GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Homerizmi i Fishtës

Artan KAFEXHIU

Gjergj Fishta, siç nuk harron të na e kujtojë një nga studiuesit e rreptë të tij, Arshi Pipa, ishte malcor prej lindjeje.

Pavarësisht origjinës së tij zadrimore, ai mbërriti atje ku nuk kishte mujtë me mbërritë asnjë prej paraardhësve, apo bashkëkohësve të tij. Për së gjalli, ai e ngriti veten aq lart, sa me u njoftë si poeti laureat kombëtar.

Urdhëri Françeskan, të cilit ai, parasëgjithash i përkiste, kishte arritë të depërtonte në vatrën e çdo familjeje malcore katolike. Arsyeja ishte e thjeshtë: ishte Urdhëri i të Varfërve, ashtu siç ishin malcorët në përgjithësi.

Së fundmi, shumica e fretënve ishin të lindun e të rritun në malci, pra ishin vendas. Si të tillë, sëbashku me bashkëvendasit me të cilët ndanin bereqetin e pakët, atyne u mjaftonin mësimet bazë të doktrinës kristiane për të ruajtun besimin në fenë katolike të të parëve. Pjesa tjetër e jetës së këtij komuniteti ishte ruajtja dhe vazhdimësia e traditave, një univers ky i moçëm e krejt më vete, dikur i kodifikuar deri në detaje, e që humbiste në thellësinë e shekujve.

Përpjekja për mbijetesë nuk ishte vetëm me varfërinë. Ekzistenca e tyre mbetej gjithmonë e kërcënuar prej dyndjeve sllave, apo prej sunduesve osmanë; kjo i bëri malcorët ta gjejnë veten në vijën e parë të flamurit të nacionalizmit, ku fretënit françeskanë u bënë udhëheqësit e tyre (Arshi Pipa).

Ishin këta fretën që u bënë të parët mbledhës të traditës orale dhe kanunit. Shembujt më të shenjuar ishin fretënit Gjeçovi, Palaj, Kurti, të gjithë malcorë. Këta së toku, u mblodhën rreth Hyllit të Dritës, të drejtuar nga Patër Fishta. Mjafton të shfletosh faqet e kësaj reviste, për të kuptuar rolin e këtyre fretënve si mbledhësit e parë të folklorit oral dhe kanoneve social-ekonomike të jetës malcore.

Vetë Fishta nuk ishte mbledhës folklori, por ai, siç dëshmon vepra e tij, kishte diçka poaq të vlefshme: kishte një dhunti, forcën krijuese, talentin e poetit dhe shkrimtarit për me e kultivue traditën epike orale, si dhe me e përdorë atë si landë të parë në krijimtarinë e tij artistike, për të na sjellë kryevepra si ‘Lahuta e Malcis’.

Gjergj Fishta pati modele të hershme ndër mbledhësit e traditës orale dhe ndër krijuesit dhe kultivuesit e saj. Ndër ta ishin edhe kroatët A. Kaçiç-Miosiç dhe A. G. Martiç, (S. E. Mann) që patën kontribuar në mbledhjen e folklorit gojor të sllavëve të Jugut. Është interesant fakti që Kaçiç, i cili jetoi në shekullin e 18-të ishte poashtu, një frat françeskan, i cili nuk u mjaftua me mbledhjen e folklorit gojor. Me përjashtime të vogla, shumica e vargjeve të sjellura në veprën e tij janë krijime veçse të tijat, të mbështetura në këngët dhe traditën gojore sllave. Këtu qëndron edhe ndryshimi thelbësor midis kroatit Kaçiç dhe Fishtës tonë.

Kaçiç nuk hezitoi t’i ndryshojë këngët epike të traditës, që t’i përgjigjej narrativës historike sipas një sfondi historik të sajuar, e siç ai dëshironte ta tregonte. Të njejtën gjë kishte bërë edhe poeti tjetër kroat Ivan Mažuranić në poemën e tij epike “Vdekja e Smail Agë Çengiçit”.

Mažuranić, aktit të rëndomtë të hakmarrjes, vrasjes në një pusi të agait të një lokaliteti malazez, një turku mysliman, krejt i pacipë, një shfrytëzues i pamëshirshëm i fshatarëve të varfër malazezë – i jep ngjyra nacionaliste. Aktin e vrasjes ai e ngre, e hymnizon, duke e shndërruar momentin prej kontekstit konfliktual të një sjelljeje ekstreme sociale, në një shkëndijë dhe shkak të fillimit simbolik të luftës së sllavëve malazezë kundër sundimit osman.

Në ndryshim nga poetët kroatë, Fishta nuk e preku traditën gojore të këngëve epike te kreshnikëve. Me artin e krijimit te tij, siç është edhe rasti i ‘Lahutës së Malcis’, ai solli shpirtin e folkut epik të Gegnisë, duke e modeluar çdo këngë sipas metrikës tetërrokshe të njohur të ciklit epik të Mujit e Halilit.

Poashtu, këngët e tij kanë një gjatësi mesatarisht prej 225 rreshtash (Arshi Pipa).  Pikërisht këtu e ka zanafillën edhe shtjellimi homerik i narracionit të tij epiko-poetik.

Ethosi i çdo kënge të Lahutës frymëzohet nga kanonet tradicionale social-ekonomike, duke thithur dhe shkrirë brenda tyre mitin dhe aspektet legjendare të këngëve epike historike. Ndërkohë, narracioni i tij poetik tregon besnikërisht historinë dhe luftën e përpjekjet e malcorëvë të Gegnisë së tij të dashtun.

“Homeri shqiptar” është ndoshta epiteti më i dashur për shumë nga ne, kur flitet për Fishtën si poet, veçanërisht kur e lidhim këtë përngjasim me magnum opus-in e tij, – Lahutën e Malcis.

Shpesh më sillet ndërmend dyshimi, nëse kjo përqasje ndaj Fishtës si “Homeri shqiptar”: a i bën parasëgjithash, drejtësi vetë poetit tonë kombëtar?

Ekziston një konsensus i përgjithshëm në rrethet e njerëzve të letrave dhe studiuesve se Iliadës dhe Odise-së që lexojmë ne sot: se këto ishin dhe mbeten produktet finale të një tradite orale gjithnjë në ndryshim, që së fundmi u transkriptua pakashumë në tekstin që njohim sot, diku midis shekujve gjashtë dhe tetë para Krishtit.

Homeri ngjan më shumë që të ketë qenë një shumësi autorësh, bardësh, përgjatë mijëravjeçarëve shumë më të hershëm, kur nuk ekzistonte shkrimi dhe teksti. Kjo mori bardësh anonimë ishin më shumë zëdhënësit e një tradite, sesa individë me dhuntinë artistike të krijuesit, poetit të spikatur, siç është rasti i Fishtës.

***

Fishta ishte shumë më shumë se një poet epik në stilin e baladave të kreshnikëve. Ai kontribuoi në disa gjini; si poet lirik krejt laik, apo në damarin e poetit fetar, siç i shkonte për shtat rrobës së fratit françeskan; si satirist social-politik me esetë e tij pickuese, apo dramat ku parakalojnë ngjarje e karaktere njerëzore të të gjitha aspekteve e ngjyrave të jetës bashkëkohore shqiptare.

Vetë ‘Lahuta e Malcis’ është një përzierje e baladës epike me satirën dhe dramën social-politike shqiptare – kjo në sfondin ballkanik dhe europian.

Ekziston një ndryshim themelor midis Homerit dhe Fishtës. Iliada dhe Odisea e Homerit, janë produktet finale të transkriptuara, të diktuara e të hedhura në tekst, të një tradite të trashëguar e tepër të hershme gojore. Kurse Fishta ishte dhe mbetet pjesë dhe, ndoshta, figura më madhore e një lëvizjeje krejt të re letrare shqiptare…, ishte dhe mbetet një poet i kultivuar, që krijoi e kultivoi artin dhe letërsinë e tij duke përdorur një gjuhë dëshmitare dhe ilustruese të realitetit dhe preokupimeve të të përditshmes shqiptare, në damarin Virgjil-ian, Dante-sk dhe Shekspir-ian.

***

Duke dhënë sqarimin e mësipërm sesi duhet ta shohim Fishtën vis-a-vis Homerit, qoftë edhe duke e përdorur hipotetikisht si një përafrim figurativ, apo epitet, mendoj se ia vlen të ndalemi për një moment për të parë se çfarë është “homerike” tek Fishta, ose siç e kam titulluar unë shkrimin, ku qëndron “Homer-izmi i Fishtës”.

 Burime dhe referenca më autoritative, gjithmonë mbetet binomi Parry-Lord dhe libri i Albert Lord, titulluar “Epic Singers and Oral Tradition” (Bardët Epikë dheTradita Gojore). Parry-Lord huazoi dy koncepte nga fusha e gjuhësisë, – sinkroninë dhe diakroninë, – për të kuptuar sesi funksionon tradita gojore, që sot, si një kurorëzim, si zeniti i saj, përfaqësohet me një emër të përveçëm autori, me dy veprat e njohura Iliada dhe Odisea, me autor të ashtuquajtur, – Homer-in.

Raporti gjuhësor sinkronik-diakronik i baladave epike në traditën gojore, pra raporti midis gjuhës ekzistuese bashkëkohore dhe evoluimit të saj historik, rrëzon idenë, e cila e personifikon gjenialitetin e krijimit të baladave në një individ të vetëm; si proto-krijuesi ky i epikës “par excellence”, e ku vetëm këtij i takojnë të gjitha atributet për krijimin e një institucioni kultural, sikurse janë baladat epike.

***

Protagonizmi është në fakt, një karakteristikë e dallueshme e kulturës greke dhe heleno-centrizmit të saj, duke e mbajtur këtë kulturë si fillimi i civilizimit europian, ku çdo arritje madhore kulturore i atribuohet një individi të vetëm, apo një kulture të vetme.

Parry-Lord, me punën në terren, mbledhjen  dhe studimin e traditës gojore epike në Ballkan, dëshmon se nuk është thjesht “Homeri”, arsyeja e kësaj trashëgimie baladash epike.

Poetët, qoftë edhe Homeri (nëse do ta konsiderojmë si një individ), janë tradicionalisht funksion i poezisë që i përfaqëson ata.

A duhet të interpretohet dhe pranohet se tradita poetike krijon poetët? Absolutisht jo! Të kujtojmë një shprehje të studiuesit të traditës gojore, Paul Zumthor, që pohon: “Poeti është i vendosur brenda gjuhës së tij, më shumë sesa gjuha është vendosur në të.”.

Kjo thënie të sjell ndërmend shprehjen tjetër tepër të famshme e domethënëse të Heidegger-it: “Gjuha është shtëpia e qenies, në shtëpinë e tyre qëniet njerëzore banojnë…”.

Ndërkohë, unë do të shtoja se tradita, poezia epike, gjuha e baladave gojore, përveçse është shtëpia ku poetët me dhuntitë e tyre artistike banojnë, poashtu është edhe vendi ku edhe lulëzojnë, krijojnë artin individual, të dallueshëm, e ku mbajnë vulën e tyre poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj.

***

Për të kuptuar me tej e siç duhet “homer-izmin” e Fishtës, siç edhe e përmenda diku më sipër, më duhet të pohoj se ai përdori metrikën tetërrokëshe dhe gjatësinë mesatare të baladave të kreshnikëve, atë 225 vargëshe. Kjo është kërkesë bazë e “homer-izmit” të epikës shqiptare. Por nuk ështe kjo, ajo që e bëri Fishtën poetin laureat shqiptar “par excellence”.

Duke konsideruar diakronizmin e gjuhës së baladave, që përbën edhe lejtmotivin e tyre, pra në rastin tonë, tematika e secilës prej këngëve të Lahutës së Malcis, ishte pikërisht përqafimi i kësaj përmbajtjeje, pra i temave kombëtare, që fillimisht e futën Fishtën në udhën e tij te gjatë, për t’u bërë eminenca poetike shqiptare.

 Fishta nuk mbeti skllav i metrikës së baladave të kreshnikëve, as i ndonjë formule, grupimi fjalësh, apo shprehjesh, që persëriten “tash e mbasandej”, siç ndodh zakonisht me bardët për motive ekonomike të vargut, apo për të mbajtur mend rrjedhën e baladës. Ai nuk ishte e nuk mbeti një rapsod, por arriti majat e poetit.

Përshkrimet, epitetet dhe idiomat Fisht-iane, ndërkohë që kënaqin kushtin e metrikës së baladave, nuk janë thjesht grumbullime mekanike fjalesh, si formula që përsëriten. Ato trupëzohen në vargje, të cilat në mënyrë të natyrshme përcjellin tek lexuesi dramën e ngjarjeve, apo njerëzve, të gjitha të përshkruara plot detaje, qoftë të përmasave historike, apo me nota më personale.

Janë vargje e këngë të blatuara nga emocionet e thella të një poeti me një pathos të pashoq, e që shprehet në një mënyrë krejt te re, që elektrizon dhe ngre peshë kredon e një kombi të tërë.

You might also like