Në murin e sallës së autopsisë të Institutit Anatomik të Universitetit të Bolonjës qëndron një mbishkrim: Hic mors gaudet succurrere vitae, këtu vdekja është e lumtur të ndihmojë jetën. Dhe vërtet kështu është, pavarësisht kontraditës së dukshme të termave: në këtë sallë, në fakt, kufomat bëhen burim mësimi për mjekët dhe kirurgët e ardhshëm: një mjet jashtëzakonisht i dobishëm dhe vështirësisht i kopjueshëm. Pavarësisht teknologjive moderne, përdorimi i trupit të njeriut mbetet mjeti më i mirë për të nxënë. Duhet t’u jemi thellësisht mirënjohës atyre që kanë vendosur të bëjnë këtë gjest.
Një zgjedhje, ajo e dhurimit të trupit të vet për shkencën pas vdekjes, që në Itali po praktikohet gjithnjë e më shumë dhe është fryt i përhapjes së një kulture të bazuar mbi vlerat e solidaritetit dhe të promovimit të kërkimit dhe të shkencës.
👤 Më mirë se manekinët
In Itali, kufomat e dhuruara për shkencën përdoren brenda kufijve të formimit të studentëve të mjekësisë, mjekëve specializantë dhe specialistëve: manekinët që përdorim për qëllime didaktike kanë një funksion formues të kufizuar. Riprodhimi i niveleve organizative të trupit të njeriut, në fakt, nuk është aq i saktë dhe rrezikon të jetë i falsifikuar nga pasaktësitë e pashmangshme të plastikës. Nëse më pas studenti ka interesa kirurgjike, mundësia për të pasur rastin të ushtrohet mbi një trup bëhet thelbësore.
Është falë kufomave që mësohet kuptimi i vërtetë i konceptit të variantit anatomik dhe mungesa e një përputhjeje të plotë midis asaj që raportojnë tekstet e anatomisë dhe vendosjes reale të organeve në trupin e njeriut.
🔬 Shpërbërja nën lente
Përdorimi i kufomave në shkencë nuk ndalet megjithatë te formimi themelor i mjekëve dhe specialistëve të ardhshëm: në Shtetet e Bashkuara, ku përdorimi është shumë më i gjerë në krahasim me vendin tonë, është aktiv, për shembull, një institucion që quhet Body Farm (Ferma e Trupave), që bën pjesë në Qendrën e kërkimeve antropologjike të Universitetit të Tenesisë: një organizëm i nivelit të lartë ku shkencëtarët studiojnë me vëmendje fazat e ndryshme të shpërbërjes së trupit. Pavarësisht se kjo fushë studimesh mund të duket e pështirë, ajo ofron elemente jashtëzakonisht të dobishme për analizat kriminologjike: për të arritur të përcaktohet ora ekzakte e një krimi, në fakt, është e nevojshme të merren parasysh shumë faktorë, nga të cilët disa lidhen me trupin, si temperatura dhe ngurtësia, ndërsa të tjerë varen nga mjedisi në të cilin kufoma gjendet. Për t’u analizuar, të gjitha këto të dhëna duhet të krahasohen me parametrat e shpërbërjes natyrore, domethënë me kalbjen e kufomës në kushte natyrore.
Prandaj, edhe pse nuk është një perspektivë joshëse ajo e rrotullimit mes kufomave në shpërbërje, ky lloj studimi është i domosdoshëm për hetimet kriminologjike. Shkurt, supergjenitë e serive të ndryshme televizive si Bones dhe Csi nuk do të mund t’i zgjidhnin shkëlqyeshëm rastet e tyre nëse pas tyre nuk do të kishte studime të sakta dhe pedante si ato mbi shpërbërjen e trupit post mortem (pas vdekjes).
🚗 Crash test
Por të kesh në dispozicion kufoma mund të jetë e dobishme edhe për të parandaluar vdekjen ose të paktën për të rrahur mendjen si ta shmangësh atë. Ky është qëllimi i laboratorit të Bioinxhinierisë të Wayne State University të Miçiganit (Usa), ku trupa të pajetë përdoren në teste, qëllimi i të cilave është ai i rritjes së sigurisë së automobilistëve.
Një sektor që në këtë universitet mori udhë në vitin 1939 dhe që ka kontribuar në shpëtimin e jetës së të paktën 180°C8.500 njerëzve në vit, duke lejuar përmirësimin e funksionalitetit të rripave të sigurisë dhe të airbag-ëve. Edhe në këtë rast, si në atë që lidhet me formimin e studentëve, kërkuesit nënvizojnë se si përdorimi i një kufome është ku e ku më i preferueshëm se ai i manekinëve klasikë të crash test-it, sepse disa pasoja të përplasjeve mbi trupin e njeriut nuk janë lehtësisht të kopjueshme: të kuptuarit, për shembull, se sa forcë goditjeje janë në gjendje të tolerojnë koka, shtylla kurrizore apo supi është thelbësore për të projektuar mjete më të sigurta, ku kufijtë e trupit të njeriut të mos tejkalohen. Ja pse, pavarësisht kritikave të marra në të kaluarën mbi parimet etike të procedurave të tilla, kërkimet në këtë sektor të bioinxhinierisë vazhdojnë. Në vitet e fundit ato janë përqendruar veçanërisht mbi supet, gjunjët, kyçet e këmbëve dhe këmbët.
🛡️ Jelekët antiplumb
Nëse përdorimi i kufomave në crash test-e ka ngritur polemika lidhur me etikën e tij, shumë më tepër bujë ka prodhuar përdorimi i tyre në fushën ushtarake, sidomos në sektorin e kërkimit balistik. Për fat të mirë, kërkimet aktuale i drejtohen materialeve artificiale, si xhelatina balistike, por deri në fillim të shekullit XX nuk kanë qenë të pakta armët e testuara mbi kufoma të cilat, duhet specifikuar, nuk ishin dhuruar për shkencën, por vinin zakonisht nga fushat e betejës. Në librin e saj Stecchiti (Të vdekurit), megjithatë, shkrimtarja dhe përhapësja shkencore amerikane Mary Roach zbulon se përdorimi i kufomave në ushtri aktualisht është ende në veprim: nuk janë më fuqia dhe efikasiteti i armëve që janë objekt studimi, por masat e mbrojtjes të synuara për mbrojtjen e trupit të njeriut, si, për shembull, jelekët antiplumb. Në këtë rast, disa sensorë të vendosur mbi dërrasën e gjoksit të kufomës regjistrojnë goditjen e plumbit dhe ofrojnë një raport të detajuar të pasojave mbi kraharor. Edhe pse bëhet fjalë sigurisht për një hap përpara në krahasim me testet e së kaluarës, në të cilat përdoreshin madje ushtarakë të gjallë, janë të shumtë ata që e quajnë të diskutueshëm këtë përdorim dhe shtyjnë që trupat e pajetë të zëvendësohen së shpejti me manekinë teknologjikisht të evoluar.
⚖️ Sa peshon shpirti?
Në fillim të viteve Nëntëqind, Duncan MacDougall, një mjek amerikan, i vuri vetes qëllim të zbulonte se shpirti kishte edhe një masë, pra një peshë. Për ta vërtetuar këtë, vendosi të peshonte disa trupa njerëzorë para dhe pas vdekjes, atëherë kur teorizonte se shpirti kishte fluturuar drejt qiellit. Në eksperiment morën pjesë gjashtë të sëmurë terminalë dhe mesatarja e ndryshimeve midis matjeve të bëra para dhe pas ndarjes nga jeta ishte ekzaktesisht 21 gramë. I fortë nga këto rezultate, MacDougall doli në përfundimin se shpirti peshonte 21 gramë. Sapo u publikua, studimi u përmbyt nga kritikat e komunitetit shkencor. Por, pavarësisht të gjithave, diçka mbeti në kulturën popullore, duke frymëzuar, më 2003, filmin e Alejandro González Iñárritu “21 gramë”.
🔪 Vrasje për qëllime… shkencore
Nga nëntori i vitit 1827 deri më 31 tetor 1828, vrasësit serialë skocezë William Burke dhe William Hare vranë 17 njerëz për t’u rishitur kufomat mjekëve, të cilët i përdornin për t’i disektuar ose për t’u dhënë leksione studentëve të mjekësisë dhe ishin të gatshëm t’i paguanin deri në 10 paund secilën. Kur policia zbuloi tregun makabër, Hare rrëfeu në këmbim të imunitetit, ndërsa ortaku i tij, Burke, i dënuar me vdekje, u var në litar dhe trupi i tij iu dhurua Edinburgh Medical College. Krimi i kryer nga Burke dhe Hare sensibilizoi qeverinë angleze e cila, për të shmangur emulimet (ndjekjet e shembullit), miratoi Anatomy Act, në të cilin u përcaktuan procedurat ligjore me të cilat siguroheshin kufomat për qëllime shkencore.
📜 Kështu u përcaktua se veshtja e Jezuit është autentike
Në vitet Tridhjetë, Pierre Barbet (1884-1961), kirurg i spitalit parizian Saint-Joseph, vendosi të studionte kryqëzimin e Krishtit dhe Shpëndorën (Linin e Shenjtë të Torinos) nga pikëpamja shkencore.
Rezultati i studimeve të tij, i integruar me përvojat e tij si mjek në front në Luftën e Parë Botërore, është Një mjek në Kalvar, libër i botuar pas vdekjes ku përshkruhen eksperimentet që bëri duke përdorur kufoma të pakërkuara nga askush dhe të lëna në dispozicion të shkencëtarëve që e kërkonin këtë. I bindur se për të kuptuar kryqëzimin duheshin studiuar gjymtyrët e sipërme, Barbet mbërtheu në kryq disa krahë të të vdekurve dhe doli në përfundimin se veshja e Jezuit ishte autentike, duke paraqitur njolla gjaku në pika specifike të duarve “për ekzistencën e të cilave asnjë falsifikator nuk mund të kishte dijeni”.



