GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Kujdes me lekët falas

Shtetet po futen në borxhe më shumë se kurrë, pa pasojat që do të kishin patur para pandemisë: sipas The Economist, është fillimi i një epoke të re ekonomike, e cila krijon mundësi dhe ka rreziqe

Prej muajsh në shumë sektorë dhe fusha të ndryshme – të gjithë? – pyesim se çfarë do të ndodhë kur ta kemi kapërcyer krizën aktuale shëndetësore dhe ekonomike, dhe shumë diskutime rrotullohen rreth një pyetjeje të madhe: a do të rikthehemi në “normalitet”, ku me normalitet nënkuptojmë situatën para pandemisë së koronavirusit? Apo normaliteti ka ndryshuar një herë e përgjithmonë? Numri i fundit i The Economist i ka kushtuar një editorial sistemit ekonomik të shteteve më të pasura në botë, duke shtruar pyetjen nëse do të rikthehet ajo që ishte më parë e duke ju përgjigjur me një “jo” të fortë.

[Pandemia] ka çuar në një garë të dëshpëruar për të zbatuar ato politika që vetëm disa muaj më parë do të dukeshin të paimagjinueshme ose heretike. Rezultati është që një në ekonomi po ndodh ndryshim i thellë, i llojit që ndodh vetëm një herë për gjeneratë.

Economist vazhdon duke shpjeguar se nuk është hera e parë që një krizë botërore determinon një ndryshim kaq të thellë në dinamikën globale ekonomike dhe financiare: në vitet ’70 një rritje e madhe e çmimeve të naftës shkaktoi një krizë globale ekonomike dhe si pasojë kalimin në politikën ekonomike të njohur si “monetarizëm”, që lidhte ngushtë inflacionin me sasinë e parave që qarkullonin në treg. Në vitet 1990, një krizë e re botërore bëri që bankat qendrore të botës të fitonin një pavarësi më të madhe nga fuqitë politike, duke siguruar një normë interesi relativisht të qëndrueshme në kohë.

Kriza ekonomike që filloi në vitin 2007 ishte një moment i mundshëm i kalimit në një sistem të ri politikash ekonomike, por për habi të disa analistëve nuk ndodhi. Por ndryshimi që nuk ndodhi, u aktivizua, sipas editorialit, nga kriza e lidhur me epideminë COVID-19. Kjo epokë e re dallohet nga katër karakteristika:

  • Karakteristika e parë është dimensioni tronditës i borxheve të garantuara për qeveritë aktuale, dhe potenciali në dukje i pakufishëm për kreditë në të ardhmen. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që shtetet e pasura do të huazojnë 17 përqind të PBB-së së tyre këtë vit për të financuar 4200 miliardë dollarë në shpenzime dhe ulje taksash, të përcaktuara për të mbajtur funksionale ekonominë.
  • Karakteristika e dyta e “epokës së re” është emetimi masiv i parave të reja, të përdorura për të financuar borxhet e larta publike të shteteve duke mbajtur një normë të ulët interesi.
  • Karakteristika e tretë evidenton një rrezik: Shteti i ka atribuar vetes rolin e “rishpërndarësit të kapitalit”, si një nga lojtarët e vetëm të tregut financiar i gatshëm për të blerë aksione të kompanive kryesore të ekonomisë dhe të financojë spitalet dhe shoqata jofitimprurëse. Kjo situatë i jep Shtetit fuqinë që të vendosë se çfarë të financojë dhe çfarë jo, duke krijuar një ndikim politik në ekonomi që Economist i konsideron shqetësuese.

Përpara krizës, shtypja masive e parave kompensohej nga inflacioni, domethënë rritja e çmimeve dhe si rrjedhojë humbja e vlerës së parave të shtypura. Por karakteristika e katërt e cituar nga Economist është pikërisht inflacioni i ulët, pavarësisht politikave monetare kaq agresive. Kjo është arsyeja pse i quan “para falas” shifrat e marra borxh me bollëk nga Shtetet (si përshembull në rastin e Fondit të Rimëkëmbjes Evropiane, atëherë, as që mund të flitet gjithnjë për një kredi në kuptimin e njohur zakonisht: ato janë para të hedhura në fondin e humbur, pra fjalë për fjalë “lekë falas”).

Sipas The Economist këto nuk janë ndryshime të përkohshme që do të kthehen në normalitet pas disa vitesh, por një shembull i përshpejtimit të dinamikave që ishin në lëvizje: inflacioni dhe normat e interesit ishin rreptësisht të përmbajtura edhe para krizës, si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht lëshimit të likuiditeteve nga bankat qendrore.

Kjo “epokë e re e ekonomisë” do të karakterizohet, pra, nga një humbje e pavarësisë së bankave qendrore, që do të duhet të marrin rreziqe duke braktisur rolin e ndërmjetësve që kishin që nga vitet Nëntëdhjetë, dhe nga një ndikim më i madh shtetëror.

Një shtet me një kapacitet veprues gjithnjë e më të madh e më të thellë në ekonomi krijon disa mundësi. Normat e ulëta të interesit do ta bëjnë më të interesuar qeverinë që të marrë borxhe për të ndërtuar infrastruktura të reja, nga laboratorët kërkimorë e deri në rrjetet e energjisë elektrike, të cilat do të bëjnë të mundur rritjen e fuqisë ndaj kërcënimeve të tilla si pandemitë dhe ndryshimet klimaterike. Për më tepër, me plakjen e popullsisë, rritja e shpenzimeve të shëndetit dhe pensioneve është e pashmangshme […]

Por epoka e re paraqet gjithashtu edhe rreziqe të mëdha. Nëse inflacioni rritet, papritmas e gjithë ndërtesa e borxhit do të tronditet, sepse bankat qendrore do të duhet të rrisin normat e interesit dhe nga ana e tyre të paguajnë interes të lartë për rezervat që kanë krijuar për të blerë letra me vlerë. Dhe, edhe nëse inflacioni mbetet i ulët, mekanizmi i ri do të jetë vulnerabël dhe mund të tejkalohet nga lobistët, sindikalistët dhe përfituesit.

Si përmbledhje, problemi kryesor i këtij sistemi është se i lë shumë fuqi sipërmarrëse Shtetit, i cili avantazhohet për të bërë favorizitizma, duke vendosur në mënyrë arbitrare cilat aktivitete financiare dhe cilat jo, apo thjesht edhe pa synim të keq, të mund të veprojë në mënyrë jo shumë të mençur dhe të papërvojë në treg, bazuar në një axhendë politike dhe jo ekonomike.

[Politikanët] po vendosin që tani se për cilat kompani të ndalojnë pagimin e taksave dhe cilët punëtorë duhet të paguhen nga shteti në pritje që punët e tyre të vjetra të rishfaqen. Pas jo shumë kohe, disa nga kreditë për sektorin privat do të rezultojnë të papërballueshme, duke ia lënë qeverive zgjedhjen e kompanive që duhet të falimentojnë.

Çdo epokë ekonomike duhet të përballet me një sfidë karakteristike të kohës së saj, e cila e ka origjinën në krizën që e lindi: në vitet 1930 kriza e madhe financiare e vitit 1929 lindi politikën ekonomike kejnesiane, qëllimi i së cilës ishte të nxirrte botën nga Depresioni ekonomike në të cilën ishte zhytur. Në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë u desh të dilnim nga fenomeni i stagflacionit (d.m.th. një kombinim i palëvizshmërisë ekonomike dhe rritjes së çmimeve), i cili buronte nga kriza e 1973, duke përdorur mjetet e monetarizmit.

Kriza që lindi tranzicionin aktual në një epokë të re ekonomike është një emergjencë shëndetësore, ku pushteti politik ka patur një rol stërmadh, për mirë ose për keq. Sfida, edhe kur kriza të tejkalohet, do të jetë krijimi i një situate që do t’i mundësojë ekonomisë së “re” – me praninë e rëndë të “Shtetit sipërmarrës” – të veprojë, duke ditur si të përballojë ndonjë krizë të mundshme financiare, pa lejuar që favorizimet politike ta marrin kalanë nga brenda./ Materiali është përgatitur nga gazetatjeter.com

You might also like