Blog

  • Pse nuk ishte sot Rama në Prishtinë

    Pse nuk ishte sot Rama në Prishtinë

    Para pak ditësh, gazeta më e madhe online në Kosovë, Express, shkruante se gjykata është i vetmi vend për Edi Ramën në Kosovë. Ajo i referohej padisë që Edi Rama ka bërë ndaj kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj. Ky i fundit e akuzon kryeministrin shqiptar për tradhti.

    Nuk dihet nëse Edi Rama do ta vizitojë Kosovën, por të shtunën ai nuk ishte në një aktivitet të rëndësishëm të organizuar me rastin e 20-vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë. Në shenjë falenderimi, Ipeshkvia e Kosovës kishte mbledhur krerët e dy shteteve.

    Burimet i thanë SYRI.net në Kosovë se Edi Rama nuk ka qenë i ftuar. Kurse nga Tirana nuk flitet për këtë çështje, ndërsa thuhet se kryeministri ka sërish shqetësimet e zakonshme shëndetësore, për të cilat ka folur edhe publikisht.

    Vizita e fundit e Edi Ramës në Kosovë ishte shtatë muaj më parë, në 20-vjetorin e çlirimit. Por edhe ajo vizitë shënoi disa momente skandaloze. I ftuar i nderit ishte ish-presidenti amerikan, Bill Clinton. Ky i fundit nuk i dha as dorën kryeministrit Edi Rama, që gjatë ceremonisë solemne foli më shumë me gjuhën e trupit. Ai ishte i vetmi që mbante syze gjatë gjithë kohës dhe këmbët mbi këmbë.

    Burimet i thanë SYRI.net në Kosovë se ai kishte kërkuar që të fliste, por nuk ishte pranuar. Dukej se kjo vizitë e fundit skandaloze ishte një parapritë për atë që do të pasonte kur Edi Rama shënoi një rekord të rëndë, duke u bërë i pari politikan i Shqipërisë që i ka kundër të gjithë politikanët e Kosovës dhe opinionin publik atje dhe këtu.

    Se kur do jetë vizita e radhës në Kosovë, kjo nuk dihet. Por e sigurt është se kurdo që të bëhet, nëse do bëhet, interesi do jetë i madh, jo sepse po vjen dikush nga shteti amë, por sepse po vjen dikush i akuzuar nga politikanë të lartë të Kosovës për tradhti.

  • Bar Refaeli, mama për të tretën herë

    Bar Refaeli, mama për të tretën herë

    Supermodelja, e cila tetorin e kaluar tregoi se po priste një djalë, njoftoi se ka lindur. “Fëmija i tretë në 3.5 vjet”, shkruan, duke treguar veten me një look spitalor

    Bar Refaeli, lindjen e djalit të saj të tretë, e njoftoi me një foto. E buzëqeshur, me flokët e mbledhur bisht, e hutuar dhe me veshje spitalore, ajo qëndron në këmbë prapa shtratit, me shishen e serumit përpara fytyrës. “Ky është glami i vërtetë”, ka shkruar në profilin e saj në Instagram, duke njoftuar ardhjen e “fëmijës së tretë në tre vjet e gjysmë”. “Familja është gjithçka dhe jeta është e bukur,” ka shtuar, duke e mbyllur postimin me emoticonin e një zogu të porsalindur.

    Se cili është emri i vogëlushit, që e kish njoftuar që më parë se ishte djalë, i pari, nuk e ka treguar. Por urimet, të menjëherëshme online në të gjitha gjuhët e botës, kanë arritur të largojnë kureshtjen.

    Supermodelja, e martuar me biznesmenin izraelit Adi Ezra, dukej rrezatuese. Aq e lumtur, në thjeshtësinë e saj, sa gati që nuk u mor njeri për më shumë informacion. Por lajmet nuk do të mungojnë në muajt e ardhshëm, ashtu siç ndodhu me Liv dhe Elle, vajzat përkatësisht, në gusht 2016 dhe tetor 2017.

  • Barack Obama, gruas Michelle: “Je ylli im”

    Barack Obama, gruas Michelle: “Je ylli im”

    Katër fotografi plot dashuri dhe një mesazh i ëmbël: kjo është mënyra sesi ish-Presidenti, përmes mediave sociale, uroi Michelle-n e tij, 56 vjeçe, që i mbushi më 17 janar. Pas 28 vjet martese, një krize të tejkaluar dhe dy vajzave të rritura ata nuk mund të jenë më shumë se kaq të bashkuar

    Ka mbushur 56 vjeç në 17 Janar, Michelle Obama, dhe urimet e burrit të saj Barack i erdhën edhe përmes mediave sociale, me një dedikim të veçantë: «Në çdo skenë, je ylli im. Gëzuar ditëlindjen, baby!”, ka shkruar ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, duke postuar në Instagram një kolazh me katër foto bardh e zi, nga ato që të gjithë të dashuruarit të paktën një herë në jetën e tyre kanë bërë.

    Të bashkuar, argëtues, kurrë me diçka jo në vendin e duhur, Michelle dhe Barack nuk e humbasin rastin për të treguar dashurinë, sidomos që kur nuk janë më në Shtëpinë e Bardhë.

    Duke hequr veshjet institucionale, më të çlirët, ata kanë kthyer faqen edhe në jetën private që kur vajzat iu janë rritur dhe kanë marrë rrugën e kolegjit. Vajza e madhe Malia, 21 vjeç, studion në Harvard, Sasha, 18 vjeç, ka zgjedhur Universitetin e Miçiganit. Dhe pikërisht largimi i vajzës së dytë ka qenë një nga momentet më të vështira për Michelle, siç ka thënë vetë ish-First Lady pak kohë më parë. “Ishte pak emocionuese, por si shumë përvoja të dhjetë viteve të fundit, donim që të ishte sa më e natyrshme. Le ta lemë që të kujdeset vetë për vetveten. Si prindër, një nga gjërat më të rëndësishme që mund t’u japim fëmijëve tanë është liria për të gjetur rrugën e tyre në botë. Ata duhet të kenë hapësira për të qenë të lirë dhe për të eksploruar”.

    Me vajzat e tyre larg në pjesën më të madhe të vitit, Michelle dhe Barack kanë gjetur ekuilibra të rinj, e gjithashtu u rigjetën edhe paksa si çift: “Darkojmë vetëm, kalojmë shumë kohë së bashku. Nuk ka as fëmijë dhe as spotlights-a: jemi vetëm ne”, ka thënë ajo në një rast tjetër. Dhe nuk është e vështirë ta besosh, mjafton t’i shikosh.

  • Po sikur Hugh Grant dhe Matthew McConaughey të bëhen vëllezër? (Jo vetëm në ekran)

    Po sikur Hugh Grant dhe Matthew McConaughey të bëhen vëllezër? (Jo vetëm në ekran)

    Babai i të parit, James, 91 vjeç dhe nëna e të dytit, Mary Kathlene, 88 vjeç, po përgatiten për takimin e tyre të parë. Kush e di nëse do të shpërthejë shkëndija. Fëmijët, sigurisht, e aprovojnë. Ishin ata që organizuan gjithçka

    Një shpjegim i detyrueshëm: nuk ka asnjë film në horizont me Hugh Grant dhe Mattheë McConaughey në rolin e dy vëllezërve. Të dy aktorët, megjithatë, mund të bëhen me të vërtetë, ose të paktën, të përpiqen të jenë, falë një feeling hipotetik mes babait të të parit, James, 91 vjeç, dhe nënës së të dytit, Mary Kathlene McCabe, 88 vjeç, që javën e ardhshme të shihen në takimin e tyre e parë. Ishte McConaughey ai që e tregoi këtë anekdotë gjatë një interviste për Entertainment Tonight, kur zbuloi se tête-á-tête mes të dyve do të mbahet në Nju Jork: “Supozohet që ne nuk duhet ti shohim për gjithë natën ata”, shtoi ai me shaka.

    Mary Kathlene dhe James nuk e njohin ende njëri-tjetrin. Iniciativën e morën fëmijët përkatës. McConaughey, një muaj më parë, duke folur për sitin Mashable, kishte hipotizuar një takim. Takim që tani do të zhvillohet vërtet. I martuar me Camila Alves dhe baba i tre fëmijëve, Levi, 11 vjeç, Vida, 10 vjeç dhe Livingston, 7 vjeç, McConaughey e ka bërë gjithmonë nënën pjesmarrëse në punën e tij, aq sa ajo shpesh e ka shoqëruar edhe në tapetin e kuq sëbashku me gruan e tij. Dhe jo vetëm për krenarinë e nënës: Mary Kathlene e adhuron kinemanë dhe do të dëshironte të ishte pjesë aktive e asaj bote.

    “Ajo thotë se e bën këtë gjë vetëm për të parë, por unë i them gjithmonë: “Nëse do të kisha qenë një llogaritar në Chicago, a do të vije të më shihje kaq shpesh!” Ëndrra e fshehtë e mamasë McConaughey? Redo The Graduate, ajo në rolin e zonjës Robinson, e interpretuar nga Anne Bancrof në filmin origjinal, dhe i biri në rolin që u luajt nga Dustin Hoffman. “Babai më vdiq në 1992 dhe burri i saj nuk është më prej dy vjetësh, kështu që nëna ime është single dhe ende plot jetë”. Kështu lindi ideja për ta takuar me single-in James, i ve që nga viti 2001, kur gruaja e tij Finvola, nëna e Hugh, vdiq. Kush e di si do të përfundojë. Fëmijët e aprovojnë, gjithçka që mbetet është të presim një shkëndijë të mundshme.

  • Ermal MULOSMANI – Ramushi vs Rama

    Ermal MULOSMANI – Ramushi vs Rama

    Gjithçka filloi më 16 Shkurt të vitit 2018, një natë përpara përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, deklaroi në një intervistë: ‘Tema e Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi ishte një temë e shpikur nga Ramush Haradinaj’. Në reagim të kësaj deklarate, Haradinaj i kujton Ramës që është Kryeministër i një shteti tjetër dhe duhet të merret me punët e atij shteti. Të nesërmen ishte përvjetori i pavarsisë, Rama mori shuplakë publike dhe duhej të gjente një zgjidhje… Me bisht ndër shalë, Kryeministri fjalëgjatë e mendimshkurtër zbythet nga qëndrimi i tij dhe i shkon në shtëpi Ramush Haradinajt për t’i kërkuar falje. Për të mbyllur këtë histori publikon një foto ku të dy dalin me një gotë raki si ‘shenjë e pajtimit’.

    Ky moment shënon edhe fillimin e fundit të një raporti të vështirë mes dy Kryeministrash të dy shteteve shqiptare. Duket që Edi Ramën e mundon hija e një Kryeministri që nuk ia lë mangut në përgjigjet publike. Ai gjithmonë kishte parë Hashim Thaçin si lider në Kosovë, ai ishte ‘homologu’ paçka se në detyrën e Kryeministrit ishte Isa Mustafa apo Ramush Haradainaj. Nënshtrimi publik, dhe për më tepër, falja publike që u detyrua t’i bëjë Ramush Haradinajt, duke i vajtur në shtëpi, nuk gëlltitej lehtë…Përgjatë dy viteve që bashkëjetuan si Kryeministra do kishin shpesh raste për t’u kundërvënë, për t’u sharë e mallkuar me mend e me zë. Por fillimi ishte ajo ditë.

    Edi Rama shkëlqeu në daljen e vet të parë në Serbi, në vitin 2014. Të gjithë e mbajmë mend euforinë që shkaktoi në opinionin shqiptar, në të dyja anët e kufirit, dhe marazin e Vuçiç shprehur përmes heqjes së kufjeve të përkthimit. Kryeministri serb, ndoshta i prerë në besë, kuptoi shumë shpejt që ato fjalë ishin thënë vetëm sepse ‘duheshin thënë për konsum të brendshëm të Ramës’.

    Por ishte hera e fundit që do të merrte mërzi nga Rama.

    Ia bëri të qartë vetë Edi Rama kur shtoi ‘Aleksandër hajde edhe ti dhe thuaje të vërtetën tënde në mes të Tiranës dhe askush nuk do të censurojë’. Kjo deklaratë e asaj kohe ishte një konfirmim i parëndësisë që Kryeministri Rama i jep deklarimeve publike. Ndoshta ajo deklaratë edhe e nxiti Aleksandër Vuçiç 5 vjet më vonë që të thoshte se ‘Masakra e Raçakut ishte shpikje e perëndimorëve’. Ndoshta jo pa qëllim, në vigjilje të vizitës në Tiranë…

    Vuçiç mund të deklarojë gjithçfarë broçkullash të dojë por jo edhe Haradinaj!

    Epshi që nxit hakmarrja ndaj heroit të lirisë së Kosovës dhe armikut më të madh të Serbisë, kaloi edhe imagjinatën më të çmendur me aktin e dorëzimit të padisë kundër tij! Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk kanë qenë kaq afër Ramushit sa sot. Dufi i zemërimit popullor ndaj aktit të papërgjëgjshëm të Kryeministrit të Shqipërisë e kalon edhe trishtimin, mërzinë dhe solidaritetin që ndjemë ndaj Ramushit kur u dorëzua në Hagë në 2005-ën. Atëherë ishim të mërzitur për fatin e Ramushit sot jemi të çmendur për çmendurinë e Kryeministrit tonë!

    Më 26 Nëntor, në mëngjes herët, Shqipërinë e goditi një tërmet i tmerrshëm, shkatërrues, vdekjeprurës. Të ngratët ne u zgjuam të tmerruar, të paorganizuar, të çorientuar. Vetëm 4 orë pas shkatërrimit, grupe zjarrfikësish pa mjete mbërritën në rrënoja të mbushura me njerëz që përpiqeshin me duar të hiqnin mbeturinat, me qysqi dhe vetëm një vinç karkalec. Ishin pamje qyqare të një shteti qyqar, të varfër por me një Kryeministër pordhac. Trishtimi ishte i madh derisa varganët e kamionëve të ushtrisë së Kosovës mbushën rrugën e Kombit! Në tmerrin e fatkeqësisë tonë shkëlqeu organizimi i një shteti të ri. Ramush Haradinaj u zgjua herët atë natë, organizoi gjithçka me ritmin e një Komandanti lufte dhe nisi kamionët e shpresës, profesionistët e shpëtimit, të pajisur me mjete moderne… Lotë na shpërthyen ato ditë, fotot e atyre kamionëve do të jenë të fiksuar në memorien e të gjithë shqiptarëve bashkë me falenderimin për Kryeministrin Haradinaj. Por Edi Rama nuk gjeti kohë për Ramushin edhe në këtë tragjedi.

    Ishte i zënën me hartimin e akt padisë së turpit!

    Ethet e marazit ia errësuan arsyen deri sa të humbasin edhe të fundmin idhtar të tij në Kosovë, në mënyrë të pakthyeshme. Ndër të gjithë veprimet e Edi Ramës ky është më i turpshmi. Të paktën deri sot se nesër kurrë nuk i dihet.

    Tema e padisë është fare e parëndësishme. Them e parëndësishme në raport me dëmin që sjell kjo padi. Sot media serbe hapej me titujt ‘Rama padit Haradinajn, shkak Serbia’.

    Të isha në vend të Ramushit nuk do merresha me atë gjyq fare. Le ta fitonte Rama. Do të ishte Ramushi ai që do të shkëlqente me elegancën, tolerancën dhe shpirtgjerësinë e një shqiptari të madh.

    A do e imagjinonte Rama një fitore të tillë? Një fitore përplot vërshëllima neverie shqiptarësh.

  • Klodian TOMORRI – Kritikat irracionale ndaj Bashës

    Kritikat ndaj Lulzim Bashës se pse e uli opozitën në reformën zgjedhore janë ushqim i mirë për turmat. Por politikisht, rikthimi i Partisë Demokratike në rrugen institucionale ishte gjeja më racionale për t’u bërë.

    Sot qeveria e ka humbur maxhorancën në popull. Në këto kushte opozita duhet të ketë vetëm një mision dhe qëllim. Të çojë vendin sa më shpejt në zgjedhje.

    A ka rrugë tjetër që një parti politike të vijë në pushtet përveç zgjedhjeve? Sigurisht që po. Pushteti mund të merret përmes dhunës, revolucionit ose grushtit të shtetit. Dhe një parti që kërkon të marrë qeverinë në këtë formë, nuk ka pse të ulet në tryezën zgjedhore. Thjesht armatos popullsinë dhe vë shqiptarët të vriten me shqiptarët.

    Nëse kjo është ajo që kërkojnë militantët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, atëherë Lul Basha duhet të japë dorëheqjen sepse ai nuk përfaqëson më vullnetin e mbështetësve të PD-së. Zgjidhet një kryetar i ri me background të fortësh dhe opozita ka të gjithë të drejtën e saj për t’i hyrë aventurave të rrezikshme.

    Kjo është rruga që mund të eksitojë radikalët. Rruga tjetër është ajo e zgjedhjeve paqësore. Dhe një opozitë mund të shkojë në zgjedhje në dy mënyra. Ose duke pranuar totalisht rregullat që i vendos kundërshtari, ose duke thënë- e madje imponuar fjalën e saj në tryezën ku vendosen rregullat.

    Këtë bëri opozita një ditë më parë. Dhe politikisht, matematikisht kjo ishte gjëja më racionale që mund të bënte.

    Kritikat ndaj opozitës mund të qëndrojnë në çdo kohë. Gjithsekush ka të drejtë të kritikoje. Por sot opozita dhe Lulzim Basha kanë vetëm një mision. Të çojnë vendin në zgjedhje duke pasur maksimumin e garancive që zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme. Aventurat i eksperimentoi një herë në zgjedhjet e shkuara lokale. Dhe edhe pse ai vendim i eksitoi radikalët njësoj siç mund t’i eksitojë bojkoti i reformës zgjedhore sot, rezultatin e panë të gjithë.

  • Enton PALUSHI – Një fitore tjetër e opozitës së Bashës në një luftë të vështirë

    Enton PALUSHI – Një fitore tjetër e opozitës së Bashës në një luftë të vështirë

    Kur një nga deputetët e Bundestagut gjerman mbajti një fjalim në seancën ku do të miratohej rezoluta me kushtet për Shqipërinë, theksoi se ata nuk do të mashtroheshin më nga manovrat që bën qeveria shqiptare. Këtë herë rezoluta ishte e kopsitur dhe të gjitha pikat e saj kishin një qëllim: realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Opozita shqiptare e Lulzim Bashës kishte arritur një fitore të rëndësishme: Fati i integrimit të Shqipërisë ishte lidhur pashmangshmërisht me nevojën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

    Duke respektuar një nga pikat e kësaj rezolute, opozita arriti të imponohej ndaj mazhorancës edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve për të krijuar një Këshill Politik, i cili do të miratojë reformën zgjedhore me konsensus të palëve dhe ndihmën e ekspertëve të huaj, kurse parlamenti skandaloz do të kthehet vetëm në noter të saj.

    Të gjithë e dinë se rezoluta e Bundestagut gjerman është varianti më i mirë për integrimin e shqiptarëve në Bashkimin Europian, një integrim që e dëshirojnë mbi 95 përqind e shqiptarëve. Demokratët duhet të jenë krenarë se kjo është puna e tyre, duke treguar edhe njëherë se janë partia e madhe e shqiptarëve, e cila e ka çuar përpara dhe po e mban akoma gjallë narrativën e integrimit pro-perëndimor. Kurse kundërshtarit i ka vdekur kjo narrativë, ndaj e shihni teksa përpëlitet mes historive me Mini-Shengenë, me turq, serbë, rusë, kinezë, me hoxhallarë e me priftërinj.

    ***

    Takimi i parë i Këshillit Politik për reformën zgjedhore ka prodhuar plot reagime dhe ndjeshmëri që kanë në fokus opozitën shqiptare. Kur e sheh fluksin e komenteve, nga një anë e kupton se është mirë që njerëzit i kanë pritshmëritë e larta te opozita, pasi te e fundit mendojnë se ajo është e ardhmja, kurse Edi Rama është e shkuara. Por nuk mund të mos vësh re pa dëshpërim se problemin më të madh nuk e kemi me atë që ka dhunuar të drejtën e votës, por me të dhunuarin. Psikologët thonë se ‘teoria e fajësimit të viktimës’ është shumë e përhapur. Ajo e ka mbi të gjitha bazën te besimi se bota është e drejta dhe gjithkush merr atë që meriton. Mirëpo nëse keni jetuar në Tokë dhe jo në ndonjë planet tjetër, duhet ta dini se bota nuk është e drejtë dhe jeta është një luftë e vazhdueshme në kërkim të së mirës. Edhe opozita shqiptare do donte që Shqipëria të ishte e drejtë, që Damian Gjiknuri, Vangjush Dako e shumë të tjerë të ishin në burg për blerjen e votave. Edhe ajo do donte që qeveria të ishte larguar me kohë pasi e ka rrënuar vendin. Edhe ajo do donte që pas protestave masive dhe skandaleve të shumta, Edi Rama të kishte dhënë dorëheqjen si në çdo vend normal. Mirëpo ne nuk jemi vend normal dhe kjo e bën këtë luftë akoma më të vështirë. Çdo zgjidhje e lehtë që ofrohet mbetet vetëm populizëm për konsum mediatik.

    Pastaj, mos harroni se çdo nismë ligjore do e miratojë një parlament i caktuar. Thonë se karma është lavire, ndaj mund të sillni në kujtesë ata deputetë dhe ish-deputetë, të cilët i urreni me të drejtë, që u detyruan të miratojnë me duart e tyre një ligj ekstremisht të ashpër kundër tyre, si ai i dekriminalizimit, i propozuar nga opozita. Kështu do bëjnë edhe me reformën zgjedhore, kështu do bënin edhe me vetingun në politikë, nëse do ia kishin pranuar opozitës. Më mirë me miratimin e tyre.

    ***

    Hapi i sotëm vetëm sa nis një rrugë. Pjesa më e vështirë nuk do të jetë miratimi i reformës, por zbatimi i saj. Të gjithë e dimë se ka ligje të mira që nuk zbatohen sepse mungon presioni mbi të gjithë ata që që do merren me zbatimin. Kjo ishte arsyeja se përse opozita dogji mandatet dhe doli në rrugë. Sot e çdo ditë më shumë është më e vështirë të luash me votën e shqiptarëve.

    Kjo është arsyeja se përse duhet vazhduar presioni për ta bërë votën e lirë të shqiptarëve një të drejtë të shenjtë. Po të mos ishin protestat e opozitës dhe presioni ndërkombëtar, ndoshta tani nuk do ishit kaq të zemëruar kur përmendet emri i Gjiknurit. Po të mos ishte aftësia e opozitës për ta ngjitur çështjen e zgjedhjeve në krye të axhendës politike, sot do ishit duke diskutuar për herë të N-të mbi çmimet që ka marrë sheshi Skënderbej si e vetmja arritje e qeverisjes së Ramës.

    Ndaj le ta ruajmë këtë presion duke kujtuar se historia e zgjedhjeve të lira në Shqipëri është e lidhur ngushtë me problemin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka depërtuar në çdo qelizë të shoqërisë.

    Dan Ariely, një psikolog me nam botëror, thotë se studimet e tij tregojnë se një lider i korruptuar e korrupton të gjithë shoqërinë. Një lider i kriminalizuar e kriminalizon të gjithë vendin. Ndaj, pasi vendi është mbushur me drogë dhe mjerimi është ulur këmbëkryq, nuk keni pse lemeriseni kur shihni lajme si ai i Mallakastrës ku një tufë adoleshentësh vrasin dhe përdhunojnë një grua pas pazareve për drogën. Të mirat dhe të këqijat e një vendi e kanë një gjenezë: votën.

  • Gentian GABA – Të gjithë jashtë sistemit, të gjithë në pritje të Ideve të Marsit

    Gentian GABA – Të gjithë jashtë sistemit, të gjithë në pritje të Ideve të Marsit

    Një moment i ri politik ka nisur prej mbrëmjes së 26 Shtatorit të vitit të sapo mbyllur, kur Bundestagu votoi kushtet që diktonin zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Ndonëse ky dokument doli nga parlamenti gjerman, dukej i shkruar në Bulevardi Zhan Dark nr 11.

    Në gjermanisht kërkohej, midis të tjerash, ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votës, sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese të ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, miratimi i Reformës Zgjedhore dhe implementimi i saj. Vetëm për shkak të mosmarrëveshjes me Macron mbi vendin tonë, ky dokument nuk u kthye në një vendim zyrtar të Bashkimit Europian.

    Megjithatë, Bundestagu është mëse i mjaftueshëm, kur mendojmë se mazhoranca politike e vendit më të fuqishëm në Europë, ka kërkuar që krimi zgjedhor të ndëshkohet, sikurse e ka kërkuar edhe opozita shqiptare. Dhe kështu vijojnë të gjitha pikat që kushtëzojnë veprimtarinë e mazhorancës të dalë nga ato zgjedhje për të cilat Bundestgu, dhe opozita shqiptare, kërkojnë ndëshkime.

    Ishte ky momenti në të cilin opozita hoqi dorë nga kushti i ‘Rama ik’, për të përqafuar 9 kushtet, të cilat nuk shpërblenin vetëm qëndrimin e opozitës, por përbënin hartën me të cilën dilet nga labirinti i krizës në të cilën Rama ka futur vendin. Meqenëse jo përherë harta përkon me territorin, tërmeti u përdor për të fituar kohë, me vonesë, pas ngritjes së SPAK, kemi mbërritur te një tjetër etapë që çon në zgjidhjen e krizës, Reforma Zgjedhore.

    Dinakëria e Ramës e kishte shtyrë të vendoste në krye të Komisionit të Reformës Zgjedhore një nga personazhet e dosjes së Dibrës. Një zgjedhje taktike për të pasur diçka për të lëshuar, nëse do t’i kërkohej nga partnerët ndërkombëtarë, por edhe një mjet për ta bërë opozitën refraktare, me qëllim që pesha e një mosmarrëveshjeje, për shkak të kushteve të vendosura për të larguar Gjiknurin, t’i mbetej Bashës. Por, sikurse ndodh në çdo ndërveprim politik, të gjithë janë të detyruar të heqin dorë nga diçka.

    Andaj, për të marrë tryezën në të cilën u ngrit Këshilli Politik, që de facto nxjerr jashtë sistemit edhe Partinë Socialiste, rrëzon Parlamentin e dalë nga votat e niçeve, si dhe për të adresuar me forcën e vetos të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR në lidhje me çështjet zgjedhore që çuan në krizën aktuale, opozita ka pranuar një forum atipik. Ky i fundit duhet të mbyllet brenda Ideve të Marsit, ditën që në histori mbahet mend si ajo në të cilën u vra Jul Cezari, duke diktuar rrugën drejt zgjedhjeve të reja.

    Kësodore, për të mos ofenduar veshët delikatë të atyre që kërkojnë nga të tjerët më shumë se c’japin vetë, nuk do të flasim për një fitore të opozitës. As për triumf të strategjisë së saj për të çliruar zgjedhjet nëpërmjet presionit të brendshëm dhe të jashtëm, jo detyrimisht të qartë për syrin e çdo konsumuesi të kafesë, por për një kapitullim me kushte të kundërshtarit.

    Sepse pas Reformës e ka radhën 30 qershori, ndërsa pas 30 qershorit e kanë radhën prangat. Ndoshta jo për Ramën, por për ata që kanë futur duart në vend të tij në zgjedhje, zërat e të cilëve janë bërë të njohur për gjithë Kontinentin e Vjetër nga Bild, dhe njihen në ‘Kontinentin e Ri’ për statusin ‘të padëshiruar’, si një medalje turpi për krimet e kryera në funksion të pushtetit të Rilindjes.

    Pra, falë protestave dhe sakrificave të popullit opozitar; fal djegies së mandateve dhe ekspozimit si qytetarë ndaj një pushteti arbitrar; falë betejave si ‘Dekriminalizimi’ dhe denoncimit të lidhjeve të Ramës me krimin, opozita po ia mbërrin t’i japë fund aventurës së pandërprerë të politikanit që ka gëzuar, jo rastësisht, më shumë pushtet gjatë gjithë tranzicionit.

    Një vit më parë, askush nuk do ta imagjinonte këtë moment. Të gjithë janë jashtë sistemit, të gjithë janë në pritje të mesit Marsit. Një ditë që mund të prodhojë një datë zgjedhjesh, ndërsa për ata që kërkojnë më tepër sesa zhbërja e simbiozës me krimin, lipset një Parlament legjitim. Por këtë le t’ia lëmë asaj që do të vijë pas 15 Marsit. Idat nuk kanë qenë asnjëherë dashamirëse ndaj aspirantëve për diktator.

  • Edi DELIU – Sfiduesit e fiksuar të Formula 1

    Edi DELIU – Sfiduesit e fiksuar të Formula 1

    Është një Formula 1 që fluturon tërësisht drejt së ardhmes ajo që po hedh hapat e saj gjatë këtyre javëve. Skuadrat në punë mbi njëvendëshet 2020 por me vështrimin hedhur edhe në vitin pasardhës, në atë ku parashikohet një revolucion i ri me, shpresojmë, skenarë të rinj. Nëpër repartet e garave të protagonistëve Botërorit të F1, puna është konstante, e pandërprerë, e rreptë për t’i qëndruar besnike të shifrave të sakta e ndonjëherë edhe të ankthshme të mbledhura më parë ndërkohë që blindohen big-ët e destinuar për të luajtur një rol kryesor në luftën për titull të sezonit që do të vijë.

    Pas kontratës afatgjatë të nënshkruar nga Charles Leclerc me Ferrarin, mbërriti edhe ajo që blindon Max Verstappen-in në Red Bull deri në vitin 2023. Lëvizjet këto që parathonë të ardhmen, të destinuar për të bllokuar skakierën e lëvizjeve edhe nëpër shtëpitë e të tjerëve.

    Në pritje për të zbuluar se kur edhe Leëis Hamilton do të rinovojë me Mercedes. E vetmja gjë e qartë është që në sezonet e ardhshme, 6 herë kampioni i botës do të duhet të merret posaçërisht me dy rivalët e rinj Leclerc dhe Verstappen. Po, Charles dhe Max, talente puro, të gatshëm për t’u përballuar me të ardhmen ballë për ballë, të sigurt, të etur për sukses, të dëshiruar për të filluar shkrimin e një histori tjetër…

    Faktikisht, përsa i përket ngjarjeve, këtë javë, ka disa për t’u lexuar në vijim këtu, në “GazetaTjetër.eu.org”, gjatë vitit 2020. Ku edhe Dakari do të gjejë hapësirën që meriton. Përveç batutave të para të një gare që pas etapave të para sheh një Carlos Sainz leafer, në timonin e Mini-t, intervista me Jackie Ickx dhe Hubert Auriol janë një argëtim i vërtetë për të gjithë të apasionuarit.

    Jo më pak do të jetë edhe takimi ballë për ballë me Fernando Alonso-n që ritheksoi pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje të madhe, që duke nisur nga ky vit ka gjetur ‘atdheun’ e ri në Arabinë Saudite, një çmenduri e vogël brenda karrierës së tij.

    E së fundi, është gati edhe Rally World, që do të nisë më 23 janar në rrugët ikonike të Rally Monte Carlo-s.

  • Është Mbappè futbollisti më i shtrenjtë në botë (265.2 milionë euro)

    Është Mbappè futbollisti më i shtrenjtë në botë (265.2 milionë euro)

    Francezi i PSG në moshën 21 vjeç i mund të gjithë. Messi është vetëm i teti, ndërsa, Cristiano Ronaldo edhe në vendin e 49-të në listën e hartuar nga Cies, Observatori Ndërkombëtar i Studimeve Sportive

    Futbollistët, siç e dimë e kanë çmimin e kartonit të varur pas qafe, të ngjitur me jakën e fanelës dhe për ta mësuar çmimin e tyre duhet kaluar barkodi. Ka menduar Cies – Observatori Ndërkombëtar për Studime në Sport – për të fiksuar, falë një algoritmi që ka marrë parasysh çështje të ndryshme (mosha, performanca, transferimet, kostot dhe përfitimet në fushë dhe shoqëri), çmimet e 100 futbollistëve top-player-ve në botë.

    Në listë ka shumë surpriza. Në vend të parë, me mjaft distancë, është francezi Kylian Mbappè, i vlerësuar 265.2 milionë euro, shifër ekuivalente me 53 Bugatti Divo, që është makina më e shtrenjtë në botë. Mbappè, djali i një familje me origjinë nga Kameruni, është 21 vjeç, ai ka fituar tashmë Kupën e Botës me Francën në 2018 dhe para pak muajsh mbërriti në kuotën e 100 golave në karrierë, përpara cilitdo tjetër lojtari në botë, në moshë mjaft të re 20 vjeç dhe 173 ditë (rekord). Kështu: Në moshën e Mbappè, Messi kishte shënuar 51 gola, Cristiano Ronaldo vetëm 36. Kështu, për Mbappè mund të thuhet se vlen ajo që thotë njëri prej protagonistëve të “Sex and the City”: “Në moshën njëzet vjeçare ke muskuj tonikë, të emocionon çdo përvojë e re dhe e di që jeta është plot me mundësi të pafundme”. Mbappè është sot lojtari me vlerën më të lartë në botë.

    Në podium bashkë me francezin janë edhe dy lojtarë nga Premier League, i cili konfirmohet si kampionati më i pasur në botë me plot 11 lojtarë nga 20 kryesuesit që vlerësohen me mbi 100 milionë euro. Në vendin e dytë gjejmë Raheem Sterling të Manchester City-t (vlerësohet 223.7 milionë), xhamajkan i natyralizuar anglez, yll diamanti i ekipit të stërvitur nga Guardiola. Në vendin e tretë ja tek shfaqet Momo Salah, egjiptiani që ka luajtur edhe për Fiorentinën dhe Romën dhe tani po provon fatin me Liverpool-in: është vlerësuar 175.1 milionë. Surprizë, siç thamë: Leo Messi – fituesi i freskët i Topit të 6-të të Artë në dhjetor – është vetëm i 8-ti (është vlerësuar 125.5 milionë); ndërsa Cristiano Ronaldo – që u paraqit këtë fillim viti 2020 në formë të shkëlqyeshme – është në vendin e 49-të. CR7-a është vlerësuar me 80.3 milion.

    Vazhdojmë: i pari përfaqësues i Serisë A italiane është argjentinasi i Interit, Lautaro Martinez i mbiquajtur “El Toro”, protagonist i shkëlqyeshëm i një fillimi të jashtëzakonshëm të sezonit për Nerazzurrët të udhëhequr nga Antonio Conte: për të vendi i 10-të në klasifikimin Cies dhe 115, 7 milionë vlerësim, sa gjysma e Mbappè-së. Jo shumë larg është edhe shoku tjetër i skuadrës, “Gjiganti i mirë”, Romelu Lukaku (100.2 milionë). Të tjerë përfaqësues të Serie A shohim: mesfushorin spanjoll të Napolit, Fabian Ruiz (në vend të 30-të, vlerësimi 91.4 milionë) dhe argjentinasi i Juventusit, Paulo Dybala (në vend të 31-të, 91.2 milionë).

    MBAPPE’

    Talenti i PSG është vlerësuar në 265.2 milion

    ZANIOLO

    Me 86.3 milionë, verdhekuqi është i pari italian në listën e Cies

    DYBALA

    Kuotim në rritje (91.2 milionë) për lojtarin e Juventus

    BARELLA

    Interisti është i dyti italian në listë (82.1 milionë vlerësim)

    CRISTIANO RONALDO

    Vetëm vendi i 49-të për CR7 (i vlerësuar 80.3 milion)

    LUKAKU DHE LAUTARO

    Dy sulmuesit e Inter-it janë përkatësisht në vend të 20-të dhe 10-të në renditje: të dy mbi 100 milionë

    STERLING

    Sulmuesi i City-t është futbollisti i 2-të më i shtrenjtë në botë (223.7 milionë)

    MESSI

    Vetëm vendi i 8-të për fituesin e fundit të Topit të Artë

    SALAH

    Egjiptiani i Liverpool-it është i treti, me një vlerësim prej 175.1 milionësh