Blog

  • Niue: Vendi me qiellin më të errët në botë

    Niue: Vendi me qiellin më të errët në botë

    Me mijëra yje ndriçojnë ishullin e vogël të Paqësorit. Qielli nuk ka qenë kurrë kaq i bukur

    I vogël dhe magjik është ishulli i Niue. Pak i njohur, dhe jo shumë i madh, ai shtrihet me të gjithë bukurinë e tij në Oqeanin Paqësor, i mbrojtur nga brigjet gëlqerore që përqafohen me gumën e mrekullueshme koralore. Këtu nuk ka ende shumë turistë që shkojnë, por ata që e bëjnë këtë janë magjepsur nga guroret dhe shpellat e ujërave të smeraldta.

    Ta shohësh nga lart, Niue është me të vërtetë një thesar i vogël i çmuar për t’u zbuluar, ashtu si vlera e madhe e qiellit të tij. Kështu, kur bie nata, yjet ndriçojnë të gjithë ishullin, në një mënyrë të fuqishme dhe primordiale, sepse ky vend është një rezervat i qiellit të errët.

    Shteti i Niue së fundmi është njohur si Dark sky place, prej International dark sky association, një shoqatë që ka për qëllim të vlerësojë qiellin dhe ta mbrojë atë nga urbanizimi dhe ndotja e ndritshme.

    Ky ishull, i mbrojtur nga Oqeani Paqësor dhe nga më të njohurit Tonga, Samoa dhe Zelanda e Re, fsheh dhe ruan një parajsë të vërtetë tropikale të paprekur. Këtu qielli merr pamjen e një lumi me pluhur të ndritshëm që shkrihet, kur perëndon dielli, me oqeanin, duke i dhënë të gjithëve një përvojë fantastike dhe primitive.

    Qeveria e ishullit është zotuar të bëjë që kjo të ndodhë, duke zëvendësuar llambat e rrugëve publike dhe duke minimizuar pikat e ndriçimit, si në qendrat e banuara ashtu edhe në shtëpitë private, në mënyrë që të ruajnë të gjithë zonën nga ndotja e ndritshme. Rezultati është rizbulimi i bukurisë së qiellit të qëndisur me yje.

    Aktualisht, janë rreth 130, në të gjithë botën, vendet e njohura nga Dark sky association, midis tyre parqe, zona dhe faltoreve të lashta e të largëta, qindra kilometra larg qendrave urbane, ndërsa Niue ishte kombi i parë në botë.

    Kështu, ky Shtet i zhytur në qiellin e errët ofron një nga panoramat më të bukura të paprekura të botës. Një trashëgimi, ajo qiellore, që duhet mbrojtur, ku hëna, yjet dhe planetët shfaqen në shkëlqimin e tyre maksimal falë mungesës së ndotjes së shndritshme.

  • Një perlë historike e Alfa Romeos shkëlqen përsëri

    Një perlë historike e Alfa Romeos shkëlqen përsëri

    Koleksionisti austriak Egon Zweimüller ka rikthyer në shkëlqimin e saj origjinal ekzemplarin unikal “Blue Imperial” të Alfa 33 Road

    Për shumë njerëz është makina më e bukur që është projektuar dhe prodhuar ndonjëherë. Një kryevepër e vërtetë, e krahasueshme me kryeveprat madhështore të mjeshtrave të Rilindjes, të Impresionizmit apo të çfarëdo rryme artistike. Sigurisht, dikush mund të kundërshtojë duke thënë që është “vetëm një makinë”, por është e pamundur të mos ndalesh për disa momente ta shikosh, në qoftëse je fatlum për ta hasur atë.

    Jemi duke folur për Alfa Romeo 33 Stradale, arketipi mbi të cilin më shumë se një gjeneratë e makinave sportive dhe makina garuese janë përpjekur të frymëzohen (mes tyre, gjithashtu edhe modernet 8C Competizione dhe 4C e të njëjtës markë milaneze), por pa arritur kurrë përsosmërinë stilistike të krijesës së Franco Scagliones. Një makinë që sot është bërë një pjesë e vërtetë koleksioni: midis 1967 dhe 1969 janë realizuar vetëm 18 ekzemplarë, nga të cilat 17 të lyer me klasikun Rosso Alfa 501. Vetëm një, me kërkesë të veçantë të Kontit Corrado Augusta, është realizuar me blu mbretërore.

    Një model unik në botë, pra, tani në pronësi të Egon Zweimüller, një koleksionist historik i cili prej më shumë se 50 vjetësh merret me rimëkëmbjen dhe restaurimin “pikë për pikë” të disa prej modeleve që kanë bërë historinë e automobilizmit. Dhe natyrisht, mes tyre nuk mund të mungonte Alfa Romeo 33 Stradale. Për të celebruar më së miri 110-vjetorin e lindjes së markës historike milaneze, koleksionisti austriak i është nënshtruar e vuri mjetin mjetit në një rikuperim të kujdesshëm, në mënyrë që të mund ta rikthejë në shkëlqimin e tij origjinal.

    Puna, e krahasueshme me ato të murgjve të Certozinë për përpikmërinë e tyre, kërkoi rreth 5000 orë (rreth 200 ditë, nëse po të punohej 24 orë në 24), por rezultati është pak të thuhet i jashtëzakonshëm. Siç dëshmohet nga videoja që koleksionisti austriak ka publikuar në kanalin e tij në YouTube, Alfa Rome 33 Stradale në ngjyrën blu perandorake duket sikur sapo ka dalë nga linja e prodhimit.

    Ideja origjinale e Egon Zweimüller ishte që Alfa Romeo 33 Stradale të sfilonte në Pebble Beach në gushtin e ardhshëm, por ngjarja (si shumë të tjerë në botën e dy dhe katër rrotave) u shty për shkak të pandemisë COVID -19. Pra, duke pritur që të mund ta admirojmë drejtpërdrejt në ndonjë ngjarje tjetër për automjete historike, duhet të jemi të kënaqur ta shohim dhe rishohim në YouTube:

  • Zemra e babait, Jean Alesi: Lamtumirë Ferrarit, për të ndihmuar të birin

    Zemra e babait, Jean Alesi: Lamtumirë Ferrarit, për të ndihmuar të birin

    Shifra e fituar nga shitja e makinës, mbi 1.5 milion €, shërbeu për të futur djaloshin në skuadrën HWA Formula 2

    Një baba është gati të bëjë gjithçka për të ndihmuar të birin. Kështu Jean Alesi, ish piloti i Ferrari, ka vendosur të mbështesë karrierën prej piloti të djalit të tij Giuliano duke shitur një makinë historike nga garazhi i tij: një Ferrari F40.

    Shifra e fituar nga shitja e makinës, mbi 1.5 milion €, shërbeu e gjitha për tta futur të birin në team HWA Formula 2.

    Jean Alesi ka folur në Sky Sport për ndarjen e tij nga një pjesë e historisë, siç është F40: “Nuk ka të krahasuar – pranon ai – midis të pasurit një Ferrari F40 dhe të shoh djalin tim në garë. Tani jam edhe i moshuar për ta ngarë atë”.

    Ai Ferrari F40 ishte me të vërtetë një kujtim unik për pilotin francez. Ishte piloti brazilian Nelson Piquet që përfshiu një F40 në kontratën që do të lidhte Alesinë me Ferrarin (1991), si një dhuratë.

    “Nelson thuajse e kishte përfunduar karrierën e tij, dhe unë isha një mik” thotë Alesi. “Në atë kohë ishte gjithçka ndryshe, nuk kishte agjentë të pilotëve dhe Piquet improvizoi menaxherin tim dhe bëri kontratën, edhe sepse nuk ishte e lehtë për një djalosh si unë, i cili deri një vit më parë kishte punuar në ofiçinë me të atin, të diskutonte për para dhe kontrata me njerëzit e kalibrit të Luca Cordero di Montezemolo “.

    “Në atë kontratë ishte shkruar një ‘Ferrari F40’ si dhuratë nga Ferrari. Kur ai më tregoi dokumentet, i thashë: ‘Nelson, nuk mund t’ia jap presidentit të Ferrarit, Montezemolo, do të qeshë dhe do të marrë dikë tjetër’. Ai më bindi dhe mbaj mend që presidenti e lexoi atë dhe më pas më shikoi duke thënë: Edhe pse pilot i ri, di çfarë të vendosësh në kontratë!’”.

    Tani ai Ferrari F40 do të ndihmojë të birin Giuliano për të garuar, gjë jo e lehtë për shumë pilotë të tjerë për shkak të recesionit ekonomik të prodhuar nga koronavirus: “Do të jetë një fatkeqësi për ata që garojnë në F2 dhe F3 pasi problemi është se është thuajse e pamundur të gjesh sponsorë. Shpresoj se kjo situatë t’i mësojë ndonjërit të ndihmojë të rinjtë dhe t’u japë atyre shpresë dhe të kultivojnë ëndrra”.

  • Qenushja, humb këlyshët dhe “birëson” tre mace

    Qenushja, humb këlyshët dhe “birëson” tre mace

    Stacee Jones është një grua që jeton në San Pablo, Kaliforni, dhe është pjesë e grupit “Jelly’s Place” që merret me shpëtimin, mbrojtjen dhe gjetjen e një strehe për qen dhe mace të braktisura në zonë. Me kalimin e viteve, ajo ka strehuar përkohësisht në shtëpinë e saj më shumë se 100 kafshë në pritje të një strehe të përhershme për to, por këtë herë ndodhi diçka e veçantë.

    Brenda disa ditësh, Stacee iu kërkua të kujdesej për një qenushe të braktisur që kishte humbur këlyshët e saj, si dhe për dhe 3 kotele që kishin mbetur jetime dhe ishin braktisur po ashtu. “Në ato momente më lindi një ide – thotë ajo -. Ndoshta qenushja mund të bëhej nëna e tyre!”. Kështu, së pari, ajo i prezantoi qenushes një nga mackat për të parë reagimin e saj, dhe kur pa që ajo e lëpiu dhe e mirëpriti pranë saj, Stacee i prezantoi edhe dy vëllezërit.

    “Qenushja iu afrua të tjerëve dhe i la të pinin qumësht nga ajo. Filloi të sillet si një nënë, duke i ushqyer kotelet për 5 javë”, tregon ajo. Stacee thotë se kurrë nuk ka parë diçka të tillë: “E quajtëm qenushen Keeper dhe felinët Marshmallow, Oreo dhe Cookie – thotë -. Ndodhi një mrekulli e vogël, sepse u takuan kur kishin nevojë për njëri-tjetrin. I përkasin specieve të ndryshme, por dashuria tejkalon çdo pengesë”.

    Tashmë Keeper është adoptuar dhe kotelet së shpejti do të jenë gati për adoptim. “Nga të gjitha kafshët që kam pritur, ato janë qeniet që më ngrohin më shumë zemrën”.

  • Cave Cavani!

    Cave Cavani!

    Njeriu që i ktheu krahët Napolit dhe gruas Soledad ka tradhëtuar edhe një herë PSGnë. El ‘Matador’ ka refuzuar të luajë në Champions në verë për të qenë gati për të ikur. DS Leonardo kishte parathënë qëndrimin e tij pas kupës. Bomberi uruguajan e mori si një mospërfillje: “Më mirë po iki vetë më parë”…

    Huqi i tradhtisë e ka mbërthyer përsëri Matadorin. Edinson Cavani ra sërish, njeriu i pasioneve që braktisi Napolin brenda natës për të shkuar në Paris në këmbim të një çeku për 64 milionësh, i shpërblyer nga një rrogë milioneri dhe një dush fërshëllimash një vit më vonë, ai që madje edhe gruan e tij Soledad e akuzoi për pabesi, tani ai ka “tradhtuar” edhe Psg.

    Kontrata e tij skadon më 30 qershor, skuadra e ka fituar tashmë kampionatin francez të pezulluar prej pandemisë: megjithatë, ka ende për të parë. Është Championsi, turneu i ambicjeve dhe frustimeve të sheikëve pasanikë katariotë. Ai nuk do ta luajë: nuk pasti asnjë mënyrë për ta bindur atë që të zgjasë qëndrimin deri në fund të turneut, siç sugjeron “ngrohtësisht” Fifa. Është një nga anomalitë e një sezoni që do të përfundojë vetëm në 23 gusht, por që në letër duhej të përfundonte pas 8 ditësh.

    Dhjetë ditë më parë drejtori sportiv i PSG, ish-milanisti Leonardo, njoftoi se Cavani dhe Thiago Silva nuk do të mbeten në Paris përtej fundit të Champions League. Për qendërsulmuesin uruguaian, u shndërrua në një përballje që meritonte një përgjigje po aq vendimtare: “Po largohem më parë”, duke marrë me vete 200 golat e shënuar me klubin francez.

    Rregullat ia lejojnë: kontratat janë individuale, askush nuk mund t’i zgjasë njëanësisht. Pjesa tjetër ka të bëjë me një marrëdhënie e tensionuar që nga vera e kaluar me zbarkimin e Icardit në Park de Prince, e përkeqësuar në vjeshtë me 4 lëndime gjithashtu të diskutuara dhe e përfunduar në janar me dështimin e transferimit në Atletico Madrid.

    Sigurisht që nuk do të dëshpërohet Neymar, vetëm një prej “armiqve” të tij në dhomën e zhveshjes pariziane. Cavani do ta lerë PSG falas nga 1 korriku, ai do të mundë të nënshkruajë me ndonjë klub tjetër, por nuk do të mund të luajë deri në shtator, kur merkato të rihapet. Deri atë ditë mund vetëm të stërvitet me një ekip të ri. Kështu ka dashur Fifa, për t’i lënë udhë të lirë lojtarëve në skadencë të largohen nga klubi i tyre apo për ata klube që i kanë dhënë lojtarë hua në klube të tjera për t’i marrë përsëri.

    Qëllimi është të shmangen paradokse si ai i Tousart: njeriu që shkatërroi Juventusin në Lyon nuk do të mundë të luajë ndeshjen e kthimit të të 8ave të Champions League kundër bardhezinjve, duke qenë se Hertha, e cila e bleu në janar dhe e la aty deri në në qershor, e dëshiron menjëherë në bazë. PSG ka 8 lojtarë në fund të kontratës dhe do të humbasë me siguri edhe tercinin Meunier. Werner do të lerë Leipzig për të shijuar të ardhmen tek Chelsea. Për ata që i humbasin, nuk ka asnjë shans t’i zëvendësojnë.

  • “Divorcin me Brad? E bëra për fëmijët e mi”

    “Divorcin me Brad? E bëra për fëmijët e mi”

    Angelina Jolie rrëfen detaje mbi fundin e martesës me Brad Pitt: “Ishte vendimi i duhur. Jam e përqëndruar në shërimin e fëmijëve. Disa kanë përfituar nga heshtja ime dhe fëmijët shohin shumë gënjeshtra nëpër media, por unë iu kujtoj se ata e njohin të vërtetën dhe vetveten”. E për marrëdhëniet me fëmijet…

    Angelina Jolie thotë se e ka kërkuar divorcin nga Brad Pitt për “mirëqenien” e gjashtë fëmijëve të tyre. Në një intervistë për Vogue, aktorja bëri një deklaratë të rrallë për ndarjen nga aktori. “Ishte vendimi i duhur. Unë vazhdoj të përqëndrohem në shërimin e tyre. Disa e shfrytëzuan heshtjen time dhe fëmijët shohin gënjeshtra për veten e tyre në media, por unë u kujtoj se ata e njohin të vërtetën dhe vetveten”, i tha ajo revistës.

    Fituesja e Oskarit i përshkruan fëmijët e tij si “gjashtë të rinj shumë të guximshëm dhe shumë të fortë”. Para se të lindte tre fëmijët e saj më të vegjël Shiloh, 12 vjeç, dhe binjakët Knox dhe Vivienne, 11 vjeç, Jolie ishte bërë nëna e Maddox, 18 vjeç, Pax, 16 dhe Zahara, 15 vjeç, përmes birësimit. Lidhur me këtë proces, ajo thotë se fjalët “birësim” dhe “jetimore” janë “fjalë pozitive” në shtëpinë e tyre.

    “Me fëmijët e mi të birësuar nuk mund të flas për shtatzëni, por flas me shumë detaje dhe shumë dashuri për udhëtimin e bërë për t’i gjetur dhe se si ishte t’i shikoje ata në sy për herë të parë,” ka shpjeguar.

    Gjithashtu theksoi besimin e saj se fëmijët jo biologjikë kurrë nuk duhet “të humbasin kontaktin me origjinën e tyre”. “Kanë rrënjë që ti i ke. Respektoji. Mëso prej tyre. Eshtë rrugëtimi më i jashtëzakonshëm për tu shpërndarë ”, theksoi ai.

    Angelina Jolie dhe Brad Pitt u martuan në gusht 2014 pas 10 vjetësh së bashku. Angelina kërkoi divorc në shtator 2016. Në vitin 2016, Brad dhe Maddox dyshohet se kishin një debat për një avion privat gjatë rrugës për në Los Angeles, që e bëri Angelinan të paraqiste kërkesën për divorc. Pak më vonë, gjykatësi ia dha Angelinës kujdestarinë fizike për të gjashtë fëmijët.

  • “Kush është më keq, bulli që të rreh apo ai që bën sikur nuk shikon?”

    “Kush është më keq, bulli që të rreh apo ai që bën sikur nuk shikon?”

    Edhe Lewis Hamilton, kampioni prej 60 milionë dollarësh në vit, ndjehet i diskriminuar dhe zbret në shesh në Londër: “Trajtohem ndryshe sepse jam i zi, në Britaninë e Madhe ka një racizëm të heshtur”. Me një ndërhyrje të gjatë në Times, Hamilton paralajmëron iniciativa të thera kundër racizmit: “Një herë ndjehesha i lirë vetëm në shtëpi dhe në kokë. Ka ardhur koha për t’u hedhur në sulm kundër pabarazive”

    “Kush është më keq, bulli që të rreh dhe mundon, apo kush kthehet nga ana tjetër për të mos parë?”. Nis me një pyetje-provokim ndërhyrja me të cilën Lewis Hamilton, piloti më i suksesshëm i Formula 1 në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, i dha zë zemërimit dhe zhgënjimit që ndjen ndaj paragjykimeve dhe racizmit që akoma e bëjnë pis jetën e përditshme britanike dhe ambientin sportiv ku punon.

    Me një artikull të gjatë në Sunday Times, i ndjekur nga pjesëmarrja në një demonstrim të lëvizjes Black Lives Matter në Hyde Park (dëshmuar nga fotot në profilin e tij në Instagram), Hamilton, i cili është akoma i vetmi pilot me ngjyrë i Formula 1, ka paralajmëruar gjithashtu edhe krijimin, së bashku me Royal Academy of Engineering, të një organizmi, “komisionin Hamilton”, qëllimi i të cilit do të jetë të interesojë sa më shumë fëmijë me ngjyrë drejt lëndëveë tilla si matematika, shkenca dhe teknologjia si dhe të rrisë diversitetin në Formula 1, që duhet të jetë “po aq e larmishme dhe komplekse sa bota ku jetojmë”.

    Vdekja e George Floyd, shkruan Hamilton, e bëri të ndjente një dhimbje të thellë: brutaliteti i policisë dhe racizmi i vazhdueshëm që prekin pakicat etnike janë realitete që “të gjithë zezakët e dinë”, pa përjashtim.

    Ai vetë, ka theksuar, ka qenë i detyruar të mësojë të reagojë që fëmijë – në pistat e kart kishte nga ata që i hidhnin gjëra sipër – dhe situata nuk është përmirësuar nëpër qarqet e Formula 1.

    Në vitin 2007, në një nga garat e tij të para, kishte midis publikut fansa me fytyra të ngjyrosura në të zezë. Gazetarët, thotë ai, i bëjnë pyetje të ndryshme nga kolegët e bardhë. Në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht sukseseve të papërsëritshme, ka nga ata që nuk e respektojnë dhe nuk e duan, ka të tjerë që e konsiderojnë fodull, të tjerë akoma që nuk e konsiderojnë një anglez të vërtetë. Babai i tij ia bëri në moshë fare të re fjalimin që akoma shumë baballarë të zinj janë të detyruar të bëjnë. “Gjithçka do të jetë më e vështirë për ty për shkak të ngjyrës së lëkurës tënde. Do të duhet të punosh shumë, do të duhet të punosh më fort se të tjerët”.

    Dhe ai bëri pikërisht këtë, shpesh edhe duke zgjedhur të mbante kokën poshtë dhe gojën të mbyllur. Jo më. “Kam parë njerëz që i respektoj të cilët nuk kanë thënë asgjë” për vdekjen e Floyd, ka shkruar, dhe “kjo më ka thyer zemrën. Për këtë e ndjej të domosdoshme të flas”: sepse “kur qëndron neutral, mbizotëron padrejtësia”.

    Pilotë të ndryshëm të Formula 1 kanë shprehur mbështetjen e tyre për lëvizjen Black Lives Matter pas komenteve të Hamiltonit në mediat sociale. “Të jesh i ziu i parë në çdo sektor është një rrugë plot krenari, por vetmitare”, tha Hamilton. “Në fillim ndjehesha i lirë të isha vetvetja vetëm me kaskën në kokë”.

    Me suksesin erdhi forca për të “përqafuar të gjitha dallimet e mia, në një mënyrë autentike dhe të hapur”, si dhe për të folur për tema që për të janë të rëndësishme. “Ka ardhur koha të mësojmë më shumë, të flasim më shumë, dhe – më e rëndësishmja – të bëjmë më shumë. Të fitosh kampionatet është e mrekullueshme, por dua të kujtohem për punën time në krijimin e një shoqërie më të barabartë. Dua ta përqendroj energjinë time, ndikimin tim dhe burimet e mia në krijimin e një bote më gjithëpërfshirëse”. Një sipërmarrje që fillon me shkollë dhe arsimimin.

  • Detyrat e shtëpisë së pushimeve: Ushtrime të shpejta për matematikën

    Detyrat e shtëpisë së pushimeve: Ushtrime të shpejta për matematikën

    Detyrat e shtëpisë së pushimeve tani nuk janë më problem falë ushtrimeve të shpejta dhe argëtuese për të rishikuar matematikën, propozuar nga Redooc

    Viti shkollor ka mbaruar në disa anë, dhe është afër përfundimit anëve të tjera dhe, si gjithmonë, mbërrijnë detyrat e frikshme të pushimeve. As kohën për të shtrirë kockat dhe nxënësit duhet të përballen me ushtrime dhe probleme matematikore.

    Çfare të bëjmë? Zgjidhja, për prindërit dhe fëmijët, është përqendrimi tek ushtrimet e thjeshta dhe argëtuese, që e bëjnë më pak “të rëndë” dhe të mërzitshëm rishikimin e mësimeve, duke shndërruar në lojë madje edhe një lëndë të vështirë si matematika.

    Aleati i përsosur në këtë rast është Redooc, një platformë didaktike dixhitale e ideuar për të ndihmuar fëmijët, adoleshentët dhe prindërit. E veçanta e kësaj platforme qëndron në faktin se kombinon dixhitalin me letrën, duke bërë që përdoruesit të rizbulojnë matematikën me mësime të qarta video dhe lojëra argëtuese.

    Ky sistem inovativ funksionon sepse lejon ndjekjen e procesit të të mësuarit, gjithashtu ai është i ndërtuar si një lojë, me objektiva dhe përparime që lejojnë të kalohet nga një nivel në tjetrin. E gjitha kjo i stimulon nxënësit të ecin përpara e ta zbulojnë gjithnjë e më shumë matematikn dhe sekretet e saj.

    Për nxënësit e shkollave fillore, platforma ofron lojëra të shkarkueshme dhe të printueshme, për t’i luajtur nën çadrën e diellit, në kopsht apo në shtëpi, puzzle dhe leksione për të mësuar se si të shkruhen numrat nga 0 në 9 dhe nga 10 në 19.

    Vera do të jetë një kohë e rëndësishme sidomos për fëmijët që në shtator do të fillojnë vitet e para, në të mesmen dhe superioren. Lëndët janë shndërruar si një takim fiks dhe shpesh i frikshëm nga studentët, veçanërisht kur kanë të bëjnë me matematikën.

    Zgjidhja, si gjithmonë, është të rishikoni edhe një herë mësimet e bëra gjatë vitit të sapombyllur shkollor dhe të përgatiteni në mënyrën e duhur, për të filluar vitin e ri pa ankth dhe frikë. Për nxënësit e shkollës së mesme Reedoc ofron ushtrime dhe teste të dobishme për një përmbledhje të shpejtë dhe efektive. Ndërsa për studentët që do të hyjnë në superiore, janë të disponueshme skeda me kuice mbi njohuritë rreth matematikës.

  • Xhorxh dhe Amal Kluni në krizë: gati divorci 500 milion dollarësh

    Xhorxh dhe Amal Kluni në krizë: gati divorci 500 milion dollarësh

    Xhorxh dhe Amal Kluni qenkëshin në prag të divorcit. Por kërkesa e Megan Markle hedh dyshime

    Martesa midis Xhorxh dhe Amal Kluni paska arritur në finish, pas 6 vjetësh dhe dy fëmijëve. Çifti paska gati një plan për divorcin prej 500 milion dollarësh.

    Zërat rreth krizës kanë qarkulluar prej muajsh (madje dyshohet edhe për një vajzë sekrete të Kluni), por qenka përkeqësuar me izolimin prej emergjencës shëndetësore. Avokati dhe ylli i Hollivudit nuk e paska duruar dot bashkëjetesën 24 orë në 24, shtatë ditë në shtatë. Shtypi amerikan e jep të sigurtë se për Amalin dhe Xhorxhin nuk ka më asnjë shpresë për të shpëtuar martesën.

    Sipas Globe Magazine, Xhorxhi nuk e duron dot më gruan e tij e cila, nga ana tjetër, është bërë gjithnjë e më shumë “mbytëse dhe e mërzitshme”, për të mos thënë “tiranike”. Kluni ndjehet i “tiranizuar” nga Amal që pretendon ta urdhërojë për gjithçka.

    Prandaj vendimi për t’u ndajrë me një divorc prej 500 milion dollarësh. Gjithnjë sipas Globe, Amal dhe Xhorxh po debatojnë për kujdestarinë e binjakëve, Ela dhe Aleksandër, të cilët janë dy vjeç.

    Sidoqoftë, në janar vështirësitë e çiftit ishin tashmë në gojët e të gjithëve, aq sa pozicioni i Amal krahasohej me atë të Megan Markle, me të cilën ajo është një shoqe e ngushtë. Zonja Kluni ishte në krizë ashtu si ish-aktorja e cila dukej se ishte gati të ndahej me Herrin edhe pa miratimin e Mbretëreshës. Më pas Sussex-ët, në vend që të ndaheshin preferuan t’i thonin lamtumirë Familjes Mbretërore.

    Megan dhe Herri u transferuan në Hollivud, ku ata rifilluan të takojnë Klunin dhe gruan e tij. Në fakt, Lady Markle i paska kërkuar Xhorxhit kohët e fundit ta vinte në kontakt me Brad Pitt-in me të cilin do të dëshironte të bënte një film.

    Por, pikërisht kërkesa e Meganit, që me siguri nuk do të kishte përfituar nga miku i saj po të mos ishte vërtetë një moment kaq delikat, dhe disa intervista më të fundit nga Kluni ku ai kishte vetëm fjalë lavdërimi për gruan e tij, ngjallin dyshime dhe sugjerojnë që kriza si çift nuk është në të vërtetë përfundimtare. Ndoshta Xhorxhi është ankuar me dikë për “prepotencën” e Amalit dhe kaq ka mjaftuar që të ulëritet për herëtn e rradhës për divorc. Është e qartë që ata që shqetësohen drejtpërdrejt heshtin.

  • SHBA, gjashtë hapat false të Trampit që nga fillimi i pandemisë

    SHBA, gjashtë hapat false të Trampit që nga fillimi i pandemisë

    Presidenti ndodhet në disavantazh prej 15 pikësh por ende i frikëson demokratët

    Nëse në vend të Donald Trampit tani do të ishte një tjetër President, me siguri shumica e vëzhguesve politikë do të thoshin se zgjedhjet e nëntorit e kishin që tani një fitues dhe sigurisht që nuk do të ishte republikan.

    Pse kështu?

    Thjesht sepse Presidenti, në vitin më të rëndësishëm për rizgjedhjen e tij, ka pësuar një seri goditjesh si asnjëherë më parë ndonjë President në një hark kohor kaq të shkurtër. Në të njëjtën kohë, përtej dekrarimeve, administrata e tij nuk duket se ka në dorë një strategji të suksesshme politike në një kohë kur Amerika është, pak për të thënë, e çorientuar nga pandemia dhe e frikësuar nga ekonomia.

    Shumica e sondazheve i japin Trampit një disavantazh prej 15 pikësh ndaj rivalit të tij Joe Biden, i cili ka qenë i shkëlqyer duke bërë asgjë, duke pritur vetëm hapat false të kundërshtarit të tij që mbërritën përpikmërisht. Shumica e të rinjve, afrikano-amerikanëve, hispanikëve dhe e grave, duket sikur nuk e duan një mandat të dytë trampian.

    Por, çfarë hapash false ka hedhur Presidenti që ka humbur kaq shumë pikë në vetëm 5 muaj?

    Hapin e parë fals Tramp e bëri kur, në fillim të vitit teksa pandemia godiste Kinën dhe Italinë, ai vazhdonte të përsëriste se ishte një ethe e që do të kalonte sapo të ngrohej koha.

    Hapi i dytë fals ishte kur, pasi u ndërgjegjësua për rrezikun dhe për viktimat amerikane, komplimentoi administratën e tij që kishte qenë në gjendje ta mbante brenda 150000 numrin e vdekjeve. Sidoqoftë, një menaxhimi i krizës që shumica e amerikanëve nuk e konsideronte të mjaftueshme. As amerikanët dhe aq më tepër bota e shëndetësisë nuk kanë qenë ndonjëherë dakord me njoftimet e Presidentit për virusin ‘tashmë drejt zhdukjes’, me mënyrën e tij të bashkëjetesës me virusin pa vënë maskë dhe për ekonominë që, në shumë shpejt dhe me siguri ‘do të ringrihet si raketë’.

    Hapi i tretë fals ishte rihapja e një Lufte të Ftohtë me Kinën duke e akuzuar, pa prova të dukshme, për krijimin e Koronavirusit në laborator dhe më pas duke e lënë të lirë atë. Një konfrontim i kotë, veçanërisht në një moment kur kërkohej një bashkëpunim maksimal. Hapi i katërt fals ishte vendimi për të mos mbështetur më Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) duke e akuzuar si shumë filo-kineze. Edhe këtu, një luftë absolutisht e papërshtatshme në një kohë po aq të papërshtatshme që ka provokuar vetëm kritika për vendin.

    Hapi i pestë fals ishte qëndrimi i mbajtur gjatë protestave për vdekjen e George Floyd, afroamerikanit 46-vjeçar të mbytur nga një polic i bardhë. Mesazhi i tij për ‘Low and Order’ ngjasoi, për shumë vëzhgues, shumë i djathtë dhe të orientuar dobët drejt kuptimit të problemit që kombi kishte nxjerrë në pah me protestat antiraciste. Edhe kërkesa presidenciale për të bllokuar demonstratat me Gardën Kombëtare dukej e tepërt edhe brenda vetë Forcave të Armatosura.

    Hapi i gjashtë fals ishin dy vendimet e Gjykatës Supreme kundër kundër dy kërkesave të Presidentit. E para ka mbrojtur me ligj punëtorët nga çdo diskriminim seksual dhe orientim seksual, ndërsa vendimi i dytë ka mbrojtur rreth 700,000 të rinj ‘dreamers’, të ardhur që fëmijë në SH.B.A por pa dokumente, nga deportimi siç do të dëshironte Trampi.

    Por, pavarësisht indikatorëve politikë që i japin Tramp vetëm karton të kuq, pesë muaj para zgjedhjeve, frika e humbjes mes demokratëve është e dukshme. Njeriu Tramp duket i rrethuar nga një aureolë pathyeshmërie që e ruan atë nga të gjitha hapat false apo nga “granatat” që bien rrebesh mbi të.

    Midis “granatave” tre libra, i pari për marrëveshjen paramartesore që, sipas librit iu ka dashur të ridiskutojë me gruan e tij Melania për ta bindur atë të merrte rolin e First Lady (një libër i konsideruar nga Shtëpia e Bardhë si “mbeturinë”), i dyti i shkruar nga mbesa e tij Meri Tramp, e cila tregon se si ‘u krijua nga familja njeriu më i rrezikshëm në botë’ dhe i treti, i shkruar nga John Bolton, një anëtar i lartë i Administratës Tramp, i cili e ka akuzuar Presidentin për konflikt interesi midis drejtimit të vendit dhe dëshirës së tij për t’u rizgjedhur. Presione të fortë nga Shtëpia e Bardhë po përpiqen të bllokojë botimin e librit.

    Sidoqoftë, është herët për të bërë hamendësime. E vërteta është se edhe në zgjedhjet e kaluara treguesit ishin të gjithë të kuq kundër tycoon, por çuditërisht ai nuk ka humbur kurrë.

    Do të jetë në gjendje ta bëjë mrekullinë edhe në nëntor?

    Përgatiti Dardan MITROVICA