Nga Sebastian ZONJA
Sot është përvjetori i shkrimtares dhe filozofes ruso-amerikane Ajn Rand (2 shkurt 1905). Ajo ia kushtoi jetën dhe veprën e saj luftës kundër diktaturave që shkatërrojnë njeriun, pronën dhe vlerat më të larta që i vijnë njerëzimit nga dija dhe mendja.
“Revolta e Atlasit” cilësohet kryevepra e saj. Libri është përkthyer mjeshtërisht nga Amik Kasoruho. Historia zhvillohet në Amerikë dhe shtjellon se si tregu i lirë, pa kontroll, jep rezultate më të mira se tregu i centralizuar komunist. Vepra e saj është “bibla” e libertarianëve, atyre që nuk besojnë te shteti, por te tregu. Gjatë përballjes sovektiko-amerikane, kjo vepër kishte rëndësi hyjnore për anti-komunistët. Sipas saj, siç argumentojnë shumë neoliberalë, politikat sociale dhe ndërhyrjet shtetërore kthehen gradualisht në pengesë për aktivitetin e njerëzve “të ndritur”. Pavarësisht se është shkruar dhe përkthyer bukur, sot besoj se nuk ka ndonjë vlerë të madhe si vepër. Kapitalizmi ekstrem që përshkruhet aty është si ai socializmi që gjithnjë thuhet se do e arrijmë, pavarësisht sa vdisnin prej urisë, siç ishte Holodomori. Kjo trilogji vlen të lexohet me kuptu se ashtu siç ideja falas e socializmit dështon në mënyrë makabër, po aq krim është trumpetimi i lirisë individuale pa pasur edhe liri kolektive. Shkojnë në sintoni me njëra-tjetrën, nuk e përjashtojnë. “Burimi i jetës”, për shembull, është më i mirë se “Revolta e Atlasit”.
Kryevepra e Randit, në gjykimin tim, është “Ne të gjallët”. Ngjarjet zhvillohen në Rusinë pasrevolucionare dhe tregon historinë prekëse të tre njerëzve që luftojnë kundër shtypjes totalitare komuniste. Të drejtat kolektive, një problem që e has në këtë libër, por edhe në artikujt dhe librat e tjerë të Randit, kur ekzagjerohen, i gllabërojnë të drejtat e njeriut. Randi paraqet qartë se në emër të kolektivit, individi ka qenë gjithmonë i sakrifikuar. Për shqiptarët, ndër shekuj, kolektivja apo komunitarja (e përbashkëta, e jona) duket se ka qenë diçka e huaj, shumë e huaj. E vëren edhe Faik Konica kur shkruan se mungesa e kësaj fryme të përbashkët mund të jetë interesante, por ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë.
Për dekada radhazi nën diktaturë, kolektivizimi me dhunë nuk dha efektin e dëshiruar, sepse e përbashkëta realizohet vetëm mbi një premisë – Solidaritetin. Është fryma e solidaritetit që mban gjallë shoqërinë dhe mirëfunksionimin e saj. Dhe këtu Randi ka të drejtë, duke na parashtruar një lloj individualizmi etik, kur na thotë se mund të jemi individualistë, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të jemi solidarë. Figura si miku, shoku apo fqinji janë të rëndësishme në këtë projekt solidariteti. Çuditërisht, është interesante se si e mbajmë gjallë ndër vedi solidaritetin, edhe pse pushteti punon përdita me e zhbë.
Ajn Randi na tregon se si të pasurohemi. Sipas saj, pasuria e Perëndimit nuk u krijua nga flijimet publike për “të mirën e përbashkët”, por nga gjenialiteti produktiv i njeriut të lirë që ndoqi interesat e tij personale. Ajo që kam kuptuar nga Randi, sa i përket shoqërisë sonë, është se zgjidhja nuk vjen nga ideologjitë, porse nga qytetarët e lirë, sepse kjo mundëson shpërthimin e gjenialitetit krijues. Imponimi nga sipër, një plagë që e kemi vuajtuar tash e një shekull, ka sjellë skamni dhe korrupsion galopant. Imponimi nga sipër dhe liderët e fortë e kanë tëhuajëzuar rendin e gjërave duke na ndarë në mjete dhe armiq.
Shohim sa thjeshtë bëhen sipërmarrës, të suksesshëm dhe akademikë shumë shqiptarë nëpër emigracion, por këtu, në vendin e tyre, është e vështirë. Nëse do e pyesnim Randin pse, na thotë se është gjenialiteti krijues që të jep liria ajo që sjell fryte. Liria, sipas saj, është më e shtrenjtë se çdo vlerë tjetër. Ajo e pa me sytë e saj si stalinizmi ynë i gjatë nën Enverin shtyp pa mëshirë. Pa mrekullinë e zhvillimit ekonomik dhe politik amerikan. Liria, qytetarët e lirë, sipërmarrësit pa frikë se do i zërë taksirati me taksidarin janë receta e suksesit, sipas saj.
“Ne të gjallët”, libri që e kam më qejf prej Randit, është realizuar edhe në një film me dy pjesë: “Noi Vivi” dhe “Addio, Kira”.
