Shqipëria po kalon nëpër një moment historik. Rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera janë mbushur me qytetarë të zemëruar. Protestat popullore kundër qeverisë së Edi Ramës janë shtrirë në të gjithë vendin. Kjo nuk është thjesht një valë e re pakënaqësie. Është shpërthimi i një zemërimi të grumbulluar për vite me radhë.
Represioni policor i Ramës ndaj protestuesve nuk tregon forcë. Përkundrazi, ai zbulon dobësinë e një pushteti që po humbet kontrollin. Një regjim i korruptuar dhe anti-popullor nuk mbahet me gazi lotsjellës. Ai mbahet nga krimi i organizuar dhe nga klientela ndërkombëtare që hesht.
Bashkimi i opozitës shfaqet sot si e vetmja rrugë për të përshpejtuar fundin e këtij regjimi. Pa unitet, protestat mund të shpërndahen. Me unitet, ato mund të kthehen në një forcë të pakontrollueshme për qeverinë.
Rama dhe strategjia e mbijetesës: Blerja, presioni dhe përçarja
Qeveria e Ramës ka ndjekur një strategji të qartë që në fillim të protestave. Blerja e individëve dhe presioni administrativ kanë qenë mjetet kryesore. Qeveria ka ushtruar presion të gjithanshëm mbi grupet e interesit. Ka nxitur përçarjen e partive që presin të vijnë në pushtet.
Rama po punon pareshtur për të krijuar një “opozitë de jure anti-Rama”, e që de facto drejtohet prej tij. Kjo “opozitë” deklarohet kundër tij dhe e shan hapur. Por, është e gatshme të bashkëpunojë me të për “interesat e atdheut”. Ky është një mashtrim i njohur. Qëllimi, neutralizimi i kundërshtarit real.
Opozita e vërtetë demokratike është goditur me forcë. Ajo ka demaskuar aferat korruptive të Ramës për një kohë të gjatë. Ka denoncuar shpërdorimin e pasurisë publike. Ka treguar se si Shqipëria është kthyer në një plackë tregu për interesat e pushtetit.
Rama e di një gjë thelbësore: Pa një opozitë të organizuar dhe me përfaqësim të gjerë, protestat nuk mjaftojnë. Prandaj nevojitet një program konkret dhe aftësi për të marrë përgjegjësinë e shtetit. Rikthimi i demokracisë funksionale kërkon më shumë se zemërim në rrugë.
Teza e barazimit: Kur korrupsioni kërkon të bëhet normalitet
Teza e parë e Ramës dhe e ramistëve të tjerë është barazimi i tij me liderin e opozitës. Një kryeministër në pushtet e me pushtet të korruptuar barazohet me një lider opozitar nën hetim! Një barazim i rremë dhe i rrezikshëm. Rama ka lidhje me krimin e organizuar dhe ka shpërdoruar miliarda euro. Lideri i opozitës ka tre vite nën hetim nga prokuroria speciale. Asgjë nuk i është provuar.
Barazimi i pavërtetë synon të baltosë gjithë politikën shqiptare. Synon ta paraqesë situatën si normalitet. Kultura ballkanike, sipas këtij narrativi, favorizon korrupsionin si fenomen endemik.
Ky qëndrim ndan protestën dhe pengon arritjen e numrit kritik. Pa unitet, rrëzimi i regjimit bëhet i pamundur. Por, edhe Partia Demokratike duhet të reflektojë ndaj perceptimit publik. Duhet të hapet ndaj figura të reja. Duhet të krijojë një raport të drejtë mes kontributeve dhe profesionistëve të aftë. Garа e lirë dhe përgatitja e gjeneratës së re të liderëve janë detyra urgjente.
Teza e anti-sistemit: Si Rama kërkon ta izolojë protestën
Teza e dytë e Ramës është kërkesa e yshtur prej tij nga turma të vogla mes protestuesve për heqjen e gjithë klasës politike 35-vjeçare. Kjo kërkesë vjen nga Rama dhe lakenjtë e tij. Qëllimi është portretizimi i protestës si lëvizje anti-sistem. Synohet ta paraqesë atë si revolucionare të ekstremit të majtë. Një lëvizje që nuk është ngritur kundër korrupsionit.
Kjo tezë i shërben Ramës për të ngritur shqetësim në Bruksel. Veprimet gjeopolitike kërkojnë që të mos lihen hapësira boshe influence. Perceptimi në kancelaritë botërore devijohet nga kërkesat reale të shqiptarëve. Veprimi i tyre vonohet dhe Rama fiton kohë.
Por protesta popullore nuk është kundër sistemit demokratik. Ajo është kundër shpërnguljes masive të shqiptarëve. Është kundër kushteve të jetesës që përkeqësohen çdo ditë. Është kundër një qeverie që ka tradhtuar besimin e qytetarëve.
Pjesëmarrja e studentëve dhe idetë e tyre për një republikë të re janë parësore. Një shoqëri e re kërkon të integrohet në BE. Por, në radhë të parë, kjo kërkon rikthimin e demokracisë. Legjitimiteti vjen vetëm nga vota e lirë.
Rinia studentore: Frymëzimi që kërkon drejtim politik
Studentët janë pjesa më frymëzuese e shoqërisë shqiptare. Vrulli, idetë dhe pastërtia e figurës së tyre idealiste janë të jashtëzakonshme. Rinia studentore ka treguar guxim dhe vendosmëri në protesta. Megjithatë, misioni i tyre sot kërkon më shumë se idealizëm.
Rrëzimi i regjimit dhe rikthimi i demokracisë janë detyra që kërkojnë strategji. Kërkojnë organizim dhe bashkëpunim me forcë të gjerë opozitare. Pa këtë bashkëpunim, energjia e rinisë mund të shpërndahet pa rezultat.
Rama po kthen diktaturën në Shqipëri. Kjo është e vërtetë. Megjithatë, diktatura e tij po ngrihet mbi një sistem demokratik. Ngrihet mbi një kushtetutë demokratike dhe një popull që e pranon demokracinë. Parimi “ik ti, që të vij unë” nuk vlen në demokraci. Në demokraci, ndryshimi vjen nëpërmjet votës së lirë dhe kushteve të barabarta.
Eksperimenti i regjimit të Ramës për të kapur shtetin ka dështuar. Administrata e politizuar dhe brezi i ri i emëruar prej tij shërbejnë pushtetin e inkriminuar. Rama erdhi në pushtet duke futur në Parlament elementë të inkriminuar. Justifikimi ishte se “këta i do populli”. Kështu u realizua marrja e pushtetit me aleancën e qelbësirave.
Një mësim që vjen nga Perëndimi: Institucionet, jo individët
Eksperienca e shoqërive perëndimore ka treguar një të vërtetë themelore. Funksionimi i institucioneve është parësor, jo individi. Meritokracia në bazë të vlerave është shtylla e sistemit demokratik. Sistemi funksionon në bazë të rregullave të përcaktuara.
Shoqëria përparon në bazë të ideve dhe përfaqësuesve të tyre. Revolucionet e “interesave politike” nuk sjellin progres të qëndrueshëm. Vota e lirë në institucionet përfaqësuese është mekanizmi i vërtetë i ndryshimit.
Shqipëria ka nevojë për institucione funksionale. Ka nevojë për një sistem që nuk varet nga vullneti i një njeriu. Bashkimi i opozitës duhet të synojë këtë objektiv afatgjatë. Vetëm kështu mund të ndërtohet një demokraci e vërtetë.
Rama është në grahmat e fundit të regjimit të tij. Për ta përshpejtuar fundin, duhet vetëm një gjë: BASHKIM. Bashkim i gjithë qytetarëve dhe frontit opozitar. Kur mendohet të shpëtohet Shqipëria, asnjë atdhetar nuk mendon se për kë e bën këtë luftë.
Në fund të kësaj lufte do të kuptojmë se rinia heroike bëri çdo sakrificë. E ardhmja e Shqipërisë i takon votës së lirë dhe gjykimit të opinionit publik. Bashkimi sot është fitore e vonuar, por e sigurt.






