Shërbimet sekrete gjermane rekrutojnë 007 të reja… në Instagram
Risia njoftohet as më shumë e as më pak se nga vetë presidenti i Bundesnachrichtendienst Bruno Kahl (ekuivalenti i ‘M’ në MI6-ën e James Bondit): “Një punëdhënës modern duhet të jetë i pranishëm edhe aty ku gjenden kandidatë të mundshëm”
Asnjë rekrutim agjentësh në hije, po çfarë lufte e ftohtë alla John Le Carré, lamtumirë mesazhe të koduara: përtej tridhjetë vjetëve pas rënies së Murit të Berlinit, shërbimet sekrete gjermane kanë vendosur të ndryshojnë lëkurë, duke iu përshtatur botës së mediave sociale. Kapërcimi i hendekut u bë nga Bundesnachrichtendienst (Bnd) – shërbimi i inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, ekuivalenti gjerman i CIA – i cili sapo ka hapur një profil në Instagram.
Objektivi i deklaruar: reklamimi midis më të rinjve i përparësive të një karriere midis 007-ave të Republikës Federale. Me mesazhe top “përshëndetje dashurie nga Mitte” (zona berlineze ku agjencia ka selinë e saj), profili i ri i Bnd i shtohet një oferte multimediale që përfshin edhe një websiti internet pak a shumë institucional dhe një kanali YouTube të hapur më 2018 (i cili megjithatë nuk shkon përtej 1000 të abonuarve).
Për të njoftuar risinë është, as më shumë e as më pak, vetë presidenti i Bundesnachrichtendienst Bruno Kahl (ekuivalenti i ‘M’ në MI6-ën e James Bond): “Një punëdhënës modern duhet të jetë i pranishëm edhe aty ku gjenden kandidatët e mundshëm”, domethënë të rinjtë.
Historikisht (dhe logjikisht), BND ka qenë e famshme për konfidencialitetin e saj. Por kthesa e saj në rrjetet sociale nuk është krejt e re: marsin e kaluar shërbimi i inteligjencës pati nisur një aksion në Twitter për të rekrutuar ekspertë në mjedisin e hakerëve nën hashtagun #FollowTheGlitchKarnickel, gjithësesi pa hapur një kanalin të saj, ndryshe nga sa bënë kolegët e Verfassungsschutz, që është shërbimi sekret ‘i brendshëm’ gjerman, të cilët mund të llogarisin rreth 28,000 follower.
Sigurisht, që në Instagram nuk do të tregohen detajet e misioneve, as se do të hapen debate ose chat përmbi metodat investigative të 007-ave gjermane. “Në Instagram nuk do të hapim as diskutime politike”, siguron Kahl. “Ajo që ne duam të bëjmë është të ofrojmë një përmbledhje të detyrave tona, të japim një ide të përgjithshme mbi detyrat tona, se si është jeta jonë e përditshme si dhe të tregojmë përshtypjet e njerëzve që punojnë në Bundesnachrichtendienst për sigurinë e Gjermanisë”.
Sidoqoftë, kreu i Bnd është i sigurt se zbarkimi në Instagram përfaqëson një “moment historik” në historinë e organizatës, 65 vjet pas themelimit: “Duhet të ndjekim shtigje që janë në përputhje me këto kohë, për t’i dhënë një ide atyre që mbarojnë shkollat, të të sapodiplomuarve dhe atyre që hyjnë në botën e punës, cilat janë mundësitë e ofruara nga një agjenci sigurie që punon në nivel ndërkombëtar”.
Agjencia – që pret të arrijë në Instagram deri në 60,000 përdorues në muaj – ka vendosur t’i bëjë gjërat seriozisht: pas një faze planifikimi që zgjati mbi një vit, për të menaxhuar kanalin ajo ka krijuar stafin e saj editorial të “ekspertëve” në të cilin ka të rinj që kanë mbi shpatulla eksperiencë në konsulencën e mediave sociale për kompani apo shoqata në botën ekonomike. Dhe për të ardhmen e afërt, Bnd njofton se është e interesuar për profilet e të rinjve matematikanë, informatikë, teknikë apo atyre që vijnë nga shkencat natyrore.
Sfida më e vështirë është dhënia e një imazhi të butë dhe të gjallë. Ja atëherë pra anekdotat e gëzueshme të bashkëpunëtorëve – prej të cilave natyrisht që nuk shfaqen as fytyra dhe as emri për shkak të nevojës për fshehtësi që sidoqoftë imponohet: si ajo e agjentit që poston imazhin e figurinës së një koteleje të ëmbël, “tmerrësisht të afrueshme”, e cila megjithatë i kujton “udhëtimin e tij të fundit të madh përpara koronavirusit: e bleva në Singapor”.
Natyrisht, synohet edhe drejt asaj që besohet të jetë një e folur në përputhje me kohën. Duke bërë një shëtitje në postimet e hedhura të kanalit (i cili aktualisht shënon rreth 550 follower), has edhe shaka shpotitëse: në njërën nga mesazhet shfaqen dy foto, njëra me një film bardh e zi me Alain Delon duke telefonuar dhe me fjalët “Më parë duhej të ishe i kujdesshëm në ato që flisje në telefon, sepse kishte përgjues”, nën imazhin me ngjyra të një vajze që flet me një pajisje tip Alexa që thotë “Hej përgjuese, më thuaj një recetë omlete!”.
Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA