Nga Alfred LELA – Miti i Minotaurit dhe Rama si viktimë e labirintit të vet

Sali Berisha përballoi 37 vendime kundër të Gjykatës Kushtetuese, gjatë 8 viteve si Kryeministër. Edi Rama, me vetëm një gjysmë vendimi të fundjavës së shkuar, është futur në kurs përplasjeje me gjykatën më të lartë në vend, një trupë e cila vazhdimisht është pajtuar me politikat e tij, dhe vijimisht ka ndjekur një standard të dyfishtë.

Zemërimi i Kryeministrit, megjithatë, thotë më shumë për hallin e tij se sa për integritetin e gjyqtarëve kushtetues. Dëshmon se Edi Rama po përmbyll të gjitha fazat që përshkruan literatura politike kur flet për autokratë dhe autokraci.

Shenjë e fortë e kësaj është përçapja e tij për të injektuar ndryshime në Kushtetutë, me qëllim mbrojtjen e kabinetit qeveritar (lexo vetes) nga demarshe të prokurorëve të Republikës, në përpjekje për të hetuar, parandaluar apo ndëshkuar korrupsionin.

Vini re: një Kryeministër që operon i papenguar në 98 përqind të territoreve të pushtetit në një Republikë parlamentare, kërkon që ta zaptojë edhe një 2 përqindësh minimalist, dhe të mbyllë çdo frëngji nga ku mund të futet periskopi kureshtar i ndonjë aneksi të pushteteve të tjera, në këtë rast drejtësisë.

Nuk mund të mjaftojë arsyetimi se Rama është lider autokrat në tejkalim të kompetencave dhe ndarjes së pushteteve, sepse kjo do të na bënte vëzhgues teorikë të pengmarrjes.

Nuk mund të mjaftojë as shpresa te palë të treta, Brukseli apo Uashingtoni, të cilët do tërheqin karrotën dhe do të fillojnë të përdorin shkopin. Nëse amerikanët, prej një viti e këtej, kanë ndërtuar një retorikë e cila e profilizon Ramën dhe qeverisjen e tij në terma venezuelianë, përtej kësaj nuk ka lajme. Nëse administrata Trump ndjek intuitën transaksioniste të Presidentit, kjo nuk do t’i bënte lazëm Shqipërisë, për faktin se nëse Ramës do t’i kërkohej një marrëveshje, çfarëdolloj marrveshjeje, ai do ta pranonte sa kohë i ruan pushtetin.

Ndryshe nga Maduro, që u fut në rolin e e një macho-je latinoamerikan, duke refuzuar një deal me gringot, Rama është i gatshëm për çdo deal, sa kohë ai nuk preket. Të mbeturit e Shqipërisë në limbo lidhet pikërisht me atë se, amerikanët nuk ia kanë as kohën dhe as nevojën një deal-i me Ramën. Shqipëria ëshë një hapësirë e NATO-s, kandidate për në BE dhe, çka është më e rëndësishmja, me nje popullatë qartësisht pro euro-atlantike.

Si dilet atëherë nga ky labirinth i cili ruhet nga një Minotaur? Cili është filli i Arianës, dhe cili është Tezeu? Si në mitin e Minotaurit, Rama po kthehet në një mallkim për vendin, pikë së pari sepse Kryeministri e ka zhveshur politikën dhe trupat shoqërore nga racionaliteti dhe nga nevoja dhe forca e shoqërisë për ndryshim.

Apatia shoqërore, nëpërkëmbja e institucioneve, përdhosja e autoriteteve morale (kazan, buf, budallenj etj), krijimi i kushteve për largime masive, relativizimi i vlerave, janë të gjitha marka të përforcuara nga Rama. Duke i humbur kuptimin shtetit, ai e ka kthyer atë në një labirint ku mungojnë pikat e referencës, ku shmangen arbitrat dhe ku shpërfillen vlerat dhe kodet e përbashkëta, të shkruara ose jo.

Në këtë kuptim, Rama është edhe Minotauri dhe labirinti, në një. Ajo që e bën tragjik, si fatin e tij edhe të shoqërisë është se, Rama vetë është viktimë e labirintit të krijuar po prej tij. Shkumëzimet e javës së fundit dhe përçartjet për të ndërhyrë në Kushtetutë, me qëllim zmbrapsjen e çdo trupe institucionale që i vë në dyshim, apo kërcënon labirintin, flasin për këtë shtresëzim të dyfishtë, të monstrës që është edhe viktimë.

Edi Rama, pasë ndërtuar ‘aleancën e qelbësirave’, e ka kuptuar tashmë se qelbësirat i duhen sistemit, jo vetëm për ta mbajtur në këmbë, jo vetëm nëpërmjet pranisë, por edhe sakrificës.

Sakrifica, siç shumë mite të antikitetit e provojnë, ka edhe një teh të dytë: sado vonë, sakrifikuesit kthehen edhe vetë në të sakrifikuar. Këtë po mundohet të shmangë Rama.

Sado i fortë të duket, historia, mitologjia, psikologjia, të gjitha shkencat dhe zejet e shoqërisë na thonë se autorët e sakrilegjeve shkojnë një ditë në tehun e sakrificës.

Kur nuk ka mbetur askush më për të sakrifikuar, Rama po e ndjen tehun që afrohet dhe prandaj po kërkon të dalë nga labirinti.


Disa imazhe në këtë faqe janë marrë nga interneti, duke u konsideruar në përdorim publik. Nëse dikush ka pretendime, mjafton të na shkruani në adresën tone e-mail dhe ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Burimi Politiko.al
Ju mund të pëlqeni edhe