Partia e re e centriste që ka ndezur politikën amerikane

Prej disa muajsh, po bën bujë në Shtetet e Bashkuara organizata politike centriste No Labels: organizon debate dhe seminare, mban qëndrime mbi çështje të ndryshme aktualiteti e mbi të gjitha po shqyrton nëse do të paraqesë një kandidat të saj në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara më 2024.
Përpjekjet e këtij lloji janë shpesh të dështuara në sistemin politik amerikan, i strukturuar në mënyrë që të dominohet nga dy parti kryesore, në këtë rast ajo Republikane dhe ajo Demokratike. Sidoqoftë, në këtë fazë, No Labels po fiton njëfarë fame sepse grupi është shumë mirë i financuar – aq sa shpesh akuzohet se në të vërtetë është një lob që favorizon interesat financiare të donatorëve të tij kryesorë – dhe sepse konsensusi personal i udhëheqësve de fakto të dy partive, Presidentit Joe Biden për Demokratët dhe ish-presidentit Donald Trump për Republikanët, është jashtëzakonisht i ulët. Tashmë, prej vitesh republikanët kanë lëvizur shumë më në të djathtë, aq sa mjaft prej pozicioneve të tyre krahasohen me ato të partive evropiane të ekstremit të djathtë; pra gjithnjë e më të largët nga atp të demokratëve, të cilët nga ana e tyre janë zhvendosur gjithnjë e më shumë majtas dhe disa prej pozicionimeve të tyre po krahasohen me ato të ekstremit të majtë evropian.
Të themeluar më 2010 nga ish-drejtoresha e team për mbledhjen e fondeve të Partisë Demokratike, Nancy Jacobson dhe ish-senatori demokrat Joe Lieberman, sot komentator politik konservator, No Labels paraqetet si një lëvizje që përfaqëson njerëzit “e lodhur nga ekstremizmi i majtë dhe i djathtë” e që promovon “politikën e arsyeshme”. Pak ditë më parë publikuan një program politik prej 63 faqesh të përbërë kryesisht nga pozicione gjenerike dhe jo shumë të detajuara: mbi abortin, për një nga çështjet më delikate në debatin politik të SHBA-së, shkruajnë, për shembull, se “është e nevojshme të gjendet një ekuilibër midis mbrojtjes së të drejtave të grave për të kontrolluar shëndetin e tyre riprodhues dhe përgjegjësisë së shoqërisë sonë për të mbrojtur jetën e njeriut”. Programi është përshkruar nga New York Times si “shumë i përqëndruar në identifikimin e problemeve dhe shumë pak në zgjidhje konkrete”, pra në ato çështje politikisht më të ndjeshme e më delikate për t’u shpjeguar.
Arritjet më të dukshme të “No Labels” deri më tani ka qenë krijimi Problem Solvers Caucus në Dhomën e Përfaqësuesve, një grup prej rreth 60 ligjvënësish të ndarë në mënyrë të barabartë midis Demokratëve dhe Republikanëve që synon të promovojë bashkëpunimin mbi çështje të caktuara politike dhe të luftojë polarizimin në rritje të politikës amerikane.
Që më 2018, deputeti demokrat Mark Pocan ishte larguar nga Caucus duke thënë se grupi dukej më shumë si “një korsi preferenciale për interesat private dhe lobistët” dhe bllokonte të gjitha iniciativat e kryetares së atëhershme demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Kur Pocan i pati pyetur, No Labels pati refuzuar të ndajnë me të emrat e donatorëve të tyre kryesorë dhe pavarësisht se pretendonte të ndante fondet në mënyrë të barabartë midis kandidatëve republikanë dhe demokratë, organizata kishte shpenzuar gati dy herë më shumë për të ndihmuar në zgjedhjen e kandidatëve të njërit krah ndaj tjetrit.
Çështja e donatorëve mbetet e hapur. Duke qenë e regjistruar si një organizatë jofitimprurëse, No Labels nuk ka pse të zbulojë emrat e financuesve, por është diçka që bëhet shpesh nga organizata të ngjashme për arsye transparence. Gjatë viteve, disa hetime gazetareske kanë zbuluar se grupi ka marrë disa fonde nga donatorë progresistë, por se shumica e fondeve të tij vijnë nga kompani financiare dhe figura mjaft konservatore. Revista amerikane The New Republic ka zbuluar së fundmi se si një donator i rëndësishëm për No Labels midis 2019 dhe 2021 ishte edhe miliarderi konservator Harlan Crow, një donator historik i Partisë Republikane dhe i njohur për pozicionet e tij ekstremisht konservatore.
Me afrimin e zgjedhjeve të 2024, No Labels kanë thënë në mënyrë eksplicite se po konsideronin të prezantonin një kandidat të tyrin presidencial, përveç atyre të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane. Momenti nuk është i rastësishëm: duke përjashtuar ndonjë surprizë aktualisht të paparashikueshme, kandidati i demokratëve do të jetë presidenti në largim Joe Biden, ndërsa kandidati i republikanëve do të jetë ish-presidenti Donald Trump, deri tani favorit për të fituar primaret republikane, pavarësisht sprovave të shumta dhe polemikave publike në të cilat ka përfunduar. Sipas sondazheve të fundit, ndër të cilët një nga stacioniet televizive amerikane CNN, më shumë se 30 përqind e votuesve nuk duan të votojnë për asnjërin nga kandidatët, një rezultat që në të njëjtin sondazh të vitit 2020 ishte vetëm 5 përqind.
Polarizimi në rritje i politikës amerikane dhe qëllimi për të shkuar përtej ndarjeve midis partive është arsyeja zyrtare se përse grupi po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një kandidati për president të cilit i bashkangjitet një zëvendëspresident që vjen nga partia kundërshtare. Emrat që qarkullojnë deri më tani janë mbi të gjithë ato të senatorit demokrat të Virxhinias Perëndimore Joe Manchin – senatorit demokrat më të djathtë të partisë, i konsideruar për këtë arsye një nga politikanët më të fuqishëm të këtyre viteve – dhe ish-guvernatorit republikan të Utah dhe ish-ambasadorit amerikan në Rusi gjatë presidencës së Donald Trump, Jon Huntsman.
Gjatë muajve të fundit, grupi ka nisur një fushatë për grumbullim fondesh me synimin për të mbledhur 70 milionë dollarë për të nisur hapat burokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e 2024ës, përfshirë edhe një fushatë firmash në nivel kombëtare që mundëson përfshirjen e emrit të një kandidati të tretë në fletët e votimit në të gjitha shtetet. Në disa shtete tashmë ia ka arritur, duke krijuar paksa çoroditje në politikën tradicionale. Në Arizona, ku Biden fitoi më 2020 me vetëm 10,000 vota më shumë, Partia Demokratike ka paditur No Labels për refuzimin e publikimit të emrave të donatorëve të saj, duke qenë se në atë shtet është bërë ligjërisht një parti politike dhe partitë politike e kanë për detyrim deklarimin e donatorëve.
Paqartësia e organizatës po bën që mjaft politikanë demokratë të akuzojnë se qëllimi i vërtetë i No Labels është t’i heqë votat Partisë Demokratike për të avantazhuar republikanët.
Është praktikisht e pamundur që një kandidat i tretë, i pavarur të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA: presidenti i fundit që vinte as nga Partia Demokratike dhe as nga Partia Republikane është zgjedhur në fund të viteve ‘800.
Sistemi zgjedhor i zgjedhjeve presidenciale në SHBA favorizon strukturisht kandidatët e partive të mëdha: çdo kandidati i bashkangjitet një listë prej 538 zgjedhëshish të mëdhenj (njerëz të zgjedhur nga komitetet elektorale) dhe në 48 shtete nga 50 zgjedhësit e mëdhenj zgjidhen me sistem mazhoritar: kandidati që merr një votë më shumë se të tjerët i fiton të gjithë zgjedhësit e mëdhenj të shtetit. Që do të thotë se nuk ka asnjë ndryshim midis fitores me 30 për qind të votave – supozojmë se ka më shumë kandidatë për të ndarë votat – apo asaj me 90 për qind të votave: kushdo që merr një votë më shumë se të tjerët, i fiton të gjitha. Është një sistem që si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe gjetkë përfitojnë partitë më të mëdha, të vetmet me strukturën dhe burimet për të konkurruar në një vend kaq të madh sa Shtetet e Bashkuara.
Në këtë sistem, një kandidat i tretë i mundshëm ka shumë pak shanse për të fituar dhe zakonisht përfundon vetëm duke i marrë votat njërit prej dy kandidatëve kryesorë. Dhe ka ndodhur që ndonjëherë të fitojë aq sa të rezultojë vendimtar në fitoren e njërit prej dy kundërshtarëve. Ishte rasti i kandidatit të pavarur Ross Perot: mendohet se më 1992 ai i hoqi një pjesë votash të moderuara kandidatit republikan George HW Bush, presidenti në largim, duke i dhënë mundësinë demokratit Bill Clinton të fitonte zgjedhjet me vetëm 43 për qind të votave popullore.
Në të njejtën mënyrë, disa sondazhe të raportuara nga New York Times sugjerojnë se një kandidat i moderuar si ai i No Labels nuk do të kishte asnjë shpresë për të fituar zgjedhjet e 2024, por mund të rrezikonte rizgjedhjen e Joe Biden, i cili aktualisht jepet si fitues nëse kandidati republikan do të ishte Donald Trump. Në një intervistë të fundit me stacionin televiziv amerikan NBC, bashkëthemeluesja dhe drejtoresha aktuale e No Labels, Nancy Jacobson, ka thënë se nëse kjo kandidaturë do të bëhej vërtet vendimtare për fitoren e Trump kundër Bidenit, ajo do ta tërhiqte, por refuzoi të shpjegojë se cili do të jetë matësi me të cilin organizata e saj do ta marrë këtë vendim.
Përgatiti për gazetatjeter.com: Dardan MITROVICA