Sebastian Zonja, gazetar, moderator televiziv dhe analist politik

Haga nuk zhbëhet me iluzione: Çfarë duhet të bëjë Kosova pas vendimit? – Nga Sebastian ZONJA

Krahu i luftës mbetet pasuri kombëtare, por përballja me drejtësinë ndërkombëtare nuk zgjidhet me retorikë mediatike apo teoritë e konspiracionit. Shfuqizimi i Gjykatës Speciale sjell pasoja të rënda diplomatike; rruga e vetme e dinjitetshme për Kosovën është organizimi serioz juridik për të mbrojtur çlirimtarët dhe idealet e tyre

Sebastian ZONJA
4 Min lexim

Krahu i luftës është pasuri kombëtare. Të gjithë u prekëm nga vendimi i Gjykatës në Hagë për ish-komandantët e UÇK-së. Drejtësia tha një pjesë të fjalës së saj, por historia do shkruajë gjithnjë ndryshe, se lufta për çlirim, për liri, është ideali i njerëzve të mëdhenj.

Në Prishtinë janë tubuar mijëra qytetarë në shesh për të demonstruar kundër kësaj padrejtësie. Lidershipi i Partisë Demokratike kërkon ta kthejë këtë ngjarje në mundësi me unifiku radhët e veta. Ngjan se, më së shumti, PDK-ja po tenton të fshehë disa probleme të brendshme nën petkun e një lajmi të kobshëm. Litari nëpër të cilin po ec PDK-ja është, në njërën anë, delegjitimimi i procesit për opinionin publik dhe, në krahun tjetër, një betejë me drejtësinë ndërkombëtare. 

E para është teknikë e njohur në komunikimin publik, porse nuk jep efekt të madh. Delegjitimimi i procesit apo gjyqtarëve dhe prokurorëve shërben me ndërtu narrativën e vendimit të ndikuar, por nuk kemi siguri sa efekt ka te vendimi i apelit.

E dyta e paraqet gjykatën të varur nga Serbia dhe Rusia, teksa përballja e drejtëpërdrejtë me gjykatën është me ata që bënë presion të madh me e formu – aleatët amerikanë dhe evropianë.

Është në dorën e lidershipit të PDK-së të vendosë se si do e vijojë këtë betejë.

Kurti e ka fajin

Është interesante se si një pjesë e opinionistëve në Prishtinë po e zhvendosin vëmendjen drejt Albin Kurtit si njëri ndër shkaktarët e dënimit. Tentativa me polarizu situatën në ekstrem ku njëra palë është viktima e “tradhtisë së Kurtit” veçse krijon ndarje shumë më të thella në skenën politike dhe shoqërore. Në betejën politike mes LDK-së dhe PDK-së Albin Kurti u fut me shprehjen famëkeqe “me marr Thaçi për çunin gocën e Vuçiqit”. Pasojat e këtij ekstremizmi ndihen sot në skenën politike ku fjala tradhtar ka marrë shumë zë.

Apeli

Përpara klasës politike në Kosovë shfaqet detyra me mendu si ta fitojnë çeshtjen në Apel. Krahu i luftës në Kosovë është pasuri kombëtare dhe ripaketimi i idealeve të tyre, dikur për liri, sot për një Kosovë me dinjitet jetese brenda dhe në skenën ndërkombëtare është e rëndësishme. Mund të merremi gjatë me jetën e prokurorëve e gjykatësve, siç merret në Tiranë Erion Veliaj me prokurorët e çeshtjes së vet; mund ta paraqesim si komplot ndërkombëtar, siç e paraqet Sali Berisha non-grata-n e vet, porse detyra është me u organizu që zgjedhjet e ardhshme të jenë më konkurenciale dhe beteja në Apel kumt me bashku mendjet më të mira të kombit në dobi të komandantëve.

Të zhbëjmë Gjykatën

Për ta shfuqizuar gjykatën, Kosova duhet me dal prej konventës së Gjenevës apo konventave të tjera ndërkombëtare që ka nënshkruar. Është e rëndësishme me kujtu se nuk është kaq e thjeshtë me dal prej konventave ndërkombëtare. Pasojat janë të mëdha. Nuk kemi fuqinë e Amerikës të ndërmarrim të tilla vendime. Në Hagë po gjykohen komandantët, porse UÇK-ja është vlerë kombëtare që shtrihet në një shekull sakrifica.

Për përfitime politike apo nga mendjengushtësia ka me qindra njerëz që po marrin hapsirë nëpër televizione dhe portale me paraqit ide nga më të bukurat deri tek më absurdet. Ndër absurdet janë ato kur pyesin pse shqiptari po dëshmon në gjykatë, apo se vendimi ka tronditur pavarësinë e Kosovës. 

Liri për çlirimtarët! Betejat politike të klaneve në PDK nuk duhet të fshihen pas gjykimit të komandantëve.

Share This Article
Leave a Comment