Në ashtin e identitetit kombëtar shqiptar qëndron gjuha e bukur shqipe. E lëvruar nga poetë, prozatorë dhe albanologë shqiptarë, gjithmonë duhet të sjellim në vëmendje Rilindasit dhe albanologët austriakë e gjermanë. Ata krijuan shtratin dhe nyjëtimin për zhvillimet e mëvonshme në betejën shqiptare për liri në arealin ballkanik. Gjuha dhe qenia shqiptare janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra – tjetrën. Primordialiteti i gjuhës sonë të bukur shqipe ka mahnitur kurdokohë disa prej studiuesve më në zë të huaj.
Në maj të vitit 1942 u zhduk albanologu Norbert Jokl, pasardhësi i Gustav Meyerit sa i përket caktimit të karakterit gjuhësor të shqipes.
Jokli ka qenë mik e koleg me shumë intelektualë shqiptarë të gjysmës së parë të shek. XX, si Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Asdreni, Aleksandër Xhuvani…
Po sjellim për lexuesin shqiptar shkrimin e botuar në “Përpjekja Shqiptare”, mars 1937, nga filologu Aleksandër Xhuvani, me rastin e gjashtëdhjetë vjetorit të Prof. Joklit.Sebastian ZONJA
Studimet e rrmimet fella që ka bâ Jokli mbi gjuhën shqipe i kapërxejnë nga vlera, nga fellësija e nga gjanësija ato t’albanologëvet të tjerë, si të G. Meyer-it, të Weigand-it, të Jarnik-ut, të Petersen-it e të tjerëve. Me i rrjeshtue emën për emën veprat e studimet e tjera të Joklit mbi gjuhën shqipe, kishte me u-mbushë një varg i bukur i math… Në rivistën gjemane “Indogermanische Forschungen”, Jokli ban për çdo vjet jo vetëm nji të qekun të vepravet të ndryshme që botohen mbi Shqipen, po shumë herë edhe nji analizë e nji kritikë t’atyne veprave. Çdo vepër që flet drejt për së drejti ase tërthorazi mbi Shqipen, në çdo gjuhë qoftë, do të përmëndet sakaqë prej Joklit n’at të Përkohëshme gjermane. Po Jokli nuk vëzhgon e përmend aty vetëm veprat mbi gjuhën shqipe, që botohen kohë mbas kohe n’Evropë në gjuhë të ndryshme, por edhe çdo libër shqip që botohet në Shqipni; jo vetëm librat shqipe, por edhe gazetat t’ona e çdo shkrim e artikull që mbërthem punë gjuhe të botueme ndër gazetat e rivistat t’ona Jokli do t’i këndojë, do t’i vëzhgojë e do t’i përmendi në Indogermanische Forschungen a në Jahresbericht ose në ndonji rivistë tjetër, kur ta bjeri puna… Këtyne veprave duhet me u u-shtue edhe Fjalori etimologjik i Shqipes që po boton Jokli në Berlin e që do të jetë nji vepër me randësi e me vënjesë të madhe shumë… Prej stilit të tij të rrjedhshëm, por të shtrënguet e të prefët, ai duket se âsht shkencëtar, linguist e albanolog i math… Nuk dij ndonj linguist a shkencëtar të huej, që të ketë kundrështue a të ketë kritikue ndonji vepër a gjykim tjetër të Joklit mbi Shqipen, kurse ai vetë ka kritikue sa e sa gjâna të të tjerëvet: në blenin 50 t’ Indogermanische Forschungen (1932) Jokli në 26 faqe të tana flet gjat’ e gjanë mbi etimologjin’ e fjalës Buenë (lum i Shkodrës), tue e gjetë të gabueshëm mendimin e Bartolit, që fjalët Bojana e Barbanna nuk lidhen e nuk pjekin fonetikisht ndër vedi. Nuk dij në qoftë se Bartoli i ka dhanë ndonji përgjigje. E mbaj mend se njizet e sa vjet mâ parë albanologu Iarnik u bani nji kritikë të fellë e të bukur n’IF. të gramatikës e të Fjalorit shqip të Weigand-it, pa mundë ai, më duket, t’i përgjigjet kësaj kritike. Mirë po Joklit, në punë të studimevet e të kërkimevet të tij mbi gjuhën shqipe, s’ka burrë që t’i dali në frymët.
Për ne Shqiptarët që merremi me gjuhën shqipe Jokli âsht këshilltar i çmueshëm. Sa herë kemi ndonji dyshim ase duem të dijmë dishka mbi etimologjinë e gjithazi mbi çdo gjâ të Shqipes, nuk kemi veçse t’i drejtohemi Joklit, e ai me gatishmi e me fisniki të madhe na përgjigjet jo në gjuhët e huej, por në Shqipet. Sepse Jokli nuk e din vetëm teoretikisht Shqipen, por edhe praktikisht, ndonëse nuk ka qenë njdonji herë në Shqipni. Ai e shkruan për bukuri Shqipen, e ka zakon të shkruejë gegënisht, edhe-pse e din mirë edhe toskënishten e çdo dialekt tjetër të Shqipes… Kur ishjem tue hartue në Tiranë Psikologjinë t’eme, më duhej me gjetë nji fjalë shqip për fjalën frangjisht surmenage (intellestuelle), gjer. Uberbürdung. Pyeta Joklin, e ai m’u-përgjegj se mund të përdorshem fjalën stërmundim, të cilën edhe e shtiva në punë sakaqë. Mbas disa kohe mësova se verbi stërmundoj përdorej në gegënishten e sipërme. Pra fjala e këshillueme prej Joklit ishte me vend.
Për të gjitha këto unë ja dij shumë për të mirë Joklit. Por nji miradijë të paanë ja kemi për detyrë Joklit të gjithë sa jemi Shqiptarë: ndonëse Jokli, sikure më thoshte më 1921 në Vienë, punon “für die Wissenschaft”, por ai tërthorazi i ban nji të mirë të madhe gjuhës e kombit t’onë. Ai me veprat e me shkrimet e veta gjithfarësh e ka bâ Shqipen të njohun në nji qark bukur të madh dijetarësh; prej punës së tij janë shtymë në rrmime e studime të Shqipes edhe të tjerë dijetarë të huej; studimet e fella të Joklit hapin orizonte të rij e lëshojnë dritë të madhe mbi caktimin e ardhshëm t’origjinës të gjuhës e të kombësisë s’onë… Duhet t’i lutemi Atij që vrên e kthiell t’i japi jetë të gjatë e shëndet për të mirën e të mbarën e gjuhës s’onë.”