Blog

  • Në Gjermani, punonjësit e McDonald të mbyllur nëpër shtëpi do të mund të vazhdojnë punën në Aldi

    Në Gjermani, punonjësit e McDonald të mbyllur nëpër shtëpi do të mund të vazhdojnë punën në Aldi

    Po ndodh në Gjermani, por kush e di nëse ky model bashkëpunimi do të zbatohet edhe në vendin tonë. Bëhet fjalë për një partneritet i rëndësishëm, ai i nënshkruar midis Aldi, shumëkombëshes gjermane të shpërndarjes në shkallë të gjerë dhe McDonald’s Germany: “Punonjësit e McDonald që janë prekur nga mbyllja e restorantit të tyre ose janë duke punuar në mënyrë të kufizuar – lexohet në njoftimin zyrtar për shtyp – për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi dhe që ende duan të vënë në dispozicion kapacitetin e tyre të punës, tani mund të punësohen në degët e Aldi në Gjermani (si Aldi North, ashtu edhe Aldi South, dy degët në të cilat kompania është e ndarë që në vitet ’60 nga një mosmarrëveshje midis dy vëllezërve themelues) pa pasur nevojë të ndjekin ndonjë procedurë të veçantë burokratike “. Personelit McDonald’s do t’i aplikohen kushtet standarde të Aldit dhe, pasi emergjenca të ketë përfunduar, do të rikthehet në aktivitetet e tij mormale nëpër pikat e shitjes së zinxhirit të fast-food-eve.

    “Aktualisht në Gjermani iu kërkohet të gjithëve të bëjnë pjesën e tyre që të përballohet kjo krizë. Me këtë zgjidhje ne mund ta bëjmë dhe në të njëjtën kohë të ofrojmë një situatë klasike avantazhuese për të gjithë: punonjësit tanë, nëse dëshirojnë, mund të vazhdojnë të jenë të punësuar. Në të njëjtën kohë, Aldi do të jetë në gjendje të përfitojë nga burime shtesë duke siguruar që ai mund të funksionojë plotësisht edhe gjatë krizës”, ka deklaruar Holger Beeck, CEO i McDonald’s Germany.

    Një aleancë me të vërtetë strategjike në këtë moment emergjence, në të cilin fast-food, si shumë biznese ushqimore, janë të detyruar të zvogëlojnë në mënyrë drastike aktivitetin e tyre, ndërsa stafi i gjigandit të shpërndarjes është thuajse i mbytur nga një stërngarkesë e madhe pune dhe stresi për shkak të mbushjes plot e përplot të supermarketeve me njerëz gjatë gjithë ditës.

    Nicolás de Lope, zëdhënëse e bordit të drejtorëve të Aldi Nord, deklaron: “Kohët e veçanta kërkojnë zgjidhje të veçanta. Kjo formë e bashkëpunimit deri më tani ka qenë unike për Aldin. Ne jemi të bindur se mund ta kapërcejmë këtë krizë me zgjidhje jokonvencionale dhe me një kohezion të fortë “.

  • Skandaloze, harxhon miliarda euro për PPP, të kërkon llogari për internetin

    Skandaloze, harxhon miliarda euro për PPP, të kërkon llogari për internetin

    Në rrjetet sociale ka nisur një sfidë ironike, e quajtur: Kur nuk i kërkon llogari Ramës për miliardat, të kërkon llogari për internetin. Gjithçka nisi pasi kryeministri sulmoi me fyerje qytetarët e vendit të tij, duke u thënë se nuk kanë pse ankohen për situatën.

    Në komentet e njerëzve, Rama nisi t’u kërkonte llogari se ku i kanë gjetur lekët për internetin. Kaq i madh është zemërimi online ndaj tij, sa zor të ketë një kryeministër që ka qenë kaq jopopullor në vend.

    Përveç kësaj sfide, një video është bërë virale. Ajo numëron milionat që shkojnë për koncesionet e miqve të Edi Ramës. Ndërkohë ai ankohet se shteti nuk ka lekë për shqiptarët dhe u kërkon atyre llogari edhe pse marrin frymë.

    Mos harrojmë se janë afro 5 miliardë euro koncesione të dhëna nga kjo qeveri. Po ashtu nuk duhet harruar se dhjetëra miliona euro tendera janë dhënë edhe gjatë këtyer dy javëve të vështira për vendin. Vetëm për keqllogaritjet nëpër koncesionet e Ramës, shqiptarët duhet të paguajnë plot 240 milionë euro shtesë.

  • Gentian Gaba – Mllefi i Ramës ndaj popullit që po keqqeveris vendin

    Është e njëjta supë. Përveç ndryshimeve nëpërmjet të cilave përpiqet ta pasurojë performancën me hile pi-ari; si për shembull telefonata me qytetarët, e cila në fakt është një kopje e ‘Alo Presidente’, që Hugo Chavez përdorte për të mbajtur gjallë regjimin e tij, apo sajimet skenografike me përdorimin e portretit të Ismail Qemalit, përherë në krah në daljet e tij, në përpjekje për të krijuar simbolikën e njësimit me flamurtarin e pavarësisë, mesazhi i Ramës është po ai.

    Prej të paktën dy javësh përdor të njëjtën kasetë, një grusht fjalësh që kërkojnë të ngulisin në trurin e shikuesit gjendjen e luftës, frikën dhe pasigurinë.

    Një fjalor i helmatisur që synon trajtimin e qytetarëve si fëmijë, me udhëzime në dukje atërore të cilat kanë për qëllim ndrydhjen e çdo reagimi. Një qasje që dallohet qysh në mënyrën sesi formulohet nga pikëpamja gjuhësore mundësia e qytetarëve për të dalë nga shtëpia.

    Ndryshe nga vendet e tjera, ku gjerësisht aplikohet vetë-çertifikimi, një shkresë e firmosur nga qytetarët në të cilën deklarojnë arsyet e lëvizjes, duke i njohur qytetarit të drejtat dhe autoritetin që kanë në gëzimin e tyre, për të dalë një shqiptari duhet të marrë leje.

    ‘Leje për të dalë’ quhet aplikimi digjital, i cili nga pikëpamja gjuhësore e trajton qytetarin si një të mitur i cili nuk gëzon të drejta por ato i jepen pasi ai ka dërguar një SMS apo plotësuar një formular në telefonin e tij inteligjent. Gjuhë që sigurisht kërkon të formësojë një realitet në të cilin qytetarët të jenë komodë me shtrëngimet që po iu imponohen, dhe të pakujdeshëm ndaj alternativës që nuk po iu ofrohet.

    Një gjuhë që kërkon që njerëzit e thjeshtë të bëjnë gosti me frikën, duke shënjestruar të pavetëdijshmen, nëpërmjet kalljes së datës, në mënyrë që të mbizotërojnë emocionet dhe jo argumentat, kësodore çdo gjë që do të vijë në fund të karantinës, do të jetë e papërfillshme në krahasim me rrezikun e sendërgjuar të ferrit në tokë, ku të marrurit frymë do të duket një luks dhe cedimi i lirive një normalitet.

    Dhe në këtë klimë tejet të tensionuar, falë politikës së e-mocioneve digjitale ku facebook-u zëvendëson parlamentin, dhe ministri i ngarkuar për menaxhimin ekonomik të pandemisë mëson për shpalljen e fatkeqësisë natyrore nga ekrani në të cilin ndodhet, paradoksalisht, Rama i kërkon plot mllef llogari popullit, sikur të jetë ky i fundit që po keqqeveris vendin.

    Sikur shqiptarët të jenë fajtorë për 140 milionë euro që do t’i shkojnë Becchettit, dhe jo shëndetësisë; sikur shqiptarët të jenë fajtorë për 240 milionë eurot shtesë që do të paguhen për gabimet në hartimin e pesë kontratave koncesionare, të cilat mund të shkonin në paga për ata që sot kanë humbur vendin e punës; apo për dëmin ekonomik prej 223 milionë euro që raporton KLSH vetëm për 2019-ën.

    Një skemë tashmë e njohur me të cilën, përkrah viktimizimit patologjik, fajtori bëhet agresor për të fshehur mungesat dhe fajet e tij. Rama lan duart me ekonominë dhe shëndetësinë, dhe në pamundësi për të ofruar zgjidhje, kërkon që qytetarët të harrojnë se si kanë jetuar më parë. Sigurisht një kërkesë e leverdisshme vetëm për atë që i shpëton llogaridhënies, mbi të cilën ndërtohet marrëdhënia midis të zgjedhurit dhe zgjedhësve, dhe falë të cilës kërkon të vendosë në harresë dështimet dhe abuzimet gjerësisht të njohura nga publiku.

    Një kërkesë që në të njëjtën kohë është hipokrite, sepse ndërkohë që qytetarëve iu bëhet apel t’i dorëzohen harresës dhe njëkohësisht të shtrëngojnë rripin, pasi ‘në luftë nuk konsumohet si në kohë paqe’, Rama vazhdon të hedhë paratë e taksapaguesve në projekte që nuk i sjellin dobi ekonomisë së paralizuar. Shtatë milionë euro për rehabilitim sheshesh vetëm këtë të shtunë, sigurisht një pikë e vogël në atë det që vetëm për Ramën dhe një grusht të vogël njerëzish u bë kos, por që me racionalitet mund të shkonin aty ku lips emergjenca.

    Kjo shifër, shtatë milionë euro, në këtë moment krize humanitare dhe ekonomike, është një shumë e vogël por që ekspozon të vërtetën e madhe se, përballë një sfide të re dhe të rrezikshme, Rama ka vetëm përgjigjen e vjetër të propagandës dhe fasadës.

  • Ky i babëzitur duhet të ishte në burg…

    Ky i babëzitur duhet të ishte në burg…

    Belind KELLIÇI

    Ndersa qindra qytetare jane te prekur me COVID-19, disa po luftojne me vdekjen, mijra te tjere jane ne ankthin e mungeses se ushqimit te perditshem, miliona shqiptare jane ne panikun e asaj qe do te vije, i vetmi njeri ne kete vend qe e ka mendjen tek intrigat politike, eshte si gjithmone ai, Erion Veliaj!

    Ne show-un e tij sot per mbulimin e deshtimit te pastrimit te plehrave ne Tirane, te dizinfektimit te rrugeve te qytetit, te sigurimit te ndihmave per te pamundurit, per rradhet e gjata te pageses me cmim shume fish me te larte te ujit te pijshem nderkohe qe uje nuk ka, ai vjen verdalle neper Tirane, duke sulmuar kreun e opozites me propaganden e tij te dale boje!

    Ne fakt nuk ke cfare pret tjeter nga nje njeri qe duhet te ishte sot ne burg, sepse per shkak te grykesise se tij, makuterise e babezise, coi ne vrasjen e nje te riu, Ardit Gjoklajt! Shqiptaret nuk e harrojne faktin Erion, se per shkak te kthimit te Tiranes ne lavatrice te pastrimit te parave, sot kemi edhe nje tjeter kusht per celjen e negociatave dhe anetaresimin ne BE!

    Shqiptaret sot nuk duan perplasje politike, nuk duan show e propagande, por duan dhe presin zgjidhje, duan buke, duan siguri, duan uje 24 ore ne dite dhe duan te shohin e te degjojne ekspertet e shendetesise ne keto dite te veshtira, jo te shohin fytyren tende!

  • At Zef PLLUMI – Kur komunistët hynë në Shkodër flamujt jugosllavë valaviteshin në çdo rrugë, jehonte kënga “Ide druzhe Tito preko Albanie”

    At Zef PLLUMI – Kur komunistët hynë në Shkodër flamujt jugosllavë valaviteshin në çdo rrugë, jehonte kënga “Ide druzhe Tito preko Albanie”

    (Pjesë nga vepra “Rrno vetëm për me tregue”)

    28 Nandori 1944, qe nji ditë e ftohtë, e zymtë, ndoshta mâ e zymta që prej shpalljes së pamvarsisë. Qysh në fëmijni këtë ditë e kishim festue me dritë, ngjyra, kangë, brohori e flamuj. Flamujtë ishin naltue në kumbonaret e kishave, por ishin si të vetmuem dhe atê ditë nuk i kqyrte kurrkush. Gjermanët ishin largue të gjithë prej kazermave, zyrave dhe vend-rojeve të tyne në drejtim të Malit të Zí. Shkodra priste hymjen e partizanëve, të cilët ndër kodra të Bardhajve, në Postripë e përtej Urës së Bahçallekut pritshin largimin e plotë të gjermanëve.

    Atê natë u ndie zhurma e disa shpërthimeve të mëdha, aq sa u thyen xhamat e shumë shpijave. Nji motocikël gjermane ishte kthye prej Hanit të Hotit për me i ndezë minat e vendosuna ndër urat që lidhshin qytetin me fushat. Mbas atyne bumbullimave që shpallën largimin përfundimtar të gjermanëve, nuk fjeti mâ kurrkush n’atê natë të gjatë.

    Në Kuvendin Françeskan, ku jetojshem, zotnonte parandjenja se me atê çast Oksidenti po largohej prej nesh me nji hap shumshekullor, se kundra katolicizmit në Shqipní do të fillonte nji luftë, e cila, me gjasë, do të vente në rrezik vetë ekzistencën e elementit katolik në Shqipní.

    Për klerin katolik nuk qe gjâ e papritun, mandje mund thomi se ishte e parapame. Shumë vjet përpara kishim fillue pregatitjet e të rijve me lekcjone e konferenca për të përballue nji salvim aq mizor sa mund të na kushtonte edhe jetën…

    N’orarin e lutjeve të mëngjesit, që prej orës 5 deri 6, u mblodh i gjithë komuniteti françeskan me eprorin, At Mati Prendushin, dhe me lutje të veçanta kërkuem mbrojtjen e të Madhit Zot.

    Kisha Katolike në Shqipní gjindej në Kopsht të Gethsemanit: “O Zot, në kjoftë e mundun, largoje këtë kelk prej meje!” Lutja ishte kjo, por u bâ vullnesa e Zotit! 29 nandori gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë. Në orën 10.30 – 11.00, nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut: flamurit kombtar, që valvitnin përpara, i kishin shtue nji hyll të kuq.

    Na kqyrshim mbas grilave të dritareve. Për hir të së vërtetës, duhet dishmue se popullsia katolike e qytetit nuk merrte pjesë n’ate manifestim, përveç ndonji personi të rrallë, që njihej si prokomunist, ndërsa nji pjesë e madhe e popullsisë muslimane, veshë në tesha feste, jepte dukjen e nji pritje të gëzueshme. Ushtrija partizane, e veshun me gjithnduer uniformash të hueja, paraqitej si nji ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Çka bante mâ shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund ishin ato femna me pushkë në krah?

    Ndër kazerma nuk kishin çka me bâ, mbasi nuk kishin as rroba fjetje, as ushqime, prandej i shpërndanë nëpër familje: dikund 3, dikund 6-7. Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazitë. Por nuk ishin rob Zotit: këqyrshin me tinzí nëpër shpija nëse mund gjejshin ndonji gjerman ose “reaksionar” të mshehun.

    E para punë që banë qe vumja në funksionim e burgjeve, të cilat u mbushën plot e përmajë me njerëz të pafajshëm. Nuk kishin as bukë me u dhanë, prandej duhej t’ua çojshin familjet, përndryshe vdisshin. Ushqimet që u dërgojshin familjet ishin mâ shumë për partizanët e unshëm, se për ata të mjerë të torturuem. Menjiherë filluen të shpërndahen fjalë: kanë vra X-in o Y-in; ose për tjerë që ishin zhdukë pa shenj e pa nishan. Kush ishte kryetar i kësaj qeverije?

    Filloi me u përmendë emni i Enver Hoxhës, deri atëhere krejt i panjoftun për popullin e Shqipnisë së Veriut. Gjatë muejit dhetor u vendos pushteti i rí i Shqipnisë, që nuk kuptohej mirë nëse ishte ushtarak apo civil: të gjithë ishin të mëdhaj e kurrkush nuk kishte gjâ në dorë, përveç komandantëve partizanë, nga mâ të ndryshmit, të cilët ishin vendosë kush në nji shtëpi, kush në nji tjetër.

    Brigadat në Shkodër banë nji riorganizim, dhe kështu Major Gjin Marku me ata të parët që erdhën kaluen kufinin e Shqipnisë për t’u dhanë “ndihmë vëllazërore” popujve të Jugosllavisë. Shkodra u mbush me brigada partizane dhe çuditej se nga erdhën aq shumë ushtarë sa nuk i kishin pasë as ushtritë e hueja! Partizanët thojshin se kishin ardhë për të ndjekë gjermanin deri në Berlin, por ishin pa këpucë ndër kambë. Në përgjithësi ishin njerëz me të cilët nuk mund të flitej, me sjellje të këqija: hajshin bukën e përmbysshin kupën.

    Shumë ushtri të hueja kishte pá Shkodra, por si kët kurrnji jo!

    Menjiherë mbas asaj dite të 29 nandorit 1944, në rrugën Shkodër-Podgoricë filloi qarkullimi si kurrë mâ parë, në nji kohë që komunikacioni me Tiranën ishte tepër i vështirë për shkak të prishjes së urave, ndër të cilat filluen me u vendosë trapa lundrues e roje partizane. Kështu malazezë e shqiptarë qarkullojshin mes vedit pa kufi. Kush ishte sundimtari i vërtetë i Shqipnisë? Përgjegjen e jepte “trobojnica”.

    Flamujt e shumtë tri ngjyrësh jugosllavë valaviteshin në çdo rrugë, në çdo ndërtesë shtetnore e në çdo shpi. Ku u gjetën aq shpejt e aq shumë ata flamuj që populli i kqyrte me inat, sepse shenjojshin nji robní të ré të kombit shqiptar!

    Posa u hapën shkollat, ndër të gjitha, pa përjashtim, erdhën me mësue që të këndohej Hymni i atij flamurit të huej: “Ei slloveni josh ste zhivi”, “ço bajrak ne vije”, “zhivi zhivi jugoslovenski” si edhe “Ide druzhe Tito preko Albanie… preko Albanie…” (Un nuk e dij as sot kuptimin e tyne, as se si shkruhen, por kështu m’kan mbetun në vesh qysh n’atê kohë me gjithë meloditë e tyne). Hymnet tona të flamurit nuk u ndigjojshin mâ.

    Kaluen disa ditë. Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vû “trobojnica”. Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpëlitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin. Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim. Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan:

    “Duam të hipim në këmbanare!”

    Portieri më thirri mue, sepse un ditë për ditë u ngjitshem atje nalt për me kurdisë sahatin, të cilin e shifte gjithë Shkodra. Në të vërtetë, për kët detyrë ishte i ngarkuem At Filip Mazreku: ai kishte vendosë së fundit flamurin e vërtetë të shqiptarëve me 27 nandor 1944, por tue qenë se un ishem i rí e i gatshëm, m’i besoi çilsat e kumbonares.

    Shkova me vrap e gjeta At Filipin e i thashë se te porta kishin ardhë partizanët e dojshin çilsin e kumbonares. “Ndigjo, – më tha, – un nuk mund i shof me sy! Ti e din se këta mâ kanë zhdukë vllanë tem në Tiranë, pa shêj, pa nishan. Né nuk ia dim as vorrin, që të thomi nji uratë e t’i dërgojmë nji lule. Të lutem, shko ti me ta, çilsat i ke. Por ndigjo këtu: mos i len vetëm as për nji ças. Zoti e din se çfarë kurthesh mund të vejnë!”

    “Jemi të dërguar nga komanda për ta hequr atë rreckë që valavitet atje lart. Është turp, – thanë ata, – që mu mbi sheshin kryesor të qytetit të valavitet ajo leckë që nuk e ka as yllin partizan!”

    “Eh, po nuk kemi tjetër!”

    “I kemi prurë neve, të rinj fringo. Ja flamuri i Jugosllavisë motër, dhe ky me yllin partizan.”

    “Dy flamuj? – pveta un. – Po né kemi nji shtizë të vetme; nuk janë vendosë kurrë dy flamuj!”

    “Pse, t’Italisë nuk e vendosët ju?”

    “Kurrë.”

    “As atë të Vatikanit?”

    “Jo, kurrë.”

    “E si t’ia bëjmë?”

    “Si të doni.”

    “Ja që do kthehemi; do të marrim edhe nji tjatër shtizë, prandaj na prit këtu e mos ik gjëkundi!”

    Kur erdhën së dyti me shtizën tjetër, kërkuen prej meje çilsin e kumbonares. U ngjita bashkë me ta atje nalt, përmbi sahat, ku shpalosej flamuri. U mahnitën tue kqyrë qytetin rreth e rrotull.

    “Uaaa! Sa bukur!”

    Prej aty Shkodrën e kishe në shplakë të dorës. Mbasi u njoftuen me qytetin, atëhere e hoqën shtizën nga ganxha dhe venduen në tê flamurin e rí me hyllin partizan. M’u rrëqeth i gjithë trupi: ai flamur trim, malok, i rreckosun mbet aty si nji kufomë. Por kur deshtën me çpalosë flamurin jugosllav, nuk gjetën ganxhë.

    “Ku ta vendosim shtizën? Këtu nuk ka ganxhë. Dreq o punë! – thanë, mandej pvetën: -A keni pak tel që ta lidhim këtu në parmakë?”

    “Jo, nuk kemi. Po kqyri nji herë, po edhe sikur të këtë, këtu teli nuk u qindron stuhive e shtërgatave, se jemi nalt; duhet ganxhë.”

    “Dreq o punë, dreq o punë! – thanë. – Ç’na polli! Lipset bërë dhe ganxha. Po si nuk na the që parë?”

    “As un nuk e dijshem, nuk u kujtova.”

    “Rri këtu, se do të biem nji usta.”

    Zdrypën e shkuen.

    Mbas ndonji ore u kthyen me gjithë nji usta. Ai vendosi edhe dy ganxha tjera. Në anën tjetër të flamurit të Shqipnisë u çpalos flamuri jugosllav. Dy flamuj.

    Poshtë, në qendër të qytetit, në shpinë e ré të posandërtueme të tregtarit të madh Zef Kokës, ishte komanda e komandave: Komiteti i Partisë. Dy partizanët me kapota, nga kumbonari, i thirrën dikuj atje poshtë. Ai qindronte në rrugë dhe jepte sinjale me duer. Përsëri i hoqën flamujt dhe u ndërruen vendet: aty n’atê vend ku përpara valavitej flamuri shqiptar, aty u shpalos flamuri jugosllav. Ndërsa n’anën tjetër kaloi flamuri partizan, të cilit ia ndalonte mjaft pamjen

    Gjatë darke, në mensën e Kuvendit Françeskan, mbahej nji heshtim i plotë, sikur të na kishte dekë ndokush i familjes. Kurrkush nuk e hapi gojën. Mbas darkës At Mati Prendushi më thirri m’anësh e më pveti:

    “Ti i ke çilsat e kumbonares?”

    “Po, m’i ka lanë Pater Filipi për me kurdisë sahatin.”

    “Ti e vune flamurin jugosllav?”

    “Jo, kurrsesi. Erdhën dy partizanë dhe e vunë.”

    “A e din ti, – më tha, – se aty n’atê vend me 12 qershor 1913 asht vû për të parën herë në Shkodër Flamuri i Skanderbegut, dhe fretënt e kanë ruejt me pushkë në dorë? A e din ti se Pater Gjergj Fishta asht dënue me vdekje për atê flamur? A e din ti se as malazezët, kur kanë hy në Shkodër në 1915, nuk e kanë shpalosë atê flamur? A e din ti…”

    “Pater, – i thashë, – të gjitha i dij. Ata që e vunë aty flamurin jugosllav ishin dy partizanë me pushkë, të derguem nga komanda. Çka kishem me bâ un: me u vra me ta?”

    “Jo, jo, nuk po të them se ke faj. Por oh, sa turp i madh! Mâ mirë të mos e kishem pá kët ditë! E si mbërrijti me u valavitë flamuri jugosllav mbi kumbonaret e kishave tona? O Zot, shif e gjyko…! Njerëzit e pafé paskan vetëm bark! Po çka thanë ata partizanët, a u bani përshtypje e si e ndien vedin kur vunë flamurin jugosllav?”

    “Thanë se zbatojshin urdhnin e komandës, për mâ tepër ata folën mes vedit që atje nalt në kumbonare të vendosej nji mitraloz.”

    “Mitraloz?”

    “Po, nji mitraloz, sepse thanë që kumbonari kontrollon gjithë qytetin.”

    “Na e kemi dijë gjithmonë se çfarë lirije na bien serbët! Po çfarë shqiptarësh janë këta partizanë që luftojnë për sllavët? Kanë çue edhe djelmët tanë me i mbytë atje!… Mjerë Shqipnia n’dorë të kujt ka ra!”

    Nji paralizë e përgjithshme i ra jetës normale. Nuk pati mâ as rrugë, as telefon, as dyqan, as tregti, as zyrë, as dokumente zyrtare. Rrallëherë vetëm nji copëz e vogël letre me vulën partizane i hapte të gjitha dyerët. Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma. Njerëzit e ditun nuk dijshin mâ kurrgjâ dhe njerëzit e paditun kishin në dorë gjithshka: atê që nuk dihej!

    Mbas disa ditësh, mbrenda qytetit filluen operacionet ushtarake: kontrollet. Të gjitha shtëpitë e qytetit, pa përjashtim, kontrolloheshin prej partizanëve t’armatosun, në çdo skutë, në çdo birucë, në çdo oxhak, në çdo quer. Nën pretekstin se ishin në kërkim të “kriminelave” e “reaksionarëve”, këto veprime kishin si qëllim me mbjellë terrorin në gjithë popullsinë, prandej pothuej ndër të gjitha rastet, shoqnoheshin me pushkatime e me burgime.

    Shumëkush, për t’i ikë terrorit, merrte arratinë ndër male e hidhej n’ilegalitet, ose strukej te ndonji mik besnik. Ndëshkimet për ata që strehojshin “reaksionarët” ishin torturat e tmerrshme dhe pushkatimi, që ndodhte të bahej edhe vetëm pse emni i nji personi ishte i ngjashëm me atê të ndonji tjetni, të cilin e kërkojshin. E shumta e atyne njerëzve, ushtarakë a civila, të ngarkuem me detyra e përgjegjësi, ishin analfabetë ose gjysanalfabetë.

    Në fillim të dhetorit 1944, ia behi në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit nji grup i randësishem prej 7- 8 vetash, i shoqnuem prej Kolë Jakovës; thuhej se ky grup kryesohej prej Nako Spirut. Prunë me vedi shumë urdhnesa, si mbylljen e revistës kulturore “Hylli i Dritës”, si edhe të gjitha revistave tjera fetare Zani i Shna Ndout, Zgjimi i djelnmisë, Bijat e Zojës, etj.

    Urdhnonin mbylljen e shtypshkronjës si edhe të gjitha shoqatave fetare. “Vizituen” edhe Bibliotekën e Muzeun e At Shtjefën Gjeçovit. Kola kërkoi unazën e Gjeçovit. Kështu thirrej nji unazë antike, me gjasë e shek. I, arit, punim i dyfishtë me mjeshtri të madhe, që kishte nji gur të naltë joproporcional me unazën. Thohej se nji përfaqësues i British Muzeum-it kishte ofrue për tê shumën 14000 sterlina ar. Ndërkaq Kola e muer dhe lëshoi nji letër-vërtetim.

  • Nga Red VARAKU – I vetmi plan që ka qeveria, është plani për të shpëtuar veten

    Kur prezantoi planin e tij për daljen nga kjo situatë në Opinion, Rama i siguroi shqiptarët, që nuk kishte vetëm një plan A, por kishte edhe një plan B, C deri dhe D. Me një vetësiguri arrogante, ai përcolli disa shifra për të cilat ende sot nuk ka një shpjegim, ku të përcaktohet me detaje strategjia për realizimin e k?tij plani.

    Deri tani kaq dimë për atë plan me shtatë pika. Në fakt më shumë se plan, ajo ishte një lëvizje propagandistike, për t’ia kundërvënë planit të Opozitës, e cila që në fillim e akuzoi qeverinë për mosmarrje të masave për mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.

    Që qeveria e ka një plan për të dalë nga kjo situatë kjo është e qartë, por që ky plan nuk synon të shpëtojë aspak jetën e qytetarëve, por synon të shpëtojë jetën dhe fytyrën e kësaj qeverie, kjo është edhe më e qartë.

    Është e qartë që vendimet e kësaj qeverie në lidhje me situatën janë vendime të atypëratyshme dhe krejt të pamenduara, ashtu siç është e qartë që të gjtha vendimet e kryeministrit nuk synojnë t’i vijnë në ndihmë qytetarëve, por synojnë të mbulojnë dështimet spektakolare të kësaj qeverie.

    Në fakt është pikërisht mungesa e këtij plani që shpjegon dështimin e qeverisë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe kaosin që ka përfshirë qeverisjen shqiptare, ku gjithçka duket e paorganizuar, sepse njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit.

    Kuptohet që ky kaos shpjegohet vetëm me faktin që qeveria nuk ka asnjë plan real, transparent dhe të detajuar me prioritete të fiksuara dhe synime të qarta, ku të gjithë aktorët përkatës të bëjnë detyrën e tyre, ndaj ka vendosur të shpërndajë vetëm pasiguri dhe panik.

    Ajo nuk ka asnjë plan që synon të minimizojë dëmin, që do të shkaktojë virusi dhe depresioni ekonomik. Nuk ka asnjë plan që të na tregojë se si mund të kufizojmë numrin e të infektuarve dhe vdekjeve, por njëkohësisht si të maksimizojmë shpejtësinë e rindezjes së motorrave të ekonomisë tonë bazuar në mendimin e ekspertëve më të mirë.

    Sigurisht, që ankthit të qytetarëve nuk mund t’i japë fund thjesht një plan , por kur gjërat bëhen transparente në bazë të një plani të detajuar, ku përcaktohen me detaje se kur dhe sa do të paguhen qytetarët që kanë humbur punën për shkak të koronavirusit, ku përcaktohet se çfarë do të ndodhë me punën e tyre, me biznesin e tyre apo me qeratë e tyre, ku përcaktohet se çfarë do të bëhet me kreditë që kanë në bankë, ku përcaktohet se kur do të mund të rikthehen në punë, qytetarët kanë mundësi të bëjnë disa llogari për të ardhmen dhe do të mund të marrin frymë lirisht.

    Vetëm me një plan transparent dhe një stategji shtetërore për realizimin e këtij plani do të jetë shumë më e lehtë të binden dhe qetësohen të gjithë qytetarët, ndryshe nëse vazhdohet me propagandë boshe pasojat do të jenë mjaft të rënda, deri edhe të parikuperueshme për jetën dhe pasurinë e qytetarëve .

  • Show i anti KÇK/ A luftohet krimi pa hetuar lejet e Veliajt në Tiranë?

    Show i anti KÇK/ A luftohet krimi pa hetuar lejet e Veliajt në Tiranë?

    Nëse policët e OLF, që po bëjnë show në gjithë Shqipërinë duke ndaluar makinat e shtrenjta, kanë një mundësi për të treguar se e kanë seriozisht, ata mund të mos merren me dukjen e parave të krimit por me lavatriçen kryesore të tij. Fjala është për flluskën e industrisë së ndërtimit në Tiranë dhe për absurdin e çuditshëm që, megjithëse shqiptarët emigrojnë, megjithëse po ndërtohet pa fund, çmimet në kryeqytet sërish rriten.

    Një investigim i plotë i revistës Monitor flet për para të pista që po mbajnë të fryrë flluskën e ndërtimeve në Tiranë. Nisur nga konstatimi i Raportit Europian të drogave për vitin 2019, që konkludon se “në Shqipëri cash-i i përfituar nga kontrabandimi i drogave futet në Shqipëri me makina dhe investohet në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm“, shkrimi bën bilancet absurde të kapërcimit të shtrenjtësisë për M2.

    Aty theksohet se sipas operatorëve të tregut, shtrenjtimi ka ndodhur në të gjitha zonat dhe është i dukshëm në pallatet e reja që sapo kanë nisur të ndërtohen. Mesatarisht, nëse do të blesh sot një hyrje, duhet të paguash 100- 150 euro më shumë për metër katror, sesa pak kohë më parë, madje në disa zona rritja është dhe më e fortë në 300- 600 euro më shumë.

    Më e shtrenjta është zona e bllokut që ka dyfshin e rritjes (8.8%, çmimet shkojnë mesatarisht deri në 1450 për metër). Ndërsa ajo që ka pësuar rritjen më të ndjeshme është zona jashtë unazës (deri në 17% në harkun kohor të një viti). Nga një mesatare prej 850 euro për metër, sot flitet për çmime deri në 1050 euro.

    Po si është e mundur kjo rritje gapopante çmimesh, kur Erion Veliaj po mbërrin rekordin e mbi 1000 lejeve të ndërtimit të firmosura prej tij? Asnjë ekonomist nuk mund ta shpjegojë atë në mënyrë racionale, veçse me burimin e parave të pista. Dhe nëse aksioni anti KÇK nuk mbetet vetëm në kuadrin e show-t që ndalon makinat e shtrenjta për t’i shfaqur në TV, ai le të futet të shikojë se nga rrjedhin paratë që mbajnë të fryrë flluskën e ndërtimit. Pa bërë këtë, gjithçka duket si një film i parë edhe më parë.

  • Stresi të zbardh flokët

    Stresi të zbardh flokët

    Kjo u zbulua nga një studim i botuar në revistën shkencore Nature, sipas së cilit në doza të mëdha stresi do të mund shkaktonin rraskapitje të qelizave staminale që janë përgjegjëse për rigjenerimin e pigmentit të flokëve

    Që stresi të zbardh flokët nuk është më thjesht një mënyrë shprehjeje. Në fakt, duket se me të vërtetë ekziston një bazë e të vërtetës shkencore. Kjo u zbulua nga një studim i botuar në revistën shkencore Nature, kryer nga një ekip studiuesish nga SH.B.A. dhe Brazili, i udhëhequr nga profesori Ya-Chieh Hsu nga Universiteti Amerikan i Harvardit.

    Sipas studimeit, ekziston një lidhje midis sistemit nervor dhe qelizave staminale që rigjenerojnë pigmentet në pjesën e poshtme të flokëve. Eksperimentet kanë treguar që lëshimi i tepërt i norepinefrinës, – një neurotransmetues i fshehtë, në mënyrë të konsiderueshme nga sistemi nervor qendror dhe periferik në përgjigje të stresit akut fizik ose psikologjik, – mund të çojë në një shterrim të shpejtë të qelizave staminale.

    Përgjigja klasike e luftës së sistemit nervor ndaj një rreziku – në këtë rast të përfaqësuar nga stresi i lartë – është jetike për mbijetesën e organizmit, që në këtë rast, do të çonte në eliminimin e qelizave staminale përgjegjëse për rigjenerimin e pigmentit të flokëve.

    “Kur filluam studimin, prisja që stresi të ketë pasoja serioze në trup, por ndikimi i tij i dëmshëm shkoi përtej asaj që imagjinonim. Pas pak ditësh, të gjitha qelizat staminale rigjeneruese të pigmentit shterruan. Dhe po të shterrojnë ato, nuk është më e mundur të rigjenerohet pigmenti. Dëmi është i përhershëm”, bëri të ditur Prof Ya-Chieh Hsu.

    Një zbulim që, përveçse interesant, mund të lexohet edhe si një ftesë për të marrë jetën me qetësi më të madhe… dhe seanca të vazhdueshme në parukeri.

  • Ja kush përfiton nga dyfishimi i pagesës së papunësisë dhe ndihmës ekonomike

    Ja kush përfiton nga dyfishimi i pagesës së papunësisë dhe ndihmës ekonomike

    Mbi 70 mijë familje përfitojnë që nga muaji prill dyfishimin e ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë.

    Në fletoren zyrtare u publikua vendimi sipas të cilit dyfishimin e ndihmës ekonomike e përfitojnë jo vetëm subjektet që rezultojnë përfitues të ndihmës ekonomike por edhe ata që kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars.

    Po ashtu, përcaktohet se pagesa e së ardhurës nga papunësia do të dyfishohet edhe për subjektet që rezultojnë përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia, si dhe ata që kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars 2020.

    “Pagesa e ndihmës ekonomike për subjektet përfituese, sipas vendimit nr.597, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave, ‘Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të ndihmës ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike”, që rezultojnë përfitues të ndihmës ekonomike ose kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit të sipërpërmendur.

    Pagesa e së ardhurës nga papunësia për subjektet përfituese sipas vendimit nr.161, datë 21.3.2018, të Këshillit të Ministrave, ‘Për pagesën e së ardhurës nga papunësia’, që rezultojnë përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia ose kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars 2020, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit të sipërpërmendur.

    Verifikimi, llogaritja dhe shpërndarja për përfituesit do të bëhet sipas procedurave të dokumentimit e të shpërndarjes nga institucionet e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.

  • Të vetëpunësuarit/ të punësuarit: Si të aplikoni për të përfituar pagë nga fondi i qeverisë

    Të vetëpunësuarit/ të punësuarit: Si të aplikoni për të përfituar pagë nga fondi i qeverisë

    Ka dalë vendimi që parashikon mbështetjen me pagë për të vetëpunësuarit që për shkak të situatës së krijuar në vend nga COVID-19 dhe ku shumë prej aktiviteteve ekonomike janë mbyllur. Qeveria ka bërë me dije se aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga subjekti i të vetëpunësuarit/të punësuarit. Individët, që janë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.

    I njëjti vendim sqaron se përfituesit e ndihmës financiare janë individët e vetëpunësuar/të punësuar në subjektet me të ardhura vjetore deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë për vitin 2019, sipas kategorizimit të mëposhtëm: a) Personat fizikë të vetëpunësuar; b) Punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar; c) Të punësuarit në personat fizikë tregtarë; ç) Të punësuarit në personat juridikë.

    Kushtet për të përfituar ndihmë financiare si bëhet kërkesa

    Në vendimin e qeverisë thuhet se për të përfituar ndihma financiare, duhet që subjekti tatimpagues duhet që së pari të ketë ndërprerë aktivitetin në zbatim të urdhrave përkatës të ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), të nxjerra për këtë qëllim. Së dyti të ketë përgjegjësi tatimore për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin mbi fitimin. Së treti ardhurat e deklaruara të të cilit, sipas deklaratës së tatimit mbi fitimin/tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për vitin 2019, të jenë deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë.

    Nga ana tjetër nënvizohet se subjektet që përmbushin kushtet duhet të paraqesin edhe kërkesën pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet portalit efilinig, kërkesën me të dhënat e përfituesve sipas pikës 3, të këtij kreu, ku përfshihen: a) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS; b) Të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë të vetëpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe të punësuarit, përfshirë: i. emrin, atësinë, mbiemrin; ii. numrin personal të identifikimit të përfituesit; iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; iv. numrin e llogarisë bankare.

    Procesi i verifikimit nga autoritetet

    Vendimi sanksionon se pas paraqitjes së kërkesës nga subjekti nga ana e strukturave të drejtorive rajonale tatimore bëhet verifikimi dhe identifikimi i aplikuesve si dhe kërkesave të tyre brenda 10 ditëve të para të muajit pasardhës. Ajo që shihet është nëse tatimpaguesin dhe veprimtarinë e tij, duke verifikuar nëse bën pjesë në listën e veprimtarive që përfitojnë ndihmën financiare. Po kështu deklarimet e bëra dhe pagesat e kryera për tatimet dhe kontributet si dhe krahasimisht listën e paraqitur për përfitim ndihme me listëpagesën e dorëzuar në mënyrë elektronike dhe detyrimet e paguar. Në fund edhe të ardhurat e realizuara nga subjekti për vitin 2019.

    “Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore, duke përdorur analizën e riskut, mund të kryejnë edhe verifikime në subjektet përfituese për të verifikuar nëse janë të mbyllura” thuhet në VKM.

    Efektet financiare të këtij vendimi llogaritet që të jenë 5.85 miliardë lekë. Ndihma financiare, që përfitojnë të vetëpunësuarit, punëtorët e papaguar të familjes dhe të punësuarit sipas këtij vendimi, është e barabartë me pagën minimale në fuqi, 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë në muaj, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

    Pagesa e ndihmës ekonomike për subjektet përfituese, sipas vendimit nr.597, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të ndihmës ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike”, që rezultojnë përfitues të ndihmës ekonomike ose kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit të sipërpërmendur.

    Pagesa e së ardhurës nga papunësia për subjektet përfituese sipas vendimit nr.161, date 21.3.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për pagesën e së ardhurës nga papunësia”, që rezultojnë përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia ose kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars 2020, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit të sipërpërmendur./Monitor