Krist MALOKI, dijetari mërgimtar i Grac-it

Dy fjalë për jetën
Prof. Krist Maloki lindi në Prizren të Shqipërisë etnike më 1900. Mësimet fillore i mbaroi në vendlindje, pranë shkollës katolike të Prizrenit. Në moshën 12 vjeçare dërgohet me bursë për studime në Austri. Aty kreu shkollën e mesme dhe mori dy doktorata, të parën me 1929 në Filozofi dhe të dytën në Shkencat Juridike më 1934. Qe profesor i rregullt i Akademisë Tregtare të qytetit të Gracit dhe profesor pranë Universitetit të Gracit për letërsinë shqipe e ballkanike. Më 1966 qeveria austriake ia akordon titullin Oberstudienrat (kryekëshilltar arsimor). Vdiq në Nëntor 1973 në Grac të Austrisë. Ka lënë shumë dorëshkrime të pabotuara në shqip dhe gjermanisht. Të gjitha studimet e tij janë shpërndarë nëpër revista dhe gazeta shqipe dhe të huaja. Gjithashtu ka lënë një bibliotekë të pasur me vlera albanologjike.
Krist Maloki ishte një studiues brilant i palëvizshëm nga cilësia. Në raport me shumë çfaqje të jetës shpirtërore shqiptare, ai shpalosi universin e tij duke dhënë qartë shembullin e një intelektuali të zhveshur nga miti. Replikat intelektuale me Mitrush Kutelin, për një problem të tillë kulturor, në është apo jo poet kombëtar Lasgush Poradeci, janë shprehje të spikatura të një niveli të lartë që kishtë elita shqiptare në atë periudhë. Duke përjashtuar plotësisht keqkuptimin që mund të lindë nga mediokriteti i shumë njerëzve që bëhen skllevër të opinioneve, duhet thënë, se ai debat, nuk kishte qëllim në vetvete që të denigronte lirikun shqiptar, të cilin në të vërtetë e nderonte edhe vetë, por për të diskutuar klasin e tij. Pavarësisht nga diversiteti, që kanë dhe nga subjektivizmi i opinioneve, ato debate të ftojnë të guxosh. Sigurisht që kritiku i Prizrenit mendonte më ndryshe nga dijetari shqiptar i Bukureshtit. Ky qëndrim nuk shprehej as për modë dhe as për cinizëm, por për arsye kërkesash, shijesh dhe pretendimesh të ndryshme. Maloki ishte një njeri që ishte rritur dhe arsimuar kryesisht në Perëndim. Duke marrë kulturë të mirë gjermane, ai kishte krijuar parametrat e tij të lartë, për të konsideruar një poet kombëtar, pra kishte rezervat e tij për një Gëte apo një Dante shqiptare. Edhe sot, përmenden aty-këtu në shtypin e Tiranës dhe Prishtinës, këto dy kritika, dhe kujtohet “çudia” e këtij njeriu.
Në aspektin biografik lidhja e tij me problemet kombëtare shqiptare dhe pjesëmarrja aktive në të është fenomenale. Kjo shfaqje e jetës së tij na konfirmon emrin e një njeriu idealist dhe formalisht, i ngjan jetës së një shqiptari të rëndësishëm të jetës tonë kombëtare. Ai lindi dhe u rrit në Ibrik Tepe të Turqisë nga ku u edukua në shkolla të tjera, por shqipen e mësoi më mirë nga shumë intelektualë të tjerë të rritur në vendin e tyre. Shumica e njerëzve që e njohin jetën e Nolit mezi e dallojnë dhe shumë rrallë këtë gjë. Kjo ndodh sepse ky njeri me atdhedashurinë e tij të madhe, e bëri gati të padukshmë këtë ndarje. Aq të forta ishin lidhjet me atdheun e tij, saqë pavarësisht nga ambienti, ku ai i drejtohej i frymëzuar, dukej sikur ishte një individ, që edhe tërë fëmijërinë e kishte nisur nga atdheu. Afërsisht kështu ka ndodhur edhe me Malokin. Lindi në Prizren dhe u rrit, kur Kosova ishte e ndarë me atdheun amë, dhe për pasojë lidhjet kulturore, nuk ishin kaq të lira. U edukua, u arsimua dhe u punësua në Austri, por lidhjet me atdheun u bënë të forta, sikur mendimet e tij ishin ndjenja të atij realiteti.
Sot na merr malli për njerëz të tillë, që botës së sotme shqiptare të xhepit dhe të interesit ku idealizmi zvarritet në honet e ethshme të fitimit, po i duken fare pak.
Në tërë veprimtarinë e shkruar e të botuar prej tij në shtypin dhe revistat e kohës ndiejmë përpjekjet e fuqishme të një inteletuali oksidentalist të përcaktuar qartë. Por këtë orientim ai e sugjeronte vetëm duke kaluar nëpërmjet rrugës tradicionale. Privilegji i të jetuarit në ambientin e huaj perëndimor i kishte dhënë qartësi peshe dhe mendimi, për ta predikuar më mirë nga shumë të tjerë kalimin nëpër këtë rrugë.
Ana nga e cila ne duhet që të shkojmë ishte oksidenti-thoshtë ai. Por flamuri i veprimtarisë sonë kulturore ishte tradicionalizmi. Mbas atij flamuri duhet, që të marshojmë. E dimë se tek disa të ashtuquajtur përparimtarë të rinj, ndoshta në moshë, por të plakur në shpirt, këto pohimet tona shkaktojnë buzëqeshje përbuzëse. Ne e përkrahim dhe duhet që ta ndjekim me të gjitha përmasat e veta përparimin në çdo degë të diturisë dhe të jetës, por tradicionalizmin duhet ta ruajmë me vetëdije të plotë si komb. Jemi të bindur se po deshtëm me rrue në botë si shqiptarë, duhet të vemë në themel të bashkëjetesës sonë kombëtare traditën.
Merret vesh traditën e kuptueme dinamikisht të rrahun në frymë të kohës, të pastrueme nga ndryshku i paragjykimeve, që s’kanë të bëjnë me palcën e thjeshtë të brumit tonë fisnor. Duem, që breznitë e ardhshme ta endin jetën e tyne me elementat ma bujarë të përvojës së Etenve të lashtë. Kush lakmon përtëritjen e shkëputun nga tradita, ai verbërisht përgatitet me marrë traditat e të huejit.
Problematikën specifike të shqiptarëve ai kishte arritur ta njihte mirë dhe në polemikat që bënte shpesh mbi këtë problem pranonte mundësinë e zgjidhjes së tyre, madje i quante absolutisht të zgjidhshme. Por zgjidhjen e këtyre problemeve, si fillim e kuptonte, si ndryshim për së brendshmi, pra duke ndryshuar jetën shpirtërore, si oksidentalist i prezantuar qartë, ai besonte në bërjen e një Shqipërie të re, duke ndryshuar së pari mënyrën e të menduarit, të punuarit dhe të jetuarit oriental.
Tek gjendja jonë e varfër shpirtërore, që kemi, sundon e kaluara – shkruante ai. Qëndron kapadaillëku, dembelizmi, trishtimi, melankolia, myku bizantin, tek të cilat vegjetojnë plagët tona shoqërore dhe sociale. Në procesin e gjatë e të vështirë të analizës së problemeve të shumta shqiptare gjenden hijet e pushtimeve të huaja dhe fryma e keqe, që ato krijuan dhe na lanë si dhuratë. Këto pushtime jo rrallë vijnë pa krisma armësh, dhe gjëmimi, por me frymën e ndotur të kulturës së prapambetur që sjellin.
Era e rëndë orientale, që ka filluar të fryjë, që nga epoka bizantine shpirtit të shqiptarit i ka bërë dëme të mëdha. Sipas autorit, orientalizmi shqiptar ishte një sistem i të menduarit, të ndjeri, të sjelluri dhe të vepruari, dhe ka krijuar botëkuptimin dhe filozofinë e tij. Ashtu, siç dallohet e veçohet çdo filozofi dhe botëkuptim nga disa pikëpamje karakteristike ashtu dallohet dhe karakterizohet edhe orientalizmi shqiptar, nëpër disa shprehje syptomatike dhe jetëfilozofike.
Në pamfletin e famshëm “Oriental apo oksidental” botimi i të cilit në revistën “Hylli i Dritës” më 1937 bëri bujë dhe krijoi efekte të drejtpërdrejta tek opinioni më i zhvilluar, ai u prezantua hapur si një njeri, që kishte vrojtuar me kujdes me sytë e tij të mëndjes, një dekadë të rëndësishme të jetës kombëtare dhe ndryshimin ndërmjet “Pleqve dhe të rinjve” e trajtonte nga një këndvështrim, që rrallëherë, rrallë kush e vlerësoi kështu. Sigurisht, që kishte edhe njerëz dhe mendimtarë të tjerë, siç ka edhe sot, që problemin e “Të rinjve dhe të vjetërve” e trajtojnë me pak ose aspak përjashtime, si gomari i Qerosit, për bishti dhe jo për kapistre. Ky problem, nuk u vendos dhe nuk u trajtua, si duhet, siç bëri Krist Maloki, i cili, e vendosi, si një problem të rëndësishëm kyç, për të ardhmen mbi baza të sigurta filozofike, sociologjike dhe historike. Ndërsa sot po ndodh e kundërta. Gati tek çdo autor qoftë “i vjetër” apo “i ri”, shihen inate e interesa efemere, shtrime e lajkatime, mbrojtje përpara “një sulmi” të pa qenë, mungesë e koncentrimit rreth ndonjë interesi të përbashkët, dhe kësodore duke rrahur secili ujë në havan të vetë, çështjet mjegullohen dhe problemet pështjellohen, duke u transformuar në kaçamak turli-turli pikëpamjesh dhe duke mbetur si rrjedhim një shpirt pa caktim dhe pa drejtim.

Pas një vlerësimi këmbëngulës me arsyetime filozofike dhe referenca social-historike problemin shqiptar ndërmjet “Pleqve” dhe të “Rinjve”, autori ynë e gjen tek orientalizmi ynë, i cili e ka brejtur nga brenda, nga shpirti shqiptarin, duke ia shpërbërë fuqitë e tij kolektivo-kombëtare.
Lufta ndërmjet “Pleqve” dhe të “Rinjve” nga mosha, ka për të vazhduar sipas ligjeve të amashuem (dasht zoti) deri në mbarimin e botës – thotë autori. Por lufta më e rreptë, që priti brezin e ri shqiptar, është mbrapa portës dhe na pret të fillojmë – vazhdon ai. Kjo luftë dallohet nga të tjerat, nga drejtimi që ajo ka kundra një armiku të padukshëm dhe të rrezikshëm për shpirtin e kombit. Lufta e ardhshme është lufta e djalërisë shqiptare kundra armikut të zemrës së vet, është lufta e një mendjeje krijuese kundra një mendje destruktive, është lufta e një botëkuptimi drite, kundra një botëkuptimi errësire, është lufta për oksidentalizmin shqiptar, kundra orientalizmit shqiptarë. Dy fronte armiqësore po e copëtojnë sot zemrën e kombit tonë. Është mirë, që t’i tregojmë brezit të ri, se ku gjenden skatoret dhe llogoret e kësaj lufte.
Koha hapësinore vërtet, që ka ecur përpara, por nga pikëpamja shoqërore koha shqiptare ka mbetur në vend. Problemet shqiptare, po përsëriten, po koklaviten dhe po bëhen të pamundura, për t’u zgjidhur si dikur. Koha e edukatorëve të atëhershëm, si Gjergj Fishta, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Krist Maloki, Tajar Zavalani, Anton Harapi etj., të cilët me kulturën e tyre të lartë dhe punën e madhe që bënë duke iu krijuar një edukatë të re qytetare publikut shqiptar, tolerancë dhe mirëkuptimi truallit politik shqiptarë, është zëvendësuar nga koha e shigjetarëve dhe inatçorëve të mëdhenj që luftojnë për interesa personale me njëri-tjetrin.
Çudibërësit e politikës së sotme shqiptare, të cilët janë pozicionuar në luftë me njëri-tjetrin dhe njëherësh me faqen e përgjithshme të shqiptarëve, me sa duket kanë shijuar vetëm atmosferën e shijeve dhe veseve të ndotura të orientalizmit dhe nuk e kam ndjerë kurrë kthjelltësinë e kulturës perëndimore, të kësaj plejade mendimtarësh, në të cilën është i ndjeshëm edhe kontributi i Malokit.