara provave të mëdha që më kanë bërë të shtohet nevoja për emocione dhe ta shndërroj atë në muzikë». Një nga provave të cilave i referohet Blunt është sëmundja e babait të tij prej veshkave. “Më shtrëngoi ta pranoj idenë e vdekshmërisë së tij: në Monsters flas për faktin se sa e vështirë është të vendosësh në shtrat prindin tënd sikur të ishte një fëmijë”.

    Pastaj është kënga ‘The Greatest’: “Atje unë i rekomandoj fëmijëve të mi të përpiqen për të qenë më të mirë se brezat që iu kanë paraprirë, edhe mua gjithashtu”. Ndërsa ‘Champions’, është një përkushtim për gruan e tij. “I them se së bashku ne mund të jemi kampionë”.

    Zhargoni sportiv nuk është i rastësishëm, Blunt është i çmendur pas aktivitetit fizik. “Unë jetoj në mes të Ibiza-s, ku ndahem mes surfing dhe zhytjeve, dhe Zvicrës, ku pëlqej shumë të skioj dhe kam një restorant në Verbier, në Valais: quhet La Vache, e kam hapur bashkë me ish-rugbyistin Lawrence Dallaglio dhe Carl Fogarty, i cili ka fitoi katër herë kampionatin për motoçiklistik Superbike. Po, unë i adhuroj rugby dhe motoçikletat!”.

    Kantautor, sportist, sipërmarrës: kështu e prezanton veten Blunt 15 vjet pasi You’re Beautiful e katapultoi atë nga një e kaluar si oficer në ushtrinë britanike të angazhuar në luftën në Kosovë – një e kaluar që ka tërhequr kritika në shtëpi – në botën e shkëlqyeshme të popit ndërkombëtar.

    “Si një ish-ushtarak, mund t’i jap vlerë punës në ekip”, rrëfen sot 45-vjeçari, i cili gjithashtu zotëron edhe një pub në Londër, Fox & Pheasant, ku mund të shihen ndeshje futbolli duke ngrënë hamburger dhe fish & chips. “Është në Chelsea në një ndërtesë që i përket mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, donin të na bënin apartamente, por vendi ishte një institucion: e bleva për ta shpëtuar”.

  • “E pamë të Përtejmen dhe u kthyem përsëri”

    “E pamë të Përtejmen dhe u kthyem përsëri”

    Pjesa II

    Është ajo që pohojnë të famshmit, aktorët, atletët, figurat politike dhe shkencëtarët – disa prej të cilëve janë akoma gjallë, që kanë përjetuar pasvdekjen në lëkurën e tyre dhe i kanë treguar publikisht detajet: të gjithë deklarojnë se kanë dalë të forcuar dhe kanë ndryshuar qasjen e tyre në jetë. Më poshtë kemi mbledhur dhjetë dëshmi të jashtëzakonshme.

    Sharon Stone: “Pashë një një rreth drite të bardhë”

    Në 2001 aktorja amerikane e lindur në 1958 u prek nga një aneurizëm cerebral që gati e çoi atë drejt vdekjes. E ndërsa ishte e pavetdijshme dhe gjendej brenda një makinerie për rizonancën manjetike, ajo kujton se kishte takuar njerëz, më të dashurit për të, në vende “jashtë kësaj bote”. Siç më pas i tregoi të përhavshmes amerikane Closer Ëeekly, “ndjeva se isha e vdekur. Ishte kjo vorbull gjigante me dritë të bardhë sipër meje dhe … poof. E pashë veten brenda në një dritë të bardhë të ndritshme! Fillova të shikoja disa miq të vjetër të mi, u mirëprita prej tyre… njerëz që ishin shumë të dashur për mua. Njerëz të vdekur. Por ishte një udhëtim i shpejtë. Papritur një shushurimë dhe isha përsëri në trupin tim. Ishte një eksperiencë që ka ndikuar thellësisht jetën time, e cila nuk do të ishte më kurrë e njëjtë. Tani nuk kam frikë të vdes. Në fakt ua them të gjithëve se është diçka përrallore: vdekja është një dhuratë”.

    Ronald Reagan: “U shpëtova dy herë nga engjëjt”

    Dy herë presidenti amerikan, i lindur në 1911, ka qenë në rrezik për jetën dhe dy herë ka treguar se ka pasur takime me qenie misterioze engjëllore. E para daton në 1947 kur ai ishte aktor. Në xhirimet e filmit “That Hagen Girl”, u sëmur nga pneumonia. Në librin e tij Ëhere’s the Rest of Me? tregon se, i munduar nga ethet, i kishte thënë infermieres se ishte shumë i lodhur për të marrë frymë dhe se do të ndalet. Por ajo e kishte bindur për të kundërtën duke i folur me aq përkëdheli sa ai ishte bindur. Pasi i zbritën ethet, ai kishte shkuar ta kërkonte atë, por nuk e kishte gjetur, gjë që e kishte bindur përfundimisht se ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një engjëll që e kishte ndihmuar. Ndërsa episodi i dytë ndodhi në vitin 1981 kur Reagani u plagos nga atentatori John Hinckley. Në pamundësi për të marrë frymë dhe gati i pavetëdijshëm, ndjeu se dikush po i mbante dorën. “Ishte një dorë e butë, femërore”, shkroi më pas në autobiografinë e tij An American Life. “E ndjeja teksa prekte dorën timen dhe e shtrëngoja atë fort. Është e vështirë të shpjegohet se sa siguruese ishte. Edhe këtë herë një engjëll duhej të kishte ardhur për shpëtimin tim”. Reagan vdiq në 2004 nga pneumonia. Ai ishte 93 vjeç.

    Peter Sellers: “Një zë më tha që nuk ishte koha ime”

    Në 1964 aktori britanik i lindur në 1925 ishte praktikisht i vdekur nga një atak kardiak. E ndërsa po transportohej i pavetëdijshëm për në spital, kishte ndjerë veten duke rrëshkitur jashtë trupit të tij. “Pashë përreth,” tha ai, “dhe vërejta një dritë të bardhë, jashtëzakonisht të bukur sipër meje. Doja të shkoja drejt asaj drite më shumë se gjithçka tjetër. E di që në anën tjetër kishte dashuri të vërtetë dhe mbaj mend që mendoja “Ky është Zoti”. Pastaj pashë një dorë që vinte përmes dritës. Ndërsa po përpoqesha për ta kapur, dëgjova një zë që më thoshte “nuk është kjo koha” dhe dora u tërhoq”. Në atë çast zemra e Sellersit kishte filluar të rrahë përsëri. Aktori vdiq në 1980 nga një atak kardiak. Ishte 55 vjeç.

    Elizabeth Taylor: “Takova burrin tim të tretë që më shtyu për t’u kthyer”

    Në intervista të shumta Elizabeth Taylor, e lindur në 1932, ka thënë se gjatë një operacioni në shpinë në 1962 ajo kishte ndaluar së marri frymë për disa minuta. Kishte ndjerë shpirtin e saj të linte trupin dhe kishte parë mjekët që po përpiqeshin ta ringjallnin ndërsa ajo ishte nisur drejt një tuneli, ku kishte parë burrin e saj të tretë, Mike Todd, i cili vdiq në një aksident ajror katër vjet më parë. Liz ishte ndjerë e lumtur që po e shihte përsëri Todin dhe dëshironte të qëndronte me të, por ishte ndalur. “Duhet të kthehesh mbrapa”, i kishte thënë bashkëshorti. “Ke ende edhe shumë gjëra për të bërë”. Aktorja pra ishtë kthyer në trupin e saj dhe u zgjua teksa mjekët ishin gati të shpallnin vdekjen e saj. Ajo vdiq disa vjet më vonë, saktësisht në vitin 2011, nga insuficienca kardiake. Ishte 79 vjeç.

    Larry Hagman: “Më përshkoi një ndjenjë lumturie e pamatë”

    Në autobiografinë e tij Hello Darlin’ të botuar në 2001, aktori amerikan i lindur në 1931 dhe i famshëm për interpretimin e J.R. të Dallasit, përshkruan eksperiencën e vitit 1995, kur ai u përball me betejën më të vështirë të jetës së tij: kancerin e mëlçisë për shkak të konsumit të rëndë të alkoolit. I transplantuar nëpërmjet një operacioni që zgjati mbi 13 orë, tregon: «E ndjeja atë që do të vinte më pas. Nuk e kam parë dritën e përshkruar nga disa njerëz, por kam ndjerë një ndjenjë të mrekullueshme lumturie dhe ngrohtësie. Kam pasur konfirmim për atë që kam dyshuar gjithmonë, domethënë që ekziston një numër i pafund niveleve, ekzistencash, secila prej të cilave shton një murmuritje në orkestrën kozmike derisa mbërriti një gjendje lumturie të përsosur ”. Lagman vdiq nga leuçemia në 2012. Ai ishte 80 vjeç.

    Donald Sutherland: “Ndjehesha si në placentën e një goce deti blu”

    Gjatë xhirimeve të filmit The Warriors, i xhiruar së bashku me mikun e tij Clint Eastwood në 1970, aktori kanadez i lindur në vitin 1935 vuajti nga një formë e rëndë e meningjitit kurrizor. “Më çuan në spital”, tha ai gjatë një interviste, “por unë tashmë isha në koma. Mbaj mend se e lash trupin për disa sekonda dhe fillova të rrëshqas brenda një tuneli të gjatë larg shtratit. Papritur u hap një derë e madhe e bardhë. Ndjehesha brenda placentës së një gocë deti blu. Kurrë nuk ka qenë më mirë”.

    Ernest Hemingway: «Shpirti im ndryshoi si në një shami mëndafshi»

    Më 1918, në Luftën e Parë Botërore, shkrimtari amerikan i lindur në 1899 u plagos në brigjet e Piave, Itali. Gjatë qëndrimit në Milano, në një letër për familjen e tij, ai shkruan: “Të vdesësh është një gjë shumë e thjeshtë. Unë e pashë vdekjen dhe e di”. Vite më pas i tregon një miku: “Atë natë shpërtheu afër meje mortaje austriake. Mbeta sikur kisha vdekur. Ndjeva shpirtin ose diçka të tillë të dilte nga trupi im, sikur të kisha nxjerrë një shami mëndafshi nga xhepi. Fluturoi përreth, pastaj u kthye sërish aty ku ishte më parë dhe nuk isha më i vdekur”. Hemingway e rijetoi eksperiencën e tij nëpërmjet personazhit të Frederic Henry në romanin “Lamtumirë Armë”. U vetvra në vitin 1961 në moshën 62 vjeçare.

    George Foreman: “Nga një pus i errët më nxorri dora e Zotit”

    I hyrë në histori si kundërshtari legjendar i Muhamed Aliut në sfidën në Kinshasa të 1974, boksieri amerikan i lindur në vitin 1949 pati një përvojë premortore që i ndryshoi jetën. Në 1977, menjëherë pas takimit me Jimmy Young, Foreman u bë viktimë e një episodi hipertermik dhe humbi ndjenjat. Sipas asaj që ai tregon në autobiografinë e tij God in my corner, ai u ndje i dëshpëruar dhe i vetëm në një pus të errët e pa fund. Boksieri ka shkruar se pasi mendoi se “nuk më intereson nëse kjo është vdekje, unë ende besoj në Zot”, një dorë gjigante e tërhoqi atë lart. Mbi të ishte Jezusi me kurorën e gjembave mbi dhe gjakun që i pikonte. ” Çdo emocion armiqësor ishte larguar nga unë dhe rubineti i dashurisë së Zotit ishte hapur dhe shtrirë ndaj meje”. I pajisur me këtë përvojë, ai bëri një ndryshim rrënjësor në jetën e tij: pushoi së ndeshuri në ring, u shugurua ministër kulti i një kishe në Hjuston të Teksasit dhe hapi në të njëjtin qytet Qendrën Rinore George Foreman, një qendër asistence për të rinjtë problematikë.

    Për dhjetë vitet e ardhshme ai iu përkushtua vetëm familjes së tij të madhe, famullisë së tij, studimit të Ungjillit dhe predikimit.

    Carl Gustav Jung: “E pashë gjithë Tokën nga lart të shkëlqyer e plot dritë”

    Më 1944, psikiatri i njohur zviceran i lindur në 1875 i cili pas një infarkti kishte humbur vetëdijen, pati një përvojë të jashtëzakonshme jashtë-trupore të përshkruar në librin e tij Kujtime, ëndrra, reflektime. Jung thotë se i dukej sikur ishte pezull në hapësirë. Poshtë tij shikonte globin tokësor të mbështjellë me një dritë të shkëlqyeshme blu dhe mund të dallonte kontinentet dhe blunë e detit. Pamja e tij përfshinte gjithë Tokën, forma sferike e së cilës ishte qartësisht e njohur dhe konturet e së cilës shndërrinin me një shkëlqim të argjendtë. “Më vonë,” shkroi ai, “u informova për lartësinë në të cilën duhet të qëndrosh në hapësirë për të pasur një pamje kaq të gjerë: rreth 1500 km. Pamja e Tokës nga kjo lartësi është gjëja më e mrekullueshme që kam përjetuar ndonjëherë. Isha pezull në hapësirën kozmike madje unë po lundroja rreth kozmosit … Është e pamundur të krijosh një ide mbi bukurinë dhe intensitetin e ndjenjave gjatë këtyre vizioneve. Ishin gjëja më drithëruese që kam përjetuar ndonjëherë”. Kjo përvojë mbaroi kur Jung u ndje i “thirrur mbrapa” nga mjeku që po e trajtonte dhe u kthye në ekzistencën e tij tokësore, në trupin e tij. Për tre javët e ardhshme ai vazhdoi të kishte të njëjtat vizione dhe më në fund, kur u përmirësua plotësisht, ai tha se nga ajo eksperiencë ai kishte fituar sigurinë se qëndrimi në trup është vetëm një “fragment i ekzistencës” dhe se realiteti në të cilin jetojmë është një burg i bërë për qëllime misterioze. Jung vdiq në 1961 i sëmurë prej zemrës. Ai ishte 86 vjeç.

    Eben Alexander: “Isha bërë një flutur dhe po fluturoja midis miliona fluturave”

    Neurokirurgu i Lynchburg General Hospital në Virxhinia, SHBA, i lindur në vitin 1953, hasi në një formë të rëndë të meningjitit në vitin 2008. I shtruar në spital, në gjendje kome të thellë i menduar si i mbaruar, jetoi për shtatë ditë në një gjendje vegjetative. «Përkundër kësaj», ai thotë në librin Miliona flutura, që shkroi menjëherë sapo u shërua, «vetja ime e brendshme vazhdonte të ekzistonte. Isha i vetëdijshëm se ndodhesha në një gjendje primordiale dhe primitive, sikur të isha varrosur në tokë. Por nuk ishte një tokë e zakonshme, pasi unë perceptoja dhe ndonjëherë dëgjoja dhe shikoja qenie të tjera rreth meje. Pjesërisht ishte e tmerrshme, pjesërisht e njohur dhe ngushëlluese. Pyesja: Kush? Çfarë? Ku? Dhe nuk pati kurrë ndonjë përgjigje. Sidoqoftë, pas një farë kohe, një dritë zbriti ngadalë nga lart, duke hedhur rreth e qark fije të mrekullueshme të argjendta dhe shkëlqimi të artë. Ishte një qenie rrethore, që lëshonte një muzikë të mrekullueshme qiellore, që e kam quajtur “Melodi Roteante”. Unë isha si një pikë ndërgjegjësimi në krahët e një fluture, midis miliona fluturave të tjera. Mund të shihja qiejt e kadifenjtë të mbuluar me një blu të pabesueshme, me sfera drite të shkëlqyeshme që lodronin, me kore engjëllore që linin gjurmë ndixixëlluese nëpër retë lundruese. Këto kore prodhonin himne të llojeve të ndryshme, shumë më lart se gjithçka që kisha dëgjuar në Tokë “.

    Sot Aleksandri drejton një shoqatë bamirëse që promovon kërkimin shkencor dhe atë shpirtëror.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Të shkosh dhe të vish nga e Përtejmja

    Të shkosh dhe të vish nga e Përtejmja

    Ata quhen NDE, që në shqip do të thotë “eksperienca pas-vdekjes” dhe i ndodhin rreth 10 përqind të popullsisë. Ata që i kanë provuar tregojnë se kanë përjetuar mirëqenie, një ndjenjë shkëputjeje nga trupi dhe hezitim për t’u rikthyer në jetë. Për disa, kjo lidhet me një gjendje të veçantë të vetëdijës që vazhdon të ekzistojë edhe kur organizmi pushon së funksionuari nga Ros

    Pjesa I

    I quajnë Near Death Experiences, shkurt, NDE dhe janë ndjesi të jashtëzakonshme të përshkruara nga njerëz që, të shpallur klinikisht të vdekur, janë ringjallur me sukses. Hipotezat e dala deri më tani për të shpjeguar këto raste shpesh kufizohen me misticizëm fetar i cili i konsideron ato si provë të ekzistencës së një “pas”, përtej jetës tokësore.

    Por nëse teologjia dhe filozofia kanë pasur mijëra vjet për të ofruar përgjigjet e tyre, ka vetëm disa dekada që shkenca ka filluar të trajtojë këtë argument.

    Përshkrimi i parë i hollësishëm i rasteve të NDE u dha nga mjeku dhe psikologu amerikan Raymond Moody, i cili në 1975 botoi librin Jeta përtej jetës, në të cilën ai tregon rastet e mbi njëqind pacientëve që kishin përjetuar këto përvoja në dukje të pashpjegueshme: një ndjenjë mirëqenieje të thellë, perceptimi i një drite shumë të qartë në fund të një tuneli, braktisja e trupit që shfaqet sikur shihet nga lart, takimi me njerëzit e dashur që kanë vdekur dhe mbi të gjitha hezitimi për t’u rikthyer në jetë. Pas librit të Moody, kërkimet mjekësore kanë vërejtur një numër gjithnjë e në rritje të njerëzve që raportojnë përvoja të ngjashme, duke zbuluar se NDE nuk përbëhen nga përshtypje të paqarta, por përvoja shumë të gjalla dhe komplekse që përfshijnë shqisa të ndryshme. Ajo që godet ata që dëgjojnë dëshmitë e tyre është mbi të gjitha fakti që rrëfime të ndryshme kanë elemente të përbashkëta, pothuajse standarde, krejtësisht të pavarura nga besimet fetare, origjina etnike, niveli i arsimimit, seksi apo përvojat e mëparshme.

    Në lidhje me këtë, parapsikologët pohojnë se truri është organi i mendjes, por nuk përkon me të. Mendja na qenka jomateriale dhe jotrupore, e aftë të komunikojë drejtpërdrejt me mendjet e tjera dhe të ketë, në rrethana të caktuara, një vizion global të realitetit: e kaluara, të shkuar, të tashëm dhe të ardhshëm. Dhe është kjo mendje superiore ajo që lëviz lirshëm në hapësirë, sidomos kur lidhjet me trupin shkëputen prej vdekjes.

    Si në gjumë REM

    Sipas një studimi të paraqitur në Oslo në Kongresin V të Akademisë Evropiane të Neurologjisë, një person nga dhjetë përjeton një përvojë pas vdeksore: të drejtuar nga studiues danezë, gjermanë dhe norvegjezë mbi 1.034 njerëz nga 35 vende, studimi vërejti se 106 persona e kishin provuar atë.

    Për të përcaktuar shkallën dhe intensitetin, këtyre njerëzve u kërkua të specifikojnë llojin e vizionit bazuar në të ashtuquajturën shkallë Greyson, bazuar në 16 simptoma specifike (shiko boksin më poshtë). Doli se përvojat më të shpeshta përfshinin në 87 përqind të tyre një perceptimi jonormal të kohës, 65 përqind shpejtësi të jashtëzakonshme të të menduarit, për 63 përqind shqisa jashtëzakonisht të gjalla dhe 53 përqind ndarjen e personit nga trupi i tij.

    Sipas studimit, këto reagime të trupit ndaj një rreziku të afërt fatal shkaktohen nga i njëjti mekanizëm që shkakton ëndrrat. “Ne zbuluam”, thotë Daniel Kondziella, një neurolog në Universitetin e Kopenhagës dhe shefi i studiuesve, “që ndërlidhja e përvojave të gati vdekjes është e lidhur me gjumin REM: një lloj gjumi i karakterizuar nga lëvizjet e shpejta të syve, gjatë së cilit truri është aktiv porsi gjatë gjendjes zgjuar dhe ëndrrat janë më të gjalla”.

    Përtej kohës dhe hapësirës

    Por, në botën e shkencës, jo të gjithë janë dakord: për shembull, kardiologu holandez Pim van Lommel, i cili studion për më shumë se tridhjetë vjetësh këtë moment midis jetës dhe vdekjes dhe është i njohur për studimin e parë shkencor mbi NDE të botuar në revistën prestigjioze mjekësore The Lancet.

    Interpretimi i përvojave në kufirin me të Përtejshmen, e bëri atë të formulojë një konceptim të realitetit që hipotezon ekzistencën e një vetëdije “gjithëpërfshirëse” përtej hapësirës dhe kohës. “Nëse mbështetemi në zbulimet e bëra në shumicën e studimeve neurofiziologjike të kryera gjatë një ataku kardiak,” thotë van Lommel, “ka shumë arsye për të besuar se vetëdija nuk përkon gjithmonë me funksionimin e trurit dhe se vdekja nuk çon në fundin e vetëdijes, por vetëm në një ndryshim të gjendjes”.

    Sipas van Lommel, kjo shpjegohet me hipotezën se vetëdija ekziston në mënyrë të pavarur nga truri dhe se ajo vazhdon të ekzistojë edhe pas vdekjes, duke mos pasur as fillim dhe as fund. “Truri,” shpjegon shkencëtari, “shërben vetëm si një ndërfaqe, si një host, kur jemi në një gjendje zgjimi, pjesë të kësaj vetëdije të zgjeruar dhe pjesë e kujtimeve tona”. Si provë të tezës së tij, studiuesi citon rastin e njerëzve që vuajnë prej vitesh nga sëmundja e Alzheimerit.

    Të pazotë për të njohur madje edhe të dashurit e tyre, ata mund të kenë një shpërthim të ndriçimit terminal, në të cilin rikthehen dhe njohin partnerin dhe fëmijët e tyre, t’i flasin në emër, t’i falënderojnë e më pas vdesin. “Janë përvoja,” thotë ai, “që nuk gjejnë shpjegim në teoritë aktuale mjekësore sepse truri i këtyre pacientëve është i dëmtuar.

    Qartësia terminale, e njohur mirë për ata që punojnë në strehat e të moshuarve dhe në shërbimet e kujdesit paliativ, mund të kuptohet mirë në dritën e ekzistencës së pavarur të vetëdijes”.

    ___________________________________________________

    Ekziston shpirti? Shkenca kërkon përgjigje nga mekanika kuantike

    Mjeku amerikan Stuart Hameroff dhe matematikani dhe fizikanti britanik Roger Penrose pretendojnë se kanë zhvilluar një teori të bazuar në mekanikën kuantike që do të çonte në shpjegimin e përvojave premortore në bazë të sjelljes së përbërësve më të vegjël të materies. Sipas dy shkencëtarëve, shpirti ekziston dhe ai përmbahet si informacion kuantik në mikrotubula të pranishëm brenda neuroneve. Në momentin e vdekjes ai largohet nga sistemi nervor për t’u kthyer në univers, por do të mund të ribashkohej sërish me trupin nëse ai kthehej në jetë në kohë.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Rihanna, pas ndarjes me Hassan Jameel flirton me Asap Rocky?

    Rihanna, pas ndarjes me Hassan Jameel flirton me Asap Rocky?

    Këngëtarja dhe sipërmarrësi arab, të lidhur që nga vera e vitit 2017, janë ndarë. Por nuk ka kohë për të derdhur lot (tashmë). Të premten në mbrëmje, Riri është paparacuar së bashku me reperin afroamerikan, me të cilin thuhet se ka pasur një flërt edhe në 2013

    Rihanna është rikthyer beqare dhe asnjë dasmë, asnjë ëndërr e atyre të dëshiruara dhe të aq shumëpërfolura gjatë muajve të kaluar, nuk ka mundur të kurorëzojë dashurinë e saj me sipërmarrësin arab Hassan Jameel. Tre vjet pas takimit të tyre të parë, ata janë ndarë. Ose kështu, të paktën, na shkruar Us Weekly, ndonëse një lajm i tillë ende nuk ka gjetur asnjë konfirmim nga palët e interesuara. Këngëtarja nuk ka dashur të bëjë asnjë deklarim zyrtar dhe Jameel është kujdesur shumë për të mos hyrë në arsyet e ndarjes së pretenduar.

    Por çifti, sipas asaj që rrjedh nga një burim anonim, kishte marrë rrugën e ndarjes që disa muaj më parë. Dhe prova qëndron në flirtin e ri të Rihannës.

    Tridhjetenjë vjeçarja, të premten në mbrëmje, është fotografuar bashkë me Asap Rocky. Dhe është shfaqur plot buzëqeshje, në backstage-n e Yams Day Benefit, një ngjarje bamirësie, duke folur me reperin. Shtypi amerikan ka parë në pamjet e të dyve konfirmimin e një çifti të ri. Sërish, pasi marrëdhënia midis Rihanna-s dhe Asap Rocky nuk është kaq e shkurtër. Të dyve iu atribuohet një histori e mëparshme dashurie në 2013, kur janë kapur duke u puthur teksa regjistruan videon e Fashion Killa.

    Më pas, nga ajo ndjenjë, nuk doli asgjë dhe Rihanna u hodh me trup e shpirt nëpër labirinthet e jetës së saj të trazuar dashurore. Fillimisht me Drake, me të cilin kishte pas qenë e lidhur edhe më parë dhe sërisht do të jetë. Më pas, një flirt i dyshuar me Leonardo DiCaprion dhe, më në fund, në verën e vitit 2017, takimi me Hassan Jameel, i cili dukej i destinuar për t’i dhënë asaj qetësinë që, nga Chris Broën e tutje, duket se i është mohuar.

  • Harry dhe Meghan, nuk do të kenë më titullin “Lartmadhëri” dhe as të ardhura nga paratë publike

    Harry dhe Meghan, nuk do të kenë më titullin “Lartmadhëri” dhe as të ardhura nga paratë publike

    Çifti, i cili disa ditë më parë vendosi të “dorëhiqej” nga familja mbretërore britanike, do të mbajë si të vetmin titull të tyre atë të Dukëve të Sussex vetëm. Gjithashtu, ata, të cilët nuk do të marrin më ardhura nga taksat publike që nga pranvera e ardhshme, do të duhet të kthejnë 2.4 milion £ të shpenzuar për rinovimin e Frogmore Cottage

    Mbretëresha ka përdorur fjalë të ëmbla për të gjykuar nipin e saj, duke thënë se ishte e lumtur që Harry kishte gjetur një mënyrë konstruktive për të ecur përpara në jetë. Madje ajo ka falënderuar edhe Meghan Markle që u bë pjesë e familjes. E më pas, dha dënimin. Pak ditë para divorcit me kurorën britanike, Elizabeth II vendosi të heqë titullin e Lartësisë Mbretërore nga Harry dhe Meghan. Dhe nuk ka rëndësi që të ata dy, menjëherë pas marrjes së vendimit nga Mbretëresha, nënshkruanin në faqen e tyre në internet, ende me epitetin “Lartmadhëria e Tyre Mbretërore”.

    Harry dhe Meghan do të jenë vetëm Duka dhe Dukesha e Sussex dhe, si e tillë, nuk do të përfitojnë asgjë nga paratë e taksapaguesve anglezë. Përkundrazi. Të dy, të cilët menjëherë pas dasmës së tyre përdorën para publike për të rinovuar Cottage Frogmor, në mënyrë që Meghan Markle të mund të kishte modernitetin e saj ekofriendly që synonte, do të duhet të kthejnë 2.4 milion paund në Oborr. Princi Charles thuhet se synon t’i mbajë ato vetë, djalin dhe nusen. Dhe çifti, me mundësinë (ekonomike) që iu është dhënë nga dorëheqja, dhe vullneti i vazhdueshëm për të punuar e për t’u bërë të pavarur, mund të fitojë shumë më tepër sesa duhet për të shlyer Madhështinë e Tij.

    Por zhgënjimi, ai që nuk u përkrahën nga Kensington Palace, fare, madje as hipoteza e një të ardhmeje ndryshe, nuk mund të shlyhet kurrë. Harrit dhe Meganit janë ‘zhveshur’ nga të gjitha privilegjet e tyre. Dhe në Kanada do t’u duhet të mendojnë për veten. Kanë shtëpinë, për të cilën thuhet se kushton 36 milionë dollarë. Janë babysitterët dhe taksat për Frogmore Cottage, kostoja vjetore e mirëmbajtjes që shkon në rreth 360,000 stërlina. Dhe do të jetë edhe siguria, pasi është ende e paqartë nëse Buckingham Palace do të vazhdojë të paguajë për të.

  • Fitim ZEKTHI – Le të plasin në mllefin e tyre

    Fitim ZEKTHI – Le të plasin në mllefin e tyre

    Në vitet 70-të në Kubë, një qytetar amerikan që ishte aty në punë të vet e gjeti veten i akuzuar nga policia si pjesë e një rrjeti armiqësor të sofistikuar për të vrarë Fidel Kastron. Ai u habit nga gjë por vonë e kuptoi se në regjime të tilla inskenime të tilla janë të zakonshme. Sot, një ditë pushimi, kur ti ke qenë gjithë ditën i ç’interesuar për shtypin dhe lajmet, të dërgopjnë mesazhe dhe të thonë se disa portale po shkruajnë se ti je emëruar në një zyrë propagande që ka ngritur PD-ja së bashku me disa të tjerë.

    Portalet shkruajnë, veç të tjerash, se kryatri i PD-së i ka premtuar këtyre për t’u bërë deputetë, se këta (pra ne) do të bëjnë profile fallso në internet etj se këta janë ëkshtu dhe ashtu. Shpifjet nga më të ulëtat, mashtrime nga më të ndytat i gjen në këto shkrime.

    Në të vërtetë kur sfera publike ka degraduar kaq rëndë sa komunikimi ka zbritur në këto rrena të trasha ajo që i vret vret më shumë shpifesit është vetëm indiferenca dhe unë ka kohë që as e di që ekzistojnë portale si këto. Kam qenë me idenë se ata duhen lënë siç thonë shkrimet e shenjta “të plasin në mllefin e tyre” dhe këtë kam bërë.

    Unë e di se aktiviteti politik dhe ideologjia politike mund të jenë eksituese, por këto në vetvete nuk e ushqejnë kurrë thellë shpirtin e njeriut. Tek ne shumë politikanë dhe njerëzit që luftojnë për këto interesa, sidomos në potrtale si këto, kanë një shpellë në shpirtrat e tyre, të cilën përpiqen ta mbushin me obsesionin e tyre për politikën. Disa nga nevojat tona mund të mbushen vetëm nga Zoti dhe këta e kanë kot këtë punë. Prandaj ata nuk ngopen, shpifin, shajnë, urrejnë, nuk kanë asnjë parim.

    Unë kurrë nuk kam qenë në ndonjë zyrë propagande dhe as jam emëruar në ndonjë të tillë. Kurrë nuk kam shkruar apo thënë diçka se atë e kërkon ky apo ai, se këtë e kërkon ky kryetar apo kjo parti. Unë kam neveri për të gjithë ata që e kanë bërë këtë gjë, kam neveri për atë frymë të poshtër që vjen nga komunizmi, për atë frymë që e kam vuajtur vetë në atë kohë (para viteve 90-të) familjarisht në kurriz, kam vuajtur spiunimet, servilizmat dhe krimet e komunistëve.

    Binjdet e mia të djathta dhe konservatore nuk kanë të bëjnë fare as me Lulzim Bashën dhe as me PD-në, ato janë pasojë e origjinës time familjare dhe e formimit tim në shkollë, në universitet dhe e përvojës time si besimtar.

    Kam shpresuar që ky vend një ditë do të bëjë një diferencë duke u larguar nga llumi, e pista, e keqja. Besoj se në shumicë e ka bërë. Gjithsesi ka ngelur ende një frymë e vjetër që endet vëdallë sadoperiferike.

    Për mua portale si këto le të vazhdojnë edhe më shumë, edhe me thellë me këtë qasje, le ta shtojne shpifjen dhe sharjen. Unë them le të plasin në mlllefin e tyre, le të dërrmohen nga urrejtja dhe inati. Raporti ynë nuk është me ta por me të drejtën dhe me Zotin.