Katastrofa bërthamore e Çernobilit nuk përfundoi natën e shpërthimit të reaktorit në vitin 1986. Pasojat e saj u shtrinë në dekada, duke ndikuar jetën e qindra mijëra njerëzve, shëndetin publik dhe mjedisin natyror në një pjesë të madhe të Evropës. Një përpjekje e gjerë ndërkombëtare për të kuptuar këto pasoja u bë në fillim të viteve 2000, kur shkencëtarë, mjekë dhe ekonomistë analizuan të dhënat dhe përvojat e mbledhura ndër vite.
Në vitin 2003, mbi 100 ekspertë u mblodhën në Vjenë në kuadër të Forumit të Çernobilit, të organizuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) së bashku me disa agjenci të OKB-së, përfshirë OBSH-në dhe FAO-n. Dy vite më vonë, përfundimet e tyre u përmbledhën në raportin “Trashëgimia e Çernobilit: Ndikimi shëndetësor, mjedisor dhe socio-ekonomik”, dokumenti më i plotë zyrtar mbi pasojat e katastrofës.
Viktimat e drejtpërdrejta dhe ato të mundshme
Sipas raportit, numri i vdekjeve të atribuuara drejtpërdrejt aksidentit arrin në 65 persona: tre punonjës të centralit, 47 likuidatorë të angazhuar në dekontaminim dhe 15 banorë të zonës, të prekur nga kanceri i tiroides, mes tyre edhe fëmijë.
Megjithatë, pasojat afatgjata janë më të vështira për t’u matur. Ekspertët vlerësojnë se nga rreth 600 mijë persona që morën doza më të larta rrezatimi – punëtorë shpëtimi, të evakuuar dhe banorë të zonave të ndotura – deri në 4 mijë mund të kenë humbur jetën në vitet pasuese. Këto shifra janë të vështira për t’u dalluar statistikisht, pasi një pjesë e madhe e këtyre njerëzve do të prekej nga kanceri edhe për shkaqe të tjera, të pavarura nga Çernobili.
Pse parashikimet janë kaq të vështira
Efektet e rrezatimit ndahen në dy kategori kryesore: ato përcaktuese dhe ato stokastike. Efektet përcaktuese shfaqen kur organizmi merr doza shumë të larta dhe zakonisht dalin në pah brenda muajve. Ndërsa efektet stokastike, si tumoret, mund të shfaqen pas shumë vitesh, edhe kur ekspozimi ka qenë relativisht i ulët.
Sipas OBSH-së, ndikimi i aksidentit ishte potencialisht shkatërrues, por të dhënat shkencore tregojnë se ai nuk ishte aq katastrofik sa mendohej fillimisht. Në zonat e prekura të Bjellorusisë, Rusisë dhe Ukrainës, popullsia thithi mesatarisht 10–30 miliSievert rrezatim në 20 vjet, ndërsa në disa zona të kufizuara u tejkaluan edhe 100 miliSievert – shifra që, gjithsesi, krahasohen me rrezatimin natyror të lartë në disa vende të botës.
Sëmundjet dhe pasojat shëndetësore
Punonjësit që mbërritën menjëherë pas shpërthimit u goditën nga sindroma e rrezatimit akut dhe humbën jetën brenda ditësh ose muajsh. Banorët, sidomos fëmijët, u prekën nga doza të larta jodi radioaktiv përmes ushqimit të kontaminuar, kryesisht qumështit.
Pasojë më e dukshme ishte rritja e ndjeshme e kancerit të tiroides, një formë që në shumicën e rasteve është e kurueshme. Nuk u konstatuan rritje të rëndësishme të keqformimeve kongjenitale apo infertilitetit. Studimet tregojnë një rritje të lehtë të leuçemisë vetëm tek disa punonjës të ekipeve të shpëtimit, ndërsa rritja e tumoreve të tjera dhe sëmundjeve kardiovaskulare lidhet edhe me faktorë si duhani, alkooli dhe stresi kronik.
Plagët e padukshme: shëndeti mendor. Një mjedis ende jo i vdekur
Ankthi, depresioni dhe ndjenja e të qenit “viktimë” janë pasojat më të përhapura sot. Banorët e zonave të prekura kanë jetuar për vite me radhë me frikë dhe pasiguri, çka ka ndikuar në sjellje ekstreme: ose një kujdes të tepruar për shëndetin, ose, përkundrazi, sjellje të rrezikshme si abuzimi me alkoolin, duhanin dhe konsumimi i produkteve nga zona ende të ndotura.
Radioaktiviteti u përhap shpejt nëpërmjet jodit radioaktiv, por radiocesiumi mbeti për dekada në tokë, pyje dhe zinxhirin ushqimor. Edhe sot, kërpudhat, manaferrat dhe disa produkte shtazore në zona të caktuara mbajnë nivele të larta ndotjeje. Në disa liqene të mbyllura vazhdojnë kufizimet për peshkimin, ndërsa ajri në zonat urbane është kthyer në nivele natyrore.
“Zona e kuqe” e përjashtimit
Rreth 30 kilometra përreth ish-centralit përbëjnë sot “zonën e përjashtuar”, një territor i pabanueshëm për mijëra vite sipas autoriteteve ukrainase. Edhe pse natyra është rikthyer fuqishëm, studimet tregojnë se rrezatimi ka lënë gjurmë në kafshë. Këto me dëmtime gjenetike dhe keqformime, duke dëshmuar se kjo zonë nuk është një parajsë, por një laborator i hapur i pasojave të rrezatimit.
Çernobili mbetet një paralajmërim i fortë për rreziqet e energjisë bërthamore dhe për nevojën e transparencës, sigurisë dhe përgjegjësisë shkencore. Trashëgimia e tij nuk matet vetëm me shifra viktimash, por me ndikimin afatgjatë në shëndet, mjedis dhe psikikën e njerëzve – një kujtesë se pasojat e një aksidenti të tillë zgjasin shumë më tepër se vetë shpërthimi.

25-26 Prill 1986: KRONIKA E KATASTROFËS
25 Prill 1986, Ora 01:00 / Reaktori RBMK i njësisë 4 të centralit bërthamor të Çernobilit duhet të ndalet për mirëmbajtjen rutinore. Inxhinierët vendosin të kryejnë një provë sigurie në pjesën jo-bërthamore të impiantit: duan të kuptojnë nëse, në nevojën për të përballuar një situatë emergjente, turbinat janë në gjendje të prodhojnë energji elektrike për të mbajtur aktive pompat e ftohjes deri sa të nisin të funksionojnë gjeneratorët e urgjencës.
Ora 14:00 Sistemi i ftohjes emergjente është çaktivizuar për të mos ndërhyrë në test, që bëhej për të përmbushur kërkesat e vendit për energji.
Ora 23:10 Vijon testi. Operatorët zëvendësohen me stafin e natës me më pak përvojë.
26 prill, ora 00:28 Fuqia e reaktorit bie shumë më poshtë pragut të sigurisë. Për ta ngritur, vendoset të hiqen shufrat e kontrollit grafite në bërthamën e reaktorit, duke shkelur rregullat e sigurisë. Sistemi i fikjes automatike dhe masat e tjera të sigurisë janë hequr për të shmangur interferencat.
Ora 01:23 Testi fillon. Fuqia e reaktorit rritet shumë. Një operator shtyp butonin e fikjes së urgjencës i cili duhet të rivendosë shufrat e kontrollit dhe ta kthejë reaktorin në nivelet e duhura. Ri-integrimi është i paefektshëm.
Ora 01:23 ’58“ Ndodh shpërthimi i parë, i pasuar nga një i dytë që shpërthejnë mbulesën 1000-ton të reaktorit.
