GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Lufta që ndan të majtën evropiane

Le Monde, Francë

Midis partive të së majtës radikale, dënimi i imperializmit rus përplaset me antimilitarizmin dhe armiqësinë historike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Për disa rryma të së majtës evropiane, mbështetja ushtarake për Ukrainën nuk është aspak e duhur. Nëse në kohën e pushtimit rus zërat kritikë ishin mjaft të matur, një vit më vonë rezervat dhe armiqësia janë shumë evidente. Mbështetja për një vend në luftë, përforcimi i NATO-s, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të gjykuar si imperialistë dhe kundërshtimi frontal ndaj Moskës përplasen me vlerat e disa formacioneve politike të majta, të lidhura me antimilitarizmin dhe antiamerikanizmin. Ky tension ushqen kontraste të forta brenda partive dhe qeverive në të cilat bashkëjetojnë tradita të ndryshme.

Furnizimi me armë i Kievit, mandati i arrestit për krime lufte i lëshuar kundër Vladimir Putin nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe propozimi i Kinës për “një zgjidhje politike të krizës ukrainase” i kanë dhënë disa sektorëve të së majtës mundësinë për të shprehur mosmarrëveshjen e saj. Në Francë, koordinatori i La France insoumise (Lfi) Manuel Bompard deklaroi se teksti i paraqitur nga Pekini “mund të jetë një zgjidhje”.

Në këtë pikë, si në shumë të tjera, spanjollët e Podemos janë në një linjë me Lfi. Canal Red, televizioni online i lançuar në fillim të marsit nga themeluesi i partisë Pablo Iglesias, i ka kushtuar një nga transmetimet e para “planit kinez të paqes”, duke e përkufizuar “iniciativën më të arsyeshme për të arritur një armëpushim”. E pranishme në studio ishte edhe ish-drejtuesja e kanalit Russia Today në spanjisht, Inna Afinogenova, bashkëpunëtore e Canal Red. Sipas Afinogenova, artikujt në shtypin perëndimor mbi planin e Pekinit duket se janë “shkruar drejtpërdrejt nga një person përgjegjës i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara” për të siguruar që Ukraina “të vazhdojë të vdesë”.

Fakti që këto pozicione përkrahen nga shumë politikanë të koalicionit të qendrës së majtë në pushtet në Spanjë, pjesë e të cilit është edhe Podemos, krijon shumë probleme për qeverinë e socialistit Pedro Sánchez. Tepër armiqësore ndaj NATO-s, të paraqitura shpesh si fajtori kryesor i luftës, partitë e ribashkuara nën stemën Unidas Podemos i janë kundërvenë të gjitha dërgesave të armëve të miratuara nga parlamenti spanjoll vitin e fundit. Ato kanë refuzuar të dënojnë pushtimin e Ukrainës dhe kritikojnë rregullisht vendimet e Sanchez për luftën.

Në tetor 2022, kur në buxhetin e 2023 u përfshi rritja prej 26 për qind e shpenzimeve ushtarake, zëdhënësi i Podemos në kongresin e deputetëve Pablo Echenique e quajti “turp” dhe denoncoi “tërbimin ushtarak të NATO-s”, i cili “nxit” luftë duke dërguar gjithnjë e më shumë armë. Partia abstenoi gjithashtu edhe në votimin në rastin për pranimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancën Atlantike dhe komunistët e së Majtës së Bashkuar (IU) votuan kundër. Marrëdhëniet me socialistët vetëm sa përkeqësohen.

Manifesti i mosmarrëveshjes

Në Greqi, partia e majtë Syriza, në opozitë, e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por ka kritikuar edhe ndihmën ushtarake për Kievin. Që në mars 2022, kreu i partisë dhe ish-kryeministri Alexis Tsipras e pati cilësuar dërgimin e armëve në Ukrainë “një gabim serioz”, duke pyetur në parlament se çfarë avantazhesh kishte Greqia me “përfshirjen në luftë”. Vendimi për të dërguar 40 transportues të blinduar BMP-1 që gjenden në ishujt grekë në Ukrainë u kundërshtua veçanërisht nga Syriza, e cila theksoi se zgjedhja mund ta dobësonte vendin ushtarakisht në një kohë kur po përballet me provokime të vazhdueshme nga Turqia në qiell dhe dete.

Pozicioni i Syrizës, sidoqoftë, mbetet mjaft i paqartë. Në tetor 2022, eurodeputetët e partisë miratuan rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, por 19 janarin e kaluar ata abstenuan me rastin e votimit për “një rezolutë që i bën thirrje Bashkimit Evropian të krijojë një gjykatë ndërkombëtare të posaçme për të gjykuar agresionin rus”.

Në Gjermani, lufta në Ukrainë nxjerr në pah kontradiktat e brendshme të Die Linke, e ndarë midis anti-imperializmit me frymëzim marksist që e shtyn të kritikojë “luftën e agresionit” të Rusisë, antiamerikanizmin e trashëguar nga Lufta e Ftohtë dhe antimilitarizmin e thellë që e çoi deri në kërkesën e ndalimit të furnizimit me armë të Kiev dhe të dënonte krijimin e një fondi special për forcat e armatosura me vlerë njëqind miliardë euro të vendosur nga qeveria gjermane. E lindur më 2007 me iniciativën e disa politikanëve të majtë të Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe trashëgimtarëve të Partisë së Bashkuar Socialiste (SED) të ish-Republikës Demokratike Gjermane, Die Linke ka vështirësi të shfaqet e bashkuar për luftën në Ukrainë.

Në shkurt, manifesti për paqen i botuar nga ish drejtuesja e grupit Sahra Wagenknecht dhe eseistja feministe Alice Schwarzer ndezi një debat të ashpër në parti. I firmosur nga 700,000 njerëz, teksti u refuzua nga emra të ndryshëm të shquar në udhëheqjen e Die Linke, të cilët akuzuan autorët se po bënin lojën e Kremlinit që se nuk kishin vënë si kusht tërheqjen e trupave ruse nga territori ukrainas për një armëpushim, si dhe për daljen shumë ambivalentë ndaj të djathtës ekstreme proruse. Për shkak të polemikave, Wagenknecht ka njoftuar se nuk do të kandidojë më me Die Linke.

Më 26 shkurt në Bruksel, një manifestim evidentoi ndarjen brenda së majtës belge. Edhe pse mesazhi kryesor i nismës ishte “Rusia jashtë Ukraina”, gjatë marshimit u brohoritën shumë slogane të ndryshme, si “Stop luftën e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në Ukrainë”. Partia e Punës e Belgjikës (PTB) ka përfunduar në qendër të stuhisë. Formacioni i të majtës ekstreme me origjinë maoiste, PTB, tashmë është e mirëvendosur në peizazhin politik belg, me përfaqësues në të gjitha asambletë federale dhe rajonale.

Në fund të janarit, një deputet i PTB-së, Nabil Boukili, deklaroi se problemi i vërtetë ishte “zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-s drejt lindjes” dhe se dërgimi i armëve në Kiev i shtoi “luftën luftës”. Partia refuzoi të votonte rezolutat që dënonin agresionin rus të paraqitura në senatin dhe në parlamentin rajonal flamand.

Në Itali, Partia Demokratike është në linjë me Kievin dhe NATO-n, por Lëvizja 5 Yjet dhe Aleanca e Gjelbër dhe e Majtë kanë kritikuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Gjykimet më të ashpra ishin ato të M5s. Më 29 mars, kreu i partisë dhe ish-kryeministri Giuseppe Conte akuzoi qeverinë se “e futi vendin në luftë” me dërgimin e armëve. Në janar, deputetët e Çinkuestele votuan njëzëri kundër vazhdimit të dërgimit të pajisjeve ushtarake në Ukrainë. Konflikti e ka ndarë lëvizjen e themeluar më 2009 nga Beppe Grillo: në qershor 2022, ministri i jashtëm i atëhershëm Luigi Di Maio përplasi derën duke akuzuar Conten për pengim të mbështetjes për Kievin.

Veriu kundër Jugut

Lufta po shkakton kërdi edhe në Grupin e Majtë në Parlamentin Evropian, i përbërë nga deputetë të forcave të majta radikale si La France insoumise, Die Linke dhe Syriza. Më 24 shkurt, 38 eurodeputetët e grupit shpërndanë një deklaratë me mesazhin e mëposhtëm: “Vazhdojmë të besojmë se paqja dhe diplomacia janë zgjidhja e vetme”. Sipas presidentit Manon Aubry, kjo është “një nga çështjet për të cilat konsensusi mes nesh është më solid”.

E njëjta linjë rikonfirmohej në çdo debat parlamentar. Por deputetët e grupit kanë lëvizën në mënyra të ndryshme me rastin e rreth njëzet votimeve për Ukrainën që nga fillimi i konfliktit. Duke dënuar pushtimin rus, ndihmën financiare për Kievin dhe përgatitjet për samitin BE-Ukrainë, qëndrimet e tyre janë luhatur herë pro, herë kundër dhe herë abstenim.

“Në mbështetjen për popullin ukrainas dhe refugjatët jemi të bashkuar,” shpjegon Aubry. Por “deputetët nga vendet nordike përgjithësisht votojnë në favor të të gjitha propozimeve për të mbështetur Ukrainën”, shpjegon një burim i brendshëm. “Të tjerët, veçanërisht ata nga vendet jugore, abstenojnë në emër të pozicionit të tyre historik antimilitarist dhe kritik ndaj NATO-s”. Nëpër rryma të ndryshme të së majtës, antiamerikanizmi mbetet një frenë e fuqishme për dënimin e agresionit rus.

Autorët e këtij artikulli janë Sandrine Morel, Thomas Wieder, Olivier Bonnel, Philippe Jacqué, Jean-Pierre Stroobants dhe Marina Rafenberg.

Përgatiti Dardan MITROVICA

You might also like