Fle me ventilatorin ndezur? Ide shumë e keqe

Zbulo se cilat janë rreziqet e përdorimit të ventilatorëve edhe gjatë valës së të nxehtit që po kalojmë. Ja pse nuk është një ide e mirë
Këto ditë po përjetojmë një valë anormale të të nxehtit. Bëhet fjalë për një kohë vërtet e tmerrshme për shumë prej nesh, të cilët po mbështeten në metoda pak a shumë konvencionale për ta luftuar. Sidoqoftë, ka një problem: përdorimi i ventilatorëve nuk është gjithmonë një mënyrë e sigurt për të përballuar këtë urgjencë. Por për çfarë arsye? Shkojmë ta zbulojmë së bashku.
Vala e të nxehtit që po na gjunjëzon
Valët e të nxehtit tregojnë për një periudhë të zgjatur të kushteve metereorologjike ekstreme, të ngjashme me atë që po përjetojmë në këtë korrik 2023.
Këto kushte parashikojnë:
- Temperatura të larta, mbi vlerat e zakonshme
- Vlerat e larta lagështie relative
- Qëndrueshmëri të këtyre vlerave anormale për disa ditë
E pra, valët e të nxehtit mund të kenë efekte shkatërruese mbi shëndetin e njeriut, mbi të gjitha sepse ndikojnë në sistemet e rregullimit të temperaturës së trupit tonë. Dhe kjo ndodh si në mënyrë direkte ashtu dhe indirekte, për shembull kur përdorim ventilatorë ose kondicionerë për të luftuar nxehtësinë.
Rreziqet e ventilatorit: mos e përdorni kur fle
Ventilatorët janë një zgjidhje ekonomike për të luftuar në një mënyrë pak a shumë të thjeshtë problemet që lidhen me nxehtësinë. Ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse përziejnë ajrin e ndenjur në dhomë mirëpo kalimi i atij ajri nëpër trupin e njeriut (më i ftohtë se temperatura e dhomës) jep një ndjenjë lehtësimi të menjëhershëm, pasi ndihmon në shpërndarjen e nxehtësisë.
Deri këtu mirë, po të mos ishte se ventilatorët mekanikë janë të rrezikshëm, veçanërisht nëse përdoren gjatë natës.
Nëse në mbrëmje shkon në shtrat dhe përdor ventilatorin gjatë gjithë natës, përpiqu të mos e drejtosh drejtpërdrejt nga vetja.
Përkundrazi, rregullojeni në mënyrë që ajri të qarkullojë në të gjithë dhomën, përndryshe rreziku bëhet i madh. Depërtimi i drejtpërdrejtë i ajrit nga ventilatori në trupin e njeriut, në fakt, mund të nxisë dehidratimin, veçanërisht për ata njerëz që nuk pinë shumë lëngje gjatë ditës.
Për më tepër, tehet e ventilatorit kanë një efekt tharës mbi mukozë, sy dhe gojë. Kjo çon në një dhimbje klasike dhe të bezdisshme të fytit në zgjim.
Pastaj, nëse vuani nga alergjitë, ventilatori mund të jetë i rrezikshëm sepse me lëvizjen e tij mund të qarkullojë si pluhurin ashtu edhe alergjenët e tjerë të pranishëm në mjedis.
Çfarë të bëjmë për të luftuar valët e të nxehtit?
Nëse do që të luftosh në mënyrë efektive valët e të nxehtit, rekomandojmë të bësh një sërë gjërash:
- Të pish të paktën një litër e gjysmë ujë në ditë (më shumë nëse zhvillon aktivitet fizik);
- Ushqehu me vakte të lehta dhe të shijshme, duke favorizuar frutat dhe perimet;
- Vish veshje me ngjyra të çelura, sa më të gjera që të jetë e mundur, deri transparente;
- Mos bëj dush dhe banjë të ftohtë: përdor ujë me temperaturë mesatare për të shmangur ndryshimet e papritura të temperaturës së trupit;
- Mbulohu kur kalon nga një mjedis shumë i nxehtë në një tjetër me ajër të kondicionuar;
- Mbro xhamat e dritareve me tenda, perde ose mbulesa të ndryshme;
- Mos hy menjëherë në një makinë që ka qëndruar në diell për një kohë të gjatë, por lëri dyert hapur për disa minuta përpara se të nisësh rrugën.
Përgatiti për gazetatjetër.com: Darina DANI