Blog

  • Kina na e ka fshehur Koronavirusin

    Kina na e ka fshehur Koronavirusin

    Associated Press nxjerr letrat top secret të OBSH-së në të cilat demonstrohet sesi Kina fshehu të dhënat e epidemisë – Zyrtarisht Organizata Botërore e Shëndetit vazhdon të lavdërojë “bashkëpunimin” e kinezëve, por në prapaskenë zyrtarët shfaqin frustracionin e tyre për vonesat dhe ngurrimin e autoriteteve, në lidhje me alarmin që vazhdoi të rritej në komunitetin mjekësor dhe shkencor …

    Dardan MITROVICA – Një muaj, tridhjetë ditë të gjata kaluan që kur një laborator privat kinez izoloi sekuencën e një koronavirusi të ri përgjegjës për pneumoni të rëndë në Wuhan, më 27 dhjetor, kur OBSH deklaroi se ekzistonte një urgjencë globale. Alarmi mund të kishte shpërthyer më herët, masat mbrojtëse do të ishin rritur me kohë dhe shumë viktima ndoshta mund të ishin shmangur nëse autoritetet shëndetësore kineze do të kishin bashkëpunuar në mënyrë më transparente me drejtuesit e Organizatës Botërore të Shëndetit.

    Kjo është ajo që del nga një seri dokumentesh të shkruara dhe audio që agjensia Associated Press ka siguruar dhe ka raportuar gjatë në faqen e saj. Zyrtarisht, gjatë atij muaji të gjatë të janarit, OBSH vazhdoi të lëvdojë “bashkëpunimin” e kinezëve, por pas kuintave, zyrtarët e Organizatës shfaqën zhgënjim dhe shqetësim për vonesat e autoriteteve kineze, karshi alarmit që vazhdonte të rritej në komunitetin mjekësor dhe shkencor.

    Kodi i heshtjes

    Dokumentet “sekrete” të zbuluara nga Ap nuk e justifikojnë Trump, i cili i shkurtoi fondet OBSH-së duke e akuzuar atë për “bashkëpunim” me Kinën, përkundrazi, zbulojnë pafuqinë e Organizatës shëndetësore për të thyer heshtjen e autoriteteve kineze dhe përpjekja e vazhdueshme për të mos prishur lidhjet me Pekinin, në mënyrë që të kishte mundësi për të marrë informacione dhe të mos dëmtonte mjekët që punonin në linjën e parë, që më kot jepnin alarmin.

    Nga Pekini, autoritetet gjithmonë kanë mohuar çdo shqetësim: “Që nga fillimi i epidemisë ne kemi ndarë informacione me OBSH-në dhe bashkësinë ndërkombëtare në një mënyrë të hapur, transparente dhe të përgjegjshme”, përsërit Liu Mingzhu, i Komisionit Kombëtar të Shëndetit.

    Dje Kina preferoi të njoftojë se Wuhan tani është një “qytet i pastër”. Një fushatë testuese (mbi më shumë se dhjetë milionë njerëz) zbuloi sipas autoriteteve zero të sëmurë dhe treqind raste pozitive, por asimptomatike. Sipas dhjetëra regjistrimeve, emaileve dhe dokumenteve të brendshme të marra nga sirtarët e OBSH-së prej AP, kontrolli i rreptë i ushtruar nga autoritetet shëndetësore kineze dhe gjithashtu konkurrenca e brendshme brenda laboratorëve hulumtues kanë vonuar në mënyrë të fajësuese dhënien pjesës tjetër të botës e sinjalit të alarmit për epideminë e re.

    Nëse publikisht lavdëronin Kinën për frymën e saj të bashkëpunimit, privatisht zyrtarët e OBSH që në javën e parë të janarit, denonconin mungesën e të dhënave për vlerësimin e vdekshmërisë dhe infektueshmërinë e virusit të ri. “Dimë shumë pak, nuk na mjafton për të planifikuar”, dëgjohet të thotë më 6 janar Maria Van Kerkhove, sot përgjegjëse teknike e OBSH për Covid-19. “Gjendemi në zotërim t të dhënave vetëm një çerek ore para se të pçublikohen nëpër tv-të kineze”, komenton, gjithnjë në fillim të janarit, Gauden Galea, zyrtari më i lartë i OBSH-së në Kinë.

    Rreth 10 janarit, është Michael Ryan, shefi i urgjencave shëndetësore të OBSH-së, që akuzoi Kinën se nuk bashkëpunonte siç bëjnë vendet e tjera duke specifikuar se Kongo fatmirësisht kishte bashkëpunuar shumë më tepër përballë epidemisë së Ebolas. Nga të dhënat del se Kina ka vonuar komunikimin e sekuencës së gjenomit të koronavirusit të ri, i izoluar që më 27 dhjetor nga laboratori privat Vision Medicals. Vijojnë konfirmimet nga tre laboratorë të tjerë, por më 3 janar, autoritetet i urdhërojnë të gjithë të shkatërrojnë mostrat. Zyrtarisht për “garantimin e sigurisë së laboratorëve”.

    Shkencëtarët tashmë e dinin që virusi transmetohet nga njeriu te njeriu dhe cilën proteinë përdor për t’u duplikuar, por zyrtarisht virusi është ende “misterioz”. Nëse një dokument i brendshëm i OBSH-së tregon se “duhet të jetë ngjitës përmes rrugëve të frymëmarrjes”, Organizata zyrtarisht pretendon se nuk ka prova të “transmetimit sinjifikativ ndër-njerëzor” dhe nuk rekomandon masa specifike për udhëtarët.

    Vetëm pas një artikulli të botuar në Wall Street Journal, Kina njofton zbulimin e një koronavirusi të ri, por gjenomin do ta shpërndajë vetëm në 12 janar, kur kanë filluar tashmë të numërohen vdekjet e para dhe virusi po udhëton kudo. Dhe vetëm në 20 janar pranohet zyrtarisht infeksioni nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Por, në atë moment, OBSH ende nuk ka asnjë lajm mbi “mënyrat e përhapjes” dhe vazhdon të flasë për “infektueshmëri të ulët”. Do të kalojnë edhe dhjetë ditë të tjera përpara se të shpërthejë emergjenca shëndetësore. Katër muaj më vonë, bota ka gjashtë milionë e gjysmë raste dhe 380 mijë vdekje.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Koreja e Veriut ndalon seksin mes adoleshentëve: “Është subversiv”

    Koreja e Veriut ndalon seksin mes adoleshentëve: “Është subversiv”

    Parashikohen ndëshkime për prindërit dhe mësuesit. I hapet rrugë kontrollit të smartfonëve

    Seksi mes adoleshentëve në Korenë e Veriut është “subversiv”. Për regjimin, shkruan uebfaqja e specializuar të Azianeës, është rezultat i ndikimit dekadent kapitalist. Prindërit dhe mësuesit rrezikojnë të ndëshkohen nëse nuk kontrollojnë fëmijët dhe studentët. Problemi lind nga fakti se, pa edukim seksual, të rinjtë e Koresë së Veriut e njohin seksin vetëm përmes pornografisë kontrabandë. Sidoqoftë, kjo nuk i mjafton autoriteteve të Koresë Komuniste, të cilët kanë nisur një fushatë për të parandaluar dhe ndëshkuar sjelljet flirtuese midis të rinjve në vend. Për të zbatuar këtë ndalese, që shihet si mjet për të ruajtur themelet e shoqërisë kombëtare, autoritetet kërcënojnë ndëshkime për prindërit dhe mësuesit që nuk arrijnë të kontrollojnë fëmijët e tyre dhe studentët. Si masë tjetër parandaluese, Komiteti Qendror i Partisë së Punëtorëve, që sundon vendin që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ka urdhëruar organizatën e saj rinore të inspektojë shkollat dhe të kontrollojë smartfonat e studentëve.

  • F1, skuderia Williams del në shitje

    F1, skuderia Williams del në shitje

    Williams është në shitje. Largimi i sponsorit të fundit, Rokit, detyroi një nga skuadrat më të suksesshme në historinë e Formula 1 të dilte në treg. “Kemi filluar një proces formal shitjeje”, thuhet në njoftimin për shtyp pa specifikuar nëse do të jetë një shitje e pjesshme apo e plotë.

    Williams ka fituar 9 Kampionate Botërore për konstruktorë dhe 7 për pilotë, por titulli i fundit daton në vitin 1997 me Jacques Villeneuve dhe fitorja e fundit në një Grand Prix në 2012, kur në Spanjë, Pastor Maldonado i befasoi të gjithë, edhe vetveten. Që atëherë ai ka koleksionuar vetëm paraqitje të dobëta duke u bërë deri edhe skuadra më e keqe e kampionatit, me vetëm 8 pikë në dy sezonet e fundit.

    Rënia e ekonomisë për shkak të pandemisë, harxhet prej 14.5 milion eurosh në buxhetin e vitit 2019 po e detyrojnë Frank dhe vajzën e tij Claire, e cila sot menaxhon team-in në pistë, të tërhiqen, pikërisht kur F1 po përgatitet të hyjë në epokën budget cap, që Claire do ta kishte dashur prej vitesh.

    Williams që tërhiqet nuk është një lajm i mirë, sepse skuadra e Grove ka qenë gjithmonë një shembull, e ndërtuar nën imazhin dhe ngjashmërinë e themeluesit të saj, Sir Frank i cili, tetraplegjik që nga viti 1986, pasi mbeti për gjashtë javë midis jetës dhe vdekjes, nuk hoqi dorë kurrë. Nëse Alex Zanardi është një hero modern, Sir Frank Williams nuk është shumë larg edhe sepse ai, që ishte gjithashtu një vrapues maratonë, kurrë nuk ka pasur mundësinë të lëvizë as edhe një dorë.

    Një torturë e vërtetë për një njeri që ishte çmendurisht i dashuruar me shpejtësinë. “E kam dashur dhe nëse kam përfunduar në një karrocë me rrota kjo është për shkak të shpejtësisë”, pranon ai. Ishte në makinë kur i ndodhi aksidenti, duke shkuar në aeroportin e Marsejës nga Le Castellet, ku kishte marrë pjesë në testet e team. U rrotullua, siç i ka ndodhur dhjetëra herë. Ishte mjaft i aftë në pistë, ashtu si në biznes. Thuhet se kur shiste makina tek italianët shpesh kërkonte t’i kthehej makina e vjetër, punonte tek ajo për muaj të tërë, ndryshonte numrat identifikues të shasive dhe ia shiste të njëjtën makinë të njejtit pronar.

    Kur u bë mjaftueshmërisht i fortë dhe i pasur për të zgjidhur të gjitha llogaritë, u gjend midis llogarive të tjera për të paguar, përveç asaj fizike. Vdekjen e Piers Courage në vitet Shtatëdhjetë dhe të Ayrton Senna në 1984. Ai që personalisht i pari i ofroi Ayrton mundësinë për të garuar në një Formula 1, e kishte parë të vdiste me makinën e tij, prej një problemi teknik. U përpoq të mbante gjithçka brenda tij edhe kësaj rradhe. “Në shtëpinë tonë, Ayrton është konsideruar një Zot për një kohë të gjatë”, tregon Claire në një dokumentar të bukur të BBC.

    “Babi ishte dashuruar me të. E kishte në zemër, në kokë dhe dëshironte absolutisht ta sillte në skuadër. Në fund ëndrra e tij u realizua, por ajo përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme”. Sir Frank nuk i ka mbushur ende 80 vjeç (ai lindi në 16 prill 1942), por ai nuk ka më forcë të luftojë si dikur. U përpoq t’ia linte gjithçka vajzës që vuri shpirtin, por nuk ka gjetur rrugëdalje përveç kërkimit të një blerësi. Dhe do të jetë sikur t’i themi lamtumirë Formula 1 të një herë e një kohe. Më romantike, por mbase edhe më e bukura.

  • Lewis Hamilton: “F1 dominohet nga të bardhët, e shoh se kush hesht përballë padrejtësisë”

    Lewis Hamilton: “F1 dominohet nga të bardhët, e shoh se kush hesht përballë padrejtësisë”

    Hamilton dënon heshtjen e kolegëve të tij pilotë për vrasjen Floyd: “Unë jam akoma i vetmi njeri i zi këtu. Mendoja se do të thonin diçka, por…” – Cirkusi F1 në krizë: Williams është në shitje. Largimi i sponsorit të fundit detyroi një nga team më të suksesshëm të dalë në shitje

    “E di kush jeni dhe ju shoh”. Është i ashpër në akuza Lewis Hamilton ndaj kolegëve e tij të Formula 1 dhe gjithë industrisë së makinave që heshtin karshi vdekjes së George Floyd, afroamerikanit të paarmatosur të vrarë nga një polic në Minneapolis.

    Gjashtë herë Kampioni i Botës i Mercedesit kishte marrë qëndrim kundër racizmit që nga debutimi i tij në botën e motorëve, “një sport i mbizotëruar nga të bardhët”, por kësaj here toni i protestës së tij shtrihet tek ata që garojnë në pistë me të përreth botës, me lejen e virusit.

    “Unë shoh ata prej jush që heshtin, yjet më të mëdhenj që heshtin përballë padrejtësive – shkruan Hamilton në Instagram -. Asnjë një shenjë nga askush në industrinë time, e cila padyshim është e dominuar nga të bardhët. Unë jam akoma i vetmi i zi këtu. Mendova se do të kuptonit pse ndodh kjo dhe do të kishit diçka për të thënë, por ju nuk mund të qëndroni në anën tonë. Vetëm mos harroni: Unë e di kush jeni dhe ju shoh…”.

    Floyd, afroamerikani 46 vjeçar, vdiq në Minneapolis në 25 maj pasi oficeri i policisë Derek Chauvin qëndroi i gjunjëzuar në qafën e tij për tetë minuta dhe 46 sekonda. Episodi i vuri zjarr Amerikës dhe ka bërë që yjet më të mëdhenj të sportit, nga Serena Williams te Michael Jordan, të denoncojnë racizmin dhe dhunën.

    Hamilton preçizon se mbështetja e tij shkon vetëm për protestë paqësore. Por shton: “Nuk mund të ketë paqe derisa të ashtuquajturit liderët tanë të bëjnë një ndryshim. Nuk është vetëm Amerika, kjo është Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Italia dhe gjithë të tjerët. Mënyra e trajtimit të minoriteteve duhet të ndryshojë. Racizmi dhe urrejtja nuk lindin në zemrat tona, por mësohen”.

    Përveç Hamiltonit, në rrjetet sociale ka mbërritur edje pozicioni i marrë kundër racizmit nga Daniel Ricciardo, pilot i Renault, i ndjekur nga mesazhet e Charles Leclerc të Ferrari (“është përgjegjësia jonë të denoncojmë racizmin, nuk duhet të heshtim”) dhe Lando Norris (McLaren).

  • Avdullah Hoti kryeministri i ri i Kosovës me 61 vota

    Avdullah Hoti kryeministri i ri i Kosovës me 61 vota

    Me 61 vota pro, 24 vota kundër dhe 1 abstenim, në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma-minoritetet, me kryeministër Avdullah Hotin.

    Hoti e ka prezantuar kabinetin e tij qeveritar, me gjithsej katër zëvendëskryeministra dhe 18 ministra.

    Hotit iu hap rruga për formimin e Qeverisë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaci për mandatarin e formimit të Qeverisë.

    Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019’ës, nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

    Qeveria e re e Kosovës, emrat e katër zv/kryeministrave dhe 18 ministrave

    Avdullah Hoti – Kryeministër

    Besnik Tahiri – Zëvendëskryeministër i parë

    Driton Selmanaj – Zëvendëskryeministër

    Albulena Balaj – Zëvendëskryeministre

    Goran Rakiq – Zëvendëskryeministër dhe Ministër i pushtetit Lokal

    Hykmete Bajrami – Minsitre e Financave

    Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë

    Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës

    Agim Veliu – Ministër i Brendshëm

    Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes

    Arban Abrashi – Ministër i Infrastrukturës.

    Armend Zemaj – Ministër i Shëndetësisë

    Blerim Kuqi- Ministër i Ekonomisë

    Meliza Haradinaj – Ministre e Politikës së Jashtme

    Selim Selimi – Ministër i Drejtësisë

    Ramë Lika – Ministër i Arsimit

    Skënder Reçica- Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale

    Vesel Krasniqi – Ministër i Tregitsë dhe Industrisë

    Enis Kercan – Minisër i Zhvillimit Rural

    Dalibor Jevtiq – Ministër për Kthim dhe Komunitete.

  • Charlene e Monakos rrezatuese: kthimi në publik në krah të Albertit

    Charlene e Monakos rrezatuese: kthimi në publik në krah të Albertit

    Foto e re nga Charlene e Monakos: Princesha pozon me burrin e saj Albert, dhe kohërat kur nuk buzëqeshte duken të largëta

    Rikthehet dhe shkëlqen Charlene e bukur e Monakos: për Princeshën gjithmonë të trishtuar, duket se ka filluar një periudhë e re plot angazhime dhe dritë. Biondja sh-notare, që muajt e fundit u kishte dhuruar ndjekësve të saj disa foto sugjestionuese të fëmijëve të saj, është rikthyer të pozojë me burrin e saj, Albertin e Monakos.

    Një foto që duket se konfirmon zërat se të dy janë më pranë se kurrë. Sipas kronikës rozë monegaske, periudha që Alberti i Monakos iu desh të kalonte larg Charlene dhe fëmijëve të tij, i mbyllur për një muaj në Roc Angel, ka shërbyer për ta t’i rizbuluar atij dashurinë e vjetër që i bashkonte.

    Kjo dashuri e rizbuluar nënvizohet edhe nga fakti se sapo u shërua, Princi Albert vrapoi për në Roc Angel, për t’u bashkuar me familjen e tij. Që atëherë, sovrani është larguar prej Charlene vetëm në raste të domosdoshmërisë absolute madje ka rizbuluar edhe kënaqësinë e lojës me binjakët Jacques e Gabriella.

    Alberto menaxhont krah për krah me të shoqen disa çështje të rëndësishme, përfshirë shpërndarjen e testeve në Monako për të parandaluar rikthimin e emergjencës shëndetësore. Dhe është duke mbështur edhe fondacionin bamirës të Charlene, i cili po punon për të prodhuar dhe shpërndarë maska për të gjithë monegaskët.

    Dëshmi e këtij bashkëpunimi midis bashkëshortëve është edhe fotografia e publikuar nga Charlene: të dy shfaqen së bashku për lançimin e një fushate të re të Princess Charlene Foundation në Afrikën e Jugut. Kjo iniciativë ka lindur pikërisht nga një bashkim i ideve të Albertit dhe Charlene: të mobilizohemi për Afrikën e Jugut, vendin e origjinës së Charlene dhe t’i dhurohet një vend për në Grand Prix të Monaco 2021, një pasion i madh për Alberto.

    Pavarësisht pranisë së maskave, Alberti dhe Charlene shfaqen të buzëqeshur dhe të qetë, përveçse më të afërt se kurrë. Pothuajse duket sikur shihet gjithë ajo ëmbëlsi që kishte munguar deri më tani dhe që kishin shkaktuar një trishtim të thellë tek Charlene. Madje edhe slogani i krijuar për fushatën duket romantik:

    We are strong together!

    Ne jemi më të fortë së bashku!, thotë Charlene. A mund të jetë një referencë edhe për marrëdhëniet e rigjetura me burrin e saj? Padyshim që fansat e saj mezi presin të shohin buzëqeshjen e saj të mrekullueshme, tani për tani të fshehur nën maskë.

  • Koncertet unplugged më të bukur të viteve ’90 (Pjesa I)

    Koncertet unplugged më të bukur të viteve ’90 (Pjesa I)

    Të luash unplugged do të thotë të luash në mënyrë akustike. Që do të thotë, pa amplifikatorë, pa instrumente elektronike. Vetëm me instrumente nudo, të papërpunuara.

    Gjenerata X e rritur në shoqërinë e TV muzikore, në mbrëmjet e janarit në fillim vitet nëntëdhjetë ngrohte zemrën me një program kult: MTV ‘Unplugged’. Kush ka mbetur më shumë në memorie?

    Ka një pafundësi zgjedhjesh, ka një arkiv memoriesh muzikore të pafund të zhdukur dhe dimensioni intim që krijohej me artistët nëpër performancat e tyre akustike ishte magjik e i papërsëritshëm. Një nga më ikoniket mbetet pa dyshim performanca e Slowhand – Eric Clapton, mbase për atë ndjenjën “tête à tête”, si në një klub të modës së vjetër blues, aq i këndshëm.

    Nirvana – 18 nëntor 1993

    Kjo live mbahet mend si e zymtë me qëllim, sepse Kurt Cobain imponoi një dizajn të vendosur dobët dhe dramatik dhe një skaletë të përbërë nga “B-Side” e coverit (si ‘The man who sold the world’ e David Bowie). E shoqëronin kitaristi Pat Smear dhe violinçelistja Lori Goldston.

    George Michael – 11 Tetor 1996

    Këtu këngëtari përjetonte momentin e afirmimit të tij më të pjekur dhe të vërtetë si solist, pas vitesh betejash ligjore dhe momentesh të vështira personale. Pikërisht atë vit ai fitonte edhe MTV Europe Music Awards si interpretuesi më i mirë mashkull dhe është mirë të theksohet, në performancën e tij, buza me emërimin e tekstit ‘Freedom! 90’, bëhet fjalë për stacionin kult për të rinjtë e kohës (e përmendur vite më parë në ‘Money for Nothing’ nga Dire Straits)

    Pearl Jam – 16 Mars 1992

    Grupi amerikan që sapo kishte filluar të shijonte suksesin ndërkombëtar po kthehej pikërisht ato ditë nga turneu evropian dhe as nuk pati as kohë për t’u përgatitur. Basisti Ament ka thënë më vonë: “Zbritëm nga avioni dhe pas një dite provash dhamë shfaqjen, duhet të them që shkoi mirë, Eddie këndoi shkëlqyeshëm! Ishte një shfaqje disi naive… Por mbase është kjo ajo që e bën atë të veçantë”.

  • Aurel PLASARI – “Le Monde” një mijë e njëqind

    Aurel PLASARI – “Le Monde” një mijë e njëqind

    Uromëni. Sepse sot kam fituar një bast me katër miq. Fluturonin nga gëzimi kur e përditshmja pariziane “Le Monde”, e paraqitur për lexuesit shqiptarë si “prestigjiozja”, kishte botuar një artikull në të cilin e quante prishjen e Teatrit Kombëtar nga qeveria një akt barbar: “En Albanie, le Théâtre national détruit par le gouvernement, un acte barbare”.

    Isha jo vetëm pa pikë dalldie, por krejt shpërfillës. Më detyruan t’ua shpjegoja miqve atë shpërfillje duke i sqaruar që mund të ishte fjala për një rrëshqitje momenti të “prestigjiozes”, artikull pa kurrfarë pagese, me sa dukej. Ndërsa afërsisht mbas një jave, u premtova, do të lexonin po në atë “prestigjioze” një artikull të prishësit të ndërtesës kulturore me vlera disafish historike. Aty do t’u tregohej francezëve historia me-kokë-poshtë, duke argumentuar vërtetësinë e gënjeshtrave.

    Çudi e madhe! Si ka mundësi që u desh përpikmërisht një javë sa artikulli me-kokë-poshtë të shfaqej te “prestigjiozja”?

    Qysh kur kam pasur rast të bëj të njohur me të përditshmen franceze “Le Monde” e pata mësuar që ajo funksiononte si njëfarë pike referimi e së majtës pariziane, madje më sak e inteligjencies franceze “të haviarit”, siç quhet ajo inteligjencie që, nga njëra anë, qan hallet dhe zavallet e klasës punëtore, ndërsa nga tjetra jeton për vete në luks e në zdërhallë. Hipokrizi e gjallë. E beson kush që nuk u paguaka për shërbime të vyera një e përditshme e tillë?

    Pyetjes që bëra nuk ka nevojë t’i përgjigjem unë, sepse në Francë ia kanë dhënë një përgjigje dy autorë, gazetarët Pierre Péan dhe Philippe Cohen, me një libër që tronditi opinionin publik i cili, jo rrallë, edhe i zinte besë me tërë mend “objektivitetit” të së përditshmes pariziane me “prestigjin” e madh. Libri titullohet “La face cachée du Monde” (Fytyra e fshehur e “Le Monde”-it), i botuar më 2003 me një sukses të jashtëzakonshëm: vetëm ditën e parë të daljes 60 000 kopje të shitura, ndërsa më shumë se 200 000 në tërësi.

    Libri ishte rezultat i investigimit të dy gazetarëve, të cilët ia nxirrnin në publik të lintat e palara “pretigjiozes”: duke filluar nga lidhjet financiare që ia tjetërsonin gazetës “asnjanësinë” aq të pretenduar, te lobingjet përkundrejt pagesave, te përdorimi i asaj që në Francë quhet “pouvoir d’intimidation” dhe me radhë. Ç’mund të them unë më shumë? Asgjë përveçse të nxis – ndonjë të interesuar – t’ia hedhë një sy këtij libri.

    Ja pra se përse e prisja kthesën e “prestigjiozes”, duke e ditur që, për ç’i takon “objektivitetit”, “asnjanësisë” e dokrra kësi lloji, ajo nuk është aspak “e virgjër”. E virgjër në atë kuptim që arvaniti i madh Marko Boçari, në Fjalorthin e tij të ndershëm për konsullin frëng Pouqueville, ia përktheu atij thjesht “e paqirë”. Nuk është e tillë “Le Monde”-i dhe prandaj mban: ku ka vatur mija, le të vejë edhe qindi.

  • Sherlock Holmes, trashëgimtarët e Arthur Conan Doyle padisin Netflix

    Sherlock Holmes, trashëgimtarët e Arthur Conan Doyle padisin Netflix

    Trashëgimtarët e Arthur Conan Doyle, shkrimtarit skocez autor i serisë së suksesshme të romaneve dhe tregimeve të lidhura me Sherlock Holmes, kanë hedhur në gjyq Netflix për mënyrën se si shfaqet investigatori i famshëm privat në filmin e ri të prodhuar nga platforma streaming “Enola Holmes”, me regji të Harry Bradbeer (regjizor edhe i Fleabag) dhe i përqëndruar tek motra e Holmes, Enola.

    Romanet origjinale të Sherlock Holmes u shkruan në fund të shekullit të 19-të dhe Doyle ka kohë që ka ndwrruar jetë, por kjo nuk do të thotë që trashëgimtarët e tij nuk mund të padisin nëse besojnë se prona e tij intelektuale nuk po përdoret si duhet dhe respektohet.

    Filmi i ri në të vërtetë është bazuar në serinë letrare, ‘The Enola Jones Mysteries’ të shkrimtares amerikane Nancy Springer. Por trashëgimtarët e Doyle theksojnë se personazhi i Holmes, i cili sidoqoftë shfaqet vazhdimisht në histori, i luajtur nga aktori britanik Henry Cavil, është shumë larg nga origjinali.

    Pjesa më e madhe e romaneve origjinale të Sherlock Holmes janë tani të lira për publikun duke pasur parasysh kohën e kaluar nga botimi i tyre, por trashëgimtarët e Doyle i referohen veprës më të fundit të Doyle, botuar në vitet 1920. Ankesa kryesore ka të bëjë me mënyrën se si Cavil ka interpretuar Holmes, i cili rikthen një detektiv që emocionohet më shumë se ai i lindur nga pena e Doyle, i famshëm për një qëndrim tipik britanik edhe për fshehjen e emocioneve të tij.

    Trashëgimtarët e Arthur Conan Doyle tashmë kanë paditur edhe përshtatje të tjera të Sherlock Holmes në të kaluarën. Në 2015 ata paditën një projekt tjetër, por lufta u zgjidh shpejt pa probleme. Do të shihet në javët në vijim nëse kjo mosmarrëveshje gjithashtu do të zgjidhet shpejt, duke marrë parasysh që filmi, i cili e sheh Millie Bobby Brown në rolin e Enola Holmes, duhet të arrijë në Netflix në shtator.

  • Ferdinand DERVISHI – DOKUMENTI I CIA/ Rrëfimi i truprojës: Ju tregoj të dashurat e Enverit

    Ferdinand DERVISHI – DOKUMENTI I CIA/ Rrëfimi i truprojës: Ju tregoj të dashurat e Enverit

    Më 2 nëntor 1962, diku në një kamp refugjatësh në Greqi, CIA, shërbimi sekret më i fuqishëm i Botës, ka kërkuar dhe administruar një informacion të gjatë dhe të pazakontë për Enver Hoxhën.

    Përballë kishte një shoqërues të diktatorit shqiptar, Aleko Bimlin (emri fshirë në dokument, por harruar në një rast të vetëm) një shqiptar nga Korça që kishte pasur fatin, për një kohë, të kishte qenë shoqërues i Enver Hoxhës.

    Aleko Bimli e kishte njohur Enver Hoxhën qyshkur ishte mësimdhënës së Liceun e Korçës.

    Më pas, në vitin 1946, i gjendur me punë në Legatën Shqiptare në Beograd, Bimli e kishte shoqëruar Enver Hoxhën për një javë të plotë gjatë gjithë vizitës së tij nëpër Jugosllavi.

    Pak kohë më pas, në rrethana që nuk dihen, Aleko është arratisur për në Greqi, ku edhe është peshkuar nga CIA.

    Informacioni i dhënë nga Bimli rrëfen se ai ka qenë një tip inteligjent. Informacionet që ai ka dhënë për Enver Hoxhën, jo vetëm janë të shkruara shkoqur, por edhe të besueshme.

    Po kështu edhe analiza logjike e fakteve duket e saktë dhe serioze.

    Informacioni vërteton interesin e CIA-s për të gjetur dhe grumbulluar të dhëna komprometuese për Enver Hoxhën, sidomos informacione për jetën seksuale, për të dashurat dhe partnerët eventualë.

    Informacioni i dhënë nga Bimli nis me të dhëna për jetën seksuale të Enver Hoxhës kur ishte profesor në Liceun e Korçës. Po kështu, në dokument shkruhet se Hoxha nuk u është ndarë fustaneve të femrave edhe gjatë Luftës.

    Në informacion ka edhe të dhëna të tjerë shumë të sakta, sidomos për pushtetin e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe të tjerëve.

    Investimet e shërbimeve sekrete për të shtënë në duar detaje për pika të dobëta të liderëve të ndryshëm, sidomos të kundërshtarëve, janë të njohura.

    Kjo sepse, publikimi i të dhënave që vërtetojnë imoralitet ekstrem apo të tjera të ngjashme, mund të ketë rezultat më të mirë se lufta me armë për të goditur një kundërshtar.

    Dokumenti përbëhet nga 10 faqe. Katër faqet e para janë në gjuhën shqipe, ndërsa pesë faqet në vazhdim përbëjnë përkthimin në gjuhën angleze.

    Faqja e fundit ka disa shënime e sugjerime të agjentit të CIA-s që ka administruar këto të dhëna.

    Dokumenti

    INFORMACION

    SEKRET

    28 dhjetor 1962

    Komenti i (…) për disa anëtarë të KQ të Partisë Shqiptare të Punëtorëve

    1-Bashkëngjitur janë komentet e (…) për disa personalitete të KQ të Partisë së Punëtorëve të Shqipërisë. Bëhet fjalë për zyrtarët: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Spiro Koleka, Hysni Kapo, Beqir Balluku dhe Gogo Nushi.

    2-(…) do të vazhdojë të përgatisë analiza të tilla dhe ato do t’i dërgohen zyrës qendrore sapo informacioni të jetë gati.

    Komiteti Qendror

    BYROJA POLITIKE ENVER HOXHA

    E kam njohur për herë të parë në Liceun Francez të Korçës. Atëherë, Sekretari i Parë i sotëm i Partisë së Punës ishte profesor i lëndës “Moral” në klasat e ulëta të Liceut.

    Unë ndodhesha nxënës në klasën e 3-të (Sixieme – gjashtë, red.) Detyrën e profesorit, Enveri e ushtroi për një vit të vetëm, mbasi u dëbua nga liceu për idetë e tij majtiste.

    Jemi ritakuar disa vjet më vonë, kur unë sapo kisha mbaruar liceun dhe, sipas urdhrit të Partisë, kisha dalë në mal. Gjatë tërë periudhës së okupacionit e të luftës jemi takuar shumë pak herë.

    Sidoqoftë, njiheshim dhe bisedonim me njëri-tjetrin si thjesht të njohur, pa ndonjë intimitet. Në fakt, sa kohë që Partia nuk kishte marrë pushtetin në dorë, udhëheqësit e saj (dhe në këtë numër edhe Hoxha) mbanin një qëndrim të thjeshtë e miqësor me anëtarët e Partisë.

    Një herë madje, së bashku me dy roje personale të tij, i kam shërbyer si udhëheqës për ta futur në qytetin e Korçës e fshehur në një bazë (shtëpi) ilegale. Herën e fundit jemi takuar në verën e 1946-s në Beograd.

    Atëherë Enver Hoxha kish ardhur si kryetar i delegacionit shqiptar që negocioi dhe nënshkroi traktatin e miqësisë të bashkëpunimit e të ndihmës reciproke midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

    Atëherë unë isha atashe i shtypit pranë Legatës Shqiptare në Beograd. Unë e shoqërova Hoxhën në një tur njëjavor në gjithë Jugosllavinë (Serbi, Bosnjë, Kroaci dhe Slloveni).

    Ishte e fundit herë që pata rastin ta shoh së afërmi e të bisedoj me të. Qysh atëherë e kam parë vetëm prej së largu. Opinionet që pasojnë mbi personin e tij, pra, janë pjesërisht personale dhe pjesërisht të deduktuara nga sa kam dëgjuar prej miqve e shokëve të dikurshëm në Shqipëri.

    Ka qëndruar kurdoherë përmbi udhëheqësit e tjerë dhe kjo, që nga themelimi i Partisë. Është i vetmi që ka mbetur nga i pari KQ (zgjedhur nga Miladin Popoviçi) që në nëntorin e 1941-shit. Qysh atëherë kish postin e parë: atë të sekretarit politik. E mbajti deri më sot duke kapërcyer të gjitha krizat.

    Vetëm për një moment, por shumë të shkurtër, iu avit Koçi i Xoxes, ish-sekretar organizativ i Partisë gjer më 1949. Zakonisht, e sidomos këtu në Greqi, mendohet se frenat e situatës në Shqipëri i ka më tepër Mehmet Shehu.

    Nuk jam i këtij mendimi. Mendoj se frenat edhe në momentet më kritike për të (1948) i ka pasur Enveri. Opinioni im është ky: Mehmeti është bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, dora e djathtë e tij. Diktatori i vërtetë ka qenë dhe mbetet Enveri. Në rast se Shehu është pesë kokë përmbi udhëheqësit e tjerë, nuk pushon, prapë se prapë, është një kokë më poshtë sesa Enveri.

    Enveri ka qëndruar kurdoherë 6 kokë përmbi të tjerët. Mehmeti, nga i barabartë midis të barabartëve (1949), bëri një karrierë vertikale dhe sot ndodhet (1962) pesë kokë më lart. Tek-tuk, në shtypin e lirë figuron gjykimi se Enveri nuk është njeri me puls, se ka një karakter më tepër të butë e që pëson ndikimin e ndonjë tjetri. Nuk pajtohem as me këtë opinion.

    Edhe puls ka, edhe karakter ka. Pa asnjë dyshim Mehmeti është më i egër; temperamenti i tij, më i spikatur. Merita të domosdoshme këto për një udhëheqës në një regjim totalitar. Mirëpo, këtu nuk duhet harruar fakti se krahas këtyre meritave, Mehmeti ka edhe të meta të mëdha; është kapriçioz, i rrëmbyer dhe ka kurdoherë nevojë për ndokënd që ta përmbajë.

    Aq më tepër sepse dëshirat e tij i merr për realitete, sepse udhëhiqet shumë nga pasionet personale, sepse rrëmbehet nga sukseset e çastit. Ndryshe nga Mehmeti, Enveri është më tepër politik, më tepër diplomat, më realist.

    E tërë jeta e tij tregon se Sekretari i Parë i sotëm i KQ është udhëhequr nga parimi “mat shtatë herë e prit një herë”. Ndryshe nga Mehmeti që është sanguin, Enveri di të shtrijë këmbët sa është krevati.

    Nuk i mungon pastaj as guximi, as pulsi. Enveri nuk ka guximin e një ushtaraku kapadai (siç është Mehmeti), por atë të një diplomati të talentuar që di të bëjë lëshime e koncesione (ndryshe nga Mehmeti që është intrazigjent ekstremist), atëherë kur këto janë të domosdoshme, të paevitueshme.

    Enver Hoxha ka sens kritik dhe buonsens. Di të demonstrojë në të njëjtën kohë që ka buonsens edhe kur është i mërzitur tej mase nga dikush.

    Nga të gjithë udhëheqësit e Partisë, Enveri gëzon simpatinë më të madhe të masës së Partisë. Në këtë, natyrisht, përveç meritave të tij relative, ka influencuar edhe i ashtuquajturi kult i personalitetit, kultivuar për vite rreth personit të tij. Pak më përpara bëra fjalë për diplomacinë e Enverit.

    Thashë se është një diplomat i talentuar që di të gjykojë drejt situatën e të përfitojë nga premisat që jep. Kjo është njëra anë e kësaj monedhe. Ana tjetër është se si diplomat i mirë, nuk avancohet kurrë shumë përpara. Kur është fjala për vendime, masa dhe orientime antipopullore të hapta, atëherë di të vihet në plan të dytë; ngarkon për shpalljen dhe zbatimin e tyre ndonjë tjetër (fjala vjen, Mehmetin).

    Kurrë, në tërë karrierën e tij, nuk mori përgjegjësi, si rregull, mbi tokë të shëndoshë. U është shmangur, me shumë mjeshtri hapave të pasigurt. Në këto raste ai kurdoherë ka ditur të vërë përpara të tjerët dhe të dalë më vonë si shpëtimtar i situatës.

    Koçi i Xoxes dhe fati i tij është shembulli më karakteristik. Të tjerë shembuj: Më 1952 KQ mori në diskutim të veçantë “problemin bujqësor”. Studimin e raportit të masave Enveri ia la Mehmetit. Rezultati: Plenumi, sipas direktivave që përmbante raporti i Mehmetit, vendosi të hedhë parullën e “kolektivizimit integral”.

    Dhjetë ditë më vonë (sigurisht sepse të tilla kishin qenë udhëzimet e Moskës) plenumi i KQ, kësaj here sipas një raporti të dytë, të mbajtur nga Hoxha, dënon parullën e kolektivizimit integral.

    Thuajse në të njëjtën periudhë Partia merr në diskutim çështjen e ashpërsimit të luftës së klasave. Të gjithë përgjegjësinë e kësaj lufte antipopullore (pushkatime pa gjyqe, arrestime masive, pushime nëpunësish “të dyshimtë” në administratë etj) Enveri ia lë përsëri Mehmetit.

    Hoxha qëndron në hije, qëllimisht… Por disa muaj më vonë, kur mbahet Kongresi i ardhshëm i Partisë dhe kur konstatohet se ashpërsimi i luftës së klasave kish shkuar shumë larg (përgjegjës Mehmet Shehu), Enveri nuk mungon të dalë përsëri si shpëtimtar i situatës.

    Kur me cilësinë e tij si udhëheqës nr. 1 propozon përbërjen e Byrosë Politike të atëhershme, Hoxha e cilëson Mehmetin një nga “udhëheqësit më të shquar të Partisë”, por… “që ka nevojë të frenohet disi sepse është shumë i rrëmbyer”.

    Kur sjell ndër mend personalitetin e profesorit të Liceut që njoha në Korçë, nuk mund të mos habitem me faktin që sot ky mësues insinjifikant (i parëndësishëm, red.) drejton fatet e Shqipërisë. Asgjë të veçantë nuk kish.

    Mirëpo, për hir të së vërtetës, duhet të pranoj se personi insinjifikant që ish profesor në 1937-38 në Korçë, m’u duk fare i ndryshëm kur u takova në mal si partizan. Ai ka personalitet. Ai e ka vendosur veten mbi masat, ai është një demagog i lindur. Ai është një orator i mirë.

    Ai e di më mirë se çdokush tjetër se si ta frymëzojë anëtarin e thjeshtë të Partisë…

    …Enveri ka bërë për shumë vite me radhë shkollën e pushtetit. Dhe e vërteta është se ka ditur të përfitojë nga eksperienca e tij, nga përgjegjësitë personale, nga ushtrimi i fuqisë që iu dha.

    Përgjegjësitë të zmadhojnë në sytë e të tjerëve (natyrisht me konditën që të dish t’i përballosh me sukses deri në njëfarë pike). Kjo ka ndodhur me Enverin. Si çdo njeri, ka të metat e tij. Natyrisht këto fshihen në Shqipëri.

    Personalisht mendoj se midis të metave të tij duhet të përmenden: a)Megalomania e tij. Kulti i personalitetit që i është bërë për vite të tëra ia ka fryrë mendtë. Enveri i 1945-s e pa dyshim edhe i sotëm nuk është Enveri i kohës së okupacionit. Atëherë në takimet me njerëzit ishte më i dashur, më njerëzor.

    Tani, kur del për fjalime, është më tepër robot sesa njeri, më tepër teatral sesa natyral. Ka vetopinionin se është i vetmi, i pa zëvendësuar. b)Këtu në Greqi kam dëgjuar së është edhe pederast. Sa kohë isha në Shqipëri, nuk më kishte zënë veshi diçka të tillë.

    Përcaktojnë madje se H. Samarxhiu, një tregtar lëkurësh i emigruar që nga 1943 në Greqi, në gjendje të mirë ekonomike tani në Selanik, – e ka pasur dylber të tij. Natyrisht, personalisht, as mund ta përgënjeshtroj, as mund ta vërtetoj këtë akuzë. c)Dobësi të theksuar ndaj grave.

    Sa kohë ishte profesor në Korçë, kish famën e një don zhuani. Në këtë e ndihmonte edhe paraqitja e tij. Bile një nga “amanetet” (të dashurat, red.) e tij – vajzë nga më të bukurat atëherë në Korçë, ndodhet tani e martuar në Selanik. Tanca Mishu (me emrin e çupërisë Tanca Manu). Si ndjekës fustanesh njihej edhe gjatë kohës së okupacionit. Që nga 1945- ta e këtej, nuk kam dëgjuar gjë mbi aventurat erotike të tij. d) Mungesën e çdo sentimenti.

    Ka djegur kurdoherë bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Jashtë karrierës, jashtë jetës politike të tij, nuk ka llogaritur gjë. As miqësitë e vjetra, as lidhjet familjare s’i ka pasur ndonjëherë parasysh (dërgoi në vdekje burrin e së motrës, Omarin, një nga krerët e Ballit Kombëtar, në shtëpinë e të cilit edhe kish qëndruar për t’u fshehur gjatë operacionit si ilegal; Koçin e Xoxes, dhe të gjithë miqtë e tij të dikurshëm.

    “Nevojat shtetërore” dhe “ambiciet personale” kanë qenë kurdoherë përmbi sentimentet. Ka treguar një egërsi, e cila në të shumtën e rasteve ish jo e domosdoshme. Ka preferuar kurdoherë zgjidhjet ekstremiste, radikale. Dhe të gjitha këto ka ditur t’i paraqitë si Pont Pilati.

    KOMENTI I PËRKTHIMIT

    Koment: Duke folur për afërsitë politike të Enver Hoxhës, Aleko doli me një konkluzion qesharak. Ai pyet veten se si ai profesori i ri tashmë drejton fatet e vendit.

    Në opinionin tim, janë dy njerëz të cilët unë i njoh personalisht, të cilët mund të na tregojnë detaje për imoralitetin dhe të tjera aspekte të jetës së Enver Hoxhës.

    Ata janë:

    Ramazan Qosja, lindur në Tiranë rreth 1920, i pamartuar, me një fëmijë, emigruar nga ky vend më 1956, që aktualisht jeton në qytetin e Nju Jorkut (unë nuk e di adresën). Ramazan Qosja ishte një kambist, dhe ai e njeh Enver Hoxhën shumë mirë.

    Loro Brahimi, afërsisht 60 vjeç. Më 1946 ose 1947 Loro Brahimi ishte një truprojë personal i Enver Hoxhës gjatë kohës kur ai vizitoi Parisin.

    Më 1948, Loro Brahimi u kthye në Shqipëri dhe më 1949 u arratis nga Shqipëria për në Jugosllavi, më tej në Itali. Loro Brahimi aktualisht jeton bashkë me familjen në Paris. Ai njeh gjithçka për Enver Hoxhën.