- SPONSOR -






- SPONSOR -

Mesazhet e ëndrrave

Kohët e fundit kanë qenë të shumë njerëzit që kanë raportuar se ëndërrojnë më shumë se zakonisht dhe se bëjnë ëndrra të çuditshme, surrealiste, tejet të gjalla dhe shumëngjyrëshe. Dhe janë specialistët që sqarojnë se pse: flemë më gjatë dhe bëjmë ëndrra më të gjata dhe më shqetësuese dhe disa zona të trurit, qendrat e emocioneve, janë më “hiperaktive”

Absurde, surrealiste, e gjallë dhe plot ngjyra: janë disa nga mënyrat që shumë njerëz përshkruajnë ëndrrat e tyre që nga fillimi i pandemisë koronavirus.

Një fenomen kurioz, i regjistruar në të gjithë botën, që ka çuar në lindjen e hashtagut #pandemicdreams (“ëndrrat pandemike”). Po ashtu, janë pikërisht rrjetet sociale ato që na japin një ide mbi këtë prirje.

Sipas të dhënave të mbledhura nga platforma Pulsar, për shembull, në Twitter shprehja angleze weird dreams (“ëndrra të çuditshme”) pati një rritje: nga një mesatare ditore prej disa qindra mes janarit dhe marsit, arriti në disa mijëra në prill. Madje lindi një blog kolektiv – I dream of COVID (unë ëndërroj COVID) – i cili mbledh ëndrra të çuditshme nga përdoruesit në të gjithë botën.

Edhe bota shkencore filloi të lëvizë: për shembull në Psychology Today, Patrick McNamara, një neuroshkencëtar në Boston University (SHBA), njoftoi se së bashku me disa studiues të tjerë është duke mbledhur dhe studiuar këto ëndrra të veçanta, krahasuar me ato të para pandemisë.

Gjumi në kohët e lockdown

Hipotezat e kësaj vale ëndrrash janë të çuditshme, por ende asgjë përfundimtare. Nga njëra anë jeta në lockdown na bëri të modifikojmë rutinën tonë e si rrjedhojë na ka bërë të ndryshojmë edhe mënyrën e të fjeturit. “Ka mundësi që shumë njerëz të flenë më shumë në mëngjes sesa atëherë kur ngriheshin për të shkuar në punë”, thotë Francesca Siclari, një neurologe në Universitetin e Lozanës (Zvicër) e cila ka vite që merret me gjumin dhe ëndërrat. “Pjesa e fundit e gjumit të mëngjesit është ai që karakterizohet nga aktiviteti më i lartë onirik dhe zgjatja e kësaj faze mund të rrisë sasinë e ëndrrave shumë të gjalla”.

Pandemia në fakt i ka prishur të gjitha rregullat e gjumit tek ne nuk është rastësi që Shoqata Italiane e mjekësisë së gjumit (AIMS) ka aktivizuar një shërbim online mbështetje dhe këshillaash për ata që kanë vështirësi për të fjetur mirë, është gjithmonë e njëjtë shoqata e cila, në bashkëpunim me universitetin La Sapienza të Romës, ka studiuar ndikimin e ankthit nga COVID pikërisht në aktivitetin e ëndrrave.

Luigi De Gennaro, psikofiziolog në universitetin roman, shpjegoi në një intervistë për National Geographic që shumë çrregullime të gjumit janë sigurisht një rezultat i ankthit të pandemisë: vetë fenomeni është identifikuar pas tërmetit në L’Aquila, në vitin 2009, kur makthi dhe gjumi i shqetësuar manifestohej me intensitet proporcional me afërsinë nga epiqendra.

Emocione të pashprehura

Ëndrrat në fakt mund të jenë sinjali i një traume psikologjike të përjetuar indivivualisht. E konfirmon psikoanalisti Stefano Bolognini, president i Shoqatës së Psikoanalistëve Italianë: “Në të gjithë botën njerëzit duket se kanë reaguar ndaj traumës së pandemisë në një mënyrë jashtëzakonisht dinjitoze, duke ndërmarrë sjellje përgjithësisht korrekte dhe duke marrë gjithë përgjegjësitë e tyre”, thotë ai. “Sidoqoftë, në një thellësi, emocionet si frika, rezistojnë, edhe nëse nuk kanë asnjë mënyrë për të dalë. Dhe është kjo arsyeja pse ata e shfryjnë dufin e tyre në ëndërra”.

Nëse të gjithë ne do të kishim reaguar ndaj emergjencës COVID në mënyrë iracionale, mbase ëndrrat tona nuk do të kishin qenë kaq intensive.

Neuroshkencë apo psikanalizë?

Për psikoanalizën ëndrra nuk është vetëm manifestim i traumës: “Themeluesi i famshëm i psikoanalizës Sigmund Freud, për shembull, nisej nga ideja se ëndrrat përfaqësonin konflikte të pazgjidhura mes dëshiraave të shtypura dhe censurës sociale”, vazhdon Bologninit. Sot ne e dimë se gjërat janë pak më ndryshe: ëndrra mund të jetë një shfaqje krijuese dhe madje, gjatë një udhëtimi psikoterapik, një tregues se si pacienti po përjeton faza të ndryshme.

Duhet të theksohet se teoritë e sotme psikoanalitike mbështeten gjithnjë e më shumë nga provat neuroshkencore që: “Të dy pikëpamjet janë gjithnjë e më shumë të integruara dhe influencojnë njëra-tjetrën”, shpjegon Bolognini. Për shembull zbulimet mbi funksionimin e gjumit po japin elementë të dobishëm edhe për psikanalizën.

Si funksionon gjumi

Tashmë që nga vitet ’50 ne e dimë që fazat në të cilat ne ëndërrojmë më shumë janë REM (Rapid Eye Movements, “lëvizjet e shpejta të syve”): “Në këto faza, rreth katër ose pesë në natë”, vazhdon Siclari”, “aktiviteti cerebral është i ngjashëm me atë të zgjimit: për shembull, kur ëndërrojmë një fytyrë, aktivizohen të njëjtat zona të përfshira në njohjen e fytyrave në gjendje zgjuar.

Pavarësisht kësaj, në fazat REM është prezente një atoni muskulare, një lloj paralize që na pengon të lëvizim pas veprimeve që po ëndërrojmë, me rrezikun që të lëndojmë vetveten».

Bombardimi me impulse

Deri para pak viteve besohej se ëndërronim vetëm në fazat REM: sot e dimë se ëndërrojmë edhe gjatë gjumit të thellë, ose fazat jo-REM, por në mënyrë tjetër. Në disa kërkime të tij, Pierre Maquet, një studiues në Universitetin e Liezhit (Belgjikë), i bëri një tomografi impulsesh pozitronike (PET) disa vullnetarëve gjatë gjumit, duke zbuluar se në fazat REM impulset nervore bombardojnë zonat limbike, qendra të emocioneve. Kjo shpjegon se pse ëndrrat e këtyre fazave, aq aktive gjatë lockdown në mënyrë të veçantë në mëngjes, kanë më shumë lëvizje gjalla dhe janë më të gjalla: lëvorjes i duhet t’i japë kuptim për kësaj stuhie sinjalesh elektrike dhe e bën këtë duke krijuar imazhe intensive.

Tani i kujtojmë më mirë

Por, është një aspekt tjetër që mund të favorizojë kujtimin e ëndrrave pandemike: javët e fundit shumë njerëz nuk e kanë përdorur alarmin e zgjimit dhe për këtë arsye zgjimi i tyre është më gradual dhe i natyrshëm. “Kjo na lejon të fiksojmë më mirë në kujtesë ëndrrat,” shton Siclari.

Faktikisht, është e zakonshme që ëndrrat të harrohen sapo të ngrihemi nga shtrati. “Nëse duam t’i kujtojmë, do të duhet t’i përsërisim në mendje ose t’i shkruajmë diku, sapo të kemi hapur sytë, por pa u ngritur”. Por, tendenca për të harruar ëndrrat, e quajtur amnezi onirike, ka një funksion të saj mbrojtës: “Disa njerëz me sëmundje gjumi kanë tendencë të mbajnë mend ëndrrat sikur të ishin të vërteta, duke përjetuar stres dhe siklet gjatë ditës”.

Për çfarë shërbejnë?

Në fund të pyetjes mbetet një pyetje të cilës shkenca ende nuk ka i dhënë përgjigje: për çfarë shërbejnë ëndrrat? “Disa njerëz kanë tendencë të konsiderojnë më shumë si një lloj nënprodukti të gjumit, se sa një fenomen me një funksion specifik”, thotë Siclari.

Sidoqoftë, janë ngritur disa hipoteza: “Për të tjerët, ëndrra përfaqëson një formë të realitetit virtual të cilit truri i jep jetë për të trajnuar funksione të dobishme mendore gjatë zgjimit, siç është aftësia për t’u përballur me rreziqe apo rregullimi i emocioneve”.

Kjo mund të ndodhë sidomos me të vegjlit, për të cilët ëndrra është një mjet i vërtetë themelor për zhvillimin e trurit: “Fëmijët”, thotë në një intervistë Luigi Ferini Strambi, shefi i Qendrës së mjekësisë së gjumit në spitalin San Raffaele të Milanos, “janë në fazën REM për 50 përqind të pushimit të natës, një fazë e dobishme për funksionet mnemonike”.

Edhe një studim i vitit 2004 i kryer nga neurologu Pierre Maquet dhe i botuar nga Neuron kishte treguar se si gjumi dhe ëndrrat janë të dobishme për kujtesën. Studiuesi i pati kërkuar disa subjekteve të luanin një videolojë, për t’u monitoruar më pas aktivitetin e trurit gjatë gjumit të natës në vijim. Rezultati? Ndërsa sublektet po flinin, u vërejt riaktivizimi i të njëjtave rajone të hipokampusit që funksiononin gjatë lojës: praktikisht, gjumi dhe ëndrrat konsolidonin procedurat e zbatuara në lojë dhe njëkohësisht bënin të mundur riorganizimin e informacionit të marrëmësuar, duke eleminuar ato super “eu” dhe ngatërrues.

Ëndrrat e adoleshentëve

Nëse ëndrrat duket se kanë funksionin e të mësuarit dhe të konsolidimit të kujtesës në veçanti te fëmijët, tek adoleshentët shkojnë krah për krah me frikën dhe emocionet që lidhen me rritjen: “Periudha e “lulëzimit” hormonal i jep udhë një sasie të madhe imagjinare ëndrratsh”, shton Bolognini. Në këtë fazë, në fakt, 80% të djemve iu ndodh që të ëndërrojnë sikur ndiqen ose janë duke ikur me vrap, ndërsa 73% sikur bien në boshllëk: të gjitha imazhet përbëjnë frikërat që lidhen me pjekurinë, është pra përpjekja e trurit për t’i mësuar që t’i menaxhojnë ato. “Shpesh të rinjtë e rritur ëndërrojnë sikur arrijnë vonë për në provim apo që nuk shkojnë dot në klasë”, shton Tore Nielsen, studiues në Sleep Research Center të Hôpital du Sacré-Coeur në Montréal (Kanada), ku në 2003 u krye një studim mbi ëndrrat e gati 1200 të rinjve.

Momentet e ndryshimit janë më të pasurit në ëndrra: është përvoja e secilit, aktiviteti i ëndrrave bëhet intensiv kur ne po ndërrojmë shtëpi, ose po martohemi, ose para çdo lloj ndryshimi.

Ndoshta magjia e ëndrrave qëndron edhe këtu, në një eksperiencë që jeton me ne gjatë gjithë jetës sonë duke krijuar spirale të shkurtra në brendësinë tonë. / gazetatjeter.com

Ju mund të pëlqeni edhe