Blog

  • Koronavirusi dhe Brexit? Dy sfida njëherësh janë shumë për Johnson

    Koronavirusi dhe Brexit? Dy sfida njëherësh janë shumë për Johnson

    Ekonomia nuk do t’i rezistonte një goditjeje të dyfishtë, asaj të recesionit dhe “no deal”: Londra mund t’i kërkojë BE-së një zgjatje tjetër të tranzicionit

    Boris Johnson ka një dilemë për të zgjidhur: lockdown-in dhe Brexit, dy shtyllat e strategjisë së tij, janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.

    Kryeministri britanik, i shëruar nga koronavirusi pas shtrimit në spital në kujdes intensiv, është rikthyer në pistë me një mesazh shumë të qartë për qytetarët. Masat kufizuese të vendosura në 23 mars do të mbeten në fuqi sepse lehtësimi do të ishte i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm. Në debatin brenda qeverisë mbi zgjedhje për t’u bërë, atë midis ekonomisë dhe shëndetit, Johnson zgjodhi pa ekuivok. «Salus populi suprema lex esto», deklaroi duke cituar Ciceronin.

    Rimëkëmbja e ekonomisë mund të presë pra. Britania e Madhe, e cila i vendosi masat lockdown me mjaft vonesë, do të jetë një nga vendet e fundit evropiane që rihapet dhe rinisë. Johnson, që fillimisht e pati minimizuar ndikimin e koronavirusit, më pas ndryshoi mendje, duke e përshtatur strategjinë e tij të ndryshimin sipas rrethanave rrethanave, siç ka bërë edhe herë të tjera në karrierën e tij politike.

    I pandryshueshëm

    Sidoqoftë, përsa i përket Brexit, kryeministri mbetet i palëvizshëm. Përjashton një shtyrje të periudhës së tranzicionit përtej 31 dhjetorit dhe këmbëngul që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian një herë e përgjithmonë në fillim të janarit, nëse do të ketë apo jo një marrëveshje. Madje, tani që i është rikthyer punës, ka ndërmend të marrë personalisht komandën për t’i dhënë impuls të ri negociatave dhe të bëjë presion ndaj Brukselit.

    Negociatat dypalëshe nuk po shkojnë mirë. Për shkak të emergjencës së koronavirusit, ka patur vetëm dy raunde bisedimesh në vend të pesë që ishin parashikuar, e dyta nga të cilat përmes videokonferencës. Nuk ka patur kohë ose mënyrë për të kapërcyer hendekun e madh midis qëndrimit britanik dhe qëndrimit evropian.

    Në përfundim të raundit të fundit zhgënjyes virtual, javën e kaluar, kryenegociatori i BE Michel Barnier tha se ishte “i zhgënjyer dhe i shqetësuar” dhe akuzoi Britaninë e Madhe për taktika ndaluese. Sipas Barnier nuk është arritur asnjë përparim në disa pika kryesore, të tilla si peshkimi, bashkëpunimi i sigurisë dhe kushteve të konkurrencës së barabartë dhe ndihmës shtetërore, të drejtave të punëtorëve dhe mbrojtjen e mjedisit.

    Londra hodhi poshtë akuzat, duke pretenduar se thjesht dëshironte të mbronte interesat e saj dhe të distancohej nga BE, siç u ishte premtuar votuesve që votuan për Johnson. Brukseli, thotë reagimi i njohur i britanik, nuk dëshiron kompromis, por “kapitullimin” e Britanisë së Madhe.

    Synimet për të ardhmen

    Pavarësisht nga arsyet e mungesës së përparimit, mbetet fakti se perspektiva për të arritur një marrëveshje brenda disa muajve është e largët. Vëmendja e Britanisë së Madhe dhe i të 27-ve është e përqendruar në administrimin e epidemisë. Pas pak javësh, Londra dhe Brukseli, do të gjenden pra përballë një zgjedhjeje midis rrezikut real dhe një “no deal” ose zgjatje kohe.

    Kërkesa për një shtyrje, sipas akordeve të paravendosura, duhet të jetë e mbaruar deri në fund të qershorit, vetëm një herë dhe për një maksimum dy vjet. Qeveria britanike këmbëngul se jo vetëm që nuk do të kërkojë zgjatje, por se do të refuzojë çdo kërkesë të mundshme të BE në këtë drejtim.

    Brexit mund të presë

    Sidoqoftë, epidemia po ndryshon karakteristikat e Brexit. Sipas një studimi të kohëve të fundit, 66% e qytetarëve britanikë janë në favor të shtyrjes së periudhës së tranzicionit për t’i mundësuar qeverisë t’i kushtojë gjithë vëmendjen e saj luftës kundër koronavirusit. Edhe 48% e konservatorëve janë të të njëjtit mendim.

    Avantazhet ekonomike të Brexit të premtuara nga Qeveria britanike ndërkohë duken gjithnjë e më të paarritshme. Ideja ishte për një kosto ekonomike afatshkurtër në këmbim të përfitimeve afatgjata, të tilla si marrëveshje tregtare me SHBA-të dhe vende të tjera të treta, kontroll të kufijve dhe lirinë në vendimmarrje. Epidemia ndryshoi gjithçka: është e vështirë të imagjinohet një vend që ka kohën dhe interesin për të negociuar një marrëveshje tregtare bilaterale me Britaninë e madhe.

    Dimensioni ekonomik është gjithnjë e më i rëndësishëm. Si një daljen e ngadaltë nga lockdown-i ashtu dhe impass-i në Brexit peshojnë mbi stërlinën. Në sytë e tregut, perspektiva e një recesioni të ashpër dhe të gjatë është negativ po aq sa një kërcim në errësirë në rast të një “no deal”-i.

    Një kombinim shkatërrues

    Nëse të dy gjërat ndodhin njëkohësisht, siç duket se po indikon strategjia e qeverisë britanike, ndikimi negativ do të shumëzohet, jo vetëm të dyfishohet. Dëmi ekonomik i epidemisë i kombinuar me një dalje të çrregullt nga BE do të ishte një kombinim shkatërrues.

    Brexit tani duket si një projekt që sjell kosto të larta qartësisht të dukshme përballë përfitimeve të pamundshme dhe të pasigurta. Për këtë arsye, sa më gjatë të zgjasë situata e lockdown, aq më e mundur është që Johnson të bëjë kthesën tjetër të rradhës në formë U në qershor dhe të pranojë një zgjatje të pashmangshme të periudhës së tranzicionit.

  • Si në përrallë, shtëpitë magjike në Martha’s Vineyard

    Si në përrallë, shtëpitë magjike në Martha’s Vineyard

    Është një vend ku shumë amerikanë, duke u arratisur nga kaosi i Bostonit ose Nju Jorkut, nxitojnë për t’u rigjeneruar. Këtu, larg frenezisë dhe jetës së qytetit, rrugët panoramike me pamje nga oqeani dhe pamjet e jashtëzakonshme të bregdetit shoqërojnë udhëtarët gjatë rrugës. Por vetëm kur mbërriti në Martha’s Vineyard, fillon magjia.

    Mirësevini në Martha’s Vineyard

    Ishulli i Martha’s Vineyard ndodhet në jug të Cape Code. Shumë njerëz e zgjedhin atë si destinacionin e preferuar për pushimet verore, e gjitha për meritë të atmosferës, shumë të veçantë.

    Ishulli i Martha’s Vineyard

    Ishulli është i strukturuar me shtatë qendra të banuara, më luksozja është padyshim Edgartown por edhe Oak Bluffs që të pushton dhe lë pa fjalë cilindo që mbërrin me traget në ishull.

    Si një përrallë…

    Oak Bluffs i mirëpret të gjithë udhëtarët me një atmosferë përrallore. Duke shëtitur nëpër qendër do të gjeni veten në mesin e vilave shumëngjyrëshe që duken si të mbushura plot magji.

    …Një përrallë moderne

    Portikë madhështorë, kanale plot me ngjyra dhe shumë detaje të tjera u japin rrugëve të qytetit një atmosferë unike. Kur e sheh, Oak Bluffs duket si një sheshxhirim modern i një remake të Hansel dhe Gretel.

    Ngjyrat marramendëse të shtëpive të Oak Bluffs

    Qyteti prej 26 milje katror përbëhet kryesisht nga shtëpi të epokës Victoriane që ngjasojnë me ato të përrallave. Të kuqe, të kaltra, të gjelbërta, mente dhe të verdha, janë këto vetëm disa nga ngjyrat që i dallojnë këto ndërtesa.

    Origjina e Martha’s Vineyard

    Në të vërtetë, pak njerëz e dinë se ai që është bërë një nga vendet më të bukura të Massachusetts ku mund të kaloni pushime të papara, dikur ishte vendgrumbullimi i një lëvizjeje fetare të shekullit të 19-të.

    Nga një vend lutjesh në qytetin e përrallave

    Në 1800 disa njerëz zgjodhën pikërisht këtë ishull për të zhvilluar mbledhjet e tyre religjoze. Këtu, predikuesit takoheshin për të kënduar himne dhe luteshin për ditë të tëra, përpara se të ktheheshin në shtëpi.

    Ndërtimi i shtëpive të para

    Ndalesat po bëheshin gjithnjë e më të gjata, kështu lindi nevoja nga ana e besimtarëve që të ndërtojnë disa ndërtesa të stilit Victorian për ta zgjatur qëndrimin e tyre gjatë verës. Ajo që dikur konsiderohej si një vend kulti, shpejt u bë një destinacion i preferuar për vizitorët për shkak të bukurisë së ndërtesave.

    Një eksperiencë e jashtëzakonshme

    E lindur si një vend kulti, Oak Bluffs në ishullin e Martina’s Vineyard është bërë një nga destinacionet më tërheqëse dhe interesante që ka ekzistuar ndonjëherë. Në fund të fundit, si mund të hiqet dorë nga përvoja e të ecurit midis shtëpive që duken sikur burojnë magji?

  • Sa pak përdoren bimët në mjekësi!

    Sa pak përdoren bimët në mjekësi!

    Rreth 4 miliardë njerëz në botë kurohen nga bimët, ose më saktë me medikamente që kanë si bazë substancat vegjetale. Aktualisht mendohet se janë 420 mijë lloje bimësh mbi të cilat ka njohuri të kufizuara nga komuniteti shkencor dhe ndër to nga bota mjekësore përdoren vetëm 35 mijë.

    Të dhënat raportohen nga OBSH. Bëhet e ditur se 80 % e medikamenteve antimikrobike, kardiovaskulare dhe antitumorale, që përdoren në mjekësinë perëndimore, përmbajnë 1 ose më shumë substanca që mbërrijnë nga bimët ose janë prodhuar në mënyrë sintetike prej tyre.

    Megjithatë mjekët dhe kërkuesit e sektorit theksojnë se përdorimi gjithnjë e më i gjerë i produkteve natyrale me origjinë të ndryshme, sjell nevojën për një kontroll më efikas për të vlerësuar drejt efikasitetin e tyre dhe efektet e mundshme kolaterale. Sipas tyre, kontrollet nga institucionet janë të domosdoshme veçanërisht mbi cilësinë e produkteve që hidhen në treg.

  • Brad Pitt, falë karantinës është bërë një baba më i mirë

    Brad Pitt, falë karantinës është bërë një baba më i mirë

    Gjashtë fëmijët e Brad Pitt dhe Angelina Jolie gjatë izolimit zhvendosen vazhdimisht midis shtëpive të dy prindërve. Dhe Brad përfiton nga kjo për t’iu përkushtuar të gjithëve siç nuk e kishte bërë prej kohësh, e mbi të gjitha për të ndrequr marrëdhëniet me të birin Maddox

    Gjatë karantinës nga koronavirusi gjashtë fëmijët e Angelina Jolie dhe Brad Pitt – Maddox, 18 vjeç; Pax, 16; Zahara, 15; Shiloh, 13; dhe binjakët Knox dhe Vivienne, 11 – po transferohen herë në shtëpinë e njërit e herë në shtëpinë e tjetrit të dy prindërve, të cilët janë pesë minuta larg në një nga lagjet më ekskluzive në Los Angeles. Dhe ylli po shfrytëzon mundësinë edhe për të rehabilituar veten si baba: “Brad është më afër se kurrë me fëmijët e tij. Izolimi i ka bashkuar shumë”, thotë një prej zëdhënësve të yllit për Hollywood Life.

    Veçanërisht, për t’u rikuperuar ishte lidhja me të birin, Maddox. Me të, ylli nuk kishte asnjë marrëdhënie që nga 2016. Pra, që kur Angelina Jolie bëri kërkesë për divorc, pas grindjes famëkeqe në bordin e avionit privat: duket se Brad, mbase i dehur, gjatë një sherri me Angelina u hodh kundër Maddox i cili pati ndërhyri në mbrojtje të nënës së tij. Se si shkuan saktësisht gjërat nuk është bërë kurrë e ditur.

    Por një gjë është e sigurt: që nga ajo kohë djaloshi nuk ka dashur kurrë të flasë me atë që e kishte thirrur gjithmonë baba. Dhe pavarësisht përpjekjeve të bëra nga Brad Pitt, përgjigjja kishte qenë gjithmonë një heshtje shurdhuese. Pastaj Maddox ishte larguar jashtë shtetit, në Korenë e Jugut, për të studiuar në Universitetin Yonsei. Dhe situata dukej se ishte pa rrugëdalje. Por prillin e kaluar, tetëmbëdhjetë vjeçari u kthye në Shtetet e Bashkuara nga Seuli, ku semestri i tij shkollor u anulua për shkak të shtimit të infeksioneve.

    Ndërkohë, babai i tij është bërë një njeri i ri. Në 2017, duke e kuptuar se kishte “shkuar shumë larg” dhe se shishja kishte qenë ndër shkaqet kryesore të divorcit me Jolie, ai kërkoi ndihmë nga alkoolistët anonimë dhe rreshti së piri. Rilindja e Pitt gjithashtu ka çuar në një stad të ri cilësor marrëdhëniet me ish-gruan e tij, e cila verën e kaluar e lejoi atë të kalonte kohë vetëm me fëmijët e tij, ndërsa ajo ishte e angazhuar në xhirimin e një filmi jashtë vendit.

    Dhe sot, gjatë karantinës, Angelina i lejon të gjashtë fëmijët e saj të shkojnë nga shtëpia e tyre tek ajo e ish-it. Një mundësi që ylli e rroku në ajër për të ndrequr marrëdhëniet me Maddoxin por edhe për t’iu përkushtuar me gjithë shpirt pjesës tjetër të familjës: “Kishte shumë kohë që Brad qëndronte së bashku me të gjithë fëmijët e tij. Dhe nuk i dedikonte shumë kohë. Por karantina i ka bashkuar më shumë se kurrë. Këto, për të gjitha, janë momente të mrekullueshme”.

  • Kështu e kaloi Kate Middleton nëntë vjetorin e martesës

    Kështu e kaloi Kate Middleton nëntë vjetorin e martesës

    Dukesha e Kembrixhit, në autoizolim në Norfolk, ka punuar edhe punoi ditën kur e përvjetorit të royal wedding të saj me Princin William. Mori pjesë në një videothirrje për nënat e reja dhe fëmijërinë. Detyrat mbretërore para së gjithash

    Edhe një herë në terren, e gatshëm për të kryer detyrat mbretërore. Kate Middleton, siç raporton tabloidi Hello! ka “punuar” edhe ditën e përvjetorit që celebron royal wedding e saj me Princin William në 2011. Nëntë vjet më vonë, Dukesha e Kembrixhit, princi dhe tre fëmijët e tyre (George, Charlotte dhe Louis ) janë të izoluar në shtëpinë e tyre të fshatit, në Amner Hall. Dhe pasdite 38-vjeçarja zhvilloi një takim pune, në streaming, sigurisht.

    Një tryezë e rrumbullakët, përmes lidhjes video, me ente bamirëse dhe organizata që mbështesin gratë shtatzëna dhe nënat e reja, kjo është përparësia e saj ndërmjet detyrave të tjera mbretërore.

    Në fund të fundit, Kate gjithmonë e ka vënë mbrojtjen e fëmijërisë dhe amësisë në krye të listës së saj të detyrave si mbretëresha e ardhshme.

    Dukët e Cambrixhit, të cilët e celebruan dasmën e tyre më 29 Prill nëntë vjet më parë, kanë marë mijëra urime përmes rrjeteve sociale, dhe fansave ata kanë dashur t’i përgjigjen me një postim plot dashuri: “Sot, si nëntë vjet më parë, faleminderit të gjithëve për mesazhet adhuruese në përvjetorin e martesës së Dukës dhe Dukeshës së Kembrixhit”, shkrojtën ata, duke ndarë një fotografi të dasmës tashmë të hyrë në histori. Dhe mes komenteve nuk shpëtoi “zemra” e kushëririt Eugenie të York-ut dhe një “like” i vëllait James Middleton.

  • Viti 0 në financa / Çfarë “fshihet” pas amnistisë, pse nuk mund të përfshihen emigrantët

    Viti 0 në financa / Çfarë “fshihet” pas amnistisë, pse nuk mund të përfshihen emigrantët

    Projekti i Amnistisë së Fiskale, më i madhi i ndërmarrë deri tani, synon të amnistojë kapitalet e padeklaruara të biznesit dhe të ardhurat e individëve, kundrejt një taksimi 3-5%. Do të zerohen borxhet tatimore të biznesit dhe individëve. Studimi i ri për informalitetin zbulon 2,7 miliardë euro në ekonominë gri. Rreziku i amnistimit të parave të krimit. Pse e është pothuajse i pamundur amnistrimi i parave të emigrantëve

    Bizneset në të gjithë vendin po e mirëpresin amnistinë fiskale për kapitalin dhe borxhet tatimore të propozuara në shkurt nga qeveria dhe që doli sërish në skenë ditët e fundit, pavarësisht situatës së krijuar nga Covid-19.

    Bizneset besojnë se amnistia do të mundësojë pastrimin e bilanceve nga borxhet fiktive që kamuflohen në bilancet zyrtare të kompanive si “detyrime të tjera të pagueshme”. Kjo lloj mënyre e akomodimit të evazionit e ka përkeqësuar artificialisht levën financiare të bizneseve, duke bërë që qindra kompani në vendin tonë të vijojnë aktivitetin me borxhe, vlera e të cilave e kalon disa herë kapitalin.

    Sipas burimeve nga Ministria e Financave, projekti i amnistisë fiskale parashikon të legalizojë kapitalet dhe të ardhurat e individëve kundrejt një tatimi 3-5%, të falë borxhet e bizneseve dhe të çlirojë gati 90 mijë biznese nga regjistri pasiv e mijëra individë nga detyrimet tatimore.

    Amnistia do të jetë më gjithëpërfshirësja e ndërmarrë deri më tani dhe do t’i paraprijë një politike krejt të re fiskale, që është bërë gati gjatë fundit të 2019-s në bashkëpunim me FMN-në, ndonëse zbatimi i saj mund të shtyhet në kohë për shkak të krizës së shkaktuar nga Covid 19. Amnistia fiskale synon t’i hapë rrugë një legjislacioni krejt të ri fiskal, që do të prezantohet , në varësi nga situata, vitin tjetër në një paketë fiskale afatmesme, e cila do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2021. Ligji për amnistinë fiskale kërkon 84 vota , të cilat maxhoranca i zotëron, duke e bërë kështu projektin të realizueshëm.

    Ekonomia gri, 2.7 miliardë euro

    “EY Building a Beter Workingworld”, një lider global në çështjet që lidhen me taksat, ka bërë një studim për ekonominë informale të Shqipërisë. Studimi, që është prezantuar së fundmi, ka gjetur se pjesa e punësimit të paregjistruar informal në totalin e punësimit është pothuajse 40% për Shqipërinë në vitin 2017. Po kjo nuk nënkupton se njëjta situatë është edhe në ekonominë hije të Shqipërisë. Sipas vlerësimeve të EY, niveli i përgjithshëm i ekonomisë gri në Shqipëri arriti në 22.0 % e PBB-së ,shumë kjo e barabartë me 341.1 miliardë lekë 2.7 miliardë euro në vitin 2017. Nga të cilat 19.1% e PBB-së (297.0bn lekë) ishte e lidhur me pagesa të parave cash dhe 2.8% e PBB-së (44.2 miliardë lekë ekonomia hije në prodhim).

    Komponenti pasiv (i cili mund të zvogëlohet përmes promovimit të pagesave elektronike) zë 57.1% të ekonomisë-hije të parave (10.9% të PBB-së, ose 164.5 miliardë lekë), ndërsa paratë që nuk mund të kalojnë në këtë sistem janë 8.2% të PBB-së, ose 148.1 miliardë lekë në Shqipëri në 2017. Reduktimi i ekonomisë së vendosur në hije mund të rrisë më tej rëndësinë e masave që adresojnë problemin e ekonomisë së hijes pasive.

    Humbjet e vlerësuara të TVSH-së dhe Tatim Fitimit për shkak të ekzistencës së ekonomisë gri në Shqipëri në vitin 2017 arritën në 2.85% të PBB-së ose 44.3 miliardë lekë, nga të cilat 1.63% e PBB-së 25.3 miliardë lekë ishin të lidhura me ekonominë-hije pasive. Humbjet e TVSH-së arritën në 2.11% të PBB-së (24.2% të totalit të të hyrave të TVSH-së të mbledhura) dhe të hyrat e humbura të Tatimit mbi Fitimin u vlerësuan në 0.75% të PBB-së (35.7% të të ardhurave totale të mbledhura nga CIT).

    Si do të ndahen paratë e krimit nga evazioni

    Ministria e Financave do të aplikojë amnistinë fiskale në bazë të vullnetarizmit. Kjo do të thotë se të gjitha bizneset dhe individët që mendojnë se duhet të përfitojnë nga ky proces, duhet të vetëdeklarohen. Pasi të kenë bërë vetëdeklarimin, ligji për amnistinë do të ngrejë komisione të posaçme me referenca ligjore për të verifikuar origjinën e të ardhurave dhe kapitaleve që do të amnistohen, nëse kërkesa për amnisti nuk përfshin të ardhura që janë krijuar nga aktivitete të ligjshme.

    Por ekspertët ekonomisë dhe bizneset hedhin dyshimin se do të bëhet ky verifikim. Kryetari i Dhomë së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, kërkon që drafti i qeverisë duhet të ndajë në mënyrë të qartë paratë e krimit nga evazioni fiskal. Sipas tij, nëse nuk do të vendosen filtrat për të mos legalizuar paratë e krimit, atëherë do të konkurrohen në mënyrë të pandershme bizneset e ligjshme në Shqipëri. Në këtë rast, amnistia do t’i hapte rrugë legalizimit të ekonomisë së krimit.

    Drafti i qeverisë duhet të ndajë në mënyrë të qartë paratë e krimit nga evazioni fiskal.Nëse nuk do të vendosen filtrat për të mos legalizuar paratë e krimit, atëherë do të konkurrohen në mënyrë të pandershme bizneset e ligjshme në Shqipëri. Në këtë rast, amnistia do t’i hapte rrugë legalizimit të ekonomisë së krimit

    Pas amnistisë, revolucion fiskal

    Kjo amnisti po aplikohet për t’i hapur rrugë një politike të re fiskale që do të ndiqet në tre vitet në vijim. Në fund të vitit të kaluar, qeveria shqiptare në bashkëpunim me FMN-në ka përgatitur një strategji të re për politikat fiskale, të cilat do të ndryshojnë tërësisht bashkë me mënyrën se si bëhet administrimi fiskal.

    Burimet nga Ministria e Financave shpjegojnë se kjo politikë fiskale afatmesme synon që të rrisë të ardhurat në raport me PBB-në në 30 për qind, nga rreth 27 që është aktualisht, niveli më i ulët në Europë. Mirëpo, që kjo politikë e re fiskale të funksionojë, qeveria e Shqipërisë mendon të nisë një vit zero në sistemin fiskal, ku pas amnistisë fiskale është bërë gati të aplikojë një model të ri taksimi. Mirëpo këto projekte rrezikojnë të jetësohen për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, që do të mbahen gjatë vitit të ardhshëm.

    Skema, ja si e kanë kamufluar evazionin bizneset në bilance

    Një nga kompanitë e njohura në vend në sektorin e tregtisë për ndriçues, pajisje hidraulike dhe elektrike, i ka borxhet në bilancin e 2018-s gati 7 herë më të larta se kapitali. Borxhet që arrijnë vlerën e 10 milionë eurove, në masën 90 për qind nuk janë detyrime ndaj bankave, por raportohen nën zërin “të tjera të pagueshme”, ndërsa kapitali i kompanisë është vetëm 1,5 milionë euro. Teorikisht, kompania duhet të kishte shpallur falimentin pasi me një ekonomi me rregulla, kur borxhet janë mbi 1.5-2 herë më të larta se kapitali, aktiviteti bëhet i pamundur.

    Por në rastin e Shqipërisë, kjo teori nuk gjen zbatim për të paktën 50 për qind të 200 bizneseve të mëdha, për të cilat Qendra e Kërkimeve “Monitor”, verifikoi në vitin 2014 se kishin borxhe shumë herë më të larta se kapitali në bilancet zyrtare.

    Ekonomistët shpjegojnë se akumulimi i lartë e detyrimeve ndaj të tretëve është pikërisht zëri, që në një masë të madhe tregon evazionin fiskal, i cili në bilance raportohet si borxh. Të ardhurat që janë siguruar nga kompanitë prej mosfaturimit ose deklarimit më të ulët të çmimit të shitjeve, janë raportuar në bilanc si hua nga tretët.

    Kontabilisti Ahmet Gjinishi shpjegon se borxhet ndaj të tretëve në bilancet e kompanive në pjesën dërrmuese të tyre është evazioni fiskal.

    Në përpjekje për të paguar më pak taksa, ka biznese që kanë rritur fiktivisht detyrimet, si përmes fryrjes së faturave, ashtu dhe huave fiktive nga ortakët apo të tretët. Rudina Malaj, ekonomiste në disa kompani në fushën e tregtisë, shpjegon se disa kompani, kryesisht ato që punonin me mall të importuar dhe që e kishin të pamundur që në vendin e origjinës të “rregullonin” vlerën e mallit, pasi deklaronin në tatime fatura shitjeje malli me çmim më të ulët se ajo që realisht shisnin (me qëllim që të shmangnin detyrime të tilla si TVSH apo Tatim Fitimi) përfundonin me pasqyra financiare të mbifryra artificialisht në zërin e detyrimeve.

    Ekonomistët e firmave pohojnë se një tjetër manovër e bizneseve që ka rritur detyrimet në mënyrë fiktive është marrja e huave fiktive nga ortakët apo të afërmit për të mbuluar të hyrat e pajustifikuara në arkë (të krijuara p.sh. nga diferencat e çmimeve reale me ato të raportuara, me synim shmangien e TVSH-së).

    Ndonëse kjo sa vjen e bëhet më e vështirë për shkak të uljes së kufirit të transaksioneve që kryhen përmes bankave, detyrimet fiktive në bilancet e kompanive po kthehen në një gangrenë për shumë biznese, që po ndërgjegjësohen se tashmë po u kushton më shumë të mbajnë këto bilance të fryra. Ky evazion pritet të legalizohet nga Qeveria e Shqipërisë sipas një nisme për amnisti të kapitaleve që ka propozuar kryeministri Edi Rama gjatë kongresit të Partisë Socialiste në ditët e fundit të muajit shkurt.

    Projekti për amnistinë, si do ndahen paratë e krimit

    Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se biznesi ka 12 vite që kërkon amnistinë e kapitalit. Një tarifë 3 për qind, sipas tij, është e logjikshme, por ai tha se ky proces duhet të zhveshë nga amnistia paratë e krimit dhe personave dhe organizatave që janë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit (OFL).

    Por kontabilistët shpjegojnë se ky proces është shumë i vështirë, pasi paratë e krimit tashmë po pastrohen në biznese të ligjshme. Mundësitë për të ndarë rrjedhat e parasë së krimit në një biznes të ligjshëm janë të pamundura. Penetrimi i parave të krimit te bizneset është bërë një fenomen i zakonshëm në Shqipëri, teksa Banka Qendrore vitin e kaluar në raportin e mbikëqyrjes vuri në dukje se llogaritë e fryra të biznesit në banka shpesh nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.

    Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka vënë në dukje se, gjatë vitit 2018 vihet re një dominim i treguesve si: transfertat e dyshimta, blerjet e pasurive të paluajtshme/luajtshme me burim të panjohur të fondeve, përdorimi i llogarisë individuale për qëllime biznesi me derdhjet e larta në para fizike, si dhe sponsorizime, dhurime, dhënie huaje nga për të tretë te biznesit që shpeshherë janë tentativa për pastrim parash nga krimi dhe korrupsioni.

    Paratë e emigrantëve, amnistia shqiptare nuk funksionon në juridiksione të tjera

    Amnistia që ka propozuar qeveria shqiptare ka në fokus edhe legalizimin vlerave monetare të emigrantëve, të krijuar kryesisht nga puna në të zezë. A.N. që ka një biznes të mesëm në sektorin e ndërtimit në afërsi të Frankfurtit, tha se e ka të pamundur të legalizojë të ardhurat që ka krijuar nga evazioni fiskal në Gjermani, edhe pse qeveria shqiptare mund ta mundësojë amnistinë.

    Ai pohon se ka krijuar një sasi parash cash, duke bërë evazion fiskal, të cilat nuk i ka deklaruar në bankë. Paratë janë krijuar duke paguar taksat e punës në shtet për 10 punëtorët e tij për orë më të shkurtra pune nga sa punohet në të vërtetë. Punonjësit e tij punojnë gati 10 orë në ditë por A.N. paguan sigurimet dhe tatimet mbi pagën për 6 orë punë në ditë.

    Çfarëdolloj ligji të miratojë qeveria shqiptare, A.N. thotë se nuk prevalojnë në Gjermani dhe ky evazion nuk mund të transferohet nëpërmjet sistemit bankar dhe asnjë kanali tjetër zyrtar. Ai tha se edhe në rast të një transferimi cash, e ka të pamundur të hapë një llogari me emrin e tij në Shqipëri.

    Dënimet për evazion fiskal janë shumë të rënda në Gjermani dhe se është një sistem vigjilent verifikimi për llogaritë e bizneseve gjermane jashtë vendit. Sistemet tatimore gjermane janë të afta të gjurmojnë llogaritë e tatimpaguesve në banka të tjera përveç Gjermanisë. Prej më shumë se 10 vitesh, aktivitet biznesi në Gjermani, A.N. ka arritur në konkluzionin se nuk ia vlen të bësh evazion fiskal. Në Gjermani është e pamundur që të rifusësh në sistem paratë e akumuluara me evazion. Madje, shumë shpejt ato nuk mund të përdoren as për gjëra të vogla konsumi, pasi Gjermania po shkon drejt reduktimit total të blerjeve në cash.

    Juristi Adriatik Llapaj pohoi se procesi amnistisë fiskale nuk mund t’iu shërbejë emigranteve. Ai tha se emigrantët nuk mund të deklarojnë të ardhurat që i kanë siguruar në të zezë në bankat e vendeve ku janë. Kjo veprimtari konsiderohet vepër penale me ligjet në fuqi të shteteve përkatëse. Sisteme të ngjashme kanë edhe vende të tjera të zhvilluara, ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Paratë dhe kursimet që janë grumbulluar nga evazioni fiskal dhe puna në të zezë nuk mund të transferohen në rrugë të ligjshme në Shqipëri, për shkak se amnistia fiskale nuk është e vlefshme në juridiksionet ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë.

    Juristët

    Paratë dhe kursimet që janë grumbulluar nga evazioni fiskal dhe puna në të zezë nuk mund të transferohen në rrugë të ligjshme në Shqipëri, për shkak se amnistia fiskale nuk është e vlefshme në juridiksionet ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë.

    Precedentët shqiptarë të amnistive

    Qeveritë shqiptare që nga viti 1999 kanë tentuar në vazhdimësi të aplikojnë amnisti fiskale gjithëpërfshirëse, por nismat nuk janë mundësuar pasi maxhorancat parlamentare të mëparshme nuk kanë pasur 84 votat e nevojshme për të miratuar ligjin për amnistinë e madhe fiskale, që përfshin legalizimin e kapitaleve të fshehura dhe pastrimin e borxheve tatimore.

    Përpjekja më e madhe e këtij lloji është bërë nga qeveria “Berisha”, në vitin 2011. Qeveria demokratike e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, hartoi një ligj “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, që synim kishte faljen apo fshirjen nga regjistrat e kontabilitetit tatimor të detyrimeve dhe gjobave të papaguara deri më datën 31.12.2010.

    Amnistia u falte pjesërisht tatimpaguesve borxhet tatimore dhe doganore të tilla si:

    – detyrimet tatimore të personave fizikë, të regjistruara si subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël, të mbetura të papaguara e që i përkasin periudhës tatimore deri më 31 dhjetor 2010;

    – detyrimet tatimore të papaguara të individëve për periudhën tatimore deri më 31 dhjetor 2010.

    – detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2008.

    – të gjitha detyrimet e prapambetura të pronarëve të mjeteve për taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor për periudhën deri më 31 dhjetor 2010.

    – iu falen detyrimet për këto taksa, për të gjitha mjetet e dala jashtë qarkullimit, por të paçregjistruara deri në datën 31 dhjetor 2010.

    Sipas ligjit të vitit 2011, do të faleshin detyrimet e papaguara të tatimpaguesve subjekt i TVSH-së, nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2009, nëse tatimpaguesi, paguan 30 për qind të principalit të tatimit. Ndërsa për ata tatimpagues të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2010 deri më 31 dhjetor 2010, falen nëse tatimpaguesi paguan 50 për qind të principalit të tatimit. Po ashtu, ka pasur edhe një sërë faljesh të tjera, si për detyrimet shoqërore apo për efektivitetin e kasave fiskale.

    Më vonë, në një raport të KLSH-së për “amnistinë e gjobave”, në maj të vitit 2018, thuhet se për atë vendim nuk ka ende asnjë shifër konkrete se sa ka përfituar buxheti. “Nuk mohohet ndikimi që ka dhënë në rritjen e të ardhurave të buxhetit, sidomos të viteve 2012-2013, kur edhe kjo amnisti është zbatuar. Thuhet se janë përfituar me miliarda lekë nga kjo amnisti, sidomos për legalizimin e kapitalit në drejtim të rivlerësimit të tokave dhe banesave, por nuk pati asnjë bilanc konkret për përfitimet”.

    Në fillim të vitit 2016, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ndërmori një nismë për amnisti të pjesshme fiskale, e cila nuk u finalizua tërësisht. Drafti paraprak i faljes fiskale, i propozuar në korrik 2016, parashikonte faljen e plotë të detyrimeve deri në vitin 2011 dhe pas këtij viti do të falej 30% e detyrimit dhe gjobat e kamatë-vonesat për ata që paguanin pjesën tjetër prej 70% të detyrimeve.

    Në shtator 2016, drafti i faljes u la pezull, pas kundërshtimeve të FMN-së, e cila kërkoi me forcë që të fshiheshin vetëm ato detyrime që ishin të pamundura për t’u mbledhur dhe të bëhej maksimumi për të arkëtuar detyrimet e mbledhshme. Edhe ministri i Financave, Ahmetaj, u tërhoq dhe tha se nuk ka falje të detyrimeve, por “nga viti 2010 deri në vitin 2014 do të ketë lehtësi për ata që paguajnë detyrimin e plotë. Ata që paguajnë detyrimet do të kenë lehtësi në interesa dhe në gjoba, ndërsa atyre që nuk i paguajnë, do t’u mblidhet detyrimi me forcë me anë të gjithë instrumenteve”.

    Kompanitë VIP, të zhytura në borxhe

    Qendra e Kërkimeve “Monitor” ka përpunuar të dhënat e bilanceve të vitit 2013 për 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor (përjashtuar institucionet financiare) të dorëzuara në QKR dhe ka nxjerrë treguesin e detyrimeve mbi kapitalin, që tregon se sa pjesë e aktivitetit financohet nga fondet e vetë kompanisë dhe sa me borxhe.

    Nga përpunimi i të dhënave rezulton se nga 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor (përjashtuar institucionet financiare), 51% kanë një raport të detyrimeve ndaj kapitalit më të lartë se 1.5, sa është dhe kufiri maksimal, ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm. 4% e kompanive janë me kapital negativ, ndërsa pjesa tjetër e ka këtë tregues të qëndrueshëm. Kompanitë me nivel të lartë detyrimesh në raport me kapitalin janë ato të tregtisë, sektorit të hidrokarbureve, por edhe kompani të ndërtimit.

    Në vitin 2014 ishin së paku 8 kompani në listën e 200 më të mëdhenjve sipas xhiros me kapital negativ, të krijuar si rrjedhojë e kalimit të humbjeve në kapital. Raporti optimal i borxhit ndaj kapitalit konsiderohet të jetë 1, pra detyrimet-kapitalin, por ky raport është shumë i varur nga industria specifike, sepse varet nga përbërja e aktive korente dhe jo korente. Sa më shumë aktive jo korente (si industritë me kapital intensiv), aq më shumë kapital kërkohet për të financuar këto investime afatgjata.

    Për pjesën më të madhe të kompanive, raporti i pranueshëm maksimal i detyrimeve ndaj kapitalit është maksimumi 1.5-2. Për kompanitë e mëdha publike, ky raport mund të jetë më shumë se dy, por për pjesën më të madhe të kompanive të mesme dhe të vogla, kjo nuk është e pranueshme.

    Kompanitë e vendeve të zhvilluara (SHBA, Europë etj.) kanë një raport prej 1.5. Fondet e aksionerëve (pronarëve) përfaqësojnë një burim të përhershëm të financimit dhe detyrimet afatshkurtra (që duhen paguar brenda një viti) janë një burim afatshkurtër i financimit të kompanisë. Mes këtyre dy ekstremeve është një burim i tretë financimi borxhi afatgjatë (më shumë se një vit)./Monitor

  • I nxehtë rekord në Polin e Veriut, deri 20 gradë më shumë

    I nxehtë rekord në Polin e Veriut, deri 20 gradë më shumë

    GazetaTjeter.com – Temperaturat e larta mund të sjellin pasoja serioze natyrore dhe mjedisore. Nga shkrirja e akullit, tek kthimi i dimrit në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, deri tek tornadot në shtetet qendrore të SHBA

    Në Polin e Veriut ka një i nxehtë rekord: temperatura madje ka arritur 20 gradë më shumë sesa mesataret klimatike që ka normalisht në Rrethin polar Arktik.

    Hartat e qendrës së motit të amerikane GFS (Global forecast system) tregojnë se Poli i Veriut në këtë periudhë është i ndikuar nga një fluks ajror i ‘nxehtë ’që vjen nga Azia dhe drejtohet në zonën e Arktikut. Pasojat e temperaturave të larta janë frika e përshpejtimit të shkrirjes së akullit, dhe pasoja të tjera mjedisore si kthimi i të ftohtit në Kanada dhe SHBA.

    Presioni i lartë nga Azia ka mundur të arrijë në zonat arktike, duke prekur edhe Siberinë. Por është shqetësuese për shkallën e shkrirjes së akujve arktikë, që ndodhen nën mesatare, dhe tani janë duke u holluar edhe më shumë.

    Pasojat serioze natyrore dhe mjedisore janë denoncuar për vite me radhë. Një nga këto pasoja mund të jetë një ‘rrjedhje’’ ajrore e ngrirë nga zona e Arktikut, që mund të shpërndahet në Amerikën e Veriut, duke e rikthyer kështu dimrin në disa shtete në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.

    Një rrezik tjetër do të ishte përplasja midis këtyre rrymave të ftohta me ato më të ngrohta, që vijnë nga Gjiri i Meksikës, që do të shkaktonte ‘super-qelizat’ e famshme në shtetet qendrore të SHBA, të cilat do të binin nga pre e tornadove të ndryshme që mund të formoheshin.

  • Si i burgosi dhe i mohoi djemtë e Ismail Qemalit regjimi komunist

    Si i burgosi dhe i mohoi djemtë e Ismail Qemalit regjimi komunist

    Historia pak e njohur e përndjekjes së djemve dhe pasardhësve të Ismail Qemalit, të cilët gjatë diktaturës u detyruan të ndryshonin edhe mbiemrin

    Nuk ka shqiptar që të mos njohë Ismail Qemalin, por nëse dikush do pyeste për pasardhësit e tij, shumica nuk do mund t’i përgjigjej qoftë dhe me një fjalë. Një errësirë e papritur mbulon dijeninë tonë për familjen e Ismail beut. Asnjë emër, asnjë ngjarje, përjashto studiuesen Nermin Falaschi Vlora, e cila u bë e njohur me veprimtarinë e saj të spikatur vitet e fundit të shekullit të kaluar dhe kjo, sapo nis ta mendosh, duket e çuditshme. E çuditshme, si po mendon për këtë fakt, vetëm pas kaq shumë vitesh; si mund të shuhej në heshtje një prej familjeve më në zë shqiptare; si mund, aq më tepër në një vend të vogël e të obsesionuar pas marrëdhënieve familjare si Shqipëria, të mos dihet asgjë për pasardhësit e një prej njerëzve më të rëndësishëm të historisë, figura e të cilit është njohur dhe nderuar në të gjitha periudhat historike që e pasuan. Por ja që kjo nuk ka ndodhur vetvetiu apo rastësisht. Ai terr i plotë njohurish për familjen e Ismail bej Vlorës, u fabrikua gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Sapo u instalua, diktatura dënoi me burg njërin nga djemtë e Ismail Qemalit, ndërsa tjetrit i ndërpreu pensionin patriotik duke e detyruar të largohej nga Shqipëria, ndërkohë që të gjithë pasardhësit e mbetur në Shqipëri, i detyroi ta ndryshonin mbiemrin e familjes, Vlora, për të marrë një mbiemër tjetër, konkretisht Ismaili. Si përfundim, për ta pastruar plotësisht faqen e fshirë të familjes Vlora nga historia, qoftë edhe jozyrtare, u përhap legjenda e rreme që Ismail Qemali nuk kishte lënë pasardhës. “Regjimi komunist përkujtonte burrin që shpalli Pavarësinë, por denigronte familjen e tij, madje deri aty sa u tha se Ismail Qemali nuk ishte martuar e nuk trashëgoi fëmijë”, ka thënë në një intervistë të para disa viteve, nipi i njërit prej atyre 9 fëmijëve të mohuar të Ismail Qemalit: gjashtë djem e tri vajza, djalit të vogël të tij, Qamilit. Darling Vlora ka treguar sesi familja u detyrua të ndryshojë mbiemrin dhe asnjë anëtar i saj nuk u ftua në festimet e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1962, sikur kjo familje të mos ekzistonte.

    Në dhjetor 1946, Qamil Vlorën, një intelektual mendjehapur që njihte 12 gjuhë të huaja, e arrestuan me akuzën e armëmbajtjes pa lejë dhe e dënuan me dy vjet burg, kohë në të cilën ai u sëmur me tuberkuloz dhe ndërroi jetë pak kohë pas daljes nga burgu. Shumë më tepër sesa për fushatën e çarmatosjes, ky dënim flet për fushatën e spastrimit të vendit nga familjet me ndikim dhe sigurisht që asnjë nuk mund të krahasohej me Vlorajt, për vetë rolin që kishte luajtur Ismail beu, të cilin edhe shteti i ri komunist, ishte i detyruar ta nderonte. Në dukje. Ndaj edhe dënimin e djalit të tij, e maskuan. Siç tregojnë dokumentet zyrtare dhe siç dëshmon nipi tjetër i Qamil Vlorës, Qemali, në dokumentarin e Fatos Veliut “Kur burgosnim djemtë e Ismail Qemalit”, në shkresat e mëvonshme të dënimit të tij, atësia është ndryshuar nga Ismail në Ibrahim, në mënyrë që të mos mësohej si sillej shteti i ri komunist me të birin e themeluesit të shtetit shqiptar. Ata që duhet ta merrnin mesazhin ishin familjarët e Ismail Qemalit dhe diktatura e jepte atë përmes mjeteve të saj klasike: burgosjeve fizike që izolonin pastaj në burgje frike, ata që mbeteshin jashtë. Është e vështirë të mendosh rrezikun konkret që mund t’i vinte shtetit komunist nga djemtë e Ismail Qemalit, aq më tepër që shtëpitë e tyre, kishin shërbyer si baza të luftës nacionalçlrimtare, por tashmë është fakt i njohur ndëshkimi gjatë diktaturës i të gjitha familjeve në zë të periudhave të mëparshme dhe pinjollëve të tyre. Shumica e tyre u shpallën armiq. Këtë, diktatura, nuk mund ta bënte me familjen e Ismail Qemalit, por, fshehtas, edhe atë e ndëshkoi si gjithë familjet e tjera të rëndësishme. Që dënimi i Qamil Vlorës, nuk ishte masa e një shteti ligjor kundër armëmbajtjes, provon edhe fakti që në fund të jetës së tij, kur kërkoi për të takuar djalin që e kishte ushtar, këtij nuk i dhanë lejë për të shkuar te i ati.

    Dhe nëse Qamilin, shteti e mbylli në burgun 313 të Tiranës, një tjetër djali të Ismailit, Qazimit, i ndërpreu pensionin patriotik, që as qeveritë gjatë pushtimit fashist e nazist nuk ia mohuan. Qazimi ishte një nga këshilltarët e të atit, të cilin ai e mbante gjithmonë me vete. Gjatë viteve 1910-1912 kishte furnizuar kryengritësit shqiptarë me armë, në 1913-ën kishte shoqëruar të atin në Konferencën e Londrës dhe ishte thuajse kudo pranë tij, edhe në Peruxhia ku Ismail Qemali ndërroi jetë duke i thënë të birit: “Nuk ju lashë pasuri, por ju lashë pasurinë më të madhe, Shqipërinë”. Atë Shqipëri që i ati, me të në krah, e shpalli të pavarur, Qazimi nuk do ta gëzonte pas vendosjes së diktaturës. Atij iu ndërpre pensioni patriotik nga qeveria dhe kur shkoi të ballafaqohej me Enver Hoxhën, për t’i thënë që ai pension i takonte si i biri i Ismail Qemalit, ky iu përgjigj: Kushdo që të jesh, nuk të takon. Bisedën në zyrën e kryeministrit të atëhershëm, e ka treguar, Edip Ohri, djali i bashkëshortes së Qazimit, i cili u martua me Behijen pas humbjes së të shoqit dhe nuk pati fëmijë të vetët me të. Fill më pas, Qazimi shkoi në shtëpi, ku i tha së shoqes të bënte plaçkat gati se do të largoheshin nga Shqipëria.

    Pasardhësit që jetuan në Tiranë, u mbajtën në hije. Siç tregon stërmbesa e Ismail Qemalit, Ariana, ajo kurrë nuk pati ndonjë vlerësim moral të veçantë gjatë viteve të shkollës, ndërkohë që i ati, i arsimuar në Perëndim dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, që mbante emrin e gjyshit të tij, Ismail, punoi gjithë kohës si punëtor.

    Burgjet komuniste dënuan edhe bashkëshortët e mbesave të Ismail Qemalit: gjeneralin austriak Gustav Mirdash me pushkatim dhe diplomatin Xhemal Frashëri me burg që e kreu në Burrel. Këto dënime nuk kishin arsye marrëdhënien familjare me Ismail Qemalin, por dëshmojnë goditjen që diktatura i dha kësaj familjeje, e cila jo vetëm nuk ishte e privilegjuar gjatë atyre viteve, por u detyrua ta fshehë afërsinë me Ismail Qemalin, njeriun që i zgjon nderim çdo shqiptari./Kujto

  • Strategjia e daljes dhe kërcënimi që vjen nga normaliteti i ri!

    Strategjia e daljes dhe kërcënimi që vjen nga normaliteti i ri!

    Pandemia e COVID-19 e ka vënë gjithë botën në provë, duke imponuar një distancim social, që ka bërë të rivlerësojmë zakonet e përditshme, nga shtrëngimi i dorës, aktivitetet e ndryshme në grupe, mënyra si argëtohemi e deri tek akti i thjeshtë i hapjes së një dere.

    Kjo për shkak se virusi përhapet përmes afërsisë fizike: kontakti i drejtpërdrejtë midis njerëzve (shtrëngime duarsh, puthje dhe përqafime), kollitje, apo edhe prekja e objekteve me pikat e kontaminuara. Shuma e të gjitha këtyre kontakteve formon një rrjet të madh dhe dinamik – ashtu si Facebook harton ndërveprimet tona sociale në internet. Shkëputja ose dobësimi i këtij rrjeti të gjerë është qëllimi kryesor i masave për distancimin shoqëror, në të gjithë botën. Deri tani, këto masa ia kanë dalë të ngadalësojnë përhapjen dhe të frenojnë jetët e humbura, megjithëse duket se ende jemi në gjysmë të rrugës.

    Gjithsesi, pas rreth dy muajsh në izolim, shtetet, kush më shumë e kush më pak, po përgatiten për një strategji graduale daljeje nga izolimi. Në dilemën mes ruajtjes së shëndetit dhe moskalimit të ekonomisë në kolaps, duket se po kërkohet një e mesme e përpjesshme.

    Dy janë elementet kryesore në këtë dalje. Së pari, testimet dhe gjurmimet e kontakteve janë thelbësore për mbajtjen e virusit nën kontroll. Shtetet, që nuk arritën të investojnë sa duhet në këtë pikë, rrezikojnë që të kthehen në pikën e nisjes, me një të rënë të lapsit. Dhe rreziku i një vale të dytë do të kishte pasoja më të mëdha sesa i pari, pasi do ta gjente ekonominë e çdo vendi shumë më të dobësuar dhe qeveritë me municione të mbaruara “për të luftuar” armikun e padukshëm.

    Së dyti, ajo për të cilën po flitet gjithnjë e më shumë është normaliteti i ri. Asgjë nuk do të jetë më si më parë, të paktën në një afat të mesëm, apo për sa kohë që nuk do të ketë një vaksinë. Jeta, ashtu siç e njohim sot, gradualisht do të zëvendësohet nga një botë tjetër. Një botë ku njerëzit janë më të kujdesshëm, do të ruajnë distancat, duke ndryshuar tërësisht mënyrën se si ndërveprohet sot, si në punë, ashtu dhe në marrëdhëniet shoqërore. Për shumë kohë, jeta do të vazhdojë të kufizohet dhe ekonomitë do të mbeten të ndrydhura.

    Edhe Shqipëria do të jetë e detyruar që t’i përshtatet këtij normaliteti të ri. Fatkeqësisht, për vetë strukturën e ekonomisë sonë, jemi të dënuar që në nisje dhe virusi vetëm sa do ta nxjerrë në pah sëmundjen nga e cila vuanim prej kohësh. Rreth 17 mijë biznese në vend, ose 16% e totalit, janë bare e restorante, pjesa më e madhe e të cilëve janë të destinuar të falimentojnë. Në total, rreth 93 mijë biznese (nga 107 mijë në total) janë me 1-4 të punësuar, sipas të dhënave të INSTAT.

    Rreth 83% e tyre janë në tre sektorë, tregti, shërbime dhe akomodim ushqimor, që do të përjetojnë metamorfozën më të madhe nga normaliteti i ri i përshtatjes me COVID-19. Hapja e një bari, e një dyqani poshtë lagjes, e një njësi tregtimi veshjesh, e një parukerie, apo shërbimi tjetër ka qenë forma që ka gjetur gjithsesi për të mbijetuar. Shqipëria është një ekonomi konsumi dhe pikërisht konsumi do të jetë i pari që do të goditet, me individët që, duke pasur më pak të ardhura në dispozicion, do të kryejnë vetëm shpenzimet minimale. Këto biznese kanë probabilitet më të lartë të selektohen, duke rrezikuar një krizë sociale. Në ndërmarrjet e vogla ka gjithsej rreth 150 mijë të punësuar, ose një e treta e totalit.

    Edhe sektori i industrisë përpunuese, një tjetër punësues i madh në vend, me rreth 106 mijë të punësuar, gjysma e të cilëve në tekstile e këpucë, është tepër i brishtë, teksa ka si avantazh kryesor vetëm koston e lirë të fuqisë punëtore. Ndërtimi është sektori tjetër me peshë në ekonomi, por kanalizimi i parave vitet e fundit në apartamente nuk sjell asnjë shërim sot.

    Teknologjia e Informacionit (IT), biznesi i së ardhmes dhe i vetmi që do të mund të lehtësonte pak sëmundjen, kontribuon vetëm 0.5% në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Jo më kot Serbia, një model rajonal për zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit, ku IT zë rreth 6% të PBB-së pritet të ketë recesionin më të lehtë, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

    Me këtë strukturë të ekonomisë që kemi dhe që do të goditet veçanërisht në shërbime, e meqë nuk prodhojmë gjë në vend e me të rinjtë që nuk gjejnë mundësi për të punuar e për të jetuar në vend, a rrezikojmë të kemi edhe një valë tjetër largimesh sapo të ketë një hapje kufijsh me botën e Europën, ashtu si shumë të rinj e kanë gjetur këtë rrugë gjatë viteve të fundit?

    Vaksina për ekonominë shqiptare do të jetë edhe më e vështirë për t’u gjetur, se ajo për luftimin e infeksionit. Sëmundja që e kemi neglizhuar prej kohësh ka gërryer bizneset dhe do të duhet një kurë shumë e fortë për t’u përshtatur me normalitetin e ri./ Monitor

  • Leonard Veizi – Tmerri pas karantine, ngado “mbijnë” gotat e kafesë

    Leonard Veizi – Tmerri pas karantine, ngado “mbijnë” gotat e kafesë

    Shqiptarë, mos kini frikë. Nuk ka sëmundje që na kap ne. As “Covidi”, as “Sarsi” e “Mersi”, as gripi sezonal, madje as murtaja nuk ka ç’na bën. Nuk është puna vetëm tek ato vaksinat TBC që na i ka bërë xhaxhi Enver me detyrim e që na kanë mbetur si vula poste nëpër trup. Jemi thjesht imunë nga natyra. Ç’them dhe unë, Perëndia na ka bërë të fortë e rezistentë sa më s’ka. Jemi si të thuash… derra. Prandaj “gripi i derrit” s’ka ç’na bën. Përplaset te ne dhe kthehet pas. Epo…, antitrupa të të njëjtës familje.

    Karantina thuajse mbaroi. Ai “i gjati” toleroi dhe na e hapi ca rubinetin. Njerëzia po janë turrur rrugëve sikur kanë dalë nga 313-ta. Unë vetë kam qenë partizan i heqjes së karantinës, të paktën pas tre javëve të para. Sepse jam i mendimit që jo vetëm jeta është në plan të parë por dhe mundësia për të qenë i lirë brenda jetës tënde është po aq e rëndësishme. Se mund të jetosh tërë jetën në karantinë, 80 apo 90 vite, por praktikisht je i vdekur. Mirëpo, domosdo, kush ma dëgjoi zërin mua?! Dhe mirë bënë. Pas gjashtë javëve u pa rezultati. Fëmijët vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, se shkollat janë të mbyllura. Por nënat e baballarët e kalamajve ia kanë kërcitur me kafe, në çdo qoshkë, furrë buke e minimarket. Pi kafe me gota kartoni njëpërdorimshme e hidh në rrugë. Pi ndonjë gotë rakie me gota plastike e vërvit nga jeshillëku për të humbur gjurmët. As që e rruan njeri t’i hedhë mbeturinat në kosh edhe pse ato janë montuar në çdo shtyllë elektriku.

    Sa po i gëzoheshim faktit se për shkak të karantinës ajri ishte pastruar në të gjithë trevën, qytet e rrethina, dhe pesëmbëdhjetëkatëshi shihej nga maja e Dajtit aty ky janë antenat e televizioneve. Po kush të le të gëzohesh mor jahu. Le që pse duhet me u gëzu kaq shumë?

    “Është pastruar deti” – më thanë ca durrsakë… Po or po, mos u bëni merak, ja sa të fillojë sezoni pa ta shihni ju. Do ta kthejmë atë të shkretë Adriatik në një WC gjigande…

    Ne nga natyra jemi sanguinë, mesdhetarë mo, ç’i do llafet. Marrim rreze me shumicë e s’na durohet. Prandaj ha patatina dhe hidh qeset në rrugë. Pi coca-cola e vërtiti kanoçet ku të mundësh. Mbaj maska në fytyrë e pasi mbaron punë e hedh po në rrugë. Mbaj doreza plastike për t’u ruajtur nga papastërtitë e si mbaron punë sërish i hedh në rrugë. Po pse në shtëpi do futemi ne me turli lloj mbetjesh toksike. Larg pisllëku nga kalamajtë tanë. Atje në rrugë le të qëndrojnë, derisa t’i heqë bashkia, se për atë punë i merr taksat.

    Por nuk është vetëm kjo; në rrugë padyshim nuk ecën dot se të merr përpara ndonjë makinë, por edhe në trotuar vështirë të ecësh, pasi në çdo metër katror do të gjesh të ndoturat e qenve, që me sa duket edhe ata kanë dalë nga karantina e po i gëzohen lirisë. Kapërcim me pengesa… Dhe sado atlet të jesh, si zor t’ia hedhësh pa e zhytur këmbë në m…

    Kjo është tabloja e re sinoptike e kryeqytetit në këto ditë fundprilli. Tirana në mënyrë të pashembullt, të paturpë e të pacipë është qelbur.

    Ore jeni në metro, apo keni rrëshqitur përfundimisht? Këtu është bërë për të vënë kujën. Ikëm nga shiu po biem në breshër. E përse duhen mbajtur këto mjete mbrojtëse kur si përfundim nuk hyjnë fare në punë. Pështyma ngado, mbetjet e qenve gjithashtu. Nuk ke nga hedh hapat. As tabelat e vizatuara në rrugë për mbajtjen e distancës, – që kanë mbirë kudo në Tiranë, – nuk bëjnë punë. Me këmbët plot pisllëqe futemi në shtëpi. I çojmë aty të gjitha papastërtitë e viruset që kemi marrë rrugëve. Por ja shifrat e të intektuarve nuk janë për të dhënë alarmin. Përsëri nuk na ka gjetur gjë. Jemi kockë e fortë ne. Jo “Covidi” që është një çikërrimë, por as kolera nuk ka ç’na bën. Ehu, sa tallaze kanë kaluar këtej nga anët tona, do na kishte shuar me farë e me rrënjë. Por jo, ne kemi mbijetuar.

    Tek e fundit kur s’na bëri gjë as turku, çdo na bëjnë një virus kinez.