Sekreti i kujtimeve më intensive të trurit tonë
Si ka mundësi që kujtojmë emrat e miqve të fëmijërisë që nuk i kemi parë prej vitesh, ndërsa harrojmë lehtësisht se si quhet një person i njohur një moment më parë? Studiuesit e Caltech ndoshta e kanë gjetur përgjigjen: kujtimet intensive dhe të vazhdueshme janë të koduara nga “skuadra” neuronesh që aktivizohen të gjithë bashkë për të garantuar që kujtime të caktuara të mbesin të regjistruara.
Studiuesit zhvilluan një provë për të ekzaminuar aktivitetin neural të minjve, teksa ata hulumtonin dhe memorizonin një vend të ri. I vendosën minjtë njëri pas tjetrit në një gardh të gjatë të bardhë i shenjuar nëpër pozicione të ndryshme përgjatë ndarëseve, të tilla si një plus në njërën skaj dhe një shirit diagonale në qendër. Në të dy skajet kishte shpërndarës uji me sheqer.
E ndërsa minjtë lëviznin, studiuesit masnin aktivitetin e neuroneve specifike në hipokampus (rajoni i trurit ku formohen kujtimet e reja) roli i të cilit në kodifikimin e kujtesës së vendeve ishte i njohur tashmë. Fillimisht ata panë që kur minjtë identifikuan një nga simbolet, u aktivizuan neurone individuale. Dora – dorës, teksa minjtë përftonin familjaritet me rrugën e bërë dhe kujtonin vendndodhjet e sheqerit, gjithnjë e më shumë neurone aktivizoheshin çdo herë që ata shihnin një simbol. Në thelb, minjtë po mësonin se ku ndodheshin gjatë rrugës. Pas një pauze 20-ditore, studiuesit i sollën minjtë në të njëjtin vend. Ata që kishin krijuar kujtime të koduara nga një numër më i madh neuronesh, e kujtonin më shpejt atë që duhej të bënin.
“Dihet prej kohësh se sa më shumë të praktikohet një veprim, aq më të mëdha janë shanset për ta kujtuar atë më vonë,” shpjegon Carlos Lois, i cili drejtoi studimin. “Teoritë tradicionale për arkivimin e kujtesës supozojnë se bërja e një kujtese më të qëndrueshme kërkon përforcimin e lidhjeve të një neuroni të vetëm.
Por rezultatet tona sugjerojnë që, është rritja e numrit të neuroneve që kodifikojnë vetë memorjen që të cilët bëjnë të mundur që vetë kujtesa të jetojë më gjatë ”.
___________________________________________________________________
Të flesh shumë apo shumë pak shton rrezikun e atakut kardiak
Njerëzit që flenë më pak se gjashtë orë në natë, apo më shumë se nëntë, mund të jenë më të rrezikuar nga sëmundjet kardiake, kjo sipas një studimi të Universitetit të Kolorados në Boulder. Edhe duke marrë parasysh faktorët e tjerë të mënyrës së jetesës, si të ushqyerit, stërvitja dhe duhanpirja, ata që kanë një kohëzgjatje gjumi brenda këtij diapazoni optimal kanë më pak të ngjarë të kenë një atak kardiak në një periudhe shtatë-vjeçare. Ashtu si me një dietë të mirë, edhe zakonet korrekte të të fjeturit mund të zvogëlojnë gjithashtu rrezikun e një ataku kardiak.
Materiali është përgatitur nga stafi i GT