Blog

  • Ishulli i Detit të Vdekur, vetëm prej kripe dhe me një pemë e veçantë

    Ishulli i Detit të Vdekur, vetëm prej kripe dhe me një pemë e veçantë

    Duket si vizatimi i një libri, por ky ishull i vogël ekziston me të vërtetë: ai ndodhet në qendër të Detit të Vdekur dhe mund të arrihet duke notuar

    Ndër vendet më të pabesueshme në botë – dhe duhet vizituar të paktën një herë në jetë – eshtë edhe një ishull i vogël, i gjithi në kripë, një vend magjepsës i rrethuar nga një prej deteve më të veçantë në botë.

    Kjo mrekulli e natyrës gjendet pranë plazheve të Ein Bokek, në Detin e Vdekur, në Izrael, vetëm dy orë larg qytetit të Shenjtë. Një zonë me hotele luksoze dhe disa nga plazhet (falas) më të bukura, e njohur për ngjyrën e tyre të artë të fortë. Nga këto plazhe të jashtzakonshëm, rreptësisht nga deti dhe me një notim prej të paktën 20 minutash, mund të arrihet një vend shumë të veçantë, të ngjashëm me një pishinë të vogël natyrale, e rrethuar nga kripa dhe ujërat kristal të kthjellëta.

    Arritja e këtij Edeni tokësor, siç mund të kuptohet, nuk është aspak e lehtë edhe sepse ndodhet në qendër të një prej deteve më të kripur në botë. Për të arritur atje, pra, duhet të mundoheni ca dhe të notoni në ujëra ku ka 34%, përqendrim të kripës, në rreth 415 metra nën nivelin e detit.

    Sidoqoftë, Deti i Vdekur është i njohur nga të gjithë udhëtarët për këtë veçanti dhe aq sa është i lehtë të qëndrosh në det dhe pa mundim po aq e vështirë bëhet të lëvizësh dhe notosh lirshëm. Por, një herë mbërrityr në atollin e vogël, panorama dhe spektakli vizual që shfaqet para syve të udhëtarëve në botën përreth do të shpërblejë çdo mundim.

    Një veçanti tjetër e këtij ishulli, që e bën këtë vend të veçantë dhe përrallor, është fakti që, përveç përmbajtjes së kripës dhe ngjyrës së bardhë që spikat në ujërat e kthjellët, në brendi të tij, pikërisht në qendër të ishullit, jeton prej vitesh vetëm një pemë, me trung të hollë dhe degë që harlisen drejt qiellit.

    Kemi të bëjmë me një tërheqje vërtetë unike dhe gati të pashpjegueshme pasi kripa nuk e lejon ekzistencën e të qenies aty të kafshëve dhe bimëve. Një magji e bërë e mundësuar prej një engjëlli mbrojtës, një vendasi që çdo arrin në ishull me not për t’u kujdesur për prmen dhe t’i lejojë asaj që të vazhdojë të jetojë dhe të rezistojë në këtë vend fantastik. E gjithë kjo për të bërë të mundur që ky vend i këndshëm i magjishëm të mundë të magjepsë këdo që shkel tokën në këtë parajsë natyrore edhe për një kohë të gjatë. Ideale për ata që kërkojnë destinacione të pazakonta dhe kurioze, për të përjetuar dhe fotografuar.

  • Koronavirusi, gati qentë që “nuhasin” virusin: ja plani i Austrisë

    Koronavirusi, gati qentë që “nuhasin” virusin: ja plani i Austrisë

    Ushtria austriake po përfundon stërvitjen e një pastori belg për t’i nuhatur molekulat e Covid-19 në ajër

    Jo vetëm në operacionet antidrogë apo për kërkim eksplozivësh. Së shpejti, qen të stërvitur posaçërisht mund të përdoren për të gjetur personat e sëmurë me Covid-19 që shëtisin të qetë nëpër rrugët e qyteteve të mëdha. Ky, të paktën, është qëllimi i Austrisë që po stërvit një njësi qensh për të njohur “erën e të infektuarve”.

    Një projekt që, nëse do të sjellë rezultate, mund të hapë rrugën për një mënyrë të re për të kufizuar infeksionin nga Coronavirusi i ri dhe të identifikojë me lehtësi infeksionet asimptomatike që nuk shfaqin shenja të sëmundjes. Nëse do të ndodhte vërtetë, do të ishte një pikë kthese e vërtetë: asimptomatikët, në fakt, kanë qenë ndër përhapësit kryesorë të pandemisë dhe të mundësia për të kufizuar lëvizjet e tyre është një nga objektivat kryesore të të gjitha vendeve të angazhuara në vijën e parë në luftën kundër COVID-19.

    Si po stërviten trajnohen antiKoronavirus

    Stërvitja e njësisë së qenve që ushtria austriake dëshiron të formojë nuk ndryshon shumë nga ajo e njësive të tjera të caktuara për zbulimin e substancave narkotike dhe eksplozivëve. Në bazë të kësaj, bëhet e ditur nga Vjena, do të ketë një program stërvitjeje të qenve për të njohur erën e molekulave të Koronavirusit.

    Përmes një procesi mësimor me përforcim pozitiv, instruktorët do t’u mësojnë qenve të dallojnë gjurmët e “lëna” nga Covid-19 dhe të reagojnë nëse ato nuhaten. Në trajnim, ushtria austriake po përdor një tub në brendësi të të cilit gjenden molekula Covid-19. Me pak fjalë, e njëjta metodë, e cila zakonisht përdoret në formimin e njësive të qenve antidrogë ose anti-eksploziv.

    Qentë anti-koronavirus, deri ku ka arritur programi austriak

    Sipas informacioneve që dalin nga vendi transalpine, brenda fundit të korrikut qeni i parë “tracker” duhet të hyjë në veprim. Ai është një pastor belg pesëvjeçar, që për disa javë këtyre anëve është bërë protagonisti kryesor i programit “stërvitje speciale” të ngritur nga forcat e armatosura bardhekuqe në qendrën e ushtarake të qenve Kaisersteinbruch, në Burgenland.

    Deri më tani, shkalla e suksesit gjatë testeve ka qenë në 80%: një vlerë mjaft e lartë, por siç duket konsiderohet jo plotësisht e kënaqshme nga autoritetet austriake. Gjatë ditëve në vijim, hunda e pastorit belg do të rafinohet më tej, në mënyrë që të jetë në gjendje të identifikojë një numër edhe më të madh pozitivësh dhe asimptomatikësh.

  • Macja vjen në shtëpi çdo ditë me një palë të reja syze noti: askush nuk e di nga vijnë

    Macja vjen në shtëpi çdo ditë me një palë të reja syze noti: askush nuk e di nga vijnë

    Macja e Sally Bell, një grua që banon në qytetin britanik të Bristol, ka marrë një zakon të ri, të çuditshëm që e ka befasuar gruan. Sipas gazetës Metro, maceja, e quajtur Avery, ka filluar të sjellë në shtëpi syze noti.

    Gjatë 3 javëve të kaluara, ka sjellë tashmë tetë palë në shtëpi. Pronarja e kafshës ka specifikuar se pranë shtëpisë së tyre nuk ka pishinë. Sally Bell nuk e di nëse vijnë nga ndonjë shtëpi aty pranë apo nga apartamente të tjera dhe menjëherë u aktivizua në rrjetet sociale për të kërkuar pronarët e syzeve. Sidoqoftë, pavarësisht impenjimit të saj të admirueshëm, përdoruesit “qeshin dhe askush nuk ka thënë që i kanë humbur syzet”, shpjegoi me keqardhje gruaja.

    Britanikja siguron se dëshiron vetëm t’i kthejë ato syze tek pronarët, duke shtuar se syzet janë për fëmijë.

  • 100-vjetori i lindjes së gazetarit dhe shkrimtarit antikomunist, Beqir Ajazi

    100-vjetori i lindjes së gazetarit dhe shkrimtarit antikomunist, Beqir Ajazi

    Kastriot DERVISHI

    Sot është ditëlindja e 100 e një njërit prej të burgosurve politikë të Shqipërisë, gazetarit, shkrimtarit dhe nëpunësit, Beqir Ajazi, i ndarë nga jeta në Tiranë më 2 gusht 2017. Beqir Ajazi u burgos në moshën 24 vjeçare. Dashje pa dashje ai u bë një pikë lidhje dëshmuese midis brezit të vjetër që u burgos nga komunistët dhe brezit të pasviteve ’90, të cilit duhet t’i përcillte ato që kish mësuara nga ata. Përveç këtij misioni që Beqir Ajazi e kreu me sukses, vetë jeta e tij ishte një histori tjetër më vete, të cilën nuk e ndau nga misioni i parë që i vuri vetes.

    Beqir Ajazi u lind në Dibër të Madhe më 20 korrik 1920, qytet ku ishte vendosur përkohësisht familja e tij për shkak të ngjarjeve në Shqipëri. Më 1928-1931 ndjek arsimin fillor në Prezë për ta vazhduar më tej më 1931-1934 në Ersekë. Më 1934-1949 ndjek Liceun Francez të Korçës. Me mbylljen e këtij liceu nga qeveria e kohës, në vitet 1939-1943 ndjek gjimnazin e Tiranës. U regjistrua student në Universitetin e Drejtësisë në Padova të Italisë, por vitet e vështira të luftës nuk do ia realizonin këtë ëndërr.

    Në shtëpinë e tij në Prezë kanë qëndruar misionarët britanikë, ndërsa vetë Ajazi ishte pranë shtabit të Abaz Kupit këtë kohë. U arrestua më 14.10.1944 nga komunistët duke qenë një nga 300 të burgosurit e parë politikë të regjimit. Ai ishte brezi i parë i rinisë antikomuniste të luftës që provoi persekutimin komunist. I fundit i një brezi idealistësh. Provoi pushkatimin e babait, vrasjen e vëllait dhe persekutimin e egër komunist.

    Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të Parë në Tiranë më 26.4.1945 e dënoi me 15 vjet burgim e punë të detyrueshme me arsyetimin se kishte “penguar luftën e popullit” dhe “sharë Stalinin”.

    Punoi në kampe pune e së fundi u lirua nga burgu i Burrelit më 17.6.1954. Edhe pas daljes nga burgu qëndroi i fortë moralisht. Nuk e përkulën as presionet e regjimit dhe punët e vështira e të rënda që kreu. Për këtë arsye, u internua me nënën e vet, me vendimin nr.11, datë 13.11.1975 të Komisionit të Internim-Dëbimeve pranë Kryeministrisë bashkë me 132 persona të tjerë. Në përligjjen e vendimit thuhej se personat e internuar kishin pjesëtarë të familjeve të tyre të arratisur dhe se nuk mbanin qëndrim të mirë politik.

    Ishte krenar se doli i papërlyer e i fortë nga koha e komunizmit. Vlerësonte moralin njerëzor e atë politik. Mbeti besnik i idealit mbretëror. E ëndërronte Shqipërinë të pastruar nga efektet e dëmshme të komunizmit, shtet të fortë, me ekonomi të qëndrueshme e me njerëz me moral e tradita.

    Gjatë viteve të demokracisë, Beqir Ajazi ishte aktiv me artikuj në shtypin e shkruar si dhe me intervista e pjesëmarrje në aktivitete.

    Në vitin 2000, Flori Slatina i botoi librin “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan”, libër që u ribotua më vonë nga Shtëpia Botuese “55”. Ky libër është një dokument serioz e burim i çmuar informacioni për ngjarje të ndryshme të historisë së Shqipërisë dhe për errësirën komuniste. Në vitin 2002 u nderua nga presidenti i Francës me dekoratën “Kalorës të Urdhrit të Meritës”. Deri sa kishte mundësi, Beqir Ajazi nuk rreshti së shkruari me makinën e tij të shkrimit.

  • Jean Todt: “E pashë Shumakerin, po punon që të gjithë ta shohin përsëri”

    Jean Todt: “E pashë Shumakerin, po punon që të gjithë ta shohin përsëri”

    Jean Todt është një nga njerëzit që mund të hyjë në vilën e Michael Schumacher në Liqenin e Gjenevës dhe që e di gjendjen e tij të vërtetë fizike. Ish-drejtori i përgjithshëm i team Ferrari në kohët e gjermanit në mikrofonat e Daily Mail foli kështu për Kaiserin: “E pashë Michael javën e kaluar, ai po lufton. Punon në mënyrë që të gjithë ta shohin përsëri”

    “E pashë Michael javën e kaluar. Është duke luftuar. Shpresoj se bota mund ta shohë përsëri. Kjo është ajo për të cilën po punon ai dhe familja e tij”. Jean Todt është një që di ta befasojë botën dhe me këto fjalë të tij mbi Michael Schumacher në Daily Mail dha një lajm të bukur dhe të rëndësishëm për ish pilotin gjerman të Ferrarit, që është rrethuar nga heshtja prej aksidenti në kokë në Alpet Franceze të gjashtë vjet e gjysmë më parë. Vetëm familja dhe një pjesë e vogël e miqve të besueshëm pranohen në shtëpinë e Schumacher në brigjet e Liqenit të Gjenevës.

    Një nga pak prezencat e mirëpritura është pikërisht ajo e Jean Todt, ish-drejtorit të përgjithshëm të team Ferrari në kohën e Schumi, i cili duke folur në Budapest për Grand Prix Hungaria u përqëndrua edhe tek kushtet e mikut të tij, përveç analizës për një tjetër rekord të Lewis Hamilton, i cili dje fitoi polin numër 90 të karrierës së tij dhe po mposht të gjitha rekordet e Schumacher. Pikërisht përsa i përket kësaj të fundit, ish-CEO i Ferrari SpA tha: “E di që Lewis mund të mposhtë rekordin e Michael si piloti më i titulluar i të gjitha kohërave. I ka të gjitha për ta bërë këtë tek Mercedes dhe ndershmërisht nuk më vjen keq. Mbaj mend që në vitin 2000 isha në podium në Suzuka me Michael pasi fituam titullin e tij të parë me Ferrari dhe i thashë që jeta jonë nuk do të ishte më kurrë e njëjtë. Kishim arritur gjithçka që donim. Pas një aksidenti si ai që pati Michael, a ka rëndësi nëse Lewis fiton më shumë?”.

    Sa i përket se kush është më i fortë i të gjitha kohërave, Todt nuk është çekuilibruar dhe për gazetën hungareze HRT ka deklaruar: “Unë e dua Michael por është e pamundur të them se kush është më i miri ndonjëherë. Është Juan Manuel Fangio, Jim Clark, Ayrton Senna dhe Michael. Mund të mendosh vetëm se kush është më i miri i një brezi të caktuar”.

  • Luftë spiunësh midis Kinës dhe SHBA

    Luftë spiunësh midis Kinës dhe SHBA

    Modeli amerikan kundër modelit kinez. Përplasja e shekullit luhet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, dy superfuqive që luftojnë për epërsi globale me akuza dhe kërcënime të ndërsjella. Jo rastësisht, thonë disa analistë, gjendemi vërtetë brenda një Lufte të re të Ftohtë. Në fakt, duket se është rikthyer mes viteve ’50 dhe ’90, kur në qendër të vëmendjes ishte kundërshtimet totale, pra jo vetëm politike, por edhe ideologjike dhe ushtarake, midis Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik.

    Përfundimisht të gjithë e dimë se si mbaroi ajo Lufta e Ftohtë: BRSS u shkatërrua nën peshën e kontradiktave të saj të brendshme, ndërsa Uashingtonit iu shfaqën jo dhe aq papritmas para syve lëndina pafund për t’i ‘zotëruar’ përmes soft power (dhe jo vetëm). Sidoqoftë, që kur Kina është ringritur nga ferri për të rizënë sërish një rol të planit të parë në skakierën globale të shahut, ato lëndina, dikur të lira janë rikthyer në toka të diskutueshme.

    Qeveria kineze, ndonëse pa e ngritur kurrë zërin, i ka shtrirë tentakulat e saj mbi pjesën tjetër të botës për t’i mundësuar ekonomisë e saj të nisë fluturimin. Pekini ka provuar gjithmonë të krijojë marrëdhënie win – win me vendet e tjera, domethënë marrëdhënie të afta për të ofruar përfitime reciproke. Problemi është se bashkëjetesa kineze jo gjithmonë (në të vërtetë, thuajse asnjëherë) përshtatet me bashkëjetesën amerikane.

    Me fjalë të tjera, duke mbetur gjithmonë brenda metaforës së lëndinave, këto hapësira mund të zotërohen nga vetëm vetëm një superfuqi. Nuk ka vend për dy fitues: është Kurthi klasik i Ticididit. Kështu pra, nga primati teknologjik në atë ekonomik, nga lidershipi ushtarak në atë politike, papritmas të gjitha siguritë e Shteteve të Bashkuara kanë rënë, njëra pas tjetrës.

    Punë spiunësh

    Uashingtoni, duke mëkatuar me hamendësime, mendonte se kishte arritur majën, dhe se askush nuk guxontë ndonjëherë të kërcënonte primatin e tij. Tani ajo epërsi po vihet në dyshim nga Kina e cila, për të shpejtuar kohën, ka vendosur të investojë në spiunazh. Sa për të qenë të qartë, kjo nuk është vetëm një prerogative kineze: historia na mëson se çdo fuqi e madhe, në çdo periudhë historike, është mbështetur, në mënyrë pak a shumë masive, tek 007-at e saj. Sot po vërejmë Kinën sepse Pekini sapo ka mbërritur në majë të valëve pas një “shekulli poshtërimesh”.

    Por ajo që po bën gjigandi aziatik është bërë, në mënyra të tjera dhe për qëllime të tjera, gjithashtu nga amerikanët, sovjetikët, britanikët e kështu me rradhë. Në të gjitha rastet, qëllimi për t’u mbështetur tek spiunazh është gjithmonë i njëjtë: përfitimi i një avantazhi ndaj kundërshtarëve, në mënyrë që të parashikohen lëvizjet e tyre dhe të veprohet në përputhje me rrethanat.

    Shtetet e Bashkuara janë ndërgjegjësuar për manovrat e fundit kineze, aq sa kreu i FBI, Christopher Wray, para pak kohësh tha se në planin afatgjatë, Kina është “kërcënimi më serioz” për të ardhmen e Amerikës. Jo vetëm: Wray ka denoncuar se vjedhja e informacioneve amerikane nga qeveria kineze po ndodh në një shkallë kaq të madhe saqë rastet e dyshuara të kundër-spiunazhit që lidhen me Kinën tani përbëjnë gati gjysmën e atyre, rreth 5 mijë, të iniciuara nga agjensia në të gjithë botën.

    Operacioni Gjuetia e dhelprave (Fox Hunt)

    Gjithnjë sipas Wray, Kina po përpiqet të bëhet superfuqia e vetme në planet. Qëllimi përfundimtar i Dragoit do të ishte të rrëzimi i Shteteve të Bashkuara “nëpërmjet një fushate në të cilën përdor çdo mjet që ka në dispozicion”. Nga ky këndvështrim, shtoi ai, vjedhjet e sotme kineze janë të barabarta me “një nga transferimet më të mëdha të pasurisë në historinë njerëzore” dhe populli amerikan do të ishte viktimat kryesore. Ka një statistikë të dobishme për të kuptuar kontekstin në të cilin po zhvillohet krahu i hekurt kino-amerikan: FBI fillon një hetim të ri çdo 10 orë kundërspiunazhi që i atribuohet Pekinit.

    Wray ka treguar me gisht fushatën që Kina është duke zhvilluar në diasporën kineze, domethënë në të ashtuquajturit banorë kinezë të përtejdetit rezidentë në Shtetet e Bashkuara. Në të ashtuquajturin Operacioni Gjuetia e Dhelprave, shpjegon shefi i FBI, agjentët kinezë përndjekin dhe shantazhojnë qindra qytetarë të mërguar që jetojnë në SHBA me qëllim detyrimin e kthimit të tyre në vendlindje. Në shënjestër të Pekini janë persona që zyrtarët e Partisë Komuniste Kineze i konsiderojnë si kërcënim.

    “E kemi fjalën për rivalët politikë, disidentët, kritikët që përpiqen të denoncojnë shkeljet e përhapura të të drejtave të njeriut nga Kina. Qeveria kineze dëshiron t’i shtyjë ato të kthehen në Kinë dhe taktikat e përdorura janë tronditëse. Kur nuk arrin të gjejë një objektiv të Gjuetisë së Dhelprave, qeveria kineze dërgon një emisar të vizitojë familjen e tij. Mesazhi që i jep? Objektivi ka dy mundësi: të kthehet menjëherë në Kinë ose të vetëvritet”, ka deklaruar Wray, i cili megjithatë – duhet theksuar – nuk përmendi episodet specifike.

    Përparimi kinez

    Një nga karakteristikat e spiunazhit të fundit kinez, ka nënvizuar Il Foglio, është integrimi i përsosur i dy aspekteve: burimeve njerëzore, domethënë agjentëve klasikë prej mishi dhe gjaku, me aftësi cyber. Gjatë viteve të fundit kemi pasur shembuj të shumtë të qytetarëve, pak a shumë jo të dyshueshëm, pak a shumë të depërtuar në sistemin politik amerikan, të arrestuar nga autoritetet amerikane me akuzën e spiunazhit ose vjedhjes së teknologjive të ndjeshme.

    Një ekzaminim të përsosur për gjithë sa po flasim shpjegohet në librin Chinese Espionage: An Intelligence Primer, botuar nga Peter Mattis, zv/drejtor i Komisionit të Kinës të qeverisë amerikane, dhe Matt Brazil, bashkëpunëtor pranë Jamestown Foundation.

    Të dy autorët analizojnë fenomenin e spiunazhit kinez deri në detajet më të vogla. “Shërbimet kineze – shkruajnë ata – kërkojnë mundësi që dalin nga detaje personale komprometuese, seksuale ose jo, të subjekteve që ngjallin interes; por nuk mjaftohen vetëm me rekrutimin e qyteterëve kinezë”.

    Thënë ndryshe, Pekini është i interesuar të zotërojë, bashkë me sekretet tradicionale shtetërore, gjithçka që lidhet me teknologjinë e huaj dhe pronësinë intelektuale dhe që është potencialisht e dobishme për ekonominë (dhe mbrojtjen) kineze. Dragoi ndjek faktikisht dy rrugë: zhvillimin teknologjik-tregtar (civil) dhe ushtarak. Dy fytyra, shpesh të të njëjtës monedhë.

    Kundërofensiva amerikane

    Gjatë qershorit që kaloi Shtetet e Bashkuara futën njëzet kompani kineze në listën e të këqinjve. Lista, e hartuar nga Pentagoni, e që përmban kompani aktive në sektorë të ndryshëm – nga energjia bërthamore tek telekomunikacionet – përfshin kompani që, sipas qeverisë amerikane, kanë pak a shumë lidhje të ngushta me Ushtrinë Popullore Çlirimtare të Kineze. Pikërisht për këtë arsye, këto subjekte mund t’i nënshtrohen kontrolleve të thelluara, kufizimeve apo gjobitjeve.

    Janë shumë emra të spikatur që përfshihen në listë, duke filluar me Huawei, prej kohësh në sytë e ciklonit, Hikvision, e përmendura në lidhje me përfshirjen e supozuar në shtypjen e Ujgurëve në Xinjiang, China Shipbulding Industry Corporation dhe China Railway Construction Corporation. Dhe përsëri: China Telecom dhe China Mobile, të dyja të kuotuara në New York por shumë ambigue në sytë e administratës së drejtuar nga Donald Trump.

    Por, përse të përpilohet një listë e tillë, e cila aktualisht ka funksion thjesht informativ? Për tre arsye. E para: për të bërë presion ndaj Kinës. E dyta: të prishin planet e gjigandëve kinezë, të njëjtat që vitet e fundit kanë gllabëruar aksione të mëdha të tregut nga konkurrentët amerikanë. E treta: të pengohet, pse jo të bllokohet plotësisht, modernizimi i Pekinit, që, në fusha të ndryshme, siç përshembull në 5G, ka dëshmuar të jetë përpara Shteteve të Bashkuara.

    Arsyetimi i Shtëpisë së Bardhë është i thjeshtë dhe linear. Përmes spiunazhit tregtar dhe ushtarak, Kina ka vjedhur vazhdimisht informacione konfidenciale, të cilat më pas i ka ripërdorur për të përmirësuar industritë dhe sektorin e saj të armatimeve. Për të bllokuar hemorragjinë, Shtëpia e Bardhë ka filluar t’i kundërshtojë gjigantët e Pekinit në çdo mënyrë. Jo vetëm kaq: përmes aleancës së inteligjencës Five Eyes, të krijuar pas luftës nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, dhe më vonë e shtrirë në Kanada, Australi dhe Zelandën e Re, Uashingtoni nisi kundërsulme të ndryshme.

    Nga ana tjetër, CIA ka vazhduar me spiunazhin “tradicional”, domethënë të përdorë informatorët prej mishi dhe gjaku të infiltruar (apo të angazhuar) përtej Murit. Problemi është se, që nga ardhja e Xi Jinping në pushtet e këtej, domethënë që nga viti 2013, rrjeti amerikan ka pësuar shumë goditje nga kundërzbulimi i Pekinit. Një luftë e re spiunazhi sapo ka filluar dhe shtrihet nëpër universitete dhe akademi. Dragoi ka nxehur motorët, Dajë Sami po ashtu. / Materiali u përgatit nga gazetatjeter.net

  • Koreja e Veriut, Miss Kim hyn në politikë dhe konsolidon pozicionin

    Koreja e Veriut, Miss Kim hyn në politikë dhe konsolidon pozicionin

    Kim Yo Jong është gjithnjë e më shumë në qendër të sistemit politik koreanoverior; një sinjal i qartë, ky, i cili do të konfirmonte ndryshimet që po ndodhin në vendin që është mbi paralelin e 38-të. Motra e Presidentit Kim Jong Un kohët e fundit është bërë anëtare e politbyrosë së komunistëve të Koresë së Veriut, organi më i rëndësishëm politik i Partisë së Punëtorëve të Koresë, të vetmes parti politike në këtë vend aziatik.

    Kështu, Miss Kim e ka konsoliduar më tej pozicionin e saj si numri dy brenda shtetit, e dyta vetëm për vëllain e saj Kim. 2 korrikun e kaluar, ka shpjeguar një burim për Daily NK, ajo ka marrë pjesë në mbledhjen e politbyrosë, megjithëse për momentin nuk dihet “saktësisht kur ajo u bë anëtare me të drejta të plota” e organit kolegjial.

    Duket se shumica e zyrtarëve të pranishëm në atë takim ishin në dijeni të lajmit. Një idicie e qartë ishte dhënë edhe nga pllaka e vendosur në tryezën e Miss Kim: “Shoqja Kim Yo Jong, anëtarë e Byrosë Politike të Komitetit Qendror” të partisë.

    Një risi e rëndësishme

    Sipas zërave të fundit, Miss Kim u bë anëtare e politbyrosë pak më pak se tre muaj pas një takimi të mbajtur në 11 Prill. Nëse konfirmohet lajmi i raportuar nga Daily NK, Kim Yo Jong do të ishte gruaja e dytë në Korenë e Veriut që mbulon një pozicion të tillë. Para saj, vetëm Kim Kyung Hee, motra e Kim Jong Il dhe tezja e presidentit aktual të Koresë së Veriut, ia kishte arritur.

    Sigurisht Miss Kim ka hyrë në politbyro falë qëndrimit të ashpër të treguar kundër “armiqve”, si Koresë së Jugut, ashtu edhe Amerikës, por edhe falë deklaratave të ashpra të bëra kundër rivalëve politikë. sidoqoftë, thjesht sa për të kuptuar strukturën e re politike të Koresë së Veriut, kreu i Organization and Guidance Department, Jo Yong Won, ishte ulur në të djathtë të Kim Yo Jong, ndërsa kreu i Ministrisë së Sigurimit të Shtetit, Jong Kyong Thaek, ishte në të majtë të saj.

    Të bëhesh leader

    Hyrja e Kim Yo Jong në politbyro sugjeron se ajo efektivisht thuajse ka arritur në majën e zinxhirit të pushtetit. Për Jiro Ishimaru, kryeredaktor i AsiaPress, Miss Kim do të kishte një shans të mirë për të zëvendësuar Kim, nëse presidenti papritmas nuk do të ishte më.

    “Si fillim, nëse Kim Jong Un do të vdiste ose do të bëhej në një farë mënyre i paaftë për të shërbyer si udhëheqës, zyrtarët e lartë të partisë dhe forcat e armatosura ndërhyjnë për të marrë përkohësisht detyrat e tij”, ka shkruar Ishimaru. “Por në fund, vetëm Kim Yo Jong mund të jetë ai që do të trashëgojë pushtetin e tij suprem”, nënvozon Ishimaru, siç përcillet nga Asia Times.

    Qëndrimet e fundit të Kim Kim, me refuzimin e një samiti të ri me Shtetet e Bashkuara, me ndërprerjen e komunikimeve me Korenë e Jugut dhe me shkatërrimin e zyrës ndërlidhëse ndër-Koreane në Kaesong, sugjerojnë që motra e Kim është gati të bëhet një udhëheqëse në plot kuptimin e fjalës. Do të shohim më pas se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt.

    E sigurtë është se përfaqësimi i Kim Yo Jong para publikut kombëtar dhe ndërkombëtar shkon në një drejtim shumë specifik. Ajo përshkruhet në të gjitha aspektet si pjesë përbërëse e dinastisë së malit Paektu, linja e gjakut që karakterizon familjen Kim. Kjo, sipas disa analistëve – dhe përkundër pranisë së një etike të caktuar konfuciane brenda vendit – do të bënte që Miss Kim të ishte me të vërtetë kandidati numër një për të marrë frenat e pushtetit të Koresë së Veriut.

  • Mercedes nuk do të prodhojë më berlina në SHBA

    Mercedes nuk do të prodhojë më berlina në SHBA

    Në orët e kaluara, grupi Daimler ka marrë një vendim që disa e kanë quajtur “historik”. Kështu, për të përballuar krizën dhe nga rënia e shitjeve për shkak të efekteve të krizës shëndetësore që lidhen me pandeminë e Koronavirusit, grupi nga Shtutgarti ka njoftuar se nuk do të prodhojë më berlina Mercedes në fabrikat e tij në Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë. Sidoqoftë, nuk dihet nëse bëhet fjalë për një lamtumirë përfundimtare apo një ndërprerje të përkohshme.

    Kjo do të thotë se shtëpia automobilistike gjermane do të ndalojë prodhimin e berlinës Mercedes Class-C në fabrikën e Tuscaloosa në Alabama, duke e lënë fabrikën aktive vetëm për prodhimin e SUV-eve. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Meksikë, ku në fabrikën e tij të Aguascalientes, Daimler do të ndalojë prodhimin e Mercedes Class A dhe do ta përqendrojë prodhimin tek SUV Mercedes GLB.

    Njoftimi u bë para disa orësh kur Daimler tha se ka pësuar një humbje operative prej 1.68 miliardë eurosh në tremujorin e dytë. Më parë kompania kishte treguar qëllimin për të shitur fabrikën e saj në Hambach, Francë. Numri një i Daimler, administratori i deleguar Ola Kallenius ka thënë gjithashtu tha se për të arritur në një situatë barazimi, kompania e tij do të duhet të marrë vendime të tjera të dhimbshme.

    Në veçanti, përmendet largimi i mbi 15 mijë punonjësve. Por këtë gjë e kundërshtojnë sindikatat në Gjermani, të cilat kanë kërkuar një zvogëlim të orarit të punës për të siguruar që askush të mos pushohet nga puna. Për momentin nuk dihet nëse dhe kur Mercedes do të rifillojë prodhimin e berlinave në SHBA dhe Meksikë.

  • Zija ÇELA – Blu dhe mavi mbretërore

    1

    Frenk Uiliamsi qëndroi një javë në atë kryeqytet përtej oqeanit dhe, kur u kthye në Nju Jork, shkroi një reportazh të gjatë që u botua me vijime. Të gjitha ngjarjet e mëposhtme vijnë nga raporti i tij.

    Pasi ishte marrë vesh paraprakisht me burimet zyrtare, një shoqërues vendas i dha mirëseardhjen në aeroport. Nga aeroporti në një takim me funksionarin e lartë të qeverisë. Natyrisht, Frenk Uiliamsi nuk mund t’i shpëtonte kësaj kortezie. Ai ishte bërë i famshëm sidomos si kandidat i Çmimit Pulitzer për “Shenja e 13-të e Zodiakut”, një pamflet fshikullues me shënime udhëtimi. Duke qenë më e përhapura, sipas autorit, e trembëdhjeta ishte shenja që bashkonte njerëzit e varfër të botës. Ai prandaj po i vazhdonte udhëtimet. Por tashmë i përqendruar në dallimet ekonomike mes shtresave shoqërore dhe në nivelin e minimumit jetik. Frenku kishte premtuar se do të bënte sa më pak ndërhyrje në narracionin e tij, për t’ua lënë fjalën dëshmitarëve. Por, përveç faktimeve statistikore, dëshmitë e vërteta mund të siguroheshin vetëm në një mënyrë, duke depërtuar drejt e në familjet vendase.

    Ministri e siguroi se të gjitha institucionet shtetërore do të tregoheshin të hapura për informacion. Pastaj e përshëndeti edhe në emrin e Shefit të Qeverisë, duke shtuar se zoti Kryeministër uronte që, për ta njohur realisht diversitetin social, vizitat në familje të ishin sa më të padekonspiruara dhe kampionet e zgjedhur sa më domethënës.

    2

    Gjithsej u realizuan pesë vizita, të cilat i gjeta të shpërndara në shkrimin e Frenkut, por unë po i jap të përmbledhura. Të gjitha u kryen thuajse pa paralajmërim, pasi shoqëruesi vendas telefononte vetëm në çastet, kur do të trokisnin në atë derë.

    Siç mund të merret me mend, vizita e parë u bë në shtëpinë e shoqëruesit. Në darkë e sipër, Dëshmitari 1 i bëri mysafirit një panoramë të vendit të tij gjatë shek. XIX dhe dekadave që pasuan. Frenku shënon se shoqëruesi i dhuroi 19 libra të vjetër (në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht), shkruar e botuar aso kohe nga udhëtarë apo konsuj të huaj. Duke parë zgavrën e madhe që mbeti në raftin e bibliotekës, mysafiri shfaqi keqardhje. Por tjetri ia hoqi merakun. “Ata libra nuk më hyjnë më në punë”, tha, “tashmë kanë nisur të përkthehen në gjuhën tonë dhe këtu ose na i falin, ose i blejmë badihava.”

    Vizita e dytë u bë në një familje që, për shkak të papunësisë së përkohëshme të zonjës së shtëpisë, Frenkut iu tha se trajtohej me ndihmë sociale. Dëshmitarja 2 banonte në një nga kullat jug-lindore. Në darkë e sipër, meqë ishte etnografe, u fol disa herë për veshjet e hershme kombëtare, të cilat ajo i cilësonte si pasuri e mahnitshme kulturore. Kur do të ngriheshin, zonja i dhuroi një kostum burrash me gjithë kompletin e aksesorëve. Frenk Uliamsi mbeti i habitur, por dëshmitarja e qetësoi duke i thënë: “Asgjë, ju lutem, asgjë! Unë gëzohem që Amerikës do t’i shtohet ky thesar!”

    Për familjen e Dëshmitarit 3 gazetarit të huaj iu tha se i përkiste shtresës së mesme. Sipas përshkrimit që bënte autori i shkrimit, shtëpia dykatëshe ndodhej në tortën urbane të kryeqytetit. Ajo banesë kishte vetëm një të metë, oborri me kangjella nuk ishte shumë i bollshëm. Në darkë e sipër, sesi ra fjala për zonat e nxehta të planetit, ku ende zhvilloheshin luftime. Doli se i zoti i shtëpisë ishte njohës i mirë i armëve, madje tregtia e armëve ishte zanati i tij. Teksa po pinin uiskin e pasbukës, Dëshmitari 3 bëri dhe një gjest bujarie. Ai i dhuroi mysafirit të shquar një pistoletë, një pushkë karabinë, një kallash dhe një bazuka antitank. Zoti Uiliams ngriti supet i pataksur nga habia, por tjetri s’i la kohë për sikletosje. “Asnjë merak të mos keni për letrat”, tha, “formalitetet, shpenzimet e doganës dhe të transportit i kam unë.”

    Vizita e katërt u konceptua si relaks. Mirëpo, në vend ta çonin në teatrin e komedisë, mysafirin e çuan në shtëpinë e një aktori komik. Sidoqoftë, shoqëruesi u tregua i sinqertë. Ai i tha se si shtresë shoqërore aktori klasifikohej në kategorinë “Të paqëndrueshmit ekonomikisht”. Siç u fol, ashtu doli, një darkë shplodhëse. I zoti i shtëpisë e priti me përshëndetje në anglisht: “Hello, Frenk! Si të shkojnë punët, miku im?” Por ishte njëlloj si t’i kishte folur nga Hollivudi vetë Brad Pitt-i, kaq ngjashëm e imitoi zërin e tij. Në darkë e sipër do ta shfaqte këtë aftësi, duke imituar edhe Robert De Niro-n e Tom Cruise-in. Natyrisht, me të njëjtën formulë të fiksuar: “Hello, Robert… Hello Tom!” Por kulmi arriti kur atij i ra zilja e telefonit dhe Dëshmitari 4 foli në gjuhën vendase, veçse kësaj here duke e lënë pa mend mysafirin, sepse po imitonte zërin e tij: “Hello, miku im, jam Frenk Uiliams. Si po shkojnë punët andej? Unë…”, e të tjera, e të tjera. Nga këto të tjerat, amerikanit pakogjë do t’i hynte në vesh, si për shembull: “çaj dërrasa… tani mjaft… paguan… kush?.. ky trapi…”. Por në darkë e sipër u kuptua se Frenku nuk mund të priste dhurata aty, përkundrazi, ndoshta priteshin nga mysafiri i largët. Dhe Frenku e kishte parandierë se do të ndodhej në një situatë të tillë. Ai hoqi talismanin e tij dhe ia vari tjetrit në qafë. Ishte një prizëm kristali, i cili nga njëra faqe e reflektonte dritën në blu, nga tjetra në të ashtuquajturën mavi mbretërore, dy simbolikat e palëve politike kundërshtare.

    Ende pa e përfshirë në raport vizitën e pestë, në numrin e së premtes njujorkezi shkruante: “Këtu vendasit hanë më shëndetshëm se amerikanët dhe defekojnë (“Bëjmë kakën”, thonë ata.) dy ose tri herë në ditë. Nëse mysafiri tregohet i turpshëm, familjarët ia ngulin pirunin ndonjë llokme mishi dhe ia fusin në gojë thuajse me zor. Ndërkaq, nuk harrojnë të kujtohen për gjallesat e ujit, madje flasin shpesh për peshqit e mëdhenj, por për të hangër shumica mjaftohet me të vegjëlit. Vendasit pinë alkool të fortë edhe duke ngrënë. Nuk e di nëse prej traditës apo ndonjë efekti të viteve të fundit, ata janë shumë të dhënë pas brendisë së gotës. Domethënë si e shohin gotën, e shohin të mbushur plot apo përgjysmë. Kushedi përse, herë pas here përmendin emrin e një ambasadori të huaj, që dikur i paskësh magjepsur (Ata thonë: “Na ka lafitur!”) me filozofinë e volumit të gotës. Prandaj në tryezë, ngaqë gota e pëgjysmuar sikur ua vret sytë, pa arritur ta zbrazja asnjëherë, ma mbushnin deri në buzë. Dhe jo rrallë shtonin gjithë krenari: “Shtëpia ime është e Zotit dhe e mikut!” Që ishte e mikut, po e provoja vetë, por sa ishte e Zotit, këtë nuk e di.

    Pas këtyre radhëve, vinte përshkrimi i vizitës së pestë. Siç iu tha Frenkut, për t’i njohur në larmi shtresat shoqërore, kësaj here do të vizitonin një qytetar të kamur, por ama të pasuruar me punë të ndershme. Si dhe në rastet e mëparshme, duke dashur ta gjenin të papërgatitur, shoqëruesi i telefonoi të zotit të shtëpisë në çastet e fundit. Dëshmitari 5 jetonte në rrethinat e qytetit, në një vilë moderne jo vetëm me oborr të bollshëm, por edhe me kopshtin mbrapa. Përveç rrethojës me mure betoni, Frenk Uiliamsit nuk i shpëtuan nga syri as garazhet dhe kamerat vëzhguese. Ishin duke pirë aperitivin, kur mysafiri ndjeu në ajër erën e marijuanës. Me ta marrë vesh se njujorkezi i shquar e tymoste nganjëherë, i zoti i shtëpisë i zgjati takëmet që ta pështillte një cigare. Pastaj, me gotat plot e përplot, në darkë e sipër ngriti dolli për shëndetin e tij. Kaq madhërisht po e nderonte, sa erdhi një çast që prej bujarisë së tjetrit, Frenku u shtang. Dëshmitari 5 i dhuroi mysafirit një truall panoramik në bregdetin e jugut dhe, meqë ishte përdorues, edhe një kuintal marijuanë të cilësisë së parë. “Deri në kufirin me Meksikën ta sjellin njerëzit e mi”, i dha garanci, “por më pas nuk e marr përsipër, të paktën tani për tani.”

    3

    Në paragrafin e fundit, Frenk Uilimasi bënte një zbulim, mbështetur në burime që kishin rrjedhur nga ambasadat, si dhe në takimet kokë më kokë me eksponentë të opozitës politike, të cilët nuk dëshironin të identifikoheshin. Në tekstin e gazetës zbulimi paraqitej me këtë grafikë:

    Dëshmitari 1 – shoqëruesi vendas, publicist i lirë nga shoqëria civile, amator i peshkimit me grep, aksioner në një biznes pa nder, bashkëpunëtor i fshehtë i Shërbimit Inteligjent.

    Dëshmitarja 2 – familje që formalisht trajtohet me ndihmë sociale, zyrtarisht koordinatore e marrëdhënieve me UNESKO-n, motra e gruas së Ministrit të Mirëqenies, Pagave dhe Pensioneve, funksionarit që priti mysafirin në kabinetin e tij.

    Dëshmitari 3 – familje e shtresës së mesme, trafikant me licencë të skaduar, militant në kohë zgjedhjesh, i dyshuar për fshehje të pasurisë dhe mbajtjen e dy identiteteve gjatë qëndrimit në Kolumbi.

    Dëshmitari 4 – plus & minus nga xhepi, i njohur me pseudonimin Mashtruesi, dublant i zërit në dy filma për fëmijë, pedofil, i dalë nga burgu me leje të përkohshme shpërblyese për argëtimin tim. (Me gjasë, nipi i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Tokën, Ujin dhe Ajrin.)

    Dëshmitari 5 – sipërmarrës i pasuruar përmes tendrave me prokurim të drejtëpërdrejtë, pa precedent penal, besimtar në Zot, sponsorizues dhe bamirës i njohur, njëri nga kumbarët e Kryeministrit.

    Me vijimin e së premtes shkrimi i gjatë kishte përfunduar. Por në gazetën e së shtunës Frenk Uiliamsi u shfaq sërish me një shënim bombë. Dhe ishte vetëm narracion. Ai sqaronte se kurrë nuk kishte shkelur në kryeqytetin e atij vend. Gjithë teksti i tij kishte qenë një leksion provokues për studentët e gazetarisë. Por sidomos një pamflet i merituar ndaj atyre kolegëve, që as marrin mundimin të raportojnë nga terreni. Të lodhur nga dëfrimet shfrenuese të natës, ulur përpara kompjuterit të zyrës dhe bazuar vetëm në burime të njëanshme on line, ata fabrikojnë raportime të denja për togjet e plehrave. “Shpifje, shpifje të Media Kazanit!”, sikur dëgjoj ende thirrjet e dëshmitarëve.

    Pyetjes së hamendësuar se përse kishte bërë objekt pikërisht atë vend, Frenku i paradilte me një përgjigje të sinqertë. Përpara se të përgatiste leksionin për studentët, me gjithë kërkimet e tij intensive, në tërë lëmshin tokësor asgjëkundi tjetër nuk kishte mundur ta gjente termin MEDIA KAZANI. Këtë përbuzje të skajshme por puro novatore, e kishte gjetur vetëm në atë vendin e çuditshëm, ku as shtëpia nuk është e pronarit, por e Zotit dhe e të huajve. Shkurt, atje ku qytetarët ushqehen më shëndetshëm se amerikanët, madje ndonëse rrinë gjithnjë me gotën plot, e bëjnë kakën dy-tri herë në njëzet e katër orë. “E përfytyroj tani atë popull ëndërrimtar”, e mbyllte Frenku, “duke konsumuar peshq të vegjel ndërsa flet për peshqit e mëdhenj, e përfytyroj me empati nën atë qiellin e tyre aq të veçantë, ku bluja dhe mavia mbretërore konkurrojnë vazhdimisht për sundim”.

  • Beteja e re për 5G-në evropiane pas përjashtimit të Huawei

    Beteja e re për 5G-në evropiane pas përjashtimit të Huawei

    Javët e fundit kanë parë Vendet evropiane të vënë në dyshim lidhjet ekonomike dhe strategjike me kompaninë lider kineze në rrjetet 5G, Huawei, në emër të nevojave që lidhen me sigurinë kombëtare dhe presioneve amerikane në rritje.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministrit Boris Johnson iu desh të bënte një kthesë tek U-ja pas zgjedhjeve të fundit dhe, duke konfirmuar varësinë strategjike të Londrës nga Uashingtoni, së bashku me qeverinë e tij, ka pranuar vendimet antikineze të grupeve të ndryshme të Partisë Konservatore duke përjashtuar plotësisht gjigandi e Shenzen nga rrjetet nacionale 5G; në Itali, Telekom ka përjashtuar Huawei nga tenderat për ndërtimin e rrjetit të ri, ndërsa sipas Huffington Post, qeveria Conte do të ishte e gatshme për një zgjidhje të ndërmjetme. Për të qenë të saktë, përqendrimi në garancitë e ofruara nga golden power për të mbrojtur asetet kritike dhe për të hartuar kërkesa të rrepta në drejtim të sigurive cybersecurity dhe garancive operative që lidhin kompanitë e huaja.

    Kontrollimi i Huawei në skenarë të caktuar dhe hapja më e madhe e garantuar për të në raste të tjera, siç është ajo gjermane, hap një lojë komplekse që do të ketë pasoja të rëndësishme si në frontin e zhvillimit teknologjik ashtu edhe në atë të aleancave strategjike dhe industriale. Do të ketë aktorë të detyruar të ridizajnojnë zinxhirët e tyre të vlerave, prodhues evropianë të gatshëm të rrëmbejnë topin në fushë dhe konvergjenca të reja midis grupeve nga vende të ndryshme. Për shembull, British Telecom do të duhet të marrë parasysh rritjen e kostove dhe ngadalësimet për të kapërcyer fazën aktuale që karakterizohet nga marrëdhëniet me Huawei.

    Sipas asaj që theksohet në StartMag, “Nokia dhe Ericsson duhet të jenë kompanitë që do të përfitojnë më shumë nga lamtumira e kinezëve, si prodhues të të njëjtave teknologji për 5G. Sidoqoftë, të dy, prodhojnë një pjesë të përbërësve të tyre për 5G në Kinë, dhe Panda Electronics, kompani e kontrolluar nga Ericsson, administron me Huawei një impiant të prodhimit të materialeve 5G në Nanjing”. Kompania finlandeze dhe homologu suedez janë sot për sot kompanitë më strategjike që kultivojnë mundësinë e një autonomie strategjike evropiane për 5G. E nëse nga njëra anë një hapësirë e tepërt e dhënë Huawei për sa i përket depërtimit në tregun dixhital komunitar mund të krijojë tensione në frontin e marrëdhënieve transatlantike, nga ana tjetër edhe duke u mbështetur lehtësisht tek operatorët amerikanë si Verizon dhe Cisco nuk do të përfaqësonte një opsion të vlefshme në kushtet e bashkëjetesës ekonomike, garancishë prodhuese dhe perspektivash për sovranitetin teknologjik.

    Raste si ai i paditur nga Edward Snowden tregojnë se Evropa është gjithashtu një objektiv i mundshëm për inteligjencën dhe operacionet e spiunazhit nga përtej Atlantikut; rrjeti 5G gjithashtu do të revolucionarizojë komunikimet dhe flukset e të dhënave në shumë këndvështrime, duke u imponuar atyre një përshpejtim të gjerë dhe nevojën për të qeverisur në nivel sistematik proceset për ruajtjen dhe shfrytëzimin e tyre. Si rezultat, do të krijohet një treg i madh i induksionuar dhe shumë filtra prodhues që do të garantojnë punësim dhe vlerë të shtuar për ekonomitë kombëtare në të gjithë Evropën, të cilat do të ftohen për të qenë pjesë e zinxhirit të vlerës në një mënyrë strategjike. Kompani si Ericsonn dhe Nokia mund të jenë polet tërheqëse kryesore, duke pasur parasysh aleancat e tyre të strukturuara (Nokia bashkëpunon me Deutsche Telekom dhe ka një shumicë të aksioneve në frëncezen Alcatel Lucent, Ericson furnizon me pjesë gjigandët amerikanë me të cilët punon në pozita të barabartë), por mundësitë mund të zgjerohen në nivel kontinental.

    Në Itali, Telekom ka aftësitë dhe kompetencat e nevojshme, falë një historie që daton që nga epoka e artë e Stet, ndërtuese infrastrukturore kabllore rrjetesh dhe kabllosh në shkallë globale, për një kulturë menaxheriale të revolucionit dixhital shprehëse e së cilës është departamenti i avancuar i kërkimeve mbi inteligjencën artificiale të drejtuar nga Marina Geymonat dhe planifikimi afatgjatë, e garantuar nga aleanca e fundit me Vodafone për ndërtimin e kullave 5G. Evropa është në mes të një loje epokale dhe Vendet e saj mund ta luajnë atë me forcën dhe njohuritë e disponueshme, pa ndonjë nënshtrim politik apo material. Ridimensionimi i peshës së Huawei pra shfaq si rreziqet (rritje të kostove, çekuilibër të tepruar të qendrës gravitacionale atlantikase, humbje të kontratave në favor të kompanive amerikane) ashtu dhe mundësitë (perspektiva industriale, zhvillimi i zinxhirëve furnizues evropianë, pavarësia strategjike në fushën teknologjike). Vendet kanë për detyrë të menaxhojnë në mënyrën më të mirë, duke shmangur tundimin për të hequr dorë sërish nga lojërat e rëndësishme mbi ekuilibrin global.