Nga Artan KAFEXHIU
E lindur me një talent të spikatur artistik, në një familje përplot me traditë dhe kulturë, Safete Sokoli mund të kishte qenë një nga sopranot shqiptare të pasluftës, që do ta kishte shëtitur Shqipërinë nga një cep në tjetrin, për të dhënë shfaqje e për të marrë duartrokitje. Por jeta e saj, atëherë kur duhet të niste ngjitjen, mori të tatëpjetën…
Ajo lindi në Shkodër më 15 janar 1926 në shtëpinë e Sokolajve. Shtëpi me pamjen madhështore të një ndërtese shkodrane të shekullit XVII, dykatëshe, me shkallë mermeri e guri dhe me çardakun me qoshk me oborrin plot pemë e lule ku mbizotëronin karajfilat e Shkodrës e tulipana shumëngjyrësh, e ku bashkëjetonin një mori kafshësh dhe shpendësh të sjella nga vende të largëta. Brenda saj, kjo shtëpi pashallarësh atdhetarë shquhej për dhomën e madhe plot me punime të gdhendura në dru të tavanëve dhe kapakëve të dritareve; me oxhakun madhështor me motive floreale; me shandane dhe armë argjendi; me orë muri të ardhura nga Azia, etj..
Kjo ishte shtëpia e babait të Safetes, Jusuf Sokolit, që njihej nga të gjithë si një vatër bujare, mikpritëse dhe si qendër atdhetare ku që të gjithë këndonin, ndërsa vëllai i SAfetes, Ramadani, ishte kompozitori dhe muzikologu.
Safeti u rrit plot përkëdhelje dhe me shumë dashuri. Ajo ishte e imët, trupvogël, por shumë e shkathët. Ajo kalëronte, zbuste kuajt më të tërbuar, ngiste makinën, ishte gëzimi i familjes së saj. Ajo këndonte me zë të mrekullueshëm, në veçanti këngët e kompozuara nga vëllai Ramadani, si: “Blegërin delja”, “Turtulleshë”, “Ç´u mbush mali” dhe këngët shkodrane, duke mbushur me gëzim zemrat e atyre që e dëgjonin.
***
Në lagjen në Zdralej, ku ndodhej tregu shihej vazhdimisht një femër trupvogël, me flokë kaçurrela, e veshur me kostum të zi me vija të bardha, me pantallona e xhaketë, e qetë, e thjeshtë, plot dinjitet, duke blerë ushqime. Të gjithë e shihnin plot respekt, se e dinin që ishte motra “Sokoli”, që jetonte e vetme dhe përgatiste çantat me ushqime për vëllezërit qe i kishte nëpër burgjet komuniste. E megjithatë të gjithë e adhuronin vajzën me zë sopranoje që ishte bilbili i këngës shkodrane…
Drama e kësaj familjeje filloi me ardhjen e komunistëve në pushtet!
Në fillimvitin 1945 arrestojnë djalin e madh të familjes, Ibrahimin, i diplomuar për drejtësi, pro monarkist dhe atdhetar. E dënojnë dhe bën 27 (njëzet e shtatë) vjet burg dhe internim (bashkë me gruan e tij Shane Dosti, gjithashtu e burgosur politike). Në vitin 1946 arrestojnë edhe babanë Jusuf, dhe e dënojnë me dy vjet burg (1946-48); u akuzua si pjesëmarrës në lëvizjen e Postribës. Po në vitin 1946 arrestojnë edhe Ramadanin, të cilin e dënojnë me pesë vjet burg; akuzohet për agjitacion e propagandë, dhe si pjesëmarrës në lëvizjen e Postribës. Por komunistët s’u mjaftuan me kaq, sepse në vitin 1964 arrestuan dhe dënuan edhe djalin më të vogël të familjes, Hodon me 25 vjet burg, e të cilin e ridënuan pas Revoltës së Spaçit (në vitin1973).
***
Kësisoj shtëpia e Sokolajve po përjetonte një periudhë shumë të vështirë, plot trishtim, vetmi, vetizolim dhe njëherit u ndërpre zëri i bilbilit, u plagos zogu i bukur, u ndërpre gazi dhe hareja… E ëmbla Safete s’u lejua të punonte arsimtare, e hoqën nga ansambli i këngëve dhe valleve, s’këndoi më, s’u lejua të dilte në skenë dhe zemra e saj as qeshi, as këndoi ma. Kjo vazhdoi me dekada!
Safete Sokoli shkeli me këmbë cepa të Shqipërisë, që ndoshta as ua kishte dëgjuar emrin. I shkeli dhe i njohu për një arsye krejt tjetër: për të vizituar vëllezërit në burgjet ku u ndrynë me radhë. Një jetë e tërë e kaluar nga një burg në tjetrin, për të parë prapa hekurave të vëllezërit dhe duke u munduar në punë të rënda për të siguruar ushqim për ta, që herës tjetër të mund t’i shihte prapë. E paburgosur, por e dënuar.
Ajo ishte fëmija i shtatë i Jusufit dhe Aishes, që patën tre djem dhe gjashtë vajza. Ishte rritur mes bollëkut të një prej familjeve më në zë të Shkodrës.
Këngëtarja shkodrane Antoneta Ndokfillija, bashkë me Safeten kishin interpretuar në operën “Drita”, ku Safetja-soprano luante rolin e vajzës, Dritës, ndërsa Antoneta-mezosoprano ishte nëna. Opera me muzikë nga profesori Antonio Muci dhe libret nga drejtoresha e shkollës “Donika Kastriot” ku studionin vajzat, Silvia Doria, u vu në skenën e shkollës në vitin 1941 dhe Safete Sokoli, 15 vjeç, mori vlerësime të shumta për interpretimin dhe zërin e saj të bukur. Subjekti ishte i thjeshtë. Vajza e vogël i humbet nga sytë nënës në pazarin e Shkodrës. Vite më vonë, po në pazar, buzë liqenit, ajo dëgjon një vajzë duke kënduar dhe e njeh nga zëri dhe nënë e bijë takohen të përmalluara.
***
Në librin “Dhimbje”, të autores Fatbardha Saraçi, ndër të tjera Safete Sokoli rrëfen: “I ndoqa vëllezërit nëpër të gjitha kampet e punës, nga lindja në perëndim, në Burrel tek kështjella famëkeqe e komunizmit, ku njerëzit kanë hyrë dhe nuk kanë dalë gjallë; u shkova pas në Maliq ku thahej këneta, në Beden të Kavajës, ku hapeshin kanale dhe në shumë kampe pune të të burgosurve politikë. E vetme përjetova vdekjen e prindërve, që më vdiqën brenda gjashtë muajve; ata i mbyllën sytë përjetë, pa i parë djemtë që i kishin të burgosur. Prindërit vdiqën, por nuk panë tmerrin tjetër, arrestimin e vëllaut të vogël. Përpos dhimbjes u shtua kalvari i vuajtjeve të mia. Që nga viti 1964 Hodon e dënuan 26 vjet burg, u ridënua në revoltën e Spaçit. E ndoqa vëllaun tem Hodo në burgjet dhe kampet shfarosës, si: Rrepsi, Burreli, Saranda, Spaçi (që ishte tmerri i tmerreve). Eca e eca tok me bashkëvuajtëset e tjera shkodrane, si me Luçie Koliqin, motër e Jul Koliqit; ajo shkonte të ndihmonte Dom Mikel Koliqin që i kaloi jeta në burg e në internim (në vitin 1995 u bë kardinali i parë i Shqipërisë i klerit katolik).
Po kalvari im vazhdoi për shumë dekada. Përpos vuajtjeve shpirtërore ishte puna e lodhshme në bujqësi, ku punova në të gjitha fermat, si: Oblikë, Dobraç, Qafe-Hardhi, gjithmonë e kërrusur. Por, edhe aty më ndihmuan moralisht shumë bashkëvuajtës, në veçanti një prift katolik shkodran, i ditur, i talentuar, me një shpirt madhështor, përherë me fjalë të ëmbla dhe me zërin e tij të qetë bëhej shëruesi i shpirtit tem të vuajtur. E ky prift i nderuar ishte Dom Lazër Jubani (i burgosur politik). Pas ca vitesh u helmua nga dora e Sigurimit të Shtetit. Ndihesha fare e vetmume. E kalova jetën tuj e pasun shok besnik qenin. Kuptohet njerëzit kishin frikë të na vizitonin, jo më të na flisnin. Por, në të gjithë këtë vetmi, vetëm një shoqe e rinisë, e artit dhe e muzikës, nuk më braktisi dhe tash që jemi të moshuara, ajo më ndjek: kjo është aktorja shkodrane Antoneta Ndokillija (Fishta)”.