Blog

  • Boksi rikthehet në cirk? Tajson na shpëto nga farsa!

    Boksi rikthehet në cirk? Tajson na shpëto nga farsa!

    Historia na tregon për raste të ndryshme (pak a shumë të besueshme) boksierësh të ngjitur në ring të moshës rreth 50 vjeçare. Rikthimi i “më të keqit” të shton kuriozitetin edhe prej formës së tij të jashtzakonshme fizike

    Një tip, i quajtur Steve Ward, një peshë e mesme nga Notingami, mban rekordin e diskutueshëm të boksierit më të vjetër në ringun profesionist: më 12 dhjetor 2015 në Shirebrook rezistoi tre raunde ndaj Jody Meikle në moshën 59 vjeçare e katër muaj.

    Më domethënës është rekordi i kampionit më të vjetër botëror i mbajtur nga Bernard Hopkins kur mbrojti me sukses Botërorin e Peshave të Lehta kundër Beibut Shumenkov në Uashington, 19 prill 2014.

    Ndërsa, George Foreman është më i vjetri i peshave të rënda që është bërë kampion bote: ishte 45 vjeç e 299 ditë kur më ’94 shkelmoi nga froni Michael Moorer në Las Vegas. Më tej, në epokën pionieristike pati fenomene si Bob Fitzsimmons dhe Jack Johnson të cilët u ndeshën edhe përtej 50 vjetëve.

    Të gjitha këto për të thënë se në boks dallimi midis fenomenit finok dhe sipërmarrjes sportive është shumë delikate: jo për gjë, nëpër vende të ndryshme evropiane, për të dekurajuar boksierët që të vazhdojnë aktivitetin përtej kufijve natyrorë të fizikut të tyre, ka qenë përcaktuar një moshë limit: fillimisht 35 vjet, pastaj 40 vjet dhe më pas… “mjafotn të kalohen vizitat mjekësore”.

    Me pak fjalë, sa mund të vlejë performanca që MikeTyson, ish boksieri i “më i keq i Planetit”, do të japë në 12 shtator në Carson, në periferi të Los Angeles, në moshën 54 vjeçare? Sa do të vlejë kundërshtari i tij që nuk është Evander Holyfield por ai Roy Jones, 51 vjeçari të cilin ne e njohim mirë jo vetëm për 4 kurorat botërore, por për të qenët në Seul ’88, “i grabituri” më i madh në historinë Olimpike?

    Vërtetë, ndryshimin midis spektaklit nga ngjarja e bëjnë protagonistët dhe Tyson gjatë stërvitjes së tij po i entuziazmon fansat, por farsat, veçanërisht në boks, janë diku aty, rrotull.

  • Merr ndihmën anti-Covid, ble një Lamborghini

    Merr ndihmën anti-Covid, ble një Lamborghini

    Historia e një sipërmarrësi në Maiami që vendosi të përdorë paratë për të blerë një makinë luksi

    Është thuajse e pabesueshme historia që do t’ju tregojmë, por ka ndodhur vërtetë. Një sipërmarrës nga Miami ka përfituar nga paratë e marra nga shteti për t’u përballur me krizën e thellë të shkaktuar nga Coronavirus, duke e përdorur atë në një mënyrë disi të çuditshme.

    Paycheck Protection Program në SHBA parashikon dhënien e një ndihme federale për ata që duhet të paguajnë punonjësit e tyre dhe janë në vështirësi për shkak të pandemisë Covid-19. David T. Hines është menaxheri që ka vendosur mirë të përdorë një pjesë të këtyre parave të çmuara që mori në maj, dhe bëhet fjalë për një shumë jo të parëndësishme, përkundrazi, reth 4 milionë dollarë (ekzaktësisht 3.984.557) e barabartë me rreth 3.400 000 euro, për të përballuar shpenzime personale dhe jo të lidhura me kompaninë.

    Çfarë bleu ndonjë gjë të veçantë? Një fantastike dhe super të shtrenjtë hypercar luksi, të cilën të gjithë e njohim mirë, Lamborghini Huracan. Ai sigurisht që u zbulua dhe u arrestua. Akuza për Hines (shkruhet në New York Times) është për mashtrim bankar. Në fakt, sipërmarrësi nga Miami bëri ka bërë një deklaratë të rreme në një institut krediti duke kryer transaksione nga të ardhura të paligjshme. Në rast se ai do të dënohet për të gjitha akuzat, numri i përgjithshëm i viteve të burgut mund të shkojë deri në 70.

    David T. Hines është një nga sipërmarrësit e shumtë që, në Shtetet e Bashkuara, kanë bërë kërkesa për ndihmë nga programin federal i mbrojtjes së pagave të fundmuajit. Menaxheri kishte deklaruar të ishte kreu i katër kompanive të ndryshme, me rreth 70 punëtorë në të gjithë. Shpenzimet mujore të punës, sipas asaj që ka deklaruar në aplikimin e tij, shkonin në 4 milion dollarë. Kjo është arsyeja pse, një muaj pas kërkesës së bërë në prill, atij iu dha ndihma prej 3,984,557 dollarë.

    Sipas New York Times, në të vërtetë, nga një përmbledhje e të dhënave financiare të Hines, u vërejt se nga të gjitha paratë e marra nga shteti, vetëm një pjesë e vogël është përdorur vërtetë për shpenzime të ligjshme biznesi, dhe pjesa tjetër u përdor, për shembull 318.497 dollarë, për të blerë një Lamborghini Huracan fantastik blu. Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara ka krijuar Paycheck Protection Program, që shërben për të mbështetur bizneset e vogla dhe për të mbajtur punonjësit e tyre gjatë krizës së Koronavirusit.

  • Turizmi antistres, vende të çmendura për të ulëritur me sa kemi në kokë në Islandë

    Turizmi antistres, vende të çmendura për të ulëritur me sa kemi në kokë në Islandë

    Supozojmë se jemi përpara një peizazhi marramendës. Ndoshta në Islandë. Madje, mbas kapërcimit të një pandemie që na mbajti të mbyllur në shtëpi për 4 muaj. Pse të mos e provojmë gjetjen e re të lançuar nga turizmi islandez?

    Bëhet fjalë për nismën “Let it out”, që lind për të hequr qafe stresin e grumbulluar në këtë periudhë mbylljeje. E strukturuar sipas “Scream Therapy” (terapia e ulërimës), agjensia M&C Saatchi London prenton vende të çmendura ku mund të bërtisni me sa keni në kokë për t’u larguar njëherë e mirë nga “bad vibes”.

    E për më tepër, për ata që nuk kanë planifikuar ende udhëtime post lockdown, është krijuar me të njejtin princip një websit ku mund të regjistroni ulërimën tuaj në vendet e mrekullueshme të Nordikut. Ende nuk jeni i bindur? Për ta bërë përvojën edhe më unike, janë futur 7 shtëpi nga disa vende të Islandës, kështu që mund ta dëgjoni live nga shtëpia juaj!

  • Kujdes me lekët falas

    Kujdes me lekët falas

    Shtetet po futen në borxhe më shumë se kurrë, pa pasojat që do të kishin patur para pandemisë: sipas The Economist, është fillimi i një epoke të re ekonomike, e cila krijon mundësi dhe ka rreziqe

    Prej muajsh në shumë sektorë dhe fusha të ndryshme – të gjithë? – pyesim se çfarë do të ndodhë kur ta kemi kapërcyer krizën aktuale shëndetësore dhe ekonomike, dhe shumë diskutime rrotullohen rreth një pyetjeje të madhe: a do të rikthehemi në “normalitet”, ku me normalitet nënkuptojmë situatën para pandemisë së koronavirusit? Apo normaliteti ka ndryshuar një herë e përgjithmonë? Numri i fundit i The Economist i ka kushtuar një editorial sistemit ekonomik të shteteve më të pasura në botë, duke shtruar pyetjen nëse do të rikthehet ajo që ishte më parë e duke ju përgjigjur me një “jo” të fortë.

    [Pandemia] ka çuar në një garë të dëshpëruar për të zbatuar ato politika që vetëm disa muaj më parë do të dukeshin të paimagjinueshme ose heretike. Rezultati është që një në ekonomi po ndodh ndryshim i thellë, i llojit që ndodh vetëm një herë për gjeneratë.

    Economist vazhdon duke shpjeguar se nuk është hera e parë që një krizë botërore determinon një ndryshim kaq të thellë në dinamikën globale ekonomike dhe financiare: në vitet ’70 një rritje e madhe e çmimeve të naftës shkaktoi një krizë globale ekonomike dhe si pasojë kalimin në politikën ekonomike të njohur si “monetarizëm”, që lidhte ngushtë inflacionin me sasinë e parave që qarkullonin në treg. Në vitet 1990, një krizë e re botërore bëri që bankat qendrore të botës të fitonin një pavarësi më të madhe nga fuqitë politike, duke siguruar një normë interesi relativisht të qëndrueshme në kohë.

    Kriza ekonomike që filloi në vitin 2007 ishte një moment i mundshëm i kalimit në një sistem të ri politikash ekonomike, por për habi të disa analistëve nuk ndodhi. Por ndryshimi që nuk ndodhi, u aktivizua, sipas editorialit, nga kriza e lidhur me epideminë COVID-19. Kjo epokë e re dallohet nga katër karakteristika:

    • Karakteristika e parë është dimensioni tronditës i borxheve të garantuara për qeveritë aktuale, dhe potenciali në dukje i pakufishëm për kreditë në të ardhmen. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që shtetet e pasura do të huazojnë 17 përqind të PBB-së së tyre këtë vit për të financuar 4200 miliardë dollarë në shpenzime dhe ulje taksash, të përcaktuara për të mbajtur funksionale ekonominë.
    • Karakteristika e dyta e “epokës së re” është emetimi masiv i parave të reja, të përdorura për të financuar borxhet e larta publike të shteteve duke mbajtur një normë të ulët interesi.
    • Karakteristika e tretë evidenton një rrezik: Shteti i ka atribuar vetes rolin e “rishpërndarësit të kapitalit”, si një nga lojtarët e vetëm të tregut financiar i gatshëm për të blerë aksione të kompanive kryesore të ekonomisë dhe të financojë spitalet dhe shoqata jofitimprurëse. Kjo situatë i jep Shtetit fuqinë që të vendosë se çfarë të financojë dhe çfarë jo, duke krijuar një ndikim politik në ekonomi që Economist i konsideron shqetësuese.

    Përpara krizës, shtypja masive e parave kompensohej nga inflacioni, domethënë rritja e çmimeve dhe si rrjedhojë humbja e vlerës së parave të shtypura. Por karakteristika e katërt e cituar nga Economist është pikërisht inflacioni i ulët, pavarësisht politikave monetare kaq agresive. Kjo është arsyeja pse i quan “para falas” shifrat e marra borxh me bollëk nga Shtetet (si përshembull në rastin e Fondit të Rimëkëmbjes Evropiane, atëherë, as që mund të flitet gjithnjë për një kredi në kuptimin e njohur zakonisht: ato janë para të hedhura në fondin e humbur, pra fjalë për fjalë “lekë falas”).

    Sipas The Economist këto nuk janë ndryshime të përkohshme që do të kthehen në normalitet pas disa vitesh, por një shembull i përshpejtimit të dinamikave që ishin në lëvizje: inflacioni dhe normat e interesit ishin rreptësisht të përmbajtura edhe para krizës, si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht lëshimit të likuiditeteve nga bankat qendrore.

    Kjo “epokë e re e ekonomisë” do të karakterizohet, pra, nga një humbje e pavarësisë së bankave qendrore, që do të duhet të marrin rreziqe duke braktisur rolin e ndërmjetësve që kishin që nga vitet Nëntëdhjetë, dhe nga një ndikim më i madh shtetëror.

    Një shtet me një kapacitet veprues gjithnjë e më të madh e më të thellë në ekonomi krijon disa mundësi. Normat e ulëta të interesit do ta bëjnë më të interesuar qeverinë që të marrë borxhe për të ndërtuar infrastruktura të reja, nga laboratorët kërkimorë e deri në rrjetet e energjisë elektrike, të cilat do të bëjnë të mundur rritjen e fuqisë ndaj kërcënimeve të tilla si pandemitë dhe ndryshimet klimaterike. Për më tepër, me plakjen e popullsisë, rritja e shpenzimeve të shëndetit dhe pensioneve është e pashmangshme […]

    Por epoka e re paraqet gjithashtu edhe rreziqe të mëdha. Nëse inflacioni rritet, papritmas e gjithë ndërtesa e borxhit do të tronditet, sepse bankat qendrore do të duhet të rrisin normat e interesit dhe nga ana e tyre të paguajnë interes të lartë për rezervat që kanë krijuar për të blerë letra me vlerë. Dhe, edhe nëse inflacioni mbetet i ulët, mekanizmi i ri do të jetë vulnerabël dhe mund të tejkalohet nga lobistët, sindikalistët dhe përfituesit.

    Si përmbledhje, problemi kryesor i këtij sistemi është se i lë shumë fuqi sipërmarrëse Shtetit, i cili avantazhohet për të bërë favorizitizma, duke vendosur në mënyrë arbitrare cilat aktivitete financiare dhe cilat jo, apo thjesht edhe pa synim të keq, të mund të veprojë në mënyrë jo shumë të mençur dhe të papërvojë në treg, bazuar në një axhendë politike dhe jo ekonomike.

    [Politikanët] po vendosin që tani se për cilat kompani të ndalojnë pagimin e taksave dhe cilët punëtorë duhet të paguhen nga shteti në pritje që punët e tyre të vjetra të rishfaqen. Pas jo shumë kohe, disa nga kreditë për sektorin privat do të rezultojnë të papërballueshme, duke ia lënë qeverive zgjedhjen e kompanive që duhet të falimentojnë.

    Çdo epokë ekonomike duhet të përballet me një sfidë karakteristike të kohës së saj, e cila e ka origjinën në krizën që e lindi: në vitet 1930 kriza e madhe financiare e vitit 1929 lindi politikën ekonomike kejnesiane, qëllimi i së cilës ishte të nxirrte botën nga Depresioni ekonomike në të cilën ishte zhytur. Në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë u desh të dilnim nga fenomeni i stagflacionit (d.m.th. një kombinim i palëvizshmërisë ekonomike dhe rritjes së çmimeve), i cili buronte nga kriza e 1973, duke përdorur mjetet e monetarizmit.

    Kriza që lindi tranzicionin aktual në një epokë të re ekonomike është një emergjencë shëndetësore, ku pushteti politik ka patur një rol stërmadh, për mirë ose për keq. Sfida, edhe kur kriza të tejkalohet, do të jetë krijimi i një situate që do t’i mundësojë ekonomisë së “re” – me praninë e rëndë të “Shtetit sipërmarrës” – të veprojë, duke ditur si të përballojë ndonjë krizë të mundshme financiare, pa lejuar që favorizimet politike ta marrin kalanë nga brenda.

  • Një ekip i ri i madh futbolli në Paris?

    Një ekip i ri i madh futbolli në Paris?

    Paris Saint-Germain në pronësi të Katarit së shpejti mund të arrihet nga Paris FC, që tani mbështetet nga fondi sovran i Bahreinit

    Para ardhjes në 2012 të Qatar Sports Investment, pjesa sportive e fondit sovran kombëtar të shtetit të Gjirit, futbolli në Paris ishte një çështje dytësore: Lioni, Marseja, Bordoja dhe Sent-Etien ishin qytetet që luftonin më shumë për titullin e Ligue 1, liga kryesore e kampionatit francez të futbollit. Por gjatë dekadës së fundit skenari i vjetër është ndryshuar plotësisht nga Paris Saint-Germain, skuadra kryeqytetase e cila falë investimeve monumentale të katariotëve është bërë gjigandi që mungonte në Francë.

    Por, përveç Paris Saint-Germain, në Paris janë edhe dy ekipe të tjera që luajnë në divizione më të vogla. Një nga këto, Paris FC, kohët e fundit ia ka shitur 20 përqind të aksioneve të tij fondin sovran të investimeve të Bahreinit. Operacioni u përcaktua si fillimi i një bashkëpunimi strategjik që synon ta rikthejë ekipin në Ligue 1 pas plot 40 vjetësh mungesë. Falë fondeve të garantuara nga Bahreini, enti turistik i të cilit do të bëhet sponsori i ri i përgjithshëm, Paris FC do të prezantohet sezonin e ardhshëm të Ligue 2 me një nga buxhetet më të larta të kampionatit.

    Dhe në varësi të rezultateve të arritura, vitet e ardhshme fondi mund edhe të mendojë për të blerë shumicën e aksioneve të klubit, i cili që nga viti 2012 zotërohet nga Pierre Ferracci, menaxher, familja e të cilit besohet të jetë afër Presidentit Emmanuel Macron. Në këtë rast, Paris FC mund të ringjallë rivalitetin e vjetër me bashkëqytetarët e PSG dhe jo vetëm në aspektin sportiv, duke pasur parasysh marrëdhëniet e këqija që kanë sovranët e Katarit dhe Bahreinit, me këtë të fundit në mesin e mbështetësve të embargos së imponuar në 2018.

    Të dy ekipet kanë një histori të gjatë të përbashkët që daton nga vitet ’60, kur një grup sipërmarrësish dhe njerëzish të famshëm (përfshirë aktorin Jean-Paul Belmondo) themeluan Klubin e Futbollit të Parisit (Paris Football Club), në përpjekje për të rilançuar futbollin në kryeqytet. Kohët e para, mes viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë, klubi i ri arriti të krijojë entuziazëm dhe pritshmëri, mjaftueshëm për të arritur mbi 18,000 tifozë për ndeshje, një turmë që në Paris nuk ishte parë prej vitesh.

    Stadiumi Charlety

    Për të marrë pjesë në kampionatin e divizionit të dytë, pronarët vendosën të bashkohen me me Stade Saint-Germain, një klub i vogël i themeluar në fillim të shekullit XX në komunën e Saint-Germain-en-Laye. Skuadra e re mori emrin e Paris Saint-Germain dhe fitoi menjëherë promovimin. Sidoqoftë, bashkimi nuk zgjati shumë. Në 1972 këshilli komunal i Parisit, i përfshirë në projekt dhe jo i kënaqur me emrin e dhënë ekipit, votoi në favor të kthimit në emërtimin Paris Football Club, duke e kërcënuar klubin se do të bllokojë subvencionet nëse nuk e modifikonte atë. Anëtarët e klubit, të lidhur me Saint-Germain, kundërshtuan dhe vendosën ta anulojnë bashkimin.

    Të dy klubet vijuan të ekzistojnë për hesap të tyre. Stade Saint-Germain mbajti emrin Paris Saint-Germain, rifilloi nga kategoria e tretë dhe humbi statusin e një kompanie profesionale. Ndërsa Paris FC mbeti në divizionin e parë dhe fitoi gjithashtu një qëndrimin në Parc des Princes, i cili sapo ishte ndërtuar dhe shndërruar nga një velodrom i vogël në objektin më të madh të futbollit në qytet. Historia e dy klubeve, megjithatë, u kryqëzua përsëri dy sezone më vonë, kur Paris FC ra në divizionin e dytë dhe Paris Saint-Germain ia arriti të ngjitet në të parën: të forcuar forcuar nga hapi gjigand i bërë, Paris Saint-Germain blen Parc des Princes, “duke i dëbuar” rivalët dhe duke përfituar nga vështirësitë e tyre.

  • Enrico RUGGERI – Transgresioni është një art që duhet paguar personalisht

    Enrico RUGGERI – Transgresioni është një art që duhet paguar personalisht

    Në ditët e sotme është shumë e vështirë të gjesh një artist i cili, të paktën një herë në jetën e tij, nuk është ndjerë i detyruar t’i atribuohet patenta e “transgresionit”: pas vitesh ku transgresionit, ai i vërteti, kishte tronditur ndërgjegjen dhe ndihmuar shoqërinë për të dalë nga paragjykimet dhe frenimet, sot mjafton një postim i mbushur me retorikë në një media sociale, një foto, një deklaratë për të shndërruar një bashkudhëtar të muzikës ose spektakli në një revolucionar.

    Enrico RUGGERI

    Në këto kohë, të dominuara nga “mendimi unik” është shumë e thjeshtë të gjesh konsensus duke bërë sikur je “kundër” kur, në fakt, po ecën në anën e sigurt…

    Tashmë kemi harruar që t’u konsideruar një transgresor i vërtetë nevojiten të paktën dy gjëra: bëni një tufë armiqsh dhe të paguani personalisht një çmim shumë të lartë!

    Një nga shembujt më me zë në këtë fushë është padyshim Oscar Wilde, i cili në dyzet e gjashtë vitet që ishte në botë i skandalizoi bashkëkohësit e tij, futi në krizë Anglinë viktoriane dhe tërë botën, me veprat e tij por mbi të gjitha me sjellja e tij e papranueshme (për ato vite).

    Martohet me Konstancën për dy arsye, një afëri të madhe intelektuale dhe trashëgiminë e rëndësishme të saj, lind edhe dy fëmijë, por nuk e fsheh homoseksualitetin e tij as nga e shoqja, e aq më pak nga e gjithë bota.

    Kur shkruan është zbavitës, por i mprehtë si teha e thikës, përdor paradoksin për ta bërë publikun të reflektojë, tregon se në çdo aspekt të jetës ka gjithmonë një anë të dytë, nuk i kursen kritikat për një botë tani të mykur dhe të papërgatitur për ardhjen e shekullit të ri.

    Kritikët e urrejnë, duke e treguar me gisht si shenja e dekadencës dhe e shpërbërjes morale, ai duket se nuk merret me ta, as me publikun, por është i kënaqur me rolin e tij të “subversivit”, që e ushtron kryesisht nëpër sallone, sepse e do luksin: vepra e tij më e mirë është pikërisht tek ato që ai thoshte midis fisnikëve dhe të pasurve, nëpër konferenca apo nëpër hotele të mëdha: “në veprat e mia kam vënë talentin tim, në jetën time kam vënë gjeniun”, përsëriste shpesh …

    Përçmimi i tij për të zakonshmen e bën të ngrejë gjithnjë stekën, derisa ngatërrohet në një dashuri që do të jetë fatale: prindërit e Alfred Douglas, një djalosh i borgjezisë së mirë, i shpallin luftë, duke pretenduar se djali i tyre është plagjuar nga shkrimtari.

    Në gjyq do të dëgjohen nga të gjitha, dhe do të përfundojë me një dënim për Wilde, dy vjet punë të detyruar. Që nga ai moment e tija do të jetë një luftë kundër pjesës tjetër të botës, do të udhëtojë, do të ketë të dashur të rastit dhe të tjerë që nuk do ta braktisin kurrë (përfshirë Douglas), do të arrijë të skandalizojë Amerikën, e cila do ta presë nëpër xhiro konferencash të falimentuara, dhe të gjithë Evropën e vjetër.

    Do të jetojë gjithnjë në limit, duke shpenzuar para që nuk i kishte, pa kursyer kurrë asgjë: proza e tij do të ketë gjithnjë një emërues të përbashkët, dëshirën për të stigmatizuar hipokrizinë e shoqërisë.

    Do ta bëjë me “Portretin e Dorian Grey”, kryeveprën e tij, me një “De profundis” të dhimbshëm të viteve të tij të robërisë, dhe me vepra të tjera në për të ngashëryer, ndonjëherë edhe argëtuese.

    Tek “The Canterville Ghost” (Fantazma e Canterville) Oscar Wilde ia del që me një goditje të vetme të tallet me dy kundërshtarë: nga njëra anë traditat e palëkundshme të fisnikërisë anglo-saksone, të përfaqësuar nga Sir Simon, një fisnik i fundviteve Pesëqind që jeton prej shekujsh në një kështjellë të vjetër pranë Ascot duke i terrorizuar gjithnjë banorët e zonës, nga ana tjetër pragmatizmin e ashpër amerikan, të përfaqësuar nga banorët e rinj, familja e ambasadorit Otis.

    Rezultati do të jetë komik, me binjakët e tmerrshëm Stars dhe Stripes(!) që do të përfundojnë duke shkatërruar reputacionin dhe sistemin nervor të fantazmës së shkretë, deri në një finale që do të jetë satira e të gjitha tregimeve horror që i pëlqenin aq shumë publikut. Autori godet me lehtësi, ironizon mbi dallimet kulturore, luan dhe tallet me mospërputhjet e dy popujve, atëherë shumë të ndryshëm, për mos të thënë krejt të kundërt.

    Ky është Oscar Wilde: sfida e inteligjencës, e antikonformizmit, provokimi dhe transgresioni, ai që do të vijë, ai që, po të jetonte sot, do t’i sillte mijëra haters, me buonistët dhe mendimdrejtët, të gatshëm për t’i lëshuar stuhi nga tastiera!

    Në vitet e fundit të jetës do të paguajë edhe një çmim të lartë për intemperancat e tij të të sjellurit dhe kulturore, do të udhëtojë shumë, deri në epilogun e rrugëtimit të tij tokësor, që do të zhvillohet në Paris, disa muaj pas fillimit të shekullit të ri, pak para se dritat e Belle Époque të ndriçonin horizontin e Kontinentit të Vjetër për disa vite të papërsëritshme.

    I zhytur në borxhe, i detyruar të kërkojë para nga të gjithë, i mohuar nga shumë dhe i mbrojtur vetëm nga disa besnikë, do të jetë në gjendje të mahnisë edhe në ditët e tij të fundit të jetës, duke alternuar morfinën që i ishte e domosdoshme me kupat e shampanjës! “Po vdes përtej mundësive të mia” ishte një nga fjalitë e tij të fundit të mrekullueshme.

    Ata që e njohën e quajtën veten me fat, veçanërisht pas një rehabilitimi të pashmangshëm post mortem, mbi të cilin ai së pari do të kishte ironizuar: aforizmat dhe batutat e tij u bënë legjendë. Ky, miqtë e mi, ishte një personazh i vërtetë transgresiv.

    Mos u mashtroni nga truket e heronjve të rinj të vegjël të një sezoni: këta të fundit kanë lypur vetëm përfitime të përkohshme: të mëdhenjtë, dhe Wilde ishte, janë të gatshëm të paguajnë personalisht.

  • Formula 1, ish-kampioni i botës frikëson tifozët e Ferrarit

    Formula 1, ish-kampioni i botës frikëson tifozët e Ferrarit

    Për Jacques Villeneuve, lamtumira e parakohshme e Ferrarit me Sebastian Vettel do të krijojë “një mjedis të tmerrshëm”

    Për Jacques Villeneuve, kampion i botës në Formula 1, 1997, dhe djali i tw madhit Gilles, Ferrari do ta paguajë këtë sezon lamtumirën e paralajmëruar me Sebastian Vettel. Në një intervistë për La La Gazzetta dello Sport’, kampioni kanadez flet hapur: “Ferrari është në një farë krize siç tregohet nga provat. Me largimin e Vettel, mjedisi ka të ngjarë të jetë i tmerrshëm “.

    “Sigurisht që tensioni nuk do të ndihmojë askënd në përgjithësi, madje as Leclerc – tha Villeneuve -. Do të ketë shkëndija sepse Charles tani e di që është kapo i skuadrës. Por do të jetë kundër një katër herë kampioni botëror. Një situatë e rëndë, në të cilën do të jetë e vështirë të ketë një garë të lirë”.

    Për Villeneuve kjo është një situatë gjerësisht e parashikueshme: “Po vërtetohet ajo që kisha parashikuar para dy vjetësh kur filloi karriera e Leclerc: Thashë se e njëjta situatë do të krijohej e njejta situatë si ajo midis Vettel dhe Ricciardo në Red Bull. Ja ku jemi tani: Charles i ka të gjitha potencialet për të menaxhuar situatën, të shohim si do ja arrijë”.

    “Një vëmendje e madhe është përqëndruar menjëherë tek ai, me një operacion mediatik – tha kampioni i vitit 1997 -: dashuria e gazetarëve, pëlqimi i tifozëve. Kërkohet të ndërtoohet një epokë e re Schumacher. Ai është i zoti, është bukur, ka imazh por kjo ende nuk kushton shumë. Pastaj bëri të tijën, eci shpejt dhe fitoi”.

    “Nga ana tjetër, Vettel kushtonte një shumë halucinante – thotë Villeneuve -. Nga jashtë, mbetet dyshimi se kush e bën punën, kush zhvillon makinën. Në Ferrari, këtë e dinë, dhe nëse ata kanë zgjedhur Charles, do të ketë një arsye që lidhet edhe me këtë aspekt. Leclerc këtë sezon duhet të na tregojë nëse është njeriu i duhur për të qenë rivali i Verstappen ”.

    Kampioni kanadez shpjegon arësyen se pse përmend emrin Verstappen: “F1 do të donte një të ardhme me ata të dy, sepse historia na mëson se sezonet më të mira kanë qenë ato me rivalitete të forta midis pilotëve që nuk duhet të jenë medoemos miq. Pas Hamilton-Rosberg nuk ka patur më”.

  • Si e mori peng Myslim Shyri tregtarin tiranas

    Si e mori peng Myslim Shyri tregtarin tiranas

    Në traktin e tretë të Xhelal Staraveckës, flitet për një rrëmbim të një tregtari tiranas nga Myslim Shyri, emrin e të cilin mban një rrugë e njohur e Tiranës, rolin e Dushan Mugoshës, Tahir Kadaresë, etj. Pengmarrja dhe krimi kanë qenë cilësi tipike të komunistëve në këtë kohë.

    Trakti i tretë

    Cili është objektivi i partisë terroriste komuniste për të arritur me anën e ushtrisë së krijuar me emrin ushtria nacionalçlirimtare? Cili sekret fshihej në këtë ushtri? Shumë e vështirë ma përpara dhe shumë e lehtë tani që e hoqi maskën e saj pa marrë mirë fuqinë në dorë për të lozur dramën ma tragjike që imagjinon mendja e njeriut.

    Objektivi ka qenë përmbysja, rrënimi, shkatërrimi, shkallmimi dhe zhdukja e popullit shqiptar njëherë e përgjithmonë.

    Brigada kishte qëndruar në katundin Fravësh ndoshta të Rrethit të Tiranës; që andej ndaheshin batalionet në pika të ndryshme për të goditur armikun okupator e natyrisht, sipas direktivës edhe tradhtarët e vendit.

    Kur arritëm në Priskë ku kishte ngelë për ndërlidhje komisari politik i batalionit, Myslim Shyri shumë i njohur për zotësi luftarake (të mos bisedojmë për atë politike) shofer i autoton trokvet të Fordit, mysafir i cepave të rrugëve dhe i nënurave, pijanec e i paskrupull, miku më i ngushtë i DUSHANIT, kishte kapur një gjah tepër të mirë: një tregtar tiranas që kishte ardhur te miku i tij në Priskë.

    Tregtarin tiranas, nuk ia mbajë mirë mend emrin por më duket Abdullah, e kishte arrestuar dhe e kishte dënuar me një nen, d.m.th. me vdekje. Neve kemi pas dy nene; kur ndonjë fatkeq dënohej me dy nene donte të thoshte torturë, nja 4 orë të paktën, e më në fund, në qoftë se i mbetesh ndonjë pikë shpirti, plumbin. E pyes shokun komisar sepse mbahesh i arrestuar ky civil? “Me i dhënë gjysmën e lekut” mu përgjigj ai. Në atë anë të Tiranës gjysma e lekut do të thotë plumbi. Po pse? Ç’faj ka bërë? E pyes unë. “Ka qenë polic në kohën e Zogut” mu përgjigj shoku komisar. Ah ç’rrebesh i madh për popullin shqiptar. Ta vrasim pse ka qenë spiun në kohën e Zogut; ndoshta meritonte një dënim, por jo në këtë kohë, pse neve me zogistët ishim lidhur. Imagjinoni vetë se ç’mundim kam hequr për të ndaluar vendimin e komisarit tim aq koshient për të shpëtuar nga ekzekutimi prindin e fëmijëve të shkretë që babën e dinin se kishte shkuar te miku në gosti.

    Të nesërmen, më duket 9 tetor 1943, Isa Toska i dytë (Mehmet Shehu) me një kompani nga Fraveshi vjen në Priskë të marrë kontakt me ne. Ishte nisur dhe ky për një aksion brenda në Tiranë. Shkoi rrethoi xhandarët e post komandës të Varrit të Bamit dhe u thirri që të dorëzohen. Xhandarët përgjigjen negativisht. Mehmet Shehu menjëherë shkon në një shtëpi tjetër dhe pyet se ku është postkomandanti i asaj poste. E gjeti shtëpinë e postëkomandantit e thirri dhe ai menjëherë doli jashtë duke u vënë në dispozicionin e Mehmetit me buzëqeshje dhe bile me vullnet të mirë.

    Shkoi në postkomandë, u thirri xhandarëve të tij që të dorëzohen “s’kemi asnjë rrezik se dhe këta janë shqiptarë”. Xhandarët u dorëzuan, u shoqëruan dhe u dërguan tek unë. Në mesin e ditës vjen dhe Mehmeti. Më thotë të bëj gjyqin e tyre. Çfarë poshtërsie! Gjyqi i tyre ishte i bërë, plumbi në kokë. Për formalitet, i mora në pyetje. E çfarë pyetje? U morëm vetëm emrat që i kam dhe sot në një defter shënimesh.

    1-Kapter Adil Maksuti nga Margëlliçi i Çamërisë, kish vetëm 15 ditë në shërbim, i varfër dhe fatkeq. Më se 15 vjet kish qenë punëtor në lulishten e Tiranës. Burrë plak dhe tregonte i pafajshëm.

    2-Xhandar Prenk Marku nga Koçinara e Kthellës.

    3-Zef Simoni nga Fishta e Zadrimës.

    4-Prenk Lek Shkreli, nga Malsija e Shkodrës.

    5-Prenk Kol Marku, nga Kaçimara e Kthellës.

    6-Pjetër Shkjalleshi, nga Kthella.

    Pesë të fundit kishin më tepër se një vit shërbim; natyrisht në mos një herë, një herë do të kishin hedhur pleh në arën e fashizmit duke i bërë dëm arës Shqiptare, prandaj u kufizova vetëm të shpëtoj nga vdekja kapterin 15 ditësh dhe e shpëtova. Pesë xhandarët u pushkatuan. Kapterin sado që e kishim falur e morëm me vete për pëlqimin e Dushanoviçit.

    U kthyem në qendër të brigatës, në Fravesh, atje porsa arritëm i dhamë raportet verbale komandantit terror Dushanoviçit. Në mes të tjerave referuam çështjen dhe vendimin e Adil Maksutit. Dushani, Sala ynë i dashur, i priti raportet tona me atë seriozitetin e tij njeringrënës dhe për kapterin tha: “Ani, ani, po le ta shohi dhe Tahiri një herë kapterin”.

    Tahir Kadareja nga Gjionokastra, me fytyrën e tij të shëmtuar si gorillë, por me një zemër të eshkët, është Dushani dytë. Ky shkoi e pa kapterin dhe kur u kthye sipas shkeljes së syrit Dushani tha: “ai kapter duhet vrarë pse ka qenë milic më 1918”.

    Ah, ç’fatkeqësi! I vrasin njerëzit pse kanë qenë milicë në 1918! Ah, ç ‘kontrast! Tahiri 6 vjeç në 1918 i mbështjellë me fustanin e fëmijërisë rreth avllisë së shtëpisë së tij në Gjirokastër, njeh Adil Maksutin nga Çamëria që ka qenë milic. Adil Maksutin e vranë. E vranë për dy gjëra; për të shuar etjen e gjakut që Dushani është i uritshëm të shohi orë e çast çurg gjaku nga trupat e shqiptarëve dhe e dyta për të marrë ato të shkreta rroba që kish veshur. Thomëni, thomëni e kundërshtomëni.

    (Pjesë nga trakti i tretë. Teksti është korrektuar sipas gjuhës letrare)

  • Adam Levine, fundi i një seks-simboli?

    Adam Levine, fundi i një seks-simboli?

    Frontmani i Maroon 5, në videon (fringo të re) «Nobody’s Love», debuton me një look të re. Dhe, me mjekër, me kokë të rruar dhe këmbë zhveshur, ai duket të jetë vite drite larg titullit si “burri më seksi në botë” që i atribuohej më 2013

    Ishte një seks-simbol “burri më seksi në botë”, gjëmonte People më 2013, duke kurorëzuar Adam Levine më të bukurin e më të bukurve. Në atë kohë, frontmani i Maroon 5 ekspozonte gjithë pompozitet tatuazhet e tij. Mjekra ishte e shkurtër, e e njomë dhe e ngatërruar, si ajo e dikujt që nuk ka ardhur në shtëpi gjatë natës.

    Kanotierja e bardhë, e shpifur pa dyshim, kornizonte bicepsin e këngëtarit, të vendosur, të paktën kështu dukej, për të shkundur imazhin e djalit të mirë. Adam Levine, që në vitin 2013 – pas fillimeve të trazuara – shpallte botërisht dashuri për Behati Prinsloo, pati filluar në mënyrë të qetë, me pamjen si të një djali që gjithkush do ta dëshironte për fqinj.

    Pastaj, diçka në mendjen e artistit ndryshoi, dhe Levine, nga tatuazhi në tatuazh, qepi një identitet të ri mbi vetvete, një imazh të panjohur që diti t’i siguronte favoret dhe tërheqjen e publikut femëror. Dhe, sado artificial të kishte qenë, evolucioni ia arriti suksesit.

    Adam Levine, sot babai i dy vajzave, “Dilf” do të thoshte dikush, ka qenë pra burri më seksi i burrave të gjallë. Gjë, që duket sikur është harruar sot. Në video, e fundit që grupi ka publikuar, Adam Levine ngjan si një kujtim i atij që ka qenë. Me një mjekër të gjatë dhe kokë të rruar, shihet duke i kënduar nevojës për të legalizuar marihuanën. “Dashuria ime”, thotë ai në Nobody’s Love, me këmbë të zhveshura dhe pamjen si të marrë hua prej një guruje modern, prej atyre që këpucët nuk i kanë të domosdoshme, sepse bukuria, ajo e vërtetë, qëndron tek thembrat e zeza dhe në aftësinë për të thithur energjinë e Tokës.

    Adam Levine është transformuar, përsëri. Por këtë herë metamorfoza ia ka arritur suksesit vepër përgjysëm. Sepse frontmani i Maroon 5 është përpjekur të rishpik Hannah Montanan dhe, ashtu si vajza dikur, të bëjë diçka tjetër. Adam Levine do të kishte dashur të ishte djali i keq, por i aftë, i një farë thellësie. Por ndryshe nga Miley Cyrus, që në vetvete duket se bashkon vërtetë shpirtin e trefishtë të asaj se kush mund të jetë e sinqerta Hannah Montana dhe, të nesërmen, transgresivja e Wrecking Ball, Adam Levine nuk është i trefishtë. Është një, dhe aq mund të mjaftojë vetëm nëse, në nxitimin për një modë të re, të mos ngatërrojë vazhdimisht identitetin e tij (të thjeshtë).

  • Ngec në motorin e Audi A3, kotelja shpëtohet nga zjarfikësat-mekanikë

    Ngec në motorin e Audi A3, kotelja shpëtohet nga zjarfikësat-mekanikë

    Zjarrfikësit shndërrohen në mekanikë, çmontojnë nja dy panele të një Audi A3, duke mundur të shpëtojnë një kotele, e cila kishte ngecur në ndarjen e motorit të makinës. Pronari i makinës, një zotëri bolonjez, ishte bërë gati të nisej nga Via Cappelletto në Lonigo (Vicenza) në orët e vona të pasdites së të shtunës, kur dëgjoi mjaullitjet që vinin nga motori i makinës së tij. Zjarrfikësit, të ardhur nga një lokalitet fqinj, pasi konstatuan pamundësinë e nxjerrjes së saj nga lart, vendosën për çmontimin e disa pjesëve, derisa arritën te kotelja që u kap me delikatesë.

    Kotelja në gjendje të mirë iu besua një zonje për llogari të një shoqate për mbrojtjen e kafshëve. Operacionet e shpëtimit nga zjarrfikësat përfunduan pas rreth një ore e gjysmë me ri-montimin e pjesëve të çmontuara të makinës.