Evropa, e ndarë për energjinë bërthamore: Të gjithë shtetet pro dhe kundër

Gjysma e shteteve e duan, gjysma jo. Kriza energjitike dhe projektet e tranzicionit ekologjik i bëjnë ndarjet edhe më serioze
Gjatë këtyre muajve, kur kriza energjitike po prek të gjithë Evropën (në disa raste çmimet e energjisë janë dyfishuar brenda një viti), janë krijuar ndarje të mëdha midis qeverive dhe ekspertëve se si të përballohet mungesa e energjisë, të ulet varësia energjetike e Evropës nga jashtë BE, e në veçanti nga Rusia, dhe njëkohësisht të respektohet objektivat e tranzicionit ekologjik.
Një nga çështjet më të debatuara ka të bëjë me energjinë bërthamore, e cila për disa do të ishte përgjigja për shumë prej këtyre problemeve, ndërsa për të tjerët do të ishte një investim në drejtimin e gabuar, për të mos thënë një rrezik.
Kur bëhet fjalë për energjinë bërthamore, Europa në fakt është e ndarë më dysh: një grup vendesh, me Francën në krye, e cila përdor energjinë bërthamore dhe synon të rrisë apo të shtojë termocentralet e saj, pjesërisht edhe për shkak të krizës energjike; dhe një grup tjetër që në fakt ka braktisur dekada më parë centralet bërthamore, si Italia, ose që po e bën këto vitet e fundit, si Gjermania.
***
Debati në Evropë rreth energjisë bërthamore ka kohë që vazhdon, por kriza energjetike e ka bërë atë më të rëndësishëm dhe ka shtrënguar pozicionet përkatëse. Për shembull, presidenti francez Emmanuel Macron, i cili në fillim të mandatit të tij dukej mjaft skeptik për energjinë bërthamore, muajt e fundit ka vendosur të investojë burime dhe kredi politike, duke njoftuar ndërtimin e centraleve të reja dhe fuqizimin e të vjetërve.
Ndërsa Gjermania, mbështet vendimi për çmontimin e të gjitha termocentraleve bërthamore në vend – i marrë nga Angela Merkel më 2011 pas katastrofës së Fukushimës: termocentralet e fundit do të mbyllen deri në fund të 2022 – vendim që tani po krijon diskutime të mëdha, edhe brenda qeverisë.. Sipas kritikëve, Gjermania po mbyll termocentralet e saj bërthamore pikërisht atëherë kur ka nevojë për të gjithë energjinë në dispozicion, dhe po i kthehet gazit dhe qymyrit për të kompensuar mangësitë.
Edhe në Itali, kohët e fundit, debati për energjinë bërthamore është ringjallur shumë, edhe pse nuk ka arritur në konkluzione të veçanta. Të katër termocentralet bërthamore italiane u çaktivizuan duke filluar nga viti 1986, pas një referendumi.
***
Siç ka vërejtur Bloomberg kohët e fundit, këto ndarje e vendosin kontinentin në një situatë praktikisht unike në një kontekst global ku fuqia bërthamore po përjeton rritje të fortë. Kina po investon qindra miliarda dollarë në këtë sektor dhe po planifikon të ndërtojë 150 reaktorë të rinj 15 vitet e ardhshme. Rusia po ndërton termocentrale të reja në territorin e saj dhe mbi të gjitha është një nga eksportuesit kryesorë të teknologjisë bërthamore në botë: kompanitë e saj po punojnë për të ndërtuar dhjetëra termocentrale bërthamore jashtë vendit.
Aktualisht, në Evropë, situata e prodhimit të energjisë bërthamore është pothuajse e ndarë më dysh: janë 13 vende që kanë reaktorë bërthamorë aktivë (Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Gjermania, Spanja, Franca, Hungaria, Holanda, Rumania, Sllovenia, Sllovakia , Finlanda dhe Suedia) dhe 14 vende që nuk prodhojnë energji bërthamore dhe që, më së shumti, kanë vetëm një reaktor në vendin e tyre për qëllime kërkimore (Danimarka, Estonia, Irlanda, Greqia, Kroacia, Italia, Qiproja, Letonia, Lituania, Luksemburgu , Malta, Austria, Polonia, Portugalia).
***
Megjithatë, midis këtyre dy kampeve, situata është e jo fort e qetë – dhe jo pa polemika, siç ndodhi së fundmi me vendimin e Komisionit Evropian për të konsideruar energjinë bërthamore (dhe gazin natyror) si një burim të qëndrueshëm energjie.
Belgjika, Gjermania dhe Spanja, pavarësisht se kanë termocentrale bërthamore, kanë vendosur vitet e fundit që do t’i çmontojnë plotësisht ato, ndonëse me afate të ndryshme kohore: Gjermania synon ta bëjë këtë brenda vitit 2022, ndërsa Spanja do të fillojë më 2027 dhe do të përfundojë më 2035. Edhe Zvicra, megjithëse nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, miratoi së fundmi një referendum për të çmontuar të gjithë termocentralet e saj aktualisht aktive dhe për të mos ndërtuar të tjerë.
Në kampin tjetër, shumë nga vendet që kanë tashmë termocentrale bërthamore kanë filluar punën për të ndërtuar të reja, ose po miratojnë projekte për ta bërë këtë: mes tyre Franca, Mbretëria e Bashkuar (e cila nuk është më pjesë e Bashkimit), Finlanda dhe Holanda.
Janë gjithashtu edhe dy vende, Polonia dhe Estonia, të cilat aktualisht nuk kanë termocentrale bërthamore, por po shqyrtojnë seriozisht planet për të ndërtuar në të ardhmen: në veçanti Polonia, e cila ka identifikuar tashmë edhe vendin ku do të ndërtohet reaktori i saj i parë: qeveria planifikon të ndërtojë gjithsej gjashtë termocentralë dhe të fillojë prodhimin e energjisë bërthamore brenda vitit 2033.
Por edhe pse situata midis vendeve evropiane pro dhe kundër energjisë bërthamore duket pak a shumë e barabartë, prodhimi i energjisë bërthamore në Evropë ka rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë dy dekadave të fundit, dhe jo vetëm sepse vende të ndryshme kanë vendosur të çaktivizojnë termocentralet e tyre.
Një shembull mjaft i dukshëm është ai i Francës, e cila me 56 reaktorët e saj gjeneron 52 për qind të të gjithë energjisë bërthamore të prodhuar në Evropë. Megjithatë, infrastrukturat bërthamore franceze janë mjaft të vjetra dhe të konsumuara: EDF, kompania shtetërore që i menaxhon ato, është në krizë prej kohësh dhe së fundmi janë mbyllur përkohësisht pesë termocentrale për riparime. Rezultati, prodhimi i energjisë bërthamore franceze është në nivelin më të ulët në dekada: ishte 430 teravat/orë më 2005, vetëm 335 teravat/orë më 2020, dhe pritet të bjerë më tej më 2022 (një terawat orë është një miliard kilovat/orë).
***
Prandaj, Bashkimi Evropian gjendet midis krizës më të rëndë energjetike të dekadave të fundit i ndarë për çështjen bërthamore dhe me prodhimin në rënie, në një kontekst ku në një pjesë të madhe të pjesës tjetër të botës prodhimi i energjisë bërthamore është i destinuar të rritet vitet e ardhshme. Për disa analistë, ky është rezultat i dekadave të gabimeve serioze strategjike. Siç e ka titulluar Bloomberg: “Evropa po humbet energjinë e saj bërthamore pikërisht atëherë kur i nevojitet më shumë”.
Megjithatë, duhet të kihet parasysh se prodhimi i energjisë bërthamore kërkon investime të mëdha dhe kohë të gjata: energjia bërthamore nuk do të mund ta zgjidhte krizën aktuale energjetike edhe sikur të gjitha qeveritë evropiane bien dakord për zhvillimin e saj masiv. Ndërtimi i një impianti të ri nga e para, faktikisht kërkon të paktën 10 vjet dhe investime të mëdha. Nëse një vend do të vendoste, për shembull, të fillonte prodhimin e energjisë bërthamore, do të duhej të shpenzonte dhjetëra miliarda euro dhe rezultatet e para do të shiheshin në dekadën e ardhshme.
Këto polemika më pas bëhen pjesë e një debati më të gjerë midis atyre që e konsiderojnë energjinë bërthamore si të nevojshme për tranzicionin ekologjik, sepse gjenerimi i energjisë elektrike në termocentralet bërthamore nuk lëshon gaz serrë (por sidoqoftë prodhon skorie bërthamore që janë të vështira për t’u menaxhuar) dhe atyre që besojnë se, në një moment kur duhet të përqendrohemi plotësisht tek burimet e rinovueshme, vazhdimi i mbështetjes tek bërthamorja mund të jetë kundërproduktive.
***
Edhe në këtë rast, dy aktorët kryesorë janë Franca dhe Gjermania. Presidenti francez Macron, duke njoftuar investime të reja në prodhimin e energjisë bërthamore, e përshkroi si një mjet të domosdoshëm për tranzicionin e energjisë: pa energjinë bërthamore, burimet e rinovueshme vetëm nuk mund ta bëjnë këtë. Një tjetër politikan i njohur francez, Komisioneri Evropian për Tregun e Brendshëm Thierry Breton, është poashtu një ithtar i energjisë bërthamore dhe së fundmi ka deklaruar se Evropa duhet të investojë 500 miliardë euro në këtë sektor për të përmbushur kërkesat e saj për energji duke respektuar kërkesat mjedisore.
Ndërsa qeveria gjermane, nga ana tjetër, është ndër më të ashprat kundër energjisë bërthamore dhe me të Gjelbërit në koalicion ka shumë pak gjasa që gjërat të ndryshojnë.
Vendimi gjerman për çmontimin e termocentraleve shpesh paraqitet si i diktuar nga frika që pasoi katastrofën e Fukushimës, dhe kjo është pjesërisht e vërtetë. Po ashtu, ekspertë të ndryshëm gjermanë besojnë se eliminimi i energjisë bërthamore është e vetmja mënyrë për të shfrytëzuar realisht energjinë e rinovueshme: që nga Fukushima, prodhimi i energjisë nga burime të rinovueshme në Gjermani është trefishuar dhe tani plotëson rreth 45 përqind e nevojave për energji elektrike. “Ka patur një lidhje të qartë midis daljes nga energjia bërthamore dhe hyrjes në burimet e rinovueshme”, ka thënë një ekspert gjerman për The Economist./ Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA