GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Pse nuk ngjisin mercenarët e showbiz që mbështesin Erion Veliajn

Rita Ora komentohej këto ditë në mediat amerikane për veshjen e saj të luksit në “Met gala 2023”, një aktivitet që u zhvillua në New York dhe ku ishin të pranishëm yjet botërorë të showbiz. Kodi i veshjes ishte “në nder të Karl” (Lagerfeld) dhe Rita u shfaq me një fustan të zi, stil gotik, me të cilin duket se qëlloi në shenjë. Veshja e saj u komentua me nota superlative nga mediat rozë, që e cilësuan një veçori: fustani duhej veshur pa të mbathura.

Në Tiranë, Rita u bë personazh mediatik për arsye krejt të ndryshme. Edicionet kryesore informative të televizioneve kryesore raportuan për mbështetjen që i dha këngëtarja Erion Veliajt, për një mandat të tretë.

“E dimë që ti i pëlqen sfidat dhe ne e duam këtë, kemi nevojë për energjinë tënde. Unë të mbështes deri në fund dhe paç fat në të ardhmen”, dëgjohet të thotë Rita Ora në videon, që publikoi Veliaj në rrjetet sociale.

Kryebashkiaku ka një arsenal me filmime të ngjashme.

Para Rita Orës ishte Ilir Shaqiri, që përdori buzëqeshjen e tij rrëzëllitëse për t’i uruar fitoren.

Elhaida Dani e kapi lopatën sikur të ishte punonjëse e gjelbërimit në bashki, për ta mbushur gropën ku sapo ishte mbjellë një pemë. Pastaj uroi Veliajn.

Me radhë, hipën në bord Marsela Çibukaj, Çiljeta Xhilaga, Anxhela Peristeri, Noizy, Capital T dhe Ermal Mamaqi që i oruan Veliajt mbështetjen e tyre për të fituar një mandat të radhës.

Sulmet e opozitës

Ngjitja e artistëve në skenat e politikës ka qenë e rëndomtë kur qeveriste Partia Demokratike. Sidomos në kohë fushate.

Por kjo nuk i pengoi zërat pranë opozitës, t’i kujtojnë këngëtarëve të shkuarën dhe lidhjet financiare me Veliajn.

U rikthyen edhe një herë tingujt e “Kthema qytetin”, këngës që këndoi Ermal Mamaqi në vitin 2007, në mbështetje të fushatës së Sokol Olldashit.

U publikuan në media të dhënat për faturën 50 milion lekë, me të cilën Bashkia e Tiranës kishte financuar koncertin privat të Noizy-t. Pjesëmarrja e fansave kishte qenë me bileta, por sërish Bashkia e Tiranës kishte paguar para.

Deputeti i PD-së, Edi Paloka e quajti poshtërim atë që po ndodhte me artistët dhe përshkroi një moment, sipas tij të ngjashëm me një nga këngëtaret.

“Nje grup djemsh qe kishin pire si per dasem, e ulen kete kengetaren ne tavolinen e tyre dhe nderkohe qe ajo kendonte per ta, ata benin shuka me leke dhe njesoj siç gjuhet me gurë ndaj diçkaje, ia përplasnin me forcë në fytyrë. Po zbaviteshin me dëshirën e qartë për ta poshteruar. Prita qe “artistja” te ngrihej e te ikte vete e revoltuar, por ajo vazhdonte te mblidhte shukat e lekeve duke mbajtur gjate gjithe kohes te njejten buzeqeshje si tek videoklipi per Velinen. Atëherë ndërhyra tek i zoti i dasmes, i cili nga ana e tij nderhyri dhe e nderpreu ate shfaqje poshteruese. Une te pakten ne ate moment mendova qe e shpetova nga poshterimi. Po duke pare videoklipin per Velinen, me shkoi ndermend qe ajo ne vend qe te me kete falenderuar, mund te me kete mallkuar sepse i hoqa mundesine te merrte dhe disa shuka me leke surratit…!” shkroi Paloka në rrjetet sociale.

A ndikojnë mercenarët në elektorat?

Sa më shumë figura publike të dalin në mbështetje të një kandidati, aq më mirë është për të. Synimi i politikës për të “vjedhur” nga adhurimi që gëzojnë artistët është një fenomen i hershëm. Sa më i rrënuar imazhi i një politikani, aq më e madhe është nevoja për të afruar aktorë, shkrimtarë, këngëtarë dhe njerëz të artit.

Çështja është që emrat që ka mbledhur Veliaj nuk kanë asnjë lidhje me mendjet apo zemrat e votuesve të 14 Majit.

Jo vetëm se një pjesë e tyre janë klientë të rregullt të projekteve të Bashkisë së Tiranës. Çështja është se këta janë të paangazhuar, krejt indiferentë dhe nuk kanë asnjë lidhje me jetën publike në Tiranë.

Kurrë nuk është dëgjuar Rita Ora, Ilir Shaqiri, Elhaida Dani, Anxhela Peristeri etj të shprehin shqetësimin më të vogël për kryeqytetin. Një pjesë e mirë nuk jetojnë këtu, të tjerët nuk janë bërë kurrë pjesë e asnjë debati dhe nuk kanë shfaqur ndonjëherë qëndrime për atë që ndodh në qytet, qofshin këto edhe pro Erjon Veliajt.

I vetmi, me një fije ndjeshmëri për Tiranën është Ermal Mamaqi me këngën e vitit 2007. Por që atëherë kanë kaluar 16 vjet dhe ky e pranon se nuk bën më as këngë as humor, por tani bën biznes.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More