Edhe Fati ka orar: zbulime shkencore që tregojnë ditën ideale për t’u martuar, për të lënë duhanin, për të kërkuar rritje rroge, madje edhe për të bërë dashuri

Nga vendimet që ndryshojnë jetën te gjestet e përditshme – studimet tregojnë se java nuk është thjesht kalendar, por një hartë e fshehtë e suksesit, shëndetit dhe lumturisë

A ka vërtet një ditë perfekte për të marrë vendime të mëdha? Për të kërkuar rritje page, për të nisur një dietë, për t’u martuar, për të dërguar një e-mail të rëndësishëm apo për të bërë dashuri? Sipas kërkimeve shkencore dhe analizave të institucioneve prestigjioze, përgjigjja është po. Java nuk është thjesht një ndarje administrative e kohës, por një cikël biologjik dhe psikologjik që ndikon drejtpërdrejt në performancën tonë, në nivelin e stresit, në hormonet dhe në vendimmarrje.

Kështu, nga studime të kryera në London School of Economics mbi analizat e publikuara në British Medical Journal, si dhe të dhënat e mbledhura nga Which dhe Office for National Statistics, rezulton se çdo ditë e javës ka “momentin e saj të artë”. Madje, edhe për konceptimin e një fëmije apo për rritjen e shanseve që një e-mail të lexohet me kujdes, ekziston një ditë më e favorshme se të tjerat.

Shkenca na tregon se ritmet biologjike, niveli i stresit dhe organizimi mendor ndryshojnë nga e hëna në të diel. Ja si mund ta përdorim këtë “hartë të fshehtë” për të maksimizuar rezultatet tona.

E hëna: Dita e Stresit të Lartë, por edhe e rinisjes personale

E hëna konsiderohet dita më kritike për nivelin e stresit. Sipas një studimi të London School of Economics, pas fundjavës organizmi përjeton një rritje të ndjeshme të tensionit psikologjik. Madje, statistikat tregojnë se rreziku për infarkt rritet me rreth 20 për qind pikërisht të hënën.

Por paradoksalisht, kjo e bën atë ditën ideale për t’u kujdesur për veten. Aktiviteti fizik, joga, ushtrimet relaksuese, dëgjimi i muzikës apo përfshirja në një hobi manual janë mënyra efektive për të balancuar stresin. Në vend që e hëna të nisë me presion maksimal pune, ekspertët sugjerojnë që të përdoret si ditë “rikalibrimi” personal.

Po dieta? Studimet tregojnë se nëse nuk nis të dielën, e hëna është alternativa e dytë më e mirë për të filluar një regjim ushqimor.

E marta dhe e mërkura: produktivitet, organizim dhe takimet e para

Nëse duhet të planifikoni angazhime, të organizoni javën apo të merrni iniciativa profesionale, e marta është dita më e përshtatshme. Një kërkim i publikuar në revistën “Psychology Today”, bazuar në të dhënat e London School of Economics, tregon se të martën njerëzit janë më produktivë dhe më të fokusuar.

Sipas Society for Industrial and Organizational Psychology, kjo lidhet me aktivizimin më të madh të hemisferës së majtë të trurit, e cila është përgjegjëse për organizimin dhe planifikimin. Pas apatisë së lehtë të së hënës, e marta shënon momentin kur mendja hyn në ritmin optimal të punës.

Ndërkohë, e mërkura është dita ideale për takimin e parë romantik. Në një sondazh me tetë mijë persona beqarë, realizuar nga London School of Economics, mbi 40 për qind e të anketuarve e konsideruan të mërkurën si ditën më të mirë për të testuar përputhshmërinë me dikë të ri. Arsyeja? Jep kohë për reflektim para fundjavës dhe shmang presionin e së premtes në mbrëmje.

Ironikisht, e mërkura është dita më e dobët për të dërguar e-mail-e të rëndësishme personale: norma e hapjes është rreth 23 për qind.

E enjtja dhe e premtja: hormone në kulm dhe vendime të mëdha

Gjithnjë sipas studiuesve të London School of Economics, e enjtja në mëngjes – veçanërisht mes orës 08:00 dhe 09:00 – është momenti kur nivelet e testosteronit, estrogjenit dhe endorfinave arrijnë kulmin. Këto hormone ndikojnë drejtpërdrejt në dëshirën seksuale dhe humorin pozitiv.

Rritja e kortizolit në orët e para të së enjtes ndihmon trupin të zgjohet plotësisht, përfshirë edhe sistemin riprodhues. Për më tepër, afrimi i fundjavës ul stresin dhe rrit optimizmin, duke e bërë këtë ditë ideale për intimitet.

E premtja, ndërkohë, është dita më e përshtatshme për të marrë vendime të rëndësishme, si lënia e duhanit. Në studimin e publikuar në British Medical Journal tregon se niveli i stresit është më i ulët në fund të javës, duke rritur gjasat për sukses në vendime afatgjata.

Po martesa? Edhe pse proverbi thotë “as të premten e as të martën”, realiteti ekonomik tregon të kundërtën. Sipas Which?, organizimi i dasmës të premten mund të kursejë deri në 50 për qind krahasuar me ceremonitë e së shtunës apo të dielës.

Fundjava: e-mailet, dietat, madje edhe liderët e ardhshëm

Nëse doni që një e-mail personal të lexohet me kujdes, dërgojeni të dielën. Sipas analizës së eMarketer, norma e hapjes së e-mail-eve të dielën arrin rreth 30 për qind – ndjeshëm më e lartë se mesatarja e javës.

E diela është gjithashtu dita më efektive për të nisur një dietë. Një studim me 2000 persona tregoi se ata që filluan të dielën humbën mesatarisht 3.2 kilogramë në tre javë, dhe 88 për qind e tyre ruajtën peshën e arritur.

Sa i përket konceptimit të një fëmije, muajt më të favorshëm janë dhjetori, janari dhe shkurti. Studimi i urologut Bruno Giammusso ka evidentuar se temperaturat e larta të verës ulin numrin dhe lëvizshmërinë e spermatozoideve.

Madje, sipas të dhënave të Office for National Statistics, një detaj kurioz tregon se nga 21 kryeministra britanikë të zgjedhur që nga viti 1900, gjashtë kanë lindur të shtunën.

Në fund, ndoshta suksesi nuk varet vetëm nga përgatitja apo vullneti, por edhe nga koha e duhur. Java nuk është thjesht rutinë – është një mekanizëm i fshehtë që ndikon në biologjinë, psikologjinë dhe zgjedhjet tona. Pyetja nuk është më “çfarë do të bësh?”, por “në cilën ditë do ta bësh?”.


Disa imazhe në këtë faqe janë marrë nga interneti, duke u konsideruar në përdorim publik. Nëse dikush ka pretendime, mjafton të na shkruani në adresën tone e-mail dhe ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Ju mund të pëlqeni edhe