Me syzet e kuqe mbi hundë, të zgjedhura ndoshta për të ndërtuar imazhin e një “akademiku politik” modern, kryeministri Edi Rama ka hyrë prej kohësh në një fazë monologu të pandërprerë publik. Një rrjedhë fjalësh që herë duket si analizë politike, herë si shfaqje ironie, e herë si sulm frontal ndaj institucioneve që, në teori, nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë pushteti tjetër. Në qendër të kësaj retorike së fundmi janë vendosur gjyqtarët, konkretisht kërkesa e shoqatave të tyre për rritje page, e mbështetur në ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave.
Por pas këtij debati në dukje teknik, fshihet një betejë shumë më e thellë. Kryeministri flet për paga, por shigjeton pavarësinë. Kritikon “çmendurinë e gjyqtarëve”, por në të vërtetë dërgon mesazhe të qarta drejt një audience shumë specifike: anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Një institucion që sot ndodhet në një udhëkryq historik, mes detyrimit kushtetues për të vendosur dhe frikës politike për të mos u përplasur me pushtetin ekzekutiv.
Në këtë sfond, fjala publike e Kryeministrit nuk është më thjesht koment, por presion. Jo më debat, por paralajmërim. Dhe jo më rastësi, por strategji e mirëmenduar.
Retorika e pagave dhe mesazhi i kryeministrit
Kur Edi Rama flet për gjyqtarët që “duan të imponohen mbi parlamentin dhe qeverinë” duke kërkuar paga sipas mendimit të tyre, ai ndërton një narrativë të thjeshtë për publikun: një kastë e privilegjuar që kërkon më shumë para. Por në të vërtetë, kjo retorikë është vetëm fasada e një konflikti shumë më serioz institucional.
Kryeministri shfaqet i indinjuar, ngrit pyetje dhe u përgjigjet vetë, duke krijuar idenë e një krize autoriteti ku gjyqësori po tenton të dalë nga “kontrolli”. Në këtë monolog të përhershëm, ai lë të kuptohet se nuk e ka aspak problem nëse pagat rriten apo jo. Qëllimi është diku tjetër: të kujtojë çdo ditë se pushteti real nuk toleron devijime.
Ky është një sinjal i drejtpërdrejtë për Gjykatën Kushtetuese. Një sugjerim i mbështjellë me ironi që ajo të mos “pranojë çmenduritë” e gjyqtarëve të tjerë. Në fakt, Rama duket se nuk e koncepton dot që një institucion, edhe nëse ekziston vetëm “në letra”, mund t’i shpëtojë varësisë së plotë nga vullneti i tij politik.
Gjykata Kushtetuese nën presion dhe hija e çështjes Balluku
Në thelb të gjithë kësaj përplasjeje qëndron një çështje konkrete: dosja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Prej javësh, Gjykata Kushtetuese po shmang marrjen e një vendimi për pezullimin e saj nga detyra, duke e shtyrë pa afat një çështje që, në thelb, kërkon vetëm interpretimin e dy neneve – një nga Kushtetuta dhe një nga Kodi i Procedurës Penale.
Ky zvarritje nuk është neutrale. Ajo shndërrohet në një formë presioni të kundërt: jo ndaj qeverisë, por në favor të saj. Duke mos vendosur, Gjykata po i jep kohë Kryeministrit. Kohë për të menaxhuar skandalet, për të zbehur reagimin publik dhe për të kontrolluar narrativën.
Paradoksi është i thellë: tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët ndahen vetëm nga një mur me Kryesinë e Kuvendit dhe disa dhjetëra metra me Kryeministrinë, po mbajnë peng jo vetëm një vendim kushtetues, por edhe kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Heshtja e tyre është bërë pjesë e lojës politike.
Në vend që të jenë mburoja e fundit e shtetit të së drejtës, ata janë futur në një raprezalje psikologjike, ku frika për të vendosur po zëvendëson detyrimin për të gjykuar.
Reforma në drejtësi dhe “bijtë” e saj politikë
E gjithë kjo situatë hedh dritë mbi një të vërtetë të hidhur: reforma në drejtësi, e “ngjizur” sipas vetë Kryeministrit që në vitin 2016, ka prodhuar një sistem që në momentet kyçe duket i paralizuar. Jo nga mungesa e ligjeve, por nga mungesa e karakterit për të marrë vendime.
Mantelzinjtë e elitës së drejtësisë sot duken të vetëofruar për t’u denigruar. Duke shtyrë vendime të qarta, ata po shërbejnë, me vetëdije ose jo, interesat e qeverisë. Rama, ndërkohë, po shijon frytet e një pune të gjatë politike: një sistem që në ditë të vështira i gjendet pranë “babait” të reformës.
Çështja Balluku, ashtu si ajo e AKSHI-t dhe skandale të tjera që përmenden në prapaskenë, janë më shumë se dosje individuale. Janë test për pavarësinë reale të drejtësisë shqiptare. Dhe deri tani, testi po dështon.
Pastaj, syzet e kuqe të Kryeministrit nuk janë thjesht aksesor imazhi. Ato janë simbol i një pushteti që sheh gjithçka përmes filtrit të kontrollit. Pyetja që mbetet pezull është nëse Gjykata Kushtetuese do të guxojë t’i heqë këto filtra dhe të shohë qartë detyrën e saj, apo do të vazhdojë të shohë vetëm atë që i lejohet të shohë.
