Ja kush janë dhe çfarë bëjnë oligarkët pranë Putinit

Këshilli Evropian ka hartuar një “listë të zezë” me emrat e miliarderëve në rrethin e ngushtë të presidentit rus
Sanksionet kundër oligarkëve rusë pranë presidentit rus Vladimir Putin kanë qenë një nga masat kryesore të ndjekura nga të gjitha autoritetet evropiane, e konsideruar si një nga mjetet më efektive për të goditur Moskën për luftën në Ukrainë. Orët e fundit, Këshilli Evropian ka identifikuar 26 profile pranë Carit, ndaj të cilëve do të merren masa ndëshkuese si ngrirja e aseteve dhe ndalimi i hyrjes dhe kalimit transit nëpër territorin e vendeve të BE-së.
Cilët janë oligarkët rusë të afërt me Putinin në shënjestër të sanksioneve?
26 emrat e përfshirë në “listën e zezë” të Brukselit i përkasin një sërë personalitetesh që përfaqësojnë përqendrimin e fuqisë ruse brenda dhe jashtë vendit, emrat kryesorë për mbështetjen ekonomike dhe konsensusin për qeverinë e Moskës.
Bëhet fjalë për drejtuesit e kompanive kryesore energjitike të Rusisë, por edhe për gazetarë aktivë në propagandë dhe subjekte të tjerë shumë afër Putinit si violonçelisti Roldugin me pesë kompanitë e tij offshore dhe zëdhënësi i Kremlinit.
Kështu, oligarkët famëkeq rusë zgjerojnë listën e cila tashmë i përfshin 680 emra dhe 53 kompani dhe institucione të sanksionuara nga BE-ja.
Të bërë miliarderë në fund të viteve ’90 nëpërmjet privatizimeve të ish kompanive shtetërore, në sektorët e naftës, çelikut dhe lëndëve të para, ata u pasuruan falë parajsave fiskale si edhe përmes sistemit bankar të Qipros.
Këta magnatë, të konsideruar si mbështetës të regjimit të Putinit, duke filluar nga vitet 2000 e deri më sot, i kanë investuar pasuritë e tyre në tregjet perëndimore duke blerë pallate nëpër qytete, vila në vendet më prestigjioze dhe jahte gjigante.
Cilët janë dhe çfarë bëjnë oligarkët famëkeq afër Putinit: lista
Në listën prej 15 faqesh të publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian raportohen emrat, edhe në gjuhën cirilike, me të dhëna personale, foto, CV, një përshkrim të shkurtër të roleve të tyre dhe arsyet që konsiderohen objektiva të sanksioneve të Brukselit.
Ndër personazhet më të spikatura janë Igor Sechin, mik personal i Putinit dhe CEO i Rosneft, kompani shtetërore ruse e naftës, ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës bruto, Mikhail Fridman, themelues dhe aksioner i Alfa Group, konglomerat financiar që ka një nga bankat kryesore ruse, me asete të vlerësuara prej 10 miliardë dollarësh dhe Petr Aven, një nga aksionerët kryesorë të grupit.
Po në këtë listë janë edhe oligarkët si Nikolay Petrovich Tokarev, CEO i kompanisë së naftës dhe gazit Transneft, që me Putinin ka shërbyer në KGB në vitet 1980 apo Alisher Usmanov, biznesmen kryesisht në sektorin e çelikut me asete prej 19.7 miliardë dollarësh, apo Alexey Alexandrovits Mordaschov president i Severstal dhe Severgroup me asete prej 21.9 miliardë dollarësh.
Në listë janë edhe disa personalitete mjaft të njohura, si zëvendëskryeministri Chernyshenko apo zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov, si edhe disa gazetarë dhe drektues të propagandës ruse si Olga Vladimirovna Skabeyeva bashkëthemeluese dhe kryeredaktore e portalit Regnum së bashku. me kolegun Modest Alexeyevich Kolerov dhe prezantuese, së bashku me bashkëshortin Yevgeniy Popov, të emisionit më të njohur politik në Rusi, “60 minuta”./ Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA