GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Gjon Mili, teologu i fotografisë

Nga Artan KAFEXHIU

Në Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë, një shtysë e brendshme më nxiti që të filloj të gërmoj në “kujtimet” e mia për një emër tejet të njohur të fotografisë, Gjon Milin.

Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli kur, në Nju Jork, rashë në kontakt për herë të parë me kontributin e tij fotografik.

Në Tiranë kisha dëgjuar për Gjon Milin në një rreth të ngushtë njerëzish, në një kohë kur ai ishte krejt i panjohur në vendin ku lindi dhe që e kish lënë kur kishte qenë vetëm një katër-vjeçar.

Gërmova në “letrat” e mia dhe gjeta faqet e zverdhura nga koha të gazetës Illyria, ku në vitin 1995 ishte botuar në anglisht një shkrim imi, pikërisht për Gjon Milin. Po aty gjeta përkthimin tim po të të njëjtit shkrim në shqip, e që më vonë u botua edhe në një periodik të Tiranës.

Pa dyshim se është pikërisht pasioni im i veçantë për fotografinë, që më udhëhoqi drejt mjeshtrit “të momentit të llogaritur”, Gjon Milit…, artistit që dramaturgu irlandez Sean O’Casey e thërriste “shqiptari gjenial”.

Gjon Mili lindi ne Korçë në vitin 1904. U rrit dhe kaloi vitet e rinise në Bukuresht.

I nxitur nga xhaxhai i tij, në moshën 18-vjeçare emigroi në “kontinentin e shpresës”, Amerikë, ku e priste një e ardhme e ndritur.

Në vitin 1927 ai u diplomua në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, në Kembrixh, si inxhinier elektrik, dhe punoi si specialist në fushën e ndriçimit artificial, në një prej shoqërive amerikane ndër më të mëdhatë e kohës.

Mund të thuhet pa ndrojtje se ishte pikërisht Gjon Mili ai që i dha një shtytje të re motërzimit të publicistikës, dhe shtypit në përgjithësi, me fotografinë, duke ndikuar kështu tek brezat e ardhshëm që lëvruan artin fotografik. Kjo i dedikohet kryesisht punës së tij eksperimentuese në ndriçimin artificial, të quajtur “stroboscopic”, teknologji kjo krejt e re deri në atë kohë.

Pikërisht në atë studion e tij të sajuar në rrënojat e një kishe të braktisur në Nju Xhersi, lindi dhe u zhvillua përdorimi i ndriçimit artificial në shërbim të fotografisë, (stroboscopic photography).

***

Gjon Mili ishte fotografi i parë që përdori ndriçimin artificial në fotografi.

“Mili ishte një largpamës i vërtetë”, – thoshte Harold Edgerton, profesor në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT), dhe njëkohësisht bashkëpunëtori i parë i Milit.

– “Ai kuptoi të ardhmen e ndriçimit artificial në fotografi dhe e udhëhoqi këtë fushë me shumë imagjinatë. Ai drejtoi. Ai na shtyu përpara”.

Ishte Faik Konica, një mik i tij i afërt, që tërhoqi vëmendjen e Milit në “London Illustrated News”, ku shkruhej shpesh rreth kinematografisë dhe fotografisë si mediume tepër domethënëse e të rëndësishme në të ardhmen e artit.

Bisedat me Faik Konicën, intelektual ky me njohuri enciklopedike, zgjeruan dhe rritën interesin e Milit për artin në përgjithësi.

***

Karriera e vërtetë e Milit si fotograf profesionist filloi kur fotografitë e tij, që “ngrinin levizjen” e kampionit të atëhershëm të tenisit, Bobi Ring, u botuan në revistën amerikane “Life”. Botimi i atyre forografive shënoi fillimin e karrierës së tij dyzet-vjeçare, si një prej fotografëve më të përmendur dhe më të përkushtuar ndaj artit dhe botës së fotografisë.

Mili në të vërtetë, u njoh si ‘Papa’ (Pope) i atij rrethi të ngushtë mjeshtrash të mëdhenj të fotografisë dhe të ambicjes profesionale, të mbledhur rreth revistës së hershme dhe tepër të njohur amerikane, “Life”.

Mili u bë veterani i kësaj reviste, por duke mbetur gjithmonë “i jashtëm” (free-lancer), thjesht një bashkëpunëtor, e duke ruajtur jashtë saj një jetë me të vërtetë të pavarur profesionale, si fotograf klasi që ishte.

Bashkëpunimi i vazhdueshëm me revistën e çoi Gjon Milin në shumë vende të botës: në Rivierë (Francë), përsëri në Francë për violinçelistin spanjoll Pablo Kazal; në Izrael për të asistuar në gjykimin e nazistit Adolph Eichman, etj..

Kamera e tij fotografoi qendrat më të mëdha të kulturës, politikës dhe artit botëror, si Londrën, Firencen, Dublinin, Berlinin, Athinën, Romën, Hollivudin, etj.. Ai fotografoi vende e popuj, njerëz të famshëm dhe artistë, kryevepra në skulpturë dhe arkitekturë, ngjarje sportive dhe koncerte. Në fund ai shkoi në Bukuresht për të risjellë kujtimin e nënës së tij, kaq të dashur e poaq të dëshiruar prej tij.

Bashkëpunimi i Milit me revistën “Life” zgjati deri para vdekjes së tij, ardhur kjo si pasojë e një aksidenti në rrugë.

Gjatë karrierës së tij jashtë revistës “Life”, Mili hapi një numër ekspozitash individuale në MOMA të Nju Jorkut, sikurse: “Kërcimtaret në lëvizje”, në vitin 1942; “Mbi Pikason”, në vitin 1952; në Francë në “Paris Galerie” dhe në “Musee Arleton” në vitet 1946 dhe 1971, etj.. Gjithashtu ai ishte pjesëtar i disa ekspozitave të fotografëve më të zgjedhur të botës në Nju Jork, Londër dhe Paris. Midis tyre ishte “Familja e Njeriut”, një nga ekspozitat më të vizituara të artit fotografik kjo, e instaluar përsëri në MOMA të Nju Jorkut, e që u mbajt e hapur për një kohë të gjatë, rreth dy vjet.

Mili për rrjedhojë të talentit të tij, njohjes dhe kulturës muzikore, fitoi famën e fotografit numër një të baletit. Edhe kopertina e një prej librave të tij kishte për ilustrim një prej baleteve më të famshëm të fotografuar po prej tij në Metropolitan Opera, në Lincoln Center.

Me një sërë ekspozimesh të kamerës vetjake ai krijoi variantin e tij shumë të njohur të pikturës klasike kubiste të Marcel Duchamp-it, titulluar “Vajza lakuriqe duke zbritur shkallët”.

Mili ndoshta është më tepër i njohur për dy momente fotografike magjike; njëra me kërcimtaret e Lindi Hop, në fluturim në ajër, dhe tjetra me Pablo Pikason duke skicuar në boshllëk (ajër).

Mili vizitoi Pikason dy herë, fillimisht në vitin 1949, dhe për herën e dytë në fundin e viteve ’60-të. Gjate këtyre vizitave ai shpenzoi mjaft kohë me artistin, duke jetuar dhe punuar sëbashku në shtëpinë-galeri të Pikasos.

Në fillim, kur donte të njihej me Pikason, Mili i kërkoi ndihmë piktorit francez Matisse (Matis), për ta prezantuar me të. Por miku i tij piktor, Matisse, i sugjeroi se mënyra më e mirë ishte të njihej vetë me Pablon, pa ndërmjetësi.

Pikaso ishte pasionant i detit, diellit, dhe një notar amator, që shpenzonte një kohë të konsiderueshme në bregdet. Një ditë Mili iu afrua dhe e nisi bisedën me të, me fjalët: “Më falni, unë jam një fotograf dhe kam dëshirë t’u bëj një portret”. Pikaso duke qeshur iu përgjigj: “Oh? Ja ku më keni!”. Mili insistoi duke i thënë se e kishte seriozisht dhe i tregoi disa fotografi të një patinatoreje, të fotografuara në errësirë, me ndriçim artificial të mundësuar prej disa llambushkave të vendosura në patinat e saj. Mili kishte ndjekur dhe fotografuar lëvizjet e patinatores në erresirë. Pikaso reagoi pozitivisht dhe menjëherë.

Ishte bash nevoja për të kuptuar piktorin e famshëm, që i ngjizi Milit idenë e një prezantimi të tillë.

Ajo çka kishte mbetur në mendjen e Milit, duke qenë befasuese njëherazi, ishte shprehja e njohur e Pikasos: “Në fund të fundit nuk janë mendimet, por duart ato që e materializojnë një vepër arti”.

Pikaso i këshillonte piktorët e rinj: “Nëse don të vizatosh, duhet të mbyllësh sytë e të këndosh”.

David Douglass, një nga drejtuesit e korporatës “TimeLife”, kur e pyetën se çfarë mendonte se i sillte atij ambienti fotografi Gjon Mili, u përgjigj: “Episodi me Pikason dëshmon për inteligjencë. Inteligjencë or mik, inteligjencë. Këtu (në TimeLife), Gjon Mili sjell inteligjencë.”.

Duke studiuar dhe përcjellë Pikason para publikut të gjerë mbarëbotëror, Mili dhe Pikaso mbetën miq të mirë deri në fund.

Mili respektohej prej emrave më të shquar të botës së artit dhe të letrave; madje një pjesë syresh kishin pozuar fillimisht për kamerën e tij, dhe më vonë u bënë miqtë e tij.

Filozofi dhe shkrimtari francez Jean-Paul Sarter shkruajti parathënien e njërës prej ekspozitave pariziane të Milit, ku ndër të tjera theksoi: “Primitivët e Deteve të Jugut thuhet se refuzonin të fotografoheshin, duke besuar se po të pranonin ta bënin këtë, do të mbeteshin përjetësisht robër të fotografit. Për të kuptuar urtësinë e tyre, mjafton të shikoni portretet e Gjon Milit.”.

Fotografë si Saul Steinberg ndihmuan në krijimin dhe ilustrimet e ekspozitave të Gjon Milit. Alexander Schneider adhuronte “Kuartetin Pranveror të Budapestit”, të varur në studion e Milit.

Fotografi i famshëm francez Henri Cartier-Bresson, një nga miqtë dhe kolegët më të ngushtë të Milit, e quante studion e Milit si “Athinën e Nju Jorkut”. Ai e karakterizonte Milin kështu: – “Pavarësisht miqësisë tonë të ngushtë, Gjon Mili për mua paraqet njeriun e drejtë dhe mendjen e kthjellët. Unë e admiroj sensin dhe respektin e tij prej mjeshtri artizan për punën e dorës, dhe njëkohësisht adhuroj edhe përbuzjen e tij ndaj teprimeve. Këto cilësi burojnë nga një personalitet me të vërtetë kompleks dhe me një urtësi filozofike.”.

Studio e Milit në të 23-tën rrugë në Manhattan, ishte vendi i preferuar i shumë prej yjeve të muzikës amerikane, veçanërisht i atyre të muzikës xhaz, sikurse Duke Ellington, Billy Holliday, Gene Krupa, Ted Williams, etj..

Niveli i lartë cilësor që karakterizon veprën e Gjon Milit, i atribuohet vlerësimit dhe njohjes së tij të thellë të letërsisë dhe artit në përgjithësi, duke përfshirë historinë, baletin dhe teatrin.

Mili e vlerësonte artin e fotografisë si të ishte teologji, duke iu përkushtuar dhe duke e përhapur atë si të ishte një mësues i vërtetë teologjie.

Kur vështrojmë fotografitë e skulpturave të artistit francez Roden, të ndriçuara nga shkëlqimi i një dielli në perëndim, ngjan sikur ato marrin frymë dhe bisedojnë me njëra-tjetrën.

Respekti i Gjon Milit për gurin dhe metalin, nëqoftëse nuk ishte unik, sigurisht mbetet i rrallë midis fotografëve. Ai u bë i njohur si mjeshtri i “momentit të llogaritur”.

Kur bisedohej rreth teknikës së tij, ai thoshte: – “Kohën nuk mund ta ndalësh. Pëlhura (duke patur parasysh fotografinë) mund ta ruajë lëvizjen përgjithmonë, çfarëdoqoftë ajo.”.

***

Megjithatë, gjatë gjithë jetës Mili mbeti një shpirt i thjeshtë.

Gjatë leksioneve si pedagog i fotografisë në Yale University, ai i drejtohej studentëve me këto fjalë: – “Unë kam ardhur këtu si një humanist. Do të ishte dështim t’u mësoja juve artin e fotografisë. Si mundem t’u mësoj diçka për të cilën u deshën 50 vjet për ta mësuar dhe harruar? Nuk mund t’ua mësosh të tjerëve këtë gjë në jetë!”.

Për ironi të fatit, arritja më e madhe e Gjon Milit, e quajtur “stroboscopic photography”, mbetet e lidhur më shumë me fotografinë e reklamës dhe të modës, sesa me foto-publicistikën (fotogazetarinë).

Modelet pozojnë para bliceve të pandërprerë të kamerave të fotografëve, dhe dikur “notat” e para të kësaj “muzike” u dëgjuan në kishën-studio të sajuar të Gjon Milit, shumë dekada më parë.

Mili vdiq në shkurt të vitit 1984, në moshën 79-vjeçare. Gazeta Nju Jork Tajms lajmëroi vdekjen e tij. Thuhet se Mili në portofolin e tij gjithmonë mbante një copë letër, ku ishte shkruar një shprehje e Heraklitit: “Çdo gjë është dhe njëkohësisht nuk është. Çdo gjë është fluide, gjithmonë në ndryshim, duke ekzistuar dhe njëkohësisht duke u zhdukur pandërprerë”.

You might also like