Trashëgimtarët e Arthur Conan Doyle, shkrimtarit skocez autor i serisë së suksesshme të romaneve dhe tregimeve të lidhura me Sherlock Holmes, kanë hedhur në gjyq Netflix për mënyrën se si shfaqet investigatori i famshëm privat në filmin e ri të prodhuar nga platforma streaming “Enola Holmes”, me regji të Harry Bradbeer (regjizor edhe i Fleabag) dhe i përqëndruar tek motra e Holmes, Enola.
Romanet origjinale të Sherlock Holmes u shkruan në fund të shekullit të 19-të dhe Doyle ka kohë që ka ndwrruar jetë, por kjo nuk do të thotë që trashëgimtarët e tij nuk mund të padisin nëse besojnë se prona e tij intelektuale nuk po përdoret si duhet dhe respektohet.
Filmi i ri në të vërtetë është bazuar në serinë letrare, ‘The Enola Jones Mysteries’ të shkrimtares amerikane Nancy Springer. Por trashëgimtarët e Doyle theksojnë se personazhi i Holmes, i cili sidoqoftë shfaqet vazhdimisht në histori, i luajtur nga aktori britanik Henry Cavil, është shumë larg nga origjinali.
Pjesa më e madhe e romaneve origjinale të Sherlock Holmes janë tani të lira për publikun duke pasur parasysh kohën e kaluar nga botimi i tyre, por trashëgimtarët e Doyle i referohen veprës më të fundit të Doyle, botuar në vitet 1920. Ankesa kryesore ka të bëjë me mënyrën se si Cavil ka interpretuar Holmes, i cili rikthen një detektiv që emocionohet më shumë se ai i lindur nga pena e Doyle, i famshëm për një qëndrim tipik britanik edhe për fshehjen e emocioneve të tij.
Trashëgimtarët e Arthur Conan Doyle tashmë kanë paditur edhe përshtatje të tjera të Sherlock Holmes në të kaluarën. Në 2015 ata paditën një projekt tjetër, por lufta u zgjidh shpejt pa probleme. Do të shihet në javët në vijim nëse kjo mosmarrëveshje gjithashtu do të zgjidhet shpejt, duke marrë parasysh që filmi, i cili e sheh Millie Bobby Brown në rolin e Enola Holmes, duhet të arrijë në Netflix në shtator.