Kompromiset e shumta të Apple me qeverinë kineze
Kompania e ka ndërtuar suksesin e saj në Kinë, e cila tani ka një faturë të kripur përsa i përket privatësisë dhe të drejtave të njeriut
Apple është bërë një nga kompanitë më të pasura dhe më të fuqishme në botë falë Kinës, ku prodhon një pjesë të madhe të produkteve të saj dhe ku gjeneron rreth një të pestën e të ardhurave të saj. Çdo ditë, qindra mijëra iPhone, iPad dhe Mac të rinj montohen në fabrikat kineze për shpërndarje në të gjithë planetin. Sistemi prodhues është rafinuar dhe fuqizuar nga Apple gjatë 20 vitet e fundit dhe kjo ka çuar në marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta me qeverinë kineze si dhe në nevojën për të gjetur kompromise mbi kërkesat për censurë dhe kontroll të aktiviteteve të përdoruesve në Kinë.
Një artikull i gjatë i New York Times tregon se si Apple gjatë viteve të fundit ka bërë lëshime të shumta ndaj qeverisë kineze, duke pranuar kërkesat e censurës dhe duke ulur masat mbrojtëse për të parandaluar verifikimin e të dhënave të përdoruesve të saj në Kinë nga autoritetet e vendit. Kompania pretendon se zbaton thjesht ligjet e vendit, por duke vepruar kështu ajo ende nuk i përmbahet parimeve që promovon në Perëndim mbi lirinë e shprehjes dhe mbrojtjes së privacy dhe të dhënave personale.
Pa alternativë
Ndër të parët që e konsideruan Kinën si të domosdoshme për të ardhmen e Apple ishte Tim Cook, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të bashkëthemeluesit të kompanisë Steve Jobs dhe pasardhësi i tij si CEO. Pas sukseseve të modeleve të para të iPhone, Cook punoi për të rritur kapacitetin prodhues në Kinë, duke përfituar nga ekspansioni i fortë i sektorit industrial në vend, i mundësuar nga investimet e mëdha qeveritare. Duke i besuar kompanive kineze prodhimin e pajisjeve në kohë shumë të shkurtër, Cook arriti të riorganizonte sistemin e shpërndarjes dhe shitjeve, duke kaluar në një model në të cilin produktet mblidhen dhe shiten shpejt pa pasur nevojë për depo të mëdha.
Asnjë vend tjetër nuk mund të ofronte kapacitete të tilla prodhimi me çmime kaq të volitshme, por me kalimin e viteve Apple do gjendej në një pozicion gjithnjë e më të pakëndshëm: të vetëdijshëm për varësinë e ngushtë të kompanisë nga Kina, autoritetet kineze filluan gradualisht të kërkojnë më shumë koncesione dhe kompromise, shpesh duke shkuar kundër politikave të mbështetura nga vetë Apple.
Gjatë viteve të fundit kompania është përpjekur ta zgjerojë prodhimin e saj duke ndërtuar fabrika edhe në vendet e tjera aziatike dhe në Indi, por zonat më të mëdha dhe më të rëndësishme të prodhimit për iPhone dhe pajisjet e tjera vazhdojnë të jenë në Kinë, për të mos përmendur mundësitë e konsiderueshme të tregur për shitjen e produkteve dhe shërbimeve online në vend.
Kontrolli i të dhënave
Vështirësitë e para serioze u shfaqën rreth vitit 2016, kur qeveria kineze miratoi një ligj që e bënte të detyrueshme ruajtjen e të gjithë informacionit personal të përdoruesve të mbledhur në territorin kinez. Problemi i preku të gjitha kompanitë e huaja aktive në vend, por u ndje veçanërisht nga Apple duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta tregtare dhe varësinë nga impiantet kineze për prodhimin e pajisjeve të tij.
Pas një konfrontimi të brendshëm, Apple ra dakord të transferojë të gjitha të dhënat e përdoruesve të saj kinezë në Kinë, duke ia besuar menaxhimin e kësaj të fundit një kontraktori të kontrolluar nga qeveria kineze. Zgjedhja, sipas New York Times, buronte nga fakti që ligjet amerikane ndalojnë transferimin e të dhënave në Kinë, ndalim që Apple do ta shmangte duke përfshirë një kompani tjetër të regjistruar drejtpërdrejti në vend.
Serverat e qendrës së të dhënave përdoren për të menaxhuar llogaritë kineze të iCloud, shërbimi i Apple për ruajtjen e kontakteve në internet, fotografive dhe backup të vetë iPhone-ve dhe pajisjeve të tjera të Apple. Ndryshe nga sa bën në vendet e tjera, kompania ka rënë gjithashtu dakord të mbajë çelësat për të deshifruar të dhënat në vetë qendrat e të dhënave në Kinë, menaxhimi i të cilave i është besuar një kompanie në pronësi të qeverisë.
Sipas ekspertëve të ndryshëm dhe disa punonjësve të Apple, këto koncesione bëjnë të mundur që autoritetet kineze të kontrollojnë të dhënat e përdoruesve kinezë, pa pasur nevojë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga kompania. Apple e ka mohuar këtë, duke thënë se ka ende kontroll mbi çelësat për dekriptimin e skedarëve dhe se nuk e ka “kompromentuar” sigurinë e të dhënave për përdoruesit në Kinë.
Apple tha se ka dhënë në nëntë raste informacione mbi po aq llogari iCloud, pas disa kërkesave nga ana e qeverisë kineze. Mirëpo, nuk është e qartë se sa kërkesa janë marrë vitet e fundit, as nëse në rrethana të tjera qeveria kineze ka siguruar në mënyrë autonome qasje në të dhënat për të cilat ishte e interesuar. Kërkesa për informacion mbi llogaritë individuale shpesh formulohet nga qeveritë edhe në Perëndim, por kompanitë e teknologjisë kanë garanci më të mëdha për të kundërshtuar kërkesat që nuk i konsiderojnë të justifikuara, duke përfshirë gjyqësorin për të zgjidhur çështjet më të kontroverse.
App Store
Përveç koncesioneve në aksesin e të dhënave, Apple vitet e fundit ka zhvilluar burokracinë e saj të brendshme për të refuzuar apo hequr aplikacione nga App Store i tij që mund të shkelin rregullat e qeverisë kineze, ose të shkaktojnë acarim midis zyrtarëve të saj. Punonjësit që punojnë në versionin kinez të App Store trajnohen për t’u kujdesur për karakteristika të veçanta të aplikacioneve. Përveç përmbajtjes normalisht të ndaluar nga Apple në të gjitha vendet, si përmbajtjet pornografike, në rastin e Kinës janë parashikuar kufizime për aplikacionet që merren me shtypjet e dhunshme të Sheshit Tiananmen, me pavarësinë e Tibetit, mosmarrëveshjet me Tajvanin dhe lëvizjet e veçanta fetare.
Apple duket se po mban një rol më shumë proaktiv, që synon në lëshime ndaj kërkesave të qeverisë kineze, në mënyrë që të mos ketë drejtpërdrejtë probleme me censurën. Megjithatë, më 2018, qeveria e Kinës kërkoi nga Apple të mos miratojë një aplikacion të zhvilluar nga Guo Wengui, një miliarder që kishte akuzuar zyrtarët kinezë për korrupsion. Drejtuesit e Apple vendosën ta fusnin Guo në një listë të “përmbajtjeve të ndjeshme për Kinën”, e cila përdoret nga softueri i kompanisë për të kontrolluar që terma dhe argumente të veçantë të mos jenë të pranishëm në aplikacionet e destinuara për tregun kinez.
Në një rrethanë, filtri nuk funksionoi siç duhet, duke mundësuar shkarkimin e një aplikacioni të krijuar nga Guo. Drejtuesit e Apple e vunë re, e hoqën me shpejtësi aplikacionin dhe më pas filluan një hetim që çoi në pushimin nga puna të një punonjësi që kishte bërë rishikimin para miratimit.
Në përgjithësi, sasia e aplikacioneve të hequra nga App Store kinez nuk duket të jetë e barabartë me aktivitetet normale të kontrollit të ushtruara nga kompania në vende të tjera. New York Times vlerëson se që nga viti 2017 të paktën 55,000 aplikacione janë zhdukur nga App Store në Kinë pavarësisht faktit se shumë prej tyre vazhdojnë të jenë të disponueshme në vendet e tjera. Mbi 35,000 prej këtyre aplikacioneve ishin lojëra për të cilat Kina kërkon miratim nga autoritetet, ndërsa 20,000 të tjera mbulonin kategori të ndryshme, duke përfshirë aplikacione për të menaxhuar dhe organizuar ngjarje, aplikacione për takime, për të shkëmbyer mesazhe dhe për të lexuar lajme të botuara nga gazetat e huaja.
Apple pretendon se në disa raste kanë qenë vetë zhvilluesit ata që kanë hequr aplikacionet e tyre dhe gjithashtu ka sinjalizuar se ka marrë shumë më pak kërkesa për heqje nga autoritetet kineze sesa vlerëson New York Times. Mospërputhja e të dhënave ka të ngjarë të ndodhë prej faktit se Apple ofron vetëm statistika mbi kërkesat e heqjes prej qeverisë, ndërsa nuk ofron shumë informacion mbi aplikacionet që vendos të heqë drejtpërdrejt, edhe në mungesë të ndonjë kërkese nga jasht.
Marrëdhënie të vështira
Shpesh e përshkruar si “fabrika e botës”, Kina është një partner tregtar esencial për shumë kompani perëndimore që prodhojnë në fabrikat kineze pjesën më të madhe të produkteve të tyre. Shumë nga këto, si Apple, kanë një varësi të ngushtë nga vendi për të kryer biznesin e tyre dhe vitet e fundit qeveria kineze ka shfrytëzuar rrethanat për të bërë kërkesa dhe për të imponuar kushte, duke qenë të vetëditjshëm se mund të përdorin interesat ekonomikë dhe në disa raste në të njëjtën mundësia ekzistenciale të ndërmarrjeve që kanë zhvendosur një pjesë të madhe të prodhimit të tyre në Kinë.
Për pjesën më të madhe të kompanive, problemet janë kryesisht të lidhura me shkeljen e të drejtave të punëtorëve prej kompanive të cilave u besojnë prodhimin e produkteve të tyre, ndërsa për të tjera, këtyre çështjeve iu shtohjnë ato të mbrojtjes së privacy dhe të drejtave njerëzore të klientëve të tyre. Këtë e dinë mirë disa kompani të mëdha të teknologjisë perëndimore, si Google, që më 2010 vendosi të mos censuronte më përmbajtjen në versionin kinez të motorit të tij të kërkimit, duke çuar efektivisht në ndalimin e tij në vend. Që nga ajo kohë, kompania është përpjekur disa herë të riaktivizojë disa shërbime, por pa progres të veçantë dhe duke hasur në rezistencë të fortë nga vetë punonjësit e saj./ Përgatiti Dardan MITROVICA