Blog

  • Dieta e dimrit, ja 10 ushqimet e stinës

    Dieta e dimrit, ja 10 ushqimet e stinës

    Shumë fruta dhe perime të stinës do të ishin ideale për të përballuar sa më mirë ndërrimin e stinëve dhe ardhjen e dimrit.

    Cilat do të ishin 10 superushqimet e dietës dimërore?

    Duke qënë se ndryshon stina do të ishte mirë të ndryshonit edhe mënyrën e të ushqyerit. Idealja për të pastruar organizmin pas muajve të verës dhe për ta përgatitur të përballojë dimrin do të ishte dieta ushqimore dimërore.

    Sipas dietologëve amerikanë ajo duhet të përmbajë:

    • Kungullin dimëror;
    • Kungullin amerikan (butternut squash);
    • Rrepat;
    • Dardhat;
    • Lakrat e Brukselit;
    • Brokoli;
    • Lulelakra;
    • Mollët;
    • Shegët;
    • Kungujt jeshilë.

    Përse këto ushqime na bëjnë mirë?

    Sipas Lainey Younkin, themeluese e “Younkin nutrition” në Boston, lakrat e Brukselit, brokoli dhe lulelakra janë shumë të pasura me substanca anti-tumorale prandaj duhet të konsumohen rregullisht.

    Nga ana tjetër të gjithë llojet e kungujve përmbajnë pjesën më të madhe të vitaminës A që i nevojitet organizmit, duke qënë të pasura edhe me kalium apo vitaminë C.

    Mollët janë të pasura me fibra dhe vitaminë C, dardhat të pasura me kalium, fibra, shegët me antioksidantë, vitaminë A dhe kalium. Rrepat janë të pasura me acid folik dhe vitaminë C.

    Këshillohen edhe lëngjet e frutave të shtrydhura në shtëpi.

  • Një histori mes pasaportash të rreme, arrestimesh dhe një ndeshjeje mitike në burg

    Një histori mes pasaportash të rreme, arrestimesh dhe një ndeshjeje mitike në burg

    …ose Ronaldinho, historia e ditëve të fundit

    Por, pak para se Ronaldinjo dhe vëllai i tij të merrnin rrugën e kthimit për në Brazil, policia i ndaloi sërish dhe i çon në stacionin e policisë për t’u marrë në pyetje për herë të dytë. Këtë herë gjyqtari, të cilit i është besuar çështja, vendos të konsiderojë të rregullt arrestimin, duke i përcaktuar veprimet e vëllezërve si “ekstremisht naive”. Ende nuk është e qartë se pse Ronaldinjo dhe vëllai i tij kanë preferuar të tregonin një pasaportë të sapomarrë nga pronari i një kazinoje, sesa dokumenten e tyre, edhe pse për qytetarët brazilianë në Paraguai është e mjaftueshme një kartë identiteti.

    Ronaldinjo në burg

    Në vitin 2015 ai ka qenë akuzuar për krime mjedisore në Liqenin Guaíba, afër Porto Alegre, ku kishte ndërtuar një platformë peshkimi pa lejet e nevojshme. Pas kësaj akuze, pasaporta e tij ishte konfiskuar. Ndërsa pak muaj më parë, është hetuar për shkak të lidhjeve të tij të pretenduara me një kompani kriptovalutash të quajtur 18k Ronaldinjo, e cila premtoi fitime të majme, por që në të vërtetë doli të ishte një lloj skeme piramidale.

    Nuk është hera e parë që ka probleme gjyqësore, por kurrë më parë ai kishte përfunduar në burg. Videoja e arrestimit të tij nuk është aspak miqësore: Ronaldinjo është thuajse i panjohshëm, ai i tërheq këmbët zvarrë zhurmshëm përgjatë një korridori plot me njerëz me kyçet e mbuluara nga një lloj pëlhure rozë, ka të veshura pantallona të zeza qesharake dhe një bluzë të bardhë XXXL. Në kokë mban një kapelë Kangol, një lloj berete sportive që e kemi parë të veshur vetëm prej tij dhe Samuel Lee Jackson nga fillimi i viteve 2000, ku ai ka fshehur flokët e gjatë kaçurrelë që përcaktojnë imazhin e tij publik. Shikimi duket i shuar, pamja e shurdhër, buzët e mbyllura fshehin dhëmbët e famshëm të dalë. Pas tij vëllai duket si versioni i dizajnuar keq, më i shkurtër dhe më i rrumbullakët.

    Të dy dërgohen në “Cuadrilatero”, një sektor i burgut të Asuncion i cili strehon kryesisht oficerë policie dhe politikanë të akuzuar për korrupsion, por edhe trafikantë droge (ata gjenden në katin e parë, trafikantët në katin e mëposhtëm). Janë në paraburgim për të shmangur një arratisje në Brazil, brenda gjashtë muajve duhet të zhvillohet një proces për të sqaruar rolin e tyre në aferë. Gazeta paraguajane ABC Color ka shkruar për “një akuzë si të dyshuar për pastrim parash” kundër Ronaldinjo, vëllait të tij Roberto dhe sipërmarrësit vendas Dalia Lopez, por për momentin duket se akuzohen vetëm për dokumente false.

    Thjesht vetëm ideja që Ronaldinjo gjendet në burg është thjesht absurde, në kundërshtim me gjithçka që mendojmë për të. Si mund të mbyllet Ronaldinjo gjë të cilën nuk e ka arritur as Guardiola? Nuk po flasim vetëm për atë që ka qenë futbollisti më i mirë në botë për të paktën dy sezone, por për simbolin e një futbolli të lirë dhe të lumtur, të çmendur dhe artistik, për futbollin e fëmijëve dhe artdashësve. Ndoshta edhe për këtë arsye narracioni rreth ndalimit të tij është i mbushur me nuanca ironike.

    Ronaldinjo duke shërbyer në lokalin e burgut, duke hedhur me precizion disqe të bëra me brumë buke; Ronaldinjo që e kap në ajër me thembër sapunin e rënë në dush; njerëz që organizohen për ta liruar nga burgu, sepse hej, Ronaldinjo nuk mund të mbahet në burg. Dikush më kritik e krahason foton – e supozuar – e Ronaldinjos, duke pozuar me policin që e arrestoi, me të tjera arrestimesh shumë më të dhunshme nga policia. Pikërisht sepse është Ronaldinjo, me kalimin e ditëve kanë filluar të dalin lajme gjithnjë e më shumë imagjinare, deri tek ajo sipas të cilës Lionel Messi është gati të paguajë të gjitha borxhet e ish-partnerit, si dhe të harxhojë 4 milion euro për ta nxjerrë atë nga burgu ( lajm ky i mohuar nga enturazhi i vetë lojtarit).

    Diego Armando Maradona ka postuar në Instagram një fotografi teksa përqafon Ronaldinjon, me shkrimin: “Forca shoku im. E vërteta ia del gjithmonë mbanë. Një përqafim të madh, kampion”. Dhe disa ditë më parë (më 8 Mars) ishte pesëmbëdhjetëvjetori i një prej golave të tij më ikonike, gjuajtja nga një goditje dënimi kundër Chelsea, thjesht për të kompensuar foton e parë nga burgu të Ronaldinjos (të shpërndarë nga gazetari Hernan Rodriguez), ku ai tregon edhe një herë buzëqeshjen e pagabueshme në të cilën ka veshur një kanotjere vjollcë të njollosur nga djersa (këto ditë temperaturat në Asuncion arrijnë në 40 gradë). Flokët i duken të yndyrshëm, të pista, kanë sy të fryrë.

    Futbollisti më i fortë në botë… midis atyre që janë në burg

    Në pamje të parë, Ronaldinjo duket në gjendje ta ndryshojë realitetin që e rrethon sipas dëshirave të tij, ndoshta sepse ai është lojtari që më shumë se të gjithë iu afrua fare pranë ndryshimit të ligjeve të fizikës me vullnetin e tij dhe … me sensin e humorit?

    Një aftësi që padyshim i ka mbetur edhe në burg: si të shpjegohet ndryshe koincidenca midis arrestimit të tij dhe mbajtjes së një turneu futbolli me pesë vetë – Copa Cárcel Agrupación Especializada de Asunción – brenda burgut?

    Turneu është bërë, por si në një roman të Gabriel Garcia Marquez, lajmet dhe legjendat mbi pjesëmarrjen e tij filluan të përzihen me mençuri, duke krijuar një histori që nuk mund të anashkalohet nga përkufizimi i abuzuar i realizmit magjik.

    Këtu, për shembull, gazetari Iván Leguizamón tregon se ndërsa ndërsa Ronaldinjo po shëtiste me një polic, një top shumë i lartë në formë harku do të mbërrinte nga fusha aty pranë dhe ish-Barcelona do ta ndalonte atë me qafë duke u kthyer rreth vetes pa e lënë të bjerë.

    Me sa duket, Ronaldinjo ka hyrë në një treg të ndezur mes ekipeve që duan të rrëmbejnë shfaqjet e tij. Nga ana tjetër, në kontekstin e një turneu të rezervuar për moshat mbi 35 vjeçe, Ronaldinjo është një lloj glitch-i: nëse nuk kemi qenë në gjendje t’i japim një çmim Messit më të mirë, si mund t’ia japim Ronaldinjos në një turne amator midis të të burgosurve, edhe pse është si të thuash pak si jashtë forme? Ronaldinjo, që luan minifutboll në burg, duket si versioni grotesk i reklamave të Nike në të cilat, në një moshë të re, ngjallte panik në parketin e fushave të tij të para në futboll.

    Nuk e dimë se si kanë shkuar negociatat, ne mundet vetëm të hipotezojmë përpjekjen e skuadrave me emra të pamundshëm si Pira Guasu, Chacarita, Sport Espada, Sport Pitufo dhe Negro Cumbiero për të pasur futbollistin më të mirë në botë (ndër ata që janë në burg) në skuadër. Pastaj, të luash me Ronaldinjon jo vetëm që shërben për të fituar çmimin përfundimtar – 16 kile mish derri të pjekur – por do të thotë gjithashtu edhe të luash me Ronaldinjon. Një mundësi ekuivalente me, s’e di…, të kërcesh me Xhon Travoltën, apo të pish e të bëhesh tapë me Ernest Heminguein!?

    https://youtu.be/7_v7jCOCvNk

    Dhe është skuadra e ngritur nga ish presidenti i Sportman Luqueno, Gonzalez Karjallo, ose Pira Guasu, fituese. Por për të mirën e demokracisë në burg ata kanë vendosur të shtojnë edhe një rregull: Ronaldinjo nuk mund të shënojë gol, por vetëm të japë asiste. Edhe këtu jemi përballë diçkaje që duket se bën pjesë vetëm në një univers imagjinar Ronaldinjo, në të cilin nevoja algjebrike e golit qëllimit shkon në favor të përqendrimit të plotë drejt prekjes, gjestit, driblimit vizionar që krijon mitin.

    Ronaldinjo, pra, do të luante me atlete sporti të përshtatshme (ose këpucë të thjeshta, në versione të tjera të historisë) të huazuara nga një roje burgu. Unë them “do” sepse në arritur këtë pikë realiteti dhe fantazia janë tërësisht të përziera: në një epokë të mbushur me fakenews duhet të përpiqemi të jetë rigorozë, por në këtë rrethanë precize a ja vlen vërtet?

    Nga ajo që mund të themi është se turneu përfshin 194 të burgosur, të ndarë në 10 ekipe. Një numër i madh i skuadrash, ku do të duheshin shumë ndeshje, por gjithçka që ka mbërritur në mediat evropiane (dhe jo vetëm) është se ka pasur një finale, dhe se skuadra e Ronaldinjos do të kishte fituar me 11-2.

    Thuhet se ai ka shënuar 5 gola dhe ka shërbyer 6 asistime, praktikisht duke e mbyllur i vetëm ndeshjen (kur ishte ende fëmijë, qarkullonte një legjendë urbane sipas së cilës kishte shënuar të 23 golat në një ndeshje që kishte përfunduar 23-0). Për më tepër, duke respektuar karakterin e tij djaloshar, Ronaldinjo do të kishte thyer rregullin e vetëm të vendosur ndaj tij, atë të mosshënimit të golave.

    Një shkelje që në një ndeshje të fituar me një goli diferencë – mbase i vetmi i shënuar po nga ai – do të kishte qenë gjithashtu epike, për të treguar se si në futboll nuk mund të vendosen limite individuale, por vetëm rregulla kolektive; por që në atë mënyrë – në një ndeshje të përfunduar me 9 gola diferencë – bëhet paksa disi qesharake.

    Dhe, ka shumë pika të errëta në këtë histori: a ka luajtur Ronaldinjo ndeshjet e mëparshme? Nuk u ankua askush për shkeljen e rregullit? Asnjë apel? Pse askush nuk u kujdes për vëllain e tij, gjithashtu me një të kaluar të njohur si lojtar?

    “Media” të tjera tregojnë se si u zhvillua finalja midis Negro Cumbiero dhe Villa Real (pra jo skuadra e brazilianit) dhe përfundoi 8-2. Ronaldinjo, në këto versione, paskësh luajtur vetëm në njërën pjesë të lojës, më shumë për arsye argëtimi (nëse nuk mund të luani me Ronaldinjon, të paktën përpiqu ta shohësh Ronaldinjo të luajë).

    Por duke qenë se nuk ka pamje të vërteta të ngjarjes dhe, duke qenë se janë zhvilluar në një burg, ku nuk ka vend të rezervuar për shtypin, ne nuk do ta dimë kurrë. Por ka shumë mundësi të ketë shkuar në këtë mënyrë: siç thuhet (duke perifrazuar shprehjen e disa njerëzve të ditur) “kurrë mos e prish një histori të bukur me të vërtetën”.

    Në imagjinatën tonë, turnetë (të çfarëdolloj sporti) në burg kanë gjithmonë një karakter heroik: nga loja Escape deri tek fitorja e më tutje. Metafora e sportit si një formë lirie nuk mund të jetë më e saktë. Duke patur një ton dramatik, si loja në Sleepers dhe ato rreth të cilit rrotullohet goli i fundit i ndeshjes: janë të gjitha lojëra që rrotullohen rreth një topos hollivudian shumë klasik, atë të luftës për shpagim, atë të përplasjes mes ngadhnjyesve dhe të të përulurve.

    Dy javët e fundit të Ronaldinjo -së, edhe nëse duket se janë pjesë e një skenari të madh, nuk kanë asgjë heroike, edhe pse i përshtaten disi personazhit. Pa hyrë në detajet e akuzës, Ronaldinjo që ishte në qendër të një komploti merkatoje, që stopoi një top që fluturonte nga qielli, që luajti një finale duke shënuar 5 gola dhe bërë 6 asiste, duke shkelur të vetmin rregull që i kishin vënë, ndërsa ishte në burg.

    Të gjitha histori që mund të jenë të vërteta ose të rreme, pikërisht si loja e tij e cila kishte edhe pjesën e pakuptueshme dhe anomale të saj, e pamundur të tregohet me saktësi. E gjithë çfarë dimë është se – kjo duket e sigurt – në fund të lojës, një derrkuc u sakrifikua për futbollin.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Një histori nga historia/ Larja e hesapeve mes Maradonës e Goikoeçea

    Një histori nga historia/ Larja e hesapeve mes Maradonës e Goikoeçea

    Diego Armando Maradona është i shtrirë përtokë, me kokë të mbështetur, një moment dhimbjeje shumë i fortë vetëm disa minuta pas ndodhisë. I ka sytë e mbyllur, me gojën paksa të hapur. Një imazh që tregon pavdekësinë e një prej momenteve më të ndërlikuara në karrierën e legjendës argjentinase. Nëse ai nuk kishte të veshur fanelën e Barcelonës, mund të duket si portreti i një njeriu në agoni, ndoshta edhe i vdekur. Një maskë e viteve Shtatëqind.

    El Mundo Deportivo, gazetë historikisht pranë të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me klubin katalan, përdor foton në faqen e parë me një titull që nuk ka nevojë për përkthim: EL CRIMEN, lexohet me shkronja të mëdha. “Krimineli” quhet Andoni Goikoeçea, ish-“vrasës” i një tjetër lojtari të talentuar blaugrana si Bernd Schuster kohë më parë, e që do të mirrte nofkën “Kasapi i Bilbaos”, e quajtur kështu nga gazetari britanik Edward Owen, përcjell GazetaTjetër.com.

    E ndërsa Diego sapo kishte dalë jashtë loje, Barcelona e shpaguante me zhgënjime pas zhgënjimesh, a thua se ne një dimension tjetër kohor të ishte një Maradona tjetër, plot suksese pasi kishte nënshkruar një pakt me djallin në kurriz të “Dies” që sillet rreth fushave spanjolle mes të kritikave, hepatitit viral dhe, tani, me kyçin e këmbës të copëtuar nga një prej mbrojtësve më të ashpër të vendit.

    Ajo që Katalonja ka pa për dy vjet është portreti hipotetik i një Maradone të një dimensioni tjetër kohor, një kanavacë nga Dorian Grey e blerë për miliona dollarë për bukurinë e saj, por që përfundon, pjesërisht për gabimet e tij dhe pjesërisht prej stërkëmbëshit të fatit, për të treguar vetëm disa pika të rastësore shkëlqimi dhe madhështie, duke nxjerrë në pah anën më të keqe të tij, problemet fizike, takimin me drogën (kurrë e konfirmuar zyrtarisht nga drejtuesit e Barcelonës pavarësisht dyshimeve të forta), nervozizmin që buron nga të gjithë poret. Faktikisht, aventura e Diegos në Barcelona, përfundon në “dia de la Mercé” të vitit 1983, është akti i parë i një deflagracionit që do të ndodhë gjashtë muaj më vonë. Por gjithçka fillon këtu, nga 24 shtatori, me takat e mbërthyer mbi një kavilje shumë njerëzore për ta shtyrë më para një hyjni, pa pasoja.

    Sezoni 1983/84 hapet me një nisje interesante për Barcelona të udhëhequr nga “Flaco” Menotti, kur në Camp Nou, më 24 shtator zbarkojnë kampionët në fuqi të Spanjës, baskët e Athletic Bilbaos. Në pankinë kanë një teknik të ri, mjaft premtues, ‘një farë’ Javier Clemente, që ishte i detyruar ta niste karrierën e tij të trajnerit në moshën 25 vjeç për shkak të një dëmtimi, fitues i Primera Divizion në moshën pak më shumë se 33 vjeçare.

    Nga njëra anë, tensioni i kuptueshëm i Menottit drejt një futbolli proaktiv, nga ana tjetër, egërsia e trajnerit bask, të ndërthurrur me një përplasje të pastër ideologjike. Pritësit fluturojnë me krahët e Maradonës dhe Schusterit. Argjentinasi i jep udhë aksionit që i mundëson Periko Alonso, prej pak vitesh babai i Xabi të vogël, për të shënuar golin e parë të ndeshjes. Julio Alberto gjen sërish rrjetën pak përpara mbarimit të pjesës së parë. Kronikat tregojnë për një fjalim veçanërisht të ashpër të Clementes, i cili përpiqet t’i prekë në sedër lojtarët e tij duke i ftuar që “të luajnë si burra të vërtetë dhe të dilni për të luftuar”, siç mund të lexohet në një shkrim të shkruar aso kohe, të titulluar “Maradona në Barcelonë” nga John Lumn.

    Pesëdhjetë e shtatë minuta në kronometër! Një top rrëshket nga gjysëmfusha e Barçës, argjentinasi e merr në zotërim dhe ndoshta, me cepin e syrit, ai mund të shohë Goikoeçean që po i afrohej vrik, përcjell GazetaTjetër.com.

    Mbrojtësi i Athletic ndëhyn me të dy këmbët në formë çekiçi. Këmba e majtë godet objektivin, impakti me këmbën me pjesën e poshtme të Maradona është i tmerrshëm. Diego përplaset në fushë ndërsa gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë, por kuptohet menjëherë se diçka nuk shkon, edhe pse në fund të aksionit Goiko sanksionohet vetëm me karton të verdhë.

    Maradona lë fushën me duar në fytyrën e saj, sigurisht mbi një barelë. Vetëm disa minuta para përplasjes, i pati thënë Goikoeçeas të qetësohej pas një përplasje të fortë me Schusterin. Loja përfundoi 4-0 edhe me dy gola tjerë të Alonsos tjetër, Marcos, dhe të “Lobo” Carrasco, ndoshta një nga miqve më të mirë të Maradonës në përvojën e tij katalanase. “Bastardë, kjo është për Diegon,” i ulëret ai në fytyrë e lojtarëve të Athletic pas golit.

    Pasndeshja është e mbushur me akuza. Menotti e përkufizon “antifutboll” atë që praktikohet nga baskët, duke kërkuar skualifikimin e përjetshëm për Goikoeçean. Clemente, përçmuews, përgjigjet duke insinuuar dyshime për rëndesën e vërtetë të dëmtimit të Maradonës: “Para se të fillojë të qajë, ndoshta duhet të shohim se si do të jetë pas një jave”.

    Mjeku i besuar i Barcelonës, Adrio Rafael Gonzalez, kryen operacionin dyorësh në kyçin e këmbës më të vlefshme në botë. Por për rehabilitimin, Diego i beson vetëm doktor Ruben Oliva, pak mjek, pak magjistar, një figurë kjo e padukshme ndër drejtuesit e Barçës. Shefi i stafit mjekësor të Argjentinës në Botërorët e 1978 dhe 1982, mik i afërt i Menottit, Oliva e këshillon Maradonën të ulë këmbën sërish në tokë vetëm gjashtë ditë pas operacionit, duke tërbuar kësisoj presidentin e klubit, Núñez. Diego, i rrëfen mikut dhe agjentin e tij Jorge Cysterpiller (ne zgjodhëm këtë mënyrë drejtshkrimi, megjithëse shpesh quhet Cyterszpiler), se dëshiron të kthehet në Buenos Aires për rehabilitim. Núñez kundërshton me të madhe, nuk do as të mërmëritet një gjë e tille. Agjenti, pasi i dha mesazhin miqësor të Diegos – “Maradona nuk merr urdhra nga askush” – vendos të prekë klubin aty ku me siguri do të ndjehej më shumë, pra tek portofoli. Në këmbim të “arratisjes” drejt Buenos Aires, Núñez mund të mos paguajë e paguajë Maradonën, i cili megjithatë ka një kusht: në rast të rehabilitimit brenda tre muajve, ai do t’i merrte të gjitha paratë, në një çek. Núñez, i bindur se po kishte të bënte me një dëmtim të paktën prej gjashtë muajsh, pranon menjëherë, pa ditur asgjë për metodat inovative të mjekut Oliva. Maradona largohet për në Argjentinë, i nënshtrohet rehabilitimit dhe i lejon vetes edhe të përjetësohet nga telekamerat gjatë stërvitjeve të tij nën ritmin e muzikës, me sfondin e Flashdance dhe kolonën zanore të Rocky, një pjesë e vogël e projektit të madh, që më pas dështoi mjerueshëm, të organizuar nga agjenti i tij, i bindur se mund të bënte një maksidokumentar të përqendruar në jetën e kampionit deri në themelimin e “Maradona Productions”, një kompani që merrej me çdo aspekt të figurës së Diegos, duke përfshirë edhe kontratat e sponsorizimit. Një pjesë e atyre filmimeve më pas do të përfundonte në duart e Asif Kapadia për filmin mbi lojtarin e madh të publikuar në vitin 2019.

    Vetëm 106 ditë pas dëmtimit, ai u kthye në Katalonjë në formë të plotë, duke e lënë Menottin pa frymë dhe duke e detyruar Núñez të nënshkruajë çekun e majmë. Megjithatë është një datë e rrethuar me të kuqe: 29 janar 1984. Athletic Bilbao-Barcelona, si në “dia de la Mercé”, por edhe si në Super Kupën e Spanjës, e fituar nga ekipi me Diegon jashtë loje.

    Në një San Mames të nxehtë, përballë 50,000 baskëve, Maradona luan ndeshjen e katërt që nga rikthimi i tij në fushë, pasi ka shënuar tashmë dy gola kundër Sevilias dhe Osasunës. Kjo është një nga ndeshjet më të mira të tij me fanelën blaugrana. Golin e avantazhit e realizon edhe me pak fat, me mbrojtësit e Athletic protestojnë për një prekje me dorë, e nëse ekziston ndonjë gjë që na mëson përvoja e “Pibe de Oro”, është se në të vërtetë edhe mund ta kishte prekur me dorë. Gara vijon e ashpër me të zotët e shtëpisë që barazuan me Argote pas gjysmë ore. Maradona luan sikur të ishte kafshuar nga një gjarpër dhe 13 minuta nga fundi shënon golin e ndeshjes, me një goditje me kokë jashtë ekuilibri pas një goditjeje nga këndi, duke i dhënë udhë një luftë tre-palëshe për titullin me Athletic dhe Real Madrid.

    Përballja me Real Madridin në 25 Shkurt është vendimtare, Maradona shënon 1-1-in momental por në fund të bardhët ia dalin me një gol sinqerisht skandaloz nga Santillana. Për Barçën është një humbje shumë e rëndë. Në dhomën e zhveshjes në Bernabeu, Núñez i jep një goditje tjetër historisë mes klubit dhe Maradonës, duke u përballur ashpër me argjentinasin, duke e akuzuar atë se është, me jetën e tij jashtë fushës, një nga arsyet pse Barcelona nuk do të fitojë Primera Division, duke lëshuar edhe fjalë të ndyra përmbi hepatitin viral që e kishte stopuar argjentinasin një vit më parë.

    Diego kërkon largimin nga klubi, por ndërkohë ai duhet të luftojë për të siguruar fitimin e një trofeu në fund të sezonit, edhe pse opinioni publik katalanas është i gjithi kundër tij. Ai hyn në fushë i stërmbushur me qetësues për shkak të një problemi nw shpinë gjatë ndeshjes së Kupës së Kupave, ku Barcelona fitoi 2-0 ndaj Manchester United dhe Maradona u detyrua të linte fushën për shkak të dhimbjes, e i rrethuar prej bilbilave shurdhues kundër tij, shkon drejt e në dhomat e zhveshjes pa iu afruar fare pankinës së mikut, Menotti.

    Cysterpiller po teston ndërkohë nëpërmjet rrjetit të tij të kontakteve klubet kryesore italiane, nga Milan tek Juventus, në përpjekje për të çliruar Diegon nga prangat e arta katalanase. Argjentinasi strehohet në vilën e tij në Pedralbes, lagjja elitare e qytetit. Një kryevepër kitsche, sipas atyre që kanë patur mundësinë ta shohin, me pishinën e ngjyrosur me ngjyrat e Barcelonës dhe kërkesën e çuditshme për të shtuar burime ujore piktoreske në kopsht. “Ishte një lloj shtëpie aq ekstravagante sa të tronditste, aq e madhe saqë dukej sikur nuk mund të mbushej në asnjë lloj forme”, ka deklaruar Juan Carlos Laburu, kameramani personal i Maradonës. Pas muajve të parë të qëndrimit në Barcelonë, të gjithë e kishin provuar qëndrimin në atë vilë. Përveç Diego, edhe e dashura e tij Claudia, e motra Maria dhe burri i saj Gabriel, përpos një grupi të miqsh të Diegos, më shumë të ngjashëm me parazitët sesa me entitetet e vërteta për tu vlerësuar, përcjell GazetaTjetër.com.

    Në Manchester, në sfidën e kthimit, Maradona është një fantazmë mes fantazmave. Djajtë e Kuq, përmbysin rezultatin, fitojnë 3-0, e shtypi është kundër argjentinasit, që akuzohet si përgjegjësi kryesor për kolapsin. Asiston si spektator në përpjekjen e shokëve të tij të skuadrës në garën për titull, falë fitoreve kundër Real Sociedad dhe Cadiz, merr pjesë në suksesin kundër Zaragoza dhe firmos atë kundër Salamanca.

    Ndeshja e fundit në shtëpi e sezonit është derbi me Espanyol, Barça fiton pa problem por Maradona është del me te kuqe në minutën e 40-të të pjesës së parë, duke humbur në këtë mënyrë edhe sfidën në Vicente Calderon, vendimtare për titullin. Një tjetër garë treshe për 90 minuta, me Athletic, Real Madrid dhe Barcelonën, dhe në fund të një ulje-ngritje emocionale, janë sërish baskët ata që fituan titullin. Blaugranëve nuk i ka ngelur gjë tjetër, veçse finalja e Kupës së Mbretit. Natyrisht, kundër Athletic Bilbao.

    Nën sytë e mbretit Juan Carlos, në strofkullën e rivalëve të urryer të Real Madrid, Barcelona duhet të luajë trofeun kundër dy herë kampionëve të Spanjës. Shpirti i Maradonës është i copëtuar. Nga njëra anë, dëshira për t’u arratisur sa më parë nga një qytet që e pat joshur dhe braktisur, nga ana tjetër, dëshira për të lënë shenjën e tij në atë që do të ishte ndeshja e tij e fundit në blaugrana. E mbi të gjitha, për të gjallëruar tërbimin e shenjtë “Dies”, ka urrejtje ndaj Athletic dhe mënyrës së tyre të interpretimit të futbollit, të mishëruar me mjeshtëri nga Javier Clemente. Maradona e sulmon: “Nuk ka patur kurrë k.qe për të më parë në fytyrë dhe të më thoshte se çfarë mendon për mua. Është një frikacak”. Tekniku, nga lartësia e dy titujve të fituar radhazi, përgjigjet në neveri: “Më duket e habitshme që një person si ai, i cili fiton të gjitha ato para, mund të mos jetë në gjendje të ketë cilësinë minimale të njeriut”, përcjell GazetaTjetër.com.

    Pra sipas gjasave, në fushë thithej aq shumë tension sa mushkëritë ishin të tejngopura. Menotti përpiqet ta qetësojë Maradonën gjatë gjithë ndeshjes para-ndeshjes. I flet në vesh, mundohet t’i përcjellë qetësinë e një njeriu përtej atyre që ndodhin. “Diego, për hir të Zotit, qëndro i qetë. Mos u merr me budallallëqe, vriti me cilësitë e tua”. Është duke folur në një mur.

    Barcelona e nis mirë që nga fillimi, me Endika që thuajse gjen rrjetën. Do të mjaftojë një çerek ore, pa pak, për të zhbllokuar situatën. Kross nga e majta e Argote, sërish Endika që mund të hyjë në zonën e penalltisë dhe të shpojë rrjetën e Urruti.

    Një kombinim i shkëlqyer blaugran, me top dhe fushë projekton Rojo gjashtëmbëdhjetë metra larg portës, por mungon veprimi vendimtar. Është sërish Maradona që impenjon Zubizarretan me një të tjathtë të ulët qendrore.

    Në pjesën e dytë, me një fije fryme, Barça rindez flakët e duelit. Schuster, që kishte rrezikuar karrierën e tij në 1981 për shkak të Goikoetxea, rrëzon “Kasapin” dhe merr të verdhë. Gjermani është po aq i nervozuar sa Maradona dhe fillon të merret edhe me publikun, i rikthen nga erdhën disa shishe shi që patën rënë si shin në fushë, gjyqtarit Angel Franco Martinez i duhet shumë punë për të qetësuar gjakrat.

    Sulmi katalanas është i pandalshëm, ai përcjell mjaft emocione në fushë, përfshirë edhe një gjarpër si Maradona, i bllokuar nga mbrojtja baske – e kompletuar nga një grup të përbërë me Diego kundër dy mbrojtësve, bilbili i ndan sërish kundërshtarët – gjë që nuk e tremb Zubizarreta të kryejë detyrën në ruajtje të portës së tij. Vjen fërshëllima e trefishtë e bilbilit, dhe tani do të duhej të ishte koha për festën e Athletik. Po, do të duhej të ishte. Miguel Sola, një rezervë e kampionëve të Spanjës, i afrohet Maradonës dhe e provokon me gjeste. Menjëherë gjaku i Diegos përshkon plot vrull rrugën drejt trurit. Argjentinasi nuk kupton më asgjë, ai i përgjigjet me një grusht. Shpërthen deliri masiv. Fluturojnë grushte, shkelma, pështyma. Goikoeçea godet Maradonën me njërën nga “patatet” e saj. Momenti i shpërthimit të një lufte të vërtetë. Tw gjithw kundwr tw gjithwve. Núñez duket tej mase i tronditur. Mbreti Juan Carlos gjithashtu. Pamjet e atyre momenteve në mënyrë të pashmangshme i dhanë përkufizimin që njohet ende dhe sot e kësaj dite si “Beteja e Bernabeu-t”, me Maradonën, shokët dhe kundërshtarët e tij të angazhuar në një sherr të madh e të dhunshëm.

    Ekziston edhe një tjetër imazh, përcjell GazetaTjetër.com, krejtësisht ndryshe nga ajo e transmetuar nga El Mundo Deportivo në momentin e dhimbjes masakruese të përjetuar nga Maradona pas dëmtimit, e cila na tregon momentin e fundit. Ai tregon Diegon me shikimin e tij të humbur në boshllëk, adrenalina që tashmë është zhdukur, me fytyrë të ngrysur megjithatë të vetëdijshëm për përfundimin e padenjë të historisë së tij të diskutueshme me Barcelonën. Fanela blaugrana është e shqyer në gjoks, pothuajse copëtuar. Një zinxhir varet nga qafa e Maradonës, pas tij është një flamur i Athletik që valëvitet, i paditur për atë që po ndodh. Është kjo një nga pamjet e fundit të periudhës katalanase të Diego-s. Do të vijojë një betejë e gjatë me Núñez, i lumtur që mundi të shpëtojë nga një peshë e keq menaxhuar e njëkohësisht i vetëdijshëm se është me shpatulla pas murit: kush do ta marrë përsipër një të çmendur si Maradona? Por edhe pas asaj nate të tmerrshme në Madrid, Napoli i Corrado Ferlaino do të mundë të kryejë një operacion të pamundur.

    Por është krejt tjetër histori, edhe pse është e lidhur me këtë. Nga një “crimen” fillestar, në një “crimen” përfundimtar, që në dy pamje na tregojnë për dy Maradona të ndryshëm, edhe pse Diego ishte vetëm një. Dhe si ai, me talentin e tij të jashtzakonshëm, me aftësinë e tij për të dalë fitues por dhe për të qenë një humbës i tmerrshëm, mbase, vërtet nuk ka qenë askush.

  • Blackjack: Historia e një prej lojërave më të njohura në botë

    Blackjack: Historia e një prej lojërave më të njohura në botë

    Edi DELIU – Blackjack është një nga lojërat më të famshme me letra në botë: historia e saj fillon në shekullin e 18-të në Francë, por është në Shtetet e Bashkuara suksesi i saj i madh

    Të tregosh historinë e një loje me letra nuk është kurrë e lehtë, veçanërisht nëse lajmet për origjinën e saj janë të copëzuara dhe kontradiktore. Historia e blackjack, një lojë kazinosh, nga më të famshmet dhe më të përhapurar në botë, është një rast i tillë. Sipas literaturës së sotme, gjurmët e para të një loje me letra të ngjashme me Blackjack vijnë nga Franca e viteve 1700, ku nëpër kazino ishte përhapur një lojë e quajtur Vingt-en-un (që në frëngjisht do të thotë njëzet e një) që vinte nga nga Chemin de Fer dhe Francez Ferme.

    Mirëpo, disa historianë theksojnë se qysh në vitet 1600 në Spanjë, luhej ventiuna (njëzet e një në spanjisht), e cila nuk kishte të njëjtat rregulla si blackjack, por vetëm karakteristika të ngjashme. Dëshmia e një loje njëzet e një është e pranishme në një seri tregimesh të shkurtra të quajtur Novelas Ejemplares të shkruara nga Miguel de Cervantes.

    Blackjack, gjeneza e emrit

    Loja merr emrin blackjack në shekullin XIX, kur pas Revolucionit Francez shumë emigruan në Amerikën e Veriut. Emri rrjedh nga një kombinim i veçantë i letrave: nëse lojtari merrte që në dorë të parë asin dhe xhekun me pika (rezultati e të cilëve jep njëzet e një), banka e paguante shumën e vënë 10 me 1. Ky rregull me kalimin e viteve është eliminuar, por emri i lojës mbeti.

    Lindja e blackjack-ut modern

    Blackjack siç e njohim sot lindi pas vitit 1931, vit në të cilin shteti i Nevadës vendosi të liberalizojë lojërat e bixhozit dhe të ndërtojë kazino në qytetin e Las Vegasit. Në pesëdhjetë vitet e fundit, interesi për blackjackun është rritur jashtzakonisht shumë, aq sa ka çuar në lindjen e dhjetëra e dhjetra varianteve të kësaj loje, me rregulla dhe metoda të ndryshme të funksionimit.

    Shumë studiues janë interesuar për lojën e blackjack, duke u përpjekur të studiojnë formula matematikore që bën të mundur fitoren ndaj bankës në mënyrë “shkencore”. Këto modele dhe strategji loje, që bë zhargon njihen si “numërim i kartave”, padyshim nuk lejohen nëpër kazino apo sallat e lojërave të fatit në të gjithë botën. Dëshironi të dini se çfarë ndodh nëse kapeni duke numëruar letrat në Lasa Vegas? Ju mjafton të shikoni 21 Blackjack, një film kampion në fitime, i cili që tregon historinë e një grupi studentësh të MIT që janë në gjendje të përdorin inteligjencën e tyre për të mashtruar në tryezat e gjelbërta.

  • Tradhtitë më të famshme në historinë e futbollit

    Tradhtitë më të famshme në historinë e futbollit

    Futbolli është një sport i bërë me pasion dhe tradhëti, jo vetëm ndaj fanelës. Ja kush janë tradhëtitë më të famshme famoze në futboll për të cilat flitet edhe sot e kësaj dite

    Futbollistët mund të jenë heronj të vërtetë për fansat e tyre, por ashtu siç ndodh me heronjtë, nuk iu falet as edhe një gabim i vetëm.

    Kur fjalën tradhti e ankorojmë tek loja e futbollit, menjëherë mendohet për tradhtinë e fanelës dhe ai që deri dje ishte hero, më pas shndërrohet në mercenar, më shumë i dhënë pas parave sesa tek besimi ndaj ekipit. Por tashmë futbolli është i përbërë edhe nga jeta mondane, gossipe e modele dhe shpesh, edhe futbollisti më i talentuar në fushë mund të përfundojë duke tradhtuar jo vetëm skuadrën, por edhe gruan, ose të fejuarën, apo të dashurën.

    Në rrugën e historisë, tradhëtitë mes lojtarëve dhe bashkëshorteve të tyre janë të shumta. Historia e parë që dihet, por jo e fundit, është ajo e një lojtari të Atlanta United që mesa duket ishte tradhtar (serial ose jo nuk dihet), por përgjatë viteve ka pasur edhe raste të tjera për të cilët flitet ende.

    Nëse kthehemi jo shumë pas në kohë, në 2005, hasim Edoardo Tuzzio dhe Horacio Ameli. Ishin miqtë më të mirë dhe luanin për River Plate, një skuadër argjentinase me qendër në Buenos Aires. Sidoqoftë, pa hyrë shumë në detaje, Ameli pati një lidhje me gruan e Tuzios, duke përçarë skuadrën, fansat dhe opinionin publik. Ende sot publikohen artikuj me lajme në lidhje me tradhtinë dhe fundin e miqësisë së tyre.

    Pesë vjet më vonë, në 2010 dhe shumë kilometra më tej, saktësisht në Britaninë e Madhe, John Terry, atëherë kapiteni i Chelsea, pati një lidhje me të dashurën e Wayne Bridge, mbrojtës në ekipin e tij. Ndodhi si një rastësi apo një pasojë e drejtpërdrejtë e këtij veprimi por, Wayne Bridge braktisi skuadrën dhe u bashkua me Manchester City-n. Me zemër të thyer.

    2013-a është viti i bashkëshortëve tradhtarë. Në Madrid, Caroline, gruaja e Kevin De Bruyne, mesfushori i Manchester City, u hakmor. Faktikisht, ajo u përpoq të joshë Thibaut Courtois, portierin e ri të Chelsea, për të barazuar llogaritë me brirët që De Bruyne i kishte bërë asaj. Dhe pati sukses në këtë sipërmrrje. Si i thonë asaj fjale? Sy për sy dhe…

    Por 2013-a sheh si protagonistë edhe Mauro Icardin dhe Maxi Lopez, të cilët nga miq të mëdhenj përfunduan së qeni rivalë në dashuri. Rreth gjashtë muaj pas divorcit të Maxi Lopez nga bashkëshortja Wanda Nara, Icardi filloi një lidhje me të. Padyshim që Mauro Icardi nuk tregoi ndonjë xhentilesë në aktin e tij, por mbase nuk u gabua plotësisht: në fakt, të dy janë akoma bashkë edhe sot, burrë e grua.

    E nëse hidheni në 2015-ën, atëherë, hasim në një tradhti më shumë miqësore sesa dashurore. Karim Benzema në fakt ka rrëfyer përpara hetuesve se ai bëri thirrjen anonime ndaj shokut të tij të skuadrës Mathieu Valbuena, në të cilën “një zë” i thoshte se ishte në zotërim të një videoje të tij hot. Shpërblesa për videon? “Vetëm” 150 mijë euro. Benzema asnjëherë nuk u deklarua fajtor për shtypin, por u pezullua përkohësisht nga kombëtarja franceze dhe humbi grumbullimin për në evropian.

    Në ndodhin midis bashkëshortëve a midis miqve, tradhtitë janë përhapur edhe në futboll dhe duket se nuk sjellin (gati) kurrë diçka të mirë!

  • Michael Xhordani i basteve, historia e Billy Walters, bastexhiut më të madh që ka njohur bota

    Michael Xhordani i basteve, historia e Billy Walters, bastexhiut më të madh që ka njohur bota

    Steve Wynn sigurisht nuk është tip i cili frikësohet lehtësisht. Nuk bëhesh një nga sipërmarrësit më të suksesshëm, një nga njerëzit më të pasur dhe me ndikim në glob, duke lejuar që një kumarxhi i degjeneruar të tallet me ty. Në vitin 1986 Wynn ishte pronar, ndër të tjera, i Atlantic City’s Golden Nugget, kazinosë më prestigjioze të qytetit, ajo që tërhiqte lojtarët më të mirë, ku luheshin shumë para. Kur një farë William Thurman Walters vendosi të bëjë një provokim dhe ta përhapë atë në të gjithë qytetin. Ai pretendonte se ishte në gjendje t’i “rripte” të gjitha roulette duke ia lënë kazinosë të gjitha avantazhet, Wynn nuk e mendoi dy herë dhe pranoi sfidën.

    Kërkesa e Walters ishte shumë e thjeshtë: “Të premten e ardhshme do të vij në Atlantic City me dy milion dollarë të thata, dhe t’i depozitoj në bankën e kazinosë që do të më lejojë të luaj në ruletën amerikane, si dhe duke dyfishuar kufijtë e lejuar për një bast”, domethënë dy mijë dollarë dora në vend të një mijë.

    Provokim ky që tingëllonte paradoksal, jo vetëm sepse ruleta amerikane përfiton nga banka 5.26% në krahasim me atë franceze – duke pasur 38 numra në vend të 37 që ka ajo franceze, falë pranisë së dy zerove – por sepse pas një sërë investigimesh, Wynn kishte zbuluar se Walters, megjithëse i konsideruar që atëherë një kumarxhi i madh, ishte një personazh që gjithçka tjetër mund të ishte, por jo perfekt: ai ishte pijetar, i aftë për të humbur miliona në çdo lloj loje të njohur. Wynn dhe i gjithë entourage i tij besuan se do të kishte qenë çmenduri po ta linin të shkonte kot një dorë kaq të favorshme parash, mundësinë për të zhveshur “pulën” e rradhës deri sa të mbetej me të brendshme.

    Atë fundjavë Golden Nugget organizoi një mbrëmje të veçantë gala për rastin, Steve Wynn e priti sfiduesin me vetëdijen që edhe kësaj radhe ai do të fitonte, kruperi shqiptoi të famshmen rien ne va plus dhe Billy Walters bëri pikërisht atë që kishte premtuar të bënte: shkatërroni kazinonë duke e mposhtur atë me lojën e saj.

    Walters dhe një partner, me të cilin hera-herës ndërrohej, luajti për dyzet orë rresht, duke vënë bast gjithnjë në të njëjtët pesë numra dhe gjithmonë dy mijë dollarë për numër. 7, 10, 20, 27, 36: dhjetë mijë dollarë për numër me një fitim maksimal të mundshme prej 62 mijë dollarë për çdo dorë. Ajo që dukej si çmenduri në letër rezultoi të ishte një strategji kirurgjikale, që rriste numrin e chipsave në dispozicion të Walters dora-dorës me kalimin e kohës.

    Kazinoja u detyrua ta ndalonte lojën për të mos humbur më shumë para dhe atë që i mbetej nga fytyra. Polemikat filluan praktikisht kur topi i fundit u ndal. Pronari bërtiti për vjedhje, i bindur se dikush kishte modifikuar makinën. Walters tha se, për sa i takonte, ata të Golden Nugget mund të vinin edhe para makinës së të vërtetës. Ishte pikërisht kjo që ndodhi, por as dy inxhinierët e NASA-s të punësuar për këtë rast nuk mundën të gjenin ndonjë anomali.

    Walters William “Billy” doli nga Golden Nugget Casino në Atlantic City me fitoren më të madhe në rulet të ndodhur ndonjëherë në Amerikë – 3.8 milion dollarë – dhe pa e kuptuar askush se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë.

    Në ditët në vijim, filluan të qarkullojnë të gjitha llojet e teorive, secila prej të cilave e destinuar të mbetej pa përgjigje për një kohë të gjatë. Ajo që kishte ndodhur në të vërtetë ishte shumë më e thjeshtë se çdo komplot. Edhe pse praktikisht askush nuk e kishte kuptuar akoma, Billy Walters, së bashku me disa njerëz të besuar, kishin filluar tashmë një revolucion që do të ndryshonte botën e kumarit përgjithmonë, duke i dhënë udhë një fenomeni të destinuar të vazhdonte për tre dekadat në vijim pa më të voglin dështim strukturor, dhe që më në fund, do ta bënte të njohur si kumarxhiun më të mirë profesionist të të gjitha kohërave.

    Blue moon of Kentucky (Hëna blu e Kentucky)

    Pikërisht në të njëjtën ditë të vitit 1946 kur legjendar Bill Monroe shkruante fjalët e asaj që do të bëhej një nga ikonat e muzikës country, Billy Walters doli në dritë në qytezën e vogël të Munfordville, Kentucky. Fëmijëria e tij ka me të vërtetë shijen melankolike të bluegrass, me babanë që i vdiq nga infarkti kur ai ishte vetëm tetëmbëdhjetë muajsh dhe me mamanë, një alkooliste, që iku në Louisville duke e braktisur atë tek gjyshja e tij. E detyruar të bënte dy punë për të mbajtur veten dhe atë, zonja Lucy Queensburry shpesh e linte në një sallë bilardoje të xhaxhait të saj, ku djaloshi William mëson të luajë me stekë në moshë fare të re, duke qëndruar majë kutive të Coca-Colës. Filloi të zbulonte kënaqësinë e basteve.

    Në moshën tetë vjeçare, Walters shpërndante gazeta dhe priste barin në kopshtijet e atyre që kishin nevojë, gjatë verës ndihmon në një dyqan zdrukthëtarie. Çdo dollar që fitonte përfundon duke e riluajtur në tapetin e gjelbër ose në ushqimoren e lagjes ku shitësi, për të shtuar disi të ardhurat, merrej edhe baste në sezonin e bejsbollit.

    Pika e parë e kthesës në jetën e tij erdhi kur ishte trembëdhjetë vjeç, kur, megjithëse pa dëshirë, u detyrua të transferohej tek e ëma pas vdekjes së gjyshes. Louisville i viteve ’60 ishte një nga “shkollat” më të mira të vendit për të mësuar zanatin, ku mes dhjetra posteve klandestine për lojra me letra dhe zare, mbizotëronte mitiku Churchill Downs – që për gati 150 vjet ka mikpritur garën më të famshme të kuajve në botë, Derby Kentucky – dhe mundësinë për të krijuar lidhje me klubin Newport, ose “Sin City” i Amerikës para lindjes së Las Vegasit, vetëm një orë larg me makinë.

    Walters në mëngjes punon në një pastiçeri dhe në mbrëmje në një stacion shërbimesh, martohet me një shoqe klase pasi e la shtatzanë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe, pasi mbaron shkollën superiore, fillon të punojë në një konçensionar makinash të përdorura. Shkathtësia e tij për t’u marrë me njerëz dhe në njohjen e biznesit – dy cilësi që do t’i jenë shumë të dobishme më vonë – e bëjnë për një kohë të shkurtër shitësin më të mirë në qytet. I ka xhepat plot para dhe çdo fundjavë fluturon drejt Mekës të çdo kumarxhiu të Amerikës.

    Las Vegas në vitet ’70 do të thoshte para së gjithash Horseshoe Club, kazinoja e legjendarit Benny Binion, i cili përveç të qenit një nga pionierët e atdheut të ndritshëm amerikan është edhe ideatori i World Series të Pokerit. Walters e frekuenton në mënyrë të rregult klubin, dhe përveç fitores apo humbjes së milionave në tavolinat e lojërave, zbulon edhe se sa shumë i pëlqen të luajë golf – një tjetër dashuri e madhe e jetës së tij – gjë e cila do t’i mundësojë të bëhet shumë mik me djalin e Benny Binion, Jack, dhe të mund të marrë pjesë nëpër turnetë ekskluzive të golfit dhe pokerit të organizuar nga kazinoja.

    Pikërisht në ato vite njihet me personazhe si Doyle Brunson (kampion i botës në poker për dy vjet rresht, në ’76 dhe ’77), Billy Baxter, Fred “Sarge” Ferris (që do të bëhet krahu i tij i djathtë besnik), Stanley Tomchin dhe mbi të gjitha David “Chip” Reese, një tjetër lojtar shumë i famshëm pokeri i kohës, që do të jetë ai i cili do t’i kërkojë të fillojë të marrë baste për llogari të tij në Kentucky. Walters pranoi dhe duke përfituar nga miqësia e tij e vjetër me Luther James – bookmaker historik dhe figurë kryesore e kriminalitetit të organizuar në Midwest – në 1979 fillon të punojë si bastexhi.

    Aventura e tij në rrugët e Louisville zgjat vetëm tre vjet, para arrestimit që do të zgjidhet me një dënim prej gjashtë muajsh me kusht; por në atë periudhë, Walters arrin të vendosë një bashkëpunim që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. “Mund të isha bërë shitësi më i mirë në botë i makinave”, tregon vetë ai në librin Gambling Wizards të Richard Munchkin, “Por unë vendosa ta ndryshoj jetën dhe të ndjek instiktin tim: dashuria ime, zemra dhe koka ime ishin gjithnjë drejt basteve”.

    Sado sentimentale që të tingëllojnë fjalët e tij, ato nuk korrespondojnë me të vërtetën, e mbi të gjitha nuk tregojnë atë që kishte qenë një plan i mirëstudiuar prej kohësh, e që kishte filluar të zhvillohej në një mënyrë krejtësisht të shkëputur nga vullneti i tij saktësisht dhjetë vjet më parë.

    Computer Group

    Është një e diel e këndshme në periferi të Pittsburgh, Pensilvani, kur skuadra e inxhinierëve të Westinghouse Electric Company fiton përsëri kampionatin midis kompanive në softball. Gjatë festimeve në dhomën e zhveshjes, një nga catcher-at e skuadrës nuk mund rrinte, pa shtruar një pyetje: “Po si ka mundësi që jemi kaq të fortë?”.

    Emri i tij është Michael Kent, një matematikan që prej disa vitesh punon për një nga konglomeratet e energjisë elektrike, duke zhvilluar teknologji për nëndetësit bërthamorë. Kent ka vendosur të përdorë numrat për të analizuar skuadrën e tij amatore, por shpejt rezultoi se ishte një stërvitje me stil, duke mos qenë në gjendje të zotëronte statistika të mjaftueshme për të ndërtuar një bazë të dhënash të besueshme. Por duke e ndjerë madhështinë e idesë së tij, Kent vendos ta zhvendosë vëmendjen drejt college football, ndoshta sporti më i dashur në vend në 1972, dhe fillon të grumbullojë të dhëna nga gazetat, revistat e vjetra dhe librat e bibliotekave, duke i regjistruar ato në një nga kompjuterët e Westinghouse. Është në këtë mënyrë që Kent ndërtoni atë që, në retrospektivë, do të bëhej algoritmi i parë në gjendje për të parashikuar rezultatin e një ndeshjeje sportive.

    Kent shpejt zbulon se llogaritjet e tij kanë një potencial të madh, sepse sa herë që përpiqej të krahasonte shanset e tij me ato të Las Vegas, kuptonte se ishte pothuajse gjithnjë e më i saktë. Ajo që kishte filluar si një hobi shndërrohet në një punë me kohë të plotë, derisa shtatë vjet më vonë, në 1979, Kent vendos të braktisë Westinghouse dhe të transferohet në Las Vegas për të provuar fatin.

    Pavarësisht disa muajve me luhatje, sezoni i parë jep menjëherë rezultate të shkëlqyera, aq sa paratë e grumbulluara e bëjnë paranojak. Si një person që ishte pasuruar me aq shpejtësi, Kent nuk ndihet i sigurt në lëvizjen e parave nga njëra anë tek tjetra e këtij qyteti kaq imoral dhe fillon të ndiejë nevojën e gjetjes së ndonjërit që të ndajnë punën. Meqenëse Zoti nuk luan me zara as mbi qiellin e Nevadës, ai dikush shfaqet pikërisht në kohën e duhur dhe quhet Ivan Mindlin, kirurg dhe kumarxhi.

    Të dy vendosin të punojnë bashkë: Kent kujdeset për pjesën teorike, ndërsa doktor Mindlin përgjigjet për administrimin e parave dhe marrëdhëniet me bookmakers-ët; çdo fitim ndahet në mënyrë të barabartë. Të dy vendosin të riemërtojnë shoqëtrinë e re në “Computer Group”, një emër që në dekadat pasardhëse do të bëhej tabu në kazinotë e të gjithë Shteteve të Bashkuara.

    Por, fatkeqësisht për Kentin, Mindlin nuk kishte qenë plotësisht i sinqertë me të. Nuk i kishte thënë që ishte në prag të falimentimin. Duke e dashur akordin shumë më tepër sesa partneri i tij, pra, dhe duke patur nevojë për të hapur llogari të mëdha mjaftueshëm sa për të përmbushur kërkesat ekonomike të të dyve, Mindlin ishte detyruar t’i drejtohej Dominic Spinale, një figurë spikatëse e familjes Angiulo në Boston. Paratë i gjeti por tërheqi gjithashtu edhe vëmendjen e FBI-së drejt tyre. Ndërkohë, duke kuptuar se numrat e Kentit do t’i ndryshonin jetën, Mindlin, duke mos i treguar asgjë partnerit për gjithë sa ngjante, filloi ta zgjerojë kompaninë kudo në Shtetet e Bashkuara. Brenda disa muajve, zinxhirë të vërtetë të bastoreve të lidhur me ta lindën në Salt Lake City, El Paso, Baltimore, Philadelphia e gjithashtu edhe në Louisville, ku falë ndihmës së Chip Reese, i njohur nga Mindlin disa vjet më parë, tashmë ishte dikush ku të mbështetej.

    Vitet e zhurmshme

    Pasi kishte “lëvizur para” për llogari të Reese dhe Mindlin nga Kentucky, Walters arrin në Las Vegas në fund të sezonit NFL të 1982. Aleanca me Reese digjet si qiriri në erë, dhe konsumohet në fund të March Madness të parë. Kjo nuk e ndalon Computer Group të vazhdojnë të rriten me shpejtësi impresionuese. Sipas vlerësimeve të Kentit, në vitin 1983 fitimet e grupit ishin rreth tre milion dollarë neto, ndërsa në vitin pasardhës ato tashmë shkonin deri në rreth një milion e gjysmë… në muaj!

    Që viti 1984 do të kishte qenë një vit triumfues në frontin e basteve sportive kuptohet që nga dita e dytë e janarit, me rastin e Sugar Bowl midis Michigan dhe Auburn. Prania e të madhit Bo Jackson çekuilibroi bastet në mënyrë sensacionale drejt Auburn, por sipas llogaritjeve të grupit, Michigan nuk ishte aq i jo favorit dhe Walters vuri bast mbi një milion dollarë për Wolverines, duke inkurajuar edhe shokët e tij për ta ndjekur.

    Por atyre viteve të zhurmshme, Walters ende nuk arrin të gjejë një ekuilibër midis suksesit në bastet sportive dhe milionave të humbur në tavolinat e blackjack apo baccarat. Paratë hyjnë dhe dalin nga çdo drejtim, në një rrethore të pafund rastesh dhe deliresh të denjë për penën e Hunter Thompson – i cili, ndër të tjera, lindi gjithashtu në Louisville – që gjeti kulmin me rastin e Super Bowl të vitit 1985. pikërisht teksa Joe Montana drejton San Francisco 49ers e tij drejt fitores së titullit të dytë, FBI bën bastisje 43 shtëpi të përhapura në gjashtëmbëdhjetë shtete të ndryshme dhe arreston rreth njëzet vetë përfshi Walters, Mindlin dhe Kent.

    Duke mos e kuptuar kurrë rrëmujën ku ishte futur, Michael Kent do të kërkojë imunitet në këmbim të bashkëpunimit të tij të plotë me hetimet, një kusht që federalët e pranojnë pa menduar dy herë duke pasur besimin të plotë se janë gati të çmontojnë një prej organizatave më të mëdha kriminale të basteve sportive të vendit. Mes personave të arrestuar, kishte nga të gjitha: bastexhinj rrugësh, veteranët të Luftës në Kore, gazetarë të famshëm, disa prej sipërmarrësve më të mëdhenj në Las Vegas, personazhe të lidhur me mafian si Spinale. Ajo që duhej të ishte një goditje e madh, fillon të ridimensionohet akoma para se Kenti të përfundonte dëshminë e tij, sepse ka një ndryshim thelbësor midis “marrjes” së basteve sportive nga njerëz të tjerë – e paligjshme jashtë Nevadës deri në vitin 2018 – dhe basteve në ndeshje, veprimtaria plotësisht legale që Walters dhe ortakët e tij kishin praktikuar për vite me rradhë. “Askush nuk kishte parë ndonjëherë diçka të tillë”, do të tregojë për Nevada Public Radio agjenti i FBI Noble, duke thënë se si i gjithë operacioni lindi me shpresën e bastisjes së bizneseve të krimit të organizuar të Bostonit dhe se si vetë FBI e kishte të vështirë të besonte (gjithnjë flasim për mesin e viteve 80) si një punë si ajo e bastexhiut mund të ishte kaq fitimprurëse.

    Në të vërtetë, dallimi ishte i qartë nga përgjimet e kërkuara prej gjykatësit distriktual Lloyd D. George në dhjetor 1984, dhe që me avancimin e marrjes në pyetje u bë gjithnjë e më e qartë se i vetmi krim i kryer nga grupi kishte qenë ai i përdorimit të disa llogarive bankare offshore për mospagimin e taksave mbi fitimet. Situata do të ngecë: një vit pas arrestimit të tij, Walters jo vetëm që e zhbllokon Golden Nugget, por fiton edhe Super Bowl of Poker, sezonin e dytë më të rëndësishme të kohës, duke përfituar nga orët e gjata të kaluara në stërvitje me Stuey Ungar – nëse jo lojtari më i mirë i pokerit të të gjitha kohërave, sigurisht më legjendari.

    Problemet me FBI do të mbyllen vetëm pas pesë vjetësh – maksimumi i lejuar me ligj, gjë që do ta bëjë Waltersin të pyes veten nëse është prapa putra e ndonjë kazinoje që nuk e shohte më me sy të mirë- por duke u zgjidhur me pafajësinë e tij totale.

    Sasia e detajeve të asaj çështje meriton një artikull të veçantë, por ka dy gjëra që ia vlen të kujtohen: e para, që avokati i Walters nuk mund të ishte tjetër veçse Oscar Goodman (ju kujtohet? Pikërisht ai!) dhe e dyta, që në ato vite Walters filloi të bashkëpunonte fshehurazi si me policinë lokale të Nevadës ashtu dhe me FBI, duke u dëshmuar edhe një llogaritar i pagabueshëm.

    Ndryshimi i Walters vërehet edhe në nivelin “strategjik”. Ai shfrytëzoi sherrin midis Kent dhe Mindlin për të shpërndarë zyrtarisht Computer Group në 1987, pushoi së piri, filloi të interesohej për sipërmarrjen – themeloi Berkeley Enterprises, që më vonë do të bëhej Walters Group – e mbi të gjitha vendosi të braktisë përgjithnjë tavolinat e lojrave për t’u përqëndruar tek bastet sportive.

    Michael Xhordani i basteve sportive

    “Analiza statistikore i kishte vënë bastexhinjtë aq para bookmakersave sa dukej qesharake”, kujton Art Manteris, historiani Kapo Salla i Station Casino dhe anëtar i Hall of Fame të lojërave të fatit. Por vetë matematika nuk ishte akoma e mjaftueshme për të hedhur në erë bankën, nevojitej dikush që të dinte ta bashkonte në një njohuritë e tregut dhe ingranazhet e tij. Nuk mjafton të gjesh deltën, pra atë mospërputhje midis kuotës së dhënë nga Las Vegas dhe numrit të nxjerrë nga llogaritjet e reja të kompjuterit, nevojitet të dish se si ta manipulosh atë në avantazhin tuaj dhe në çdo situatë. Gjenialiteti dhe forca e Billy Walters qëndron pikërisht këtu.

    Duke kombinuar faktorin njohuri (si të bastosh) me faktorin kohë (kur të vesh bast), Walters fillon ta përmbysë tregun e basteve sportive, duke i shtuar një dinamizëm që nuk kurrë nuk ishte vërejtur më parë. “Askush nuk e kishte bërë kurrë atë që bënte ai”, ka rrëfyer për Cover, Chris Jordan, një handicapper profesionist, “Për botën e basteve sportive, Billy Walters ishte vërtetë ai Michael Jordan ka qenë për NBA”.

    Walters mban çdo bookmakers të vendit në gjendje axhitimi të vazhdueshëm. Imagjinoni të jeni në një shesh të rrethuar nga ndërtesa të larta me dritare pafund dhe të dini se pas njërës prej tyre është një snajper gati për t’ju goditur dhe nuk keni asnjë mënyrë se si ta identifikoni. Paranoja përhap në masë. Dikush filloi të besojë se Walters ishte një magjistar që ndikon në çdo bast, se ishte vetë Tregu. “Çdo lojë e një peshe të caktuar ekonomike i atribuohej menjëherë atij”, kujton Ted Sevransky, një tjetër handicapper profesionist nga Las Vegas, “por e vërteta është se gjetja e përbindëshit të Lochness do të kishte qenë një sipërmarrje më e thjeshtë sesa të kuptoje strategjinë e tij”. Çdo kazino në vend vendosi ta ndalojë atë përjetë, si dhe të azhurnonte strukturat e saj analitike me shpresën për të mbajtur ritmin. Nga momenti që një pjesë shumë e madhe e lojës së tij kishte lidhje me sportin kolegjial, të vije bastshumë para në lojërat e NCAA u bë thuajse e pamundur, me shumë kazino që madje shkuan deri aty sa të ndalonin hyrjen e të gjithë ata që vinin bast në të ashtuquajturat added-game, ato lojëra të divizioneve të vogla që nuk transmetoheshin as nëpër televizionet lokale dhe ku Walters ishte shumë i fortë.

    Në atë periudhë filluan të shfaqen edhe grupe të tjera të organizuara (të quajtura sindikata) të cilat pasuan atë model, siç janë IBM, Kosher Boys, Poker Player; por asnjëri prej tyre nuk i frikësonte bookmakers-at si Walters. Nofka të tilla si “Satana” ose “I dituri i madh” filluan ta zbukuronin emrin e tij me një vello mistike. Në po të njëjtin artikull të Cover, Chris Jordan kujton edhe se si kishte asistuar në një skenë në 2001, ku një supervizor kazinoje filloi të bërtasë: “Walters është këtu! Walters është këtu!” në të njëjtën mënyrë që tregtarët e drogës në Baltimore paralajmëronin ardhjen e Omarit tek filmi The Wire.

    Në intervistën e dhënë për Munchkin, Walters thotë se pronarët e kazinove u bënë aq të dëshpëruar sa iu drejtuan policisë. Kështu kur në vitin 1996 autoritetet e Nevadës kontrolluan selinë e Sierra Sports Consulting, një nga kompanitë satelitore të Walters Group, arritën të konfiskojnë 2.8 milion dollarë me akuzën e pastrimit të parave, ishte radha e Walters për të bërtitur për komplot. Çështja nuk shkoi kurrë në gjykatë dhe Walters u lirua përsëri plotësisht, por bastisja zbuloi shumë gjëra interesante në lidhje me modus operandi të tij, duke e transformuar teorinë e komplotit të Walters nga e pamundur në të pak a shumë kurioze.

    Në selinë e kompanisë u gjetën më shumë se 40 telefona, secili prej të cilëve kishte bërë më shumë së dymbëdhjetë mijë thirrje interurbane vetëm muajin e fundit, me ID të njohura në Kanada, Amerikën Latine, ishujt e Karaibeve dhe në Evropë. U gjendën dokumentet transfertash bankare offshore për afro një milion dollarë dhe skema të qarkullimit të parave që shkonin në gjashtë vende të ndryshme njëherësh dhe po aq banka. Kjo e bëri Walters edhe më skrupuloz: do të ndryshojë zyrat e kompanisë praktikisht çdo vit (duke kaluar nga Panama, Tijuana, Bahamas, Londër, me pak fjalë, kudo përveçse në Shtetet e Bashkuara) dhe mbi të gjitha do t’i zbulonte botës se për çfarë shërbente në të vërtetë Sierra Sports Consulting.Ushtria e padukshme

    Ajo që ishte regjistruar si një firmë konsulence ishte në të vërtetë një platformë e përdorur për të gjetur njerëz që të vinin bast për të. Duke mos mundur më të shkelte nëpër kazino, dhe duke mos mundur më të përdorte fytyrat e zakonshme të njohura, Walters kishte filluar (qysh në fund të viteve 1980) të rekrutonte këdo që ishte i gatshëm të vendoste baste për të. Marrëveshja ishte shumë e thjeshtë: kush pranonte të punonte për të merrte 1’1% të aksioneve të Sierra Sports Consulting dhe, pasi bëheshin partnerë, Walters mbushte llogarinë bankare partnerit të ri duke e udhëzuar se si të luante. 10% e secilit bast të fituar mbetej tek ‘partneri’, ndërsa në rast humbjeje rrisqet i merrte përsipër vetë Walters.

    Duke përdorur këtë metodologji, brenda pak viteve Walters arriti të ketë qindra njerëz që luanin në vendin e tij, njerëz të padyshimtë, identiteti i vërtetë i të cilëve maskohej me emra të koduar si “Ujku”, “44”, “Lubbock” dhe më e rëndësishmja përsa i përket procedurës nuk ishin aspak të implikuara në strategji. Për secilin nga ata ata që iu ndalohej hyrja në kazino, pasi dyshohej se ishin bashkëpunëtorë të tij, ishin pesë të tjerë të gatshëm për t’ia zënë vendin. Dhe jo vetëm: në “The Smart Money”, librin që shkroi pasi ishte pjesë e grupit Walters për rreth tre vjet, Michael Konik thotë se ai kurrë nuk ka njohur dikë tjetër që punonte për të sepse, nga pranimi i vetë Walters, askush prej “asistentëve” të tij nuk duhej të njihte identitetin e tjetrit. Sipas Konik, shumë nuk e dinin se për kë po punonin realisht; të tjerë ishin të sigurt se punonin për Walters pavarësisht se kurrë nuk e kishin parë atë. Përdorimi pothuajse koreografik i beards, siç quhen në zhargon, i mundësonte “Satanit” të bënte çdo gjurmë të tij edhe më të padepërtueshme, duke u përpjekur të mashtrojë botën deri sa ta bënte të padukshme natyrën e tij të vërtetë.

    Sidoqoftë, talenti i vërtetë i Walters nuk ka asnjë lidhje me kinemanë apo magjinë: ishte përgatitje kafshërore. Edhe pse kishte hequr qafe Kentin dhe Mindlin, përdorimi i kompjuterit ishte padyshim në qendër të çdo operacioni, bashke me disa prej matematikanëve më të mirë te vendit, të punësuar për të mbledhur miliona e miliona të dhëna dhe për të kryer simulime gjithnjë e më precize. Falë librit të Konik dhe dëshmisë së vlefshme të David Malinsky, një tjetër handicapper i Las Vegas i cili para se të vdiste rrëfeu se kishte punuar për Walters në vitet ’90, ne dimë se sindikata përdorte të paktën dy ekspertë numrash për çdo kampionat: NFL, NBA, college football dhe basket. Malinsky dhe të tjerët bënin vlerësime e skuadrave në bazë të performancave javore, duke reduktuar pikat e forta dhe pikat e dobëta në numra dhe shkronja që theksoheshin me ngjyra të ndryshme. Algoritmet shërbenin për të gjetur ekipin që kishte qenë më i “nënvlerësuar” nga Las Vegas, në mënyrë që të mund të përpunonin kuotat gjatë javës deri duke e çuar drejt numrit të saktë për të fituar para të shumta. Natyrisht që kjo është vetëm maja e ajsbergut.

    Walters kishte në listëpagesat e tij çdo lloj eksperti: kishte nga ata që merreshin me psikologji, ata me meteorologji, ata që përpiqeshin të kuptonin se sa një fushë sintetike mund të bënte ndryshim në krahasim me një fushë natyrore në një lojë NFL, ata që përpiqeshin të pararendnin breaking news-et, etj. Në fillim të viteve ’80, Computer Group paguanin një numër njerëzish për të shkuar në aeroportin e Las Vegasit çdo mëngjes për të mbledhur, apo edhe për të blerë nga udhëtarët, gazeta nga shtete të tjera, në mënyrë që të vazhdojnë të ishin të azhurnuar mbi lëndimet apo të rejat e formacioneve. Me avancimin e teknologjisë, Walters punësoi një personazh nga bregu lindor, i njohur vetëm me pseudonimin “Lexuesi”, që kishte shpikur një program që i lejonte të grumbullonte në të gjithë Internetin (kanalet e informacionit, llogaritë në Twitter, faqet e gossip, postime nga Facebook) në kërkim të scoop-eve dhe lajmeve që ende nuk kishin mbërritur në veshët e kuotistëve të Las Vegasit.

    E nëse mendoni se mbaroi këtu do të thotë që nuk keni qenë të kujdesshëm.

    ***

    Falë lidhjeve të vendosura përgjatë viteve e Louisville dhe Newport, Walters ka shfrytëzuar për vite informatorët të cilët, si zogjtë e Varys në Game of Thrones, “i pëshpërisnin” në vesh gjendjen e lojtarëve të të gjithë SEC (Divizioni i NCAA ku luajnë, gjithshtu, edhe ekipe të tjera nga shteti i Kentucky). E njëjta gjë mund të thuhet për gjyqtarët, trajnerët, e madje edhe për menaxherët e kazinove, të cilët, për të qenë pjesë e timonit të madh të karrocës së tij, ishin të gatshëm të korruptoheshin duke zbuluar paraprakisht se ku do të fiksoheshin kuotat, duke i dhënë atij një avantazh të dyfishtë: të ishte i pari që të bastonte dhe të ishte në gjendje të drejtonte trendin e tregut në avantazhin e tij. Së fundi, duke mos qenë në gjendje të menaxhojne vetë të gjitha informacionet, por sidomos duke mos pasur kohën materiale për t’i shndërruar këto në baste efektive, Walters ka përdorur për vite me radhë një organizatë, të vendosur në Irlandë dhe të strukturuar si një agjenci e përkohshme, e cila pas çdo sinjali të tij fillonte të telefononte dhjetëra e dhjetra llogari online duke luajtur për të.

    “Billy ishte si një kryetrajnër që vendos skemën pas një time-out”, kujton Malinsky, “i dëgjonte të gjithë asistentët, por në fund ishte ai që merrte vendimin përfundimtar”.

    Në tridhjetë e nëntë vjet si bastexhi profesionist, Billy Walters gjithmonë ka fituar më shumë para sesa investonte me përjashtim të një sezoni, një rekord (38-1) që nuk ka gjasa të barazohet në të ardhmen e afërt. Përgjatë viteve ai ka ndërtuar një perandori që përfshin një jet privat, mbi dhjetë fusha golfi, rrjete restorantesh, parkingje, vila luksoze dhe një duzinë koncensionarësh për makina. Në 1997 ai u zgjodh Filantropist i Vitit pasi dhuroi mbi dhjetë milionë dollarë për Opportunity Village, një fondacion që ndihmon njerëzit me sëmundje cerebrale. Disa e panë atë si një mënyrë për të pastruar reputacionin e tij, të tjerët si një strategji të përshtatshme politike – pasi donacione të konsiderueshme, me kalimin e kohës, arritën edhe tek politikanë, kontraktues dhe sipërmarrës.

    Mijëra bastexhinj janë përpjekur ta imitojnë atë, agjentë federalë dhe sipërmarrës miliarderë janë përpjekur ta pengojnë, dikush është përpjekur edhe ta vjedhë: Billy Walters i mundi të gjithë, njëri pas tjetrit, duke mbajtur ekuilibrin pa rënë mbi zonën gri që ndan ligjshmërinë me krimin. Të paktën deri në vitin 2016.

    Pesha e kurorës

    Pasi kishte tronditur tregun e basteve sportive për gati katër dekada, Walters kishte vendosur të tërhiqej nga skena – në vitin 2015 kishte deklaruar që bastet sportive zinin vetëm 7% të kohës së tij – për të provuar të pushtonte “ligën” më të madhe dhe më të rrezikshme të basteve në botë: Wall Street.

    Qenia një lojtar i kujdesshëm golfi dhe një milioner i kishte dhënë atij mundësinë, përgjatë karrierës së tij të pafund, të njihte çdo lloj personi, nga sportisti i suksesshëm, deri tek drejtuesi i biznesit, sekush prej të cilëve gjithmonë i gatshëm për të gjetur mënyra të reja për të bërë të holla. Por, duke filluar nga viti 2008, ajo mikeshë e vjetër e Walters që i korrespondon emrit të FBI kishte filluar t’i kushtonte vëmendje të veçantë tetëmbëdhjetë vrimave të saj javore me Carl Icahn, miliarderin pronar të Dean Food, një prej kompanive më të mëdha ushqimore në SHBA. Sidomos marrëdhënies konfidenciale midis bastexhiut dhe Thomas Davis, njërit prej anëtarëve të bordit administrues, duke zbuluar jo vetëm që Davis ishte në borxh për më shumë se një milion dollarë me Walters duke luajtur golf, por se ai i kishte dhënë mbi dyzet faqe dokumente konfidenciale mbi të mbi kompaninë, duke i mundësuar të blejë dhe shesë aksione në një mënyrë jashtëzakonisht fitimprurëse.

    Në maj të vitit 2016, oficerët e zbatimit të ligjit hynë në veprim, duke arrestuar Walters, Davis, madje dhe lojtarin me famë botërore të golfit Phil Mickelson, të cilit Walters i kishte kaluar informacionin për t’i bërë të mundur fitimin e disa parave – nga momenti që edhe ai i ishte borxhli Satanit.

    Walters do të mohojë gjithçka që nga momenti i parë, por ai që kishte qenë avantazhi i tij në botën e basteve sportive, duke qenë në zotërim të informacioneve tepër të sakta, bëhet një recetë e përsosur insider trading kur bëhet fjalë për Wall Street. Akuzat për mashtrim tatimor, mashtrim kabllor dhe konspiracion për të kryer mashtrim kabllor – të gjitha krime federale në Shtetet e Bashkuara – konfirmohen me vendimin e korrikut 2017, duke e dënuar atë me pesë vjet burg dhe duke i dhënë fund zinxhirit të tij të fatit. “Kam humbur bastin më të madh të jetës sime”, do të thotë vetë ai sapo doli nga gjykata.

    Tani Walters ulet në një qeli burgu. Përpjekja për të kuptuar se cilat do të jenë lëvizjet e tij të rradhës, mbetet, si gjithmonë, një ushtrim i pamundur. Kur të dalë do të jetë thuajse 76 vjeç, dhe atëherë do të gjejë një botë krejtësisht ndryshe nga ajo që pati lënë, një botë ku të vesh bast për një ndeshje sporti është bërë e ligjshme praktikisht kudo në Shtetet e Bashkuara. Kush e di në do të dëshirojë të rikthehet sërish në lojë. Jeta e tij ka qenë një kërkim i vazhdueshëm dhe i pamëshirshëm për atë që nuk mund të pushtohet, një top që rrotullohet përjetësisht mbi pllakën prej druri të një rulete.

    Kush e di nëse edhe kësaj radhe nuk do të gjejë dikë që të jetë i gatshëm t’i tregojë paraprakisht se cilat mund të jenë numra mbi të cilët duhet vënë bast. Kush e di nëse Steve Wynn, pas afro dyzet vitesh, mbase i ulur në një divan luksoz, do të ketë pirë një gotë shampanjë për nder të tij.

  • I gjithë pushteti komunistëve (trashëgimtarë)

    I gjithë pushteti komunistëve (trashëgimtarë)

    Gjeni emrat e fëmijëve të tyre në pozita kyçe të ekzekutivit, Parlamentit, organeve të drejtësisë dhe organeve të sigurisë. Ja disa prej tyre:

    1. Spiro Koleka – Edi Rama, nipi, baba i Shqipërisë.

    2. Zef Loka – Gjovalin Loka, i biri, nëndrejtor i Policisë së Shtetit.

    3. Hamit Shamku – Ledi Shamku, e bija, ish-deputete e PS.

    4. Hatika Hajnaj – Aida Hajnaj, e bija, Kryetare e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

    5. Lenka Çuko – Arben Çuko, kushëri, ish deputet i PS, ish-drejtor i burgjeve.

    6. Gramoz Ruçi, dora vetë, Kryetar i Kuvendit.

    7. Llambi Gegprifti – Sonila Qato  (Gegprifti), e bija, Ministre e Sipërmarrjes.

    8. Tahir Minxhozi – Qemal Minxhozi, i biri, ambasador në Kosovë.

    9. Xhelil Gjoni – Ilir Gjoni, i biri, ambasador.

    10. Nesib Ibrahimi – Genti Ibrahimi, i biri, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP)

    Emra të tjerë, pasardhës të elitës komuniste:

    – Belinda Balluku, Ministre e Transporteve, mvesa e Beqir Ballukut, ish-ministrit të Mbrojtjes dhe anëtarit të Byrosë Politike të PPSH-së.

    -Taulant Kasem Balla, nënkryetar i grupit kuvendor të PS-së. Babai instruktor i Komitetit të PPSH-së në Librazhd.

    -Ilir Hamit Beqaj, ministër i Shëndetësisë. Djali i Hamitit instruktor në KQ të PPSH-së dhe ndihmës i Nexhmije Hoxhës.

    -Ditmir Sulejman Bushati, ministër i Punëve të Jashtme. Djali i Sekretarit të Parë të komiteteve të PPSH-së në disa rrethe, ku ka ushtruar genocid me persekutimin e shqiptarëve.

    -Milva Ekonomi, ministre e Ekonomisë. Nusja e djalit të ministrit të diktaturës, Piro Dodbiba.

    -Besnik Mit’hat Bare, deputet i PS-së. Babai i tij ka qenë kryetar dege dhe zëvendësdrejtor i burgjeve. Ka patur një rol të rëndësishëm në masakrat ndaj shqiptarëve.

    -Blerina Guri Gjylameti (Maçolli), deputete e PS-së. Nuse e djalit të ish-oficerit e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Robert Gjylameti.

    -Besnik Rrapo Dervishi, kryetar i Komisionit për Informimin, i biri i ish-anëtarit të KQ të PPSH-së dhe ministër i përjetshëm.

    -Erion Luan Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës. Djalë i dy ushtarakëve të regjimit. Familje enveristësh, si nga fisi i vet ashtu edhe nga nëna, fisi Ormënaj.

    -Fatmir Sazai Xhafaj, Hetues i Diktaturës me krime në zonën e Krujës, dënime për agjitacion e propagandë dhe tortura.

    -Blendi Pëllumb Klosi, ministër i Mirëqenies. Djalë ushtarakësh të regjimit diktatorial.

    -Ervin Alfred Bushati, deputet i PS-së, nip i persekutorit me damkë Myftar Tare.

    -Bledar Melsed Doracaj, drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile. Është nip i Hysen Doracajt, kryetar dege në Ministrinë e Punëve të Brendshme në vitet 1975-1986.

    -Bekim Osman Murati, Drejtor i Prefekturave në MPB. Është djali i ish-Sekretarit të Parë të Dibrës. Për ata që kanë harruar, shoku Osman ka qenë edhe ministër i Tregtisë në kohën e tollonave, në vitet 1982-1990.

    -Irma Dashamir Bime, drejtore e Arkivit. Bija e oficerit të Sigurimit të Shtetit, i cili ka qenë zëvendëskryetar e më pas zëvendësdrejtor i Punëve të Brendshme në Tiranë.

    -Zihni Nazif Bime, shef i Burimeve Njerëzore në MPB, ish-oficer Sigurimi. Xhaxhai i Irma Bimes.

    -Loris Frederik Ymeri, drejtor i kabinetit të ministres Milena Harito. Është djali i drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit deri në vitin 1990.

    -Milena Fatos Harito (Shteto). Është mbesë e anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Qirjako Harito, si dhe në lidhje me familjen Koleka.

    -Bledar Triumf Çuçi. Është nipi i oficerit famëkeq të Sigurimit të Shtetit, Edip Çuçi.

    -Endri Përparim Fuga, drejtor komunikimi i Kryeministrit. Nip i dy funksionarëve të lartë të regjimit si Myqerem Fuga dhe Iljaz Reka.

    -Mimi Pjetër Kodheli. Deputete, ish-Ministre e Mbrojtjes. Babai instruktor në Komitetin Qendror të PPSH-së.

    – Olta Xhaçka, deputete dhe Ministre e Mbrojtjes. Mbesa e Servet Pëllumbit.

    – Arben Pëllumbi, deputet. I biri i Servet Pëllumbit.

  • Terrorizëm mbi kryeqytetin

    Terrorizëm mbi kryeqytetin

    Vehap KOLA

    Nuk ka emër tjetër për këtë plojë mbi çdo simbol, mbi çdo shenjë te ekzistencës tonë si njerëz dhe komunitete të qytetëruar.

    Kushdo që po ndihmon në futjen e Kullës së Sahatit dhe Xhamisë së Et’hem Beut në xhepin e një masivi të fraksionuar betoni duhet paralajmëruar se kjo do të ketë një çmim të dhimbshëm, shumë shpejt.

    Ndërsa vetë ndërtesa banale dhe e fëlliqët siç është nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë në këmbë me Kullën e Sahatit dhe Xhaminë e Et’hem Beut në xhep.

    Çdo qeveri që vjen pas kësaj qeverie kancerogjene duhet ta gjejë kazmën për ta lëshuar tokë dhe për ta varrosur këtë turp të epokës.

  • 600-vjet, historia e një kënge shqiptare

    600-vjet, historia e një kënge shqiptare

    O e bukura MORE

    Cë kur të lje (lashë)

    Më nigjë të pe

    Atje ku unë zotin-tatë

    Atje kam u mëmën time

    Atje ku u tim vëlla

    ‘O e bukura More

    Cë kur të lje (lashë)

    Më nigje të pe

    Kjo këngë mërgimi, kaq e njohur dhe e dashur jo vetëm për arbëreshët, por edhe për arvanitët e Greqisë dhe shqiptarët e të gjitha trevave, përmban në vetvete pothuajse gjithë sekretin historik të krijimit të fshatrave të arbëreshëve të Italisë.

    Por pak e dinë se kujt i kushtohet…!

    MORE! –

    është një pasthirrmë…?

    është një vajzë e bukur…?

    Jo!

    MORE, – është Peloponezi i sotëm i Greqisë! Një trevë e madhe të cilës grekët i kanë ndryshuar emrin nga MORE në PELOPONEZ, dhe kënga “MOJ E BUKURA MORE”, memorizon kujtesën dhe mallin e një atdheu të humbur, ëhtë një toponim i këtij vendi nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.

    Kjo është ndoshta kënga më e vjetër shqiptare që ka mbetur e gjallë akoma edhe në ditët tona e që vjen të na rrëfejë nostalgjinë e madhe, por edhe sekretin historik të krijimit të komunitetit arbëresh të Italisë.

    I vetmi dokument i kësaj kënge për herë të parë është materiali që gjendet në librin e shkruar nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), në vitin 1886.

    Në këtë libër është publikuar për herë të parë teksti i kësaj kënge i shkruar në shqip por me alfabet grek.

    Teksti burimor-popullor me ritëm tresh është i vetmi version dhe teksti origjinal i “O E BUKURA MORE”, por nuk dihet se cili arbëresh i këndoi për herë të parë këto vargje kaq të thjeshta por që mbetën gjallë dhe këndohen po me të njejtën dhimbje edhe sot.

    Botimi i këtij libri u realizua në Itali më 1866 nga shtëpia botuese “F. Albergueti E.C.”. ai ka si titull “Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata sulla Lingua Albanese”, i përgatitur me shumë kujdes nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda.

    Largimi

    Por si dhe pse arbëreshët e sotëm u larguan nga trojet e tyre, nga Moreja (Peloponezi sot) dhe nga Arbëria (Shqipëria sot), si u krijuan fshatrat arbëreshe në Italinë e Jugut?

    Me rënien dhe pushtimin e Koronit (1534), kala që ndodhet edhe sot e kësaj dite në More (Peloponezi i sotëm në Greqi) perandori Karli i Tretë i dha urdhër kapitenit Andrea Doria të marrë grekët dhe arvanit-arbërorët nga Moreja e t’i çojë ata në Italinë e Jugut.

    Kjo përbën edhe fillimin e krijimit të fshatrave arbëreshë, por edhe greqishtfolës të Italisë së Jugut. Në këto momente të shpërnguljes, arbëreshët kënduan ndoshta për herë të parë këngën “O E BUKURA MORE” me mall dhe vajtim.

    Shqiptarët e parë që vinin nga Arbëria-Shqipëria sot – u vendosën në Kalabri dhe në Sicili, pas ftesës së mbretit Alfonso të Aragonës, bëhet fjalë për luftëtarë shqiptarë, të cilët u vendosën përfundimisht dhe me familjet e tyre në Sicili për të ndihmuar përforcimin luftarak të Mbretit Alfonso në përpjekjet e tij për të shuar revoltat dhe lëvizjet e Andegavnonit kundër tij. Pra krijimi i këtyre fshatrave kishte karakter ushtarak.

    Skënderbeu

    Në vitin 1461, vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Kryezot dhe i Plotfuqishëm i Arbërisë (Shqipërisë sot), me një trupë të madhe dhe të fortë luftëtarësh shqiptarë, do të luftonte në përkrahje të Ferdinandit, djalit të mbretit Alfonso kundër Andegavnonit të Italisë së Jugut dhe princit të Torontos, dhe për këtë ndihmë e përkrahje ushtarake si shpërblim atij ju dhuruan dy feude në Pulje të Italisë.

    Kjo popullatë e pasuroi dhe e populloi pjesën e shkretuar të kësaj zone si dhe e rrethoi atë ushtarakisht, duke krijuar në këtë mënyrë një pjesë territoriale të mbrojtur.

    Pak para vdekjes së Skënderbeut (1467) por kryesisht pas vdekjes së tij (1468) dhe rënies dhe pushtimit të krujës nga turqit (1478), një numër i madh shqiptarësh, në kushte dramatike, do të largoheshin për në Itali dhe do të vendoseshin në fshatrat tashmë të ngritura shqiptare, duke krijuar njëkohësisht edhe fshatra të reja.

    Të tjerë shqiptarë u vendosën në Italinë e Jugut me bekimin e Skënderbeut si dhe të djalit të tij Joanit në dy feudet e Puljas, që i pati dhuruar Ferdinando në Galatina (1845).

    Një pjesë tjetër shqiptarësh ndoqën Irini Kastriotin, e cila u martua me princin Bisingano në Kalabri. Numri i kësaj popullate duhet të ketë qenë shumë i madh pasi krijoi një zonë të tërë, të vetme, me një fizionomi gjuhësore, kulturore dhe tradicionale, duke krijuar kështu fshatrat e sotëm arbëreshë të Italisë.

    Shqiptarët katolikë të ardhur nga Shqipëria e Veriut, e që u vendosën në Italinë e Jugut, u përshtatën shpejt me gjuhën, kulturën dhe fenë e vendasve italianë, ndërsa shqiptarët që ishin shpërngulur nga Shqipëria e Jugut dhe arvanitët-arbërorë të Moresë, që nuk ishin të besimit katolik, por ortodoks, pavarësisht kundërshtimeve dhe imponimeve të peshkopëve vendas italianë, ruajtën të veçantat e kulturës dhe të zakoneve të tyre, si dhe fenë dhe ritualin ortodoks bizantin, dallimi i të cilëve duket edhe sot e kësaj dite, duke bërë që besimi fetar t’i dallojë ata nga vendasit.

    Gjuha

    Gjuha e arbëreshëve të Italisë ka shumë ngjyrime dialektike, por si bazë ka dialektin tosk që flitet në Shqipërinë e Jugut dhe me të njejtën ngjashmëri të gjuhës që flasin arvanitët-arbërorë të Greqisë. Prezenca e fjalëve greke ndodh për shkak të kohës së gjatë të bashkëjetesës së tyre me grekët nën perandorinë bizantine.

    Shumë prej këngëve arbëreshe përputhet me Morenë dhe shumë toponime të tjera në këto zona sikurse janë Koroni, Nafplio, Korintho…, etj.

    Sot, koha dhe ndryshimet e shumta kanë bërë të tyren dhe në mënyrë të pashmangshme ka ecur përpara, por nuk kanë mundur të zhdukin këtë të veçantë që ka ky minoritet shqiptarësh arbëreshë me gjuhën, traditat, kulturën, zakonet dhe legjendat e tyre, duke përbërë kështu një pasuri të çmuar për turizmin laografik të këtyre zonave. / Përgatitur nga Lirio Nushi

  • Ramiz GJINI – Shitësi i dhuratave të dashurisë

    Ramiz GJINI – Shitësi i dhuratave të dashurisë

       Pranë kryqëzimit të rrugës së Sirenave me rrugën e Karnavaleve, Lis Keltit, i zunë sytë një rreklamë të ndriçuar. Kjo rreklamë, qe vendosur mbi hyrjen e një dyqani dhe tregonte, që aty shiteshin dhurata dashurie.

       Ngase të nesërmen, bëheshin plot dhjetë vjet nga dita e martesës së tij me të shoqen, Rinën, Lisi mendoi, që do të ishte mirë, sikur të hynte aty dhe t’i blinte asaj një dhuratë dashurie.

       Për efekt sigurie, në portën e hyrjes së dyqanit, ishte instaluar një bravë elektrike, ndaj porta hapej vetëm nëse i zoti shtypte një buton nga brenda.

       Lis Kelti i ra ziles dhe priti. Pas pak, u dëgjua zëzëllima e lehtë në bravë, dhe që nga brenda, një zë i trashë prej basi e ftoi të hynte. Por, me t’u futur, ndodhi që dritat u fikën dhe aty pllakosi errësira. U kthye të dilte, por i njëjti zë, që e pati ftuar të hynte, e bëri të ndalonte.

       – Përse po largoheni, zotni? – i tha. – A nuk dëshironi të blini diçka?

       Lisi mundi të shquante vagëllimthi në errësirë siluetën e një burri madhosh, i cili qëndronte në këmbë, me bërrylat e pështetur në syprinën e banakut dhe fytyrën e zhytur në pëllëmbët e mëdha të duarve.

       – Desha të blija një dhuratë për të mirën, time shoqe, – tha Lisi.

       – Domethënë, ju kërkoni të blini një dhuratë dashurie të pastër, – ia pat tjetri.

       – Po, – ia ktheu Lisi. – Por siç e shikoni, tani që dritat u fikën, është e pamundur të gjej në errësirë diçka, që mund të më pëlqejë.

       – E dini vetë ju, zotni, – tha shtatmadhi duke u mëshuar fjalëve me atë zërin e tij të trashë prej basi.

       Me të dëgjuar këto fjalë, Lisi doli jashtë disi qejfprishur. Por sakaq, dritat brenda dyqanit u ndezën. Atëherë, u kthye të hynte apet, tashmë gjithë qejf e me një ndjenjë të theksuar lehtësimi.

       Kur u gjend për herë të dytë pranë derës, dëgjoi sërish atë zëzëllimën e lehtë të bravës, që i dha të kuptonte, që tjetri atje brenda, pati shtypur butonin për t’i hapur derën. Por me të hedhur hapin e parë brenda, dritat u fikën prap; dhe ai ngriu në këmbë i kapur gafil, pa mundur të merrte vesh çfarë dreqin po ndodhte.

       Silueta e stërmadhe me bërrylat e krahëve të vendosur në banak e pikasi hutimin e tij, ndaj i tha:

       – Më thotë mendja, që ju, zotëri i nderuar, po futeni për herë të parë në dyqanin tonë.

       – Po, – tha Lisi. – Asnjëherë s’më ka qëlluar të hyj këtu.

       Tjetri kruajti njëherë zërin, pastaj tërhoqi hundët dhe vazhdoi:

       – Atëherë, më lejoni t’iu shpjegoj diçka: dyqani ynë, nuk është si ç’do dyqan tjetër dhuratash. Ne kemi montuar poshtë shqimthit të derës një mekanizëm të fshehtë; diçka si sustë me pjastra kontakti prej bakri, që bën punën e një çelësi elektrik. Sapo klientët shkelin në shqimth të derës, dritat brenda dyqanit fiken dhe hapsirën këtu e mbush errësira. Pastaj dritat ndizen sërish, kur klienti shkel për herë të dytë në dalje. E kemi bërë këtë me qëllim që myshterinjtë tanë, t’i blejnë në errësirë të plotë dhuratat e dashurisë.

       – E ç’kuptim na paska ky marifeti juaj?! – pyeti hem i habitur, hem i nervozuar Lis Kelti. – Si mund të blej unë, o byrazer, çfarë më zë dora rastësisht në errësirë?!

       Tjetri nisi të shpjegonte, tashmë, me një zë të shtruar, të butë:

       – Para se biznesin tonë ta konceptonim si një tregëti natën në errësirë, na vinin edhe klientë, që blinin dhurata dashurie mijëra-dollarëshe: orë floriri, unaza të shtrenjta farfuritëse, byzylikë dhe gjerdanë plot diamantë vezullues; por ka ndodhur, që pas njëfar kohe, ata janë zhgënjyer me dashuritë e tyre. I kanë kthyer këto sende të çmueshme dhe na janë lutur t’ua blejmë me gjysmën e çmimit.

       – Si ta kuptoj unë këtë?! – pyeti Lisi jo pa sarkazëm.

       – Ju kuptojeni si të doni, zotni i nderuar; por duhet të dini, që e vetmja dhuratë e vërtetë, është vetë dashuria. Por ajo nuk gjendet për tu blerë në ndonjë dyqan. Gjithshka tjetër, sado me vlerë të jetë, edhe pse quhet “dhuratë dashurie”, mund të ndodhë siç ndodh nganjëherë me bursën, të shvleftësohet aq shumë, sa të përfundojë në plehra. Prandaj, që klientët të mos zhgënjehen nga dashuritë e tyre për t’u ndjerë një ditë leshko, para një viti e gjysëm, ne vendosëm ta konceptonim ndryshe biznesin tonë: t’i shisnim në errësirë dhuratat e dashurisë. Dhe t’i shisnim me çmim të njëllojtë, sido që të ishin ato. Gjithësecili nga blerësit, për t’u futur në dyqan, duhet të presë për aq kohë, sa i duhet për të dalë jashtë klientit që ndodhet brenda.

       – Mos doni të thoni, që klienti nuk duhet të shikojë fare çfarë malli po blen?!

       – Pikërishtë këtë thashë, zotni!

       – Po a nuk është kjo, o byrazer, një gjë krejt absurde?!

       – Edhe është, edhe s’është, – tha tjetri, pa lëvizur fare nga pozicioni i tij me bërrylat e pështetur në banak. – Varet si e gjykoni ju!

       – Po si i bëhet nëse qëllon, që të më kapë dora ndonjë dhuratë, le të themi, koti? Diçka, që në dritë mund të duket demodè, pa kuptim; e që ime shoqe, kur ta shikojë, mund ta marrë këtë sjellje si një lojë bajate; e ndoshta, edhe si tallje me dashje?

       – Sido që t’iu qëllojë ajo dhuratë, ju mund t’ia mvishni vetë kuptimin e duhur. T’ia mvishni me sjelljen tuaj çast pas çasti, ditë pas dite, vit pas viti… Madje, t’i jepni edhe shpirt po qe se mundeni. Nëse arrini ta bëni këtë, një dhurate të thjeshtë, që mund t’ia blini gruas sonte në dyqanin tonë vetëm për tridhjetë dollarë, pas njëzetë e kusur vitesh, do t’i rritet aq shumë vlera, sa e dashura gruaja juaj, nuk do të donte ta nxirrte nga duart as për mijëra. Por, duhet ta dini, që mvaret nga ju, nëse do të ndodhë kështu, apo jo.

       Lis Kelti u përpoq t’i përtypte këto fjalë me mendjen e dyzuar, që kish nisur t’i luhatej mu si një lavjerrës.

       Një tjetër klient ia behu dhe zuri vend jashtë, pranë derës, në pritje të hynte brenda sapo Lisi të dilte.

       – Sa thatë ju, është çmimi i një dhurate dashurie? – pyeti pas pak Lisi. Kishte kuptuar, që nuk mund të rrinte për gjatë kohë aty.

       – Gjithshka që mund t’ju zërë dora këtu brenda shitet tridhjetë dollarë, as më shumë, as më pak. Por kuptimi dhe vlera e çdo dhurate që mund të blini, siç e thashë, mvaret nga ju.

       – Dakort! – tha Lisi, pasi qe menduar një grimë. – Po marr diçka. Fundja, le ta provojmë njëherë, sepse në fakt, kjo qasja juaj po më duket disi interesante.

       – Si të dëshironi, zotni i nderuar, – u dëgjua të thoshte plot mirësjellje shitësi.

       Lis Kelti, mori të ecte ngadalë e gjithë kujdes përskaj rafteve mu si një i verbër, duke çukërmuar e prekur lehtë me gishtërinj në errësirë çdo gjë, që gjendej aty.

       Pasi kish çapitur me tahmì nja gjashtë hapa të përngeshëm e të vegjël, ai ndaloi pranë një sendi, që mundi t’i përcaktonte, pak a shumë, vetëm peshën.

       “E mira ka peshë”, tha me vete ai.

       “Po edhe e keqja ka peshë”, dëgjoi t’i thoshte aty për aty një zë nga brenda.

       Si u mëdysh për pak kohë mes dyzimit ta blej – të mos e blej, tek e mbramja, Lis Kelti vendosi ta blinte.

       Me dhuratën e dashurisë në duar, duke ecur hapaqorras, ai u afrua ta paguante te banaku, ku silueta trupmadhe, vazhdonte të qëndronte në pritje, me bërrylat e vendosur mbi banak e fytyrën e zhytur në pëllëmbët e duarve.

       – E kam pesëdhjetëshe, – nëpërdhëmbi Lisi, teksa i zgjaste kartmonedhën.

       – S’ka problem, – ia ktheu tjetri.

       Si mori kartmonedhën, shitësi u përkul dhe e vështroi nën dritëzën shumë të zbehtë të një llampe të vockël sa një gacullinë, që ai e ndezi poshtë banakut. Pastaj i ktheu kusurin e tha:

       – Qofshi me fat, zotni! Dhe, siç ju thashë më parë, mos harroni, që vlera e kësaj dhurate dashurie është krejt në dorën tuaj.

       Lis Kelti nuk mundi të fliste. E la pa fjalë llahtari që kish parë nën dritën e zbehtë të asaj gacullinës së fshehur poshtë banakut: fytyra si e një katallani e këtij burri trupkabà: me atë alamet hunde sa një patëllxhan i madh, mbushur plym me puçrra të përgjakura nga kruarjet, si dhe kokordhokët e syve të dalë gëlldëq prej zgavrave!

       Teksa dilte jashtë anamendas, dritat aty brenda u ndezën, por sapo klienti që priste të hynte shkeli në shqimth të derës, ato u fikën sërish.

    Shtator, 2020