Blog

  • Lufta ndaj COVID-19, Kina i ofron mbështetje SHBA

    Lufta ndaj COVID-19, Kina i ofron mbështetje SHBA

    Kina i ofron mbështetje SHBA-së, që po kalon një moment të vështirë për shkak të përhapjes së COVID-19. Presidenti kinez, Xi Jinping telefonoi homologun amerikan, Donald Trump të premten, ku i tha se ishte i gatshëm që të ndihmonte.

    SHBA renditet tashmë e para për numrin e infektimeve në botë, me mbi 85,000 raste. Në Vuhan, qyteti kinez ku u shfaq shpërthimi, autoritetet arritën ta kufizonin epideminë dhe tashmë po lehtësohen masat e karantinimit.

    Vuhan, i cili ishte bllokuar për më shumë se dy muaj, u hap për trafikun hyrës të premten, megjithëse makinat nuk lejoheshin të largoheshin. Dhe provinca Hubei, që ka kryeqytet Vuhan, hoqi kufizimet kufitare të mërkurën për të gjithë, përveç Vuhanit, i cili do t’i lejojë njerëzit të largohen nga qyteti duke filluar nga 8 Prilli.

    Sipas “Reuters”, në një pikë kontrolli që hynte në qytet të premten në mbrëmje, tre korsi ishin të hapura për trafik, por kishte pak makina, me një ushtarak që qëndronte në secilën korsi duke kontrolluar kodet shëndetësore të telefonisë celulare të pasagjerëve të mbërritur.

  • Arkitektët shqiptarë prodhojnë maska me printerë 3D, 1000 maskat e para në proces

    Arkitektët shqiptarë prodhojnë maska me printerë 3D, 1000 maskat e para në proces

    Një grup arkitektësh në Shqipëri e Kosovë po ndihmojnë mjekët në luftën kundër koronavirusit duke riprodhuar me printerë 3D maska mbrojtëse me kosto 1,5 euro copa.

    Nisma vullnetare e quajtur “Face Shield Mask” në Kosovë drejtohet nga profesori i inxhinierisë Shaban Buza dhe në Tiranë nga vajza e tij Dea, e cila është arkitekte.

    Maska ka një rreth plastik në të cilën i bashkohet një fletë plastike e tejdukshme. Kjo garanton më tepër siguri për mjekët që u shërbejnë pacientëve me infeksionin e Covid-19.

    Për shkak të punës mjekët janë më të rreizkuarit nga infektimi me koronavirus pasi janë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët.

    Aktualisht rreth 10 mjekë në Shqipëri, – prej të cilëve edhe drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj – janë infektuar ndërsa dhjetëra të tjerë janë detyruar të vetëizolohen.

    Maska mbrojtëse mund të minimizojë kontaktet dhe të ulë ndjeshëm mundësinë e infektimit.

    Modeli i propozuar nga grupi i arkitektëve, riprodhohet me printer 3D bazuar në një projekt të siguruar nga bashkëpunimi i profesor Buzës me Universitetin e Transilvanisë në Rumani dhe Universitetit Politeknik të Valencias në Spanjë.

    Në Shqipëri nisma është mbështetur nga një grup arkitektësh të rinj si Albano Guma, Dardan Vukaj e Gerti Struga, të cilët me studiot e tyre Lumina Architecture, Extrude It dhe 3B Army kanë nisur të prodhojnë dhjetëra maska.

    Dea Buza, e cila po koordinon punën në Shqipëri, ka lidhur kontakt me Dr. Arben Gjatën, rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, i cili i ka bërë me dije se Qendra Spitalore Universitare e Tiranës (QSUT) ka nevojë për së paku 500 maska të tilla.

    Njësoj përmes kontakteve me autoritetet shëndetësore 200 maska të tjera nevojiten në Spitalin e Shkodrës.

    Për të krijuar mesatarisht 25 maska një printer 3D kërkon 1 kilogram filament që kushton rreth 20 euro.

    Aktualisht janë riprodhuar dhe dorëzuar 100 maska, të cilat do t’i shpërndahen fillimisht QSUT-së, qëllimi është që brenda muajit prill të krijohen të paktën 1000 maska.

    Nisma është vullnetare e jofitimprurëse dhe për këtë të rinjtë kanë bërë thirrje që gjithkush që ka mundësi të vërë në punë printerë 3D, apo të mbulojë koston e materialeve të para t’i bashkohet grupit, ose të kontribuojë në mbledhjen e fondeve.

  • 101 vjeçari shërohet nga koronavirusi, kishte lindur që në kohën e gripit spanjoll

    101 vjeçari shërohet nga koronavirusi, kishte lindur që në kohën e gripit spanjoll

    Një burrë 101-vjeçar ka dalë nga spitali pasi është shëruar nga koronavirusi, tha Gloria Lisi, nënkryetarja e Bashkisë së Riminit.

    I moshuari, emri i të cilit nuk është bërë publik, u shtrua në spitalin e qytetit verilindor javën e kaluar, pasi testi për Covid-19 rezultoi pozitiv. Por të enjten, ai ishte shëruar. Lisi tha se ky rikuperim ishte vërtet i jashtëzakonshëm, që jepte shpresë për të ardhmen. “Zoti P. ia doli. Familja e mori në shtëpi të enjten në mbrëmje. Kjo na mëson se edhe e ardhmja e një 101-vjeçari nuk është e paracaktuar”, tha ajo.

    Ajo që e bën edhe më të veçantë historinë e tij është fakti që ka lindur në vitin 1919, gjatë pandemisë së gripit spanjoll, që vlerësohet se i ka marrë jetën 30-50 milionë personave.

    Në Rimini janë regjistruar 1189 raste me koronavirus, sipas departamentit të Mbrojtjes Civile, ndërsa e gjithë Italia është një ndër vendet më të prekur nga pandemia, me numrin më të lartë të vdekjeve në të gjithë botën.

  • Për shqiptarët ke ‘vdekur’ me kohë, shyqyr që ka opozitë

    Për shqiptarët ke ‘vdekur’ me kohë, shyqyr që ka opozitë

    Në një akt të paprecedentë, qeveria shqiptarë mbylli kufijtë e vendit duke lënë jashtë në mëshirë të fatit mijëra qytetarë që ankoheshin për ditë se nuk kishin ku të flinin dhe ku të hanin.

    Syri.net raportoi para disa ditësh se ministri i Jashtëm është zhdukur nga ministria dhe shqiptarët kanë mbetur si zogj pa fole nëpër Europë. Qindra ndodhen vetëm në Milano, një qytet shumë i prekur nga koronavirusi.

    Por shihni se çfarë ndodh, pasi kanë kaluar tre javë që i torturon qytetarët e tij, pasi krejt vendet kanë marrë me kohë masa për t’i kthyer në atdhe qytetarët e tyre, pasi opozita po thërret prej ditësh që të zgjidhet kjo situatë, tani kryeministri Edi Rama del përpara shqiptarëve dhe krenohet se do i shpëtojë me avionin e Air Albania, duke udhëtuar falas.

    E bën këtë si pa të keq, sikur nuk e ka për detyrë ta bëjë.

    Por bie në sy kur krenohet duke thënë “nuk kam vdekur akoma unë”.

    Në fakt për shqiptarët ke ‘vdekur’ me kohë.

    Ke ‘vdekur’ që kur nuk more asnjë masë edhe pse pandemia ishte te dera.

    Ke ‘vdekur’ kur i le mjekët dhe spitalet shqiptarë në pikë të hallit, pasi miliardat shkojnë për miqtë e tu.

    Ke ‘vdekur’ kur nuk u sigurove të blije tamponë e ventilatorë për krizën që po vinte.

    Ke ‘vdekur’ kur nuk krijove as një vend normal karantine dhe asnjë sistem gjurmimi dhe identifikimi të atyre që po ktheheshin nga zonat e kuqe.

    Ke ‘vdekur’ që kur mbylle një shkollë se po përhapte alarm dhe tani je bërë krye-panikuesi i shqiptarëve.

    Ke ‘vdekur’ që kur i vije disa njerëz të shëndetësisë të thërrisnin ‘mirësevjen koronavirus’ dhe se ‘ky është grip normal’, kurse tani flet për male me kufoma.

    Ke ‘vdekur’ pasi e ke rrënuar ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në atë pikë ku të gjithë duan të largohen nga ky vend.

    Për fat, gjithmonë ka shpresë. Ka gjithmonë një opozitë që di t’i bëjë gjërat më mirë. Ka një opozitë, të cilën po e ndjek në çdo hap e propozim që ka bërë, edhe pse me vonesë.

    Por vonesat kanë kosto, për të cilat do të paguash. Aty, te kutia e votimit. Aty do e kuptosh se sa i ‘vdekur’ je për shqiptarët.

  • Nga Sali Berisha – Dy Luigjët!

    Nga Sali Berisha – Dy Luigjët!

    Çdo njeri që do të lexojë këtë titull do të kujtojë se vërtet e kam fjalën për dy persona të ndryshëm, që kanë të përbashkët emrin Luigj. Por çdo njeri që mendon kështu gabon, në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me një person, por një Huomo Duplex.

    Konkretisht njeri është shkëlqesia e tij, zoti Luigji Soreca, i cili në ushtrim të detyrës së tij si Ambasador i Bashkimit Europian në Tiranë vendos në rrjetin e tij social Twitter, njoftimin e Komisionerit të BE për Zgjerimin, Olivier, në të cilin ai njoftonte se kishte zhvilluar një bisedë me shefin e Opozitës shqiptare, z. Lulzim Basha, lidhur me vendimin e BE për negociatat me Shqipërinë dhe gjendjen e COVID-9.

    Kurse tjetri është Luigji, ish-luftëtar i vendosur i Mafies italiane, por tani për të ardhur keq si viktimë e narko-mafies qeveritare, të narko-shtetit të vetëm në Europë.

    Ky Luigj, heq pas dy orësh nga Twitter i tij, njoftimin për bisedën e zhvilluar midis Komisionerit dhe zotit Basha, që vetë e kishte vendosur. Ai e bën këtë pa dhënë asnjë shpjegim dhe pa u merakosur fare se ai është një akt lëndues për të gjithë ata që përfaqëson shefi i Opozitës së një vendi.

    Përveç kësaj, ky është Luigji, i cili ditën e dhënies së dënimit qesharak për Sajmir Tahirin, i pyetur nga mediat për një koment, ai i zënë ngushtë, por duke akuzuar veten për shumëçka përgjigjet “se para se të flas, do të shoh dosjen, sepse jam prokuror”.

    Kështu, Luigji ambasador foli sikur të ishte i akredituar si prokuror tek Edvin Mafia apo Don Agaçio. Ndërkohë deri sot prokuror Luigji nuk ka pasur kohë të shqyrtojë dosjen dhe t’ju flasë shqiptarëve si prokuror.

    Luigji tjetër është përfolur për gjëra që unë i quaj zero, por shtoj këtu se ai është Luigji për të cilin Kushtetuta, vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit, njëlloj si për narko-mafien qeveritare të narko-shtetit të vetëm në Europë, të kryesuar nga Edvin Mafia dhe Don Agaçio, nuk ekzistojnë para vullnetit të këtyre dy të fundit.

    Kështu, kur Edvin Mafia dhe Don Agaçio miratuan ligjin antikushtetues KÇK, ligj të cilin në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë si ligj antikushtetues, prokuror Luigji në mbështetje të këtij akti kushtetues, de facto të binomit mafioz Edvin Mafia – Don Agaçio, duke deklaruar se ai, prokurori, do vëzhgojë nga afër ligjin KÇK që dhunon Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut në dy nene, Kushtetutën së paku në tre nene, Kodin e Procedurës Penale në disa nene.

    Pra miq, dy Luigjët, siç ju njoftova që në krye të radhës, janë një Luigj, por Duplex!

    Nuk kemi ç’të themi, edhe shqiponjën e kemi me dy koka!

  • Nga Kastriot DERVISHI – Disa fakte rreth themelimit të partisë së Miladinit, e lindur në një fshat kolonësh

    Nga Kastriot DERVISHI – Disa fakte rreth themelimit të partisë së Miladinit, e lindur në një fshat kolonësh

    Vitomirica është një fshat i kolonëve malazezë, në veri të Pejës. Dikur fushë, ajo u popullua në vitet ’30 me kolonë. Këtu u bë qendra e komunistëve të Kosovës, të cilët në janar 1944, ishin rreth 400 të tillë, prej të cilëve vetëm 45 ishin shqiptarë. Këtu u mor vendimi për të formuar Partinë Komuniste Shqiptare, udhëheqësen e rrënimit më të madh që kish njehur popullit shqiptar. Disa fakte rreth themelimit:

    -Në mes të gushtit 1941, Fadil Hoxha erdhi në Vitomiricë. Kërkoi që dikush nga komiteti krahinor të shkojë në Shqipëri. Në mungesë të Miladinit, komiteti dërgoi menjëherë Dushan Mugoshën, i cili u nis me Fadil Hoxhën në Shqipëri duke udhëtuar nga Prizreni në Shkodër. Qëndrimi i parë i tyre zgjati 10 ditë. Në tiranë, në shtëpinë ku u formua për herë të dytë partia arriti të bashkojë grupet e Shkodër dhe Të të rinjve. Grupi i Korçës nuk pranoi të hyjë në bisedime sepse kërkonte letërpërfaqësimin.

    -Më 11 tetor 1941 në Vitomiricë u krye takimi i Koço Tashkës me organizatën krahinore komuniste të Kosovës. U vendos rithemelimi i partisë, duke përfshirë edhe Grupin e Korçës. Të njëjtën ditë, lirohet në Peqin nga internimi, Miladin Popoviç. Tahir Kadareja u ngarkua të sillte Dushanin në Tiranë.

    -Në tetor-nëntor 1941 Miladini dhe Dushani kanë biseduar me 3 grupet komuniste dhe Partinë Komuniste të Andrea Zisit. Kjo e fundit ishte krijuar në Athinë dhe ishte me ndikim grek. Kjo parti kërkoi të shkriheshin te ajo dhe jo ata te një parti që nuk ekzistonte. Si përfundim, PKSH-ja e Zisit u përjashtua nga bisedimet.

    -Mbledhja themeluese u zhvillua në 8-14 nëntor 1941 në Tiranë. Grupet u përfaqësuan nga 6 anëtarë. Për arsye mungesash, vetëm grupi i Korçës ishte i plotë. I Shkodrës u paraqit me 4 dhe i Të rinjve me 5. Partia nuk zgjodhi kryetar, por një komitet ekzekutiv të përkohshëm. Partia Komuniste me ndikim grek, ajo e Andrea Zisit u sulmua jashtëzakonisht për t’ia lënë vendin Partisë Komuniste me ndikim jugosllav.

    Themeluesit ishin:

    –Punëtorë, 8 persona: Pilo Peristeri, Koçi Xoxe, Sotir Vullkani, Sotir Lubonja, Perlat Rexhepi, Vasil Shanto, Kristo Themelko, Tuk Jakova.

    –Intelektualë, 7 persona: Ramadan Çitaku, Koço Tashko, Enver Hoxha, Sadik Premte, Anastas Lula, Elami Nimani, Qemal Stafa.

    -Të dënuar ose shpallur tradhtarë nga vetë partia: Anastas Lula (vrarë), Sadik Premte, Koçi Xoxe (pushkatuar), Tuk Jakova (internuar, burgosur), Koço Tashko (burgosur, internuar).

    –Të goditur: Sotir Vullkani, Sotir Lubonja, Kristo Themelko, Ramadan Çitaku.

    –Të papërmendur: Perlat Rexhepi (dëshmor), Elami Nimani (pas lufte ambasador i Tito).

  • 60 femrat më të bukura të të gjitha kohërave (sipas nesh)

    60 femrat më të bukura të të gjitha kohërave (sipas nesh)

    Nga Marilyn Monroe, stereotipi i bjondes me trupin pin-up dhe Monica Bellucci, ikona e make-it, tek Instamodel-et e reja me një trup të hollë dhe atletik dhe princeshat bashkëkohore, Kate Middleton dhe Meghan Markle. Bukuria femërore e treguar përmes fotografive të grave më të bukura të të gjitha kohërave

    Marilyn Monroe, një nga femrat më të bukura të të gjitha kohërave, me flokët e saj me onde ngjyrë platini, trupin plot forma pin-up dhe buzët si zemër të kuqe flakë, mbetet mishërimi i modelit të bukurisë në ikonografinë botërore. Look-u i saj është ende sot ndër më të kopjuarit. Ajo lindi si Norma Jeane Mortenson Baker Monroe, e shndërruar më pas në aktoren simbol të Shteteve të Bashkuara të pasluftës nën emrin e Marilyn Monore, kishte një look të bërë ad hoc në Blonde Room të Max Factor Building, tani një muze në North Highland dhe Hollywood Bulevard.

    Ajo u zbulua preu magjistarit të yjeve, makei -up artistit më të kërkuar në kohën e Golden Age të Hollywood, Max Factor, njeriut që ka shpikur look-et më ikonike për ekranin e madh.

    Ishte vepër e tij transformimi i Marilyn nga një “brownette” në “blondette”, e bashkëshoqëruar nga make-up-i i duhur. Ndoshta kjo ka qenë koha kur Norma Jean filloi të ndjehej e bukur.

    “Askush nuk më kishte thënë ndonjëherë se isha e lezetshme, edhe kur isha e vogël. I duhet thënë të gjitha vajzave, edhe nëse nuk janë”. Edhe më të bukurat fshehin pasiguri. Padyshim që edhe Marilyn kishte (dhe nuk i ka fshehur kurrë ato).

    Vite më vonë, koncepti i bukurisë ka ndryshuar dhe gratë me look androgjene, që dikur konsideroheshin onperfekte, janë bërë ikona, jo vetëm estetike, por edhe për nga mënyra e jetesës si top anglezja Kate Moss, pasardhëse e këtij brezi të ri të bukurive apo aktorja amerikane Winona Ryder, me pak forma dhe shumë personalitet.

    Dhe pastaj erdhi gjeneratat e re e top, instamodelet, si Gigi dhe Bella Hadid me mikeshën Kendall Jenner, por edhe e pakufijshmja Emily Ratajkowski, dhe të gjitha bukuritë që sfilojnë nëpër pasarelat e Victoria’s Secrets, me trupa të skalitur ngjyrë mermeri, të apasionuara pas fitnesit, dietës së shëndetshme dhe vetë-kujdesit.

    Githmonë gjelbërojnë bukuritë e vërteta, gjeneratat e reja të princeshave qëndrojnë në krye të klasifikimeve elegante Kate Middleton, me tërheqjen British të përbërë, si dhe me flokët më të zili në univers, kunata dhe mashkëmoshatarja Meghan Markle, më e reja e mbërritur në oborr është një influencer e vërtetë me stilin e saj saj pavarësisht se nuk i lejohet të ketë një profil në rrjetet sociale.

    Për të kënaqur të gjitha shijet, kemi rradhitur 60 ndër gratë më interesante të shekullit të fundit, midis së djeshme dhe të sotmes.

    1. Marilyn Monroe

    E lindur më 1926, Marilyn Monroe, emri skenik i Norma Jeane Mortenson Baker Monroe, ishte një aktore, këngëtare, model dhe producente kinematografike amerikane. Ikonë e përjetshme, me flokët e platintë platinës dhe buzët e kuqe flakë.

    2. Rita Hayworth

    Ishte aktore, balerinë dhe këngëtare amerikane. E martuar për herë të tretë me Princin Ali Khan. Një ndër gratë më të bukura dhe joshëse në historinë e kinemasë, Rita Hayworth mbetet në imagjinatën kolektive Gilda e kuqe dhe joshëse.

    3. Lauren Bacall

    Flokë të gjatë me onde, Lauren Bacall, emri skenik i Betty Jane Perske, ishte një aktore dhe modele amerikane. Në vitin 1999 ajo u rendit e 20-ta në listën e yjeve femra më të mëdha të të gjitha kohërave nga Instituti Amerikan i Filmit.

    4. Ava Gardner

    Përveç një aktore të jashtëzakonshme, për dy dekada ajo ishte “gruaja më e parezistueshme në Hollywood”. Në këmbët e Ava Gardner ranë miliarderë, regjizorë, sipërmarrës, politikanë.

    5. Claudia Cardinale

    Aktore italiane, që tani banon në Francë. Është aktorja kryesore e filmit kult “Gatopard” i vitit 1963.

    6. Julia Roberts

    Julia Roberts e paharrueshme me flokët e saj të kuq kaçurrela në «Pretty Woman». Në 20 vitet e fundit ka fituar katër herë titullin e gruas më të bukur në botë sipas revistës People: në 2000, 2005, 2010 dhe 2017.

    7. Maria Grazia Cucinotta

    Si Beatrice në filmin “The postman”, interpretimi që e lançoi atë si një ikonë të bukurisë mesdhetare në botë, një rol që ende sot, pas 50 vitesh, i ka mbetur i qepur pas trupit. Zeshkane, me sy të errët, flokë kaçurela, me forma, ajo është një aktore, prodhuese televizive dhe ambasadore e Komen Italia për luftën kundër kancerit të gjirit.

    8. Jennifer Lopez

    Më 24 korrik mbushi pesëdhjetë vjeç. Dhe çfarë 50vjetori! E njohur edhe me nofkën J. Lo, ajo është një këngëtare, kantautore, aktore, balerine, sipërmarrëse dhe prodhuese diskografike amerikane. Me origjinë portorikane, ajo është një nga eksponentët më të mëdhenj të popit latin komercial. Ana e saj B vlen shumë dhe është e siguruar.

    9. Monica Bellucci

    54 vjeç, Monica Bellucci është një aktore dhe modele italiane. Sensuale, mesdhetare, e butë, është bërë simbol i bukurisë italiane në botë.

    10. Katerina Deneuve

    Sot, 75 vjeç, Catherine Deneuve, me pseudonimin Catherine Fabienne Dorléac, është një aktore franceze dhe ambasadore e UNESCO-s. Me një bukuri shic prej parizianeje doc.

    11. Ursula Andress

    82 vjeçe, bjondja zvicerane Ursula Andress ka qenë një aktore, e njohur mbi të gjitha për interpretimin e rolit të Honey Ryder, vajzës së parë bond në të parën e serive të filmave me James Bond. E paharrueshme në këtë foto me bikini të bardha.

    12. Irina Shayk

    E lindur në vitin 1981, Irina Shayk është një supermodele dhe aktore braziliane. Ka qenë një nga engjëjt ikonë të Victoria’s Secret. Adhuron të bëjë boks. Tani një nga gratë për t’u pasur më shumë e zili në planet për shkak të ish-partnerit të saj Bradley Cooper.

    13. Virna Lisi

    Klass 1936, Virna Lisi, emri skenik i Virna Pieralisi, ishte një aktore italiane. Ka fituar çmime të shumta për interpretimet e saj dhe ka mbetur në zemrat e shumë personave për klasin e saj, sytë e saj të bukur të akullt dhe flokët flokëverdhë.

    14. Katharine Hepburn

    Lindi në vitin 1907, Katharine Hepburn ishte një aktore amerikane. Karriera e saj zgjati më shumë se shtatëdhjetë vjet.

    15. Ingrid Bergman

    Lindur në 1915, Ingrid Bergman ishte një aktore suedeze. Gjatë karrierës së saj, ajo ka luajtur në filma të shumtë si evropianë dhe amerikanë. E bukur, e ftohtë, shumë elegante, nordike. Ajo ishte nëna e Isabella Rossellinit.

    16. Jennifer Aniston

    50 vjeç, Jennifer Aniston, është një aktore, regjisore dhe producente kinematografike amerikane. Prerja e tij e shkallëzuar dhe mèches e saj në kohërat e Friends nuk harrohen. Roli ikonik “The Rachel” i krijuar nga hairstylisti dhe miku i yllit Chris McMillan, në vitet nëntëdhjetë, kthehet në mënyrë periodike në trendet e pasarelave dhe midis yjeve.

    17. Romy Schneider

    Lindur në Vjenë në 1923, Romy Schneider ishte një aktore gjermane e natyralizuar gjermane. Për të gjithë mbetet princesha Sissi, me flokët e gjatë e të fryrë.

    18. Angelina Jolie

    43 vjeç, me sy të gjelbër të madh dhe buzë të plota, Angelina Jolie është një aktore, producente kinematografike dhe regjisore amerikane me nënshtetësi kamboxhiane, filantrope dhe ambasadore e UNHCR, fituese e dy çmimeve Oskar. Është modeli i bukurisë referencë për ata që i afrohen mjekësisë estetike.

    19. Isabella Rossellini

    66 vjeç, Isabella Rossellini është një aktore dhe modele italiane. Ajo është vajza e Ingrid Bergman dhe Roberto Rossellini. Elegante, e bukur, sensuale. Për shumë njerëz njihet ende si Dorothy seksi e filmit “Blue Velvet”.

    20. Bar Refaeli

    33 vjeç, biondja Bar Refaeli është një top modele izraelite. Adhuron sportin dhe ushqimin e shëndetshëm.

    21. Mila Kunis

    35-vjeçarja Mila Kunis është një aktore, modele dhe dopjuese ukrainase e natyralizuar amerikane. Me sy të mëdhenj e të gjelbër dhe flokë të errët, është bashkë me kolegun Ashton Kutcher.

    22. Scarlett Johansson

    34 vjeç, Scarlett Johansson është një aktore, këngëtare dhe modele amerikane. Aktorja sekssimbol, filloi të bjerë në sy me rolet e saj në filmat “Njeriu që i pëshpëriste kuajve”. Buzë të plota, sy të gjelbërt dhe lëkurë shumë të njomë.

    23. Grace Kelly

    Lindur në 1929, Grace Patricia Kelly ishte një aktore amerikane. E martuar me Rainier III në 1956, ajo u bë dhe princesha e Monakos. Ekstremisht bjonde, elegante, perfekte.

    24. Lucy Liu

    50 vjeç, Lucy Liu është një aktore dhe dopjuese zëri amerikane me origjinë aziatike. Mjaft bukur në ministaturën e saj (një metër e gjashtëdhjetë), ka qenë një Charlie’s Angel në krah të Dreë Barrymore dhe Cameron Diaz.

    25. Uma Thurman

    48 vjeç, Uma Thurman është një aktore dhe producente kinematografike amerikane. Ajo është veçanërisht e njohur për interpretimin e Mia Ëallace në kultin e Quentin Tarantino “Pulp Fiction”, ku ka veshur një paruke me një kasketë të zezë.

    26. Diane Kruger

    42 vjeç, me një fytyrë të përsosur dhe sy blu, gjermanja Diane Kruger ka një të kaluar si modele. Ia arriti të aktrojë dhe të korrë sukses me “Troy”.

    27. Heidi Klum

    45 vjeç, Heidi Klum është një model, stiliste dhe drejtuese tv gjermane e natyralizuar amerikane.

    28. Kate Winslet

    42-vjeçarja Kate Winslet është një aktore britanike. E ka marrë nominimin e saj të parë për çmimin Oskar për rolin e saj mbështetës në “Reason and feeling”, përpara se të arrinte famën globale me kolosalin “Titanik”. Është krenare për format e tij.

    29. Cameron Diaz

    Biondja 46-vjeçare Cameron Diaz është një aktore dopjuese zëri amerikane. E famshme për rolin e saj si Mary Jensen në “Everybody Crazy for Mary” dhe për filmin “The Mask – From zero to myth”, ajo është kundër fotove retushuese me Photoshop.

    30. Sienna Miller

    36-vjeçarja Sienna Rose Miller është një aktore, modele dhe stiliste britanike me origjinë amerikane. Shumë bionde dhe lëkurë të pastër, ajo ka thyer shumë zemra.

    31. Keira Knightley

    33-vjeçarja Keira Knightley është një aktore britanike. Ajo mori njohje publike falë suksesit të komedisë “Dreaming of Beckham”.

    32. Eva Mendes

    Klass 1974, Eva Mendes është një aktore dhe modele amerikane me origjinë kubaneze. Ajo filloi të recitojë në fund të viteve 1990. Është mjaft pranë me Ryan Gosling.

    33. Winona Ryder

    46-vjeçarja e ëmbla, ish – e dashura e vështirë, aktorja Winona Ryder mbetet për të gjithë ish-e dashura e Johnny Depp. Sot ajo është lumturisht e fejuar, por nuk zbulon me kë.

    34. Miranda Kerr

    35 vjeçe, Miranda May Kerr është një supermodele australiane, e famshme për faktin se nga viti 2007 deri në 2013 ishtë një nga Engjëjt e Victoria’s Secret. Adhuron makeup natyrale dhe produkte organike të bukurisë.

    35. Taylor Swift

    28 vjeçe, Taylor Swift është një fenomen i muzikës pop dhe një ikonë e stilit. Kasketa e saj bjond-platin me me fije është imituar shumë gjatë muajve të kaluar. Më sytë blu dhe trup të hajshëm, ajo pëlqen të luajë me outfit dhe makeup.

    36. Blake Lively

    31-vjeçe, biondja e Blake Lively është një aktore dhe modele amerikane. Duke u ngritur në lartësinë e rolit të Serena van der Woodsen në serialin televiziv ” Gossip girl”, sot ajo është e mirëpranuar nga regjisorët dhe markat e modës. Është një mama lumturisht e martuar me aktorin Ryan Reynolds.

    37. Freida Pinto

    Më shikim të thëllë dhe inteligjente, 34 vjeç, Freida Pinto është një aktore dhe modele indiane. Arriti famën në nivel ndërkombëtar duke marrë pjesë në “The Millionaire” më 2008, një film që shënoi debutimin e saj.

    38. Olivia Wilde

    34 vjeç, me sy të gjelbërt prej maceje dhe konture porcelani, Olivia Wilde, emri i artit i Olivia Jane Cockburn, është një aktore amerikane.

    39. Jane Fonda

    81-vjeçarja Jane Fonda është një aktore dhe producente kinematografike amerikane. Ka fituar dy Çmime Oskar si Aktorja më e mirë protagoniste në 1972 për «A ring for Inspector Klute» dhe më 1979 për «Going back home».. Videot e saj të aerobisë kanë bërë histori. Sot është akoma një testimonial e bukurisë (e shkëlqyeshme).

    40. Kim Basinger

    65 vjeç më 8 dhjetor, Kim Basinger aktore amerikane. Aktorja seksi simbol e viteve tetëdhjetë, ajo bëri debutimin e saj në 1978 me filmin televiziv “Fantazma e fluturimit 401”. Ekstremisht bjonde, me sy të akullt dhe me trup sensual.

    41. Brook Shields

    52-vjeç, aktore-fëmijë gjithmonë në qendër të vëmendjes, bukuroshja Brooke Shields është e ndarë midis aktrimit dhe modës. Flokë të gjatë kafe, sy blu dhe me pamjen si të një Lolite të përjetshme.

    42. Christy Turlington

    Sytë e gjelbër dhe lëkurë qelibar, 49 vjeçarja, Christy Nicole Turlington është një supermodele amerikane, me babai amerikan dhe nënë e salvadoriane. Sot ajo i është përkushtuar sportit dhe bamirësisë.

    43. Claudia Schiffer

    48 vjeçe, Claudia Schiffer është një topmodele gjermane që arriti kulmin e popullaritetit të saj gjatë viteve nëntëdhjetë, kjo edhe për shkak të ngjashmërisë së saj me Brigitte Bardot. Shumë bjonde, sensuale, sot ajo është mama me kohë të plotë.

    44. Gisele Bündchen

    38 vjeçe, Gisele Bündchen është një supermodele dhe aktore braziliane. U zbulua në 1994 nga menaxheri i agjencisë Elite Model Management në një McDonald’s në Sao Paulo. Nga aty pushtoi pasarelat e mëdha. Shpërthimi i saj në botën e modës është i famshëm ashtu siç edhe trupi i modeluar mirë nga joga dhe pilates.

    45. Naomi Campbell

    48-vjeçarja Naomi Campbell është një supermodele, aktore dhe këngëtare britanike. E mbiquajtura Venera e Zezë, ajo u përfshi nga revista People midis 50 grave më të bukura në botë. Ka një pasuri prej rreth 48 milion dollarësh. Dhe një fizik ghithnjë të përsosur.

    46. Audrey Hepburn

    Lindur në 1929 në Belgjikë, Audrey Hepburn ka qenë një aktore dhe një ikonë e bukurisë. Filmat e saj, si «Breakfast at Tiffany’s» dhe «Sabrina», janë bërë kult. Ashtu si vetullat e mirërcaktuara dhe fiziku i saj elegant.

    47. Liz Taylor

    E lindur në vitin 1932, Liz Taylor ka qenë një aktore, filantropiste dhe stiliste britanike e natyralizuar amerikane, e konsideruar diva e fundit e madhe e epokës së artë të Hollivudit. Sytë e saj të mëdhenj vjollcë kanë mbetur të gdhendur në kujtesën e shumë njerëzve.

    48. Sophia Loren

    84 vjeçe, Sophia Loren, emri i artit të Sofia Villani Scicolone, është një aktore italiane. Ndër aktoret më të famshme në historinë e kinemasë, Loren hyn në botën e artit të shtatë shumë e re dhe së shpejt u bë e njohur për talentin e saj dhe fizikun e papërmbajtshëm.

    49. Brigitte Bardot

    84 vjeçe, Brigitte Bardot, e njohur edhe edhe si B.B., është një aktore, ish-modele, këngëtare, balerinë dhe aktiviste franceze. Bikini i saj tij në vitet gjashtëdhjetë konsiderohet skandalozisht seksi.

    50. Jane Birkin

    E lindur në vitin 1946 në Mbretërinë e Bashkuar, Jane Mallory Birkin është një aktore dhe këngëtare britanike që ka punuar kryesisht në Francë, ku është skandalizuar së bashku me këngëtarin dhe intelektualin Serge Gainsbourg. Veshjet e saj e kanë bërë një ikonë.

    51. Sharon Stone

    E lindur në vitin 1958, Sharon Vonne Stone është një aktore, producente kinematografike dhe ish-modele amerikane. Ajo e bëri debutimin e saj në 1980 në “Stardust Memories” nga Woody Allen.

    52. Kate Moss

    44 vjeçe, angleze, Kate Moss është një topmodele dhe stiliste, që shfaqet në kopertinën e mbi 300 revistave. Trupi androgjen, flokët bionde dhe sytë e gjelbër si mace, kanë imponuar një mënyrë të re fiziciteti në pasarelat e modës.

    53. Penélope Cruz

    44-vjeçarja Penélope Cruz është një aktore spanjolle. Në karrierën e saj ajo është nominuar tre herë për çmimet Oskar. Bukuri mesdhetare me sy të mëdhenj të errët.

    54. Emily Ratajkowski

    Emily Ratajkowski, modelja si dhe aktorja amerikane 27-vjeçare doli në pah falë videove “Blurred Lines” nga Robin Thicke (Ft. T.I. & Pharrell William) ku në versionin e pacensuruar paraqitej topless marramendëse. Profili i saj në Instagram me mbi 21 milion ndjekës, është u pasur me fotografi që e tregojnë gjysëm nudo, që ajo vetë e ka quajtur një “revistë feministe seksi”.

    55. Gigi Hadid

    Ajo është vetëm 23 vjeçe, amerikane me prejardhje jordaneze, me qerpikë të gjatë, flokët bjonde, fytyrën e rrumbullakët dhe vetullat e harkuara, është instamodelja që pushtoi pasarelat e të gjithë botës së bashku me motrën e saj Bella. Është një gjeneratë e re e modeleve të bukura dhe të shëndetshme. Asaj i pëlqen të bëhë sport dhe trupi i saj harmonik me një lartësi 1.78 cm e tregon atë.

    56. Charlize Theron

    Ajo është nga Afrika e Jugut, klass 1974, ka marrë çmime dhe nominime për interpretimet e saj, duke përfshirë edhe atë të paharruarën e një seriali-vrasëeje për “Monster” (2003).

    57. Beyoncé

    Për fansat e saj të Queen Bee, ylli fitues i çmimit të yllit pop amerikan në Teksas, ka fituar 23 çmime Grammy me 19 triumfe solo, është një ish-i Destiny’s Child. Me 125 milion ndjekës në Instagram, tre fëmijë, Blue Ivy, dhe binjakët Rumi dhe Sir, kishte me producentin dhe muzikantin Jay-Z është një donan që ka bërë biznesin dhe talentin e saj në një biznes.

    58. Michelle Pfeiffer

    Aktore amerikane, e lindur në 1953, ajo e arriti famën ndërkombëtare si Elvira Hancock në “Scarface”, në 1983 përkrah Al Pacino. I paharrueshëm është interpretimi i saj si Cat Woman në «Batman, kthimi», me buzë me shkëlqim dhe një trup të mbështjellë me një jumpsuit të zi me shkëlqim.

    59. Meghan Markle

    Dukesha e Sussex, 37 vjeçe, lindur në Kaliforni e me origjinë afro-amerikane, është gruaja më e ndjekur e momentit. Ish-aktorja e shndërruar në një “princeshë amerikane” pasi martesës me Princin Harry të Anglisë, është modeli i bukurisë që i frymëzon të gjitha. Shtatzënë me fëmijën e saj të parë, në prill do të lindë foshnja mbretërore, ajo është në gjendje të nxjerrë obsesione bukurie si një ndezës i vërtetë. Por nuk ka profile sociale.

    60. Hairstyles nusërie. Më e bukura nga celebs

    Kate Middleton, 37 vjeç, angleze dhe bashkëmoshatare me kunatën Meghan Markle, është një simbol i elegnazës britanike. Sportive, nënë e tre fëmijëve, përfaqëson modelin bashkëkohor të princeshës. Pamja e saj ikonike, flokët kafe me onde dhe faqet rozë janë ndër më të imituarët.

  • Daniel SERWER – Ajo çfarë ata nuk thonë ka rëndësi

    Daniel SERWER – Ajo çfarë ata nuk thonë ka rëndësi

    Departamenti i Shtetit lëshoi dje këtë deklaratë të përbashkët të të dërguarit special presidencial Richard Grenell, ambasadorit Philip Kosnett dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer:

    Shtetet e Bashkuara janë në krah të popullit të Kosovës. Ne i lavdërojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të sektorit të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, nën rrezik të madh, për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë pasigurie, ne i nxisim krerët e Kosovës që të ndjekin Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues.

    Për më tepër, ne vazhdojmë t’i nxisim udhëheqësit e Kosovës që të heqin plotësisht tarifat. Ne besojmë se tarifat po dëmtojnë popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19, përfshirë edhe vonesën për hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme – dhe duke penguar rritjen ekonomike.

    Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradës midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se kjo vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë.

    Kjo është të paktën pjesërisht një përgjigje ndaj shkrimit Një Marrëveshje e Keqe nga Shaun Byrnes e postuar këtu dy javë më parë, por është gjithashtu një përpjekje për të justifikuar politikën jo-miqësore së administratës Trump ndaj qeverisë kosovare të udhëhequr nga Albin Kurti.

    Le ta marrim atë paragraf pas paragrafi:

    1. Kjo frazë “janë në krah të popullit ..” është një përmbledhje, pasi përdoret për të bërë dallimin midis popullit dhe qeverisë së një vendi të huaj. Eshtë ajo që thonë amerikanët për kundërshtarët e tyre si Irani: ne jemi në krah të popullit iranian. Ambasada amerikane nxori një deklaratë të pazakontë duke mbështetur mbajtjen e votës së mosbesimit që rrëzoi qeverinë e kryeministrit Kurti në fillim të kësaj jave. Kjo ndodhi përballë kundërshtimit evropian ndaj votës së mosbesimit. Në fund të fundit është e qartë: në një moment kur qeveria e Kosovës po përballet me sfidën Covid-19, Administrata Trump vendosi gjithësesi të shtyjë që qeveria të binte.

    2. Nxitja e heqjes së plotë të njëanshme të tarifave injoron një parim themelor të diplomacisë: reciprocitetin. Administrata Trump po i kërkon Kosovës që të përmbushë një kërkesë serbe pa asgjë në këmbim. Ajo që ka kërkuar Prishtina është pezullimi i fushatës së njohjes që Serbia ka zhvilluar në të gjithë botën. A është me të vërtetë e tepërt të kërkosh që një vend që dëshiron që Kosova tia blejë mallrat e veta të ndalojë përpjekjet për t’i detyruar vendet e tjera të kthejnë njohjen e tyre që i kanë bërë Kosovës? Sidoqoftë, Kurti hoqi disa tarifa në mënyrë të njëanshme dhe tregoi një gatishmëri për të shkuar më tej, pa shenjën më të vogël të reciprocitetit nga ana e Serbisë. Ku është presioni ndaj Serbisë për të treguar reciprocitet?

    3. Nocioni që Grenell nuk ka parë kurrë një plan nuk është i besueshëm. Janë botuar disa plane, me origjinë të pasigurt. Presidentët Thaçi dhe Vuçiç i janë referuar diskutimeve të shkëmbimit të territorit. Edhe nëse SH.B.A. nuk ishte përfshirë në ato (gjë që nuk ka gjasa), inteligjenca amerikane do të ketë raportuar mbi to, duke përfshirë çdo hartë që është shkëmbyer. Grenell është ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Është e dukshme që Kosnett dhe Palmer nuk janë të lidhur me këtë mohim për mos parjen e një plani. Kjo sugjeron se ata e kanë një plan.

    Ashtu si shumë deklarata qeveritare, edhe kjo na tregon më shumë me atë se çfarë nënkupton sesa nga ajo thuhet, por gjithësesi në të përfshihet dicka e rëndësishme: rreshti në fund që i referohet njohjes së ndërsjellë. Por vini re se edhe këtu ka një nënkuptim. Nëse shkëmbimet territoriale / shkëmbimet e popullatës janë jashtë bisedimeve, duhet të ishte shkruar “njohje të ndërsjellë brenda kufijve të tyre aktual” ose “njohje të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial”./ Peacefare

  • Armand Shkullaku – Rrëzimi i Albinit, triumfi i një modeli

    Kush e ka ndjekur trajektoren e shkurtër të këtyre pak ditëve të Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës, nga marrja e detyrës e deri tek rrëzimi i telekomanduar mbrëmjen e së mërkurës, ka konstatuar kontrastin e tmerrshëm mes tij dhe një kapice politikanësh në dy anët e kufirit, që janë të gatshëm të zvarriten në çdo batak kulisash e të pranojnë çdo nëpërkëmbje, vetëm për të mbajtur pushtetin.

    Në dekadat e fundit kemi përjetuar mutacione integriteti dhe deformime personalitetit të shkaktuara nga pushteti, të njëjta me ato të viruseve që duan të mbijetojnë duke rrënuar jetët e njerëzve. Pavarësisht vullnetit të qytetarëve, ne kemi parë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, se si zhvlerësohej vota e tyre nga kryqëzimet hibride mes partive që deri dje urreheshin dhe fara e sundimit papritur i bënte bashkë.

    Akuzat për vjedhje, vrasje, krime etj, e që shkonin deri tek shtretërit familjarë, papritur mbylleshin në arkiva përballë joshjes nga torta e pushtetit. Për vite e vite, vota kontrabandohet duke e futur në një krizë të thellë demokracinë e brishtë përfaqësuese, në emër të një grushti njerëzish që ekzistencën e tyre e kanë të lidhur vetëm me karriken ku vegjetojnë pa prodhuar asgjë të mirë për qytetarët e tyre.

    Albin Kurti mund të kishte pranuar kompromis edhe me Hashim Thaçin, ai mund të mos i përjashtonte partitë e PAN nga një koalicion i mundshëm që mund ta mbante kryeministër. Ai mund ti thoshte edhe Rickit: “sir yes sir” dhe të vinte firmën mbi një akt që s’dihet se ku mund ta çojë Kosovën. Madje ai mund të mos i kthente mustaqet e Veliut në mustaqe të Çelos dhe të përtypte në heshtje nënshtrimin nga partneri qeverisës për të ruajtur pozitën e të parit dhe për të mbaruar punët e veta.

    Mund ta përkthente koalicionin qeverisës në koalicion të posteve dhe interesave duke ndarë pjesën e përfitimit që të gjithë të mbeteshin të kënaqur. Mirëpo Albin Kurti e kishte lexuar ndryshe votën e 6 tetorit.

    Mijëra e mijëra njerëz që votuan për të dhe Vjosa Osmanin, votuan pikërisht për t’i dhënë fund pazarit të vjetër që nga kutitë nxjerr të njëjtin mall të skaduar, pavarësisht nga ajo që ke zgjedhur në vitrinë. Kurti mund të ishte zvarritur, siç kanë bërë të gjithë, për të garantuar numrat që do e mbanin në pushtet, mirëpo në dilemën për të qënë një nga ata, apo një model i ri i ndryshimit, ai zgjodhi të dytën.

    Politikanë si Kurti e Osmani, janë adn-ja e pamodifikuar e atyre politikanëve që pushtetin e konsderojnë si një mjet për të arritur një qëllim dhe jo si qëllim në vetvete. Dhe qëllimi i këtij binomi në fushatën e fundit elektorale, ishte pikërisht ndryshimi i këtij modeli të politikanit. Të modelit të shpifur që harron çdo premtim pasi merr votat, që nuk e ka për gjë të tradhëtojë besimin e votuesve, që pranon çdo përdhunim personaliteti vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin- qëllimin ekzistencial të qënies së tij.

    Në këtë kuptim, përballja e drejtpërdrejtë me një rrëzim të telekomanduar, ishte e mira më e madhe që qeveria 50 ditore e Kurtit, i bëri shoqërisë kosovare.

    U rrëzua një qeveri, por mbijetoi një model. Çdo veprim tjetër i Kurtit mund të ishte mbijetesë për të, por triumf i virusit që do të vinte përfund çdo qelizë të shëndetshme të shoqërisë. Ai nxorri në pah hipokrizinë e fosileve të LDK dhe një pjese të elitave e mediave të Kosovës, që bërtisnin për ndryshim dhe kur ky ndryshim u erdhi tek dera u lemerisën si virusi nga vaksina.

    Sepse ata nuk mund të mbijetojnë dot në një terren të shëndetshëm, ku meritat ndahen sipas punës, fuqia sipas votës dhe të mirat sipas aftësisë. Të gjithë u bënë bashkë nën thirrjet “Amelika, Amelika”, për të fshehur kokën në zallin e paaftësisë dhe molepjes së tyre.

    Rrëzimi i Albin Kurtit, është një shans më shumë që shoqëria kosovare të reagojë ndaj të keqes që tenton t’i marrë frymën. Albini i vetë shkoi i qetë drejt këtij fundi, jo sepse është i sigurtë në fitoren e ardhshme, por sepse motivi i qënies së tij politike nuk qënka dhe nuk është pushteti me çdo kusht. Ndoshta kjo e bën modelin e tij të jetë i frikshëm për të tjerët, edhe kur është i rrëzuar.

  • Demonstratat antikomuniste të Kavajës të datave 25-26 mars 1990

    Demonstratat antikomuniste të Kavajës të datave 25-26 mars 1990

    Kastriot DERVISHI

    Kur kujtojmë ngjarjet e vitit 1990, më të rëndësishmet e tyre mbeten dy ditët e demonstratave antikomuniste në zhvilluara në Kavajë më 25-25 mars 1990. Deri atë çast, Shqipëria nuk kish parë një rebelim të hapur kundër regjimit. Si shkak për demonstrimin u gjet një ndeshje futbolli, në të cilën pritej të kishte grumbullime masive njerëzish. Më 25.3.1990 në Kavajë zhvillohej ndeshja midis “Besës” dhe “Partizanit” (e cila përfundoi 0-0). Skuadra vendase luftonte për mbijetesë e ajo mike për të fituar kampionatin (i cili u fitua nga “Dinamo” me një pikë me shumë se “Partizani”). Mëngjesin e ditës së ndeshjes në qytet u shpërndanë fletushka të shkruara në mënyrë artizanale me germa kapitale, me këtë përmbajtje: “I bëjmë thirrje të gjithë atyre që u ka mbetur në deje gjak burrëror dhe që janë të bindur që e gjithë propaganda komunistë fund e krye është mashtrim, të ngrihen me zërin e përbashkët, menjëherë në ndeshjen e 25 marsit “Besa”-“Partizani”, pa frikë dhe me kurajë e mënyrë paqësore, në minutën e 80 të lojës. Të ngrihen të gjithë përnjëherësh me dy gishtat lart duke thirrur fort papushim: Liri-demokraci. Mjaft kemi ndenjur si plehrat. Le t’i lajmë me gjakun tonë shkallët e stadiumit. Ata që do të bien, brezat do t’i kujtojnë si simbole të lirisë së njeriut”. Të gjithë ishin gati për të protestuar. Organet e punëve të brendshme, të gjetur të papërgatitur morën masat që kishin në dorë. U soll nga Tirana Reparti nr.326, u shtuan njerëzit e Sigurimit në popull si dhe u vendos një kamera për fiksimin e personave që do përfshiheshin në këtë veprimtari. Revolta nisi sipas paralajmërimit.Gjatë ndeshjes, “nga një punonjës policie u fiksua një i ri nga Kavaja” që thërriste “ngrihuni çuna, gati për revolucion” dhe “disa të tjerë të paidentifikuar që thërrisnin ‘Demokraci – Demokraci’”. Personi kryesor ishte Ilir Rrugeja i evidentuar, nxjerrë nga stadiumi nga forcat speciale ish ndaluar. Rexhep Rrugeja dhe Safet Beçerri ishin aktivë gjatë gjithë kohës së revoltës në stadium. Pas mbarimit të ndeshjes, një grup prej 200 personash qëndroi në stadium duke hedhur parulla dhe gurë në drejtim të policisë. Ministria e Punëve të Brendshme evidentoi dy ndalime të datës 25.3.1990:

    -Ilir Gani Rrugeja, 23 vjeç, i papunë.

    -Safet Xhavit Beçerri, 25 vjeç, punëtor në Uzinën e Gozhdë Bulonave në Kavajë.

    Të dy ndaluarit në orën 23.00 të mbrëmjes u dërguan në Degën e Punëve të Brendshme Durrës. Atje u torturuan shumë, aq sa për Ilirin që ishte figura kryesore e 25 marsit doli lajmi se kish vdekur. Në bazë të pamjeve filmike u hartua nga organet e punëve të brendshme, një listë me emrat e 23 personave aktivë të demonstratës në stadium. Në njoftimin kryesor, thuhej se më 26 mars, rreth orës 18.00 ishin thirrur të ndaluar në Rajonin të Punëve të Brendshme të Kavajës dy qytetarë të tjerë. Sipas burimeve arkivore dhe atyre të dyta, këta janë Selaudin Cara dhe Rexhep Gani Rrugeja, të cilët janë liruar pas 3 ditësh. Në solidaritet me të ndaluarit, rreth orës 19.00 të datës 26 mars, një masë e madhe qytetarët kavajas demonstroi para rajonit, duke hedhur gurë e parullat: “lironi shokët tanë”, “liri-demokraci”, “poshtë diktatura”, etj. Më pas ata u larguan drejt qendrës së qytetit ku hodhën parulla të tjera. Pas ngjarjes së datës 26 mars, organet e punëve të brendshme bënë evidentimin e 32 personave të tjerë të implikuar. 12 prej tyre me miratim të sekretarit të parë të Rajonit të PPSH-së Kavajë Agron Tafa (emëruar më 1.2.1990), “u thirrën në bashkëbisedim”. Dy prej tyre u arrestuan. Raporti nuk jep emra cilët janë këta të dy, por duke u mbështetur në dokumente të tjera, rezultojnë (përfshi edhe të tretin):

    -Qazim Hamdi Karriqi, 42 vjeç, elektricist në Fabrikën e Qelqit, arrestuar më 28.3.1990.

    -Vasil Sotir Durja, 26 vjeç, punëtor në fabrikën e letrës, arrestuar më 28.3.1990.

    -Fatmir Petrit Veliu, 30 vjeç, punëtor në fabrikën e qelqit, arrestuar më 10.4.1990.

    Hetimi dhe dënimi i Ilir Rrugesë

    Personi i kryesor i datës 25 mars 1990 ngjarje u dënua dy herë. Fillimisht për demonstrimin në stadium. Me vendimin nr.24, datë 5.4.1990 Gjykata e Rrethit Kavajë, u dënua me 3 muaj heqje të lirisë. U lirua më 26.6.1990. Pjesën e mbetur pas dhënies së vendimin e vuajti në kaushin e Repartit nr.313 Tiranë. Më 4.9.1990 u arrestua përsëri pa shkak themelor, për kundërshtim të njerëzve të regjimit dhe u lirua në mars 1991. Dënimin e vuajti në Repartin nr.312 Tërnovë.

    Hetimi ndaj tre të tjerëve

    Sipas të dhënave arkivore, për demonstratat e 25-26 marsit 1990 ishin pyetur 103 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin pranuar pjesëmarrjen. U zhvillua hetimi intensiv ndaj shtetasve Qazim Karriqi, Vasil Durja dhe Fatmir Veliu. Ndaj tyre u zhvilluan përgjigje në biruca dhe u futën spiunë provokues. Fatmir Veliu shprehej se ishte nisur nga dëgjimi i radiove të huaja e veçanërisht i “Zërit të Amerikës”, duke krijuar bindjen se pengesë për zhvillimin e vendit ishte Nexhmije Hoxha. Të tre të arrestuarit qëndruan 2 muaj në hetuesi. Kishte qenë në plan edhe arrestimi i Kristaq Tutulanit dhe Hasan Dajlani, por kjo nuk ndodhu se hetimet u ndaluan. “Për të tre të përmendurit e lartpërmendur, megjithëse ekzistonin materiale me interes dhe po punohej për ta thelluar këtë problem, hetuesia e rrethit e pushoi çështjen duke bërë politikë penale dhe na u tha se për këtë problem është dhënë porosi nga lart”-thuhej në praktikën nr.1702 ku gjendet informacion rreth çështjes në fjalë.

    (Ekstrakt nga studimi për ngjarjet e vitit 1990 në Shqipëri)