GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Si përfundoi njeriu që ruante armët sekrete të Hitlerit

Ishte ai që menaxhonte prodhimin e pajisjeve të luftës tek të cilat Hitleri mbështeste shpresat e tij të fundit për të përmbysur fatin e luftës. U zhduk në maj 1945 dhe dyshimet dhe hipotezat për të ishin të shumta. Pikëpyetjeve të shërbimeve sekrete dhe të historianëve tani u përgjigjen zbulimet më të fundit

Në fillim të vitit 1945, kur rezultati i luftës dukej se ishte i vendosur, shërbimet sekrete aleate filluan të bënin një listë të figurave më në zë në hierarkinë naziste, si ata që do të gjykoheshin për krimet e tyre ashtu edhe ata që përdorin për kompetencat e tyre, nëse do të përfundonin në duart e tyre. Një nga emrat më pak të njohur, por më të denjë për vëmendje ishte ai i Hans Kammler Obergruppenführer-it SS, njeriut më të fuqishëm të Schutzstaffel – ky është emri i njësive paramilitare naziste – menjëherë pas Himmlerit: një teknik me aftësi të mëdha menaxheriale dhe organizative. Atij, kreu i Njësisë C të Zyrës Qendrore të administratës ekonomike të Rajhut, personalisht Hitleri i kishte besuar detyrën e mbikëqyrjes së prodhimit dhe të ashtuquajturve Wunderwaffen, “armët e mrekullueshme”, të cilat do të duhej të ndryshonin rrjedhën e luftës . Për të realizuar këto projekte futuriste, të cilat ishin të lidhura me shpresat e fundit të Hitlerit për të ndryshuar fatin e luftës, ishin ngritur fabrika të pafundta nëntokësore.

Njeriu i armëve të “mrekullueshme”

Pas lufte, nisi puna më e vështirë për shërbimet sekrete: kërkimi i personazheve kryesorë të regjimit nazist. Kammler ishte ndër të parët e listës. Në maj 1945, inteligjenca amerikane kishte informacion të mjaftueshëm për rolin që oficeri i lartë SS kishte luajtur në strukturën e kompleksitetit ushtarako-industrial të Rajhut. Të tjera do të shtoheshin në muajt në vijim. Nga skeda biografike e Kammler u mësua se ai ishte bashkuar me Nacionalsocializmin në 1931 duke marrë më pas funksione të ndryshme në parti.

Më 1933 u bë pjesë e Schutzstaffel, duke u bërë këshilltar i Ministrit të Brendshëm. Kjo pozitë e kishte mbajtur atë të zënë deri në fillim të viteve 1940, kur u emërua drejtor i aktiviteteve ndërtuese në Ministrinë e Aviacionit.

Në qershor 1941, pasi ishte bashkuar dhe bërë pjesë e Waffen SS, domethënë i njësive luftarake SS, ishin vënë në krye të Zyrës së ndërtimit administratës qendrore dhe ekonomisë. Kjo detyrë përfshinte detyrën e mbikëqyrjes së ndërtimit të kampeve të shfarosjes në Majdanek, Belzec dhe Auschwitz, përfshirë dhomat e gazit dhe krematoriumet. Ishin përgjegjësi jo të vogla për autoritetet aleate, nëse do ta kishin arrestuar, duke qenë se nuk mund të mos kishte qenë në dijeni të funksionit të atyre strukturave të mbrapshta ogurzeza dhe arsyet për të cilat ato u konceptuan.

Duke parë aftësitë e tij të padyshimta organizative dhe efikasitetin e demonstruar, ishte bërë që herët i mbrojturi i Himlerit, i cili në gusht 1943 i pati besuar edhe detyrën e mbikëqyrjes së zhvillimit të fabrikave nëntokësore për prodhimin e raketës shumë të përparuar balistike V. Bëhej fjalë për programin tepër sekret A-4 për realizimin e armës sekrete të Hitlerit. Gjithashtu, në mars 1944, iu kërkua të merrej edhe me prodhimin e avionëve tepër modernë luftarakë si Messerschmitt Me 262 dhe Arado Ar 234, jet-ët e parë në histori, të cilët ishin të shumë më superiorë se avionët aleate. Dhe falë këtyre kompetencave pati qenë Kammler ai që drejtoi fushatën e sulmeve raketore kundër Londrës dhe Parisit.

Për të patur një ide të pozicionit të arritur nga Klammer në hierarkitë gjermane, mjafton të lexosh pjesën e mëposhtëm në ditaret e Joseph Goebbels: “Fuhrer-i pati negociata të gjata me Obergruppenführer Kammler, që tani mban në shpatullat e tij pjesën më të madhe të përgjegjësisë së reformës së Luftwaffe. Klammer po ecën mirë, dhe shpresa të mëdha janë tek ai”.

Teknologjia gjermane në avangardë

Mbi zhvillimin e armëve naziste që do të duhet të kishin ndryshuar rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore është shkruar shumë dhe vazhdon të bëhen. Tanimë është vërtetuar mirë që teknologjia gjermane në fusha të caktuara të kërkimeve ushtarake ishte në avangardë, por ishte zhvilluar shumë vonë për të vënë në dyshim fitoren e Aleatëve. Sektori i raketave është ai në të cilin studiuesit gjermanë padyshim bënë përparime me hapa gjigande. Një nga projektet e para operative ishte V l, Ve rgeltungswaffen 1 (Armë për reprezalje 1), i Von Braun, që mund të konsiderohet shembulli i parë i një rakete bërthamore në histori. Por ishte vetëm e para nga armët sekrete të zhvilluara dhe të bëra operative. Hapi tjetër ishte A-4, e njohur më mirë si V2, raketa e parë balistike që hyri në prodhim. Nga pikëpamja teknike, ishte me një rreze prej 320 km dhe një shpejtësi prej 5,200 km/orë. Mund të mbante një testatë me 800 kg eksplozivë (tritol dhe nitrat amoniak) dhe potenciali shkatërrues shumë më i lartë Vl. Menjëherë pas luftës A-4 ishte në qendër të një eksperimentimi të frytshëm: amerikanët dhe rusët e përdorën për t’i dhënë jetë programeve të tyre përkatëse ushtarake dhe hapësinore si për shembull, Redstone amerikan, një transportues për pajisje bërthamore që, i modifikuar në mënyrë të përshtatshme, i mundësoi Shteteve të Bashkuara të nisnin astronautin e tyre të parë në fluturimin suborbital. Edhe rusët përdorën njohuritë si V2 për të zhvilluar raketën R-7 Semerka dhe për të filluar garën e tyre hapësinore.

Në arrati për ku?

Në muajt e fundit të luftës, kur situata për Gjermaninë naziste po përkeqësohej, disa fabrika armësh duhej të braktiseshin përballë përparimit të Aleatëve. Kammler u përpoq të shpëtonte atë që mund të shpëtohej duke zhvendosur makineri dhe njerëz. Urdhëroi evakuimin e mbi 500 inxhinierë raketash (përfshirë të famshmit von Braun dhe Walter Dornberger, të cilëve u detyrohet zhvillimi i V2) dhe dokumentacionin teknik përkatës : nga qendra kërkimore në Nordhausen u zhvendosën me shpejtësi në një zonë të alpeve bavareze, ku Hitleri do të kishte dashur të bënte rezistencën e fundit të fuqishme.

Por tashmë ishte tepër vonë: Gjermania do të kapitullonte pas pak më shumë se një muaji. Shtrohet pyetja e përsesë së atij transferimi të vonë të pajijsjeve. Në kujtimet e tij Albert Speer kujton se Kammler i pati thënë se donte të hynte në Pazar me amerikanët (një mënyrë për të thënë se do të këmbente shpëtimin e jetës me sekretet teknologjike që zotëronte), por deri më sot nuk ka asnjë provë se kjo ndodhi me të vërtetë. Por, e sigurt është që Kammler u bashkua me grupin e von Braun në fshatin Oberammergau, më 22 prill, duke u ndalur për disa ditë atje, për të lëvizur më pas për në kështjellën Linderhof, disa kilometra më në lindje, në një qendër kërkimore aeronautike të Messerschmitt të specializuar në zhvillimin e raketave antiajrore.

Arsyet e kësaj ndarjeje, sipas shumë rrëfimeve, ishin për shkak të divergjencave të mëdha që ekzistonin midis tij dhe grupit të inxhinierëve të cilët punonin në programin e raketave. E nëse skuadra e von Braun priste fundin e luftës me një lloj qetësi, e sigurt që mund t’u ofronte amerikanëve ekspertizën e tij të vlefshme, pozicioni ishte Kammler ishte shumë më në rrezik. Jo vetëm sepse bënte pjesë në SS, por sepse mbi të peshonte përgjegjësia e bashkëpunimit aktiv në realizimin e kampeve të shfarosjes dhe shkencëtarët nuk donin t’i përzienin fatet e tyre me atë të një njeriu shumë të kompromentuar me qeverinë naziste.

I rënë në duart e amerikanëve, von Braun gjatë një seance marrjesh në pyetje pretendon të ketë dëgjuar një bisedë midis Kammler-it dhe ndihmësit të tij në lidhje me synimet e të dyve për t’u fshehur në një manastir afër Garmisch-Partenkirchen. Edhe dëshmi të tjera ngjasojnë me këtë version. Por asgjë nga këto nuk ndodhi. Në vend të kësaj, rezulton se Kammler vendosi të largohej nga Oberammergau për në Ebensee (qemdra e një kampi përqendrimi ku montoheshin V2) në Austrinë e Epërme, ku do të qëndronte për disa ditë.

Pastaj, në natën mes 3 dhe 4 majit, ishte nisur papritmas për në Pragë. Një zgjedhje e pakuptueshme, që nga momenti që në kryeqytetin bohem mbretëronte kaosi dhe me Armatën e Kuqe që po afrohej shpejt. Pas kësaj, më 7 maj gjurmët e tij humbasin.

Kjo pra ishte situata kur inteligjenca aleate filloi të marrë në pyetje shkencëtarët e zënë prej saj, veçanërisht përsa i përket rolit të Kammler në transferimin e teknologjisë luftarake nëpër malet bavareze. Pastaj, papritmas, më 9 korrik, gruaja e Kammler vendosi të paraqesë dokumentet për të marrë certifikatën e vdekjes së burrit të saj. Si provë paraqiti dëshminë e shoferit të tij, Kurt Preuk, i cili u betua se pati qenë i pranishëm më datë 9 maj 1945, në vdekjen dhe më pas varrosjen e tij. Në vitet pasardhëse të tjerë bashkëpunëtorë të tij do të dëshmonin se oficeri i lartë kishte vdekur në Pragë, jo për shkak të ndonjë aksidenti, por nga helmim me cianur (ndoshta vetëvrasje, siç u kishte ndodhur hierarkëve të tjerë, si Goring): megjithatë, kufoma e tij nuk u gjet kurrë.             

Në kujdestarinë amerikane

Në atë pikë çështja dukej e mbyllur, si shumë të tjerë që kishin të bënin me njerëz të kërkuar e të zhdukur në ajër gjatë ditëve kaotike pas përfundimit të luftës, por rëndësia e subjektit dhe sekretet e tij ushtarake bënë që të vazhdohej në hetime të mëtejshme.

Midis shumë pistave që janë shfaqur përgjatë viteve, vlen të përmendet një raport, i datës 1949 dhe i shkruar nga një burim që nënshkruan Oskar Packe, sipas të cilit Kammler u arrestua më 9 maj nga amerikanët në qendrën Messerschmitt në Oberammergau dhe se në rrethana të paspecifikuara, ai dhe njerëzit e tij mundën të arratiseshin në Austri. Më tej, në dosje, lexohet se përpiluesi ishte mjaft skeptik mbi faktin nëse Kammler ishte vetëvrarë. Edhe pse interesante, kjo dëshmi nuk u mor në konsideratë nga historianët, të cilët preferuan të vlerësonin tezën e vetëvrasjes. Ka nga ata, midis shërbimeve të inteligjencës amerikane, që ka hipotizuar madje se oficeri i lartë nazist kishte kaluar vullnetarisht në shërbimin e sovjetikëve, të cilët pas përfundimit të konfliktit patën qenë po aq aktiv sa amerikanët në kapjen e shkencëtarëve dhe teknikëve kryesorë të III Rajh për të siguruar bashkëpunimin e tyre.

Vetëm në kohë më të vonshme, më 2014, doli në një mënyrë të papritur dhe të bujshme ai që duket se është fundi i vërtetë i Hans Kammler. Gjatë një interviste me gazetarin Andreas Sulzer, djali i Donald Richardson, një oficeri të shërbimeve sekrete amerikane, aktiv në Evropë më 1945, pohoi se, menjëherë pas luftës, Kammler ishte sjellë në Shtetet e Bashkuara dhe pikërisht babai i tij ishte marrë me transferimin. Mbërritur në SHBA, oficeri gjerman do t’i nënshtrohej një serie të gjatë dhe të ashpra pyetjesh për të hedhur dritë mbi menaxhimin e fabrikave nëntokësore dhe nivelin e teknologjisë së arritur në sektorët bërthamorë dhe raketorë.

Bashkëpunimi i ish Obergruppenführer nuk zgjati shumë, sepse ai vdiq më 1947. Në cilat rrethana nuk është bërë e ditur, duke pasur parasysh vellon e misterit që ka mbështjellë të gjithë çështjen për dhjetëvjeçarë. Mbi dëshminë e dhënë nga i biri i Donald Richard për Andréas Sulzer mund të dyshohej, nëse kohët e fundit nuk do të kishin dalë në dritë dy dokumente të deklasifikuara, të dala nga arkivat e inteligjencës amerikane, që konfirmojnë se Kammler gjatë javëve që pasuan fundin e luftës ishte në ruajtjen amerikane ne pritje për t’u marrë në pyetje.

I pari nga këto dokumente, ai i datës 30 maj 1945 dhe i firmosur nga koloneli Loyd K. Pepple, është një listë e 34 personaliteteve të rëndësishme të hierarkisë së III Reich të ndaluar. Dhe midis tyre (Albert Speer dhe Hermann Goring, sa për të përmendur më të njohurit), në vendin e 18° figuron pikërisht Hans Kammler.

Dokumenti i dytë është një letër e shkruar nga gjenerali George McDonald për një major, një farë Ernst Englander, më 2 nëntor të të njëjtit vit. E në këtë rast çështja bëhet interesante, sepse flitet për furnizimin e drektuesve të lartë ushtarakë amerikanë me një raport të hollësishëm mbi instalimet nëntokësore të ndërtuara nga SS për prodhimin e armëve sekrete. Në mënyrë të veçantë, përmendet kampi i përqendrimit Gusen në Austrinë e Epërme, me tunelet e tij të gërmuara nën mal, të përshtatura për prodhimin e avionëve V2 dhe reaktivë. Dhe, për të pasur të gjitha hollësitë e çështjes, në letër kërkohet që të merret në pyetje Kammler-i. Interesi amerikan për atë që po ndodhte në këtë drejtim është i lidhur me kërkimet gjermane në fushën bërthamore dhe mbi përdorimin e mundshëm të raketave të armatosura me koka atomike.

Urani nazisti mbi Hiroshimë?

Arritur në këtë pikë, vlen të risjellim në vëmendje konkluzionet e historianëve Frank Dobert dhe Rainer Karlsch të cilët i kanë studiuar të dy dokumentet. Sipas tyre: [Cila është natyra shpërthyese e kësaj historie? Mbi të gjitha, ka një numër shembujsh të kriminelëve të luftës të marrë në ruajtje nga shërbimet sekrete të fuqive aleate. Përse Kammler kishte interes kaq të jashtëzakonshëm për ushtrinë amerikane? Përse nuk u paraqit në gjykatën Norimber si Goering, Speer dhe Milch? Kush e mori vendimin për të fshehur kapjen e tij? Nuk ka gjasa që njohuritë e tij mbi llojet e raketave dhe avionëve më të fundit të ishin vendimtarë për statusin e tij të veçantë. Kammler nuk ishte një zhvillues avionësh dhe raketash, por një inxhinier civil. Për më tepër, fuqitë pushtuese i kishin kapur tashmë prototipet e shumicës së armëve të reja gjermane dhe ishin në gjendje të merrnin në pyetje zhvilluesit e tyre apo t’i vinin në shërbim të tyre].

Ndaj, pyetja e ngritur nga dy studiuesit është: çfarë e bëri Kammler aq të çmuar sa ta ruanin në sekretin më të madh? Përgjigja, sipas tyre, mund të vinte nga shërbimet sekrete britanike. Dhe ja një vlerësim i tyre, mbi të cilin bien dakort të dy studiuesit: << [Kammler] Shefi-SS i armëve të reja, ndoshta edhe [armëve kimike] dhe [armëve bakteriologiche]. Njohuritë e tij janë ndoshta vetëm të dorës së dytë, por di se cilat fusha janë mbuluar dhe ku janë duke fshehur dokumentet, inventarët dhe impiantet pilot. Disa nga këto janë ruajtur në zonën ruse. Do të ishte e rrezikshme për ne nëse Kammler ua zbulon të gjitha këto rusëve. Ai gjithashtu mund t’u tregojë atyre se cilët shkencëtarë në këto fusha janë në zonën ruse>>.

Gjithashtu, të dy historianë theksojnë një aspekt të jo të parëndësishëm: <<Sidoqoftë, zhdukja e Kammler dhe qenë një avantazh i madh për zhvilluesit e raketave të lidhura me Wernher von Braun: kanë mundur t’ia ngarkonin fajin për të gjitha krimet kundër të burgosurve të kampit të përqendrimit dhe punëtorëve të detyruar të lidhur me prodhimin… SS, duke u paraqitur si inxhinierë apolitikë. Për të shpëtuar fajtorët, gjithmonë është e nevojshme të shpikësh një kurbani. Biografia e Hans Kammler duhet të korrigjohet në një pikë qendrore: nuk mbaron më 9 maj 1945. Ajo që ndodhi më pas mund të sqarohet vetëm pas zbulimit ose nxjerrjes… së raporteve të marrjes në pyetje>>.

Konkluzionet e Dobert dhe Karlsch do të vërtetonin dëshminë e dhënë nga Donald Richardson për gazetarin Andreas Sulzer, sipas të cilit ishte babai i tij ai që solli Kammler në Shtetet e Bashkuara. Por për çfarë arsye shërbimet sekrete amerikane kërkonin të ruanin një figurë kaq të diskutueshme, të përcaktuar nga disa si “teknokrati i asgjësimit”? Çfarë sekretesh të tjera ruante ai? Një rrëfim tjetër i Richardson kujton se si, së bashku me Kammler, kishin arritur në Shtetet e Bashkuara edhe shtatëdhjetë kilogram uranium. Një mënyrë jo aq e mbuluar për të thënë se mund të ketë pasur ndonjë kontribut nazist në prodhimin e bombave të hedhura mbi Japoni disa muaj më vonë. Nëse do të ishte e vërtetë, historia e Projektit Manhattan do të duhej të rishkruhej, pjesërisht.

Përgatiti për gazetatjeter.com, Edi DELIU

Ju gjithashtu mund të pëlqeni