Blog

  • Bella Hadid, femra më e bukur në botë… sipas matematikës

    Bella Hadid, femra më e bukur në botë… sipas matematikës

    Për të nxjerrë fituesen ka menduar ekuacioni grek ‘Golden Ratio’, i cili llogarit bukurinë sipas disa standardeve dhe match-i i Më të Bukurës është tepër i lartë

    Bota ka një mbretëreshë të re dhe emri i saj është Bella Hadid. Një nga vajzat më të ndjekura të globit nuk është më mbretëreshë vetëm falë thashethemeve të historisë së saj të dashurisë on/off me The Weeknd por ajo është tashmë gruaja më e bukur në botë edhe sipas një renditje që ndjek modelin grek të bukurisë dhe perfeksionit të tipareve të fytyrës.

    Në këtë renditje, motra e vogël e Gigi Hadid mundi Beyoncé, që u rendit vetëm e dyta, e ndjekur nga aktoret Amber Heard dhe nga Ariana Grande në vendin e katërt. Po ti je dakord? Bukuria klasike e Bella dhe tiparet e fytyrës dhe syve të saj arritën shkallën më të kartë të pikëzimit në klasifikimin e Golden Ratio of Beauty, që llogarit Beauty Phi, një lloj koeficienti matematikor me të cilin grekët e lashtë vendosnin nëse një grua e përfaqësonte bukurinë në kuptimin absolut.

    Studimi u krye nga Dr. Julian De Silva, ekspert i kozmesit dhe drejtues i Centre For Advanced Facial Cosmetic & Plastic Surgery në Londër. E nëse emri nuk duket i ri për ju ndodh sepse është i njëjti doktor që ka krahasuar Meghan Markle dhe Kate Middleton, duke zgjedhur si një bukuri unike dhe të paharrueshme Dukeshën e Sussex që për nga tiparet e fytyrës mbërrinte kuocientin e Beauti Phi më të lartë se kunata.

    Në këtë klasifikim të re për gratë më tërheqëse të botës është Bella ajo që ia ka arritur, duke mposhtur Beyoncé për pako gjë: në llogaritjen e Beauty Phi, vlejnë pozicioni dhe distanca e syve, madhësinë e buzëve dhe detajet të tjera të vogla që sipas grekëve përfaqësonin bukurinë absolute. Edhe pse për të mbështetur këtë teori ka statistika – madje edhe Leonardo da Vinci shfrytëzoi ekuacionin për të vizatuar ‘Njeriu Vitruvian’ – mbase me bukurinë femërore diskutimi mund bëhet më i gjerë. Sot koncepti është më fluid dhe papërsosmëritë e vogla që dikur konsideroheshin të dwmshme, sot i japin shije një fytyre dhe një trupi duke e bërë atë unike: Grekët do të kenë gjetur edhe formulën e bukurisë, por ne kemi zbuluar se si ta heqim dhe ta bëjmë përsëri!

  • Erl KODRA – Bëje ndryshe Albin Kurti, çka po pret?

    Erl KODRA – Bëje ndryshe Albin Kurti, çka po pret?

    Duke parë e dëgjuar lëvizjet e Albin Kurtit, bashkë-fituesit të zgjedhjeve të fundit parlamentare të Kosovës, është e pamundur të mos ndjeshë njëlloj shije të shëmtuar nga retorika e ngarkuar plotë elokuencë perfide e gjuhës së tij.

    Albin Kurti mund të jetë tejet interesant si një opozitar revolucionar, i paepur para “armiqëve” të LDK-së. Gjithashtu, Albini mund të jetë njëlloj ideologu që të merr mendtë e kresë, sidomos për një pjesë të elektoratit. Në të vërtetë, unë kam bindjen se pjesën më të madhe të suksesit politik e ka arritur pikërisht nëpërmjet propagandës perfekte, duke prekur hallet e mëdha të Kosovës. Deri më sot Albini vetëm “ka thënë” pa bërë asgjë, domethënë, ai vetëm ka thënë se “kështu nuk bëhet, por bëhet ndryshe”. Bëje ndryshe Albin, çka po pret?

    Sot është koha që Albin Kurti, nga e thëna, të hidhet tek e bëra, pa vonesa, pa cicmice. Është koha që të zhveshë pelerinën e revolucionarit dhe të veshë kostumin e shtetarit.

    Gjendjen politike e kuptojmë kryesisht nëpërmjet medias. Dekleratat janë publike, veprimet po ashtu. Pjesën e nëndheshme nuk e shohim, por ajo përceptohet pikërisht nga dekleratat dhe veprimet e protoganistëve. Ndoshta gabohem, por duket se Albin Kurti po heziton të marrë përgjegjësitë e Kryeministrit të Kosovës. Ose po përton, ose po luan lojë të pisët. Se ku do të dalë, akoma nuk lexohet qartë.

    LDK është një parti e madhe dhe historike. Intelektualët më në zë të Kosovës kanë qenë dhe janë mbështetësit e mëdhenj të saj, ndërsa votuesit gjenden në qytetet kryesore të vendit. Në këtë kuptim, LDK është një ndër asetet më të çmuara të shqiptarëve në Kosovë. Në këtë kuptim, LDK-ja nuk mund të krahasohet me VV-në.

    Rrethanat tregojnë se tani mbeten këto variante:

    a) Nuk ka marrëveshje mes VV dhe LDK, por Albin Kurti krijon një qeveri pakice, e cila votohet nga LDK. Kjo do të jetë një qeveri tejet e dobët, pa jetë të gjatë, sidomos duke patur parasysh ambiciet dhe qasjen politike të Albin Kurtit.

    b) Marrëveshje mes VV dhe LDK, por e imponuar nga faktori ndërkombëtarë. Edhe kjo lloj qeverie do të jetë e dobët, e cila mund të reflektojë shpejt pakënaqësitë mes palëve.

    c) Mos aftësi për të krijuar një qeveri dhe zgjedhje të jashtëzakonshme. Në këtë rast, me shumë gjasa, Albin Kurti dhe VV nuk do të dalë parti e parë.

    Me gjasë, qysh kanë ardhë punët, durimi i qytetarëve të Kosovës po soset, dhe përgjegjësi është Albin Kurti.

  • Coco Chanel/ “Keni vetëm një jetë, do të ishte më mirë të ishit argëtues”

    Coco Chanel/ “Keni vetëm një jetë, do të ishte më mirë të ishit argëtues”

    Falë dizenjimeve të saj inovative, veshjet e grave u shndërruan në pjesëza estetike, ndryshe nga veshjet kufizuese deri në Luftën e Parë Botërore

    Stilistja e famshme Coco Chanel karakterizohej nga një personalitet i fortë dhe karizmatik.

    Fëmijërinë e kaloi në jetimore, por instinktet e saj të biznesit të kombinuara me aftësinë për të parashikuar kohërat, kanë qenë faktor për një ndikim të madh social.

    Coco Chanel nxori në treg fustanin e ngushtë të zi.

    Ky ishte një revolucion që fisnikëroi një ngjyrë që deri atëherë përdorej vetëm në rastet e zisë.

    Nga ai moment, fustani tubino u bë shtylla e gardërobës femërore.

    Gjithashtu, në sajë të ndikimit të Coco Chanel, mënyra e të veshurit u bë më komode.

    28 thënie thëniet e saj shumë “të goditura” nga Coco Chanel

    1. Moda kalon, stili mbetet.

    2. Nuk pendohem për asgjë në jetën time, përveçse për atë që nuk kam bërë.

    3. Ka një kohë për të punuar dhe një kohë për të dashuruar, e cila nuk na lë kohë për gjë tjetër.

    4. Për të qenë i pazëvendësueshëm, duhet të jesh unik.

    5. Asnjë burrë nuk të bën të ndihesh e mbrojtur dhe e sigurt, sa një pallto kashmiri dhe një palë syze të zeza.

    6. Moda është shpikur për të dalë jashtë mode.

    7. Disa njerëz mendojnë se luksi është e kundërta e varfërisë. Nuk është ashtu. Thjesht është e kundërta e vulgaritetit.

    8. Ngjyra më e mirë në botë është ajo, e cila ju rri më mirë.

    9. Mos shpenzoni kohë duke goditur murin, duke shpresuar që do të transformohet në një derë.

    10. Jeta ime nuk më kënaqte, kështu që e krijova atë.

    11. Akti më i guximshëm është që ende të mendoni për veten tuaj.

    12. Butësia nuk i përfundon punët, përveç nëse jeni një pulë, e cila bën vezë.

    13. Vishuni çdo ditë, sikur do të takoni armikun tuaj më të keq!

    14. Ka njerëz të cilët kanë para dhe ka njerëz të cilët janë të pasur.

    15. Suksesi shpesh arrihet nga ata, të cilët nuk e dinë se dështimi është i paevitueshëm.

    16. Luksi duhet të jetë i rehatshëm, përndryshe nuk është luks.

    17. Një vajzë duhet të jetë 2 gjëra: kush dhe çfarë ajo dëshiron.

    18. Keni vetëm një jetë; do ishte më mirë të ishit argëtues.

    19. Nuk jam e re, por ndihem e re. Ditën që do të ndihem plakë, do shkoj në shtrat dhe do të rri atje. Mendoj se të jetosh është diçka e mrekullueshme.

    20. Moda ka dy qëllime: rehati dhe dashuri. Bukuria vjen kur moda ia arrin qëllimit.

    21. Vishuni keq dhe do mbajnë mend fustanin; vishuni shkëlqyer dhe do të mbajnë mend gruan.

    22. Me qënë se gjithçka është në kokat tona, do të ishte mirë të mos i humbisnim ato.

    23. Moda nuk është diçka që ekziston vetëm tek veshjet.

    Ajo është në qiell, në rrugë; moda ka të bëjë me idetë, me mënyrën e jetesës, me atë që po ndodh.

    24. Me shumë gjasë, nuk është e rastësishme që unë jam vetëm. Do të ishte shumë e vështirë për një mashkull të jetojë me mua, përveç nëse ai është tmerrësisht i fortë. Dhe nëse ai është më i fortë se unë, unë jam ajo e cila s’do të mund të jetonte me të… unë s’jam as e mençur, e as budallaqe, por mendoj se unë nuk jam një “rrjedhë e mullirit”.

    25. Kam qenë në biznes, pa qenë fare biznesmene.

    26. Kam dashuruar pa qenë fare një grua e bërë vetëm për dashuri.

    27. Dy burrat që i kam dashur, mendoj, do të më kujtojnë mua, në tokë ose në parajsë, sepse burrat e kujtojnë gjithmonë një grua, e cila i shkakton atyre ankth dhe shqetësime.

    28. Unë e kam bërë më të mirën, në lidhje me njerëzit dhe jetën, pa urdhëra, por vetëm me një shije për drejtësi”.

    10 FAKTE INTERESANTE QË NUK I DINIT MË PARË RRETH CHANEL

    Dihet tashmë që Chanel është një nga kompanitë më të njohura dhe të dashura të modës në botë.

    Por si çdo histori tjetër intriguese, edhe historia e Chanel përman një sërë detajesh për të cilat zor të kemi dëgjuar më parë.

    Suksesi i Chanel, sigurisht i dedikohet kryesisht themelueses, Coco Chanel, por mendja e saj krijuese ishte vetëm një pjesë e historisë.

    Në vijim do të gjeni 10 fakte të pabesueshme për të famshmen e modës, Chanel.

    • 1. Chanel No. 5 është parfumi më i shitur i të gjithë kohrave

    Pasi u lançua parfumi në vitin 1921, u kthye në një nga aromat më ikonë të shpikura ndonjëherë.

    Ishte parfumi i parë që shfaqi reklamë në Super Bowl dhe Andy Warhol e bëri të pavdekshëm më artin e tij.

    Sipas të dhënave të mbledhura në vitin 2014, është parfumi më i shitur i të gjithë kohërave.

    • 2. Chanel ishte marka e parë që krijoi radhë për blerjen e manikyrit të tij.

    Në vitin 1994, një artiste e makjazhit në shfaqjen e Chanel në Paris vuri re që thonjtë e një modeleje ishin të palyer dhe ajo do të ishte pjesë e një seti fotografik.

    Kështu që ia leu me një lapustil të zi.

    Më pas kërkoi që dikush t’ia shkëlqente me një nuancë tjetër.

    Kështu lindi edhe ngjyra e kuqe e errët e Chanel, manikyri që i bëri njerëzit të prisnin në rradhë.

    • 3. Coco Chanel shpiku kostumin për femra.

    Coco Chanel është shpesh identifikuar me femrat të veshura me pantallona dhe gjithashtu ishte stilistja e parë që i mendonte femrat të veshura me kostume.

    Ajo e revolucionarizoi modën për femra, që deri asokohe konsistonte në korse shtrënguese, funde të gjera dhe detaje shumë femërore.

    • 4. Dyqani i parë i Chanel në Paris nuk ishte një butik.

    Ndërkohë që shumë mund të mendojnë që historia e Chanel filloi nga krijimi i veshjeve, në fakt dyqani i parë u hap në vitin 1910 dhe kryesisht tregtonte kapele.

    Dyqani i parë i veshjeve u hap vetëm në vitin 1915.

    • 5. Reputacioni i Coco Chanel mori spunto nga kapelet e saj të famshme në Paris.

    Përpara se marka të bëhej e famshme në rang botëror, Coco Chanel e ndërtoi reputacionin e saj në sajë të kapeleve të famshme.

    Të njohura si Chanel Modes, kapelet pushtuan Parisin dhe çdo shoqëri tjetër që i kishte parë të paktën një herë.

    • 6. Katër nga Pesë butikët e parë të Chanel u mbyllën në vitin 1945 për shkak të Luftës së Dytë Botërore.

    Në vitin 1945, Chanel operonte me pesë butikë në Paris.

    Fatkeqësisht, po atë vit katër u mbyllën për shkak të luftës dhe vetëm një vazhdoi të shiste parfume dhe aksesorë të cilët ishin të kërkuar nga ushtarët që kalonin.

    • 7. Këpucët me dy ngjyra të Chanel kanë për qëllim t’i tregojnë këmbët të duken më të vogla dhe shalët më të gjata.

    Këpucët me dy nuanca të Chanel janë zyrtarisht ikona të modës.

    Por përpara vitit 1957, ky stil nuk ekzistonte.

    Coco Chanel punoi me këpucarin Monsieur Massaro për të prodhuar këpucët ikonë të cilat u krijuan për të kryer dy qëllime: t’i bënin këmbët të dukeshin më të vogla dhe shalët më të gjata.

    • 8. Çanta 2.55 u emërtua sipas datës kur ishte lançuar.

    Çanta ikonë e kësaj marke mund të mbartë një emërtim të çuditshëm por në fakt ajo është data e lançimit të saj: Shkurt 1955.

    • 9. Coco Chanel nuk e zotëroi kurrë plotësisht Shtëpinë e Chanel.

    Partneri i saj i biznesit, Pierre Wertheimer, mundej të përballonte vetëm 10% të zotërimeve të kompanisë, por ajo kurrë nuk e zotëroi të gjithën vetë.

    Tani kompania zotërohet 100% nga Alain dhe Gerard Wertheimer, pasardhës i Pierre.

    • 10. Çanta 2.55 bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë me kalimin e viteve.

    Çanta 2.55 është unike dhe në fakt vlera i rritet me kalimin e e çdo viti.

    Duke qenë se produkti është shumë i kërkuar, Chanel ia rrit çmimin dhe nuk do t’ju sugjeronim të prisnit pasi më vonë nuk do të jeni në gjendje ta përballoni fare.

  • Instagram na ndihmon të injorojmë ata që na shqetësojnë në internet

    Instagram na ndihmon të injorojmë ata që na shqetësojnë në internet

    Për adoleshentët që e jetojnë botën dixhitale si kryeqendrën e jetës së tyre të përditshme, një koment negativ, një mesazh fyes ose akte të tjera bullizmi virtual mund të dëmtojë më shumë madje edhe sesa ato që pësohen në botën reale. Për këtë arsye, platforma të tilla si Instagram janë aktivizuar prej kohësh për t’i mbrojtur, duke filtruar fraza agresive dhe të dhunshme (“toksike dhe përçuese” janë termat që përdoren nga rrjeti social në përshkrimin e kësaj punë) të lëna në tabelat e njoftimeve të anëtarëve të saj. Gjëja ndodh automatikisht, mjafton të zgjidhni një opsion në cilësimet, ose përmes një filtri fjalësh kyçe që mund të futen manualisht nga përdoruesi: terme të paqarta, të rënda, thjesht të padëshiruara dhe të pakapërdishme për ndjeshmërinë e secilit. Nëse përdoren, komenti hiqet menjëherë.

    Shtimi i intimitetit

    Por inteligjenca artificiale jo gjithmonë është në gjendje të dallojë shumë mirë, jo domosdoshmërisht eleminimi sistematik i disa përmbajtjeve bëhet vendimtar. Nga këtu, ideja e Instagramit për të eksperimentuar hapin tjetër: heqja e fjalës për ata që nuk e meritojnë. Jo në absolut, por vetëm ndaj nesh. Jo automatikisht, por pas ndërhyrjes sonë specifike. Dhe me një dinamikë inteligjente: në mënyrë që personin i cili është subjekt i sanksionit tonë mos ta kuptojë (të paktën në Instagram), për të shmangur inkriminimin e tij dhe mbase edhe më shumë për ta shtyrë atë të insistojë ose të shkojë përtej fyerjes së publikuar në një ballinën tonë. Ideja është ndërfutur në komandën «Mutes», e cila faktikisht u heq personit të përzgjedhur prej nesh disa nga prerogativat tipike të ndërveprimeve në platformë: ata nuk do të mund të shohin kur jemi aktiv në Instagram, as të dinë nëse kemi lexuar apo jo mesazhet e tyre direkte. Është sikur fjalët e tyre binin në vesh të shurdhër. Ata mbetën përgjithmonë të padëgjuar.

    Ti komenton, unë të injoroj

    Në veçanti, tekstet që na janë drejtuar nga ‘special mutes’ (etiketa që folëm më lart), do të zhvendosen në seksionin «Kërkoni mesazhe». Aty ku zakonisht përfundojnë spamet, përpjekjet për phishing dhe pjesa tjetër e hedhurinave që fiziologjikisht qarkullojnë nga pak në [do cep të rrjetit. Një element tjetër shumë interesant, diku midis gjeniales dhe talljes, është se ju mund t’i bëni komentet e bullistëve të padukshëm për ne dhe për pjesën tjetër të komunitetit, duke filluar pra nga ndjekësit tanë, në një kohë që të përjashtuarit nuk e kanë idenë për censurën e pësuar. Saktësisht: ata do të vazhdojnë të të shkruajnë atë që dëshirojnë, do ta shohin të shfaqet nën fotografi dhe video, do të mendojnë se është publike, në ekran, në realitet do të përfundojë në një harresë vetë-referenciale fiks vetëm për sytë e tyre. Ata do të gërvishtin egon e tyre prej bullistësh, por pa dëmtuar askënd. Në rast se teksti është i pranueshëm, nëse vendosim t’i hedhim një vështrim, herë pas here mund të lejojmë që ai të jetë publik. Në fakt, Instagram konsideron futjen e një lloj moderimi të përmbajtjes jo të diferencuar, as aprioristike apo të filtruar nga një makinë, por specifikisht drejt një injorimi total. Që padyshim ka rezultuar të jetë e bezdisshme për të merituar kaq shumë pakujdesi.

    Të menaxhoni me kujdes

    Synimet e rrjeteve sociale janë absolutisht të lavdërueshme: përpjekja për të qenë një hapësirë paqësore që priret të jetë e lirë nga rreziqet dhe ngacmimet. Por si çdo utopi, ka implikimet, rreziqet e saj dhe gjëra për t’u mbajtur në mend. Nëse, për shembull, ne vendosim të fshehim një histori nga dikush, duhet të sigurohemi që ajo të mos vihet në kontakt me ndjekësit e tjerë që e kanë parë atë dhe të mund ta komentojnë atë, apo më keq, bëjani të qartë miqve se përse e keni fshehur atë histori. Në mënyrë të ngjashme, bullisti i heshtur mund të luftohet edhe nëse ai nuk është pjesë e të njëjtit rreth miqsh, kolegësh, shokësh të klasës dhe rrethinës së viktimës.

  • Nga Red VARAKU – Për korin e sorrave ‘të pavarura’ që kanë nisur një sulm të koordinuar kundër Opozitës

    Edhe pse Shqipëria është në rënie të lirë që prej dhjetorit të shkuar, me një ekonomi që po shkon në deflacion dhe gati në prag të një përplasje civile, sërish ka sorra publike që as që i shqetëson fare kjo gjë, por i eksiton fakti që Rama vazhdon të jetë në pushtet.

    Shqipërisë nuk i kanë munguar gjallesa të tilla që mbijetojnë në nofullat e çakallit të rradhës në pushtet , madje parazitë të tillë i ka pasur gjithmonë në traditë. Shumë prej kësaj kategorie e kanë shijuar përbuzjen e këtij populli, por sërish nuk zenë mend. Me sa duket geni i tyre prej shërbëtori është më i fortë se sa ata vetë, kur vjen puna tek detyra që i ngarkon partia.

    Deri ketu është ok! Sigurisht, buka është shumë e rëndësishme për sorrat e pushtetit, por të sulmosh opozitën duke e konsideruar atë të dobët dhe të pafuqishme ngaqë nuk arriti ta rrëzonte me dhunë këtë qeveri, jo vetëm është dicka e pafytyrë dhe e pa takt, që të nxjerr hapur si ushtar të pushtetit, por njëkohësisht është edhe paburrëri.

    Sepse, nëse kjo Opozitë ka një meritë , është pikërisht përpjekja e saj (edhe pse me kosto), për të shmangur destabilizimin e vendit, nëpërmjet një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme. Fakti që ia ka dalë tregon që jo vetëm kemi të bëjmë me një Opozitë të fortë, por edhe një Opozitë të përgjegjshme, e cila nuk kërkon të vijë në pushtet duke shkelur mbi viktima.

    Nëpërmjet djegjes së mandateve dhe bojkotimit të zgedhjeve, ajo ia ka dalë ta delegjitimojë si kryeministër dhe të sensibilizojë jo vetëm opinionin publik shqiptar por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët të alarmuar nga situata në Shqipëri bllokuan integrimin dhe i kërkuan Ramës të largohej nëpërmjet nëntë kushteve të Bundestagut.

    Sigurisht, ajo nuk mund të angazhohet në rrëzimin e tij me dhunë. Ajo e ka të qartë që ndërperja në mes e mandatit të një qeverie, nëse një kryeministër nuk dorëhiqet me vullnet të lirë, bëhet vetëm nëpërmjet dhunës, por ajo e ka refuzuar një skenar të tillë që në fillim, sepse ajo i ka të qarta pasojat për vendin. Një ndërprerje e tillë mandati qeverisës ka ndodhur vetëm një herë në vendin tonë gjatë këtyre 30 vjetëve, në vitin e mbrapshtë 1997, nën grykën e kallashnikovëve dhe të gjithë i dimë pasojat që solli.

    Ndaj, duke qenë e vetëdijshme për pasojat që mund të sjellë një ndërprerje e tillë e mandatit të qeverisë, ajo e ka bërë të qartë që në nisje të aksionit të saj, që në pushtet do të vijë vetëm me votë dhe jo nëpërmjet viktimave, siç bëri Rama në 2013, apo PS në vitin 1997. Çuditërisht, në vend që të vlerësohet për këtë akt përgjegjshmërie, sulmohet pabesisht në mënyrë të sinkronizuar, nga hafije politike që lidhen drejtpërdrejtë me zyrën e Fugës në kryeministri .

    Rreziqet reale që po i sillen përqark Shqipërisë nuk po i vijnë nga Opozita, por po i vijnë nga sjellja e papërgjegjshme e këtij njeriu. Po i vijnë nga ekonomia e rrënuar, nga deformimet e brendshme të demokracisë dhe nga fenomene të tjera që nëse nuk zgjidhen shpejt e çojnë vendin detyrimisht drejt një përplasje të ashpër.

    Ky deformim është ekplozivi që e bën Shqipërinë rrezik për shqiptarët dhe rajonin. Dhe pikërisht ky zhvillim tejet negativ dhe eksplodues për të ardhmen e vendit, falë Opozitës tashmë është marrë seriozisht edhe nga ndërkombëtarët, të cilët unanimisht i kanë kërkuar Ramës të realizojë sa më shpejt zgjedhje të lira dhe të ndershme.

    Pallavrat dhe karagjozllëqet e Edi Ramës dhe tartabiqeve të tij që e shikojnë të keqen vetëm tek Opozita janë tymnaja që duan të fshehin atë që po ndodh para syve tanë, kapjen e institucioneve, shkatërrimin e zgjedhjeve të lira, bllokimin e integrimit dhe bllokimin e rotacionit me dhunë.

    Sigurisht, Opozita e ka bërë deri në fund betejën e saj për ta shmangur përplasjen, por kjo nuk mund të zgjasë pafundësisht. Nëse tenton të bllokojë me dhunë rotacionin, që do t’i garantojë Shqipërisë ëndrrën e madhe të integrimit, Edi Rama ta harrojë se mund ta gëzojë pushtetin me mandate të blera dhe të vjedhura.

  • Ish-inxhinieri i Yahoo që përgjonte gratë

    Ish-inxhinieri i Yahoo që përgjonte gratë

    Reyes Daniel Ruiz shfrytëzoi pozicionin e tij në ish motorrin e kërkimit për të gjetur foto dhe video porno në profilet e miqve dhe kolegëve

    Një ish-punonjës i Yahoo, kompani që deri para një dekade luftonte me Google për vendin e parë në fushën e shërbimeve të internetit (motor kërkimi, email, blog, etj.), pranoi se kishte dhunuar thuajse 6 mijë llogari, përfshirë edhe ato të ish kolegëve të tij, për të zbuluar ndonjë përmbajtje pornografike.

    Reyes Daniel Ruiz u deklarua fajtor në Gjykatën Federale të SHBA, duke konfirmuar se ai kishte abuzuar me mundësinë e aksesit të dhënë nga punëdhënësi i tij për të hakeruar mijëra profile, pothuajse të gjitha gra të reja dhe të pashme.

    Femrat e këndshme

    Sipas një deklarate të agjentit special të FBI John F. Bennett dhe avokatit David L. Anderson, Ruiz, i cili ishte i punësuar si inxhinier kompjuterik në Yahoo, synonte llogaritë e vajzave, pa harruar ato të kolegeve të zyrës.

    Akuza tregon se Ruiz filloi të vidhet në jetën personale të viktimave të tij në maj 2018, duke përfituar nga sistemet e brendshme të Yahoo për të hyrë nëpër llogari. Ka vjedhur video dhe imazhe private të ruajtura nëpër servera, duke i kopjuar ato në kompjuterin personal.

    Edhe media sociale në shënjestër

    Me sa duket, arriti sa të përdorë emrat e përdoruesve dhe fjalëkalimet për të përvetësuar profile të mediave sociale, si Facebook, dhe shërbime të tjera të njohura, përfshi Gmail, iCloud dhe Dropbox, në kërkim të sa më shumë videove dhe fotove. Ndoshta, ky operacion i fundit është bërë më i lehtë nga zakoni i rrezikshëm i njerëzve për të përdorur të njëjtat kombinime të postave elektronike dhe fjalëkalimeve nëpër platforma të shumta.

    Çfarë bëri

    Operacioni i hakerimit të Ruiz vazhdoi për rreth një muaj. Ai la Yahoo në korrik 2018 dhe u bashkua me Okta, një ofrues i teknologjisë së sigurisë. Duhet thënë se aktivitetet janë monitoruar nga Yahoo, falë të cilave u arrit edhe të identifikohej.

    Flasim prapë në 2020-ën

    I paditur nga gjykata federale në prill të këtij viti me akuzën e ndërhyrjes dhe përgjimit të komunikimeve kabllovike, Ruiz u vetdeklarua fajtor vetëm për këtë pikë të fundit. Ai tani do të përballet me një gjobë prej 250,000 dollarësh deri në pesë vjet burg, me seancën dëgjimore të planifikuar për 3 shkurt 2020.

  • A bënin gratë seks më të mirë në komunizëm?

    A bënin gratë seks më të mirë në komunizëm?

    Një nga atraksionet më popullore turistike në Berlin, është Muzeu i Gjermanisë Lindore, i hapur më 2006-ën dhe që, synon t’u tregojë vizitorëve sesi ka qenë jeta e njerëzve të thjeshtë në Republikën Demokratike të Gjermanisë, përpara rënies së Murit të Berlinit. Muzeu përdor instalacione ndëraktive dhe ekspozita dokumentesh, fotografish dhe objektesh shtëpiakë, për të përmbledhur të shkuarën, jo shumë të largët. Fëmijët e shkollave vihen rresht, për mundësinë që u jep ulja në ndenjësen e shoferit, të një imituesi të automobilit Trabant, për t’u ulur në një kolltuk të një apartamenti të rindërtuar të Gjermanisë Lindore, për të parë shembuj të lojërave që luheshin apo ushqimeve që konsumoheshin nga gjermanët, që jetonin pas Perdes së Hekurt.

    Ekspozitat janë përgjithësisht magjepsëse, megjithëse nxënësit e turpëruar mund të përvidhen shpejt nga ekspozitat e ilustruara gjerësisht, dedikuar entuziazmit të gjermanëve lindorë për nudizmin. Aspektet që shijojnë më pak, nga regjimi i Gjermanisë Lindore, përfaqësohen më ftohtë: një dhomë hetuesi e atij lloji që mund të jetë përdorur nga STASI dhe një qeli burgu me një shtrat të ngushtë e të zymtë, që thekson brutalitetin e regjimit për këdo që haste policinë sekrete. Panelet përshkruese që shoqërojnë ekspozitat, në gjuhën gjermane dhe angleze, shpesh kanë një tonalitet pezhorativ dhe kritik, edhe në ekspozita me aspekte më beninje të jetës së përditshme, të gjermanëve lindorë.

    Në një klasë të rindërtuar kopshti, me libra, makina druri, një raft këpucësh dhe një dysheme linoleumi, tekstet në mur theksojnë se të shkuarit në kopsht, ishte ushtrim i njëtrajtësimit, sesa mundësi për të zhvilluar aftësi individuale – duke paraqitur faktin se fëmijëve u kërkohej të gjithëve të dremisnin në të njëjtën kohë si një provë ndëshkimi e shtetit represiv, krejt në të kundërt nga praktika tejet e ndjeshme e kujdestarëve të fëmijëve të vegjël në shoqëri, edhe aq kapitaliste sa ajo e ShBA-së. Toni i epërsisë – sikur dekadat e socializmit në Gjermaninë Lindore të mos ishin tjetër veçse një shmangie e orientuar keq –është thuajse i pakufizuar nga kuratorët e Muzeut të Gjermanisë Lindore. Është, në fakt, një sjellje depërtuese, e gjetur edhe në demokracitë liberale bashkëkohëse, kundrejt alternativave politike majtiste që kanë ekzistuar në shumë anë të botës, në pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë.

    Në “Pse gratë bënin seks më të mirë në Socializëm: Dhe argumente të tjerë për Pavarësinë Ekonomike”, Kristen R. Ghodsee, lektore e studimeve Ruse dhe të Europës Lindore në Universitetin e Pensilvanisë, kërkon të kundërshtojë këtë narrativë, duke argumentuar se me gjithë represionin shtypës nën një sistem politik si ai i ish-Gjermanisë Lindore, gratë në këto vende gëzonin disa liri, si materiale ashtu edhe ekzistenciale, që ishin dhe mbeten kryesisht të padisponueshme apo edhe të paimagjinueshme, për gratë në demokracitë liberale. Titulli i Ghodsee-s është i paharrueshëm, me sugjerimin se, nën Socializëm, gratë mund të kenë bërë po aq qejf sa Alexandria Ocasio-Cortez, që bën piruete, mbi një çati të Bostonit. Ashtu si në rubrikën Op-Ed të “Times”, nga ku lindi dhe libri, titulli i referohet rezultateve të studimeve të kryera në Gjermani, nga mesi i viteve ’80, që raportonin, mes gjetjeve të tjera intriguese, se 80% e grave të Gjermanisë Lindore përjetonin çdo herë orgazma gjatë seksit, krahasuar me 63% të grave, në Gjermaninë Perëndimore.

    Ghodsee citon punën e një sërë studiuesish të seksualitetit, të cilët i kanë adresuar këto çështje në thellësi më të mëdha. Por këndvështrimi i saj është më i gjerë. “Kapitalizmi i parregulluar është i keq për gratë”, shkruan ajo. “Nëse përshtatim disa ide nga socializmi, gratë do të kishin jetë më të mira”. Dy Gjermanitë, popullsia e të cilave qe etnikisht dhe kulturalisht identike përpara ndarjes politike, u ofruan kërkuesve një eksperiment natyror të parezistueshëm, përmes të cilit të eksploronin të drejtat dhe përvojat e grave.

    Ghodsee vë në diskutim një sërë studimesh magjepsëse që sugjerojnë se, gratë e Gjermanisë Lindore raportonin nivele më të larta kënaqësie, edhe të llojit jo-orgazmik, sesa simotrat e tyre në Gjermanisë Perëndimore. Ndarja e punës brenda shtëpisë në Lindje ishte më e barabartë, pjesërisht për shkak të sistemit të çerdheve të financuara nga shteti, që u lejonin grave të Gjermanisë Lindore të mbeteshin pjesë e forcës punëtore. Për shkak se burrat në Lindje nuk mund të vareshin tek pasuria apo suksesi ekonomik për të fituar një partnere, ata duhet të mbështeteshin tek atribute të tjera, përfshi këtu, argumenton Ghodsee, një ndjeshmëri më të madhe ndaj nevojave të grave.

    Divorci ishte më i lehtë në Lindje, kështu gratë mund ta çlironin veten nga marrëdhëniet e palumtura, me më pak vështirësi. Dhe, siç sugjeron Ghodsee, ato aspekte të jetës në Gjermaninë Lindore, si pengesa totalitare e sferës publike, do të thoshin se sfera shtëpiake dhe ajo private u bënë, nga detyrimi, më të rëndësishme dhe më të denja për kujdes dhe investim personal. Gjetkë, në shtetet socialiste të Lindjes, të shekullit të njëzetë, të drejtat dhe liritë e grave zgjeroheshin – jo me qëllimin për të kultivuar vetëpërmbushjen e grave, siç kërkoi të bënte feminizmi kryesor në Perëndim –por për arsye me bazë ekonomike. Gratë përbënin gjysmën e potencialit të forcës punëtore – dhe më shumë se gjysmën në vend, ku popullsia mashkullore ishte asgjësuar prej luftërave. Më 1950-ën, pesëdhjetedy përqind e punëtorëve sovjetikë ishin femra, krahasuar me njëzetetetë përqind të punëtorëve të Amerikës së Veriut. Ndërsa gratë amerikane inkurajoheshin të gjenin përmbushje si bashkëshorte dhe nëna, gratë Sovjetike dërgoheshin në universitete për t’u bërë shkencëtare apo trajnoheshin për t’u bërë kozmonaute. Gratë në Bllokun Lindor, si të ngjashmet e tyre në Perëndim, inkurajoheshin të lindnin fëmijë.

    Por kishin leje mëmësie, të financuar nga shteti, një dispozitë që, në mënyrë mizore ende i shmang gratë amerikane. Thuajse tridhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ShBA mbetet një prej pak shteteve, të cilëve u mungon legjislacioni për të garantuar, çdo lloj leje mëmësie të paguar. (Shtetet e tjerë përfshijnë Surinamin dhe Papuan dhe Guinenë e Re.) Ghodsee bën me dije se gratë që kanë jetuar nën forma të ndryshme, të shteteve socialiste në Europën Lindore, ishin në kushte më të këqija femërore sesa simotrat perëndimore – nga mungesa e pecetave higjienike në Bullgari tek politikat tragjike të lindshmërisë, të praktikuara në Rumaninë e Çausheskut, ku gratë detyroheshin të lindin fëmijë edhe kur nuk mund ta përballonin rritjen e tyre, e më pas detyroheshin t’i çonin në jetimore.

    E megjithatë, duke theksuar se nuk po advokon në asnjë mënyrë kthimin e praktikave represive të Bllokut Komunist, Ghodsee mendon se disa aspekte të socializmit, si dispozita e lejeve prindërore të financuara nga shteti dhe arsim i lartë falas, janë implementuar me sukses në demokracitë sociale skandinave, pa u shoqëruar nga mungesa apo lindshmëri të detyruara, e aq më pak nga mizoritë e kryera nga Stasi. Ajo kërkon t’i kujtojë lexuesit se, sado e vështirë mund të duket, të imagjinosh një strukturë alternative politike brenda asaj ekzistuese, edhe shtetet e angazhuar në kapitalizmin neoliberal janë të aftë të kenë përparësi të ndryshme; ajo citon shembullin e Finlandës, që ka legjislacionin që siguron mbrojtje të vendit të punës për nënat, për njëqind vjet.

    Virtyti i librit të mençur dhe të aksesueshëm të Ghodsee-së, është se ilustron sesi do të ishte e mundur për një grua – ose, për një burrë – të kishte një marrëdhënie krejt të ndryshme strukturore ndaj diçkaje aq thelbësore, sa seksi apo shëndeti. Mbretëria e Bashkuar, për shembull, vështirë se është sprapsur nga sipërmarrja kapitaliste, por falë Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, britanikët në mënyrë instiktive marrin me mend se qeveria do t’u sigurojë kujdes shëndetësor falas – një pritshmëri e paimagjinueshme mes amerikanëve (dy nga institucionet më të kremtuara në Britani janë Shërbimi Kombëtar i Shëndetit dhe monarkia, duke dëshmuar se është e mundur për një popullsi të shohë njëherazi joshjen e socializmit dhe feudalizmit.)

    Ghodsee, duke miratuar, vëren joshjen në rritje ndaj ideve socialiste, mes të rinjve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europën Perëndimore dhe, libri i saj është një përkujtues i mirë se përhapja e këtyre ideve nuk do të ishte vetëm në dobi të “Bernie bros”, por do të përmirësonte gjithashtu jetët e grave në mënyra domethënëse. Sikur vetëm më shumë orgazma, do të qe një gjë e mirë. Por ndryshimi i kushteve strukturore, nën të cilat do të bëheshin të mundura më shumë orgazma, është një nivel krejt tjetër eksitimi.

  • Një krahasim i pamundur mes Berishës dhe Ramës

    Një krahasim i pamundur mes Berishës dhe Ramës

    Është një fakt që nuk mund të kundërshtohet. Qeverisja e Berishës u demonizua aq shumë nga propaganda e Ramës, dhe u la kaq shumë pa avokati nga demokratët, sa u arrit të krijohej bindja, që 8 vitet e liderit historik demokrat, ishin një e keqe e madhe për vendin.

    Rama u soll gjithë kohës sikur e kishte nisur nga viti zero, dhe që po mbyllte gropat e lëna nga Saliu. Po ashtu, ai e mbajti të gjallë tezën, sikur kishte trashëguar nga paraardhësi, ndonjë semundje të rëndë.

    Në realitet, bilanci i Berishës, megjithë vrimat e zeza, ishte i konsiderueshëm. Investimet në infrastrukturë, në cdo drejtim, shkolla, energjetike, rrugë, ujësjellësa, ishin transformuese.

    Po ashtu, pati kulme në proceset e integrimit, si amëtarësimi në Nato, apo heqja e vizave me zonën shengen, dhe dorëzimi i kërkesës për hapjen e negociatave me BE.

    Këto arritje u lanë në hije, nuk u avokuan si duhet, dhe Rama ja doli të krijonte një ide fikse te njerëzit, se kthimi tek PD, ishte si kthimi tek një e keqe. Edhe pse mandati i dytë i Berishës e sidomos fundi i tij, ishte një periudhë e palavdishme, kjo smund të errësonte totalisht sukseset, ku nuk duhet lënë pa përmendur lufta ndaj krimit dhe bandave.

    Dhe kjo nuk ka se si të mos i bjerë ndermend njerëzve, sidomos nëse bëjmë një krahasim me qeverisjen e Edi Ramës sot, teksa ka bërë 6 vite. Cdo rezultat i tij, në infrastrukturë, integrim, rend e siguri, as nuk i afrohet atyre cfarë bëri Berisha. Le të mos shkojmë tek një cilësi tjetër për të cilën u anatemua shumë lideri historik demokrat, që ka të bëjë me abuzimin në qeverisje. Përtej asaj që e dinë dhe e prekin njerëzit vetë cdo ditë, raportet e fundit të Bankës Boterore, e kanë nxjerrë në nivel alarmant rryshfetin, duke e vendosur Shqipërinë në treshen e vendeve më të korruptuara të Botës. Por, le të ndalemi tek një detaj. Të bëjmë një krahasim mes ekipit, mes ministrave të Sali Berishës, dhe Edi Ramës, nje tregues mjaft domethenës.

    Teksa ish-kryeministri qeveriste me, Ridvan Boden, Sokol Olldashin, Lulzim Bashën, Genci Rulin, Majlinda Bregun, Besnik Mustafajn, Bujar Nishanin, Eduart Halimin, keto disa nga emrat, Edi Rama po drejton vendin me Anila Denajn, Shahinin, Gent Caken, Margaritin, Manastirliun, Lleshin e Spiropalin, Ballukun e Elitda Gjonajn. Do të mjaftonte një krahasim mes këtyre listave, njerëzve, personaliteteve, karrierave, dhe begraundit të tyre, për të kuptuar, se me rilindjen, jo vetëm që nuk pati progres dhe ecje para, perkundrazi, u shenuan mjaft hapa pas.

    Rama ja ka dalë të mbulojë këto njolla regresi falë propagandës, duke damkosur si djallë Berishën, e duke e shpallur si një soj të ri njeriun rilindas, sikur është nga natyra më i mire, më i arrire. Po kur mungojnë arritjet, rezultatet, dhe bilanci, mund të shtysh e të mbahesh ca kohë me media e propagandë, po jo për shumë gjatë.

  • “Mos më lër, tani je yll vetëm falë meje”: Pastaj e vrau atë

    “Mos më lër, tani je yll vetëm falë meje”: Pastaj e vrau atë

    Më 14 gusht 1980, Amerika u trondit nga vrasja e lepurushes së “Playboy”, Dorothy Stratten, e vrarë nga bashkëshorti që ajo e kish’ braktisur

    Kjo që jeni gati për të lexuar nuk është kopjoni i një thrilleri që ka të bëjë me seks, lekë dhe gjak, por është historia e vërtetë e dy burrave dëshpërimisht të dashuruar me të njëjtën grua. E ambientuar në plot shkëlqim të Playboy dhe në Hollywood-in magjik.

    Njëri nga dy burrat, i dominuar nga epshi dhe lakmia, u bë një vrasës ndërsa tjetri ishte aq i fiksuar me dashurinë për gruan që po flasim, saqë edhe pas vdekjes së saj kërkoi një femër tjetër që të ngjasonte identikisht me atë që ai kishte humbur përgjithmonë. Gruaja, objekt i kaq shumë vëmendjeje ishte shumë e re dhe me një bukuri të jashtëzakonshme. Ajo quhej Dorothy Ruth Hoogstraten, në art Dorothy Stratten. U rrit e varfër por ende pa mbushur njëzet vjeç u bë modele dhe një nga “lepurushet” e Plaboy, revista e përmuajshme vetëm për burra nga Hugh Hefner dhe korri sukses duke u bërë një sex symbol edhe në kinema.

    Dorothy kishte lindur në Vancouver, Kanada më 28 shkurt 1960 nga një çift holandez emigrantës nga Vendet e Ulëta, Simon dhe Peternella. Babai i saj ra në dashuri me një grua tjetër dhe e braktisi familjen, kështu që ajo, më e madhe se motra tjetër Louise dhe vëllai John Arthur, filloi të punojnë për të sjellë ca para në shtëpi. Bjondina Dorothy katërmbëdhjetë vjeçe ishte e gjatë dhe e hishme si një grua. Ajo gjeti punë në lokalin Dairy Queen si kamariere.

    Në moshën gjashtëmbëdhjetë ishte bërë shumë e bukur, me një fytyrë të pafajshme, tipare të përsosura dhe një trup joshës për burrat. Ajo u vu re edhe nga një burrë nëntë vjet më i madh, njëfarë Paul Snider i cili iu prezantua nën maskën e një talent scouti të afirmuar, që i premtoi asaj një karrierë aq të madhe sa ta bënte të pasur vajzën dhe familjen e saj. Nëna e Dorothy kërkoi garanci, ajo dëshironte të mbronte vajzën e saj nga ndonjë rreth keqbërësish, por sigurohet nga Snider: ai do ta mbronte dhe ruante atë. Shumë shpejt Dorothy dhe Paul krijuan një marrëdhënie romantike midis tyre.

    Vajza u transferua në Kaliforni sepse, falë fotove që Snider i kishte bërë, ajo hyri në qerthullin e revistës Playboy. Në të vërtetë, ato foto ishin bërë me shpresën për të fituar konkursin e shpallur për 25 vjetorin e themelimit të revistës së famshme për të gjetur një paymate të re, kështu që quheshin vajzat e bukura që pozonin nudo për të përmuajshmen. Dorothy Stratten nuk e fitoi konkurson, por u bë një bunny, një “lepurushe” e Playboy, që është një nga kamerieret me veshë si të një lepuri, që punonin në Playboy Club. Mirëpo fotot e saj, kishin tërhequr në mënyrë të favorshme vëmendjen e botuesit Hefner dhe stafit të tij.

    Sipas fjalëve, vetë Hugh Hefner kishte dashur ta bënte bukuroshen e re Dorothy, dashnoren e tij, edhe pse ai vetë e mohonte. Ishte viti 1978, Dorothy, e cila kishte ndryshuar mbiemrin e saj në Stratten, ishte tetëmbëdhjetë vjeç dhe dëshironte të bëhej një yll. Shpejt do të vinin vitet ’80, vitet e arta, nën presidencën e Ronald Reaganit. I ashtuquajturi hedonizëm reganian, me paratë që fitoheshin lehtësisht, do të mahniste një gjeneratë të tërë. Edhe për Dorothy ëndrra po po kthehej në realitet: edhe ajo mund të bëhej e pasur dhe e famshme.

    Nuk donte të ishte “thjesht” e bukur

    Ajo që Dorothy dhe familja e saj injoruan ishin prapaskenaq e jetës së talent scoutit. Paul Snider ia kish hedhur paq duke u larguar me të katra nga vendlindja e tij Vankuveri, sepse ishte kërcënuar me vdekje dhe më pas ishte varur për këmbësh nga dritarja e katit të tridhjetë të një gradaçele nga rrethi i shpërndarësve të drogës, ku ai kishte pas bërë pjesë. Snider ishte kokainoman, që jetonte duke shitur trupin e femrave. E tek Dorothy, ai kishte vënë bastin e jetës së tij. Në fakt, vajza po afirmohej gjithnjë e më shumë veten dhe në fund bëri kapërcimin e madh në cilësi duke u bërë playmate e vitit e duke fituar 250,000 dollarë.

    E reja, pra, nuk ishte vetëm e bukur, por edhe një pulë që bënte vezë të arta dhe Snider nuk mund të linte që t’i shpëtonte nga duart. I kërkoi që të martoheshin dhe dasma u u bë në Las Vegas kur ajo kishte mbushur 19 vjeç, në 1 qershor 1979. Oferta për punë vinin rrebesh e madje edhe propozime kinematografike. Vajza, e famshme për bukurinë e saj, vendosi të bëhet një aktore e vërtetë dhe jo vetëm një fytyrë dhe një trup i bukur për të dalë në faqet e një gazete apo në ekran. Tek ajo kish’ nisur të merrte udhë një fiksim: pamja e saj e përsosur fizike po i shndërrohej në një barrë.

    Shikimet admiruese kudo që shkonte e bënin që ajo të dëshirojë të mos ishte një “përbindësh” i bukurisë. Ia rrëfeu regjizori që e kishte zgjedhur për një pjesë të rëndësishme në filmin “… dhe të gjithë qeshën”, krahas dy të famshëmve si, Audrey Hepburn dhe Ben Gazzara, historia sentimentale e të cilsve ishte në krizë. Regjizori quhej Peter Bogdanovich dhe ishte një intelektual me famë që kritika e vlerësonte pozitivisht i cili kishte arritur rezultate të mira me filma shumë të suksesshëm. Bogdanovich ishte shumë më i madh se Dorothy, kishte 21 vjet më shumë se ajo dhe u marros pas saj, duke ia plotësuar të gjitha tekat, edhe kundër mendimeve të Hefnerit. Por edhe aktorja u tërhoq prej tij ndaj dhe vendosi të pranonte propozimet e tij: Bogdanovich përfaqësonte afirmimin përfundimtar në karrierën e saj, do të studionte aktrim dhe diktim e nën drejtimin e tij do të bëhej një dive si Audrey Hepburn.

    Tashmë e kishte lënë përfundimisht Paul Snider, që nga ana e tij nuk e pranonte këtë vendim. I tha se ishte ai që i kishte treguar rrugën, dhe se pa të nuk do të kishte mundur kurrë të hidhte asnjë hap jashtë barit punonte si kamariere, për disa qindarka. Sa për paratë, ai i pretendonte ato dhe Dorothy ra dakord t’i jepte një dorë të mirë si një ‘dhuratë’ për divorcin që do të duhej t’i jipte. Pranoi ta takonte edhe një herë, për herë të fundit, i tha ai, për t’u ndarë si persona civilë. Ajo do t’i sillte atij disa mijëra dollarë paradhënie e më pas do të ndaheshin, ashtu, pa grindje. Ishte një kurth. Dorothy nuk mund ta dinte që Paul e kishte ndjekur nga një detektiv, Marc Goldstein, të cilit i kishte kërkuar edhe një pistoletë. Por dedektivi nuk pranoi t’ia shiste atë pasi Snider ishte kanadez, ai ishte i pajisur vetëm me një vizë turistike dhe nuk mund të blinte legalisht armë në Kaliforni, por ai arriti t’i gjente një kalibër 12 matës nëpërmjet një një grupi kriminal.

    Ishte 14 gusht, 1980. Kur një modele e re u kthye natën në shtëpinë ku ishte ftuar nga Snider, para syve të saj u shfaq një spektakël i urryer. Trupat e zhveshur të Dorothy Stratten dhe Paul Snider ishin bërë shoshë nga të shtënat e armës së zjarrit.

    U martua me të motrën që i ngjante asaj

    Autopsia zbuloi detaje të tmerrshme. Snider e kishte përdhunuar Dorothy-n para se ta vriste madje edhe pasi kishte vdekur me kokën gati të shkëputur e në një det me gjak. Gjaku kishte vazhduar të njolloste muret dhe dyshemenë edhe kur Snider vrau veten. Historia mbushi faqet e kronikave për muaj e muaj të tërë dhe frymëzoi filmin “Star 80” të Bob Fosse, më 1983, në të cilin Mariel Hemingëay, mbesa e shkrimtarit të fitues të çmimit Nobel Ernest, interpretoi Dorothy dhe Eric Roberts, vëllai i vogël i të famshmes Julia Roberts, interpretoi pjesën e Paul Snider. Regjizori Peter Bogdanovich pothuajse u çmend nga dhimbja, ai e dashuronte me të vërtetë Dorothy.

    Ndërsa filmi “… dhe të gjithë qeshën” nuk kaloi mirë përsa i përket fitimeve për shkak të publicitetit të keq, regjizori humbi shumë para, por ai kurrë nuk ndaloi së kërkuari një tjetër Dorothy të bukur. Përfundimisht, u martua me motrën e saj, Louise, të cilën Dorothy e kishte mbajtur si fëmijë me punën e saj kameriere. Louise nuk ishte identike me motrën e saj të zhdukur tragjikisht, por edhe ajo ishte mjaft e re dhe e lezetshme, të cilën Bogdanovich e dashuroi si zëvendësuese të asaj që kishte adhuruar. Ishte ende i fiksuar me historinë e tij ndaj solli në ekran metaforën e obsesionit të Dorothy e cila thuajse e kishte urryer bukurinë e saj duke u ndier si një “përbindësh”, me një film të vështirë dhe të guximshëm, “Pas maskës”, që rezultoi një flop. Ndërsa filmi “Star 80”, tërhoqi publikun dhe bëri që të dy aktorët, Mariel Hemingëay dhe Eric Roberts, që diti t’i jepte një aspekt njerëzor vrasësit Paul Snider, të cilit opinioni publik kurrë nuk ia dha faljen.

  • Nga Andi BUSHATI – Rama i ERTV, ai që do doja të votoja

    Në këtë fund viti, Edi Rama, i’u ka dhuruar bashkëkombasve të vet, autoportretin e një lideri, që çdo qytetar i botës do të dëshironte ta kishte të varur në një nga muret e shtëpisë së tij. Në një fjalim gati tre çerek ore në Facebook, më shumë sesa për arritjet apo dështimet e qeverisë, ai tregoi për cilësitë apo difektet e tij karakteriale.

    Ai na vizatoi profilin e një njeriu, që jo vetëm sejcili nga ne do të dëshironte t’a votonte, por që do ta quante fat që kishte përkuar të jetonte në kohën e tij.

    Natyrisht, personazhi i përshkruar nuk është një “qënie perfekte”. Shpesh ai nuk e bën diferencën mes Unit dhe shtetit. Shpesh vuan nga deliri i pasjes së dhuntive jo të zakonshme. Shpesh është arrogant, pasi respekton më shumë bindjet sesa konsensusin. Shpesh nuk i shpëton dot gabimeve të pashmangshme të vendimmarrjes.

    Por, lista e mëkateve përfundon këtu. Sa për akuzat e tjera ai e ka përgjigjen.

    Për të gjithë ata që kanë lexuar një raport të OSBE-së se pasuria e tij, e vënë nga dhënia e lejeve të ndërtimit, i kalon të 200 milionë eurot, ai nuk ka ëndërruar kurrë të bëhet i pasur. Pasi ai nuk jeton për të përfituar, por për të lënë gjurmë në histori.

    Për të gjithë ata që kujtojnë se i ka gënjyer, duke shpikur alibi për avionët e drogës, Habilajt, Agron Xhafën, Saimir Tahirin, Ervis Roshin apo Vangjush Dakon, ai është njeriu që nuk do mashtronte asnjëherë me qëllim. Pasi ai nuk do të mundte ta bënte këtë në dëm të vendit që drejton.

    Për të gjithë ata që ndihen të zhgënjyer nga premtimet e pambajtuara, si për të zhdukur krimin brenda 300 ditëve, apo për të bërë buxhetin e arrsimit 5%, ai e ka një justifikim. Nuk i ka joshur me vetëdije sepse me këtë opozitë të dobët që ka përballë, nuk ka nevojë të bëjë premtime për të marrë vota.

    Për të gjithë ata që kanë dëgjuar se po kërkon të zhdukë demokracinë, të mbyllë mediat dhe të heshte zërat e lirë, ai në fakt është duke mbrojtur qytetarët e thjeshtë. Pasi ai nuk e duron dot që kush ka në dorë një pushtet të abuzojë me të.

    Për të gjithë ata që kanë lexuar në mediat e mbarë botës, se qe pjesë e planit të Vuçiçit për të ndarë Kosovën, ai nuk do ta bënte kurrë këtë poshtërsi. Pasi nuk do ta tradhëtonte kurrë popullin e tij.

    Për të gjithë ata që tremben se mini Shengeni është një projekt i Beogradit, ai garanton se është i vetmi lider shqiptar që ka arritur personalisht ta bindë presidentin serb të heqë kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

    Ky është pra Edi Rama i vizatuar prej vetvetes.

    Një njeri me dhunti jo të zakonta, për hir të miqësisë me të cilin, liderët e vendeve “armike” janë të gatshëm të heqin dorë nga politikat e tyre tradicionale, një politikan i lloji të ndryshëm, që para etjes për para, yshtet nga deliri për të lënë gjurmë në histori, një kryeministër që nuk bën premtime të gënjeshtërta, që e di se janë të parrealizueshme, një burrë që nuk ka mashtruar asnjëherë me qëllim dhe që i mirkupton të gjithë ata që janë xhelozë qoftë për gjatësinë, qoftë për talentin dhe qoftë për famën e tij.

    Kushdo që do ta dëgjonte këtë përzierje interesante vyrtytesh dhe difektesh, nuk do ta kishte të vështirë të klithte: “Po ky është vërtet kryeministri im”. Sejcili prej nesh, që do të jetonte një një botë tjetër, do të pohonte me pathos: “Po ky është njeriu që dua të votoj”.

    Por, fatkeqësisht ky është vetëm Rama i ERTV. Ky është Edi si do të donte t’a shihnim, duke i eklipsuar anën e tij të errët, që ndan paratë e këtij vendi me dhjetë oligarkë, që rrëmbën votat me frokët, prengët, ndokajt, dakot e roshët, që e ka shndërruar ish partinë më demokratike të vendit në një garnizon, që e ka degjeneruar parlamentin në teatër kukllash dhe Shqipërinë në të vetmin vend monist të Europës.

    Por, pavarësisht nga kjo, ndonëse me këtë autoportret dhuratë, në fund të vitit, Edi Rama u mundua të na mashtrojë sërish, këtë herë vërtet duhet ti jemi mirnjojtës.

    Pasi duke skicuar personazhin e ERTV, që u përpoq të luajë, ai na tregoi se është i ndërgjegjshëm se e di se si duhet të jetë. Dhe së dyti, sepse na ofroi një mundësi për të krahasuar aktorin e Facebookut me kryeministrin real. Boll ta vëmë në peshore bashkë me alter egon e vet, për të kuptuar se kush është ai që nuk na duhet qoftë edhe një ditë më shumë në vitin që vjen.