Stevland Hardway Morris, multi-instrumentisti gjenial me nga Michigan, ka jetuar një jetë në maksimum, padyshim të amplifikuar dhe jo të dobësuar nga dëmtimi vizual që e ka shoqëruar gjithmonë, për shkak të prishjes së inkubatorit që e goditi sapo lindi, në 13 maj 1950.
Enfant prodige
Mit i shumë brezave, mësoi harmonikën dhe pianon që në fëmijërinë e tij të hershme duke rafinuar në këtë mënyrë ndjeshmërinë e tij muzikore e duke i djegur të gjitha etapat që duhet të kalojë një njeri i muzikës. Novello Mozart i Motown, në vetëm 12 vjeç bëri debutimin e tij si Little Stivie Wonder dhe në 1963 arriti me ‘Fingertips’ majat e Hit Parafe. Ai ishte 13 vjeç! Pak kohë më vonë, në 1966, ja tek realizon një cover shumë të bukur soul të suksesit të Bob Dylan ‘Blowin’ in the Wind’…
Një vesh shumë i ndjeshëm
Gjatë provave për një episod të Ed Sullivan Show, në fund të viteve 1960, orkestra e programit – e përbërë nga tridhjetë elementë – po luante një këngë që Stevie do të interpretonte atë mbrëmje. Ai papritmas i ndaloi muzikantët dhe tha që një saks ka diçka të gabuar në impostim. Në fakt, njëri prej saksofonistëve ishte gjysmë toni më i ulët se të tjerët dhe askush, madje as dirigjenti, nuk e kishte ndjerë.
Eksperimente…
Paralelisht me disqet e një suksesi të pamatë muzikor (përfshirë regjistrimet shumë të kërkuara të Krishtëlindjeve) Wonderi i ri rikrijoi një hapësirë eksperimentale të gjithë të tijën dhe në vitin 1968 realizoi një album solo instrumental me pseudonimin Eivets Rednow (që ishte po emri i tij mbrapsht). Në të njëjtin vit, gjatë një seksioni në BBC, nxorri në pah të gjithë talentin e tij edhe në një lloj ‘jam’-i pothuajse të improvizuar me Jimi Hendrix. Ndërsa në vitet shtatëdhjetë, eksploron thellë botën e sintetizuesve. Shkathtësia e tij e lindur e shtyri të kombinonte një zë të përsosur dhe një talent të lindur për instrumentet me tastierë, me ritmin dhe harmonizimin në riprodhimin elektronik të harqeve dhe frymoreve. Duke përpunuar gjurmët e tij vokale ai nxirrte efekte të veçanta dhe absolutisht origjinale: një njeri i vetëm që realizonte tingujt e një orkestre të tërë.
… dhe konfirmime
Pas shumë risive, në vitet 1980 pjesa e dytë e karrierës së Wonder u mbështet në shtigje më të sigurta dhe në pop, si dhe në një prodhimtari shumë më të ngadaltë të materialit të ri. Sidoqoftë, vlen të kujtohen bashkëpunime të rëndësishme si ajo me Michael Jackson në ‘Get it ’, pjesëmarrja në supergrupin e USA for Africa me ‘We are the World’ apo coverin ‘That’s Friends are For’, me Dionne Warwick, Gladys Kinght dhe Elton John për kërkimet mbi SIDA-n. Ai gjithashtu duetoi me Paul McCartney për ‘Ebony & Ivory’, këngë që të dy e ripropozuan përsëri në vitin 2010 në Shtëpinë e Bardhë, përpara Obamës.
Angazhim mbi të gjitha
Wonder e njohu racizmin që fëmijë e më pas e pësoi në adoleshencë kur interpretonte në turne me Motortown Revue; i tronditur nga vdekja e Martin Luther King, vendosi që karrierën e tij ta vendosë në stand-by dhe për disa vjet ai drejtoi kryqëzata në të gjithë Amerikën, në mënyrë që dita e lindjes së Reverend King të bëhej një festë kombëtare. Pikërisht kësaj ëndërre i dedikoi këngën ‘Happy Birthday’në vitin 1980, ndërsa ‘Songs in the Key of Life’ i vitit 1976 është mbase albumi që pasqyron më së miri sfondin social të Wonder, i dekoruar në 2014 nga Obama me Presidential Medal of Freedom, nderin më të lartë civil në Shtetet e Bashkuara. Krejt ndryshe ishin raportet e tij me Nixon, të cilat i shkatërroi publikisht me pjesën e vitit 1974 ‘Haven’t Done Nothin‘, në bashkëpunim me Jackson 5. Si përfundim, nuk duhet harruar edhe kontributi i tij për kauzën e Mandelës: kur në vitin 1985 ai fitoi Oscar për ‘I Just Called to Say I Love You’, ia dedikoi heroit të lëvizjes kundër aparteidit, ende i burgosur. Ishte falë edhe mobilizimit të botës së muzikës që, në vitin 1990, përfundoi burgimi i gjatë i Madiba.
E ndaloi makinën për ta takuar dhe e dëgjove kur e pyeti: Nga vjen? Kam qenë te një fermer për me kositë. Po ku shkon? Po shkoj te një fermer tjetër për me korrë, u gjegj prapë ai. Pastaj doli nga ana e kundërt e makinës, që të takonte mikun e mikut të tij. Kur ma dha doren (Rexhepi fotografoi në çast), ndjeva menjëherë sa abrazive ishte. Desha ta shihja nga afër si ishte gdhendur ai reliev aq i ashpër në mish, prandaj ia mbajta pëllembën para syve. Shihja e murmurisja nën zë, bekuar, bekuar këto duar, prej të cilave hamë bukën e përditshme!
Ky mundimtari shëtites, a thua se e nuhati ofshamën time, ma ktheu shpejt, si për të ma fashitur brengën ndaj tij: “E marr me mend, unë e marr me mend se edhe ti ke kallo. Por nuk i ke në duar, i ke në krye.” Dhe e theksoi, foli me një buzëqeshje gjithë dritësim, sepse punëtorit argat po i rridhnin fisnikërisht këto fjalë.
Në vjeshtë, pasi kishte mbushur moshën, mora vesh se kishte dalë në pension dhe paguhej rreth 150 Euro në muaj. Një ditë më telefonoi. Çuditërisht, edhe kësaj here foli me një dlirësi shpirtërore të mistershme, pa pikën e inatit ndaj shtresave shoqërore që kurrë nuk u bie të bëjnë punë fizike. Veçse kishte dëgjuar se një deputet, njëri prej atyre që mbahen me duar të pastra, kishte propozuar të bëheshin shkurtime të pensioneve dhe ai donte të dinte nëse do t’i duhej ta mprehte përsëri kosën e tij.
Nuk e di përse, më gumëzhiu në kujtesë tërë zallamahia politike, parlamentare, opozitare, publike, flamurtare, hipokrite… Mos qoftë e thënë, o Zot, m’i përvëloi buzët një litani, mos qoftë e thënë që ky antiheroi i “triumfit të mirëqenies sociale” t’i kthehet kosës së barit përsëri, tash në pleqëri, kur po i afrohet kosa e vdekjes!
“Mënyra se si i kalojmë ditët tona është, padyshim, mënyra sesi e kalojmë jetën tonë”, shkruan Annie Dillard në librin e saj “Jeta e të shkruarit”.
Nuk ka një formulë magjike për një ekzistencë të kënaqshme, por ka gjëra të thjeshta për të bërë që mund të na çojnë në atë drejtim.
“Mund të zgjedhim se ku duam të përqendrohemi në jetën tonë, në sjelljet tona, në mendimet tona dhe edhe të zgjedhim llojin e personit që duam të jemi”, ka thënë Eric Zimmer, host i podcastit The One You Feed a Business Insider.
Zimmer ka folur me gati 200 psikologë, mësues dhe life coach për të kuptuar se si të kapërcejmë frikën dhe të gjejmë lumturinë. Dhe ka zbuluar se duhet më shumë sesa ‘të menduarit pozitiv’. Për të jetuar jetën më të mirë të mundshme, ju duhet përpjekje e vazhdueshme për të bërë një jetë më të mirë.
Ja disa strategji për t’i filluar që sot:
1. Të meditoni
“Edhe pse është vetëm dy ose tre minuta në ditë, meditimi i përditshëm ju ndihmon të jeni më të pranishëm, të përqendruar dhe empatikë”, thotë Zimmer. Meditimi gjithashtu mund t’ju ndihmojë të kuptoni se si funksionon mendja juaj dhe të shmangni autopilotin mendor.
“Lumturia bazohet në aftësinë për të qenë të kujdesshëm”, thotë ai. “Është e rëndësishme të filloni ta stërvitni këtë aftësi.”
Nëse je fillestar, fillo i ulur në një hapësirë të qetë për disa minuta, në të njëjtën orë, çdo ditë. Kushtojini vëmendje vetëm asaj që po ndodh në momentin aktual, duke u përqëndruar në frymëmarrje. Kur të vjen një mendim, rikthehu të përqendrohesh tek frymëmarrja.
Por, të ulurit për të medituar nuk është mënyra e vetme për të qenë të kujdesshëm. Zimmer thotë se mund të provohen edhe aktivitete të tjera si vrapimi ose pastrimi, mjafton që të stërviteni veten për të qenë në momentin aktual.
2. Vendosni një timer në telefon për të mos shfletuar në internet si një mumje
Feed-et e Twitter, Facebook dhe Tumblr janë bërë për të na inkurajuar të shfletojmë faqet. Autoplay në YouTube dhe Netflix janë karakteristika që na nxisin të krijojmë zinxhirë në formë videosh.
“Kemi një dëshirë shumë të natyrshme për t’u shpërqendruar nëpërmjet telefonave tonë, gjë që nuk është gjithmonë e keqe në vetvete, por duhet të konsumojmë diçka që të na apasionojë”, thotë Zimmer. “Sa më të vetëdijshëm të jemi për mënyrën se si e kalojmë kohën tonë dhe nëse bëjmë atë që është e rëndësishme për ne, aq më të kënaqur jemi”.
Ne mund t’i përdorim me efektivitet telefonat tanë për të shmangur përdorimin e padobishëm të internetit. Nëse dëshiron të përdorësh Facebook vetëm për dhjetë minuta, vendosni një timer. Pas dhjetë minutash, shkëpute menjëherë.
Mund edhe t’i bëni vetes këto tre pyetje disa herë në ditë:
Ku jam?
Çfare po bej?
A është e rëndësishme për mua?
3. Luaj për të larguar mendimet negative
Nëse vëreni se keni shumë mendime negative, Zimmer rekomandon të provoni lojën e alfabetit.
Filloni me shkronjën A dhe emërtoni diçka që ju pëlqen që fillon me këtë shkronjë. Vazhdoni me B dhe kështu me radhë derisa të arrini në gërmën e fundit.
“Është një strategji e shkëlqyer për të larguar idetë e gabuara nga koka jote”, thotë Zimmer. “Ndrysho mendjen tëndë dhe mund të jetë më efikase se mendimet pozitive. Ana refleksive e lojës ndihmon që kënaqësia të mbetet vazhdimisht në shpirtin tuaj”, thotë ai.
Një studim i Cell Report tregon se si pasi ka përvetësuar një detyrë, truri në gjumë përsërit aktivitetin e tij cerebral bashkë me një lloj “replay offline”, që mund të ndihmojë procesin e konsolidimit të kujtesës
Një gjumë i mirë është i shëndetshëm, edhe për trurin, sepse ndihmon në imagjinacionin e kujtimeve. Prej kohësh, shkencëtarët kanë argumentuar se si gjumi ndihmon proceset e konsolidimit të kujtesës (dhe në disa aspekte edhe të harresës). Por si ndodh e gjithë kjo, megjithatë, nuk është ende plotësisht e qartë. Pjesërisht mund të realizohet falë një lloj ripërsëritjeje, gjatë natës, të aktivitetit të trurit të bashkëshoqëruar me disa veprime të kryera të zgjuar. Një “replay offline” siç e quajnë studiuesit në faqet e Cell Report përshkruan fenomenin e vërejtur në trurin njerëzor.
Ndërsa tek kafshët, thonë shkencëtarët, diçka e ngjashme ishte vërejtur prej kohësh dhe lidhej me proceset e konsolidimit të kujtesës. Por që e njëjta gjë mund të ndodhte edhe tek njeriu nuk ishte e sigurtë. Edhe për t’u kuptuar nuk është aspak e lehtë. Për ta bërë këtë, studiuesit monitoruan aktivitetin e trurit të dy pacientëve që morën pjesë në një eksperiment klinik, ku elektroda ishin implantuar në trurin e tyre, si pjesë e një sistemi ndërfaqe tru-kompjuter. Eksperimente të ngjashme janë për t’u mundësuar personave me aftësi të kufizuara të forta dhe kufizime motorike të rivendosin një kontakt me pjesën e jashtme, për shembull lejojnë të kontrollin e gjymtyre robotike falë deshifrimit të aktivitetit të trurit.
Në studimin e tyre, ekipi i Jean-Baptiste Eichenlaub i Massachusetts General Hospital, i përdori këto elektroda për të regjistruar aktivitetin e trurit të lidhur me kryerjen e një detyre, të ngjashme me lojën Simon mjaft e përhapur në vitet ’80. Në fakt, pjesëmarrësit shikonin në një ekran katër butona me ngjyra të ndryshme, të cilat kur shtypeshin shoqëroheshin me tinguj të caktuar. Duke u shtypur me radhë ata krijonin një lloj melodie që pacientët duhej të përpiqeshin të mësonin dhe ta përsërisnin duke drejtuar, përmes veprimtarisë së tyre cerebrale, lëvizjet e një kursori në ekran për të shtypur butonat me ngjyrë. Studiuesit regjistruan falë elektrodave modelet e aktivizimit nervor jo vetëm gjatë provës, por edhe gjatë periudhave të pushimit (një sy gjumë të vogël) para dhe pas. Duke vazhduar në këtë mënyrë që ata panë sesi gjatë gjumit truri përsëriste, me të njëjtin aktivitet neuronal, testin e sapobërë.
“Është një provë e parë e drejtpërdrejtë që edhe tek qeniet njerëzore ne vërejmë këtë aktivitet replay, si rezultat i të mësuarit që mund të ndihmojë në konsolidimin e këtyre kujtimeve,” komentoi Beata Jarosiewicz, shkencëtar senior research i NeuroPace, njëri prej autorëve të studimit. Për të kuptuar nëse gjërat janë vërtetë kështu, hapat e ardhshëm mund të jenë studimi nëse ekziston një lidhje, për shembull, midis forcës së këtyre replay offline dhe aftësisë për të mbajtur mend. Por do të ishte kurioze edhe të kuptohet, përfundojnë autorët, në cilën fazë të gjumit ndodhin këto replay, apo nëse motivimi personal dhe konteksti emocional kanë ndonjë ndikim.
Nuk ka ende detaje të sakta dhe projekti është i zhytur në misterin më të thellë (dhe plot dyshime). Por ajo që dihet është se NASA po planifikon të bashkëpunojë me Hollywood-in për të bërë një film në hapësirë, dhe se ylli Tom Cruise mendohet të jetë pjesë e projektit.
“Kemi nevojë për media popullore për të frymëzuar një gjeneratë të re inxhinierësh dhe shkencëtarësh për t’i kthyer në realitet planet ambicioze të NASA-s” ka tweetuar Jim Bridenstine, numri një i agjencisë hapësinore amerikane. Sipas Hollywood Deadline, në film mund të bashkëpunojë edhe SpaceX Elon Musk për të realizuar atë që do të ishte filmi i parë që do të xhirohej në hapësirë.
Në pamje të parë duket si një ‘tapet i kuq’: mijëra flamingo kanë mbushur Mumbain e zbrazët nga karantina
Imazhet e kafshëve që zënë hapësirat e braktisura nga qeniet njerëzore gjatë fazës së lockdown që goditur të gjithë planetin për shkak të emergjencës së Coronavirusit tani janë të panumërta dhe secila prej tyre ka sharmin e saj.
Megjithatë, nga Mumbai, Indi, mbërrijnë fotografi të destinuara të bëjnë histori për dashamirët e natyrës dhe mjedisit. Nëse në Parco Cornelle, në Itali, festohet lindja e një flamingo shumë të vogël rozë, metropoli Indian në fakt është dëshmitar i një spektakli të jashtëzakonshëm.
Po, sepse janë me mijëra flamingo që kanë mbërritur pranë brigjeve të liqeneve dhe përrenjve në zonë. Nuk është e re: flamingot rozë janë zogj shtegtarë dhe zakonisht kryejnë një rrugëtim të mirëpërcaktuar që përsëritet nga viti në vit. Por, këtë vit, ka diçka ndryshe. Sipas Bombay Natural History Society, në 2020 ka pasur një rritje prej 25% të flamingove që kanë mbërritur në rajon.
Nëse në vitin 2019, pra, në total në qytet kishin mbërritur 134 mijë, në 2020 – para karantinës së detyruar – numroheshin 125 mijë. Deri në fund të majit, pra, jo vetëm që numri i vitit të kaluar do të tejkalohet, por sipas parashikimeve do të pësojë një rritje të pallogaritshme.
Shkaku i një fenomeni kaq të dukshëm është padyshim në emergjencën globale shëndetësore. Mumbai është një qytet shumë i populluar, por me bllokadën – ka deklaruar Dr Apte për NDTV – zona është bërë më “e qetë dhe pa shqetësime”. Gjithashtu, flamingot kanë mbërritur në qytet pak më vonë në krahasim me vitin 2019, për shkak të “shirave të dendur në Gujarat” përfundon Dr. Apte, drejtor i Bombay Natural History Society.
Për të dhëna përfundimtare dhe objektive mbi këtë migrim të jashtëzakonshëm do të nevojitet të pritet heqja përfundimtare e bllokadës, por ndërkohë, imazhet e zogjve – të cilët për herë të parë janë përqendruar në zona të lagështa – janë spektakolare. Një tapet i kuq në qendër të qytetit, aq sa është e vështirë të kuptohet në shikim të parë – efektivisht – në se bëhet fjalë vërtetë për flamingot që udhëtojnë.
Lion of Rock na la në Dhjetor 2014, pas një jete në muzikë. E kujtojmë zërin e tij, të butë dhe të zhurmshëm njëkohësisht dhe karizmin e tij të jashtëzakonshëm përmes një seri kuriozish që përshkruajnë karakterin dhe rrugëtimin e tij.
Lindi në Sheffield
I lindur mes tymrave të minierave të Sheffield, në Veri të Anglisë, Joe Cocker nuk do ta harrojë kurrë qytetin e tij, aq sa i kushtoi një album, ‘Sheffield Steel’. Faktikisht nuk janë të pakët bijtë e këtij vendi që janë rritur me muzikën: Monkeys Arctic, Human League, Def Leppard, Cabaret Voltaire dhe shumë eksponentë të muzikës elektronike. Edhe Jarvis Cocker i Pulp lindi këtu dhe për shumë kohë kanë qarkulluar zëra se ai ishte i lidhur me Cocker-in tjetër … Por është thjesht një fake!
Hera e parë në skenë
Kur ishte 12 vjeç, vëllai i madh e lejoi të këndonte me grupin e tij skiffle: instrumente të bëra në shtëpi, ndikime afrikano-amerikane bluzi, xhaz dhe folk music; e faktikisht ndër mitet e atij djaloshi anglez figuronin Ray Charles, John Lee Hooker, Muddy Waters, Howlin ‘Wolf …
Vokacioni
Ishte vetëm 16 vjeç kur në vitin 1960 militonte në grupin e tij të parë, The Cavaliers: ishin aq të panjohur sa u duhej të paguanin vetë hyrjen në pab në mënyrë që të performonin! Rezistuan kështu për vetëm një vit, por patën meritën e lançimit seriozisht të djaloshit Joe drejt muzikës: e la shkollën dhe punoi part-time për një kompani të gazit, ndërsa përpiqej të shquhej me grupe të tjera.
Mes Beatles dhe Rolling Stones
Nëse suksesi i vërtetë erdhi në vitin 1968 me versionin e tij ‘With a Little Help from My Friends’ – i cili arriti në # 1 në Angli – disa vjet më parë me një tjetër prej proto-bandave të tij, ai ishte tashmë një këngëtar mbështetës i Mick Jagger & Co. The Beatles e komplimentuan atë për coverin shumë të suksesshëm, duke i hapur kështu rrugë një miqësie të gjatë dhe të bukur: pas vdekjes së tij, Paul McCartney deklaroi se e kishte dashur gjithmonë si muzikant dhe i deklaroi mirënjohje të përjetshme për shndërrimin e ‘With A Little Help’ në një himn Soul.
… por para Led Zeppelin
Është falë Joe Cocker që publiku i gjerë zbuloi talentin e Jimmy Page, kitaristit të ardhshëm të Led Zeppelin. Aso kohe ishte edne një zëvendësues rradhe i panjohur, luante në studio për etiketa të ndryshme si session man. Mori pjesë në sukseset e para të Joe Cocker, nga With a Little Help From My Friends’ në ‘Sandpaper Cadillac’, nga ‘Bye Bye Blackbird’ tek ‘Marjorine’, duke rënë më në fund në sy të atyre që kanë peshë.
Të jesh ikona e Woodstock
Performanca e tij e jashtëzakonshme në atë që mbahet mend si festivali më i rëndësishëm në historinë e muzikës, i dha atij një autoritet pothuajse të menjëhershëm ndërkombëtar. Në vitin 1969 ai djalosh i papërmbajtshëm anglez u shndërrua në një zbulim për Amerikën dhe mbarë botën: publiku i gjerë zbuloi fuqinë e tij vokale nga ‘Something Comin’ On’ e deri në kulmin e pavdekshëm të ‘With a Little Help from My Friends’.
https://youtu.be/tfLyK2DVVUU
Një kthesë e rrezikshme
Mbërritja e viteve Shtatëdhjetë e bëri këngëtarin drejt të qenit nga një “pijetar birre” i fortë – siç e quante ai vetë veten – deri në tejkalimin pa frena në çdo lloj eksperimenti: gjatë turneut të Mad Dogs & Englishmen, duke kaluar nëpër të gjithë Shtetet e Bashkuara në më pak se dy muaj me një staf prej 30 muzikantësh, heroi ynë ishte i pafrenueshëm thuajse në gjithçka. Tensionet e vazhdueshme dhe stresi e shtynë atë të shkarkonte tensionin duke abuzuar me drogë dhe alkool, aq sa të binte në paranojë dhe depresion: kur u kthye në shtëpi, familja e tij nuk e njihte më, të lodhur siç ishte në trup dhe në mendje; dhe gjithashtu zëri i tij dilte i modifikuar:
“Pija rreth 40 cigare në ditë. Ka pjesë të falsetos sime që nuk u kthyen më kurrë. Ato vite kërkuan një haraç të madh nga trupi im ”
Më shumë Cocker se Cocker
Është e paharrueshme parodia e John Belushit. Çdo episod i Saturday Night Live Show përfshinte performancën e një të ftuari muzikor dhe kur erdhi rradha e Cocker-it, komediani i madh e nisi duke kryer vetë një imitim perfekt: i veshur në të njëjtën mënyrë, të njëjtën physique du rôle, të njëjtat lëvizje të thyera duke tundur krahët në ajër dhe duke imituar stilin air guitar. Xho jo vetëm që nuk u fye, por i bëri komplimetet e tij. Ato tronditje emocionuese aq tipike për shfaqjet e tij të para ishin në të vërtetë një shprehje instinktive e mënyrës sesi ai e ndjente muzikën t’i rridhte nëpër trup dhe keqardhjen e tij që nuk dinte të luante një instrument muzikor në skenë. Sidoqoftë, deklaroi se nuk mund të shihte më vetveten dhe se ishte i tmerruar nga ato lëvizje konvulsive.
Ekrane të mëdha dhe të vogla
Duke folur për aktorët, ka kontribuar në pothuajse njëqind kolona zanorë për kinemanë (nga ‘The Bodyguard’ tek ‘Iron Man 2’) dhe për TV (‘Cold case’, ‘Dr. House’, ‘On listening’…). Dy nga këngët e tij më të famshme shënuan suksesin dhe hyrjen në imagjinatën kolektive të dy filmave simbol të viteve ’80: ‘Up Where We Belong’ për ‘ An Officer and a Gentleman’ dhe sigurisht versioni i tij i ‘You Can Leave Hat juaj On’ për ‘9½ Weeks’.
Ringjitja
Në vitet tetëdhjetë – përmes Jane Fonda i cili kishte marrë me qira një nga fermat e tij kaliforniane në Santa Barbara – Cocker më në fund takoi dashurinë e tij të madhe: gruan e dytë Pamela Baker, një fanse e vjetër e tij.
“Ishte Pam ai që më ktheu në rrugën e duhur. Më bëri të mendoj pozitivisht. Më bëri të kuptoj se njerëzit ende donin të më dëgjonin duke kënduar dhe se nëse dëshiroja, mund të shpëtoja nga ajo spirale për poshtë”.
Të dy nuk u ndanë më kurrë dhe çuan deri në fund një jetë shumë më të shëndetshme. Cocker i dha fund ekzistencës së tij krah saj në një tjetër fermë, Mad Dog, në Kolorado. Këtu veset e marra gjatë viteve shtatëdhjetë i lanë rrugën pasioneve shumë më të natyrshme, aq sa luani i vjetër në kohët e fundit kënaqej me rritjen e domateve dhe duke bërë shëtitje të gjata në natyrë bashkë me qenin e tij. Një rikthim i vërtetë tek toka dhe rrënjët, siç ishte e drejtë që të ishte.
Kosova i vetmi vend në Ballkan që ka shënuar zhvillim të demokracisë në 5 vitet e fundit, Serbia me së keqi
‘Freedom House’, ka vlerësuar së Kosova është shteti i vetëm në Ballkan që ka shënuar rritje të indeksit të demokracisë gjatë 5 viteve të fundit në disa fusha.
Sa i përket rajonit, përkeqësimin me të rëndë e kanë shënuar Serbia dhe Mali i Zi, të cilat kanë rënë nga kategoria e demokracive në atë të vendeve në tranzicion. Të dhënat më pozitive i përkasin Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që kanë shënuar përmirësime në një sërë fushash.
Dy fushat ku ka shënuar progres Kosova janë, mediat e pavarura dhe vlerësimi i Qeverisjes Demokratike Kombëtare.
Sipas këtij raporti thuhet se vlerësimi i Qeverisjes Demokratike Kombëtare u përmirësua nga 2.50 në 2.75 për shkak të lëshimit të pushtetit nga qeveria në pushtet në një koalicion të udhëhequr nga opozita pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që rezultuan nga dorëheqja e mëparshme e Kryeministrit.
Si dhe vlerësimi i pavarur i mediave është përmirësuar nga 3.00 në 3.25 për të pasqyruar një prirje pozitive drejt pluralizmit në sektor me rritjen e larmisë së degëve, si dhe rritjen e financimit të donatorëve për media të pavarura me qëllim të rritjes së edukimit në media dhe kundërveprimit të dezinformatave.
“Freedom House” vlerëson se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka siguruar rritje të indeksit të demokracisë gjatë 5 viteve të fundit. E megjithatë, thuhet më tej, zhvillimet e fundit atje, hedhin dyshime mbi progresin e mëtejshëm.
Organizata me bazë në SHBA, vlerëson se një numër udhëheqësish në Evropën Qëndrore, Ballkanin Perëndimor dhe Euroazi as nuk pretendojnë më të shqetësohen për demokracinë dhe sundimin e ligjit, duke sulmuar haptazi institucionet demokratike e duke punuar për kufizimin e lirive individuale në rajon.
Në tabelën prej 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët të përparimit demokratik dhe 7-ta me të lartin, Kosova i ka 3.18 pikë, krahasuar me 3.11 sa ka pasur vitin e kaluar.
Përparim të lehtë ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut, duke siguruar 3.75 pikë, krahasuar me 3.68, vitin e kaluar.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë shënuar përkeqësim, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina dhe Kroacia kanë mbetur në të njëjtën pozitë.
Kështu thuhet në raportin e “Vendeve në tranzicion, 2020” nga “Freedom House” ku vlerësohet gjendja e qeverisjes demokratike në 29 vende në Europë dhe Euroazi.
Nga maji kur e arrestuan në vitin 1947, në majin kur ndërroi jetë në vitin 1967. Jeta dhe veprimtaria e Dhimitër Paskos, shkrimtarit të pakrahasueshëm me pseudonimin Mitrush Kuteli, që regjimi komunist e shfrytëzoi jo vetëm në kampin shfarosës të Vloçishtit për ca kohë, por edhe në sistemin e përkthimeve anonime gjatë gjithë jetës, ku intelektuali gjenial punonte me normë për të siguruar ushqimin e familjes
Është vlerësuar si një nga klasikët e gjuhës shqipe, një nga themeluesit e prozës moderne shqiptare, por gjatë jetës së tij, të gjitha këto vlerësime i mori të filtruara përmes ndëshkimeve. “Ndodhi një periudhë që e renditën krahas Konicës, Fishtës e Koliqit, si poetë të padëshiruar. Ç’bëhet kështu?- i thashë një ditë e frikësuar. Nuk e shikon, ma ktheu ai me buzën në gaz, po më nderojnë shumë dhe duhet t’i falënderoj”, ka rrëfyer bashkëshortja e Mitrush Kutelit, Efterpi, disa vite para se të ndërronte jetë, në një intervistë të botuar te gazeta Panorama. Tregonte për vitet kur Mitrush Kuteli kishte dalë nga burgu dhe stërmundohej si përkthyes me normë për të siguruar të ardhurat e familjes. Lejen krijuese do ta merrte vetëm në verën e vitit 1966, 17 vjet pasi kishte dalë nga burgu, por ajo do i hiqej shumë shpejt, në fillim të vitit pasardhës, në një klimë shumë të rënduar që kishte krijuar Letra e Hapur e vitit 1967 që paralajmëronte dënime të reja. Kjo atmosferë kërcënuese do ia rrallonte ajrin zemrës së sëmurë të Dhimitër Paskos, i cili ndërroi jetë atë vit. Ai e ndjeu, para të gjithëve, fundin që po i afrohej nën këtë presion. “Ti Efterpi – më tha, – duhet të bëhesh e fortë. Është koha që duhet të iki. Më vjen keq për fëmijët, ata duhet të shkollohen, duhet të marrin bursa. Po të jem unë, inatet ndaj meje nuk do t’i lënë rehat. Me ikjen time diçka do të zbutet…. Parandjenja për fundin e vet, mbi të gjitha lidhej me sëmundjen e rëndë nga e cila vuante prej vitesh, por edhe me mënyrën si u rrokullis jeta e tij. Burgu, përndjekjet, gjurmimet, mënjanimi, i shkurtuan ditët”.-ka thënë gjatë së njëjtës intervistë Efterpi Pasko. Më vonë do të vinte mbrëmja e fundit e jetës së tij, më 4 maj.
Kishin kaluar thuajse 20 vite nga maji kur e kishin arrestuar. Në ato vite Sigurimi, Partia, kapteri i kampit, rrethi i intelektualëve që kishin në dorë fatin e shkrimtarit, me forma të ndryshme e bënë të provonte ndarjen nga njerëzit, zhdukjen, pamundësinë për kundërveprim, deri dhe dheun e ftohtë ku e futën të gjallë, në kampin e Vloçishtit, ku punoi si një i burgosur anonim. Ajo ditë maji e vitit 1947, i kishte mbetur në kujtesë me detaje, bashkëshortes së Paskos. Ishin martuar prej një viti dhe jetonin në shtëpinë që ish-punonjësi i Bankës Kombëtare, kishte marrë me qira në Tiranë. Kishte dhënë dorëheqjen në korrik të vitit 1946 nga puna në Bankë, me shumë mundësi, për shkak të mosrënies dakord për kursin e shkëmbimit të lekut të fuqishëm, me dinarin e dobët, që shteti shqiptar, mik me Jugosllavinë imponoi në atë kohë dhe ishte në kërkim të një pune në fushën e letrave. Synonte të punësohej në Institutin e Folklorit, ndërkohë që përkthente e përkthente nga disa gjuhë, derisa një ditë, u dëgjua një trokëllimë. “Data shënonte 16 maj ‘47, ishte ditë e enjte. Po rrinim në shtëpi te Shallvarja, kur u dëgjuan trokitje të forta në derë. E para dola unë. “Këtu është Dhimitri?”, më pyetën tre burra të armatosur dhe u futën brenda. “Dhimitër Pasko, në emër të popullit, je i arrestuar!”, i tha njëri prej tyre. E morën pa e prangosur. Sakaq një grup tjetër nisi të kontrollojë banesën në çdo skutë. Nuk dija ç’të bëja…”, ka treguar Efterpi Pasko. Pas asaj dite, familja qëndroi në terr të plotë për disa muaj, gjatë cilave u zhvillua hetuesia dhe gjyqi. Shkrimtari nuk do të fliste thuajse kurrë për gjithë atë kohë, përfshirë dhe burgun që e pasoi, por janë disa dokumente e dëshmi që hedhin dritë mbi të paimagjinueshmen që ndodhi në qeli dhe kamp.
Akuzat “fashist” dhe “antijugosllav” mbështollën arrestimin e intelektualit, por procesverbalet e hetuesisë dhe faktet e zbardhura dëshmojnë për mungesën e së vërtetës te e para dhe të fajit te e dyta. Dosja ku është dokumentuar dënimi i shkrimtarit mban urdhrin e prokurorit Publik, sipas të cilit “Dhimitër Pasko të ndalohet për një kohë të pacaktuar dhe të mbyllet në burgun e armiqve të popullit”. Në procesverbalin e hetuesisë, Dhimitër Pasko iu përgjigjet pyetjeve për përfshirjen e tij në front me forcat naziste të Rumanisë, ku ai jetonte në atë kohë, për veprimtarinë në Bankën Kombëtare gjatë pushtimit, për shkrimet e botuara në gazetën “Bashkimi i Kombit” dhe marrëdhëniet me Kostë Boshnjakun e Kolë Kuqalin, të shpallur tashmë armiq. Dhimitër Pasko nuk e ka mohuar kurrë pjesëmarrjen në trupat që u nisën drejt Bashkimit Sovjetik në vitin 1941, në të cilat u reshtuan me detyrim ushtarakë, civilë e intelektualë. Pyetjes nëse ai ka qenë vullnetar në atë grumbullim kundër ushtrisë së kuqe të Bashkimit Sovjetik, i është përgjigjur me mohim bindës. “Jo, nuk kam qenë dhe as që mendoja, por më morën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohesha. Atje kam qëndruar dy muaj dhe punoja si sekretar II. Me anë të bankës u lirova, pasi kërkova vetë një gjë të tillë”, ka thënë ai dhe largimi nga fronti, kthimi në Rumani e më pas në Shqipëri, ku fashistët i kishin vrarë të atin dhe djegur shtëpinë në Pogradec dhe qëndresa e faktuar ndaj pushtesve gjermanë ndërsa punonte si drejtues banke, kur edhe filloi të ndiqet nga gjermanët për të përfunduar në listën e zezë të Gestapos në Vienë, vërtetojnë fjalët e tij. “Unë kam menduar si kundra okupatorit, për mos me i dhënë mjete financiare, për të larguar ose ngadalësuar ato që jipte qeveria, për të sigurue rezervën e arit dhe për të mos emetuar monedhë të re etj.”, është shprehur Dhimitër Pasko. Për shkrimet në gazetën “Bashkimi i Kombit”, ka thënë që kanë qenë kritike ndaj qeverisë, ndërsa me Kostë Boshnjakun e Kolë Kuqalin që kishte vetëm marrëdhënie për hir të punës dhe studimeve dhe që nuk kishte zhvilluar asnjë nga ato bisedat që pretendonte Prokuroria për rrëzimin e pushtetit. E megjithatë, Dhimitër Pasko u dënua me 5 vjet heqje lirie. Ndoshta trupi gjykues e pranonte që ai nuk ishte reshtuar vullnetarisht kundër Ushtrisë së Kuqe, por nuk mund të pranonte kurrsesi që ai ishte reshtuar kundër Jugosllavisë, si financier, por edhe si shkrimtar, me poemën “Poemi kosovar”.
Vetëm pasi u dha vendimi, bashkëshortja dhe miqtë u lejuan ta takonin. Pas kësaj, e dërguan në Vloçisht, ku ai i nënshtrohet jo vetëm punës së rëndë, por edhe poshtërimit e torturës që përmblidhen në episodin makabër, që vite më vonë e ka treguar gjatë një përkujtimoreje të shkrimtarit, dëshmitari, Hamza Tusha. “Ndërsa punonim të gjithë aty në atë kamp, një kapter që quhej Skënder, thërret me të madhe që t’i sillnin atë shkrimtarin. Pastaj urdhëroi dy të tjerë që t’i hapnin një gropë të madhe mbi një metër e gjysmë të thellë”. …“Mbaj mend që atëherë ishte shumë ftohtë. Ishte ndoshta fillim prilli dhe koha ende nuk kishte nisur të ngrohej. Si e futën brenda në gropë, e mbuluan me plisat që kishin lënë rreth saj, derisa dheu i arriti deri te mjekra…pastaj, e lanë aty, të futur brenda në tokën e ftohtë e të lagësht afër kënetës së Maliqit. Si kaluan disa orë, atij filloi t’i ikë fytyra. Iu shtrembëruan nofullat dhe nuk nxirrte dot asnjë tingull nga goja. Ne të gjithë e shihnim, pa mundur të bënim asgjë. Të ktheje fjalë atëherë, sidomos në situata të tilla, ishte si ta kërkoje vdekjen me zor!!” …“Atë kohë komandant kampi, ishte një i quajtur Tasi Marko. Në momentin që ai kishte ardhur për të thirrur të burgosurit, një shoku im që kisha në krah më thotë: “Sa keq, ky njeri që është groposur këtu është një shkrimtar i madh. Pse nuk i del komandantit përpara t’i tregosh (unë isha komandant i një brigade të vogël të burgosurish që udhëhiqja punën). Megjithëse kisha shumë frikë, e mora guximin dhe i dola përpara komandantit duke i thënë: “Kapter Skënderi ka futur një njeri të gjallë në dhe!”… “Mbaj mend që ai u alarmua. Kërkoi me ngulm të gjente kapterin që kish bërë këtë veprim. Më pas e nxorën trupin e shkrimtarit duke i bërë shërbimet e duhura që ai të vinte në vete!”, ka mbyllur rrëfimin e tij Hamza Tusha.
E mbajtën 7 muaj në atë kamp, derisa e sollën në Tiranë, për ta bashkuar me një grup të dënuarish me të cilët do të përkthente. Më pas, në prill të vitit 1949, lirohet. Arsyeja e amnistisë, që mund të ishte dhe prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë, u tha se ishte dënimi i Koçi Xoxes, duke e quajtur vepër të tij edhe arrestimin e Dhimitër Paskos. Si çdo vendim tjetër të rëndësishëm për Dhimitrin që nga dita e arrestimit, Efterpi e mësoi rastësisht, duke lexuar emrat e të amnistuarve në gazetën “Zëri i Popullit”.
Në atë gazetë do të niste punë ca muaj më vonë si përkthyes, për shkak të nevojës për përkthime dhe jo sepse nga armik ishte kthyer papritur në intelektualin e mirëpritur të qarqeve mediatike dhe letrare të Shqipërisë. I tillë nuk u bë kurrë. Pas “Zërit të Popullit”, u çua si përkthyes në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, jo si nëpunës, por si bashkëpunëtor që paguhej me numër faqesh, një punë së cilës duhej t’i nënshtrohej deri në sfilitje për të mbajtur familjen, ku u lindën katër fëmijë. Të drejtën e botimit nuk ia jepnin; në Lidhjen e Shkrimtarëve që e kishte bashkëthemeluar, nuk e anëtarësonin; emrin në përkthime nuk ia botonin e megjithatë Dhimitër Pasko vazhdoi të punojë dhe la te fëmijët e tij, amentin “për të dashur atdheun dhe gjuhën deri në vuajtje, për të mos u shkarë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuanin pa faj”.
Sa e huaj për kohën ajo letër me këshilla biblike, e hapur në vitin 1967, kur Shqipëria u shpall shtet ateist. Dhe sa frymëzuese edhe sot! Bash si Mitrush Kuteli!/Kujto
Duket se Dukesha e Sussex ka ndërmend të marrë jetën e saj përsëri në dorë. Përfshirë dhe blogut të vjetër “The Tig”, në një version të ngjashëm me “Goop”. Çfarë do të bëjë, “konkurrencë” me aktoren?
Meghan Markle njësoj si Gwyneth Paltrow, vetëm me disa polemika më shumë për të shoqëruar prodhimin e saj letrar. Dukesha e Sussex, e cila në ditët e saj amerikane duket se i ka besuar një biografi me detyrën për të rikthyer të vërtetën (e saj) në lidhje me divorcin nga kurora mbretërore, paska ndërmend të rikthejë në jetë edhe blogun e saj. “Besoj se Meghan ka ndërmend të hapë një profil tjetër në Instagram dhe besoj,” tha ekspertja e sekreteve mbretërore Myka Meier, “se dëshiron të bëjë vetë Goop të saj, si një version të ri të The Tig. Mendoj se po vjen”.
Tig, blogu të cilit Meghan Markle i besoi mendimet e saj kur ishte akoma aktore, pa asnjë etiketë që t’i nënshtrohej, u mbyll në vitin 2018, sepse asnjë anëtari të monarkisë britanike nuk lejohet përdorimi personal i teknologjisë. Dhe Dukeshka atëherë u bind. The Tig, një lloj gazete në internet në të cilën Markle jepte këshilla Lifestyle, çfarë të vishni, ku të hani, si t’i bëni qentë tuaj të lumtur, u ngri. Në internet, gjendet akoma, por askush nuk ka shkruar më asgjë.
“Kam një mik i cili ka një mik të afërt me çiftin dhe besoj se mund ta them që Meghan Markle po punon për diçka”, ka shpjeguar sërisht Meier. “Besoj se shpejt do të shohim diçka shumë kreative dhe interesante, të krijuar me bashkëpunimin e talenteve, të cilët, me prejardhje nga e gjithë bota, kanë vendosur të bashkohen për të qenë një burim frymëzimi”. The Tig pra mund të kthehej. Dhe Meghan Markle me të, gati, si Gwyneth Paltrow, për ta bërë jetën e saj një pikë shkëmbimi dhe rrëfimi.