Luftërat dhe shoqëritë sekrete: bazat ezoterike pas nacional-socializmit
Ishte viti 1960 kur në Francë, nga botuesi i njohur Gallimard, u botua një libër me një titull kurioz: Le matin des magicien- Mëngjesi i magjistarëve, i shkruar prej katër duarve, nga Louis Pauwels, një ish dishepull i G.I. Gurdjeff me ide reaksionare dhe një shkencëtar dhe shkrimtar komunist, Jacques Bergier. Eseja, e cila shpejt u bë një nga një best-seller, përziente me mençuri të dhëna objektive dhe sugjerime fantastike, duke hipotezuar një konvergjencë të zbulimeve të reja shkencore me mençurinë e lashtë okulte. Kritika e vlerësoi librin se ofrote “përmes një paraqitjeje të kthjellët, të larmishme dhe të apasionuar, materialin më tërheqës që mund të ruajnë për ne këto vite transformimi të mundimshëm dhe shqetësues teknik dhe shoqëror”.
Në një epokë, fillimi i viteve ’60, në të cilën po fillonte të merrte formë ndarja thelbësore e dominimit të një konceptimi materialist të shoqërisë dhe vizionit determinues të historisë, ‘Mëngjesi i magjistarëve’ risillte në lojë idenë që forcat vepruese në zhvillimin e njerëzimit nuk ishin ato të marrëdhënieve prodhuese apo të përplasjes dialektike midis klasave shoqërore, por ato më të padukshme, fuqitë që veprojnë pas kuintave, shprehja e parimeve të padukshme, por absolutisht reale; për të qenë të qartë, okultizmi dhe magjia të cilat, sipas kritikës së kohës, “nuk do të ishin tanimë thjesht vetëm sekrete të humbura, por paralajmërime që brezat e lashtë na dërgojnë për ngjarjet e të ardhmes”. Fjalë problematike, që na drejtojnë tek një libër shumë i lehtë për t’u lexuar, i vështirë për t’u kuptuar dhe shumë i vështirë për t’u ndarë në tërësinë e tij.
Në mes të jetës dhe veprave të alkimistëve modernë dhe mistagogëve arkanë, duke kaluar në mënyrë jo krejt të hijshme nëpër civilizimet e zhdukura të antikitetit, tek shkrimtarët bashkëkohorë fantashkencorë, Pauwels dhe Bergier bashkëshoqërojnë – ndonjëherë duke e tërhequr zvarrë – lexuesin në një vorbull universesh të largët të së kaluarës dhe të së ardhmes, mes botësh paralele dhe dimensionesh fantastike që, pas më shumë se gjysmë shekulli, e mbajnë të paprekur magjepsjen e leximit, edhe kur përmbajtjet janë bërë në mënyrë të pakthyeshme të vjetruara, edhe pse jo përfundimisht të diskredituara.
Realiteti virtual që mbizotëron fillimin e mijëvjeçarit të tretë ka bërë një spastrim të shpejtë të ‘vjetërsirave’ spiritiste dhe okultiste të cilat, akoma në mesin e viteve Nëntëqindë, mund të ruanin një pamje besueshmërie, tanimë përfundimisht të rrëzuar, përveç një atgumenti të vetëm, që është i përhapur, dhe mbi të gjitha, në Network: “nazizmi magjik”.
Po flasim pra për lidhje, të padiskutueshme e shpesh shumë të theksuara, midis Nacional-Socializmit dhe shkencave okulte, tema kryesore e ‘Mëngjesi i magjistarëve’, siç shkruan politikologu Giorgio Galli, që falë këtij libri filloi të studionte se çfarë do të bëhej fillesa pjellore e ezoterizmit nacionalsocialist, të cilit politologu i shquar i ka kushtuar disa libra.
Galli filloi atëherë, pikërisht falë Pauwels dhe Bergier, për të kuptuar se dija okulte mund ta ndihmonte të kuptonte historinë, sepse ezoterizmi “është brenda Historisë dhe jo jashtë, duke arritur shpesh të ushtrojë një ndikim jo sekondar mbi të”. Qendrore, në vëzhgimet e Gallit për dimensionin e fshehur të historisë, është referenca për ekzistencën e një kulture ezoterike e cila, nga thellësitë e historisë së Perëndimit, u rishfaq, në Evropë e veçanërisht në Gjermani, në lulëzim e plotë shkencor të shekullit XX. Një prezencë që mundëson shpjegimin e rrugës së ndjekur nga Hitleri dhe një pjesë e elitës nacional-socialiste përgjatë “Luftës së Dytë të Tridhjetë Vjetëve”, siç e quan Galli periudhën e historisë evropiane që shkon nga 1914 në 1945.
Pas ngjarjeve tragjike që përgjakën Kontinentin e Vjetër në gjysmën e parë të viteve Nëntëqind, siç u romanzua fillimisht nga Pauwels dhe Bergier dhe më pas studiuar shkencërisht nga historianë si René Alleau dhe Nicholas Goodrich Clarke, janë edhe ndikimet e ushtruara nga aktivizimi i shoqërive të shumta sekrete, aktive në të gjithë Evropën, me të cilat ishin të lidhura anëtarë të shumtë të qeverisë gjermane dhe kabinetit mbretëror britanik. Në tokën gjermane realiteti mbizotërues ishte Shoqëria Thule (Thule-Gesellschaft), ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ishte shumë aktiv Golden Dawn-Agimi i Artë (Hermetic Order of The Golden Dawn-Urdhri hermetik i Agimit të Artë).
Agimi i Artë ishte themeluar më 1887 nga Mc Gregor Mathers, Woodman dhe Wynn Westcott dhe synonte në thellimin në magjinë ceremoniale për të arritur, përmes njohurive iniciatike, zhvillimin e fuqive të mbinatyrshme. Ndër anëtarët më të famshëm, vetëm për të dhënë një ide mbi rëndësinë e shoqatës, ne gjejmë W.B. Yeats, Arthur Machen, Aleister Crowley, ndoshta Bram Stoker dhe shumë intelektualë dhe shkencëtarë të tjerë kryesorë të inteligjencës britanike. Ndërsa në Shoqërinë Thule, ishin anëtarë aktivë më shumë politikanët sesa intelektualët, ose më saktë, politikanë me interes intelektual, të tillë si “Famulltari” i Hitlerit, Rudolf Hess, guvernatori NacionalSocialist i Polonisë, Hans Frank, teoricieni i gjeopolitikës, prof . Karl Haushofer dhe teoricieni kryesor i NacionalSocializmit Alfred Rosenberg, të gjithë njerëzit që i përkisnin rrethit të ngushtë të Führer-it të ardhshëm, personazh sigurisht jo alien ndaj simpative dhe interesave “okulte”, të cilat shpesh ndikuan aksionin e tij politik.
Këtu, falë një prodhimi librarik të pakufishëm dhe shpesh të pasigurt, bëhet i paqartë kufiri midis historisë dhe fantazisë, por, siç shkruan Giorgio Galli, mund të themi pa ndrojë se “Hitleri është zëdhënësi i një grupi intelektualësh të trajnuar për familjarizimin me kulturë okulte”. Si dhe sa kjo “mençuri e fshehtë” ka vepruar efektivisht në zgjedhjet e Kancelarit gjerman është e vështirë të përcaktohet saktësisht.
Sidoqoftë, mund të supozohet se shumë prej zgjedhjeve të bëra gjatë periudhës 1939-1945 nuk i atribuohen arsyeve racionale: nga “armëpushimi” i pashpjegueshëm me britanikët në Dunkirk, te zgjedhja vetëvrasëse e luftës në dy fronte, në Lindje dhe Perëndimi, deri në pritshmërinë maniake të armëve misterioze përfundimtare që do të përmbysnin fundin e pashmangshëm dramatik të Gjermanisë, jemi në fushën e vendimeve të parevokueshme dhe iracionale, që kanë pasur pasoja të frikshme e të përgjakshme, aq sa, përgjatë dy luftërave botërore dhe me sakrificë të pafundta jetësh njerëzore, kemi kaluar nga “Magjistarët e Mëngjesit” në “Rënien e Perëndimit”.
Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA