Për pastërtinë e gjuhës shqipe
Nga Prof. Dr. Eqerem ÇABEJ
Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet nacionale kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin dhe pastrimin e gjuhës.
Për të dhënë vetëm dy shembuj, po përmendim Irlandën dhe Turqinë. Në Irlandë, menjëherë pas shkëputjes prej Britanisë së Madhe dhe fitimit të pavarësisë, po edhe më parë, gjuhëtarët hapën shkrimet e vjetra, që i kishte mbuluar pluhuri i kohës, dhe qitën në dritë leksema të moçme të gjuhës që s’i njihte më kurrkush, që kishin qenë përdorur disa shekuj, mbase edhe njëmijë vjet më parë, dhe i shtinë në shkollë e në qarkullim, edhe sot ato janë në përdorim të përgjithshëm.
Në Turqinë qemaliste, në vazhdim të punës që pat nisur më parë, sidomos Sami Frashëri, për pastrimin e gjuhës nga fjalët, shprehjet dhe ndërtimet sintaktike arabe dhe persiane që e kishin mbuluar, me reformën gjuhësore që nisi në vitin 1928, u hulumtuan një varg fjalësh të turqishtes (osmanishtes) së vjetër dhe të disa të tjerave gjuhë turke të Azisë, dhe këto të gjitha dhanë një ndihmesë të madhe në pastrimin e gjuhës dhe pasurimin e saj me lëndë vendi.
Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është dhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me punën e kryer gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq kanë hyrë e po hyjnë të tjera në vend të tyre.
Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare. Nuk është aspak një shenjë shovinizmi, shqiptari nuk e ka traditë shovinizmin.
Në këtë fushë është punuar me shekuj tek ne dhe vazhdon të punohet në këtë drejtim.
Po të kundrohet kjo veprimtari më nga afër, shihet se ka këtu një vazhdimësi, një vijë të pandërprerë. Ne e çmojmë dhe e vlerësojmë veprimtarinë e paraardhësve tanë, njëkohësisht synojmë ndërkaq ta çojmë përpara veprën e tyre dhe ta thellojmë.
Në këtë punë nuk do të kufizohemi të zbulojmë fjalë të moçme nëpër shkrime të vjetra, si kanë vepruar për shembull në vendet e përmendura më sipër.
Nuk është kjo e vetmja rrugë për ne, sepse plot fjalë janë edhe sot të gjalla në gojë të popullit dhe presin të shtihen në përdorim. Kjo punë ka filluar që me përmendoret e para të shkrimit të gjuhës shqipe. Autorët e vjetër si Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e të tjerë kanë vepruar me vetëdije në këtë rrugë.
Pjetër Budi në një vepër të tij të vitit 1618 ankohet se gjuha po prishej më fort prej pakujdesisë së “diesvet (dijetarëve) dhe letërorëvet” të kohës së tij.
Frang Bardhi në parathënien e fjalorit të tij të vitit 1635, flet për dëshirën e tij “me ndimuem mbë nja anë gjuhënë tanë”.
Gjysmë shekulli më vonë, Bogdani rrëfen se “m’anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhe të Shkodërsë” dhe shton se “giuha jonë qi me dijet dvuer (humbi) edhe fjalëtë”. Qysh te këta autorë të vjetër gjejmë fjalë si derëtar, dëftues, grykësi, gjetës, gjuhëtar, kangëtar, këshilltar, kopështar, krye (kapitull), lutës, madhështi, mbarim, mjeshtëri, ndjekës (ithtar, imitues), i përbrendshëm, përndjek (persekutoj) (prej nga mund të formohet përndjekje për “persekutim”), polem (popull, vegjëli), pushim, rrëfim, shkollar, urta, vetëmi, vjershëtar e plot të tjera, pa mundur ne sot të dimë se cilat janë fjalë të marra prej gojës së popullit dhe cilat janë formime të këtyre autorëve.
Në lidhje me këtë, dihet se në pasurim të gjuhëve letrare e të shkrimit, dy janë kryesisht rrugët që ndiqen përgjithësisht. E para është marrja e fjalëve të gjalla në ligjërimin popullor e nëpër dialekte dhe të shtënët e tyre në përdorim të përgjithshëm, shpeshherë duke i ngritur më lart në punë të nivelit kuptimor. Kështu, për shembull, fjala lëndë (landë) si kuptim konkret ka “dru; dru si material ndërtimi”, po qysh prej shkrimtarëve të Rilindjes së shekullit të kaluar përdoret me rrugë abstrakte edhe për “materie”, “subjekt”, “temë” etj.. Po kështu edhe fjala rrymë, prej kuptimesh të tilla si “rrjedhë e vrullshme e ujit”, “lëvizje e ajrit”, “remë e mullirit” (rrymë e ujit, rrymë ajri, rrymë e mullirit), ka zgjeruar sferën e përdorimit me rrymë elektrike, rrymat letrare, rrymat politike etj., duke përfshirë kështu edhe sferat abstrakte të leksikut.
Rruga e dytë është formimi i fjalëve të reja, i të ashtuquajturave neologjizma. Këto mund të jenë formime të mëtejme të fjalëve popullore, si anëtar nga (anë).
Puna e autorëve tanë të vjetër në këtë fushë veprimtarie po të hetohet më imtë, shihet se vazhdon më tej edhe gjatë kohës para shekullit të kaluar. Edhepse përmasat qenë më të vogla, dhe mënyra e punës shpesh herë anonime, vlen të shënohet se nuk ka patur aty një zbrazëti të plotë në punë të shkrimit e përpunimit të gjuhës. Kjo veprimtari ndërkaq me një gjallëri të re u rimuar tek ne sidomos me shekullin e kaluar, mbasi lëvizja mendore e “shekullit të dritës” (le siècle des lumières), i quajtur gabimisht “iluminizëm”, dhe më vonë e romantizmit, patën zgjuar sidomos ndër popujt e vegjël e të robëruar të Europës idenë nacionale dhe dashurinë për kulturën popullore, folklorin, gjuhën amtare dhe përpunimin e kultivimin e saj. Njerëzit që vepruan në këto fusha kanë qenë nganjëherë njëkohësisht burra të armës dhe të pendës, luftëtarë dhe dijetarë e shkrimtarë, ashtu si Pashko Vasa ndër ne.
Me një ndjenjë habie shohim ne sot sesi një njeri jo i pendës, po i armës, dhe folës i një dialekti në skaj të trevës gjuhësore, si Marko Boçari prej Suli, përdor në fillim të shekullit të kaluar leksema të sferës kuptimore-abstrakte si kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë, ashtu si dikur Gjon Buzuku në Veri, e të tjera si këto. Mbetet merita e elementit shqiptar të Italisë që i priu Rilindjes Kombëtare të shekullit të kaluar, me çeljen e Kolegjit të Kalabrisë (1732) dhe atij të Palermos në Siçili (1734), dhe pastaj me vepra historike-gjuhësore, folklorike e letrare, si ato të Nikollë Ketës (1742-1803), Engjëll Mashit e sidomos të Jeronim De Radës, i cili organizoi edhe dy kongrese gjuhësore në Kalabri.
Në këtë lëvizje mendore e gjuhësore-letrare në gjysmën e dytë të atij shekulli morën pjesë, siç dihet, edhe shkrimtarë e dijetarë shqiptarë të Greqisë, si Panajot Kupitori e Anastas Kullurioti. Nga shkrimtarët e Shqipërisë, një brez para atyre të Rilindjes, Naum Veqilharxhi është një ndër të parët që u përpoqën të pasuronin gjuhën e shkrimit e ta spastronin nga fjalët e huaja, me fjalë si fletore, kamës, mësim, padije, shënim, shumicë, thelloj e ndonjë tjetër. Përpara tij Tahir efendiu prej Gjakove përdori më 1835, ndër të tjera, fjalë si folës, mësim, mësues, nxanës, rrëzim.
Shkrimtarët e Rilindjes, si Kristoforidhi, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e të tjerë, i hynë në këtë lëmë një pune të madhe edhe me një metodë të re. Kjo metodë ishte: kërkim, përhapje e vënie në qarkullim e fjalëve që ekzistojnë në gjuhë, po që kishin mbetur mënjanë; përdorim i fjalëve të vjetra e të harruara të gjuhës; përdorim shumë i kufizuar i fjalëve të huaja; formim fjalësh të reja, neologjizmash, si kompozita si rrjedhoja (derivate), pra kryesisht pas shembullit të fjalëve të gjalla të ligjërimit popullor e të dialekteve të tij. Ndër këta autorë, Kristoforidhi e pasuroi gjuhën e shkrimit me fjalë si fushatë, hierore “tempull”, jetëdhënës, ligjdhënës, ndërgjegje, pikë, presë, theks, zanore.
Tek Naim Frashëri gjejmë dëgjim, dritare, gjithësi, hapësirë, papunësi, i përjetshëm, vetëdijë, vjershëtor e plot të tjera. I vëllai Samiu, dihet se përveç punës që kreu në lëmin e caqeve (termave) gjeografike e administrative (lindje, perëndim, jugperëndim, veriperëndim, mesditës për “meridian”, kryeministër, qeveritar etj.), ka vënë themelet e terminologjisë gjuhësore e gramatikore, me formime si abetare, nyjë, njëjës, shumës, rrokje, i shquar, i pashquar. Para tij Jani Vreto shtiu në përdorim terma gjuhësore si rrënjë, emër, përemër, folje ndihmëse. Gjejmë tek ai edhe fjalë të gojës popullore përdorur me një mënyrë të re, pa mundur ne sot të ndajmë kurdoherë me saktësi se cili ndër këta tre shkrimtarë është autori i parë i disa fjalëve të caktuara.
Puna e pasurimit dhe e pastrimit të gjuhës vijoi e pandërprerë edhe pas periudhës së Rilindjes nga ana e një vargu shkrimtarësh, gjuhëtarësh e arsimtarësh të vendit. Në vitet e para të shekullit tonë Luigj Gurakuqi me veprat e veta ia kushtoi gjithë mundin e tij këtij qëllimi. Ai u caktoi lëvruesve të gjuhës detyrën që “skajet (termat) e përgjithshme t’gjith degëve t’dijes, qi janë pothuej gjithnjë ndër t’tana gjuhët… kena për t’i marrë edhe na… Fjalët e skajet e tjera kena për t’i trajtue vetë tue i ba me rrjedhë prej rraje shqype”.
Në ditët tona Aleksandër Xhuvani, i pajisur edhe me zotërimin e plotë të metodës gjuhësore, i kushtoi gjithë jetën e tij këtij synimi, pra detyrës së madhe të pastrimit të gjuhës prej fjalëve të huaja e të pasurimit të saj me fjalë vendi. Punimet e tij të kësaj fushe janë mbledhur shumica në dy vëllimet: “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1960) dhe “Studime gjuhësore” (1956), për të cilin vëllim gjuhëtari i njohur austriak Maksimilian Lamberc thotë se do të ishte me shumë vlerë që kjo punë jete të botohej e përkthyer në një gjuhë të madhe si frëngjishtja. Njëkohësisht edhe disa lëvrues dashamirë të gjuhës amtare dhe arsimtarë patriotë si Mati Logoreci e të tjerë, edhe këta me sa kanë mundur kanë punuar në këtë vijë. Këtu ndërkaq është vendi të vihet në dukje ndihmesa e madhe që ka dhënë e po jep në lëmin e zëvendësimit të fjalëve të huaja me fjalë vendi, në formë anonime, masa e njerëzve të thjeshtë, nëpunës, arsimtarë, ushtarakë, specialistë të degëve të ndryshme, në ditët tona përveç këtyre edhe institucionet shkencore, aktivistë shoqërorë e plot të tjerë.
Pas çlirimit janë formuar ndër të tjera, fjalë e caqe (terma), si anëshkrim, arritje, automjet, bajraktarizëm, bashkautor, bashkekzistencë, bërthamor, bishtajore, bletari, bujkrob, dukuri, ecuri, furrnaltë, gjetje (arkeologjike), halorë, hedhurina, huazim, kanal kullues, leshpunues, mbingarkesë, mbingarkim, mbishtresë, mbivlerë, pyetësor, rreshje, shpërpjestim, shpim, tokëzim, tregues, vendburim e të tjera.
Në këtë mënyrë gjuha e shkrimit dhe e bisedës që përdorim ne sot i ka rrënjët në gjuhën popullore të përpunuar gjatë kohëve. Ajo është rezultat edhe i përdorimit të fjalëve të gojës së popullit edhe i punës së madhe të brezave të mëparmë.
Do të ishte me interes për historinë e gjuhës letrare e të shkrimit të hetohej se, sidomos nga fjalët e leksikut abstrakt-mendor, tek cili autor secila ndër to shfaqet për herë të parë, ose të paktën në cilin shkrim (vepër, revistë a gazetë) paraqitet së pari. Një punë e tillë e dyfishtë pret që të kryhet në të ardhmen. Aty mund të dalë që një pjesë e mirë e leksemave të këtij lloji janë më të vjetra nga ç’mund të kujtohet, dhe që një pjesë i ka patur qëmoti edhe gjuha popullore.
Gjuha shqipe është e pasur jo vetëm në elemente leksikore të kulturës materiale, por edhe në fushën e fjalëve të sferës abstrakte-mendimore. Nuk është i drejtë mendimi i disa dijetarëve të huaj se shqipja qenka e pasur vetëm në fjalë të sferës baritore, as i drejtë mendimi se shqiptarët paskan qenë një popull barinjsh nomadë, shtegtarë. Një mendim i tillë nuk përligjet as me të dhënat e ekonomisë politike historike.
Një profesor matematike më thoshte para disa kohësh se me terma shkencore të farkuara me mjetet e gjuhës së popullit ka shpjeguar lëndën e tij në shkolla të mesme dhe është kuptuar shumë mirë nga ana e nxënësve. Një gjë e tillë vlen dhe për të tjera degë të dijes, si për fizikën, botanikën, zoologjinë, gjeografinë, gjeologjinë, arkitekturë e degë të tjera. Për të dhënë vetëm disa shembuj nga lëmi i gjuhës popullore, që janë në gjendje të zëvendësojnë fjalët e huaja ose gjithsesi të pasurojnë gjuhën letrare dhe terminologjinë shkencore me elemente ose forma të reja, po përmend ndër të tjera: mbarë Çamëria, polipit të detit i thotë “likurishtë”, veprimit të zbutjes së një peme me anë të shartimit i thotë “zbutoj”; Gjirokastra për “parenté” thotë afëri, rozetës së tavanit i thotë kërthizë, tuberkulozit të eshtrave i thotë rrodhje (nga rrjedhja e qelbit); Labëria atij që përziente bagëtinë me një tjetër i thotë “përzitës”, dhe sisës së gjirit të bagëtisë femër “mjelm”; Bregu i Detit për “zë rrënjë bima” thotë “rrënjëzohet”; Lunxhëria, drurëve e shkurreve të ulëta që rriten keq në pyll në hijen e drurëve të mëdhenj, u thotë “hijesira”; Zagoria për “qëmoti, lashtë” thotë “lashtërisht”, dhe ana e Këlcyrës për “tashti vonë, rishtas” thotë “rishmë”; anët e Beratit e të Frashërit, sipas Kristoforidhit, zgavrës së një druri të madh si rrapi i thonë “zgërbonjë”, dhe Dangëllia një ene bakri me veshë i thotë “veshore”; Labova e rrëzës së Tepelenës, kur bie borë e imtë thotë “mizon”; Mallakastra, një fiku vjeshtak të zi e me plasa në lëkurë, i thotë “fik shkronjës”; Myzeqeja, grykës së lumit që derdhet në det i thotë “gojkë” d.m.th. “gojë”; ana e Shpatit, mostrës ose modelit, i thotë “gjedhe”, dhe të mbajturit anë, anësisë i thotë “anesë”; Shqipëria e Mesme, për një njeri të flashkët me trup e të mefshtë, thotë “i qullët”.
Në të folurit e Tiranës ndiheshin dhe ndihen ende fjalë si “kryemot” për natën e ditën e vitit të ri, dhe “hulli” për “brazdë”. Në katundin Sharrë të Tiranës, fjalën “pamënia” e kemi dëgjuar me kuptimin “panoramë, pamje”, e në anët e Krujës dëgjohet “anësujë” për “ishull”. Me këtë nuk themi se do të zëvendësojmë patjetër ishull-in dhe do ta heqim krejt nga përdorimi, porse e japim shembullin për të treguar se edhe në fushën gjeografike gjuha e popullit ka formuar leksema si kjo, e cila mund të hyjë në përdorim në stile të veçanta të gjuhës letrare.
Mjeshtrit e asaj ane, kanaleve a vanave që gërryhen në çimento për kalim uji, u thonë “ujëse”. Mirdita vendosjes së një grupi etnik të shpërngulur në një vend të ri, pra kolonisë, i thotë “ngulim”. Shkodra, tekstileve u thotë “veglore”, fjalë që lidhet me “vegël”, që e përdor Korça për “vegjët”. Anët e Veriut, fundërrisë që mbetet nga të shkrirët e një lënde i thonë “bram”, shtrirjes së një lugine i thonë “lugajë”, një fushe voglake i thotë “vuth”, një toke që është nën ujë i thotë “tokë mbujake”, një galerie a tuneli i thotë “zgafelle”, tumave të lashta (në arkeologji) i thotë “kodërvarre”, një grumbullimi lulesh në trajtë të një kalliri të varur i thotë “vastak”, një pipthi, kalemi a fidani, i thotë “trishe”, sëmundjes karies (të dhëmbëve), i thotë “briesë”; veçanërisht Pulti për “mjekoj me barna”, përdor foljen “barnatoj”. Fjala “imtoj”, sot përgjithësisht ka kuptimin “shkoqit në hollësira (një çështje)”, por në të folurën e Lumës përdoret në mënyrë konkrete “holloj”, imtoj drutë, “i çaj, i bëj të holla”. Kosova, një njeriu që ka të njëjtin emër me një tjetër, i thotë emnak, kurse për foljen “dorëzoju”, thotë “jep dorzimin”; në Kosovë për “filaturë” përdoret emri “tjerrtore”, kurse për “kaldajë”, përdoret emri “ngrohtore”.
Në Dibër, një helmi të madh të shpirtit i thonë “djegë”. Duke kaluar në dialektet e ngulmimeve shqiptare jashtë Atdheut, do të përmendim se në Arbënesh të Dalmacisë për togfjalëshin “shpina e dorës” thonë përmidora, kurse për foljen “krijoj”, përdorin një fjalë vendi “lentoj”, prej nga mund të formohet edhe fjala “lentim” për “krijim”. Në Greqi për “gardh”, thonë thurimë, fjalë që mund të përdoret edhe me një kuptim të figurshëm, si p.sh. në gërshetimin e veprimit të një drame.
Në Kalabri ofiqit, (nofkës) që i ngjitet një njeriu, i thonë “shënim”. Në Siçili, samarit i thonë “bërrore”, fjalë që lidhet me fjalën “barrë; për “të dhënë e për të marrë, pra për marrëdhënie” thonë “përzitë”, sikurse në shprehjen “me të huajin të mos kesh përzitë”. Atje kanë farkuar dikur edhe gurshkronjë për “litografi”.
Këta janë vetëm disa pak shembuj për të dhënë një ide sado të zbehtë për pasurinë e visarit leksikor të gjuhës sonë popullore.
Janë pra të gjitha mundësitë për një zëvendësim të fjalëve të huaja me fjalë vendi, dhe kjo pa bjerrje aspak të vlerës kuptimore të fjalëve.
Mund të zëvendësohen ndër të tjera fjalë si “abuzoj, abuzim, acid, adaptoj, adaptim, agresion, agresiv, aktivitet, aktivizoj, ambient, ambiental, ambiguitet, amorf, anketë, apikulturë, aproksimativ, aproksimativisht, aprovoj, aprovim, atribuoj, bonifikoj, bonifikim, celular, deduktoj, deduktim, dekompozoj, dekompozim, depistoj, depistim, derivat, destinoj, disekuilibër, dimension, efekt, i efektshëm, efikasitet, eksperiencë, eksploroj, ekuilibër, erupsion, esencial, evoluoj, favor, favorizoj, favorizim, i favorshëm, fenomen, fibër, filaturë, firmos, fortifikoj, fortifikim, frekuentoj, frekuentim, frutikulturë, germë, grataçielë, hezitoj, hezitim, imediat, imperativ, influencë, influencoj, inkuadroj, inkuadrim, inkurajoj, inkurajim, inovacion, insistoj, insistim, insuficiencë, intoksikacion, investoj, investim, justifikoj, justifikim, justifikues, kaldajë, karbon, konditë, kondicionoj, konfirmoj, kontribuoj, kontribut, kooperoj, kooperim, koordinoj, koordinim, korrent, korrespondoj, korrespondencë, kulminant, landshaft, laring, laringjit, leguminoze, legjislativ, lubrifikoj, manual, militoj, monument, ndofta, ndoshta, operativ, origjinë, palafit, penelatë, perfeksionoj, perfeksionim, polen, preferoj, preokupoj, preokupim, preokupant, presion, presupozoj, presupozim, reciprok, reciprocitet, refuzoj, refuzim, renal, rendiment, represiv, revokoj, sekret, servil, silvikulturë, i sinqertë, sinqeritet, sinqerisht, sinjifikativ, skulptor, skulpturë, spektator, spostoj, spostim, stimul, sukses, i suksesshëm, supersticion, supozoj supozim, tentoj, tentativë, (ujëra) territoriale, toksik, toksikologji, total, totalisht, transformoj, transformim, transmetoj, transmetim, unifikoj, unifikim, validitet, vegjetacion, vigjiloj, vigjilencë, vigjilent, (që me këtë formë s’e kanë as italishtja, as frëngjishtja), volum, voluminoz, xhiroj, xhirim, etj..
Në lidhje me këtë punë të madhe, së cilës mendojmë se duhet t’i përvishemi me një rrugë tërësore, sistematike e të organizuar mirë qysh në ballë, në mënyrë paraprake do dalluar qartë ç’është huazim, (frëngjisht – emprunt) dhe ç’është fjalë e huaj. Fjalët më sipër e shumë të tjera të llojit të tyre, nuk janë huazime të mirëfillta, të tilla që të kenë hyrë lashtërisht në gjuhë të popullit, të jenë bërë mish e asht i saj. Janë mish i huaj depërtuar në gjuhë nëpërmjet shtresave intelektuale, kryesisht në këto brezat e fundit, dhe nuk kanë arritur të hyjnë thellë në strukturën leksikore të gjuhës. Prandaj dhe zëvendësimi i tyre me brumë vendi, me kusht që të mos cenohet saktësia kuptimore, në përgjithësi nuk paraqitet i vështirë. Do patur parasysh në këtë mes se depërtimi i fjalëve të këtij lloji nuk përligjet as me karakterin gjuhësor të shqipes.
Gjuha shqipe nuk është një gjuhë romane, as gjysmë-romane, si ka qenë pohuar dikur dhe vazhdon të pohohet vise-vise edhe sot e kësaj dite. Janë të gjitha mundësitë reale që mos t’i lihet shteg edhe pohimit të dikujt se “njeriu duhet që më parë të mësojë italishten para se të mundë të lexojë pa mundim një shkrim të shqipes”.
Në këtë veprimtari ndërkaq duhen patur parasysh disa parime në lidhje me metodën e punës që do të ndiqet. Një ndër parimet kryesore në zëvendësimin e fjalëve të huaja do të jetë maturia. Nuk duhet aty të kalohet në ekstrem. Ka rasa – kryesisht në punime të specialitetit – ku përdorimi i një fjale a termi të huaj paraqitet i domosdoshëm; aty, për hir të saktësisë shkencore, të stilit, a për një tjetër arsye, do të përdoret. Si kudo, edhe aty duhet vepruar me masë, kanë thënë të vjetrit. Nuk duhet ecur si në disa gjuhë, ku edhe fjalë e terme ndërkombëtare janë munduar t’i zëvendësojnë medoemos me elemente të vendit.
Në këtë mes del edhe pyetja: ç’është “term ndërkombëtar”? Mendojmë se “term ndërkombëtar” nuk mund të quhet një term shkencor që e kanë përgjithësisht vetëm gjuhët romane, gjuhët bija të latinishtes; ato vetvetiu e kanë marrë e do ta marrin prej saj. “Term ndërkombëtar” mund të quajmë një term shkencor që përveç gjuhëve romane e kanë në përdorim edhe idiomat e të tjerave familje gjuhësore, si gjuhët gjermanike, sllave e të tjera. Për të dhënë dhe këtu ndonjë shembull, do të themi se fjala “acid” nuk është “term ndërkombëtar”, po është term që përdoret dhe ka kuptim në kimi, ku është edhe “term ndërkombëtar”; levë, presion, nuk janë “terma ndërkombëtarë”, porse terma të fizikës, po; insekt është “term ndërkombëtar”, por termi “insekticid” nuk është i tillë. Po kështu qëndron puna edhe me botanikën përkundrejt leguminozeve e labiate-ve, me zoologjinë përkundrejt reptilë-ve, etj..
Duke mbetur në lëmin e terminologjisë shkencore mund të pohojmë pra se, në degë të ndryshme të dijes e përgjithësisht të veprimtarisë njerëzore, në arkitekturë, gjeologji, botanikë, zoologji, fizikë, kimi, matematikë, mjekësi e shëndetësi, në blegtori, bujqësi, industri, ekonomi, ndërtim e në fusha të tjera ka një mori fjalësh të vendit që, pa dëm kuptimor, janë në gjendje t’ua zënë vendin fjalëve të huaja. Aty është me interes edhe kjo, që fjalët e vendit kuptohen më mirë, rroken e përvetësohen më lehtë nga nxënësit e moshave të vogla, sepse u formojnë atyre shoqërime (asociacione) idesh; ato gjejnë analogjinë e vet në pasurinë leksikore që zotërojnë ata brenda sistemit të gjuhës amtare.
Në këtë fushë veprimtarie shihet kështu se një rëndësi të madhe ka puna e pastrimit të terminologjisë shkencore, e cila është mbuluar me elemente leksikore të huaja. Veçse përbrenda kësaj fushe duhen bërë diferencime. Një pjesë e madhe e terminologjisë së shkencave teknike, natyrore, mjekësore e të tjera është në përdorim kryesisht në rrethe shkencore e të specialitetit.
Një rëndësi më të madhe merr problematika e pastrimit të degëve të leksikut shoqëror, elementet e të cilit janë në përdorim tek një masë më e gjerë e shtresave të shoqërisë. Në këtë veprimtari, një detyrë edhe më të madhe përbën puna e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës së përditshme që përdoret në të folme e në shkrim. Spastrimi i gjuhës prej fjalësh të tilla si: ambient, eksperiencë, esenciale, fenomen, influencë, preferoj, etj., mbetet një detyrë kryesore e gjuhësisë shqiptare. Me fjalë të tjera, ne mendojmë se spastrimi i terminologjisë shkencore, me gjithë rëndësinë që ka, përbën vetëm një pjesë në punën e madhe e komplekse të pastrimit e pasurimit të gjuhës.
Edhe në lëmin e sintaksës, gjuhësinë shqiptare e presin detyra të reja në pastrimin e fjalisë prej ndikimit të huaj. Ndërtime të tilla si gjuha greke dhe ajo latine; kategoritë emërore dhe ato foljore; në të gjitha fushat, por kryesisht në ato politike e ushtarake, nuk janë të strukturës sintaksore të shqipes. Ato janë ndjekje (imitime) të gjedhes së italishtes, e që kanë depërtuar ndër ne gjatë këtyre brezave të fundit. Ndërtime të tilla kanë shkuar prej romanitetit perëndimor edhe në rumanishten, porse atje edhe lejohen si një gjuhë romane që është. Tek ne mendojmë se edhe këto përdorime duhet të zëvendësohen me ndërtime të vendit.
Thjesht në shqip do të duhej të thuheshin e të shkruheshin kategoritë emërore dhe kategoritë foljore. Një tjetër gjurmë ndër të tjera ka lënë në shqipen moderne edhe ndikimi sintaktik i italishtes në ndërtime fjalish, veçse duhet thënë se ky lloj ndërtimi ka depërtuar tashmë aq thellë në gjuhën bisedore e të shkrimit, sa nuk ndihet më si element i huaj, dhe do të jetë vështirë të mënjanohet.
Puna e pastërtisë së gjuhës përfshin edhe frazeologjinë. Edhe aty vërehen, në gjuhën e sotme, ndikime të jashtme, me ndjekje gjedhesh të huaja. me anë të përkthimit.
Në shqipen e mirëfilltë nuk thuhet “i hedh pluhur syve”, siç thonë në disa gjuhë të tjera, por thuhet “i hedh hi syve”.
Një përkthim (kalk) frazeologjik i ri është edhe shprehja “gjysmë i vdekur”; në folklor dhe tek autorët e vjetër gjendet rregullisht “paksa gjallë”, po me këtë kuptim.
Gjuhësia jonë edhe në këtë fushë është e caktuar të gjurmojë rrugët vetjake të gjuhës.
Duke kaluar nga fjalët në punë, jemi të mendimit se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm t’i përvishet kësaj pune, pra plotësimit të kësaj detyre të madhe. Mendojmë që në këtë komision të marrin pjesë njerëz nga institutet dhe qendrat kërkimore të Akademisë së Shkencave, si dhe përfaqësues e specialistë të degëve të ndryshme.
Të gjenden rrugët e bashkëpunimit të tyre me ndërmarrjet, fabrikat dhe institucionet shkencore e të tjera të vendit. Do të ketë pjesëmarrje e bashkëpunim aktiv sidomos edhe nga ana e arsimtarëve të rretheve, sepse shkolla do të luajë një rol të dorës së parë. Do të duhet një punë individuale dhe kolektive, një punë e re e gjithanshme, punë sistematike dhe me afat të gjatë. Me këto punë duhet të hapet një faqe e re e historisë sonë gjuhësore, një epokë e re e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës letrare, si edhe të shkrimit. Duhet gjithashtu të kryhet edhe një rishikim i gjithë punës së deritanishme.
Do të rishqyrtohen nga ky kënd vështrimi, jo vetëm terminologjitë e ndryshme dhe fjalorët terminologjikë, por edhe fjalorët e tjerë që janë punuar deri më sot. Do të jetë një reformë gjuhësore në nivel Republike.
Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë”, ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve dhe detyrave të pasurimit dhe pastrimit të gjuhës.
Fjalët e vendit dhe termat që do të zëvendësojnë me kohë elementin e huaj, do të shtihen në përdorim qysh në shkollat, qysh me moshën e re. Shumë fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve vetë në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë, do t’i mësojnë e do t’i përdorin vetvetiu; sikurse kanë hyrë në përdorim shumë fjalë vendi, që janë farkuar prej paraardhësve tanë dhe prej brezit tonë, dhe sot janë për ne mëse të natyrshme dhe janë bërë pronë e qëndrueshme e gjuhës. Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim të bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, siç u tha, me hapa të matur, me maturi në punë. Ne edhe në fusha të tjera të veprimtarisë kulturore kemi ndërmarrë punë që vetë neve në fillim mund të na jenë dukur të parealizueshme, e që i kemi kryer. Sot, më fort se kurrë na shtrohet detyra që këtë gjuhë, të cilën e kemi njërin nga elementet kryesore të kombësisë sonë, ta pasurojmë me fjalë të visarit popullor dhe ta spastrojmë nga masa e lëndës së huaj.
(Botuar së pari në gazetën “Mësuesi”, në dy numra: 28 mars 1979 dhe 4 prill 1979. Marrë nga faqja “Eqrem Çabej”).