Perandoria e fshehtë e Epstein: miliona dokumente, elita botërore dhe hijet e inteligjencëz pas skandalit që s’ka ndërmend të mbyllet kurrë

Shumë, shumë emra të përfshirë. Ngjarja, data, fakte… Nga Bill Gates te Donald Trump, nga ishujt privatë e deri te dosjet e fshehta të FBI-së, publikimi më i madh i dokumenteve mbi Jeffrey Epstein hap skenarë tronditës: seks, pushtet, shantazh dhe lidhje të errëta me shërbimet sekrete. Një histori që shkon shumë përtej krimit seksual dhe prek nervin e sistemit global të fuqisë

GazetaTjeter
6 Min Read
6 Min Read

Çështja Jeffrey Epstein nuk ka ndërmend t’I ulë qepenat. Edhe pas vdekjes misterioze në qelinë e burgut federal të Nju Jorkut më 10 gusht 2019, emri i financierit vazhdon të dalë nga hijet, këtë herë me një fuqi shkatërruese edhe më të madhe. Publikimi i fundit nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara – mbi tre milionë faqe dokumente, mijëra video dhe qindra mijëra imazhe – përbën deklasifikimin më masiv të materialeve mbi Epstein dhe rrjetin e tij.

Ajo që del nga këto dosje nuk është thjesht historia e një grabitqari seksual me lidhje të fuqishme, por portreti i një nyje qendrore ku takohen politika, financa, inteligjenca dhe komprometimi sistematik i elitave globale. Një rrëfim që ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje dhe që lë të kuptohet se skandali Epstein ishte vetëm maja e ajsbergut.

Publikimi që tronditi Uashingtonin

Sipas zëvendësprokurorit të përgjithshëm Todd Blanche, kjo është ndoshta vala e fundit e madhe e dokumenteve mbi Epstein, e imponuar nga Kongresi amerikan në nëntor. Në total, materialet e publikuara arrijnë rreth 3,5 milionë faqe, duke përfshirë email-e, mesazhe, raporte hetimore dhe përmbledhje të FBI-së.

Megjithatë, edhe vetë Blanche pranon se “uria për të vërtetën” nuk do të shuhet lehtë. Rreth 200 mijë faqe mbeten ende të bllokuara për arsye ligjore ose për shkak të informacionit të ndjeshëm. Demokratë dhe republikanë, nga Thomas Massie te Ro Khanna, kërkojnë akses të plotë, duke e kthyer çështjen Epstein në një betejë politike për transparencën.

Gates, Trump, Musk: emra të mëdhenj në dosje

Dokumentet konfirmojnë atë që për vite është përfolur: Jeffrey Epstein ishte thellësisht i integruar në qarqet më të larta të pushtetit. Email-e të vitit 2013 tregojnë shkëmbime mes Epstein dhe Bill Gates, ku përmenden skenarë komprometues, përfshirë aludime për marrëdhënie jashtëmartesore dhe përdorim droge. Fondacioni Gates i ka quajtur këto pretendime “absurde dhe plotësisht të rreme”.

Dosjet përmendin edhe Howard Lutnick, sot sekretar amerikan i Tregtisë, i cili planifikonte një vizitë në ishullin privat të Epstein në vitin 2012, pavarësisht se kishte deklaruar se kishte shkëputur lidhjet vite më parë.

Mesazhe mes Epstein dhe Elon Musk tregojnë tentativa për takime në Florida ose Karaibe, me ftesa të drejtpërdrejta për në ishullin famëkeq. Musk ka mohuar se ka pranuar ndonjëherë.

Ndërkohë, emri i Donald Trump shfaqet në rreth 4.500 dokumente, përfshirë raporte të paverifikuara të FBI-së. Departamenti i Drejtësisë thekson se një pjesë e materialeve mund të jenë të rreme ose të manipuluara, ndërsa Trump i ka mohuar kategorikisht akuzat.

Epstein si arkitekt i rrjeteve të komprometimit

Nga dokumentet del qartë roli i Epstein si “lehtësues” i marrëdhënieve mes njerëzve më të fuqishëm të botës. Festa luksoze, udhëtime private dhe takime me gra shumë të reja krijonin një terren ideal për shantazh dhe kontroll.

Për të mbrojtur viktimat, autoritetet kanë redaktuar imazhet e të gjitha grave të përfshira, me përjashtim të Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së Epstein, e dënuar për trafik seksual. Megjithatë, disa nga të mbijetuarat e abuzimeve kanë kritikuar publikimin, duke argumentuar se ai ekspozon viktimat, por jo bashkëpunëtorët e fuqishëm.

Dosjet e errëta: inteligjenca dhe Izraeli

Një nga aspektet më të ndjeshme, shpesh i anashkaluar nga mediat kryesore, lidhet me inteligjencën izraelite. Një raport FD-1023 i FBI-së, i bazuar në një burim konfidencial, përshkruan Epstein si pjesë të rrjeteve të ndikimit të lidhura me Izraelin.

Sipas këtij raporti, avokati Alan Dershowitz i kishte thënë prokurorit Alex Acosta se Epstein ishte i lidhur me shërbimet amerikane dhe ato aleate, duke ruajtur kontakte shumë të ngushta me inteligjencën izraelite përmes Ehud Barak, ish-kryeministër dhe figurë kyçe e sigurisë së Tel Avivit. Qëllimi i dyshuar: mbledhja e materialeve komprometuese mbi elitën globale, një praktikë e njohur e shërbimeve sekrete.

Somaliland dhe gjeopolitika e fshehtë

Mes dokumenteve dalin edhe diskutime strategjike mbi Somalilandin: ujërat, koncesionet e naftës, qendrat mediatike dhe perspektiva ushtarake. Këto plane paraprijnë zhvillime reale, si njohja e pavarësisë së Somalilandit nga Izraeli dhe përpjekjet për ngritjen e një baze ushtarake në Bririn e Afrikës. Një tjetër dëshmi se Epstein operonte në një terren ku seksi, politika dhe gjeopolitika ndërthureshin rrezikshëm.

Fund apo “continue…”?

Rasti Epstein mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen publike. A ishte ai thjesht një grabitqar seksual me lidhje të fuqishme, apo pjesë e një operacioni shumë më të gjerë të kontrollit dhe shantazhit global? Dokumentet e publikuara hedhin dritë, por edhe errësojnë më tej skenën.

E sigurt është vetëm një gjë: historia e Jeffrey Epstein nuk ka përfunduar. Dhe sa më shumë hapen dosjet, aq më e qartë bëhet se pas skandalit seksual fshihet një arkitekturë pushteti që ende nuk guxon të dalë plotësisht në dritë.

Share This Article