Blog

  • Rishfaqet Melania, e akullt me Trump. Dhe kopjon Meghanin

    Rishfaqet Melania, e akullt me Trump. Dhe kopjon Meghanin

    Melania Trump është rishfaqur përsëri në publik. Rasti është i veçantë: First Lady e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mori pjesë në ceremoninë e mbjelljes së pemëve në Shtëpinë e Bardhë për të festuar Ditën Botërore të Tokës. Dhe për outfit-in e saj është inspiruar nga Meghan Markle.

    Nga krah të Presidentit

    First Lady e shoqëroi Donald Trumpin gjatë gjithë eventit. Të dy mbërritën në vendin e ceremonisë krah për krah, por pa u prekur kurrë me njëri-tjetrin. Të ndryshëm edhe për sa i përket look-ut: nëse ai zgjodhi një veshje blu shumë elegante, ajo bëri një zgjedhje jashtë normales.

    Me një trench që bën modë

    Melania Trump për këtë rast kishte veshur një trench ngjyrë jeshile ushtarake, plotësisht të mbyllur, që i shërbeu edhe si veshje gjatë eventit. Një zgjedhje e guximshme dhe e rastësishme, por jashtëzakonisht e përshtatshme për kontekstin dhe e destinuar për të krijuar një trend.

    Modeli është Meghan Markle

    Trench-i me ngjyrë të gjelbërt version ushtarak i përshtatet në mënyrë të përsosur. Dhe duhet thënë se, frymëzimi vjen nga një tjetër grua, e cila, me outfit-et e saj, nuk zhgënjen asnjëherë. Ajo është Meghan Markle, që në të kaluarën kishte veshur të njëjtën veshje.

    Diferencat me Meghan

    Melania dhe Meghan janë megjithatë dy gra shumë të ndryshme. E nëse Markle ka preferuar të linte hapur trench-in e saj, duke treguar veshjen e veshur nën të, First Lady e Shteteve të Bashkuara guxonte të përdorte atë si të vetmen veshje. Shumë i ngjashëm, megjithatë, make-up e të dyjave.

    Puhiza e erës zbulon sekretin

    Trench apo fustan? Për të hequr pdo dyshim u desh një puhi ere, e cila ngriti një pjesë të veshjes. Nuk ka dyshim: Melania Trump ka dashur të vishte trench-in si një fustan të vërtetë.

    Aksesorët

    Trenchi-t të saj, Melania Trump i ka shtuar një palë décolleté bezhë të theksuar. Ajo gjithashtu ka vendosur të mos veshë as geta.

    Në formë të plotë

    Look-u rezultoi të ishte perfekt për rastin: Melania mori pjesë aktive në ceremoninë e mbjelljes së pemëve duke dëshmuar se ishte plotësisht në formë.

    Pak buzëqeshje

    Ndonëse duke treguar shumë siguri dhe class, Melania Trump shçërndau në të vërtetë fare pak buzëqeshje. Duke qëndruar gjithnjë përkrah Presidentit të Shteteve të Bashkuara, mbajti një shprehje thuajse të ashpër gjatë gjithë ceremonisë.

    Në qendër të vëmendjes

    Pavarësisht buzëqeshjeve të pakta, Melania Trump është mjaft e bukur dhe vështrimet e të gjithëve kanë qenë, si gjithmonë, pas saj. First Lady, falë look-ut dhe sharmit të saj, ia arriti të tërheqë vëmendjen e të gjithëve.

  • Leonard VEIZI / Rikard Ljarja – Vdekja që do ta çojë në Apogjeun e legjendës

    Leonard VEIZI / Rikard Ljarja – Vdekja që do ta çojë në Apogjeun e legjendës

    Që nga ky çast ai do kthehet në legjendë, dhe heronjtë e legjendave nuk janë kurrë të gjallë. Sepse në të gjallë ata janë thjesht punëtorë, ndërsa vdekja, ajo i çon në Apogje…

    …Nuk mund të përcillej aq thjeshtë e aq pa zhurmë për në banesën e fundit. “Është shumë më e bukur, shumë më njerëzore kaq thjeshtë”, do të shprehej mes ngashërimit Marjeta. Dhe ndoshta kishte të drejtë. Sepse dhe një ceremoni madhështore, me homazhe të lodhshme e bandë që luan marshe funebër, nuk do të sillte asgjë më shumë tek emocionet njerëzore. Në fund të fundit, ai iku të takojë Krijuesin, por në celuloid vepra e tij mbeti e plotë.

    Rikard Ljarja ishte 77 vjeç. Dhe i mbushi veç pak ditë në parë, në 1 prill. Sepse në 1 prill kishte lindur, në vitin 1943, pikërisht në Shkodër, vendin e kulturës që nxori jo pak aktorë të talentuar ashtu si dhe artistë të tjerë.

    Me një repertor për t’u pasur zili, Rikardi do të mishëronte të paktën 27 role në kinema. Dhe si i tillë, ai ishte vazhdimisht i pranishëm në ekranin e madh, por dhe në televizione, filmat e të cilit transmetohen në vazhdimësi. Ai ishte Dritan Shkabaj që hapte shkollat në Mirditën e pas luftës, fillrojtësi modest me emrin Ded, Lluka apo Naimi, si teknicien e burokrat, apo dhe Fitimi një mekanik arrogant. Dhe këto janë aq pak në jetën e tij filmike.

    Rikardin e gjen kudo në filmin shqiptar, ai aktor, regjisor dhe në dy raste edhe si skenarist. Në këtë mënyrë mund të thuhet se ai e plotësoi tërësisht egon e tij profesionale, për më tepër kur këtyre u shtoi dhe botimin e katër librave, tre prej të cilave romane. Pra ishte një artist shumëdimensional, dhe i tillë do të mbetet tanimë.

    I martuar me Marjetën, gjithashtu aktore emblematike, ai do të luante në dy filma me të: “Në pyjet me borë ka jetë” dhe “Rrethi i kujtesës”.

    Ishte 53 vjeç kur luajti në filmin e fundit, dhe padyshim, do të mund të ishte po aq aktiv në vitet e mëpasme, si aktor e regjisor. Por nuk ishte e lehtë në një Shqipëri të trazuar, ku filmi ashtu si dhe shumë arte të tjera, për një kohë të gjatë nuk patën dot frymëmarrjen e duhur.

    Rikard Ljarja nuk do të jetë më prezent në tavolina miqsh e aktivitete kulturore. Por ai do të ketë vazhdimisht ndikim tek brezat, sepse gama e gjerë e roleve të tij i jep mundësinë kujtdo të gjejë diçka nga vetja tek një personazh.

    Ai u përcoll në vendlindjen e tij në Shkodër për të çuar në vend amanetin e tij. Dhe jo vetëm se lindi në këtë qytet, por se i pas diplomimit në Shkollën e Lartë të Aktrimit “A. Moisiu”, Tiranë, tetë vite me radhë kontribuoi si aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni”.

    Por ceremonia e varrimit të tij është diktuar nga rregullat e pandemisë. Me maska në fytyrë, por dhe me lot në sy, njerëzit e mbledhur poshtë banesës e kanë përcjellë mjeshtrin e madh drejt banesës së fundit me duartrokitje. Dhe kurrsesi, nuk mund të jenë duartrokitjet e fundit për të…

  • Koronavirusi: Padia e parë kundër OBSH nga tre banorë të New York-ut

    Koronavirusi: Padia e parë kundër OBSH nga tre banorë të New York-ut

    Për fshehje të pandemisë dhe për neglizhencën në përgjigje

    Tre banorë të Nju Jorkut kanë hedhur në gjyq OBSH-në duke pretenduar se agjensia e Kombeve të Bashkuara e ka fshehur pandeminë.

    Bëhet fjalë për procesin e parë gjyqësor kundër kësaj organizate dhe çështja është ngritur në një gjykatë federale të White Plains, në kontenë Westchester.

    OBSH akuzohet gjithashtu edhe për pakujdesi të rëndë në trajtimin dhe kundërpërgjigjen ndaj Covid-19. “Ai ka keqmenaxhuar kundërpërgjigjen ndaj virusit dhe informacionit, i angazhuar në një fshehje të pandemisë në Kinë – lexohet – dhe ka kontribuar ose shkaktuar përhapjen e mëvonshme të virusit në të gjithë botën, përfshirë SHBA dhe shtetin e New York”.

    Për të paraqitur paditë ishin Richard Kling, mjek, Steve Rotker dhe Gennaro Purchia, të cilët pretendojnë se janë “dëmtuar nga sjellja neglizhuese e OBSH-së”. Kling dhe Rotker janë nga New Rochelle, vatra e parë e emergjencës në Empire State. Megjithatë, sipas ekspertëve, padia me siguri do të refuzohet sepse ligji amerikan ofron “imunitet funksional” ndaj OBSH-së në raste të tilla.

  • Koronavirus, New York Times: Fushatë dezinformuese e 007-ave kinezë

    Koronavirus, New York Times: Fushatë dezinformuese e 007-ave kinezë

    Një fushatë dezinformimi e paparë ka filluar nga 007-at kinezë. Që nga marsi, agjentët e inteligjencës kineze kanë nxitur një fushatë dezinformimi në mediat sociale dhe përmes sms-ve që synojnë përhapjen e panikut në Shtetet e Bashkuara për koronavirus, me teknika jo fort të ndryshme nga ato të përdorura nga Rusia për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Këtë fakt e mbështet New York Times, duke cituar burime nga gjashtë agjensi të ndryshme të inteligjencës amerikane.

    “Administrata e Presidentit Donald Trump do të mbyllë tërë vendin dhe do ta njoftojë këtë sapo që të jenë të gatshme trupat ushtarake për t’u përballur me trazira dhe akte vandalizmi”, thuhet në njërin prej mesazheve të publikuara në mesin e marsit nëpër rrjetet sociale dhe përmes sms-ve të miliona amerikanëve. Mesazhet u bënë aq virale sa brenda 48 orësh Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Shtëpisë së Bardhë u detyrua t’i padiste si të rreme në Twitter. Teknikat e amplifikimit të mesazheve po alarmojnë 007-at amerikanë për përdorimin e deritanishëm të panjohshëm të mesazheve me tekst. Origjina e tyre mbetet e paqartë ende edhe tani. Burimet – shpjegon NYT – nuk pranuan të zbulojnë detaje mbi lidhjen midis mesazheve dhe agjentëve kinezë, duke iu referuar nevojës për të mbrojtur burimet dhe metodat e monitorimit ndaj aktiviteteve të Pekinit.

  • Amnistia, legalizimi i parave të pista për mandatin e tretë të Ramës

    Amnistia, legalizimi i parave të pista për mandatin e tretë të Ramës

    Në kulmin e krizës njerëzore të koronavirusit, kryeministri Edi Rama mendon për krimin, duke e pastruar atë në lavatriçen e tij të madhe, si markë autentike “Made in Rilindja”. Me një reagim komod nga komunikimi online, Rama shpalosi idenë se shumë shpejt do të kalojë në Parlament një draft ligjor i cili synon shpalljen e një amnistie të madhe fiksle, e cila do të shtrihet brenda një viti.

    Nën kamuflimin se po synon që të legalizoje paranë e siguruar nga emigracioni, apo puna në të zezë, Rama në mandatin e dytë qeverisës po ecën me një plan të detajuar e cila në mënyrë direkte synon tjetërsimin e votës dhe akoma më rëndë shitblerjen e saj.

    Kryeministri me një nismë arrin dy qëllime. Së pari siguron një shumë të konsiderueshme në buxhetin e shtetit, duke venë taksë nga 5-10 % për çdo shumë të deklaruar dhe e dyta dhe më kryesorja, mbetet “pastrimi” i figurës së krimit. Çdo para e siguruar nga trafiku i drogës, prostitucioni apo korrupsioni do të bëhet “qelibar” në lavatriçen pushtet dhe personazhe që deri dje njihen si pjesë e krimit, edhe pse të padënuar, do të kenë mundësinë të kthehen në “biznesmenë”.

    Sot halli më i madh i botës së errët të trafiqeve nuk është sigurimi i shumave marramendëse kryesisht nga shitja e drogës, por mënyra sesi të pastrojnë paratë e ardhura prej saj. Çdi qindarkë në bankat e huaja duhet ti deklarohet burimi i të ardhurave dhe pikërisht në këtë pikë, krimi shqiptar që vepron në vendet e BE-së e ka të pamundur të justifikojë shumat e mëdha cash.

    Tashmë do e kenë një shans të artë dhe do i jenë “mirënjohës” qeverisë aktuale e cila nën petkun e amnistisë fiskale fsheh pikërisht qëllimin për një batërdi të dytë në shitblerjen e votave dhe implikimin e botës së errët të krimit në fushatë, tashmë të pastruar ligjërisht.

    Nuk do ketë më nevojë krimi që paratë e siguruara nga trafiqet jashtë vendit ti fusë me “Toyota Yaris”, por në mënyrë direkte duke i shpërndarë nëpër persona të tjerë që mbajnë “statusin e emigrantit”.

    Qëllimet e Ramës janë lehtësisht të lexueshme. Në vitet 2016-2017 vendi u kanabizua i gjithi, në çdo cep të saj, pasdikutim me dijeninë dhe yshtjen qeveritare që i duheshin para qoftë edhe nga kanabisi i gjelbër për të siguruar pushtetin.

    Ia arriti kur grupe të fuqishme kriminale, të lidhura me politikën në pushtet u shpërndanë nëpër vend si “deputetë në hije” në kërkim të votave për qeverinë që u kishte siguruar parajsën në kltivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

    Tonelata me drogë mbytën jo vetëm Shqipërinë, por veçanrisht dy vendet fqinje Italinë dhe Greqinë, të cilave iu desh të vinin në shërbim deri forca ushtarake për të frenuar disi kanabisin e prodhur nën hyndët dhe sytë e qeverisë sonë dhe veçanrisht një policie që kërkonte haraç për çdo rrënjë kanabis të mbjellë.

    Para e madhe u mblodh, por problem mbetej sesi këto shuma të futen në Shqipëri. Me amnistinë që pritet të kalojë në Parlament pa më të voglin ndryshim dhe dyshim, kryeministri ka të pastër kërkesën e tij për këto grupe kriminale: katër vjet më parë lejova hashashin, sot ju legalizoj paranë e pisët. Dhe ka vetëm një kusht: sigurimin e mandatit të tretë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

    A do ia arrijë? Paraja e pisët e blen varfërinë, votë për Rilindjen në këmbim të një shuku parash.

  • Mos u trembni, ky është një virus shpirtëror

    Cila mendje dhe cila dorë paralajmëron me këtë mesazh për “Apokalipsin” tim?

    Struktura e romanit është një labirint i lëvizshëm, të cilin gjithkush mund ta eksplorojë në bazë të përvojave vetjake. Personazhet, ndonëse fiktivë, janë aq të përshtatur në realitetin ku jetojmë dhe lexuesi i kujdesshëm mund të arrijë të shohë, madje edhe të ndiejë, dy aureolat që i rrethojnë.

    Aureola e parë është në formë trekëndore dhe rrethon të gjallët. E dyta është ajo e vdekagjallëve, ose e barbarëve siç cilësohen ndryshe ata që janë ngritur së vdekurish. Kjo ka formën e një spiraleje dhe mbështjell qenien e secilit prej tyre. Unë mendoj se kjo aureolë përfaqëson njëkohësisht spiralen e pafund të tërë përjetimit human, kufirin ndarës mes dy botëve, si dhe atë ftohtësi që mbartin misteret e mistikës.

    Por megjithatë ekziston një urë lidhëse, një njeri që qëndron mes dy botëve si një çelës magjik. Nëpërmjet këtij personazhi, nëpërmjet kuptimit unik të tij, autori u ka përgatitur lexuesve një mundësi për t’u bërë bashkëkrijues, bashkëpërjetues dhe bashkudhëtarë në një rrëfenjë të tillë madhështore, në një kulm të ri të këtij shkrimtari.

    Kjo vepër, e denjë për t’u konsideruar si një hap përfaqësues i letërsisë sonë drejt letërsisë së përbotshme bashkëkohore, është po ashtu një sfidë e intelektit shumë dimensional kundrejt dogmës së intelektit të njëkahshëm dhe përbën një tjetër gur shënjimi në udhëtimin epik të letërsisë.

    Kjo vepër është dëshmi e përqasjes së një letërsie të re, pa kufij, pa pengesa dhe me një mision mbinjerëzor. “Apokalipsi” i Zija Çelës është një dëshmi e kthimit të letërsisë në frymëzimin burimor, zanafillor, hyjnor dhe, në kuptimin e simbolit, përbën një historik të të gjithë ekzistencës njerëzore.

  • Të gjithë të çmendur për Merkel

    Të gjithë të çmendur për Merkel

    Edi DELIU – Gjatë krizës së koronavirusit, kancelarja gjermane tregoi lidership dhe autoritet, aq sa konsensuset për të i kanë tejkaluar 80% duke i ringritur më lart se ndonjëherë kuotat e CDU-së së saj. Ka premtuar se nuk do të rikandidojë, por për pasardhës të mundshëm të saj nuk po flitet më

    Superstari Merkel! Ose “Të gjithë të çmendur për Anxhelën!”, duke perifrazuar një film të vjetër amerikan. Me sa duket, Gjermania është sërish e dashuruar me kancelaren e saj, duke u bërë edhe një herë “Krisenkanzlerin”, tek e cila beson i gjithë vendi, shkencëtarja-nënë që qetëson shpirtin e tronditur të kombit, duke i rikthyer të gjitha shifrat e një krize të paparë ndonjëherë në normat e një shteti normal pararojë, e duke e treguar veten të jetë një antivirus i vërtetë, në antivirusin parësor të frikës, në antivirusin kryesor të pandemisë.

    Sondazhet konfirmojnë muajin e ri të mjaltit, duke vërtetuar nivele gjithnjë e më të mahnitshme të popullaritetit për ish “vajzën e lindjes” – e vlerësuar nga më shumë se 80% e gjermanëve, nivele prej të cilëve liderët e tjerë evropianë janë me vite dritë larg – me CDU / CSU-në e saj që rikthehet dhe fluturon me mbi 37% të përkrahjes. Shifra që i sigurojnë ‘Grosse Koalicion”-it të saj një stabilitet që dukej i lidhur me një këmbë i rrëzuar, duke i paraprirë krizës së migrantëve, duke i paraprirë “valës” së AFD, e duke i paraprirë edhe paqëndrueshmërisë globale të targuar Trump & Putin & Xi. Jo keq për atë që tregohej prej kohësh si tërheqëse e çalë në rrugën e perëndimit të diellit, e detyruar të lëshonte drejtimin e CDU-së për të ndaluar hemorragjinë e votuesve, ai që është stërbetuar dhjetëra herë se ky aktual është mandati i saj i fundit, pas 15 vitesh mbretërimi të padiskutueshëm, afër vetëm kancelariatit të Helmut Kohl, arkitektit të unifikimit gjerman.

    Një situatë e re politike

    Është një nga efektet anësore të koronavirusit: kandidatët për leadership të CDU-së, partia e saj, kanë rënë në harresë, ata që aspirojnë të zënë vendin e saj – në vitin 2021, në skadimin natyral të mandatit të katërt – po hasin shumë vështirësi që t’i dëgjojë kush, me përjashtimin e vetëm të Markus Soeder dhe Armin Laschet, guvernatorët e Bavarisë dhe Nordrhein-Westfalen, por kjo vetëm për faktin sepse qeverisin këta Laender në llogore kundër epidemisë. E kështu, për herë të parë, në gazetat gjermane – duke filluar me tabloidin popullor Bild Zeitung, që e hapi lojën dy javë më parë – nisi të marrë hov e paimagjinueshmja: një mandat i ri për Merkel. I justifikueshëm me krizën e madhe të koronavirusit, nga e cila kancelarja ringjallet me një aprovim gati unanim, dhe e mbështetur nga një situatë politike thellësisht e shndërruar.

    Ultra e djathta AFD është tashmë pa zë dhe vazhdon të bjerë në sondazhe, liberalët e FDP dhe e majta e Linke duket se kanë dalë jashtë radarëve, ngjitja që dukej e pandalshme e të Gjelbrve mbetet e bllokuar, aleatët SocialDemokratë rriten, por jo edhe shumë domethënë, pa ndikuar në sundimin e kristian-demokratëve. Një parti, CDU-CSU, e cila deri para pak kohësh dukej se ishte në kaos absolut, me kulmin e arritur nëpërmjet njoftimit për dorëheqje të leaderit Annegret Kramp-Karrenbauer. Në thelb: boom-i i CDU / CSU në sondazhe mbart markën ekskluzive Merkel.

    Merkel-Matrix

    Me pak fjalë, tema-Merkel është bërë tashmë makthi i ri i gazetave gjermane: dhe bëhet fjalë për një rradhë të gjatë lavdesh, të cilat përshkojnë pa dallim gazetat nga më ‘liberal’ si Zeit dhe Spiegel, tek e përditshmja autoritare, si Welt. “Deri para pak javësh Angela Merkel dukej si e braktisur në një rrugë pa shpirt”, shkruan Dirk Kurbjuweit në Spiegel, në një artikull jo rastësisht të titulluar “Merkel-Matrix”. Ajo kancelare që “shqetësonte garën për zëvendësimin e saj dhe bllokonte çdo rifillim me një tranzicion shumë të gjatë. Interesi politik dukej sikur ishte i përqëndruar mbi të gjitha se kur ajo do të ishte më. Flitej për të ardhmen, dhe ajo nuk ishte”.

    Zgjedh tonet të forta e përjavshmja gjermane: “Tani mendimet mbizotërohen nga e tashmja, më e vështira në historinë e Republikës Federale. Janë në diskutim jeta dhe vdekja, dhe kolapsi i ekonomisë, dhe kjo e tashme ka rilançuar Merkelin në qendër të ngjarjeve. Çfarë comeback, çfarë përgjegjësie! Asnjë kancelari para nuk i është dashur të të duronte një presion të tillë ose mund të bënte aq shumë gabime, me pasoja dramatike. Ose të bënte kaq shumë gjëra mirë!”. Praktikisht, “politika e Merkel duket sikur nuk ka alternativa”, godet mbi gozhdë Spiegel, që, për herë të parë, nuk përjashton edhe mundësinë e një mandati të pestë: edhe pse nuk e këshillon, ai pranon “se ka nga ata që e dëshirojnë atë”, duke qenë se nuk mund të përjashtojë faktin që virusi të zotërojë debatin deri në zgjedhjet federale të vitit të ardhshëm.

    Një leader që i mbijetoi shumë krizave

    Ndërsa Zait, nga ana e tij, pranon se jehona mediatike kundrejt Merkel aktualisht shkon “nga miqësore tek lavdëruese”, si në rang kombëtar ashtu dhe në atë ndërkombëtar: të gjitha lavdet – drejt sistemit shëndetësor dhe aftësisë për të organizative që i mundëson Gjermanisë të mbështesë më mirë se vendet e tjera impaktin ndaj epidemisë – reflektojnë pashmangshmërisht në reputacionin e mirë të kancelares, thekson e përjavshmja. Që nuk harron të kujtojë forcën e përvojës së Merkel, që “si kancelare i ka mbijetuar më shumë kriza ndërkombëtare sesa Macron, Johnson dhe Trump së bashku”: nga kriza financiare e vitit 2008 tek koronavirusi i sotëm, duke kaluar nëpër Fukushima në 2011 dhe krizën e migrantëve në 2015.

    Dhe menjëherë, nxehet Welt: “Do të jetë kancelarja e parë që nga viti 1949 që nuk do të dëbohet nga pushteti”. Merkel, sipas gazetës konservatore, aktualisht “gëzon efektin Kohl”, i cili nga rënia e Murit të Berlinit në 1989 vijoi drejt ribashkimit të dy Gjermanive. “Mbizonëron përshtypja se Gjermania dëshiron t’i japë një mandat të pestë”, sintetizon Pforzheimer Zeitung.

    Një lamtumirë për të cilën nuk flet më askush

    Dhe është e rëndësishme që, para pak ditësh, kreu i kancelarisë Helge Braun ndjeu nevojën për të kujtuar se “kancelarja tha se ky është mandati i saj i fundit. Dhe unë besoj se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim”. Jo aq mohimi më i fuqishëm i dëgjuar ndonjëherë. Gati gati nuk duket i tillë: është fakt që askush nuk flet më për “lamtumirën e gjatë të kancelares”, si dhe “askujt nuk i intereson më debati për pasardhësit e mundshëm”, thekson sërish Spiegel.

    Një fenomen që tejkalon kufijtë gjermanë, kjo lloj ‘Merkel-manie’: Gazeta polake Rzeczpospolita thotë se “Merkel është rikthyer në lojë me rolin e saj të nënës së gjermanëve”, ndërsa New York Times vlerëson aftësinë e saj për të “komunikuar në mënyrë të qartë dhe të qetësi”.

    Dhe është përsëri Zeit – në të kaluarën edhe shumë kritike ndaj kancelares – që i beson shkrimtares gjerman me origjinë kroate Jagoda Marinic atë që duket si një letër e vërtetë dashurie kushtuar ish shkencëtares që erdhi nga RDGJ: “Jam krenare që e kaloj këtë krizë me të si kancelare. Nuk është çështje e besimit të verbër. Ajo e ka fituar atë”. Vështirë të imagjinohen leader të tjerë politikë të epokës moderne të cilëve që u kushtohen kësisoj homazhesh. Sigurisht, shumë do të varet nga mënyra se si zhvillohet pandemia. Por sot një Angela Merkel që do të ulet edhe pas vitit 2021 në kancelari – në atë moment do të mposhtë mbretërimin e Kohl për kohëzgjatje – duket më pak fantastikoshkencore sesa mund të dukej vetëm disa muaj më parë. Merkel-Matrix, pikërisht.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Windows 10, funksioni që askush thuajse nuk e njeh

    Windows 10, funksioni që askush thuajse nuk e njeh

    Windows 10, çfarë është dhe për çfarë shërben God Mode

    God Mode është një funksionalitet i Windows 10 që bën të mundur përdorimin e funksioneve më të fshehta të kompjuterit. Ja çfarë është dhe si funksionon.

    Në versionet e fundit të sistemit operativ Windows, nga Windows 7 e këtej, Microsoft është përpjekur të bëjë sa më të thjeshtë menaxhimin e hardwareve, të periferikëve dhe të driver-ëve të ndryshëm duke modifikuar ndërfaqen e Panelit të vjetër të Kontrollit. Një mjet disi i vështirë për t’u përdorur, por i dashur nga geeks-at.

    Aplikacioni aktual i Settings-eve është akti i fundit i këtij procesi thjeshtëzimi i cili, për të thënë të vërtetën, në vend që t’ia lehtësojë jetën atyre që duhet të fusin duart nën kapakun e kompjuterit të tyre, ka bërë një goxha rrëmujë. Rezultati është se sot nuk ka, në Windows 10, asnjë vend të vetëm ku të fusin duart në driver dhe tek settings-et më delikate mund të gjejnë gjithçka që u nevojitet. Kutia e kërkimit në menunë Start mund dorë të vogël që të gjeni atë që po kërkoni, por nuk ka një vend ku të gjenden të gjitha bashkë. Ah, ndoshta po, ka dhe quhet “God Mode”. Por askush nuk e njeh sepse është fshehur mirë.

    Çfarë është God Mode në Windows 10

    “God Mode”, emri skenik i “Windows Master Control Panel”, nuk është një funksionalitet ekskluziv i Windows 10: ai u zbatua për herë të parë nga Microsoft në sistemin operativ Windows Vista, por ekziston akoma. Është një lloj “Superpanel kontrolli”, që përmban të gjitha aplikacionet dhe opsionet për të menaxhuar harduerin që normalisht janë si brenda dhe jashtë aplikacioneve të njohura tashmë të Panelit të Kontrollit dhe Cilësimeve. Problemi është se God Mode është i mirëfshehur në sistemet operative Windows dhe arsyeja është e thjeshtë: nëse do të ishte nën shikimin e të gjithëve, do të ishim plot PC Windows në asistencë.

    Në hapje të God Mode, në fakt, duhet të jetë mbishkrimi “Handle with Care”, pasi brenda mund të gjejmë edhe settings që, nëse modifikohen pa shkak, mund ta nxjerrin jashtë loje sistemin operativ. Por, nëse ne dimë se ku t’i fusim duart, atëherë God Mode është një lehtësi e shkëlqyeshme.

    Si aktivizohet God Mode

    Ne nuk do ta gjejmë God Mode në asnjë vend në Windows 10, as edhe duke e kerkuar me Search në Start menu. Për të hyrë në të duhet pasur një llogari me privilegjet e administratorit të sistemit dhe duhet krijuar një folder (mund ta vendosim kudo, por është më e përshtatshme në desktop) të cilën do ta quajmë “GodMode. {ED7BA470-8E54-465E-825C- 99712043E01C}”. Menjëherë ikona e folderit do të ndryshojë dhe do të shfaqet ajo e Panelit të Kontrollit (nëse nuk ndodh, do të thotë që është gabuar në riemërtimin e folderit).

    Kur klikojmë dyfish në folderin God Mode, do të hapet një ekran që përmban dhjetëra impostacione, shumë prej të cilave nuk ua dinit ekzistencën. Ka me të vërtetë gjithçka, e rregulluar nga appleti i vetëm i Control Panel dhe brendësia në të së cilën mund të mbërrijmë në zgjedhjen e impostacioneve është maksimale: sipër God Mod, në fakt, është vetëm modifikimi i drejtpërdrejtë i regjistrit të sistemit të Windows.

  • Shumë e rrallë, Lamborghini Miura me kilometrazhin më të ulët në botë

    Shumë e rrallë, Lamborghini Miura me kilometrazhin më të ulët në botë

    Edi DELIU – Flasim shpesh për makina epike dhe ju tregojmë disa kuriozitete unike për të cilat jemi të sigurt që ju pëlqejnë. Ajo që do ju tregojmë sot është historia e një Lamborghini ikonik e një personi që i përkiste Familjes Mbretërore Saudite deri vonë. Është një Lamborghini Miura SV, një makinë vërtetë e bukur, ky është një ekzemplar më unik sesa i rrallë.

    Lamborghini Miura SV, modeli unik i Familjes Mbretërore Saudite

    Makina e ekspozuar në Londër, në Joe Macari Performance Cars, u bë pronë e Familjes Mbretërore në 1972-in e largët, sapo doli nga linjat e prodhimit. Një model unik i Miura SV, i krijuar ad hoc me të gjitha tiparet e kërkuara nga këta klientë të veçantë. Makinës iu shtuan dy kanardë aerodinamikë, duke e bërë në realitet një nga dy të vetmet Lamborghini Miura në botë që posedon këtë veçanti.

    Tipari shumë i rrallë i këtij Lamborghini Miura SV

    Është dhe një tipar tjetër që e bën edhe më të veçantë këtë model të vjetër të Sant’Agata Bolognese, saktësisht sistemi shumë i veçantë të vajosjes në dy dhoma, i përdorur për të ndarë vajin e ingranazheve nga vaji i motorit. Kjo veçori e speciale është realizuar për vetëm për 96 Miura në të gjithë botën.

    Historia sekrete e këtij Lamborghini Miura SV special

    Për një kohë të gjatë, makina në fjalë u mbajt e mbyllur, e fshehur dhe e sigurt. Në fillim të viteve 2000, u gjet në një depozitë gjigande saudite, nën një mbulesë prej dhjetëra e dhjetëra kutishë kartoni. Një pronar i ri e bleu menjëherë atë dhe në 2005 Lamborghini Miura SV u eksportua në Shtetet e Bashkuara, ku u restaurua plotësisht, puna zgjati dy vjet.

    Lamborghini Miura SV, çmimi marramendës i këtij modeli të rrallë

    Gjatë restaurimit të automjetit, Miurës SV unike dhe e veçantë iu dha një ngjyrë e re, shumë e rrallë: bëhet fjalë për një tonalitet Metallic Grey, e quajtur më pas Metallic Grey Fantastic nga Joe Sackey, historian i Lamborghini Miura dhe arbitër i shumë konkurseve me makinave. Që nga viti 2011 makina është në Evropë, në pronësi të Joe Macari Classics. Veçantësia e saj më e rrallë është fakti që ka bërë vetëm 5,759 km në total: sipas shitësit kemi të bëjmë Lamborghini Miura SV me kilometrazhin me më të ulët në botë. Çmimi këtij xhevahiri shkon diku tek 3 milionë euro.

  • Denion NDRENIKA – Këndshikim pesimist për “rikthimin” e Kosovës në Shqipëri

    Denion NDRENIKA – Këndshikim pesimist për “rikthimin” e Kosovës në Shqipëri

    Pyetja është fare e thjeshtë: Përse nuk nxiten marrëdhëniet e ngushta përfshi transportin, lehtësinë e lëvizjes së gjithçkaje mes të dy pjesëve të Shqipërisë, por keqazi kokëfortësisht mbahen larg?

    E vendosa prej titullit në thonjëza fjalën “rikthim” për të qetësuar kryekundërshtuesit e një mundësie të bashkimit të pjesëve të Shqipërisë, veçmas pas shtetësimit në përpjekje e sipër të Kosovë, më e rëndësishmja trevë për pavarësimin e krejt botës shqiptare prej Prizrenit 1878 dhe Vlorës 1912.

    Megjithatë, tash për të vazhduar, thjesht këndshikimin pesimist të ardhmërisë jo duke u nisur nga kundërshtitë e pafytyra të udhëheqësive të shqiptarëve nga secila anë, që duhet të shtoj se i kanë harruar krejt trojet dhe popullatat etnike në Malin e Zi, në shtetin e verimaqedonasve, në Luginë të Preshevës e krejt Serbinë, përfshi Vranjën e gjetkë si dhe në Greqi..

    Tash, nis të them se shtyrja jo pa nervozizëm dhe detyruese e marrëdhënieve të ngushta ndaj Kosovës për Serbinë është e ligë në përpjekjet tona për bashkim.

    Natyrisht që është e qartë se janë dy botë të ndryshme të krijuara padashur në këta 100 e ca vjet të ndarjes së dhunshme.

    Shqipëria dhe Kosova ende duhet të punojnë shumë për t’u afruar dhe deri në bashkim, përtej dëshirës dhe vendimmarrjes 1878 dhe 1912 dhe për ta jetësuar atë.

    Në këto kushte ndoshta për ndokënd më mirë të ecet disa kohë kështu me dy shtete derisa të ketë një pikëpajtim në plotni e këtu nuk ka asgjë të keqe.

    Mirëpo, pesimist e kam këndshikimin nisur nga shtyrjet për dialogun me serbët.

    Pa vëreni pak, proklamime të jashtëzakonshme për vendosjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë pavarësisht se si e justifikojnë palët, serbët kinse pa e njohur shtetin tonë të dytë dhe Prishtina si njohje e nënkuptuar prej Serbisë.

    Njejtë shtysa për transportin hekurudhor.

    Tejet ngutshëm dhe me nervozë të pafshehshme për heqjen e taksës 10 për qind apo reciprocitetin.

    Madje, edhe testet e virusit të Koronës dhurohen nga Serbia dhe pranohen në Kosovë.

    Pyetja është fare e thjeshtë: Përse nuk nxiten marrëdhëniet e ngushta përfshi transportin, lehtësinë e lëvizjes së gjithçkaje mes të dy pjesëve të Shqipërisë, por keqazi kokëfortësisht mbahen larg?

    Çkado emri qoftë, fatkeqësisht mbajtja larg Shqipërisë në çdo lloj mënyrash të politikave tërësore si dhe veçanërisht agresiviteti, ndasia, inatet, sharjet per gjithçka pavarësisht se nga e kush bëhen e vijnë, thjesht më dëshmon pesimizmin për bashkimin e afërt dhe frikën e rikthimit të jugosllavizmit.

    Po ashtu edhe të ngarkuarit europianë Jozef Borrel dhe Miroslav Lajçak thjesht asnjë krah nuk i japin shqiptarëve.

    Ata natyrisht nuk bëjnë dot kryemëvehte meqë sllovakët kanë frikën e hungarezëve dhe fqinjëve për trojet që i kanë në shtetin e ndarë me çekët si dhe spanjollët me dhunën qindravjeçare të kastijanëve kundër baskëve dhe katalanasve, por ndikon padyshim që munden ta ushtrojnë në ndonjë formë a mënyrë.

    Për fat të keq druhem shumë sepse asnjë nga këto shtysa me ligësi nuk bëhet për ta afruar Shqipërinë me Kosovën dhe kur ta kuptojnë sjelljen e këtillë udhëheqësitë tona kapadaie, veç do ta shohim “Vëllazërim Bashkimin” (“Bratstvo i Jedinstvo”) nga fillimi!