Kur përmendet fjala engjëll, shumica e njerëzve krijojnë menjëherë të njëjtën figurë në mendje. Një qenie të bukur, me fytyrë të qetë, me krahë të bardhë, e mbështjellë nga drita dhe plot paqe. Në shumë piktura, skulptura dhe filma, engjëjt paraqiten si qenie të mrekullueshme, pothuajse njerëzore, që qëndrojnë pranë njerëzve si mbrojtës të heshtur.
Por, sapo hapen faqet e Biblës, panorama ndryshon në mënyrë të pabesueshme. Aty nuk hasen gjithmonë figurat elegante që arti perëndimor ka popullarizuar prej shekujsh. Përkundrazi, përshkrimet biblike flasin për krijesa të fuqishme, të frikshme dhe shpesh të pakuptueshme për mendjen njerëzore.
Në shumë raste, engjëjt shfaqen si roje të drejtësisë hyjnore, si luftëtarë qiellorë apo lajmëtarë që mbartin vendime të mëdha. Disa prej tyre madje, përshkruhen me shumë fytyra, të tjerë me dhjetëra sy, ndërsa ka edhe të tilla që ngjajnë me rradhë të mbushura me sy pafund.
Pikërisht këtu lind pyetja që vazhdon të magjepsë studiuesit, teologët dhe besimtarët: si janë në të vërtetë engjëjt, si duken ato? Përgjigjja që na vjen prej shkrimeve të shenjta është shumë më komplekse, shumë më misterioze dhe ndoshta shumë më tronditëse sesa miti që dominon sot kulturën moderne.
Nga pikturat e Rilindjes tek përshkrimet biblike
Në fakt, figura moderne e engjëllit nuk ka lindur drejtpërdrejt nga Bibla. Shumë prej imazheve që njihen sot janë fryt i zhvillimit artistik europian, veçanërisht gjatë periudhës së Rilindjes Italiane.
Artistët e kohës filluan t’i paraqisnin engjëjt si qenie të hijshme, me fytyra harmonike dhe krahë të mëdhenj. Kjo estetikë krijoi modelin që do të dominonte imagjinatën kolektive për shekuj.
Megjithatë, tekstet biblike ofrojnë një pamje të ndryshme. Engjëjt përshkruhen si manifestime fizike të qenieve shpirtërore, por karakteristikat e tyre shpesh mbeten të paqarta dhe misterioze. Në vend të figurave të qeta, lexuesi përballet me krijesa që mishërojnë pushtet, autoritet dhe madhështi të pakufishme.
Një nga paraqitjet më të hershme ndodhet në Librin e Zanafillës. Pas dëbimit të Adamit dhe Evës nga Edeni, një engjëll vendoset si rojtar i hyrjes së parajsës. Në dorë mban një shpatë të zjarrtë, simbol i gjykimit dhe mbrojtjes së urdhrit hyjnor.
Ky imazh bie ndesh me perceptimin romantik që është përhapur në kulturën popullore. Këtu nuk kemi të bëjmë me një figurë ngushëlluese, por me një rojtar të pamëshirshëm që ruan kufirin ndërmjet njeriut dhe të shenjtës.
Për shumë studiues të fesë, pikërisht këto përshkrime tregojnë se koncepti modern i engjëjve biblikë është transformuar ndjeshëm nga arti dhe tradita kulturore.
Vizioni i Ezekielit dhe hierarkia e ushtrisë qiellore
Një nga rrëfimet më të jashtëzakonshme gjendet në Librin e Ezekielit. Profeti përshkruan një vizion të mahnitshëm ku fuqia hyjnore shfaqet e rrethuar nga qenie që sfidojnë çdo përpjekje njerëzore për t’i përfytyruar.
Nga ky rrëfim kanë lindur disa prej interpretimeve më të njohura rreth hierarkisë së engjëjve.
Struktura tradicionale përmend nëntë kategori që ndahen në tri nivele të mëdha. Në kulm qëndrojnë Serafinët, Kerubinët dhe Ofanimët, të konsideruar si qeniet më pranë fronit hyjnor.
Serafinët përshkruhen me gjashtë krahë. Dy përdoren për të mbuluar fytyrën, dy për këmbët dhe dy të tjerë për fluturim. Afërsia e tyre me praninë hyjnore i vendos në majën e rendit qiellor.
Kerubinët përfaqësojnë një tjetër figurë mbresëlënëse. Sipas përshkrimeve tradicionale, ata posedojnë katër fytyra: të njeriut, luanit, kaut dhe shqiponjës. Kjo i bën ndër qëniet më enigmatike të përmendura në shkrimet e shenjta.
Akoma më të pazakontë janë Ofanimët, krijesa që shpesh identifikohen si rrathë të mbuluara me sy. Ata simbolizojnë drejtësinë, autoritetin dhe vigjilencën absolute.
Pikërisht këto figura kanë nxitur debate të shumta mes teologëve. Shumë prej tyre argumentojnë se përshkrimet nuk synojnë të japin forma biologjike, por të komunikojnë madhështinë e pakufizuar të botës shpirtërore.
Në çdo rast, një gjë mbetet e qartë: Bibla paraqet qenie që janë shumë larg stereotipit të engjëllit të buzëqeshur që shfaqet në kartolina apo piktura dekorative.
Luftëtarët, mbrojtësit dhe lajmëtarët e urdhrit hyjnor
Poshtë triadës më të lartë renditen kategori të tjera me funksione specifike. Dominimet, Virtytet dhe Pushtetet formojnë shtresën e mesme të botës qiellore.
Dominimët konsiderohen mbikëqyrëse të rendit hyjnor. Roli i tyre lidhet me koordinimin e niveleve të tjera të ushtrisë qiellore dhe zbatimin e urdhrave të lartë.
Nga ana tjetër, Virtytët përshkruhen si bartëse të forcës shpirtërore. Tradita i lidh me frymëzimin e guximit, besimit dhe qëndrueshmërisë tek njerëzit.
Po aq të rëndësishëm janë Pushtetet, të cilat paraqiten si mbrojtës kundër forcave të errësirës. Në shumë interpretime, ata shihen si luftëtarë të rendit kozmik.
Më poshtë ndodhen Principatët, Kryeengjëjt dhe Engjëjt. Këto kategori lidhen më drejtpërdrejt me botën njerëzore.
Principatat konsiderohen mbrojtëse të kombeve dhe komuniteteve. Ndërsa Kryeengjëjt, figura si Mikaeli, Gabrieli dhe Rafaeli, mbajnë role të veçanta në traditën biblike.
Mikaeli identifikohet me luftën dhe mbrojtjen. Gabrieli njihet si lajmëtar i ngjarjeve të mëdha hyjnore. Rafaeli lidhet me shërimin dhe ndihmën shpirtërore.
Në fund të hierarkisë qëndrojnë engjëjt që ndërveprojnë më shpesh me njerëzit. Tradita i konsideron ata si mbrojtës personalë dhe ndërmjetës të afërt me jetën e përditshme. Interesant është fakti se sa më poshtë në hierarki të renditet një engjëll, aq më njerëzore bëhen zakonisht paraqitjet e tij.
Pse shfaqja e tyre shkaktonte frikë dhe jo qetësi
Një element i përsëritur në shumë tregime biblike është reagimi i njerëzve kur përballen me një engjëll.
Frika! Në vend që të ndihen të qetë, personazhet biblikë shpesh mbeten të tmerruar nga prania e tyre. Pikërisht për këtë arsye, frazat “mos ki frikë” ose “mos u tremb” shfaqen vazhdimisht në rrëfimet që lidhen me paraqitjet engjëllore.
Burimi i kësaj frike nuk lidhet domosdoshmërisht me agresivitetin. Përkundrazi, përshkrimet sugjerojnë një fuqi dhe një shkëlqim kaq të madh, saqë njeriu nuk mund t’i përballojë lehtësisht.
Një tjetër detaj që habit shumë lexues është mungesa e përshkrimeve të qarta për krahët tek shumica e engjëjve njerëzorë. Në tekstet biblike, krahët përmenden kryesisht te Serafinët dhe Kerubinët.
Kjo bie ndesh me ikonografinë e zakonshme që i pajis pothuajse të gjithë engjëjt me krahë të mëdhenj dhe të bardhë.
Shkrime të ndryshme përmendin gjithashtu shpata të zjarrta, shtylla zjarri, dritë verbuese dhe energji të pastër. Në Letrën drejtuar Hebrenjve, engjëjt lidhen me figurën e flakës, duke krijuar idenë e qenieve që tejkalojnë çdo nocion fizik.
Edhe figura e njohur si Engjëlli i Vdekjes paraqitet si instrument i gjykimit hyjnor. Megjithëse përshkrimi fizik mungon, prania e tij paraqitet si e frikshme dhe vendimtare.
Kjo është arsyeja pse shumë studiues argumentojnë se Bibla nuk kërkon të pikturojë bukurinë e engjëjve, por madhështinë e tyre dërrmuese.
Si lindi miti modern i engjëjve me fytyrë fëmije
Nëse Bibla i përshkruan engjëjt në mënyrë kaq misterioze, atëherë nga erdhi imazhi i fëmijëve me krahë që njohim sot?
Përgjigjja gjendet te arti europian dhe ndikimet e botës klasike.
Gjatë Rilindjes Italiane, shumë artistë nisën të ndërthurin temat e krishtera me elementë të trashëguar nga mitologjia greke dhe romake. Figura e Erosit grek dhe më vonë e Kupidit romak ndikoi fuqishëm në mënyrën se si përfaqësoheshin krijesat qiellore.
Fëmijët e vegjël me flokë kaçurrela, fytyra të pafajshme dhe krahë të vegjël u shndërruan gradualisht në një simbol të dashurisë dhe pastërtisë.
Ky transformim artistik krijoi një realitet të ri vizual që mbizotëroi mbi përshkrimet biblike.
Një nga shembujt më të njohur mbetet vepra “Madona Sistine” e Rafaelit, ku dy engjëj të vegjël shfaqen në pjesën e poshtme të pikturës. Ajo figurë është bërë aq e famshme sa për shumë njerëz përfaqëson automatikisht konceptin e engjëllit.
Sot, hendeku mes artit dhe tekstit biblik mbetet i madh. Nga njëra anë qëndrojnë pikturat e njohura që kanë formësuar kulturën popullore. Nga ana tjetër qëndrojnë përshkrimet e lashta që flasin për krijesa misterioze, të fuqishme dhe shpesh të pakapshme për imagjinatën njerëzore.
Pikërisht ky kontrast vazhdon të ushqejë debatet mbi pamjen reale të engjëjve, një temë që magjeps breza të tërë dhe që edhe sot mbetet mes mistereve më intriguese të traditës biblike.








