Mendimtari që u dha një fizionomi të klasit të parë shkrimeve shqipe gjatë një periudhe rreth 25 vjeçare.
Ai është nga ato shqiponja që qysh kur u ngrit në këmbë, filloi të ecë në jetë duke e puthur këtë tokë. Postulati i shkruar mbi derën e noterisë në Gjirokastër, atje ku shërbente ai, se “Shqipëria, për inat të atyre që s’na duan, do të bëhet më e mirë” qe parathënia e gjithë rrugës së jetës së tij.
Vangjel Koça ka lindur në vitin 1900 në qytetin e Gjirokastrës ku mbaroi edhe shkollën fillore e atë qytetëse (7 vjeçaren). Pastaj mbaroi gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Më vonë ndoqi fakultetin e drejtësisë në Itali ku u thellua edhe në studimet e gjuhës italiane. Shërbeu rreth pesë vjet si sekretar në prefekturën e Gjirokastrës dhe më pas mori udhën e mësuesisë, ku përmendet qëndrimi prej 2 vjet në Liceun Franko-Shqiptar të gjirokastrës. Në vitin 1929 u emërua noter i vendlindjes, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1936. Që nga viti 1939 deri në vitin 1943, në çastin e vdekjes, vazhdoi të ishte pjesëtar efektiv i Institutit të Studimeve Shqiptare me cilësinë e kritikut letrar. Që nga viti 1920 u mor vazhdimisht me gazetari, duke filluar bashkëpunimin e vet në gazetën “Drita” të cilën e drejtonte asokohe V. Harshova. Më vonë ishte bashkëpunëtor edhe në gazetën “Demokratia” në të cilën mbajti disa vjet rubrikën “Lëvizje mendore”, të faqes së tretë me pseudonimet “Vangjo Nirvana, Vangjo Krishna dhe Vek”, pa lënë mënjanë asnjëherë bashkëpunimin me gazetat e tjera shqiptare. Ka qenë një nga themeluesit kryesorë të lëvizjes ideologjike neo-shqiptare dhe drejtoi numrin e vetëm të gazetës “Neoshqiptarizma”.
Një veçori kryesore e kritikës së tij ka qenë kriteri i gjerë. Ai e kuptonte rëndësinë e të gjitha degëve kulturore: variacionin e dritave të jetës, të shpirtit e të mendjes, por veçanërisht rrymat e ndryshme estetike dhe letrare.
Ka botuar në përkthim “Manualin” e Epiktetit disa nga “Dialogjet” e Lukianit dhe “Bisedë për Metodën e Dekartit”.