Blog

  • Bella Hadid, “në kontakt me ish të dashurin”: flashback me The Weeknd?

    Bella Hadid, “në kontakt me ish të dashurin”: flashback me The Weeknd?

    Pas Gigi, që është ribashkuar me Zayn Malik dhe tani po pret një fëmijë, duket se edhe motra e saj më e vogël po ribashkohet me partnerin historik, me të cilin i kishte mbyllur raportet verën e kaluar

    Qenka “ves” familjar! Pas Gigi Hadid dhe dashurisë së rigjetur me partnerin historik Zayn Malik, duket se edhe motra më e vogël, Bella, po i rivendos marrëdhëniet me ish të dashurin e saj, këngëtarin The Weeknd, me emrin Abel Makkonen Tesfaye: “Javët e fundit çifti ka rifilluar të flasë përsëri”, janë fjalët e raportuara nga revista US Weekly. “Pas prishjes së vjetshme në verës, janë rivënë sërisht në kontakt”.

    Po, sepse gushtin e kaluar Bella Hadid dhe The Weeknd dukeshin të vendosur për t’i dhënë fund marrëdhënies së tyre rreth katër vjeçare, tërhiq e mos këput. U njohën në vitin 2015, kur ajo mori pjesë në videoklipin e “In the night”, këngën e tij të famshme, e përfshirë në albumin “Beauty Behind the Madness”. Por, në nëntor 2016, diçka nuk pati funksionuar dhe të dy thanë lamtumirë për herë të parë.

    Madje, disa muaj më vonë, artisti kanadez filloi të frekuentojë kolegen Selena Gomez, duke e bërë të tërbohet modelen amerikane. Duke u rikthyer aty ku e kishin lënë në pranverën e vitit 2018, në kohë rekord: “Kanë rigjetur njëri-tjetrin, tani nuk do të ndahen kurrë nga njëri-tjetri”, profetizoi dikush. Por gabonte: në verën e 2019, një tjetër ndarje, e etiketuar nga të tjerë si “përfundimtare”.

    “Janë me raporte të mira, ai i dërgoi urimet e tij për ditëlindje por nuk ka mundësi që ata të rikthehen së bashku”, njoftonte një burim i E! News. E mohuar pjesërisht nga US Weekly katër muaj më parë, para fillimit të lockdown: “Bella është e përqendruar në karrierën e saj”, shpjegoi një insider. “Nuk po frekuenton askënd, por ende provon diçka për The Weeknd. Kush e di se çfarë do të ndodhë”.

    Ndoshta duke parë barkun e motrës së saj Gigi, e cili po pret një vajzë me partnerin e saj pas një marrëdhënie të gjatë on-off, mund ta ketë bindur Bella të bënte – edhe ajo – një rikthim sentimental.

  • Seksi i yjeve: kur të famshmit “nxjerrin numrat”

    Seksi i yjeve: kur të famshmit “nxjerrin numrat”

    Nga Heidi Klum, e cila bën dashuri “të paktën 5 herë në ditë” te Paris Hilton, e cila ka patur “edhe 20 burra në natë”, ja, në shifra, rrëfimet më erotike të VIP-ave

    Laura DANI – Rrëfimi për botën i bëmave midis çarçafëve është një nga hobi i preferuar i VIP-ave. Por vitet e fundit shumë celebs kanë dhënë pak më shumë sesa numra. Duke i bërë të ditur të gjithëve edhe herët e marrëdhënieve seksuale. Njëra, që punon shumë, e pranon vetë “me gra, burra dhe madje vetëm”, është Cameron Diaz. Aktorja dyzet e shtatëvjeçare nuk e fshehur kurrë “fiksimin” e saj për seksin: “Bën mirë për shëndetin dhe çlirimin shpirtëror. Dhe kur je në krizë, ta bësh disa herë në ditë ndihmon goxha. Unë jam gjithmonë në lëvizje, nga një sheshxhirim në tjetrin. Nuk mund ta imagjinoni sa herë kam marrë aeroplanin pas një dite të mbushur me punë vetëm për të shkuar te partneri im”.

    Akoma më e ‘tërbuar’ qenkësh Heidi Klum: “Bën dashuri të paktën pesë herë në ditë sepse është e bindur që seksi e mban të re”, ka rrëfyer një mik i supermodeles për revistën amerikane National Enquirer. Nëna e katër fëmijëve, me dy divorce, 46-vjeçarja, tani e martuar me tridhjetë vjeçarin Tom Kaulitz, kitarist i Tokio Hotel, mban edhe një ditar sekret në të cilin shënon cilësinë e hamshorëve të rradhës: “Heidi ka një libër në të cilin jep pikët për partnerët bazuar në vendet nda më të ndryshëm: brenda makinës, në ulësen e tualetit, brenda një dollapi”, rrëfën i zakonshmi mik fjalaman.

    Asgjë në krahasim me numrat rekord të 51-vjeçares Marilyn Manson. Rocker ka thënë se nevojiten “kongrese seksuale”, siç i quan ai, “pesë deri në dhjetë herë në ditë”. Ndërsa Paris Hilton, e bindur që seksi është “një gjë e mrekullueshme dhe, nëse ka mundësi, mbështetur pa hezitim”, ajo rrëfen se në të kaluarën ka mundur të ketë brenda një nate, “edhe më shumë se 20 burra”.

    Për të ulur mesataren numerike të epsheve të të famshmëve mendon Lorella Cuccarini, 54 vjeçe, duke i rrëfyer botës se me burrin e saj, gjashtëdhjetë e pesë vjeçarin Silvio Testi, “një burrë-burrë që di të marrë iniciativën dhe të krijojë atmosferë», e bën “dy herë në javë”. Pak pas deklaratave të saj vijnë ato të Francesca Neri, 56 vjeçe: «Claudio (Amendola, ed) dhe unë e bëjmë të paktën tre herë në javë. Kam lexuar që Cuccarini e bën atë dy herë në javë , madje ajo është kërcimtare. Për t’u mbajtur mirë, pra, duhet bërë më shumë se ajo. Maksimalisht e bëjmë një herë në ditë, nuk kemi më moshë”.

  • Ndryshojnë jetën, çifti transferohet në Tajlandë për të shpëtuar qentë endacakë

    Ndryshojnë jetën, çifti transferohet në Tajlandë për të shpëtuar qentë endacakë

    Kur Mantas dhe gruaja e tij Rasa nisën nga Lituania për një udhëtim në Tajlandë, nuk e kishin idenë se jeta e tyre do të ndryshonte përgjithmonë. Ata u dashuruan me ishullin Koh Kood dhe vendosën të transferohen atje përgjithmonë për të bërë atë që e donin më shumë: të kujdesesh për qentë.

    Kanë kaluar gjashtë vjet që nga ajo kohë, dhe as edhe një herë nuk kanë menduar të kthehen në jetën e tyre “të vjetër”. Që atëherë, ata kanë adoptuar dhe mirëpritur në shtëpinë e tyre 5 qen endacakë, përfshi dy të verbër dhe katër me aftësi të kufizuara rëndë, të cilët nuk do të kishin mbijetuar kurrë vetëm në rrugë. Dhe çifti mundohet të kujdeset edhe për qentë që jetojnë ende në rrugë, duke ecur deri në 40 kilometra në ditë për të ushqyer, për t’u dhenë ilaçe dhe për t’i bërë kontrolle ditore në dhjetëra qenve endacakë të vetëm, të braktisur. Në ishull nuk ka veterinerë dhe as qendra shpëtimi dhe ata bëjnë atë që munden, duke u vetfinancuar e duke nderuar të ndjerin Aibo, qein e tyre të dashur që tani nuk është më.

    Në fillim të udhëtimit të tyre turistik, atyre iu desh t’i thoshin lamtumirë telefonikisht boksierit të tyre të dashur. “U sëmur rëndë dhe ishte e pamundur të shpëtohej. Ishte një moment shumë i vështirë për ne, mbi të gjitha sepse nuk ishim atje me të dhe nuk i patëm mundësinë t’i qëndronin pranë në momentet e tij të fundit”. Dhe duke ndjerë se nuk kishte më asgjë për të cilën t’ia vlente të ktheheshin në shtëpi, të dy vendosën ta përballonin humbjen duke ndihmuar shumë qenë në vështirësi që gjendeshin në ishull.

    Për shkak të misionit të tyre, u detyruan ta linin shtëpinë ku jetonin: “Kemi qenë të pastrehë, sepse ish pronari ynë i shtëpisë ishte larg të qenit miqësor me kafshët, por ne refuzuam t’i braktisnim. Tani kemi gjetur një vend të ri për të qëndruar, në një zonë të veçuar të ishullit, dhe jemi të lumtur me familjen tonë të madhe”.

    Për të ndihmuar më shumë qen, çifti hapi faqen sociale Sabai Dog Koh Kood, ku flasin për aktivitetin e tyre dhe mbledhin fonde për të financuar blerjen e ushqimeve dhe ilaçeve. “Nuk jemi veterinerë, prandaj kërkojmë vazhdimisht ndihmë larg nga mjekët lituanezë. Kemi mësuar teknikat e ndihmës së parë dhe bëjmë më të mirën që mundemi”.

    Fillimisht me ndihmën e Khon Kaen University, e më pas me organizata të tjera lokale dhe jo-lokale, Mantas dhe Rasa kanë organizuar projektin e parë të sterilizimit në ishull, duke arritur të operojnë mbi një mijë qen nga 2015 deri sot. Dhe nuk kanë aspak ndërmend të ndalojnë.

  • Ringo Starr mbush 80 vjeç: “Më uroni duke menduar Peace and Love”

    Ringo Starr mbush 80 vjeç: “Më uroni duke menduar Peace and Love”

    Beatles nuk do të ishin Beatles pa të

    Sir Richard Starkey, për të gjithë Ringo Starr, mbushi 80 vjeç. Bateristi më i famshëm në botë feston me një show. Në kanalin e tij në Youtube do të jetë online një koncert bamirësie që ka filluar nga dy e mëngjes më 7 dhe 8 korrik me performanca shtëpiake dhe pamjet live nga Paul McCartney, Sheryl Crow, Garu Clark jr., Sheila E, Ben Harper, Steve Ai, Earle, Peter Frampton dhe të tjerët, ku janë të ftuar të gjithë fansat, të cilët, për t’i uruar ditëlindjen, mund t’i shkruajnë në, “mendoni ose postoni #peaceandlove”.

    Beatles nuk do të kishin qenë Beatles me një baterist tjetër. Më 1962, kur John Lennon, Paul McCartney dhe George Harrison e thirrën në grup, ai ishte më i miri i skenës së Liverpool-it, një famë e fituar së pari në skenën e “skiffle” dhe më pas me Rory and the Hurricanes.

    Muzikanti i lindur nga Liverpool e zbuloi pasionin e tij për muzikën në moshën 13 vjeçare, kur ishte në spital për t’u kuruar nga tuberkulozi. “Mësuesi i muzikës erdhi për të na mbajtur të zënë. Ne të gjithë ishim në shtrat me tuberkuloz. Më dha një tambur. Dhe që nga ai moment doja vetëm të bëhesha baterist. Që atëherë, jam akoma dhe tani”. Shumë shpejt filloi të dëgjojë muzikë dhe të zhvilljë një dashuri për zhanrin Country. Por ishte infatuaksioni i tij për Bluesin që e shtyu të bënte kërkesë për imigrim në Shtetet e Bashkuara për t’u transferuar në Houston, Teksas. “Doja të isha në të njëjtin vend me Lightnin Hopkins, muzikantin tim të preferuar Blues të të gjitha kohërave”, shpjegon Starr që ndërkohë shkoi në Londër për të paraqitur dokumentet në ambasadën amerikane. “Patëm madje edhe një listë të fabrikave ku mund të aplikonim për një vend pune. Por na dhanë aq shumë dokumente dhe fletë për t’i plotësuar saqë i grisëm”.

    Pas rikthimit në Liverpool, bateristi 19-vjeçar u rekrutua nga Rory Storm dhe nga Hurricanes përpara se të zëvendësonte bateristin e Beatles Pete Best në 1962 dhe të bëhej anëtari i katërt i grupit së bashku me John Lennon, Paul McCartney dhe George Harrison. Beatles shpejt u katapultuan në kulmin e ndikimit dhe famës botërore. “Në fillim, donim të bënim muzikë, gjë të cilën e bëmë – thotë Starr – por ne u bëmë aq të famshëm sa çmimi për të paguar ishte që nuk mund të shkonim dot as në restorant. Por tani ajo ka rënë. Mund të shkojmë kudo që të duam. Dhe falë pandemisë kemi të gjitha maska, kështu që nuk na njohin”, qesh ai.

    Ringo ka shpikur një mënyrë të luajturi me instrumentin: një majtosh që luan me të djathtën dhe kjo e bën stilin e tij unik. Më shumë sesa teknikë, ka menduar gjithmonë për muzikalitetin, për një ide melodike të baterive. Disa nga shpikjet e tij ritmike, tip “Come Together”, “Rain”, “A Day in a Life” janë klasike.

    Kënaqësi ka pasur shumë: ka pasur shumë këngë të tija të regjistruara me Beatles, ai është zëri i “With a Little Help From My Friends”, “Octopus Garden”, edhe si solist ka pasur sukses të madh. Ringo sot sjell në mënyrë të qetë legjendën e tij me “All Starr Band”, një formacion i përbërë nga disa nga më të famshmit session men të planetit, në emër të Paqes dhe Dashurisë.

  • Pakistan, Zohra, shërbëtorja 8-vjeçare, rrihet dhe vritet se liroi dy papagallë

    Pakistan, Zohra, shërbëtorja 8-vjeçare, rrihet dhe vritet se liroi dy papagallë

    Zohra, një vajzë tetë vjeçare që punonte si shërbyese në Pakistan, vdiq e rrahur nga punëdhënësit e saj, një çift i pasur nga Rawalpindi, Pakistan. Vogëlushja, 4 muaj më parë ishte larguar nga qyteti Kot Addu, në provincën e Punjab, ku jetonte me familjen e saj shumë të varfër për të punuar në shtëpinë e familjes së pasur. Ishte punësuar për t’u kujdesur për fëmijën e tyre një vjeçar. I kishin premtuar se si shpërblim do ta çonin në shkollë, ka nga ata që tani pretendojnë se familja e fëmijës ishte mashtruar. Zorha liroi dy papagaj në kafaz dhe për këtë ajo u rrah. Sipas disa mediave lokale ishte një aksident, vajza po ushqente me papagajt dhe në momentin që ajo hapi derën e kafazit ata fluturuan vrik. Ka nga ata që flasin për një gjest ndjeshmërie fëminore.

    https://twitter.com/Hxmza_s/status/1269394205794844673?s=20

    Por reagimi i punëdhënësve ishte i tmerrshëm: e rrahën dhe e torturuan derisa ajo vdiq. Sipas raportit të parë të policisë, kur ekzekutuesit e saj e braktisën në një spital, mjekët bënë gjithçka për ta shpëtuar, por vogëlushja vdiq po atë ditë nga dëmtimet në fytyrë, duar, nën kafazin e brinjëve dhe këmbë. Nuk përjashtohet mundësia që ajo të ketë pësuar edhe sulme seksuale. Policia ka dërguar mostra në laborator për t’u analizuar për të konfirmuar ose jo dhunën. Policia arrestoi dy të akuzuarit që pranuan se torturuan fëmijën sepse kishte liruar papagajt e tyre. Të pandehurit tani ndodhen në paraburgim Nga rrëfimet e të pandehurve del se kishin vazhduar ta godisnin për vdekje, megjithë ulërimat dhe lotët e saj, pavarësisht përgjërohej për mëshirë. Në Twitter është përhapur hashtagu #JusticeForZohraShah, ku shumë njerëz kërkojnë drejtësi për vogëlushen dhe kanë përhapur dizajne për nder të saj.

  • Tërheqja përfundimtare amerikane nga OBSH

    Tërheqja përfundimtare amerikane nga OBSH

    Vendimi, i njoftuar para pak kohësh, tani është efektiv: por duke pasur parasysh detyrimin e paralajmërimit, ai do të hyjë në fuqi brenda një viti

    Donald Trump ka vendosur të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe ia ka komunikuar këtë zyrtarisht Kombeve të Bashkuara, nga të cilat varet OBSH, dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Vendimi, duke pasur parasysh detyrimin e njoftimit njëvjeçar, do të hyjë në fuqi më 6 korrik 2021 dhe ndërkohë Shtetet e Bashkuara do të duhet të respektojnë angazhimet dhe detyrimet financiare. Buxheti vjetor i OBSH-së është rreth 6 miliardë dollarë, i cili vjen nga vendet anëtare në të gjithë botën. Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara kontribuan më shumë se 400 milionë dollarë, rreth 10 përqind e fondit të përgjithshëm. Prandaj, një pezullim mund të ketë pasoja shumë të rënda.

    Akuzat e Trumpit kundër OBSH-së vazhdojnë prej kohësh: më 14 prill Presidenti i Shteteve të Bashkuara kishte njoftuar se dëshironte të pezullonte përkohësisht fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit, në pritje të një hetimi që do të verifikonte “rolin e saj në keqmenaxhimin dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit”. Akuza kryesore e Trump ishte se pavarësisht se ishte financuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, organizata i kishte kushtuar vëmendje të veçantë Kinës. Në maj, kërcënoi sërish me ndërprerjen e marrëdhënieve duke thënë se OBSH nuk kishte qenë në gjendje të përballej siç duhet me emergjencën e koronavirusit sepse ishte nën “kontrollin total” të Kinës.

    OBSH, nga ana e saj, kishte kritikuar mbajtjen e masave gjatë pandemisë dhe kishte refuzuar çdo “stigmatizim ose diskriminim”, duke iu referuar zakonit të Trump për të folur për “virusin kinez”. Për kufizimet e udhëtimeve Trump nuk ka ndjekur masat adekuate të kontrollit të brendshëm, duke e minimizuar koronavirusin dhe duke e krahasuar atë me gripin përsëri në mes të marsit, pasi kishte zbrazur që nga fillimi i mandatit të tij zyrat qeveritare që duhej të merreshin me kontrollimin e pandemisë.

    Po në prill, Trump i kërkoi OBSH-së të aprovonte një sërë reformash “substanciale” brenda 30 ditësh. Në orët e fundit, një zyrtar i lartë i administratës amerikane i tha CBS News se Trump kishte udhëzuar në detaje reformat që duheshin ndërmarrë, por që OBSH kishte refuzuar të vepronte. “Meqenëse ata nuk kanë arritur të zbatojnë reformat e kërkuara dhe për të cilat kemi shumë nevojë, sot do t’i japim fund marrëdhënieve tona”, tha zyrtari.

    Presidenti i Fondacionit të Kombeve të Bashkuara Elizabeth Cousens e quajti këtë veprim të Trump “miop, superflu dhe pa dyshim të rrezikshëm. OBSH është i vetmi organ në gjendje për të drejtuar dhe koordinuar reagimin global ndaj COVID-19”. Ndërprerja e marrëdhënieve të OBSH-së me Shtetet e Bashkuara “do të dëmtonte përpjekjen globale për të mposhtur këtë virus, duke na vënë në rrezik të gjithëve”.

    3 nëntorin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet në SHBA dhe Donald Trump mund të mos rikonfirmohet. Kandidati demokrat në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, e ka dënuar vendimin e administratës Trump dhe ka bërë të ditur se “Shtetet e Bashkuara do të bashkohen përsëri me OBSH-në” që ditën e parë të presidencës së tij.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Çështja Epstein/ Ghislaine Maxwell mund të implikojë Bill Klintonin?

    Çështja Epstein/ Ghislaine Maxwell mund të implikojë Bill Klintonin?

    Arrestimi i Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtori i financierit-pedofil Jeffrey Epstein, mund të jetë një tërmet i vërtetë për botën politike dhe për elitat që frekuentonin milionerin dhe rrethin e tij të minorenëve. Para pak ditësh Alan Dershowitz, ish avokati i Epsteinit, shkroi një tweet mjaft enigmatik për të: “Shpresoj që Epstein të ketë bërë video. Është hipotizuar se ai ka bërë video sekrete të të gjithë burrave që kanë bërë seks në shtëpitë dhe avionët e tij. Shpresoj ta ketë bërë dhe të shpërndahen të gjitha, sepse do të tregojnë që nuk jam midis tyre. Në këtë mënyrë heq dorë nga çdo e drejtë e intimitetit në videot e Epsteinit”.

    Vërtetë avokati i famshëm nuk e di nëse klienti i tij ka bërë video apo jo? Do të ishte mjaft kurioze. Dhe, mbase, jo vetëm që këto video fantomatike ekzistojnë, por ato së shpejti mund të shpërndagen. Gjithçka varet nga Ghislaine Maxwell.

    Siç shkruhet në Dailymail, një mikeshë anonime e Maxwell, rrëfeu për Daily Mail se materiali hard i gjetur nga hetuesit përbënte një lloj “sigurimi” për gruan. “Ghislaine ka qenë gjithmonë shumë e zonja. Nuk do të kishte jetuar me Epstein gjatë gjithë këtyre viteve pa pasur një sigurim”, ka shpjeguar burimi. “Pjesa e videove hard që ka lënë mënjanë i shërben Ghislaine si kartë për të dalë nga burgu nëse autoritetet planifikojnë të negociojë. Mund të implikojë njerëz të rëndësishëm”. Bashkëpunëtorja e Epsteinit pra mund të nxjerrë emrat dhe mbiemrat e atyre që marrin pjesë nëpër party me bazë seksi me të mitur në shtëpinë e Epsteinit: “Nëse Ghislaine zhytet, do të marrë me vete të gjithë ata që janë të përfshirë”.

    Miqësia që sikletos Klintonët

    Ndër miqtë “VIP-a” të Jeffrey Epstein është padyshim ish-Presidenti Bill Klinton. Disa javë më parë, doli në dritë një lajm mbi marrëdhëniet e diskutueshme me manjatin pedofil që sikletos Klintonët: ish presidenti amerikan në mënyrë të përsëritur ka mohuar që mund të ketë futur ndonjëherë këmbën në rezidencën private të financierit, duke pranuar vetëm se ai kishte udhëtuar katër herë me biznesmenin e shumëpërfolur, me aeroplanin e tij personal, Lolita Express.

    Por me sa duket nuk është tamam kështu. Një dëshmi që doli javët e kaluara dhe e përhap nga media amerikane, në fakt, bie në kundërshtim me tezën e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara. Steve Scully, 70 vjeç, një ish-punonjës i Epsteinit, ka rrëfyer gjithçka për prodhuesve e serisë televizive të transmetuar në Netflix: Jeffrey Epstein – Para, pushtet dhe perversion. Sipas atyre që ka thënë Scully, ish-presidenti demokrat e ka frekuentuar Epsteinin edhe në trishtueshmërisht të famshmen “vilën e orgjive” që ndodhet në ishullin karaibik të Little St James, në arkipelagun e Virgin Islands amerikanë dhe në pronësi të milionerit.

    70-vjeçari, përgjegjës për linjat telefonike dhe lidhjet e Internetit në vendin inkriminues, ka thënë, në intervistën Netflix të cituar nga versioni amerikan i Sun, se kishte parë një herë Klintonin teksa ishte duke pushuar në shoqërinë e Epstein nën portikët hyrës të rezidencës karaibike. Scully nuk e akuzon Klinton për sjellje të papërshtatshme, por kujton se kur në ishullin e Little St James mbërrinte ish presidenti, kurrë nuk kishte asnjë të ftuar tjetër. Por akuzat kundër Bill Klinton ndalen këtu. Ish presidenti DEM është akuzuar se ka qenë i dashuri i Ghislaine Maxwell. Historia tregohet në librin e botuar kohët e fundit në SHBA të titulluar “A Convenient Death: The Mysterious Demise of Jeffrey Epstein”, shkruar nga gazetarët investigativë Alana Goodman dhe Daniel Halper.

    Dhe tani del një foto ku “mbërthehet” ish presidenti amerikan

    Daily Telegraph, ka publikuar një foto të Bill Klinton, që daton në vitin 2002, me Ghislaine pak para se të hipë në “Lolita Express”. Nëse ish presidenti DEM ishte vërtet i dashuri i Maxwell, mbase do të zbulohet por ajo që është e sigurt është se ka pasur një afinitet të madh mes të dyve. Në fakt, bashkëpunëtorja e Epsteinit ishte e ftuar në dasmën shumë të rezervuar të Chelsea Clinton dhe Epstein ka financuar disa nisma filantropike të Bill Klintonit. I cili e falënderonte manjatin pedofil si vijon: “Një filantrop i përkushtuar, me njohuri për tregjet globale dhe të shekullin XXI, gjithmonë e kam vlerësuar gjithmonë bujarinë e tij në udhëtimin e fundit në Afrikë për demokratizimin e zonës, për luftën kundër varfërisë dhe SIDA-s”, thoshte ai në 2002-shin përmes një zëdhënësi.

    Ato vdekje të dyshimta qark Klintonëve: thjesht “komplote”?

    Një nga komentet më të njohura nëpër mediat sociale pas lajmit për arrestimin e Ghislaine Maxwell ishte: “Edhe ajo do të përfundojë e vrarë si Jeffrey Epstein”. Teoria që qarkullon në shumë profile sociale, në fakt, është se Epstein nuk u vetëvra, siç pretendohet nga versioni zyrtar (të cilit, për hir të së vërtetës, shumë pak kanë filluar t’i besojnë) por ishin vrarë. Siç raportonte New York Times tetorin e kaluar, një patolog, i punësuar nga vëllai i milionerit e kundërshtoi versionin zyrtar të autopsisë, duke pretenduar se ekzistojnë prova që sugjerojnë se Xhefrey Epstein nuk është vetvrarë, por mund të jetë mbytur. Zyra e mjekut ligjor të New Yorkut e drejtuar nga Barbara Simpson pati konkluduar në gusht se financieri ishte varur në qelinë e tij në pritje të gjyqit për akuzat e trafikut seksual të minorenëve. Sidoqoftë, patologu i njohur Michael Baden, i intervistuar nga Fox & Friends, pati sqaruar se milioneri ka pësuar një sërë dëmtimesh – përfshirë një kockë të thyer në qafë – të cilat “janë jashtëzakonisht të pazakonta në vetëvrasjen me varje dhe mund të verifikohen mjaft shpesh në rastet e mbytjes”. Kësaj i shtohet misteri i telekamerave jashtfunksioni pikërisht përpara qelisë së tij.

    A është vërtetë në rrezik jeta e Ghislaine Maxwell? Siç tregohet në E Vërteta, në ditët e vdekjes së Epsteinit, Presidenti Donald Trump kishte ritwittuar postimin në të cilin aktori Terrence Williams ishte shprehur se “Jeffrey Epstein kishte informacion për Bill Klintonin dhe tani është i vdekur”. E në fakt, pa dalë në përfundime të nxituara apo të padokumentuara, shumë njerëz që shumë lidhen me Klintonët kanë vdekur në rrethana misterioze. Teori konspirative apo ka ndonjë gjë tjetër? Si shpjegon E Vërteta, është rasti i turbullt i Don Henry dhe Ken Ives, dy adoleshentë të Arkansasit, të përfunduar të shtypur nga një tren më 1987 teksa po luanin nëpër shina, dhe që Guvernatori i atëhershëm Klinton me shpejtësi e mbylli si një aksident. Dikush ngriti dyshime, por, sepse ajo tragjedi ishte e lidhur me trafikun e drogës dhe se ish presidenti po përpiqej ta mbulonte. Pastaj është vdekja e dyshimtë e James McDougal, vdekja e të cilit në burg në 1998 u përcaktua nga hetuesit si një “goditje e rëndë” për hetimin e skandalit të pasurive të patundshme Whitewater, i përqendruar mbi investimet e pafata mbi pasuri të patundshme të kompanisë në të cilën bënin pjesë edhe Klintonët.

    Duke mbërritur në fund tek vetëvrasja e çuditshme e Peter W. Smith, avokat, republikan dhe, mbi të gjitha, njeriut që do të krijonte një task force pune për të kontaktuar me rusët në kërkim të dokumenteve kompromentues për Hillary Clinton dhe vrasjen e Seth Rich, njëzeteshtatë vjeçar brilant, që punoi në stafin e Komitetit Kombëtar Demokrat i gjetur i vdekur me një goditje në shpinë: një vdekje për të cilën është thënë dhe shkruar gjithçka. Vetëm rastësi? Deri më tani nuk ka asnjë dëshmi fajësimi të Klintonëve: ajo që ne dimë është se arrestimi i Maxwell mund të sjellë të vërteta të bujshme.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Hamilton sulmon qeverinë britanike

    Hamilton sulmon qeverinë britanike

    Piloti anglez, shumë aktiv në mbështetje të lëvizjeve kundër diskriminimit racor, ka kritikuar rëndë menaxhimin e pandemisë nga kryeministri Boris Johnson

    Edi DELIU – Mbetet tashmë më pak se një muaj që nga fillimi i sezonit 2020 të Formula 1, por për momentin Grand Prix nuk është në krye të listës së mendimeve të Lewis Hamilton. Gjashtë herë kampioni anglez, gjithmonë shumë aktiv në rrjetet sociale, është bërë zëdhënës gjatë këtyre ditëve i mesazhe të forta në mbështetje të lëvizjes protestuese Black Lives Matter, që lufton diskriminimin racor. Fjalët e ashpra të britanikut kanë qenë pararendëset e qëndrimit të marrë nga shumë kolegë të tij kundër sjelljeve raciste, në veçanti në lidhje me atë që ka ndodhur kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara.

    Por Hamilton gjithashtu ka drejtuar gishtin edhe drejt qeverisë së vendit të tij, duke kontestuar rëndë menaxhimin e Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar: “Jam i terrorizuar nga qeveria britanike për mënyrën se si menaxhoi Covid – ka shkruar piloti i Mercedesit në një stories të publikuar në profilin e tij në Instagram – duhet të kishit mbyllur kufijtë muaj më parë. Është tronditëse se si keni mundur t’i lini njerëzit të fluturojnë nga vendet pa u testuar. Mund të kishit shpëtuar mijëra jetë. Kemi nevojë për udhëheqës më të mirë”, ka ngritur zërin kampioni i botës. Hamilton më pas u anësua në favor të protestuesve të Bristolit, të cilët dje rrëzuan me forcë statujën qytetëse të Edward Colston, një tregtar skllevërish i shekullit të shtatëmbëdhjetë.

    “Nëse ata njerëz nuk do ta kishin rrëzuar, ajo statujë – e cila nderon një tregtar skllevërish racist – nuk do të hiqej kurrë. Po flitet për ta vendosur në një muze. Statuja e këtij njeriu duhet të mbetet në lumë ashtu si 20.000 shpirtrat afrikanë që vdiqën gjatë udhëtimit për të ardhur këtu dhe u hodhën në det pa varre apo memoriale. Ai i largoi ata nga familjet e tyre, nga vendi i tyre dhe nuk ka pse të nderohet! [Statuja] Duhet të zëvendësohet me një memorial kushtuar të gjithë atyre që ai ka shitur, për të gjithë ata që kanë humbur jetën” përfundoi Hamilton, i cili më pas ftoi protestuesit të përpiqen të zbatojnë të gjitha masat e nevojshme paraprake për të shmangur përhapjen e Coronavirusit.

  • Lazër STANI – Vdekja nuk mund të vijë kurrë nga sy gruaje

    Lazër STANI – Vdekja nuk mund të vijë kurrë nga sy gruaje

    Po a ishte vetvrasja e Paveses një vetvrasje nga dashuria e paralajmëruar me poezinë e famshme “Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu”?

    Një lexim i vëmendshëm i poezisë të bind për të kundërtën. Në poezinë e tij, poeti e përshkruan vdekjen si bashkudhëtaren tonë nga mëngjesi në mbrëmje, të pagjumë e të shurdhët, si një peng i vjetër a një ves absurd, të çliruar nga makthet, tragjizmi, gjëma. Nuk ka kuje, as lot dëshpërimi. Përkundrazi, ka një kthjelltësi tmerruese, ku më në fund do ta dimë se “shpresa e dashur është jeta dhe është asgjëja”. Në vargjet e fundit të poezisë vdekja thjeshtësohet, rrëgjohet, bëhet si “shkulja e një vesi, “si të shohësh në pasqyrë, rishfaqjen e një fytyre të vdekur”, a “si të dëgjosh një buzë të mbyllur”. Pra, sido që të jetë, kjo “zbritje në vorbullën e shurdhët”, siç e përshkruan poeti vdekjen, nuk ka atë dramë, atë tragjizëm, që ka vdekja e njeriut të dashuruar.

    Ndërkaq në ditaret e tij, teksa ideja e vetvrasjes forcohet, pikërisht me 25 mars të po atij viti, poeti shkruan:

    “Askush nuk e vret veten nga dashuria për një grua, por sepse dashuria, çdo dashuri, na zbulon lakuriqësinë, mjerimin, dobësinë dhe asgjënë tonë.”

    Dhe se ku qëndron lakuriqësia, mjerimi, dobësia dhe asgjëja poeti e shpjegon qartë në shënimin që ai ka lënë me datën 27 maj:

    “Lumturia ime e ’48 – ’49-ës është paguar grosh më grosh. Mbas asaj kënaqësie Olimpike shtrihet pafuqia dhe refuzimi im për t’u përfshirë. Tani, në rrugën time, kam rënë brenda një gremine. E parashikoj pafuqinë time, e ndjej në eshtrat e mia, jam kapur nga përgjegjësia politike që po më shkatërron. Ka vetëm një përgjigje: vetvrasja.”

    Përse vallë? Për çfarë përfshirjeje bëhet fjalë? Këtë poeti e ka shpjeguar kohë më parë, pikërisht në një fletë ditari të shkruar me 15 shkurt 1950, që e fillon me fjalët: “Pavese nuk është një komunist i mirë”… Rrëfime të intrigës gjithkund. Kundërkomplote në hije që mund të jenë pastaj përfolje të atyre që i ke patur më afër zemrës”. Dhe këtij zhgënjimi nga politika dhe miqtë politikë “më të afërt të zemrës”, madje dhe intrigat e komplotet e komunistëve e futin poetin në një kurth, ku ai sheh si të vetmen rrugëdalje vetëvrasjen. Është e pamundur që kritikëve profesionistë, po edhe lexuesit e vëmendshëm të veprës së Pavese-s, t’u kenë shpëtuar këto fakte tronditëse të jetës së tij, që paraprinë dhe parapërgatitën vetëvrasjen e poetit. Por me sa duket askujt nuk i ka interesuar e vërteta tragjike, por miti, krijimi i një legjende sa poetike aq edhe madhështore e heroike, frymëzuese për njerëzit që po jetonin drepresionin e thellë të pasluftës, mungesën e shpresës, zhgënjimin dhe frikën për një tjetër asgjësim global në një konflikt bërthamor. Poeti u flijua për dashurinë e humbur. E priti vdekjen me sytë e të dashurës , ose siç shprehet në poezinë më të lexuar të tij “Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu”. (Sytë e Constance Dowling). Gjithsesi një vdekje e tillë është frymëzuese dhe shfajësuese njëkohësisht. E ç’përgjegjësi, mund të kenë vrasësit realë të poetit, nëse ai u vetëvra nga dashuria?! Të gjithë janë të larë: kritikët, miqtë e afërt, bashkëpunëtorët politikë, intrigantët, ziliqarët, smirëzinjtë, vrasësit e fshehtë.

    Sikur ta kishte parandjerë gjithë manipulimin që do të bëhej me historinë e tij të mbrame të dashurisë, poeti shënon në ditarin e tij:

    “Sidoqoftë, edhe ti je vetëm një pretekst. Dështimi real, veçanërisht i imi, qendron në “trazimin agonizues, me ngërdheshjen e tij të fshehtë.””

    Ai është krejtësisht i zhgënjyer, shpirtërisht i mpirë, i neveritur, pa dëshira, pa shpresa, pa ëndrra, nuk gjen asnjë fill ku të kapet, asnjë arsye se përse duhet të jetojë. Ai është më i pashpresë, më i humbur se të gjithë ata që kanë drejtuar jetën e tij në humnerë. Nuk kanë rëndësi emrat. Në mos ishin këta emra do të ishin të tjerë. Ky është tuneli i errët ku është futur dhe dalja prej këtij tuneli ka çmim të lartë: paguhet me mishin dhe gjakun e tij, me vetë jetën.

    Nuk ka dyshim se sytë me të cilët i erdhi vdekja Pavese-s kanë qenë sytë e tij, sy të ftohtë akull, sy të zbrazur nga dëshira për jetë, sy të zhgënjyer, sy të neveritur me gjinden dhe këtë botë, së cilës ai i kishte dhënë gjithçka: poezinë si askush tjetër, dhembjen, shpirtin, dashurinë dhe gjithë ndjenjat e epërme njerëzore. Në çdo ditë të ekzistencës mbi këtë tokë, Pavese i kishe dhënë dritë jetës nga drita e syve të tij derisa kjo dritë u shterr, u shua. Me këta sy të verbër, sytë e tij, i erdhi vdekja Paveses dhe jo me sytë e Constance Dowling, jo me sytë e bukur të gruas së dashur. Vdekja nuk mund të vijë kurrë me sy gruaje, me sy dashurie. Në vdekje shkohet gjithmonë vetëm, me sytë e tu dhe të askujt tjetër.

    Fragmemt nga “Sytë e vdekjes”, libri “Rrugë pa krye”

  • Zija Çela – Përpara derës

    – A zgjati ngjitja deri këtu? – më pyeti KE.

    – Jo, – thashë, – çështje sekondash.

    – Atje poshtë, ndërkaq, kanë kaluar vite, – tha ai. Pastaj iu kthye shoqëruesit tim: – Po dyert patën vonesa?

    – Nuk patën, – raportoi shoqëruesi. – Sapo rojat pyesnin “Kush është ky njeri që po vjen?” dhe merrnin përgjigjen time “Është Filani, i biri i Filanit”, shtatë portat e shtatë kateve hapeshin menjëherë.

    KE vazhdoi me mua.

    – Mirë se erdhe! Këtu ndodhesh në nivelin më të lartë. E sheh atë derën më të djathtë? Edhe ajo do të hapet për ty. Do të hapet një herë dhe përgjithmonë.

    Mirëpo, me gjasë, e vërejti ngurrimin tim. Prandaj m’u drejtua ndryshe.

    – Këtu nuk është zakon t’i pyesim të ardhurit. Por, ja, po bëj një përjashtim. Përpara se ta kesh kaluar atë derë, mos ke ndonjë dëshirë për të shprehur?

    E kisha të gatshme dëshirën dhe me doli në çast. KE s’e përmbajti të qeshurën, kur i foli shoqëruesit tim.

    – A s’është për t’u habitur?! – Pastaj i ndryshoi zëri, kur më foli mua. – Ata që arrijnë këtu, vijnë pa kujtesën e Tokës. Ajo kujtesë u fshihet. Madje, u fshihet edhe fshirja që është bërë. Megjithëse për arsyet tona ua dhamë në shkallë të papërsosur, jemi ne që ua shtimë në mend edhe inxhinierëve të Tokës programin e fshirjes së fshirjeve kompjuterike. E ti po thua se të ka mbetur një gjurmë?

    – Më ka mbetur, – pohova. – Prej vitesh të shkuara, qëkurse im bir e ndërmori para meje këtë udhëtim. Kur të vijë koha ime, mendoja atëherë, nuk e di se kush do të më përcjellë andej, por e di se cili do të më presë këtej. Do të më presë te pragu im bir.

    – Aty ku mbetet një gjurmë, rreth saj ka një vatër, – tha KE. – Dhe në atë vatër mund të ketë grimca të tjera.

    Kësaj here foli pa m’u drejtuar as mua, as shoqëruesit tim. M’u duk sikur, në një mënyrë të mistershme, po jepte e merrte mesazhe me dikë. Mos vallë, pa mikrofon e pa kufje, komunikonte me Absolutin?!

    Pastaj, për të verifikuar ndonjë grimcë tek unë, më pyeti:

    – Ku ndodheshit kur do të ndaheshit me djalin?

    – Në katin e shtatë, – thashë gjithë siguri.

    Me dyshimin se nuk e kisha dëgjuar mirë, KE e vuri përsëri në provë kujtesën time.

    – Po të pyes ku ndodheshit atëherë, jo ku ndodhesh tani.

    – Nuk gabohem për sa thashë, – ngulmova. – Nuk e di ç’pavione kishte në katet e tjera, por ai i Onkologjisë ishte në të shtatin. I binte kati më i epërm i spitalit. Biri im ka qenë i dhënë pas Letrave. Është për t’u çuditur, por pak përpara fundit, përktheu një tregim që mbante pikërisht titullin “Kati i Shtatë”. Tashmë më është mjegulluar përmbajtja. Vetëm më kujtohet shkallëzimi i kundërt i niveleve. Sa më keq bëhej pacienti, aq më tepër e zbrisnin kat pas kati, deri te niveli i nëndheshëm. Mos ia shtitë ju në mend tim biri?

    KE nuk më dha përgjigje. Ndoshta iu duk naive, ndoshta e parëndësishme kureshtja ime. Por tha (Mori urdhër apo vendosi vetë?) se do të më jepte një mundësi. Pastaj shtoi se, në gjendjen që isha unë, me gjasë s’e kisha fiksuar mirë paralajmërimin e tij.

    – Cilin? – u hodha në çast.

    – Atë të fshirjes së kujtesës. Kur dikush arrin deri këtu me kujtesën e Tokës, ngjan vërtet qesharak. Matanë, – dhe bëri shenjë nga dera në të djathtë, – nuk ka më lidhje gjaku e miqësie. Shkurt, nuk ekziston ky fenomen njerëzor. Duke u ndier të barabartë, ata të gjithë jetojnë në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

    Sidoqoftë, e mbajti fjalën për mundësinë, sepse ia dha shoqëruesit porosinë e veprimit. Ky më la para derës dhe vetë depërtoi matanë. Ai kishte për detyrë të gjente patjetër tim bir dhe t’ia bënte me dije dëshirën time. Se si depërtoi matanë, nuk e kuptova. Vetëm pati një çast që sikur m’u mbushën sytë prej një drite të kulluar dhe dëgjova zëra të hareshëm. Ndoshta edhe gurgullima burimesh, ndoshta edhe trokëllima kupash, ndoshta edhe kumbime kambanash. Por nëse kanë qenë kupa e kambana, më tingëlluan si prej argjendi.

    Unë para portës jam ende. Durimi nuk më mungon. Atje poshtë isha mësuar t’i thosha vetes shpesh: “Ngrihu, ngrihu edhe pak!” Poshtë të gjithë e dinë se vesi t’i thyen gjunjët, ndërsa virtyti është si fryma që nuk peshon. Dhe kështu, duke u shkëputur nga pluhuri i rrugës dhe duke u bërë më i lehtë, dalëngadalë sikur po ecja në majë të gishtave. A ishte kjo një parapërgatitje? Nuk di ta them.

    Sa kohë ka kaluar? KryeEngjëllin (KE) nuk e shoh më, megjithëse këtu asgjë nuk fshihet. Këtu nuk ka natë, ka vetëm ditë e dritë. Megjithatë, një frikë më angështon. Prandaj bëj gjithfarë hamendjesh. A do të jetë besnik shoqëruesi? A do t’ia thotë djalit fjalë për fjalë dëshirën time? E si do të përgjigjet ai? Do ta ngazëllejë bashkimi ynë në amshim dhe do të nxitojë të më dalë përpara?

    Kur të hapet dera për mua, po nuk e pashë te pragu, do të kërkoj të kthehem mbrapsht dhe do t’i lutem Supremit Absolut të merret tjetër vendim për mua. Nuk e dua Parajsën, nëse nuk kam qenë në gjendje të lë gjurmë të pashlyeshme tek im bir.

    Tiranë, prill 2020