Blog

  • Agron TUFA – Pështymat

    Agron TUFA – Pështymat

    Sallë kinemaje. E mbushur plot. Nuk shfaqet film. Flet sekretari i Partisë. Në sfondin butaforik skuq parrulla: “T’I SHTYPIM KOKËN ARMIKUT TË KLASËS!”. Për të mos dëgjuar zërin piskatës të sekretarit, ia ngul sytë Irenës, një gjimnaziste e klasës paralele. Nuk ngopem duke e parë. Nuk di sa kohë

    më ka frymëzuar fytyra e saj për vizatime me laps, për të shkruar ndonjë varg apo thjesht, pë të ëndërruar me sy hapur. Ia kam ngulur sytë në distancë. “Armiku fshihet midis nesh”; “Hedh vezët e gjarprit”; “Do t’i diskreditojmë publikisht”… Befas dëgjoj emrin tim, por unë sytë i kam ngulë te Irena.

    – Lirim, ti, bir reaksionari! Dil këtu!

    Ndërkohë dy oficerë sigurimi më ngrenë pezull dhe e shoh veten në skenë.

    – Ky bir reaksionari i ka të arratisur dhe babain dhe gjyshin, – thotë sekretari, duke më shenjuar me gisht.

    Pastaj, me duar në bel, si ata që të bëjnë qepaze, më përvishet:

    – Fol, thuaja të vërtetën masave! I dënon ti, babanë e gjyshin tënd? I mohon?

    Nuk flas. Ai bën “Ë?” dhe me dorën si hinkë në vesh afrohet drejt meje.

    Salla ka heshtur kur unë, me sy të fiksuar pas fytyrës së Irenës, hap gojën e them:

    – Nuk jam kopil… Si t’i mohoj!?

    Në sallë pështjellohet gjithçka.

    – Dilni e pështyjeni armikun! Pështyjeni! Dëgjoni more? Ta pështyni të gjithë këtë surratqen!

    I shoh si nguten. Si ngjiten. Si më pështyjnë.

    Para meje ka qëndruar Irena. Vështrimet tona ndeshen. Nëse më flet, kjo do të jetë hera e parë… në këto rrethana… Befas ajo ngrihet në majë të gishtave,

    barazohet me nivelin e syve të mi dhe… më pështyn fort në fytyrë. Madje është e vetmja, që shoqëron pështymën e saj me një fjalë të artikuluar kumbueshëm

    në rrethin e përsosur të dhëmbëve të saj të dëbortë:

    – Re-ak-sio-nar!

    Pështymat e tjera s’më bëjnë më përshtypje.

  • Nga Kastriot DERVISHI – 1958, Sigurimi as nuk e dinte ku jetonte Martin Camaj

    Nga Kastriot DERVISHI – 1958, Sigurimi as nuk e dinte ku jetonte Martin Camaj

    Martin Camaj u arrestua më 5.5.1948. Akuzohej si bashkëpunëtor i Gjon Lulash Destanishtës. Pesë ditë më vonë, iu zhvillua një proces hetimor dhe iu kërkua të bashkëpunonte për të shtënë në dorë Gjon Destanishtën dhe nipin e tij. Në hetuesinë e zhvilluar (2 faqe e gjysmë) nuk ka asnjë informacion rëndues dhe as është përdorur ndonjë element ndaj dikujt tjetër, por janë përmendur persona që ishin ekzekutuar më 4.3.1946, si Atë Daniel Dajani, At Giovani Fausti, si dhe një emër i padëgjuar si At Roza (nuk dihet në është emër i vërtetë). Në gjuhën e shërbimeve sekrete, nuk njihen raste të raportimit apo “spiunimit” të të vdekurve.

    Me t’u liruar, Camaj njoftoi dy personat të cilët ishte ngarkuar t’i “spiunonte” dha informatat të rreme e çorientuese, u tall sa deshi dhe u arratis nga Shqipëria më 9.8.1948 bashkë dy personat që duhej të raportonte.

    Në vitet 1948-1959, Sigurimi nuk ka asnjë informacion rreth tij, madje as e dinte ku ishte. Mungesa e të dhënave, shihet edhe te raportin biografik i datës 15.11.1958, në të cilin ndër të tjerash shkruhej:

    “Për të gjithë aktivitetin armiqësor që kishte treguar i lartpërmenduri dhe lidhjet që ka pas me të arratisur, qe arrestuar nga ish seksioni i rrethit të Shkodrës, ku qe proceduar dhe pranuar për fajet që kishte bërë dhe pranoi të bashkëpunojë me organet e sigurimit për të na fut në dorë të arratisurin Gjon Destanishta dhe për këtë qe rekrutuar agjent në bazë materiali komprometues të tij. Mirëpo, pas sa kohëve, bie në lidhje me kriminelin e përmendur, por gjithmonë na jepte informata të rreme, d.m.th. na dezorientonte, të cilën gjë e vazhdon deri në tradhtinë e Titos. Me tradhtinë e Titos, Martin Kolë Cama, së bashku me Gjon Destanishtën e Lazër Palin, ilegalizohet në Jugosllavi ku edhe sot gjendet atje (në fakt ishte në Itali nga viti 1956)”. Veprimtaria e Martin Camajt në vitet 1948-1959 ishte thellësisht e panjohur. Madje Sigurimi nuk dinte as ku jetonte ai.

  • Kush punon nga shtëpia është më i lumtur: çfarë tregon studimi

    Kush punon nga shtëpia është më i lumtur: çfarë tregon studimi

    Më shumë kohë për dashuri dhe përqendrim më të madh: të punosh nga shtëpia të bën të lumtur! E thonë rezultatet e një studimi amerikan që shpjegon pse

    Kudo në botën e civilizuar është rivlerësuar gjatë lockdown-it, për shkak të pandemisë Covid-19, që smart çorking ka qenë një realitet prej kohësh. Një mënyrë inovative dhe efikase për të punuar pa dalë nga shtëpia: ajo që ju nevojitet është një kompjuter dhe një lidhje interneti. Për shumë njerëz, të mos shkuarit çdo ditë në zyrë dhe zhvillimi i aktivitetit të përditshëm brenda mureve të shtëpisë, duket se është burim mirëqenieje. Kështu, të paktën, ka zbuluar një studim amerikan për punën nga shtëpia, rezultatet e së cilit mund të inkurajojnë kompanitë dhe ente publike për të mos e braktisur punën nga distanca edhe në të ardhmen.

    Studimi u krye nga Owl Labs dhe Global Workplace Analytics të cilët kanë intervistuar 1,202 punëtorë me kohë të plotë të moshës midis 22 dhe 65 vjeçare. Nga kampioni i ekzaminuar, 62% e subjekteve, 745 persona, shpesh punonin nga distanca ndërsa 457 (38%) të tjerët shkonin rregullisht në vendet e punës.

    Nga studimi doli një rezultat që mund të konsiderohet edhe i papritshëm: puna në distancë ndikon në lumturinë e punonjësve. Në fakt, mbi 80% e subjekteve të intervistuar deklarojnë që puna nga shtëpia i bën ata më të lumtur. Jo vetëm kaq: në mesin e punonjësve në distancë, rreth 75% thonë se janë të kënaqur me aktivitetin e tyre, një përqindje që ulet në 55% tek kolegët që shkojnë çdo ditë në zyrë.

    Por, pse të punosh nga shtëpia të bën më të lumtur? Arsyet janë të ndryshme. Ndërkaq, harrohet një komponent që përgjithësisht përfaqëson një nga burimet kryesore të stresit të punëtorëve: transporti. Koha e nevojshme për të arritur në vendin e punës mund të përdoret më shumë në mënyrë të frytshme për të punuar, duke mundësuar përfundimin më të shpejtë të detyrave të caktuara.

    Për më tepër, puna në distancë ju lejon të keni një ekuilibër më të madh mes jetës profesionale dhe asaj private, që do të thotë të thotë të keni më shumë kohë për t’i kushtuar vetes dhe familjes. Dhe ky është një nga faktorët përcaktues që ka bindur 91% të punonjësve në distancë të zgjedhin këtë mënyrë pune.

    Por ka edhe më shumë: kryerja e punës nga shtëpia, pa shpërqendrimet tradicionale të zyrës, u mundëson punonjësve një përqendrim më të madh gjë që i bën ata më të efektshëm.

    Më në fund, por jo nga rëndësia, sipas studimit, njerëzit që punojnë nga shtëpia janë më besnikë ndaj kompanive të tyre sesa kolegët e tyre të punësuar në zyrë dhe kanë 13% më shumë të ngjarë të qëndrojnë në vendet e tyre të punën për pesë vitet e ardhshme.

  • Beatles në Liverpul – Një hartë për ‘pelegrinazhin’ perfekt “Fab Four”

    Beatles në Liverpul – Një hartë për ‘pelegrinazhin’ perfekt “Fab Four”

    Nëse për faj të pandemisë nuk mund të bëni një udhëtim në Liverpool, për të vizituar vendet ku katër baronët e ardhshëm kanë hedhur hapat e tyre të parë (muzikorë dhe jo vetëm), ne do të kujdesemi për këtë gjë!

    Shtëpia e fëmijërisë së Pol McCartney

    20 Forthlin Road, L18 9TN

    Këtu gjendet shtëpia ku familja e Polit u zhvendos kur ai ishte vetëm 13 vjeç, në vitin 1955. Dhe do të ishte po këtu që vitin pasardhës, duke luajtur në pianon e familjes, adoleshenti McCartney skicoi një draft të parë të ‘When I’m Sixty-Four’. Më vonë, së bashku me Xhon Lenon, shkroi dhe provoi mbi 100 këngë, duke përfshirë edhe këngën e parë të Beatles, ‘Love me Do’.

    Strawberry Field – kopshti i ish-jetimores

    16 Beaconsfield Road, L25 6EJ

    Jetimorja e Ushtrisë së Shpëtimit ndodhej afër shtëpisë së teze Nini, ku Lenon u rrit. Duket se Xhoni i vogël shpesh ngjitej mbi murin që ndante shtëpinë e tezes të tij nga kjo strukturë, i dëshiruar për të luajtur me fëmijët që ishin brenda ndërtesës.

    Shtëpia e fëmijërisë së Xhon Lenon

    Mendips, 251 Menlove Avenue, L25 75A

    Nga 5 deri në 22 vjeç, Xhon Lenon jetoi me teze Mimin dhe xhaxha George në Menlove Avenue. Pikërisht këtu ai kompozoi ‘Please Please Me’, duke e provuar dhe përsëritur bashkë me Pol në verandën e shtëpisë.

    Penny Lane L18

    Rruga periferike e Liverpool që frymëzoi këngën me të njejtin titull. Poli filloi të këndonte pikërisht në korrin e kishës së Shën Barnabas në Penny Lane dhe po këtu u ai dhe Xhoni u njohën, duke pritur për autobusin që të çon për në qendër të qytetit. Për shumë vite emri i rrugës pikturohej në mure, sepse pllakatet vidheshin vazhdimisht!

    Liverpool College of Art

    68 Hope Street, L1 7AY

    Xhoni takoi këtu gruan e tij të parë, Cynthia Powell dhe një tjetër student premtues të artit, të quajtur Stuart Sutcliffe. Ishte Xhoni që nxiti Stuartin të blejë një bas, me të ardhurat nga shitja e pikturave të tij. Sutcliffe ishte anëtari i pestë i Beatles, por vdiq në 1962 në rrethana që konsiderohen të diskutueshme ende edhe sot.

    The Cavern

    10 Mathew Street, L2 6RE

    Quarrymen (proto-Beatles) luajti në Cavern Club qysh në vitin 1957. bëhej fjalë për bodrumin e një depozite të vjetër frutash, që bëhet legjendë që kur emri është i lidhur pandashmërisht me Magnificent Four. The Beatles luajti atje 292 herë, midis 9 shkurtit 1961 (kur për t’i parë kushtonte vetëm 5 stërlina) dhe 3 gusht 1963 (kur duheshin 300 £ për biletën). Ishin duke kënduar në Cavern që Brian Epstein i pa për herë të parë: takimi magjik u zhvillua gjatë një shfaqje ditore, për të qenë të saktë në një pushim dreke në 9 nëntor 1961.

  • E vërteta e Burimit të Rinisë së Përjetshme

    E vërteta e Burimit të Rinisë së Përjetshme

    Mes mitit dhe historisë: Ekziston burimi i rinisë së përjetshme

    Na ishte njëherë, në një vend shumë të largët, një burim aq i rrallë dhe i lakmueshëm, prej së cilit rridhte ujë që kishte fuqinë për t’i bërë sërisht njerëzit të rinj. E quanin burimi i rinisë së përjetshme.

    Të gjithë kanë folur për të: në libra, letërsi antike dhe filma, burimi i rinisë së përjetshme ka frymëzuar artistë nga e gjithë bota, ashtu siç, natyrisht, nuk kanë munguar edhe eksplorues që kanë shëtitur gjërë e gjatë globin në kërkim të këtij eliksiri të jetës së përjetshme. Por a ekziston vërtet burimi mitologjik apo është vetëm legjendë?

    Në letërsinë popullore mesjetare dhe të Rilindjes një element i përsëritur fuqishëm poetik dhe sugjestiv është ai i ujit të jetës, burimi mistik i rinisë së përjetshme. Por tema është sigurisht shumë më e vjetër, që prej kohëve më të lashta në fakt uji ka qenë gjithmonë elementi kozmogonik, i cili krijon, shëron, rigjeneron dhe pastron.

    Sidoqoftë, duket se me kalimin e viteve ky vend magjik ka gjetur vendin e tij në Florida, saktësisht në St. Augustine. Me sa duket u zbulua nga eksploratori Spanjoll Ponce de Leon, tani vendi ku ekzistonte burimi është bërë Parku Arkeologjik i Burimit të Rinisë, një tërheqje e vërtetë turistike që tërheq mijëra vizitorë çdo vit.

    Nëse doni të dini se kur eksploratori spanjoll mbërriti në Florida ai konstatoi mrekullinë e ujit të burimit, përgjigjja është jo. Kjo është arsyeja pse ky version nuk i ka bindur kurrë të gjithë.

    Janë të shumtë ata që në fakt, mendojnë se burimi i vërtetë i rinisë gjendet në Etiopi dhe se origjina e tij është shumë e lashtë. Për të gjetur konfirmim, duhet të shfletojmë disa tekste të letërsisë antike Greke dhe në veçanti Herodoti. Ishte ai që shkruajti për një ujë me veti shumë të veçanta që garantonte jetëgjatësi për ata që pinin atë. Burimi ku rridhte uji magjik ishte në Etiopi.

    Edhe tregimet e Aleksandrit të Madh na tregojnë se Mbreti Maqedonas u nis në kërkim të një burimi uji në tokën e errësirës, që mund të kishte qenë pikërisht Etiopia.

    Megjithatë, Florida ka disa argumente për të mbështetur praninë e burimit legjendar në territoret e saj. Në veçanti, ekzistenca e rërës së bardhë në vend duket se ofron ide interesante. Është thënë vazhdimisht se plazhet e Floridës, veçanërisht zonat e Clearwater dhe Sarasota janë vende me një përqendrim të rëndësishëm të energjisë të aftë për të shëruar si fizikun ashtu edhe mendjen. Shumë besojnë tek efektet terapeutike të rërës së kuarcit që ka karakterizuar gjithmonë plazhin e bardhë të ishullit tropikal.

    Po sikur uji të ishte në të vërtetë thjesht një metaforë për plazhet e Floridës? Ndoshta kjo do të zgjidhte përgjithmonë misterin e burimit të rinisë.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Dyfishohet BQE

    Dyfishohet BQE

    Ka njoftuar se do tí shtojë edhe 600 miliardë euro planit të jashtëzakonshëm të blerjeve të saj anti-pandemike

    Banka Qendrore Evropiane (ECB) ka njoftuar se do të rrisë me 600 miliardë euro planin e saj të blerjeve të jashtëzakonshme kundër efekteve të pandemisë, plan i ashtuquajtur PEPP. Në përfundimin e tij, i parashikuar pas rreth një viti, PEPP-ja do të ketë pra një vlerë totale prej rreth 1.350 miliardë eurosh. Njoftimi për rritjen e burimeve të destinuara për PEPP ishte i pritshëm, megjithatë u prit shumë mirë nga vëzhguesit dhe investitorët.

    Bursat evropiane po rriten të gjitha dhe spread midis letrave me vlerë të qeverisë italiane dhe gjermane ka rënë me 15 pikë brenda disa minutave dhe tani është një distancë të vogël nga vlera që kishin para fillimit të pandemisë.

    Deri më sot, PEPP parashikonte blerje të obligacioneve evropiane, publike dhe private, për 750 miliardë euro dhe pritej të përfundonte në fund të vitit. Me njoftimin më të ri, ECB pothuajse ka dyfishuar dimensionet e e planit dhe njofton se blerjet do të vazhdojnë deri në qershor 2021, ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Përveç kësaj, të gjitha letrat me vlerë të blera që skadojnë do të rinovohen të paktën deri në fund të vitit 2022.

    Duke llogaritur edhe planin e blerjeve të mëparshme, të njoftuar nga Mario Draghi në fund të vitit 2019 dhe ende i pa mbaruar ende, totali i blerjeve të BQE-së deri në qershor të vitit të ardhshëm duhet të arrijë në rreth 1.500 miliardë euro.

    Sipas komentuesve kryesorë, më e diskutueshmja nga vendimet e shpallura më së fundi është ajo që përcakton riinvestimin e letrave me vlerë të blera të paktën deri në fund të vitit 2022. Në këtë pikë, bordi i bankës ka arritur unanimitetin, ndoshta për shkak se kjo lëvizje shkon në avantazh të vendeve me më shumë borxhe.

    Falë kësaj mase, qeveritë e vendeve më shumë borxhlie do të jenë në gjendje të mbështeten në faktin se një përqindje e konsiderueshme e borxhit të tyre publik do të mbetet e sigurt në bilancet e BQE-së për një periudhë mesatare-të gjatë. Hapi i BQE-së, me fjalë të tjera, ka siguruar më tej llogaritë publike të këtyre vendeve, përkundër faktit se këtë vit borxhi publik pritet të kalojë në ndonjë vend të BE-së edhe mbi 155 përqind të PBB-së (siç është rasti italian, niveli më i lartë i arritur ndonjëherë).

    Arsyeja kryesore që e shtyu BQE-në të zgjerojë programin e blerjeve, të ilustruar gjatë konferencës së djeshme për shtyp, është recesioni i thellë që po prek zonën e euros. Sipas vlerësimeve të bankës, PBB-ja e eurozonës do të bjerë me 8.7 përqind në vitin 2020, përpara se të rritet përsëri në 5.2 përqind në 2021. Kundër kësaj rënieje, pritjet për inflacionin (për të cilin BQE ka një mandat të mbajë afër, por nën 2 përqind) të mbeten shumë të ulëta. Disa vende evropiane ka mundësi të jenë në deflacion, ndërsa për të ardhmen parashikohet që inflacioni as nuk do t’i afrohet nivelit të synuar.

    Përballë kësaj recesioni të pashembullt dhe këtyre parashikimeve inekzistente të inflacionit, BQE ka vendosur të forcojë më tej planin e saj të blerjeve i cili do të çojë në hyrjen e qindra miliarda eurove në ekonomitë evropiane me shpresën e mbështetjes së çmimeve dhe shmangies së mëtejshme të copëzimit të zonës euro (që do të thotë: evitim i përkeqësimit të mëtejshëm të situatës në vendet më të dobëta).

  • Dizajni ekstrem i Ferrarit F42

    Dizajni ekstrem i Ferrarit F42

    Një stilist i talentuar polak ka imagjinuar një makinë ekstreme nga këndvështrimi aerodinamik, pjesërisht si homazh për F40

    Një kryevepër stili e parë edhe në detajet më të vogla, me një dizajn ekstrem. Kështu mund të përshkruhet me pak fjalë Ferrari F42, vepra e fundit e polakut Paweł Breshke Czyżewski i cili për 7 muaj ka punuar pa ndërprerje mbi një rendering që di të tërheqë menjëherë vëmendjen falë formave unike dhe ekstreme që nxjerrin në pah anën aerodinamike. Dizajneri polak, që edhe më parë kishte punuar në përpunime speciale grafike të modeleve Kokëkuqes, ka zgjedhur t’i japë jetë një modeli të ri, i frymëzuar nga heritage Ferrari por edhe modelet më të fundit, si dhe disa karakteristika të veçanta të markave të tjera të supermakinave, siç është përshembull Lamborghini. Sidoqoftë, ky Ferrari F42 nuk ka asnjë lidhje me Maranello-n, pasi është një përpunim personal dhe i pavarur.

    Burimi i parë i frymëzimit, siç konfirmohet nga vetë Pawel, ishte i lavdishmi F40, edhe pse polaku nuk ishte i kënaqur me një version të thjeshtë modern të kësaj makine të së kaluarës, duke vendosur të krijojë një render të personalizuar në detajet më të vogla: “Mendimi i parë mbi Ferrari F42 ishte të krijoja një version të ri të F40, por çdo ide që testova nuk dukej sa duhet e mirë”, ka thënë Pawel gjatë një interviste për revistën Carscoops. “Kjo është arsyeja pse ndryshova ide dhe shkova në një drejtim tjetër, atë të krijimit të një versioni timin, të frymëzuar nga gjuha stilistike e Ferrari dhe disa nga modelet të tij. Edhe pse më interesonte shumë e interesuar të fusja një spoiler të pasëm të ngjashëm me atë të F40 ”.

    Në pjesën e përparme të Ferrari F42 bie menjëherë në sy firma optike që shkon përgjatë gjithë pjesës së përparme, thuajse gjatë gjithë gjatësisë së tij, deri në shtojcën që tregon Kalin në dy këmbët e përparme, prezente edhe më poshtë midis dy presave të ajrit. Skajet anësore krijojnë shtojca aerodinamike, nëpërmjet përdorimit të fibrës së karbonit që karakterizon të gjithë makinën. Sidomos në pjesën poster, ku rigjejmë spoilerin e frymëzimit F40.

  • Revolta e gjeneralëve

    Revolta e gjeneralëve

    Ish-shefi i Pentagonit, James Mattis ‘udhëheq’ kryengritjen e gjeneralëve kundër Presidentit Donald Trump

    Për udhëheqësit ushtarakë, tradicionalisht të paanësuar dhe në thelb republikanë, tycoon ka kapërcyer vijën e kuqe duke kërcënuar të përdorë forcat e armatosura kundër protestuesve që protestojnë për vdekjen e afroamerikanit George Floyd, të vrarë nga policia në Minneapolis.

    Trump nuk u mjaftua vetëm duke bërë thirrje për Insurrection Act, një ligj i nënshkruar në 1807 nga Thomas Jefferson i cili i atribuon Presidentit të Shteteve të Bashkuara – në raste të jashtëzakonshme – fuqinë për të përdorur ushtrinë për detyra policore.

    Ndërsa kryekomandanti në Kopshtin e Trëndafilave shpallte dekretin, policia gjuante me gaz lotsjellës dhe plumba gome drejt protestuesve përpara Shtëpisë së Bardhë, për të shpërndarë turmën dhe për të lejuar presidentin të ecë në këmbë i pashqetësuar në kishën episkopale aty pranë, të St. John dhe pozojë me Biblën në dorë.

    Mallkimi i Mattis: Trump kërkon të ndajë Amerikën

    Nëse ministri amerikan i mbrojtjes Mark Esper, ish oficer i ushtrisë, u distancua menjëherë, ajo e Mattis ishte një mallkim.

    Trump “dëshiron të përçajë SHBA”, gjëmoi në një editorial në Atlantic, ” jemi dëshmitarë të pasojave të kësaj përpjekje të qëllimshme, tre vjet pa leadership të pjekur. Mund të jemi të bashkuar pa të, duke i bërë thirrje forcës së brendshme të shoqërisë sonë civile”.

    “Militarizimi i përgjigjes sonë siç e pamë në Dc – sulmoi Mattis – krijon një konflikt, një konflikt të rremë, midis forcave të armatosura dhe shoqërisë civile”.

    Kundër Trump ka dalë gjithashtu edhe ish-gjenerali John Kelly, ish-shefi i tij i kabinetit dhe ish-ministri për sigurinë kombëtare, dhe John Allen, ish komandanti i forcave amerikane në Afganistan.

    Polemika mbi Biblën

    “Nuk i mjaftoi që të privonte demonstruesit paqësorë nga të drejtat e tyre të përcaktuara në Amendamenti i Parë – vërejti Allen – me atë foto ai u përpoq të legjitimonte atë gjest me veshje fetare”. Ndër të tjerë, edhe Mike Mullen, ish-shef i shtabit të përgjithshëm të, është rreshtuar kundër Trump, duke paralajmëruar se ai minon vlerat e Amerikës.

    Mattis, Kelly dhe Gjeneral Herbert Raymond McMaster, i emëruar Këshilltar i Sigurisë Kombëtare pas dorëheqjes rrufeje të një tjetër gjenerali, Michael Flynn (i tronditur nga Rusiagate), kanë qenë konsideruar si “njerëzit e fortë” të presidentit.

    “I trajnojmë burrat tanë që të bëhen makina lufte”, deklaronte Trump përmes Twitter në tetor 2019. mund të ishte ishte ky imazh i ushtarakut version ‘Rambo’, thotë Peter Bergen në librin e tij “Trump dhe gjeneralët e tij: çmimi i kaosit”, që e shtyn shefin e Shtëpisë së Bardhë të rrethohej me gjeneralët në përurimin e tij.

    Nuk e kishte marrë parasysh rezistencën e tyre për përdorimin e lehtë të forcës (le të vetëm kundër demonstruesve) ose për tërheqjen e trupave amerikane nga zonat ende të nxehta, për të mos përmendur mbështetjen për NATO-n. Në fund të vitit 2018, McMaster, Kelly dhe Mattis ishin të gjithë në shtëpi. Ajo që shkundet tani është kolltuku i Esper.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Prapë Gjermania

    Prapë Gjermania

    Gjermania e bëri prapë! Qeveria gjermane ka njoftuar një plan të ri gjigant të ndihmës për ekonominë, i cili do të çojë shpenzimet totale në gati 1.500 miliardë euro

    Qeveria gjermane ka njoftuar një plan të ri të jashtëzakonshëm shpenzimesh për t’u përballur me krizën ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi. Plani parashikon një ulje të TVSH-së deri në dhjetor, një subvencion prej 300 euro për çdo fëmijë dhe stimuj të rinj për blerjen e autove elektrike. Plani do të ketë një vlerë totale prej 130 miliardë eurosh, të cilat do të shpenzohen midis 2020 dhe 2021.

    Me këtë paketë të re masash, qeveria gjermane po përgatitet të shpenzojë një total prej 1.300 miliardë eurosh (që përfshin edhe garancitë bankare) për të stimuluar ekonominë, një shifër e pashembullt në Evropë dhe që mund të krahasohet për nga madhësia vetëm me masat ekonomike të ndërmarra në Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë katërfishuar popullsinë.

    Ky shpenzim i ri u miratua nga Parlamenti gjerman pa vështirësi dhe do të mblidhet përmes emetimit të borxhit të ri publik. Është një ndryshim i qartë i paradigmës për vendin, pasi për vite me radhë Gjermania ka mbajtur një buxhet të ekuilibruar, pavarësisht kërkesave të shumta nga ekonomistët, organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë për të rritur shpenzimet e saj publike në mënyrë që, indirekt, të ndihmojnë ekonomitë më të dobëta të Evropës.

    Pasi u përball me krizën e mëparshme ekonomike të 2008 me një qëndrim kujdesshëm dhe konservator, qeveria gjermane me vendosmëri ka ndryshuar ritmin gjatë krizës së shkaktuar nga koronavirusi, duke shpërndarë burime të pashembullta për t’u përballur me të.

    Këtë vit deficiti gjerman – i cili sipas Kushtetutës duhet të mbetet në ekuilibër përveç rasteve të jashtëzakonshme – duhet t’i afrohet 10 përqind të PBB-së, ndërsa ekonomia po shkon drejt recesionit më të keq që nga koha e pasluftës. Ndërkohë, papunësia ka filluar të rritet, duke u rritur në 6.3 përqind në maj, nga 5.8 në prill.

    Në nivel evropian, qeveria gjermane dhe kancelarja e saj Angela Merkel kanë vendosur të përballojnë krizën duke mbështetur krijimin e një fondi të rilançimit i cili për herë të parë do të financohet me emetimin masiv të borxhit të përbashkët evropian, duke shënuar kështu një tjetër ndryshim të mundshëm historik.

    Në Gjermani, qeveria iu përgjigj krizës duke dhënë garanci për kompanitë për të marrë hua, duke zgjeruar versionin gjerman të përkrahjes sociale dhe duke siguruar transferime të drejtpërdrejta të parave për punëtorët e vetëpunësuar dhe bizneset e vogla. Dy paketat e para të ndihmës u miratuan në Mars dhe Prill.

    Ndërhyrja e re e paralajmëruar parashikon, ndër të tjera, një ulje të TVSH-së nga 19 në 16 përqind e vlefshme deri në fund të vitit 2020 (me një kosto prej rreth 20 miliardë eurosh). 25 miliardë euro të tjera do të investohen në kredi të reja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, teksa do të jenë 6 miliardë transferime shtesë për bashkitë dhe rreth 5 miliardë për bonusin 300 euro për çdo fëmijë.

    Ndërhyrjet e reja, në një total prej 130 miliardë eurosh, do të shtohen 200 miliardëve të shpërndarë tashmë nëpër shpenzime më të mëdha sociale dhe shpërblime për punëtorët e vetëpunësuar, në afro 600 miliardë kredi dhe garanci publike dhe 500 miliardë të tjera likuiditete shtesë të mobilizuar nga bankë e madhe publike KfW. Në përgjithësi, këto ndërhyrje plus plani i ri, arrijnë në gati 1.500 miliardë euro, një shifër e barabartë me 40 përqind të PBB-së së Gjermanisë. Për të bërë një krahasim, si midis fqinjësh për të thënë, vlerësimi më bujar i totalit të shpenzimeve kundër krizës së qeverisë italiane është rreth 500 miliardë euro, pak më shumë se një e treta e shpenzimeve gjermane.

    Për më tepër, pothuajse të gjitha ndihmat gjermane kanë mbërritur në destinacion në kohë relativisht të shpejta. Për shembull, ka pasur probleme në marrjen e huave dhe likuiditetit të kompanive të mëdha, por transferimet tek punëtorët, të vetëpunësuarit dhe bizneset e vogla kanë funksionuar goxha mirë pothuajse kudo (ato administrohen nga rajonet, kështu që shpejtësia e disbursimit është e ndryshueshme).

  • Derisa Koronavirusi të na ndajë

    Derisa Koronavirusi të na ndajë

    Fatalitet! Në një martesë në Jordani, ku babai i nuses ende nuk e di se është pozitiv dhe infekton 76 të ftuar dhe indirekt 9 persona të tjerë: Një grua 80-vjeçare vdes nga komplikimet, të tjerët ja hedhin me simptoma të buta – Burri ishte kthyer nga Spanja dhe dy ditë para ngjarjes pati ethe dhe kollë …

    Babai i nuses ishte pozitiv për Coronavirus, e kështu, pas ceremonisë, 76 nga 360 të ftuar u infektuan dhe një grua vdiq. Ndodhi marsin e kaluar në Jordani dhe historia është bërë një rast studimor, që do të botohet shtatorin e ardhshëm në revistën Centers for Disease Control and Prevention Usa, duke qenë se pikërisht personi, i cili mbërriti disa ditë para dasmës së të bijës nga Spanja, mund të jetë pacienti zero i vendit dhe nga i cili do të shfaqej shpërthimi i parë i epidemisë Covid-19. E gjitha filloi më 13 mars, kur u bë dasma, në të cilën morën pjesë rreth 360 persona, sipas dëshmive të të pranishmëve, por ekspertët nuk ishin në gjendje të gjurmonin numrin e saktë.

    Midis tyre, natyrisht, babai i nuses, që kishte mbërritur nga Spanja katër ditë para ceremonisë. Burri, të cilin studiuesit e konsideruan si çështja klinike fillestare në Jordani, është 58 vjeç dhe kishte shfaqur simptomat e para të infeksionit, si ethe të larta, kollë dhe rrugët e frymëmarrjes të bllokuara rreth dy ditë para dasmës, e cila u zhvillua për rreth dy orë në një lokal të brendshme të krijuar për të pritur rreth 400 të ftuar.

    Më 15 mars, pasi u paraqit në urgjencën e spitalit, ai iu nënshtrua një tamponi, i cili dha rezultat pozitiv. Jo vetëm. Katër javë pas dasmës, 85 persona të tjerë me një histori ekspozimi të lidhur me atë ngjarje rezultuan pozitivë. Nga këto, 76 kishin qenë direkt në festë, 9 ishin kontakte të rasteve të konfirmuara. Gjysma e tyre ishin asimptomatike ose shfaqnin simptoma të buta, por dy pacientë ishin në gjendje të rëndë ose kritike.

    Madje, një gruaje 80-vjeçare me kancer të gjirit, iu zhvillua pneumoni dhe insufiçensë respiratore dhe vdiq 2 javë pas shtrimit në spital. Një paciente tjetër, shtatzënë, e lindi fëmijën e saj me cezarian, një ditë pas shtrimit në spital. Foshnja rezultoi negative.

    Një situatë që nuk është parë kurrë më parë, e cila përfundoi shpejt nën lenten e studiuesve të Jordan University of Science and Technology, që analizuan rastin dhe të gjitha lidhjet e miqve të ndryshëm. Koha mesatare midis ekspozimit ndaj infeksionit në dasëm dhe fillimit të shfaqjes së simptomave ishte 5 ditë.

    Gjithashtu, deri më 10 Prill, pra më pak se një muaj pas po-së së shumëpritur, numri i rasteve të konfirmuara nga martesa përbënte 24% të të gjitha rasteve Covid-19 në Jordani. Vendi u bllokua në 14 mars dhe qyteti i Irbid, ku u verifikua epidemia, u izolua nga pjesa tjetër e vendit. “Hulumtimi – shpjegojnë studiuesit – tregon (dhe konfirmon) se si në takime të mbyllura dhe të mbushura me njerëz, shpejtësia e transmetimit mund të jetë shumë më e lartë.

    Kjo sëmundje pandemike është një kërcënim për shëndetin publik, prandaj duhet pasur kujdes”. Për këtë, konkluzioni në të cilin kanë arritur është “komunitetet duhet të vazhdojnë të dekurajohet për takime të mëdha, të identifikohen dhe testohen kontakte dhe të izolohen rastet e konfirmuara për të ndihmuan në kontrollin e pandemisë Covid-19 “.